ATV

Blog

  • Nicole Kidman zbulon nëse vajzat e saj do të shfaqen në ekran me të

    Nicole Kidman zbulon nëse vajzat e saj do të shfaqen në ekran me të

    Aktorja Nicole Kidman ka zbuluar nëse dy vajzat e saj mund të shfaqen një ditë në ekran së bashku me të. Në një intervistë për People, Kidman u pyet nëse ekziston mundësia që vajzat e saj, 17-vjeçarja Sunday Rose dhe 14-vjeçarja Faith Margaret, të ndjekin hapat e saj në aktrim.

    “Dua të them, nuk mund të përgjigjem për to. Ajo që të gjithë dimë për fëmijët është se kur ata rriten dhe bëhen gra të reja, nuk duhet të përgjigjemi për ta. Mos u tregoni atyre se kush janë ose çfarë janë. Ato janë aty për t’ju treguar se kush janë dhe për këtë arsye duhet t’i pyesni”, tha aktorja.

    Megjithatë, ajo pranoi se do të dëshironte që fëmijët e saj të ishin pranë saj sa më shpesh gjatë punës.

    “Do të doja shumë t’i kisha me vete gjatë gjithë kohës. Ata gjithmonë thonë: ‘Mami, mami, nuk mund ta kesh këtë’. Por a do të më interesonte kjo? Sigurisht unë thjesht dua t’i kem me vete. Ata janë pjesë e imja dhe janë dashuritë e mia”, shtoi ajo.

    Nicole Kidman ka dy vajza me bashkëshortin e saj, Keith Urban. Ajo gjithashtu ka një vajzë, Isabella, dhe një djalë, Connor, nga martesa e saj e mëparshme me Tom Cruise.

  • KFOR i quan të rreme pretendimet se NATO-ja ka lëshuar raketa nga Kosova në drejtim të Iranit

    KFOR i quan të rreme pretendimet se NATO-ja ka lëshuar raketa nga Kosova në drejtim të Iranit

    KFOR ka reaguar ndaj pretendimeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale se “NATO ka lëshuar raketa nga Camp Bondsteel apo objekte të tjera të NATO-s në Kosovë drejt Iranit”, duke i cilësuar ato si të pavërteta.

    Në një njoftim për media, misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë thekson se ky pretendim është i rremë dhe se NATO e hedh poshtë plotësisht një gjë të tillë. Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte, ka bërë të qartë se NATO si organizatë nuk është e përfshirë në fushatën aktuale ajrore kundër regjimit iranian.

    Tutje thuhet gjithashtu se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë rol kyç në mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal në kuadër të misionit të KFOR-it.

    Aktualisht, ShBA-të kanë rreth 600 trupa të dislokuara në KFOR dhe udhëheqin Komandën Rajonale Lindje (RC-East), e cila kontribuon në aktivitetet e përditshme të misionit, përfshirë patrullimet, ushtrimet dhe bashkëpunimin me komunitetet lokale.

    Misioni Paqëruajtësi i Aleancës Veriatlantike, rithekson se vazhdon të përmbushë mandatin për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në Kosovë, në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

  • Gjinekologia ngre shqetësimin për vaginizmin: Kam çifte që deri në 6 vite martesë s’kanë bërë kurrë marrëdhënie seksuale

    Gjinekologia ngre shqetësimin për vaginizmin: Kam çifte që deri në 6 vite martesë s’kanë bërë kurrë marrëdhënie seksuale

    Gjatë emisionit “LIBERO”, ku po diskutohej tema e të qenit prindër për herë të parë – mes gëzimit dhe frikës – e ftuar ishte edhe gjinekologia Aida Kumnova, e cila solli në vëmendje një tjetër çështje të rëndësishme që shpesh mbetet tabu: vaginizmin.

    Ajo tregoi se në praktikën e saj has shpesh çifte që kërkojnë ndihmë pas një kohe të gjatë martese, pikërisht për shkak të kësaj problematike.

    “…Kam çifte që vijnë dhe kërkojnë ndihmë pas 1 viti martesë, 2 vite martesë, madje kam pasur rast edhe deri në 6 vite martesë dhe absolutisht asnjëherë nuk kanë pasur marrëdhënie seksuale…”, u shpreh Kumnova.

