ATV

Blog

  • Zveçani bëhet me palestër 2.5 milionëshe të financuar nga BE, Orav: Do i qëndrojmë krah Kosovës dhe komuniteteve

    Zveçani bëhet me palestër 2.5 milionëshe të financuar nga BE, Orav: Do i qëndrojmë krah Kosovës dhe komuniteteve

    Ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav, sot ka përuruar një palestër të re sportive të financuar nga BE’ja, në Zveçan. Në njoftimin e BE’së, bëhet e ditur se investimit është në vlerë prej 2.5 milionë eurosh, dhe se, i njëjti prek rininë, përfshirjen dhe zhvillimin ekonomik.

    Në postim thuhet edhe se, palestra është e projektuar për basketboll, hendboll, volejboll dhe aktivitete të tjera.

    “Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’i qëndrojë për krah Kosovës dhe të gjitha komuniteteve të saj, duke mbështetur reforma dhe duke investuar në projekte që sjellin përmirësime të prekshme në jetën e njerëzve dhe i ndihmojnë Kosovës të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së”, ka thënë Orav.

  • Kamomili shumë i rëndësishëm për shëndetin tonë – Ja cilat janë ndikimet e tij pozitive

    Kamomili shumë i rëndësishëm për shëndetin tonë – Ja cilat janë ndikimet e tij pozitive

    Çaji i kamomilit është përdorur ndër shekuj për aftësitë e tij lehtësuese dhe qetësuese.

    Mjafton një filxhan i tillë dhe shumë prej shqetësimeve që mund të keni do të zhduken.

    Pirja e një filxhani çaj kamomil (ose thjesht gargar me çaj të ftohtë kamomili) trajton të gjitha problemet me mishrat e dhëmbëve.

    Çaji i kamomilit lehtëson dhimbjet e barkut dhe qetëson problemet që lidhen me aparatin tretës.Nëse keni probleme me tretjen çaji i kamomilit mund të relaksojë muskujt duke ndihmuar në trejten e ushqimit.

  • Ish-Kryetarja e Louisiana fajtore për dehje dhe seks me mikun 16 vjeçar të djalit të saj!

    Ish-Kryetarja e Louisiana fajtore për dehje dhe seks me mikun 16 vjeçar të djalit të saj!

    Një skandal që ka tronditur një qytet të vogël në Louisiana ka përfunduar me një vendim të fortë gjykate, ish-kryetarja e qytetit DeRidder, Misty Roberts, u shpall fajtore për marrëdhënie seksuale me mikun 16-vjeçar të djalit të saj, pas një feste me alkool në pishinën e shtëpisë së saj.

    Ngjarja ndodhi në korrik 2024, kur Roberts, 43 vjeçe në atë kohë, organizoi një festë në oborrin e shtëpisë së saj ku kishte alkool edhe pse disa nga të pranishmit ishin të mitur. Sipas dëshmive në gjyq, ajo dhe miku adoleshent 16-vjeçar i djalit të saj, përfunduan në një marrëdhënie seksuale, ndërsa që të dy thuhet se ishin të dehur.

    Dramë familjare dhe akuza tronditëse ku gjatë procesit gjyqësor u zbuluan detaje të forta. Djali i saj dyshohet se e akuzoi nënën pasi i gjeti bashkë, duke shpërthyer në zemërim.

    Dëshmitarë thanë se Roberts ishte shumë e dehur dhe u kishte kërkuar të rinjve të “gënjenin deri në fund”. Një postier konfirmoi se në shtëpi u porositen Plan B (hapa kundër shtatëzanisë) urgjentisht, menjëherë pas festës.

    Juria pati vendim shumë të shpejtë, ata në famullinë Beauregard, morën më pak se një orë për ta shpallur fajtore për dy akuza penale atë të ‘Marrëdhënies seksuale me të mitur” dhe “Sjellje të pahijshme me të mitur”

    Roberts kishte dhënë dorëheqjen pak para arrestimit të saj në vitin 2024. Tani ajo përballet me një dënim që mund të arrijë deri në 17 vite burg, me seancën e dënimit të planifikuar në prill.

    Qyteti i vogël i DeRidder, me më pak se 10 mijë banorë, është tronditur nga skandali që ka tërhequr vëmendje kombëtare. Prokurorët e cilësuan rastin si një tradhti të thellë besimi dhe abuzim me pozitën e pushtetit.

  • Lushtaku: S’e votojmë asnjë kandidat të propozuar nga VV-ja për president

    Lushtaku: S’e votojmë asnjë kandidat të propozuar nga VV-ja për president

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka thënë se në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PDK-së janë diskutuar zhvillimet e fundit rreth çështjes së presidentit.

