ATV

Blog

  • Mbreti Charles flet hapur pas arrestimit të vëllait të tij për lidhje me Epstein

    Mbreti Charles flet hapur pas arrestimit të vëllait të tij për lidhje me Epstein

    Andrew Mountbatten-Windsor, vëllai i Mbretit Charles është arrestuar nën dyshimet për sjellje të keqe në detyrën publike.

    Një deklaratë nga policia tha: “Sot kemi arrestuar një burrë në të 60-at nga Norfolk me dyshimin për sjellje të keqe në detyrën publike dhe po kryejmë kërkime në adresa në Berkshire dhe Norfolk. Burri mbetet në paraburgim policor në këtë kohë”.

    Policia ka qenë duke vlerësuar akuzat se Mountbatten-Windsor – i njohur më parë si Princi Andrew – ka ndarë informacione të ndjeshme me miliarderin Jeffrey Epstein, kur ai ishte një i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar.

    Policia e Thames Valley tha më parë se po shqyrtonte akuzat se një grua ishte trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar nga Epstein për të pasur një takim seksual me Andrew, dhe pretendon se ai ka ndarë informacione të ndjeshme me financierin e turpëruar ndërsa shërbente si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar.

    Tani në lidhje me arrestimin ka reaguar Mbreti Charles.

    Sipas tij, “ligji duhet të marrë rrugën e vet” edhe pse shprehu “shqetësimin e tij më të thellë” për arrestimin e vëllait të tij më të vogël.

    “Me shqetësimin më të thellë mësova lajmin për Andrew Mountbatten-Windsor dhe dyshimin për sjellje të keqe në detyrën publike. Ajo që vijon tani është procesi i plotë, i drejtë dhe i duhur me anë të të cilit kjo çështje hetohet në mënyrën e duhur dhe nga autoritetet përkatëse. Në këtë drejtim, siç e kam thënë edhe më parë, ata kanë mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë të plotë dhe të përzemërt”, tha Mbreti Charles.

    “Më lejoni ta them qartë: ligji duhet të marrë rrugën e vet”, shtoi ai.

    “Ndërsa ky proces vazhdon, nuk do të ishte e drejtë që unë të komentoja më tej mbi këtë çështje. Ndërkohë, unë dhe familja ime do të vazhdojmë detyrën dhe shërbimin tonë ndaj jush të gjithëve”, përfundoi monarku.

  • Fjalim i Trump, rezolutë e përbashkët, kjo është agjenda e mbledhjes së parë të Bordit të Paqes

    Fjalim i Trump, rezolutë e përbashkët, kjo është agjenda e mbledhjes së parë të Bordit të Paqes

    Sot në Washington do të zhvillohet takimi inaugurues i Bordit të Paqes i Presidentit të SHBA-së Donald Trump. Ky bord synon të çojë përpara rindërtimin e Gazës.

    Takimi vjen gati katër muaj pasi administrata Trump ndërmjetësoi një armëpushim në Rripin e Gazës që lejoi lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura izraelite.

    Megjithatë, që atëherë, të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje pothuajse të përditshme të armëpushimit dhe qindra palestinezë janë vrarë, sipas ministrisë së shëndetësisë në Gaza të drejtuar nga Hamasi.

    Megjithatë, një zyrtar i lartë amerikan kundërshtoi idenë se përparimi në Gaza ka ngecur.

    “Nuk kemi iluzione për sfidat në lidhje me demilitarizimin, por jemi inkurajuar nga ajo që kanë raportuar ndërmjetësit”, tha zyrtari i lartë amerikan të mërkurën.

    Ndërsa SHBA-të po e quajnë takimin e së enjtes si një takim inaugurues, anëtarët e Bordit të Paqes u takuan muajin e kaluar në Zvicër për një ceremoni nënshkrimi në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror.

    Agjenda

    Mbledhja e sotme do të fillojë me një mëngjes në orën 9:00 (15:00 me orën e Tiranës).

    Trump do të mbërrijë në orën 10:00 për të mbajtur fjalimin hapës dhe për të nënshkruar një numër rezolutash që kanë të bëjnë me Gazën.

    Kryetari i secilit delegacion të pranishëm u udhëzua të ofronte një fjalim të shkurtër, gjatë të cilit ata inkurajohen të njoftojnë kontributet e tyre në përpjekjet e rindërtimit të Gazës.

    Do të ketë gjithashtu fjalime nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ndihmësit e lartë të Trump, Jared Kushner dhe Steve Ëitkoff, Ambasadori i SHBA-së në OKB, Mike Ëaltz, ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bordit të Paqes për Gazën, Nickolay Mladenov, thotë zyrtari amerikan.

    Rubio është anëtar i Bordit Ekzekutiv të Bordit të Paqes, ndërsa Kushner, Ëitkoff, Blair dhe Mladenov janë anëtarë të Bordit Ekzekutiv të Gazës të Bordit të Paqes. Të dy panelet pritet të luajnë një rol në mbikëqyrjen e menaxhimit të Gazës pas luftës.

    Trump do të marrë pjesë në një foto në grup përpara se të largohet në orën 11:00, ndërsa eventi do të vazhdojë për një orë tjetër, sipas një orari të dërguar pjesëmarrësve.

  • Lituania hap Konsullatën në Kosovë

    Lituania hap Konsullatën në Kosovë

    Lituania ka hapur Konsullatën e saj në Kosovë, teksa kjo ngjarje është parë si kapitull i ri në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

    Në ceremoninë zyrtare të organizuar me këtë rast, para të pranishmëve u drejtua ambasadori jorezident i Lituanisë për Kosovën, Eduardas Borisovas, i cili theksoi se hapja e konsullatës përfaqëson një hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit institucional, ekonomik dhe kulturor. Ai nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme të Lituanisë për integrimin evropian të Kosovës dhe për konsolidimin e shtetësisë së saj në arenën ndërkombëtare.

    Të pranishmëve iu drejtua edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, i cili e cilësoi këtë akt si dëshmi të besimit të ndërsjellë dhe të partneritetit strategjik mes dy vendeve. Sipas tij, thellimi i marrëdhënieve parlamentare dhe shkëmbimi i përvojave në fushën e reformave demokratike mbetet prioritet i përbashkët.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke theksuar se prania konsullore do të lehtësojë komunikimin institucional dhe do të forcojë koordinimin në çështje me interes të përbashkët.

    Ndërsa konsulli i nderit, Bashkim Zeqiri, u shpreh i nderuar për besimin e dhënë dhe u zotua se do të punojë për promovimin e interesave të ndërsjella, duke ndihmuar në ndërtimin e urave të reja bashkëpunimi në ekonomi, arsim, kulturë dhe investime.

    Hapja e kësaj konsullate përfaqëson jo vetëm një prani diplomatike më të fuqishme të Lituanisë në Kosovë, por edhe një sinjal të qartë për përkushtimin e dy vendeve drejt një partneriteti afatgjatë, të bazuar në respekt, solidaritet dhe vizion të përbashkët evropian.

  • Aksioni te Apeli, vendoset mbishkrimi “Gjykata e Apelit shfajëson e shpërblen abuzuesit e vajzave dhe grave”

    Aksioni te Apeli, vendoset mbishkrimi “Gjykata e Apelit shfajëson e shpërblen abuzuesit e vajzave dhe grave”

    Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur një aksion para Gjykatës së Apelit në Prishtinë si reagim ndaj lirimit të akuzës për policin e akuzuar për abuzimin e shumëfishtë seksual të vajzës së mitur nga Drenasi më 2019-ën dhe kthimin në punë.

    Ky Kolektiv kërkon nga Gjykata që polici i rikthyer në punë të largohet, pasi që siç theksojnë i njëjti paraqet dyfish rrezik për çdo vajzë e grua në uniformë zyrtare.