    Doktoresha derisa foli për vaginizmin, tha se kjo mund të tejkalohet me ndihmën e psikologut, psikiatrit dhe gjinekologut!

    Sipas saj, kjo është një çështje për të cilën duhet të flitet më shumë në shoqëri, në mënyrë që të rritet ndërgjegjësimi, sidomos te vajzat.

    “…Është një çështje që duhet ta ngrisim dhe të bisedojmë për të dhe t’i vetëdijësojmë vajzat…”, shtoi ajo.

    Çka është vaginizmi?

    Sipas Cleveland Clinic, vaginizmi konsiderohet një problem i shëndetit seksual që mund të ndikojë në jetën intime dhe emocionale të një gruaje. Ky çrregullim nuk është vetëm fizik; ai shpesh lidhet edhe me faktorë psikologjikë dhe emocionalë, si ankthi, frika ose përvoja negative që lidhen me seksualitetin. Për këtë arsye, vaginizmi shpesh trajtohet si një problem biopsikosocial që kërkon qasje të kombinuar në trajtim.

    Vaginizmi mund të paraqitet në dy forma kryesore: primar dhe sekondar. Vaginizmi primar ndodh kur një grua nuk ka qenë kurrë në gjendje të ketë penetrim vaginal pa dhimbje. Ndërsa vaginizmi sekondar zhvillohet pasi gruaja ka pasur më parë marrëdhënie seksuale pa probleme, por më vonë fillon të përjetojë kontraktime dhe dhimbje gjatë penetrimit.

    Për ta dëgjuar diskutimin e plotë në emisionin LIBERO të datës 02.03.2026 (rreth prindërimit për herë të parë), klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Deputetja e PDK-së: Me familjen e bacit Rifat, na bashkon një dhimbje dhe krenari e madhe

    Deputetja e PDK-së: Me familjen e bacit Rifat, na bashkon një dhimbje dhe krenari e madhe

    Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, sot bashkë me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, kanë vizituar Rifat Jasharin në kullën e tij.

    Ajo ka bërë me dije se familjet e tyre bashkon një dhimbje dhe një krenari e madhe.

    Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se gjatë marsit të vitit 1998 të dy familjet qëndruan dhe luftuan krah për krah.

    “Me familjen e bacit Rifat, na bashkon një dhimbje e përbashkët, por edhe një krenari e madhe. Në të njëjtat data, familjet tona qëndruan dhe luftuan krah për krah, duke u bërë rezistencë historike e Jasharëve. Ato ditë të rënda na lidhën përgjithmonë me një histori të përbashkët sakrifice, që sot e mbajmë si kujtim, por edhe si përgjegjësi. Kam vetëm mirënjohje dhe respekt për bacën Rifat. Ai mban mbi supe një peshë të madhe, peshën e kujtesës, të qëndresës dhe të dinjitetit që familjet tona e kanë treguar në momentet më të vështira!”, ka shkruar Jashari.

  • Pas shumë kohësh, Ryan Gosling del në publik me Eva Mendes

    Pas shumë kohësh, Ryan Gosling del në publik me Eva Mendes

    Ryan Gosling bëri një paraqitje të rrallë publike së bashku me partneren e tij, Eva Mendes, në emisionin “The Tonight Show Starring Jimmy Fallon”, pikërisht në ditëlindjen e 52-të të aktores.

    Aktori 45-vjeçar, i cili po përgatitet për publikimin e filmit të tij të ri “Project Hail Mary”, u shoqërua nga Mendes gjatë episodit të së enjtes të emisionit të njohur.

    Çifti u takua për herë të parë në vitin 2011 gjatë xhirimeve të filmit “The Place Beyond the Pines” dhe që atëherë kanë zgjedhur ta mbajnë kryesisht larg vëmendjes së mediave lidhjen e tyre romantike.

    Gosling dhe Mendes u panë duke buzëqeshur pranë njëri-tjetrit, ndërsa u pritën me një mirëseardhje të ngrohtë nga moderatori Jimmy Fallon dhe publiku në studio.

  • Ajrosja e shtëpisë mund të ulë rrezikun për kancer, thonë ekspertët

    Ajrosja e shtëpisë mund të ulë rrezikun për kancer, thonë ekspertët

    Hapja e dritareve çdo ditë dhe disa ndryshime të vogla në shtëpi mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut afatgjatë për kancer, thonë ekspertët.