    Ai ka deklaruar se nuk do të mbështesin asnjë kandidat që imponohet nga partia në pushtet, e as Andin Hoti, i cili u përfol se mund të jetë kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Sa i përket ndonjë propozimi nga PDK-ja, ai tha se partia është e gatshme të japë emrin e kandidatit nëse arrihet marrëveshje politike.

    Për qëndrimin në sallë në rast se thirret seancë, Lushtaku ka deklaruar se nuk do ta bëjnë.

    “Qëndrimi ynë është i njëjtë, ne kemi qenë pro që të kemi një kandidat për president konsensual. Kemi qenë me zemër që nëse është dikush nga familja Jashari ta votojmë, por e pamë qëndrimin e tyre. Derisa ka tentime me i dërgu në qosh opozitën dhe me imponu kandidatin tyre, ne nuk pranojmë dhe me përgjegjësi qëndrojmë prapa qëndrimeve tona që kemi dhënë që mos me qenë mbështetëse të një pushteti autoritar. Ne e respektojmë çdo familje të respektuar edhe Andinin e kemi pas koleg, por ai është vartës i partisë në pushtet dhe derisa është në VV nuk kemi votë për të. Nuk do të qëndrojmë në sallë. PDK-ja është e gatshme me dhënë emrin nëse ka marrëveshje”, ka thënë ai.

  • 80 persona vdesin nga sulmi amerikan ndaj anijes iraniane afër Sri Lankës

    80 persona vdesin nga sulmi amerikan ndaj anijes iraniane afër Sri Lankës

    Të paktën 80 persona raportohen të vdekur pasi nëndetësja amerikane fundosi një anije luftarake iraniane në brigjet e Sri Lankës, ka bërë të ditur ky shtet.

    Sulmin e ka konfirmuar të mërkurën edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth gjatë një konference për media.

    Anija iraniane, e cila është fundosur si pasojë e sulmit, po kthehej në Iran nga një port në Indinë lindore, ka thënë Hegseth.

    Më parë besohej se të paktën 140 persona ishin të zhdukur pas incidentit.

  • Lëkundje të forta në Itali, mbyllen shkollat Catania – mbi 600 raportime për dëme

    Lëkundje të forta në Itali, mbyllen shkollat Catania – mbi 600 raportime për dëme

    Një tërmet i fortë u ndje në zonat e Catanias, Mesinës dhe Sirakuzës në Itali rreth orës 7:05 të mëngjesit të sotëm.

    Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV) vlerësoi se tërmeti ishte me magnitudë prej 4.5 dhe me epoqendër në malin Etna, në një zonë në veriperëndim të Ragalnës, në një thellësi prej afërsisht 3.8 kilometrash.

    Sipas kryetarit të bashkisë së Ragalnës, Nino Caruso, janë raportuar rreth 600 raportime për “dëme të konsiderueshme dhe të dukshme në shtëpi private”.

    Ndërsa shkollat ​​në Catania do të mbeten të mbyllura si masë paraprake. Kryetari i bashkisë Enrico Trantino shpjegoi se mësimi është pezulluar sot si masë paraprake për të lejuar inspektimet e ndërtesave shkollore. Një iniciativë e ngjashme është miratuar në disa komuna në provincë.

  • Ferizaj, Dukagjini dhe Ballkani në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

    Ferizaj, Dukagjini dhe Ballkani në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

    Janë mësuar tre gjysmëfinalistët e parë të Kupa e Kosovës, pas zhvillimit të ndeshjeve çerekfinale, ku fitore siguruan FC Ferizaj, KF Dukagjini dhe FC Ballkani.

    Ferizaj triumfoi 2-0 në shtëpi ndaj KF Vushtrria, në një sfidë të kujdesshme gjatë pjesës së parë. Epërsia erdhi në minutën e 44-t pas një rivënie këndore, ku një ndërhyrje e dobët e portierit mysafir përfundoi me autogol. Në pjesën e dytë, vendasit siguruan kualifikimin me golin e Erjon Sadriut nga penalltia në minutën e 76-të.

    Bindës ishte edhe Dukagjini, që mposhti 3-0 KF Feronikeli 74. Dienit Isufi zhbllokoi rezultatin në minutën e 16-të, ndërsa Altin Mërlaku dyfishoi shifrat në të 38-ën me një goditje të bukur nga distanca. Në fund, Mërgim Pefqeli vulosi fitoren me golin e tretë, duke konfirmuar dominimin e plotë të skuadrës vendase.