    Gjersa në dyert e Gjykatës së Apelit kanë vendosur një pankarta me mbishkrim “Gjykata e Apelit shfajëson e shpërblen abuzuesit e vajzave dhe grave”

    “Dje në lajme u bë me dije se Gjykata e Apelit në Prishtinë ka vendosur që përveç se ta lirojë nga akuza policin e akuzuar për abuzimin e shumëfishtë seksual të vajzës së mitur nga Drenasi në vitin 2019, ta dëmshpërblejë atë me mbi 45 mijë euro paga, trust e kamatë ligjore dhe ta kthejë në punë.

    Ky vendim i cili ka kaluar në heshtje në vitin 2024 paraqet alarm për sigurinë tonë kolektive si vajza dhe gra. Është lemeritëse për ne të marrim vesh se të akuzuarit për abuzim seksual të një vajze të mitur, përveç se është liruar, të vazhdojë të punojë në Policinë e Kosovës, e cila është adresa e parë për raportim të dhunës. Ky shfajësim dhe shpërblim i abuzuesve e ushqen edhe më tej mosbesimin, frikën dhe hezitimin që vajzat dhe gratë e kanë për të raportuar në institucione dhunën që ju bëhet. Teksa policia, gjykata e institucione tjera publike akomodojnë abuzues seksualë, ne nuk mund të jemi të sigurta askund.

    Andaj të revoltuar/a, nga kjo gjykatë kërkojmë që polici i rikthyer në punë të largohet nga puna duke qenë së i njejti paraqet dyfish rrezik për çdo vajzë e grua në uniformë zyrtare. Kërkojmë dhe thërrasim veprim kolektiv ndaj kësaj praktike shfajësuese e cila po normon dhunë mbi trupat tanë.

    Të vetëdijshme për rrezikshmërinë e kudogjendur që na i përshkon jetët tona, ne përveç vigjilencës tonë, kërkojmë edhe solidarizim e organizim shoqëror për t’i bërë ballë sulmeve të shumëanshme që na bëhen. Vetëm nëpërmjet solidarizimit, refuzimit të dhunës së institucionalizuar patriarkale dhe organizimit të shtrirë shoqëror, mund t’i mbrojmë trupat tanë kundër këtij shteti patriarkal”, thuhet në komunikatën për media.

  • Pau Cubarsi:Do synojmë të fitojmë titullin e Ligës së Kampionëve

    Pau Cubarsi:Do synojmë të fitojmë titullin e Ligës së Kampionëve

    Qendërmbrojtësi Pau Cubarsi ka folur për gjasat e Barcelonës për fitimin e titujve në fund të sezonit.

    Cubarsi ka deklaruar edhe për gjasat e fitimit të Ligës së Kampionëve,duke thënë se do të bëjnë të pamundurën që të sjellin në Camp Nou trofeun më prestigjioz evropian.

    “Ne duam që ata të jenë me ne, sepse do të luftojmë deri në fund, siç kemi bërë gjithmonë, dhe do të përpiqemi të sjellim në shtëpi Ligën e Kampionëve dhe të gjitha titujt e mundshëm në mënyrë që të gjithë të jenë të lumtur dhe të mund të festojmë një sezon të shkëlqyer”

    Përndryshe Cubarsi shton se fillimi i sezonit ishte i vështirë,por beson se në fund skuadra mund t’ia dal deri në fund për një sezon të suksesshëm.

    Kujtojmë që Barcelona aktualisht është i dyti në La Liga me 58 pikë dy më pak se Real Madrid që është lider në La Liga,teksa është afër eliminimit nga Kupa e Mbretit nga Atletico Madrid.

  • Zuckerberg para gjykatës, një 20-vjeçare padit platformat online që krijojnë varësi

    Zuckerberg para gjykatës, një 20-vjeçare padit platformat online që krijojnë varësi

    Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka nisur një proces gjyqësor, që sipas ekspertëve, mund të ketë ndikim të gjerë në industrinë e teknologjisë.

    Një 20-vjeçare ka paditur platformat online, të cilat i akuzon se i kanë projektuar shërbimet e tyre në mënyrë të qëllimshme për të krijuar varësi tek përdoruesit.

    Në bankën e dëshmitarëve është ulur edhe vetë kreu i Meta-s, Mark Zuckerberg, i cili i doli në mbrojtje praktikave të kompanisë së tij. Themeluesi i Facebook insistoi se kompania nuk vendos më objektiva për kohën që përdoruesit kalojnë në aplikacionet e saj. Por sipas raportimeve nga salla e gjyqit, ai e pranoi gjithashtu se në të kaluarën ka pasur mangësi në verifikimin e moshës së përdoruesve.

    Në mea culpa-n e tij pohohej se kompania ka qenë e ngadaltë në identifikimin e përdoruesve të mitur dhe se disa fëmijë nën moshën 13 vjeç kanë arritur të hapin llogari në platforma si Instagram, ndonëse kjo bie ndesh me kushtet e përdorimit. Sipas tij, llogaritë e tilla hiqen sapo zbulohen. Në padi, 20-vjeçarja pretendon se platformat janë ndërtuar me mekanizma që nxisin përdorimin e vazhdueshëm, si funksioni i “scroll”-it të pafund, që i lejon përdoruesit të kalojnë pa ndërprerje nga një postim në tjetrin. Ajo thotë se ka nisur t’i përdorë këto rrjete që në fëmijëri dhe i lidh problemet e saj me depresionin dhe ankthin me përdorimin e tyre afatgjatë.

    Padia është ngritur kundër YouTube dhe Instagramit. Gjyqi konsiderohet se mund të krijojë një precedent të rëndësishëm mbi përgjegjësinë ligjore të kompanive të teknologjisë mbi ndikimin e produkteve të tyre në shëndetin mendor të përdoruesve.

  • Kusari tregon për dy dukuri të çuditshme që ndodhën mbrëmë në RTK

    Kusari tregon për dy dukuri të çuditshme që ndodhën mbrëmë në RTK

    Juristja e medias Flutura Kusari ka treguar për dy gjera që mbrëmë kanë ndodhur në RTK.

    Ajo ka bërë me dije se dikush në këtë televizion ka dhënë urdhër që reagimi i gjashtë organizatave ndërkombëtare, përmes së cilit kërkohet që Qeveria Kurti t’ia japin RTK-së buxhetin që i takon, të zhduket nga edicioni i lajmeve të orës 23.00

    Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se ky është servilizëm i skajshëm.

    “Dy gjera kane ndodhe mbreme lidhur me RTK. 1. Eshte dhene urdher i prere redaktorial qe reagimi i gjashte organizatave nderkombetare permes se cilit i kerkohej Kurtit dhe Haxhiut t’ia japin RTK-se buxhetin qe i takon, eshte zhdukur nga edicioni i lajmeve ne ora 23.00. Kjo quhet servilizem i skajshem, vetenenshtrim, kapje politike e transmetuesit publik. Sot besoj e marr vesh kush e ka dhene kete urdher dhe kush e ka zbatu”, ka shkruar ajo, duke treguar se ndodhia është se ky televizion nuk e ka dërguar projeksionin për buxhet në Komisionin Parlamentar për Media.

    “2. Deputetet Ariana Shoshi, Ganimete Musliu dhe Time Kadriaj dje kane deklaru publikisht qe RTK nuk e ka dergu projeksionin ne komisionin per media. Drejtori i RTK doli ne lajme qendrore dhe i demantoi te trijat duke thene qe e ka dergu projeksionin. Cila eshte e verteta ketu?”, ka shkruar ajo.

  • Të akuzuarit për rastin “Banjska” dalin para gjykate

    Të akuzuarit për rastin “Banjska” dalin para gjykate

    Të  akuzuarit për sulmin në Banjskë të Zveçanit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, janë dërguar para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë ku pas pak pritet të vazhdoj procesi gjyqësor ndaj tyre, raporton Ekonomia Online.

