ATV

Blog

  • Vetëdorëzohet në Policinë e Prizrenit, i dënuari me mbi tri vjet burg për narkotikë

    Vetëdorëzohet në Policinë e Prizrenit, i dënuari me mbi tri vjet burg për narkotikë

    Policia në Prizren, ka njoftuar se duke vepruar sipas një plani taktik-operativ, pa ndërprerë kanë kërkuar personin e shpallur në kërkim sipas tri urdhërarresteve, i dënuari me inicialet A. Q., mashkull nga Prizreni, është vetëdorëzuar në Qendrën e Paraburgimit.

    I njëjti, sipas Policisë ka qenë në kërkim me tri urdhëresa dhe ishte i dënuar gjithsej me 3 vjet e 110 ditë burg efektiv, me vendim të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore të Prizrenit.

    “I arrestuari është dënuar me 3 vjet e 110 ditë burg, në tri raste të ndryshme, për veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, sipas nenit 267, paragrafi 2 i KPRK-së”, thotë PK.

  • Hamza takon ambasadorin austriak, flasin për zhvillimet e fundit në vend

    Hamza takon ambasadorin austriak, flasin për zhvillimet e fundit në vend

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, priti në takim Ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer.

    Gjatë takimit, Hamza shprehu mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme që Austria i ka dhënë Kosovës ndër vite, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik, duke e vlerësuar rolin e saj si një partner i rëndësishëm në proceset shtetformuese dhe zhvillimore të vendit.

    Duke folur për zhvillimet aktuale politike, Hamza theksoi se mbetet për t’u parë qasja e partive të tjera në fazën e ardhshme, duke shtuar se stabiliteti institucional dhe bashkëpunimi janë thelbësore për tejkalimin e sfidave politike.

  • Këto zakone ndihmojnë në parandalimin e rritjes së sheqerit në gjak gjatë natës

    Këto zakone ndihmojnë në parandalimin e rritjes së sheqerit në gjak gjatë natës

    Nivelet e glukozës në gjak rriten dhe bien natyrshëm gjatë ditës dhe natës, edhe kur jeni në gjumë. Por rritjet e vazhdueshme gjatë natës shpesh lidhen me atë që hani para gjumit.

    Ndryshime të thjeshta në rutinën e mbrëmjes mund të ndihmojnë që sheqeri në gjak të qëndrojë më i qëndrueshëm gjatë gjumit. Të ngrënit shumë pranë orës së gjumit, sidomos një vakt i pasur me karbohidrate, mund të shkaktojë rritje të sheqerit në gjak gjatë natës. Përpiquni të hani më herët në mbrëmje dhe zgjidhni një darkë më të lehtë dhe me më pak karbohidrate.

    Zgjidhni një vakt që ju mban të ngopur deri në mëngjes dhe që siguron lëndët ushqyese që trupi ka nevojë për pushim dhe rigjenerim gjatë gjumit. Nëse është e mundur, përfundoni ngrënien të paktën dy deri në tre orë para gjumit.

    Kjo i jep trupit kohë për tretje dhe ndihmon që niveli i glukozës në gjak të stabilizohet para se të flini. Edhe një shëtitje e shkurtër pas vaktit mund të ndihmojë në uljen e nivelit të glukozës në gjak. Aktiviteti fizik i rregullt ndihmon gjithashtu në kontrollin e peshës dhe në uljen e stresit, gjë që kontribuon në stabilitetin e sheqerit në gjak me kalimin e kohës.

    Provoni të ecni rreth lagjes pas darkës ose thjesht të lëvizni brenda shtëpisë për të shtuar hapat. Nuk është e nevojshme të bëni ushtrime intensive, aktiviteti shumë i rëndë mund ta rrisë sheqerin në gjak.

    Mbajeni lëvizjen të lehtë dhe relaksuese. Nëse keni nevojë për një ushqim të vogël para gjumit, shmangni ëmbëlsirat dhe karbohidratet e rafinuara. Zgjidhni një alternativë ushqyese që përmban proteina për të parandaluar rritjet ose uljet e sheqerit në gjak. Përfshirja e yndyrnave të shëndetshme dhe fibrave mund të ndihmojë gjithashtu që uria të mos ju zgjojë gjatë natës.

    Shembuj të mirë janë një grusht arra, një porcion i vogël kos grek, një vezë e zier, një mollë e prerë me pak gjalpë kikiriku. Pijet me kafeinë si kafeja, pijet e gazuara dhe çaji i zi mund të ndikojnë negativisht në gjumë. Po ashtu, pijet me sheqer ose pijet alkoolike të përziera mund të rrisin sheqerin në gjak pasi të keni rënë në gjumë.