    Ndërkohë, Ballkani fitoi 2-1 ndaj SC Gjilani. Therandasit e nisën fuqishëm takimin, duke shënuar dy herë në pjesën e parë me Bleart Tolajn (11’) dhe Geralb Smajlin (40’). Në fraksionin e dytë, Gjilani reagoi dhe ngushtoi shifrat me golin e Senad Jarovic në minutën e 71-të, por nuk arriti të shmangë eliminimin.

    Gjysmëfinalisti i katërt do të përcaktohet pas përballjes mes KF Malisheva dhe KF Llapi, duke kompletuar kështu katërshen që do të luftojë për trofeun e Kupës së Kosovës.

  • Granit Xhaka arrin 250 ndeshje në Premier League, moment historik për kapitenin e Sunderland

    Granit Xhaka arrin 250 ndeshje në Premier League, moment historik për kapitenin e Sunderland

    Granit Xhaka vazhdon të shkruajë histori në futbollin anglez. Kapiteni i Sunderland ka arritur një tjetër moment të rëndësishëm në karrierë, duke regjistruar paraqitjen e tij të 250-të në Premier League.

    Klubi e ka vlerësuar këtë arritje përmes një njoftimi zyrtar, duke theksuar rëndësinë e kontributit të mesfushorit ndër vite në elitën e futbollit anglez.

    Në 250 ndeshje në Premier League, Xhaka ka realizuar 18 gola dhe ka dhuruar 29 asistime, duke qenë një pikë referimi në mesfushë falë eksperiencës, lidershipit dhe ndikimit të tij në lojë.

    Jubileu i tij erdhi në fitoren minimale 1:0 të Sunderlandit në transfertë ndaj Leeds United. Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane u aktivizua nga minuta e 56-të, duke ndihmuar skuadrën të ruajë avantazhin dhe të marrë tri pikë të rëndësishme.

    Me këtë arritje, Xhaka konfirmon edhe një herë statusin e tij si një nga futbollistët më të qëndrueshëm dhe më me ndikim në kampionatin anglez gjatë dekadës së fundit.

  • Presidenti Begaj dekreton ndryshimet në Qeveri, largohen Balluku, Spiropali e Vengu

    Presidenti Begaj dekreton ndryshimet në Qeveri, largohen Balluku, Spiropali e Vengu

    Presidentit të Shqipërisë Bajram Begaj i kanë mjaftuar dy ditë kohë dhe jo shtatë siç parashikon Kushtetuta për të hedhur firmën në dekretet e lirimit nga detyra të disa ministrave dhe dekretuar ministrat e rinj të kabinetit Rama 4.

    Dekreti i parë është lirimi nga detyra si ambasador i Shqipërisë në Delegacionin e BE në Bruksel i Ferit Hoxha dhe dekretimi si pasardhës i Elisa Spiropalit në krye të Punëve të Jashtme.

    Belinda Balluku, me dekretet, është liruar sot zyrtarisht nga detyra si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

    Albana Koçiu është dekretuar si numri dy i qeverisë, ndërsa Enea Karakaçi ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.

    Janë dekretuar Ermal Nufi, ministër i Mbrojtjes; Toni Gogu, ministër i Drejtësisë; Besfort Lamallari, ministër i Drejtësisë; Erjona Ismaili, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

    Pas këtyre dekretimeve, ministrat do të votohen në seancën plenare të së enjtes, 5 mars, e më pas do të betohen në Pallatin e Brigadave në prezencën e dekretuesit të tyre, presidentit Bajram Begaj.

  • MINT-i vendos çmime tavan për naftën

    MINT-i vendos çmime tavan për naftën

    Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINTI), Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimeve tavan të produkteve të naftës.

    Sipas saj, ky vendim erdhi pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të naftës si pasojë e situatës në Lindjen e Mesme.

    Në njoftim bëhet e ditur se marzha tregtare maksimale e lejuar në shitjen me shumicë është deri në 2 eurocentë për litër, ndërsa në shitjen me pakicë deri në 12 eurocentë për litër.

    “Vendimi vjen pas mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, analizimit të evidencave ditore nga Dogana e Kosovës dhe raporteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është konstatuar se rritjet e çmimeve nga importi janë reflektuar menjëherë në çmimet e shitjes. Marzha tregtare maksimale e lejuar: Shitja me shumicë: deri në 2 eurocentë për litër; Shitja me pakicë: deri në 12 eurocentë për litër”, thuhet në njoftimin e ministres.

    Tutje theksohet se inspektorët do të jenë në terren për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi dhe se çdo shkelje ose moszbatim do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi.