ATV

Blog

  • Ish-kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi sot para gjykatës

    Ish-kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi sot para gjykatës

    Ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, do paraqitet sërish sërish sot në sallën e gjyqit.

    Krasniqi në Gjykatën e Prishtinës do të përballet me akuzat e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), që sipas saj, ai i ka shkaktuar KEK-ut dëm prej 3 milionë eurosh për shkak të tregtimit të energjisë elektrike me kompaninë sllovene “Holding Slovenske Elektrane”, e cila nuk ka qenë e licensuar në Kosovë.

    Ndërkohë, Krasniqi është deklaruar i pafajshëm disa herë para trupit gjykues.

  • “Paratë i përkisnin…”, zbulohen detaje rreth policit që u kap me 1 milion euro në Merdare

    “Paratë i përkisnin…”, zbulohen detaje rreth policit që u kap me 1 milion euro në Merdare

    Polici Aurel Kaziu u arrestua një ditë më parë pasi u kap në territorin e Kosovës me një milion euro në makinë dhe më pas u pezullua nga detyra.

    Sipas Top Channel, Kaziu kishte më pak se një vit në detyrë dhe dyshohet se është përdorur nga grupet kriminale për të transportuar paratë drejt Shqipërisë.

    Tutje bëhet e ditur se policia i binte për rrugë tokësore nga Serbia drejt Kosovës, derisa pala kosovare kishte marrë informacione.

    Polici ishte një agjent krimesh dhe kishte pak kohë që ishte fejuar.

  • Pranuan 400 € ryshfet, arrestohen dy zyrtarë të KEDS-it në Ferizaj

    Pranuan 400 € ryshfet, arrestohen dy zyrtarë të KEDS-it në Ferizaj

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar zyrtarë të KEDS-it ditën e djeshme në Ferizaj.

    Sipas raportit 24-orësh, të njëjtit kanë pranuar 400 euro në formë ryshfeti nga një viktimë mashkull kosovar, me premtimin se do të zëvendësonin njehsorin elektrik brenda një kohe të shkurtër.

    “Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Një dekadë nga zgjedhja e Hashim Thaçit president i Kosovës

    Një dekadë nga zgjedhja e Hashim Thaçit president i Kosovës

    Dhjetë vjet më parë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, u zgjodh president i Kosovës në raundin e tretë të votimeve mes tensionesh të larta politike më 26 shkurt të vitit 2016.

    Ai fitoi me 71 vota në raundin e tretë, pasi në dy raundet e para nuk arriti të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve.

    Zgjedhja e tij u kundërshtua ashpër nga partitë opozitare të cilat dy herë radhazi ndërprenë seancën duke hedhur gaz lotsjellës.

    Në pjesën e parë të seancës, deputetët e opozitës njëri pas tjetrit diskutuan kundër zgjedhjes së Thaçit në postin e presidentit, duke e akuzuar atë dhe kryeministrin e atëhershëm Isa Mustafa, për veprime të dëmshme kundër Kosovës.

    Në debatet e tyre, ata vunë theksin te marrëveshjet e arritura në bisedimet me Serbinë, si dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

    Deputetët e opozitës shfaqën dyshimin se kandidati për president, Hashim Thaçi, mund të ketë bërë lëshime të reja përballë Listës serbe në shkëmbim të votës së tyre në favor të zgjedhjes së tij, shkruan Kp.

    Derisa po zhvilloheshin raundet e votimeve, jashtë parlamentit, policia përdori gazin lotsjellës dhe “topat e ujit” për të shpërndarë grupe protestuesish që hodhën shishe me benzinë në kundërshtim të procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.

    Të paktën 11 pjesëtarë të policisë dhe një protestues janë lënduar gjatë përleshjeve.

    Hashim Thaçi detyrën e presidentit e mori më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës.

  • Më pak se një javë afat, Jasharët mohojnë kandidaturën – partitë ende pa zgjidhje për presidentin

    Më pak se një javë afat, Jasharët mohojnë kandidaturën – partitë ende pa zgjidhje për presidentin

    Më pak se një javë ka mbetur deri në përfundim të afatit për zgjedhjen e presidentit. Kosovës i duhet të nxitojë ta zgjedhë presidentin e ri të vendit deri më 4 mars, për t’i shmangur edhe një palë zgjedhje të tjera të parakohshme, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati më 4 prill.

    Osmani ka shprehur ambicien edhe për një mandat të ri pesëvjeçar, por nuk duket ta ketë mbështetjen e partive parlamentare për t’u rizgjedhur, ndërsa deri tani anëtarë të familjes Jashari janë përmendur si emra të mundshëm për këtë post. Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar në Prekaz të Skenderajt te familja Jashari. Ai ka konfirmuar për mediat se ka biseduar me Rifat Jasharin “për çështje politike”.

    Mirëpo, anëtarë të familjes së Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, të përfolur si propozime të mundshme për të parin e shtetit e kanë mohuar se kanë ndonjë qëllim për të garuar për president të vendit.

    Të mërkurën, Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit, vëllait të Adem Jasharit, tha se nuk ka interesim apo qëllim për t’u bërë president i Kosovës.

    Ai u shpreh se mbiemri Jashari përfaqëson një barrë dhe përgjegjësi të madhe, duke theksuar se nuk e konsideron të drejtë, as moralisht dhe as profesionalisht, që emri i familjes Jashari të përdoret për qëllime politike, pasi që u takon të gjithë shqiptarëve.

    Më vonë, u deklarua edhe Bekim Jashari, ish-kryetari komunës së Skenderajt. Ai i tha Radios Evropa e Lirë se ai mban qëndrimin e djalit të xhaxhait, duke shtuar “nuk kam çka t’i shtoj kësaj, asnjë pikë apo presje”.

    Po ditën e djeshme ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, tha se nëse do të vinte një emër për president nga kjo familje, do të ishte një “konsensus automatik” në shoqëri. Duke folur pas një takimi me kryediplomaten e Shqipërisë, Elisa Spiropali, Konjufca tha se mes partive politike deri tani ka konsensus vetëm për një president që do të vinte nga familja Jashari.

    Gjatë kësaj jave, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur një seri takimesh me liderët e partive opozitare për të diskutuar procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.

    Të hënën, Albin Kurti, ka takuar kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, e një ditë më herët edhe atë të PDK-së, Bedri Hamza.

    Ai tha se zgjidhja është tek tri partitë e para, Vetëvendosja, PDK dhe LDK, teksa qartësoi se presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e cila po synon edhe një mandat, nuk është kandidatja e tij për president.

    Kurti tha se do të përpiqen maksimalisht që t’i evitojnë zgjedhjet e reja.

    Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota nga 120 deputetë, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Një kandidat duhet të sigurojë fillimisht të paktën 30 nënshkrime për të hyrë në garë.

  • Rrahu e kërcënoi nxënësit e shkollës fillore në Kamëz, shpallet në kërkim mësuesja 58-vjeçare

    Rrahu e kërcënoi nxënësit e shkollës fillore në Kamëz, shpallet në kërkim mësuesja 58-vjeçare

    Mine Hasani, një mësuese e shkollës 9-vjeçare “100 vjetori i Pavarësisë” në Kamëz, është shpallur në kërkim nga policia.

    Në një video të publikuar në media, 58-vjeçarja shfaqet duke fyer dhe goditur nxënës të ciklit fillor ku jepte mësim.

    Pamjet të transmetuara në media tregojnë se si mësuesja godet fizikisht fëmijët në klasë dhe përdor një fjalor me terma degradues dhe kërcënues.

    Shprehjet që ajo përdor rregullisht ndaj nxënësve variojnë nga “idiotë”, “kafshë”, te “zhulsa” e “kokë palarë”.

    Sipas policisë, ndaj saj rëndojnë dyshime për dhunë gjatë procesit mësimor, ndërsa hetimet janë mbështetur si në pamjet filmike, ashtu edhe në veprime të tjera hetimore.

    Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, policia thekson se 58 vjeçarja ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nxënësve të klasës së katërt në shkollën “100 vjetori i Pavarësisë” dhe për pasojë, po punohet për kapjen e saj dhe zbardhjen e plotë të rastit.

    Pas denoncimit, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, njoftoi se mësuesja e shkollës 9-vjeçare “100 vjetori i Pavarësisë” u hoq nga puna.

    “Një mesazh për të gjithë prindërit dhe mësuesit, mbi rastin flagrant të dhunës së ushtruar nga një person që mbante xhaketën e mësuesit, si një sjellje e papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me vlerat e arsimit. Nga sot, personi nuk është më pjesë e trupës së mësuesve, ndërsa grupi i punës i ngritur për këtë çështje po vijon dokumentimin e plotë të përgjegjësive. Asnjë ngjarje e tillë nuk mund dhe nuk duhet të cenojë punën me përkushtim, me profesionalizëm dhe me pasion të mijëra mësuesve në të gjithë Shqipërinë, të cilët çdo ditë janë modeli më i mirë për fëmijët tanë. Respekt dhe mbështetje për ta”, shkroi Kumbaro në Facebook.

  • Ivica Daçiq në gjendje të rëndë shëndetësore, raportohet se po lufton për jetën

    Ivica Daçiq në gjendje të rëndë shëndetësore, raportohet se po lufton për jetën

    Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, është shtruar në Klinikën e Pulmonologjisë të Qendrës Klinike të Serbisë për shkak të pneumonisë së rëndë dhe sipas raportimeve po lufton për jetën.

    Pulmologu Spasoje Popeviq tha se gjendje e Daçiqit, është shumë e rëndë dhe se ai është në njësinë e kujdesit intensiv në ventilim mekanik, pra në ventilator.

    Me një njoftim për gjendjen shëndetësore të tij ka dalë edhe partia të cilën ai e udhëheq, SPS.

    “Pavarësisht shëndetit të tij të dëmtuar rëndë, ne besojmë në forcën e Ivica Daçiqit, i cili deri më tani i është përgjigjur me triumf të gjitha sfidave dhe tundimeve të jetës, dhe lutemi për një fitore tjetër për të. Shprehim mirënjohjen tonë të pafundme për mjekët dhe stafin mjekësor të Qendrës Klinike të Serbisë dhe Klinikës për Pulmonologji, të cilët po bëjnë përpjekje të mëdha në këtë betejë të vështirë”, thuhet në njoftimin për shtyp të SPS-së.

  • Mot kryesisht me diell edhe sot

    Mot kryesisht me diell edhe sot

    Kryesisht me kthjellime e me diell po parashihet moti ditën e enjtë. Kohëpaskohe pjesëve qëndrore e lindore kalojnë vransira të pakta lokale, pa shfaqur mundësi për të reshura.

    Temperaturat minimale zbresin në 0C e 3C, ndërsa maksimale shkojnë deri në 10C e 13C. Frynë erë verilindore e lehtë dhe mesatare 4-8m/s.

    Mot i qëndrueshëm kryesisht me diell e kthjellime po parashihet ditën e premtë dhe përgjatë fundjave. Herë herë mund të ketë kalime vransirash, por se nuk shfaqen sinjale për të reshura.

    Temperaturat minimale zbresin nën 0C, deri në -3C e -2C, derisa ato maksimale gradualisht në rritje duke shkuar përgjatë fundjave, prej 13C e 14C, lokalisht, deri në 17C e 18C. Edhe të premtën frynë erë e lehtë veriore 1-5m/s, nga fundjava drejtimesh të ndryshme, 1-5m/s.

  • Real Madrid dhe PSG kalojnë në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve

    Real Madrid dhe PSG kalojnë në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve

    Real Madrid dhe PSG janë skuadrat e rradhës që kaluan në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve.

    Në ndeshjen Real Madrid-Benfica “Los Blancos”fituan edhe ndeshjen e dytë ndaj ekipit portugez,ku golat e Tchouamenit dhe Vinicius Jr ishin të mjaftueshme për kalim tutje teksa portugezët u ngushëlluan me golin e Rafa Silvas.

    Në anën PSG barazoi kundër Monacos me rezultat 2:2,por me rezultatin 5:4 kampioni i Evropës kaloi në raundin tjetër.

    Marquinhos dhe Kvaratskhelia shënuan për parisienët,teksa Akliouche dhe Teze shënuan për Monacon

     

  • Zvicra do të paguajë nga 50 mijë franga për secilën viktimë të zjarrit në Crans-Montana

    Zvicra do të paguajë nga 50 mijë franga për secilën viktimë të zjarrit në Crans-Montana

    Zvicra tha të mërkurën se do të bëjë një pagesë të vetme prej 50 mijë frangash zvicerane për të mbijetuarit e plagosur rëndë dhe familjet e viktimave nga zjarri që ndodhi në natën e Vitit të Ri në resortin e skive të Crans-Montana, i cili la 41 persona të vdekur dhe plagosi mbi 100 të tjerë.

    I ashtuquajturi kontribut solidariteti synon të ofrojë mbështetje të shpejtë financiare për viktimat dhe të shërbejë si një gjest dhembshurie, tha Këshilli Federal qeverisës i Zvicrës.

    Në parim, pagesa duhet të zbatohet për çdo individ që humbi jetën, si dhe për çdo person që u shtrua në spital, tha Këshilli Federal në një deklaratë.

    “Këshilli Federal ndan me viktimat dhe familjet e tyre dëshirën për të vërtetën dhe drejtësinë”, tha Presidenti zviceran Guy Parmelin në një konferencë për shtyp. “Edhe ne duam të dimë se çfarë ndodhi, pse dhe si mund të ishte parandaluar.”

    Dëshmitarët dhe prokurorët thanë se flakët duket se janë shkaktuar nga përdorimi i qirinjve të shndritshëm që ndezën izolimin akustik prej shkume në tavanin e bodrumit të barit, raporton Reuters.

    Në përgjithësi, qeveria federale do të japë 7.8 milionë franga për 156 individët më të prekur nga zjarri, tha Ministri i Drejtësisë Beat Jans në konferencën për shtyp.

    Kjo shumë, tha ai, do të plotësojë ndihmën e ofruar nga kantoni Valais i Crans-Montanës, i cili ka premtuar 10 milionë franga për një fondacion për të mbështetur viktimat.

    Autoritetet zvicerane thanë se 115 persona u plagosën në zjarr. Shumica e atyre që vdiqën ishin adoleshentë dhe shumë nga viktimat ishin të huaj, përfshirë disa nga Franca dhe Italia.

    Këshilli Federal tha se do të thërrasë gjithashtu një tryezë të rrumbullakët për të ndihmuar viktimat, siguruesit dhe autoritetet të arrijnë marrëveshje jashtë gjykatës, duke shmangur potencialisht beteja të gjata ligjore. Synon të kontribuojë deri në 20 milionë franga për marrëveshje të tilla.

    Këshilli Federal tha se shpresonte që parlamenti do të përshpejtonte shpejt legjislacionin që kishte hartuar për të ndihmuar viktimat. Qeveria synon gjithashtu të ndajë 8.5 milionë franga për të ndihmuar kantonet e prekura të mbulojnë kostot e jashtëzakonshme.