    Doktoresha Asiya Maula, mjeke e përgjithshme në “The Health Suite” në Leicester, ka shpjeguar se produktet dhe zakonet e përditshme në shtëpi mund të çojnë në ekspozim të vazhdueshëm ndaj kimikaleve të dëmshme, edhe nëse secili produkt veçmas duket i padëmshëm.

    “Rreziku për kancer nuk vjen nga një gjë e vetme. Ka të bëjë me atë që trupi përballon çdo ditë, për vite apo edhe dekada”, ka thënë ajo në një deklaratë për The Mirror.

    Rreziku shpesh lidhet me objekte që njerëzit i konsiderojnë të padëmshme, sidomos në kuzhinë. Enët plastike, shishet dhe qeset plastike për mbështjellje ushqimi mund të lëshojnë kimikale kur nxehen ose konsumohen me kalimin e kohës.

    Maula rekomandon përdorimin e enëve prej qelqi ose çeliku inox dhe shmangien e ngrohjes së ushqimit në mikrovalë brenda plastikës.

    “Ato plastika mund të përmbajnë kimikale që ndërhyjnë në sinjalizimin hormonal”, ka paralajmëruar ajo.

    Cilësia e ajrit brenda shtëpisë është një tjetër faktor i rëndësishëm.

    Avujt nga gatimi, qirinjtë aromatikë, spërkatësit dhe mungesa e ajrosjes mund ta bëjnë ajrin e brendshëm më të ndotur se ai jashtë.

    “Ekspozimi afatgjatë ndaj ndotësve të ajrit të brendshëm mund të kontribuojë në inflamacion në trup”, ka shpjeguar mjekja, duke shtuar se hapja e dritareve çdo ditë dhe përdorimi i aspiratorit gjatë gatimit ndihmojnë në uljen e ekspozimit.

    Edhe produktet e pastrimit dhe pesticidet për përdorim në ambiente të mbyllura paraqesin rrezik për shkak të ekspozimit të përsëritur.

    “Këto produkte janë krijuar për të shkatërruar material biologjik. Ekspozimi i vazhdueshëm në hapësira të mbyllura mund ta irritojë trupin me kalimin e kohës”, ka thënë ajo, duke theksuar se fëmijët janë më të ndjeshmit ndaj kësaj.

    Ajo ka sugjeruar përdorimin e alternativave më të buta, pa aromë, dhe kufizimin e përdorimit të kimikaleve për kontrollin e dëmtuesve brenda shtëpisë.

    Edhe dieta luan rol të rëndësishëm.

    Ushqimet shumë të përpunuara lidhen me obezitetin, rezistencën ndaj insulinës dhe inflamacionin kronik, të gjithë këta faktorë të njohur rreziku për kancer.

    “Në thelb, bëhet fjalë për uljen e ngarkesës totale toksike. Ndryshimet e vogla, të bëra vazhdimisht, grumbullohen me kalimin e kohës. Ta bësh shtëpinë një mjedis me më pak ekspozim është një mënyrë praktike për të mbrojtur shëndetin afatgjatë”, ka përfunduar Maula.

  • Koci për Kurtin: Sa më herët të largohet nga pushteti, aq më mirë për të gjithë ne

    Koci për Kurtin: Sa më herët të largohet nga pushteti, aq më mirë për të gjithë ne

    Avokati Arianit Koci ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë Albin Kurtin. Ai ka thënë se sa më herët të largohet nga pushteti, aq më mirë për të gjithë ne dhe më mirë për Kosovën.

    Koci këto komente i bëri menjëherë pasi presidentja Vjosa Osmani shpalli dekretin për shpërndarjen e kuvendit.

    Postimi i plotë i Kocit:

    E kam votu për ndryshim.

    Klasa e vjetër politike – e paaftë, e padijshme dhe e korruptuar, duhej zëvendësuar.

    Premtoi shumë.

    Sot mbeten vetëm fjalët. Rezultatet mungojnë. Qeverisja është bërë destruktive.

    Asnjë projekt serioz. Asnjë reformë. Asnjë premtim thelbësor i realizuar.

    Problemi nuk është vetëm drejtimi politik që ka zgjedhur. Problemi është mungesa e kapacitetit për të ndërtuar dhe udhëhequr një ekip; mungesa e dijes.

    Albin Kurti nuk e ka kapacitetin e liderit që e bashkon shoqërinë. Përkundrazi, e ka stimulu, qëllimisht, inatin dhe animozitetin në shoqëri.

    Kurrë nuk kemi qenë më të ndarë.

    Prej fitoreve të njëpasnjëshme deri te rreziku i shkatërrimit i sistemit politik, e posaçërisht ekonomisë – kjo është rruga ku po e çon vendin.

    Nuk është për kryeministër.

    Sa më herët të largohet nga pushteti, aq më mirë për të gjithë. Më mirë për Kosovën.

    Fati ynë i keq është se, për momentin, nuk shihet një alternativë serioze, një politikan që mund ta zëvendësojë.

  • Nga Prekazi, Nagavci nuk komenton dekretin e Osmanit për shpërndarje të Kuvendit

    Nga Prekazi, Nagavci nuk komenton dekretin e Osmanit për shpërndarje të Kuvendit

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, së bashku me delegacionin qeveritar, ka bërë homazhe në Kompleksi Memorial Adem Jashari në Prekaz, në kuadër të aktiviteteve për përkujtimin e Epopesë së UÇK-së.

    Gjatë qëndrimit në Prekaz, Nagavci u pyet nëse çështja e presidentit do të duhej të zgjidhej më herët dhe të mos lihej për momentet e fundit.

    Por, ajo refuzoi të komentojë për këtë temë, duke theksuar se në Prekaz flitet vetëm për qëllimin e homazheve dhe për nderimet që po bëhen në këtë vend.

    “Pikërisht këtu ne Prekaz flasim për qëllimin dhe nderimet që po i bëjme sot këtu, për temat tjera flasim në Prishtine, ndaj kërkoj mirëkuptimin tuaj. Kemi kohë gjate ditës deklarohemi për temat që janë në interes për ju dhe qytetaret”, tha Nagavci.

  • Një muaj paraburgim për “Mossin” dhe dy të tjerëve për sulmin ndaj Burim Pacollit

    Një muaj paraburgim për “Mossin” dhe dy të tjerëve për sulmin ndaj Burim Pacollit

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj rep-artistit Gramoz Krasniqi “Mossi” dhe dy të dyshuarve tjerë, pas sulmit ndaj gazetarit Burim Pacolli.

    Krasniqi dyshohet se ka kryer veprën penale Lëndim i lehtë trupor në bashkëkryerje dhe veprën penale Kanosje.

    Sipas vendimit të Themelores caktimi i paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji ndaj tre të dyshuarve është masa adekuate në këtë fazë të procedurës.

    “Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate dhe konstatoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale”, thuhet në vendimin e Themelores.

    Krasniqi e kishte sulmuar gazetarin Burim Pacolli pasditen e së hënës për shkak të punës së tij.

  • Policia në Gjilan shqipton 1742 gjoba trafiku brenda një jave

    Policia në Gjilan shqipton 1742 gjoba trafiku brenda një jave

    Policia e Kosovës në rajonin e Gjilanit ka shqiptuar 1742 gjoba trafiku gjatë një jave, në kuadër të zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë në rrugë.

    Sipas njoftimit të Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, aktivitetet janë zhvilluar nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore në periudhën 27 shkurt – 5 mars 2026.

    Gjatë kësaj periudhe, policia ka hetuar gjashtë aksidente trafiku me dëme materiale dhe dhjetë aksidente me persona të lënduar.

    Po ashtu, zyrtarët policorë kanë shqiptuar 24 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë, 40 gjoba për përdorim të telefonit gjatë drejtimit të automjetit dhe 28 gjoba për modifikim të automjeteve, përkatësisht vendosje të folieve të errëta në xhama.

    Në kuadër të masave ndëshkuese, policia ka shqiptuar edhe masën e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike për 65 ngasës.

    Policia Rajonale në Gjilan ka apeluar te të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut, të ulin shpejtësinë, të shmangin përdorimin e telefonit gjatë vozitjes dhe të vendosin rripin e sigurisë.

    “Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët. Ndihmoni në uljen e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës”, thuhet në apelin e policisë.