ATV

Blog

  • Shpërthen kamioni në mënyrë fatale në Santiago, humbin jetën 4 persona dhe 17 të plagosur

    Shpërthen kamioni në mënyrë fatale në Santiago, humbin jetën 4 persona dhe 17 të plagosur

    Të paktën katër persona humbën jetën dhe 17 të tjerë u plagosën pasi një kamion që transportonte gaz të lëngshëm u përmbys dhe shpërtheu në kryeqytetin e Kilit, Santiago, njoftuan autoritetet të enjten.

    Sipas policisë, shoferi humbi kontrollin e mjetit përpara se të përplasej, duke shkaktuar shpërthimin e fuqishëm. Mes viktimave është edhe vetë shoferi i kamionit. Zyra e prokurorit ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

    Kamioni ishte i lidhur me kompaninë lokale të gazit Gasco, e cila nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

    Ngjarja ndodhi në komunën veriore të Rencës, pranë një autostrade kryesore dhe një zone industriale. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan flakë të mëdha që përfshinë zonën pas shpërthimit.

    Sipas zjarrfikësve, shpërthimi u ndje në një rreze prej 150 deri në 200 metrash dhe dëmtoi të paktën 50 automjete. Presidenti i Kilit, Gabriel Boric, deklaroi se mbeturinat nga shpërthimi ranë mbi tre biznese, por deri më tani nuk ka raportime për dëme të tjera të përhapura.

    Guvernatori i rajonit metropolitan të Santiagos, Claudio Orrego, bëri të ditur se pesë persona ndodhen në gjendje të rëndë. “Njëri prej tyre ka djegie që mbulojnë 100% të trupit dhe është në rrezik të menjëhershëm për jetën”, tha ai.

  • Sulmuesit vrasin të paktën 50 njerëz, rrëmbejnë gra e fëmijë në Nigeri

    Sulmuesit vrasin të paktën 50 njerëz, rrëmbejnë gra e fëmijë në Nigeri

    Të paktën 50 njerëz u vranë dhe disa gra e fëmijë u rrëmbyen, pasi disa burra të armatosur sulmuan një fshat në shtetin veriperëndimor nigerian, Zamfara, i tha të premten agjencisë “Reuters” një ligjvënës shtetëror.

    Hamisu A. Faru, ligjvënës që e përfaqëson vendbanimin Bukkuyum, tha se sulmuesit e bastisën fshatin Tungan Dutse rreth orës 17:00 të enjten deri rreth orës 3 e 30 minuta të mëngjesit të së premtes, duke djegur ndërtesa e duke i qëlluar me armë banorët që mundoheshin të iknin.

    “Ata kanë qenë duke lëvizur nga një fshat te tjetri… duke lënë të vdekur të paktën 50 njerëz” – tha përmes telefonit Faru.

    Ai shtoi se numri i viktimave të rrëmbyera nuk është përcaktuar ende. Një zëdhënës i policisë shtetërore në Zamfara nuk iu përgjigj thirrjeve për koment.

    Abdullahi Sani, 41 vjeç, banor i fshatit Tungan Dutse, tha se tre anëtarë të familjes iu vranë në sulm.

    “Askush nuk fjeti dje, të gjithë jemi në dhimbje” – tha ai.

    Një ditë më parë, banorët i kishin kontaktuar forcat e sigurisë dhe autoritetin lokal, kur kishin parë më shumë se 150 motoçikleta me burra të armatosur, por paralajmërimi u shpërfill, tha Sani.

  • Moti sot kryesisht i vranët, priten reshje shiu e bore

    Moti sot kryesisht i vranët, priten reshje shiu e bore

    Sot parashikohet mot kryesisht i vranët dhe lokalisht pritet të ketë reshje të pakta shiu e bore, sidomos në orët e mëngjesit. 

    Era do të fryjë kryesisht nga veriu dhe verilindja, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme lokalisht, me shpejtësi prej 15-41 km/h.

    Temperaturat minimale do të luhaten prej 1 deri në 3°C, ndërsa ato maksimale prej 2 deri në 7°C.

  • Bombola e gazit lotsjellës godet protestuesin në kokë

    Bombola e gazit lotsjellës godet protestuesin në kokë

    Efektivët e policisë përdorën gaz lotsjellës, ku një bombolë goditi në kokë një protestues, i cili ra i lënduar rëndë, duke mbajtur kokën.

    Gjendja e tij shëndetësore ende nuk është bërë e ditur.

    Videon e plotë e gjeni në linkun e mëposhtëm:

    https://www.facebook.com/reel/26100954196229648/?mibextid=ZZyLBr

  • PD-ja: Mbi 40 persona të shoqëruar nga policia pas protestës

    PD-ja: Mbi 40 persona të shoqëruar nga policia pas protestës

    Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka deklaruar se mbi 40 persona janë shoqëruar nga policia pas protestës.

    Ai akuzoi forcat e rendit për arrestimin e qytetarëve që, sipas tij, protestuan paqësisht, duke shtuar se mes të shoqëruarve ka edhe kryetarë degësh të PD-së.

  • Gjashtë të vrarë nga sulmet izraelite në Libanin lindor

    Gjashtë të vrarë nga sulmet izraelite në Libanin lindor

    Të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe 25 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve izraelite në Luginën Bekaa të Libanit.

    Ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër qendra të Hezbollahut në zonën e Baalbek.

    Sulmet rrezikojnë të tensionojnë armëpushimin e brishtë mes Izraelit dhe Hezbollahut, ndërsa palët kanë shkëmbyer akuza për shkelje të marrëveshjes.

  • Inskenoi grabitje për 1,400 euro, arrestohet i dyshuari në Malishevë

    Inskenoi grabitje për 1,400 euro, arrestohet i dyshuari në Malishevë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një mashkull nga fshati Llazicë, i cili inskenoi një grabitje për të përvetësuar 1,400 euro.

    Pas hetimeve, u konstatua se rasti nuk kishte ndodhur dhe i dyshuari ka pranuar veprimin, duke treguar vendin ku i kishte fshehur paratë.

    Mjetet financiare u kthyen tek pala përkatëse, ndërsa ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “Lajmërim apo kallëzim i rremë”.

  • KFOR dhe NALT vizitojnë Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim të FSK-së

    KFOR dhe NALT vizitojnë Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim të FSK-së

    Komandanti i KFOR, Gjeneral Major Özkan Ulutaş, së bashku me Drejtorin e NATO Advisory and Liaison Team (NALT), Gjeneral Brigade Sven Lange, kanë vizituar Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim dhe Shpëtim (SaR) të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Gjatë vizitës, drejtuesit e misionit u njohën nga afër me kapacitetet operacionale dhe aktivitetet trajnuese të qendrës, duke theksuar rëndësinë e operacioneve efikase të kërkim-shpëtimit në funksion të sigurisë publike dhe reagimit emergjent. Në fokus ishte edhe roli i Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të mandatit të saj për mbrojtje civile.

    Sipas njoftimit, vizita të tilla kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve, me qëllim garantimin e sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit rajonal.

    “KFOR vijon zbatimin e mandatit të saj, të bazuar në Rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Misioni punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me European Union Rule of Law Mission in Kosovo (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftim.

  • A duhet t’i lani rrobat nga ana e brendshme?

    A duhet t’i lani rrobat nga ana e brendshme?

    Rrobat grumbullohen shpejt dhe larja e tyre shpesh duket si një punë e lodhshme. Megjithatë, kthimi i rrobave nga ana e brendshme para larjes është një hap i thjeshtë që mund ta bëjë ditën e larjes më të lehtë, sepse ka disa përfitime.

    Gjithsesi, kjo zakonisht ka edhe disa të meta. Më poshtë, dy ekspertë të larjes shpjegojnë pse duhet (dhe kur nuk duhet) t’i lani rrobat nga ana e brendshme.

    Pse duhet t’i lani rrobat nga ana e brendshme

    Kthimi i rrobave përmbys para larjes ndihmon në mbrojtjen e ngjyrave nga zbehja. Gjithashtu, për shembull, kthimi i xhinseve nga brenda ndihmon që zinxhirët, kopsat dhe materialet e forta të mos dëmtojnë rrobat më delikate gjatë fërkimit në lavatriçe.

    “Forrest Webber”, pronar i “Bear Brothers Cleaning” në Huntsville, Alabama, thotë se larja e rrobave nga ana e brendshme mbron pjesën e jashtme të pëlhurës nga fërkimi gjatë procesit të larjes. Kjo është shumë e rëndësishme për ruajtjen e ngjyrës dhe për ta mbajtur rrobën të duket si e re. Ai shton se kjo metodë mbron edhe stampimet dhe qëndisjet, si dhe pastron më mirë pjesën e brendshme të rrobave, duke hequr djersën, yndyrnat e trupit dhe qelizat e vdekura të lëkurës.

    Edhe pse është e pamundur të parandalohet plotësisht zbehja e ngjyrave, kthimi i rrobave nga brenda e ngadalëson këtë proces. Kjo do të thotë që xhinset apo bluzat tuaja të preferuara mund të zgjasin më shumë.

    Tom Ceconi, president i “Heritage Park Laundry Essentials”, shpjegon se me kalimin e kohës edhe pambuku më cilësor zbehet dhe bëhet më i butë. Kjo është arsyeja pse bluza juaj e preferuar bëhet shumë e rehatshme dhe xhinset marrin atë pamjen e përdorur që pëlqehet. Megjithatë, nëse qëllimi juaj është ruajtja e ngjyrës, larja nga ana e brendshme e vonon këtë proces.

    Cilat rroba duhet të lahen nga ana e brendshme?

    Shumica e rrobave duhet të kthehen përmbys para larjes. Këtu përfshihen:

    • Xhinset;
    • Rrobat sportive;
    • Bluzat prej pambuku;
    • Rrobat me ngjyra të ndezura;
    • Rrobat me ngjyra të errëta;
    • Materialet delikate (nëse nuk kanë njolla).

    Rrobat sportive të djersitura janë veçanërisht të përshtatshme për t’u larë nga ana e brendshme. Edhe pse këto materiale janë të dizajnuara për të përthithur djersën, pjesa e brendshme që është në kontakt me trupin mban më shumë djersë, yndyrë, deodorant, kremra dhe aroma. Këtu përfshihen edhe disa uniforma sportive (nëse nuk kanë baltë) si dhe rroba të zakonshme që janë djersitur.

    Nëse keni rroba të errëta ose me ngjyra të forta dhe dëshironi të ruani gjallërinë e ngjyrës, ktheni ato nga ana e brendshme para larjes. Kjo ndihmon në ruajtjen e ngjyrës dhe mbron stampimet apo qëndisjet.

    Cilat rroba nuk duhet të lahen nga ana e brendshme

    Edhe pse shumica e rrobave duhet të lahen nga brenda, disa raste kërkojnë trajtim ndryshe. Nëse rrobat kanë njolla, ato duhet të pastrohen dhe të lahen nga ana e jashtme, pasi njollat duhet të trajtohen drejtpërdrejt për t’u hequr sa më mirë.

    Një nga të metat e larjes nga brenda është se heqja e njollave bëhet më pak efektive. Prandaj rekomandohet që rrobat me njolla të lahen nga ana e jashtme dhe të trajtohen paraprakisht me produkt kundër njollave.

    Kjo zakonisht përfshin:

    • Rrobat e foshnjave dhe fëmijëve;
    • Rrobat e përdorura për punë në oborr ose aktivitete të ndotura;
    • Rrobat sportive që kanë marrë baltë ose papastërti (si uniformat e futbollit apo pantallonat e bejsbollit).
  • Aplikacioni kinez i Inteligjencës Artificiale trondit Hollywood-in, industria e filmit e shqetësuar për të ardhmen

    Aplikacioni kinez i Inteligjencës Artificiale trondit Hollywood-in, industria e filmit e shqetësuar për të ardhmen

    Një model i ri i inteligjencës artificiale për gjenerimin e videove, Seedance 2.0, i zhvilluar nga kompania kineze ByteDance, ka shkaktuar reagime të forta në industrinë e filmit, pasi është në gjendje të krijojë video me cilësi kinematografike  përfshirë dialogë dhe efekte zanore vetëm nga udhëzime të shkruara.

    Studio të mëdha si Disney dhe Paramount kanë ngritur akuza për shkelje të të drejtave të autorit, duke dërguar letra paralajmëruese ndaj kompanisë.

    Modeli, i lançuar fillimisht në qershor 2025 dhe i përditësuar tetë muaj më vonë, u bë viral pas publikimit të klipeve që paraqesin personazhe të njohur si Spider-Man, Deadpool dhe Darth Vader. Disa nga videot më të shpërndara tregojnë gjithashtu aktorin Will Smith në skena të krijuara nga inteligjenca artificiale, të cilat duken si prodhime me buxhet të lartë.

    Sipas ekspertëve të industrisë, Seedance 2.0 shënon një hap të ri në zhvillimin e teknologjisë së gjenerimit të videove, pasi kombinon tekstin, imazhin dhe audion në një sistem të vetëm. Krahasuar me modele të tjera si OpenAI Sora dhe platforma si Midjourney, teknologjia e ByteDance konsiderohet më e avancuar në realizimin e skenave komplekse aksioni dhe në krijimin e realizmit vizual.

    Megjithatë, polemikat lidhen kryesisht me përdorimin e përmbajtjeve të mbrojtura nga e drejta e autorit. Disney, e cila zotëron françiza si Marvel dhe Star Wars, ka kërkuar ndërprerjen e përdorimit të personazheve të saj.

    Raste të ngjashme janë parë edhe më herët në industrinë e IA-së: në vitin 2023, The New York Times paditi OpenAI dhe Microsoft për përdorim të paautorizuar të përmbajtjes, ndërsa Reddit ndërmori veprime ligjore ndaj firmës së IA-së Perplexity AI për grumbullim të paligjshëm të të dhënave.

    Ekspertët e etikës së inteligjencës artificiale theksojnë se, përtej aspektit ligjor, sfida kryesore mbetet ndërtimi i sistemeve që menaxhojnë licencimin, pagesat dhe etiketimin e përmbajtjes për të parandaluar mashtrimet dhe keqpërdorimet.

    Ndërkohë, për studiot e vogla, teknologjia paraqet një mundësi të madhe. Kompani të prodhimit në Azi theksojnë se me ndihmën e AI-së mund të realizojnë projekte në zhanre si fantastiko-shkencor apo aksion, që më parë kërkonin buxhete të paarritshme. Sipas tyre, kjo mund të transformojë tregun e mikrodramave dhe videove me buxhet të ulët.