    Në seancëen e një dite më parë është dëgjuar dëshmia e turisti nga Maqedonia e Veriut, i cili kishte përjetuar traumë të rëndë psikologjike gjatë sulmit në Banjskë dhe që kishte qenë i shoqëruar me familjen e tij edhe me një fëmijë me autizëm, ka dëshmuar në seancën gjyqësore për rastin e sulmit në Banjskë ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

     

  • Për herë të parë në 163 vjet, Ramazani, Viti i Ri Hënor dhe Kreshma filluan brenda 24 orëve

    Për herë të parë në 163 vjet, Ramazani, Viti i Ri Hënor dhe Kreshma filluan brenda 24 orëve

    Ka javë të zakonshme, por janë disa javë kur yjet, hëna e traditat përputhen.

    Nga nata e 17 shkurtit deri më 18 shkurt 2026, Viti i Ri Hënor, Ramazani dhe Kreshmët do të fillojnë brenda më pak se 24 orësh nga njëra-tjetra, shkruan Sortiraparis.

    Kjo përputhje nuk ka ndodhur që nga viti 1863 dhe një e tillë do të përsëritet pas 163 vitesh, pra në vitin 2189.

    Në Azi, Viti i Ri Hënor shënon fillimin e një cikli të ri të shënuar nga ribashkime familjare, festa të përzemërta dhe transmetimi i traditave. Familja mbetet në zemër të festimeve, me kalimin nga një vit në tjetrin që shërben si një urë midis brezave për njerëzit atje.

    Në një kontekst të ndryshëm, por me një intensitet shpirtëror të krahasueshëm, Ramazani, muaji i nëntë i kalendarit hënor islamik – u bën thirrje myslimanëve të agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit, të thellojnë lutjet e tyre dhe të nxisin komunitetin dhe solidaritetin.

    Sezoni i Kreshmëve, i respektuar nga katolikët dhe shumë të krishterë, shënon dyzet ditë përgatitjeje shpirtërore për Pashkët, të karakterizuara nga lutja, agjërimi dhe aktet e bamirësisë.

    Këtë javë miliarda njerëz në mbarë botën do të fillojnë një periudhë të rëndësishme shpirtërore, pothuajse njëkohësisht, secili sipas besimit dhe kulturës së tyre.

  • OKB thotë se mizoritë në Sudan janë ”shenja të gjenocidit”

    OKB thotë se mizoritë në Sudan janë ”shenja të gjenocidit”

    Një mision faktmbledhës i OKB-së ka përcaktuar se provat e mizorive të kryera gjatë rrethimit dhe marrjes nën kontroll të qytetit sudanez el-Fasher tregojnë për gjenocid.

    Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) pushtuan el-Fasherin, i cili ndodhet në rajonin perëndimor të Darfurit, në fund të tetorit pas një bllokade 18-mujore.

    Ishte një nga kapitujt më brutalë në luftën civile gati trevjeçare të Sudanit dhe shkaktoi zemërim të gjerë ndërkombëtar, shkruan BBC.

    Kjo është më afër që OKB ka arritur të deklarojë se luftëtarët e RSF-së në Darfur po kryejnë gjenocid gjatë konfliktit aktual. RSF nuk ka komentuar mbi raportin, por ka mohuar akuza të tilla të mëparshme.

    “Trupi i provave që mblodhëm – duke përfshirë rrethimin e zgjatur, urinë dhe mohimin e ndihmës humanitare, të ndjekura nga vrasjet masive, përdhunimet, torturat dhe zhdukjet me forcë, poshtërimin sistematik dhe deklaratat e vetë autorëve të krimit – lë vetëm një përfundim të arsyeshëm”, tha ekspertja e misionit të mbledhjes së fakteve, Mona Rishmawi.

    “RSF veproi me qëllim shkatërrimin, tërësisht ose pjesërisht, të komuniteteve Zaghawa dhe Fur në El-Fasher. Këto janë shenja dalluese të gjenocidit”.