    Stresi mund të prishë gjumin dhe të rrisë nivelin e sheqerit në gjak. Krijimi i një rutine qetësuese para gjumit mund të ndihmojë në të dyja drejtimet.

  • “Fadil Vokrri” hap dyert sonte për Dritën evropiane

    “Fadil Vokrri” hap dyert sonte për Dritën evropiane

    Sonte, me fillim nga ora 21:00, qyteti i Prishtinës dhe gjithë Kosova jetojnë një tjetër kapitull historik në Evropë. FC Drita pret skuadrën sllovene NK Celje në ndeshjen e parë të Play-Off-it të fazës nokaut të UEFA Conference League. Takimi zhvillohet në Stadiumi “Fadil Vokrri”, që pritet të jetë i mbushur me zë, pasion dhe krenari.

    Një ditë para përballjes, Drita mbajti konferencë për media, ku folën trajneri Zekirija Ramadani dhe lojtari Raddy Ovouka. Ovouka theksoi se ekipi është i përgatitur për një ndeshje të madhe dhe se do të japë maksimumin, pavarësisht pozicionit ku do të aktivizohet.

    Nga ana tjetër, Ramadani nënvizoi se Drita nuk do të devijojë nga identiteti i saj: ekip kompakt, i motivuar dhe i përgatitur fizikisht, psikologjikisht dhe taktikisht. Edhe pse sfida është e vështirë dhe ka mungesa në skuadër, trajneri shprehu bindjen se kualifikimi është i mundur dhe se ekipi është gati të japë më të mirën.

  • Alkooli dëmton mishrat e dhëmbëve dhe rrit rrezikun për probleme në gojë

    Alkooli dëmton mishrat e dhëmbëve dhe rrit rrezikun për probleme në gojë

    Konsumimi i tepërt i alkoolit ka pasoja të shumta për organizmin, përfshirë edhe shëndetin oral. Ekspertët paralajmërojnë se alkooli mund të dëmtojë mishrat e dhëmbëve, dhëmbët dhe indet e buta të gojës.

    Personat që konsumojnë shpesh alkool janë më të rrezikuar nga:

    • Irritimi dhe dëmtimi i mishrave të dhëmbëve

    • Tharja e gojës

    • Rritja e rrezikut për infeksione orale

    Alkooli redukton prodhimin natyral të pështymës, e cila luan rol të rëndësishëm në pastrimin e grimcave të ushqimit dhe në neutralizimin e acideve që dëmtojnë smaltin e dhëmbëve. Mungesa e saj krijon kushte të favorshme për zhvillimin e baktereve dhe problemeve dentare.

    Përveç kësaj, alkooli mund të dëmtojë procesin e rigjenerimit të qelizave të indeve në gojë. Kjo është arsyeja pse konsumimi i tepërt lidhet edhe me rrezik më të lartë për kancer të gojës dhe fytit.

    Për të ruajtur shëndetin oral, rekomandohet kufizimi i alkoolit, kujdes i rregullt ndaj higjienës së gojës dhe vizita periodike te dentisti.

  • ZKA-ja kërkon mbi 654 mijë euro shtesë, por komisioni nuk e miraton kërkesën

    ZKA-ja kërkon mbi 654 mijë euro shtesë, por komisioni nuk e miraton kërkesën

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka kërkuar mbi 654 mijë euro buxhet shtesë nga shuma e përgjithshme e paraparë në Projetkligjin për buxhetin e vitit 2026.

    Kjo pasi nga kjo zyre thanë se duhet të rekrutojnë staf shtesë e po ashtu u duhet buxhet edhe për mallra, shërbime e kategori tjera.

    “Këto 10 pozita të reja kemi kërkuar t’i mbulojmë për auditimin e fondeve të BE-së”, ka sqaruar drejtori i përgjithshëm i ZKA-së, Safet Berisha.

    Kërkesa e kësaj zyre është duke u shqyrtuar në Komisionin parlamentar për mbikëqyrjen e financave. Kryesuesi i komisionit, deputeti i PDK-së, Arben Mustafa paraqiti kërkesën e ZKA-së dhe projeksionet e parapara për sivjet.

    “ZKA-ja ka kërkuar 654 mijë e 18 euro buxhet shtesë nga ajo që është paraparë. ZKA-ja ka 185 punëtorë dhe ka në planifikim edhe 10 punëtorë shtesë. 2 milionë e ka buxhetin për paga dhe mëditje. Po ashtu kërkesa e tyre është edhe për mallra dhe shërbime, shpenzime komunale, shpenzime kapitale”, ka deklaruar Mustafa.

    Anëtarët e komisionit nga radhët e LVV-së kërkuan që në këtë fazë të mos bëhen ndryshime në buxhet.

    Sipas tyre, kërkesat e institucioneve publike mund të përfshihen në buxhet kur të bëhet rishikimi i tij muajin e ardhshëm.

    “Kërkesa është e arsyeshme. Në këtë fazë do të kemi shume kërkesa nga shumë organizata buxhetore. Në këtë fazë, kryesisht janë kërkesa që kanë të bëjnë me paga e mallra dhe shërbime te cilat akomodohen brenda buxhetit shumë lehtë kur të bëhet rishikimi i buxhetit. Prandaj në këtë fazë mendoj se nuk duhet të bëjmë ndryshime në buxhet pasi edhe ashtu seanca është nesër. Për shkak se muajin tjetër do të nisë rishikimi i buxhetit dhe të gjitha kërkesat mund të përfshihen në buxhet”, ka deklaruar deputeti i LVV-së, Hysen Durmishi.

    Mirëpo këtë e kundërshtuan deputetë të opozitës.

    “Kërkoj me kujdes të shqyrtojmë kërkesat e tyre. Këto janë në përputhje me Ligjin e pagave e rregullore të tjera. Nëse këtyre ju ndalim këtë mundësi, në fund të vitit ne kemi me qenë përgjegjës për mosrealizimin e planit të ZKA-së. Unë besoj që sot ose duhet ta miratojmë kërkesën e tyre ose mazhoranca të marrë zotim, që këto të shkojnë përpara”, ka deklaruar deputëti i LDK-së, Avdullah Hoti.

    Edhe nga PDK-ja kërkuan që sot të miratohet kërkesa e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Mirëpo, me 3 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, kërkesa e Zyrës Kombëtare të Auditimit nuk u miratua./rtk/

  • “E kemi ofru nëse dojmë me bo zgjidhje”, Daut Haradinaj flet për “kandidaturën” e Ramushit për President

    “E kemi ofru nëse dojmë me bo zgjidhje”, Daut Haradinaj flet për “kandidaturën” e Ramushit për President

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, i ftuar mbrëmë në Pressing në T7, ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri, dhe idesë së kësaj partie, që Ramush Haradinaj, të jetë kryetari i ardhshëm i shtetit

    Së pari, Haradinaj, vlerësoi kushdo që rrin në sallën e Kuvendit gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit të ri, pa një marrëveshje politike, është i ‘’shitun’’.

    ‘’Kushdo që rrin në sallë është i shitun, është direkt i shitun. Pa një marrëveshje politike, kushdo që rrin në sallë s’ka bë kalkulime politike, por individuale’’, ka thënë ai.

    Deputeti i AAK’së, theksoi edhe se, për momentin s’ka ‘’diskutim të kësaj forme’’ as me Partinë Demokratike të Kosovës, e as me Lidhjen Demokratike.

    ‘’Nuk jam prej atyne që veshna e shkoj në kuvend pse ka thanë qeshtu ai, e kështu qaj, me asnjë çmim, do më thënë këto forma të punës të paktën të unë nuk funksionojnë. Nuk ka asnjë diskutim të kësaj forme, qoftë me LDK apo edhe me PDK’’, ka deklaruar ai.

    Sa i përket kandidaturës së Ramushit, Dauti, deklaroi se kryetari i AAK’së është ‘’ofruar si mundësi’’ nëse duan të bëjnë zgjidhje, dhe se, ata kanë synuar t’i bëjnë 30 nënshkrimet që të ‘’jemi kundërkandidat’’.

    ‘’Ne kemi synu t’i marrim nënshkrimet, t’i bëjmë 30 nënshkrime dhe të jemi kundërkandidat. Në atë fazë jemi për momentin, shpresojmë të gjejmë mirëkuptimin. Nëse viktimizohet dikush, atëherë Ramushi është shprehë i gatshëm. Nëse mazhoranca ekziston në VV, plus komunitetet e zgjedhim Vjosën, ne s’kemi, se s’jemi tu i bë naj nder Ramushit, por nëse dojm më bë naj zgjidhje ja’u kemi ofru një mundësi. E para, nuk i bëjmë numrat veç na me LDK, matematikë është 30 nënshkrime plus.’’, ka deklaruar Haradinaj.

  • “Ishalla na lehtëson Zoti”, Gjesti bën të ditur se do të agjërojë për Ramazan derisa inkurajon edhe të tjerët

    “Ishalla na lehtëson Zoti”, Gjesti bën të ditur se do të agjërojë për Ramazan derisa inkurajon edhe të tjerët

    Këngëtari i njohur dhe shumë i dashur për publikun, Gjesti, ka bërë të ditur se do të agjërojë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

    Këtë e bëri të ditur përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Instagram, ku gjithashtu inkurajoi edhe të tjerët të ndjekin shembullin e tij.

    Ai potencoi gjithashtu se po përmbush edhe obligimin tjetër fetar, faljen e namazit, duke deklaruar se do të kryejë lutjen e mëngjesit.

    “Dola këtu me prit sabahun, me falë edhe me flejtë. Edhe me kismet me ndihmën e Zotit, kismet me e kry këtë muaj të shenjtë qysh duhet, ishalla na lehtëson Zoti, ishalla ‘krejtve’ na i falë gjynahet. Duhet me bo [agjëru] duhet me bo për Zotin këtë muaj, tana këto të mira edhe ‘po pritoj’ jo! Ma mirë vonë se kurrë”, ka thënë ai.

    Gjesti kohëve të fundit është rikthyer në rrjetet sociale dhe në paraqitjet publike pas një periudhe pushimi larg vëmendjes së publikut.

    Ai, para disa javësh, publikoi këngën “Memories”, e cila është dedikuar vëllait të tij të ndjerë.

  • Arrestohet vëllai i Mbretit Charles

    Arrestohet vëllai i Mbretit Charles

    Policia ka arrestuar vëllain e Mbretit tw Mbretwrisë së Bashkuar, Andrew Mountbatten-Windsor.

    BBC mëson se Andrew Mountbatten-Windsor është arrestuar nën dyshimin për sjellje të keqe në detyrën publike.

    Andrew, i cili mbushi 66 vjeç sot, u ndalua në Sandringham Estate në Norfolk të enjten, tha Policia e Thames Valley.

    Ai është nën shqyrtim të ri pasi pjesa e fundit e materialeve të publikuara nga të ashtuquajturat dosje Epstein hodhi dritë të mëtejshme mbi marrëdhënien e tij me pedofilin e ndjerë.

    Sir Keir Starmer u bë figura e fundit e profilit të lartë që ushtroi më shumë presion mbi Andrew të enjten, ndërsa iu bashkua thirrjeve që ai të dëshmonte zyrtarisht për lidhjet e tij.

    Duke folur për BBC Breakfast, kryeministri këmbënguli se “askush nuk është mbi ligjin” dhe tha: “Kushdo që ka ndonjë informacion duhet të dëshmojë.

    “Pra, qoftë Andrew apo dikush tjetër, kushdo që ka informacion përkatës duhet të paraqitet para organit përkatës, në këtë rast të veçantë po flasim për Epstein, por ka shumë raste të tjera.”

  • Pas gati 3 vitesh Endrit Nikaj e merr dënimin për vrasjen e argjentinases – si kishte ndodhur krimi i llahtarshëm në Fushë Kosovë

    Pas gati 3 vitesh Endrit Nikaj e merr dënimin për vrasjen e argjentinases – si kishte ndodhur krimi i llahtarshëm në Fushë Kosovë

    Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar për shpalljen e aktgjykimit dënues prej 18 vitesh ndaj të akuzuarit Endrit Nika për vrasjen e shtetases argjentinase në një hotel në Fushë Kosovë.

    “I akuzuari E.N. është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 18 ( tetëmbëdhjetë) vitesh. Në dënimin e shqiptuar me burgim, të akuzuarit i llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit, duke e llogaritur nga data 01.08.2023 e tutje, ndërsa me aktvendim të veçantë i vazhdohet masa e paraburgimit, deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar në këtë aktgjykim”, thuhet në njoftimin e gjykates.

    Gjykata ka përshkruar edhe krimin që ndodhi në gusht të 2023-ës.

    “Me datë 01.08.2023 rreth orës 01:59 minuta, në rrugën “ Nënë Terezë” në Fushë Kosovë, në “Hotel Sonoma”, në katin e VI, i akuzuari E.N. pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij – të dëmtuarën e tani të ndjerën M.K.U. shtetase argjentinase, kishte vazhduar përleshjen dhe nga goditjet ndaj të dëmtuarës e kishte nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i VI (gjashtë), me ç’rast e dëmtuara – tani e ndjera M.K.U., kishte pësuar lëndime të rënda trupore, edhe përkundër trajtimit mjekësor e njëjta kishte ndërruar jetë në QKUK”.

    I akuzuari detyrohet që në emër të shpenzimeve të procedurës penale – paushallit gjyqësor, të e paguajë shumën 1000,00 (njëmijë) euro dhe në emër të taksës për Fondin e Kompensimin e Viktimave të Krimit, shumën prej 50,00 (pesëdhjetë) euro, e gjitha këto në afatin prej 15 ditëve, nga dita kur aktgjykimi të merr formën e prerë.

    E dëmtuara M.M.D., për realizimin për realizimin e kërkesës pasurore – juridike, udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.

    Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.