ATV

Blog

  • Paralajmërim i frikshëm nga Katari – Lufta mund të çojë naftën në 150 dollarë, rrezikohet ekonomia globale

    Paralajmërim i frikshëm nga Katari – Lufta mund të çojë naftën në 150 dollarë, rrezikohet ekonomia globale

    Ministri i Energjisë i Katarit , Saad al-Kaabi, ka paralajmëruar se një luftë në Lindjen e Mesme mund të rrëzojë ekonomitë globale dhe vlerësoi se të gjithë eksportuesit e energjisë në Gjirin Persik do të ndalonin prodhimin brenda disa javësh, duke i çuar çmimet e naftës në 150 dollarë për fuçi .

    Al-Kaabi, duke folur për Financial Times, tha se edhe nëse lufta përfundon menjëherë, Katarit do t’i duheshin javë deri në muaj për t’u rikthyer në furnizimet normale pas një sulmi me dron iranian në uzinën më të madhe të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në vend. Katari, prodhuesi i dytë më i madh në botë i LNG-së , u detyrua të deklaronte forcë madhore këtë javë pas sulmit në uzinën e Ras Laffan.

    Mediat e huaja shkruajnë që edhe pse Katari eksporton vetëm një përqindje të vogël të gazit të tij në Evropë, ministri i energjisë tha se Evropa do të pësonte humbje të konsiderueshme, pasi blerësit aziatikë do të ofronin më shumë për aq gaz sa është në dispozicion në treg, ndërsa vendet e tjera të Gjirit do të kishin vështirësi në përmbushjen e detyrimeve të tyre kontraktuale.

    “Të gjithë ata që nuk e kanë deklaruar forcën madhore pritet ta bëjnë këtë në ditët në vijim nëse kjo situatë vazhdon. Të gjithë eksportuesit në rajonin e Gjirit do të detyrohen të deklarojnë forcën madhore. Nëse nuk e bëjnë, do të detyrohen ligjërisht të paguajnë për të, dhe kjo është zgjedhja e tyre.”, tha Kaabi.

  • Kryetarja Haxhiu ia dërgon Kushtetueses emrat e deptuetëve që munguan

    Kryetarja Haxhiu ia dërgon Kushtetueses emrat e deptuetëve që munguan

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu bashkë me nëntë deputetë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për të kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së procesit të zgjedhjes së presidentit të vendit.

    Ky veprim ka ardhur pas seancës së mbajtur të enjten mbrëma, kur në mungesë kuroumi Haxhiu ndërpreu seancën ku pritej të votoheshin për president dy kandidatët e VV-së, Glauk Konjufca e Fatmir Mullhaxha Kollçaku.

    Në shkresën e deponuar në Gjykatë, Haxhiu me kolegë kanë kërkuar që Gjykata të detyrojë deputetët të marrin pjesë në seancë, të votojnë për president dhe të konstatojë se kanë shkelur Kushtetutën që s’kanë marrë pjesë në seancën e 5 marsit.

    “ Të konstatojë detyrimin e deputetëve për të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, qoftë pro, kundër apo abstenim dhe të mos pengojnë krijimin e kuorumit të nevojshëm në raundin e parë dhe të dytë të votimit, si dhe masat/sanksionet përkatëse në rast se ndodh një gjë e tillë.”, thuhet në shkresë.

    Për këtë, Haxhiu ia ka bashkuar shkresës edhe emrat e deputetëve që s’kanë marrë pjesë në seancë, e ku përfshihen edhe deputetët e Listës Serbe.

  • AAK-ja formon Shtabin Qendror Zgjedhor në krye me Ardian Gjinin

    AAK-ja formon Shtabin Qendror Zgjedhor në krye me Ardian Gjinin

    Sot u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Përgjithshëm të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku u diskutuan plani i Aleancës për këto zgjedhje, duke trajtuar çështje kyçe si lista zgjedhore, programi zgjedhor dhe organizimi i strukturave të fushatës.

    Këshilli i Përgjithshëm mori vendim edhe për themelimin e Shtabit Qendror Zgjedhor të Aleancës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    Në krye të shtabit u emërua nënkryetari i parë i Aleancës, Ardian Gjini, ndërsa do të përbëhet nga anëtarët e Komisionit për organizimin dhe koordinimin e zgjedhjeve të brendshme të Aleancës.

    Një nga pikat kryesore të rendit të ditës ishte pezullimi i zgjedhjeve të brendshme të partisë në të gjitha nivelet e organizimit.

  • A i ofroi pozitë ministrore dhe çka nëse Osmani kthehet në LDK- Kurti jep përgjigje në konferencë

    A i ofroi pozitë ministrore dhe çka nëse Osmani kthehet në LDK- Kurti jep përgjigje në konferencë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përgjigjur në pyetjen për atë nëse i ka ofruar presidentes Vjosa Osmani pozitën e ministres dhe nëse i frikësohet fuqisë politike të Vjosa Osmanit nëse ajo kthehet në LDK apo ndonjë parti tjetër.

    Kurti ka thënë se me Osmanin ka pasur shumë takime e diskutime, por që i duhet të ruaj konfidencialitetin e tyre.

    Kreu i LVV-së ka thënë se s’është koha për diskutime publike politike me Osmanin dhe nëse ajo një ditë kthehet në politikë është çështje tjetër.

    “ Ne jemi takuar me presidenten qindra herë në këto më shumë se pesë vite në situata të ndryshme. Kemi pasur diskutime të panumërta. E ruajmë transparencën ë proceseve, por na duhet ta ruajmë edhe konfidencailitetin e bisedave. Ajo është kryetare e shtetit ku unë jam kryeministër. S’është koha që të bëjë diskutime publike politike me presidenten e vendit. Nëse një ditë, siç është paralajmëruar mund të kthehet në politikë, ajo është situatë tjetër”, ka deklaruar Kurti

  • Dokument: Ky është dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

    Dokument: Ky është dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

    Presidentja Vjosa Osmani sot nënshkroi dekretin për shpërndarjen e Kuvendit pasi ai dështoi të zgjidhte Presidentin e ri brenda afatit.

    Këtë dekret e konsideroi jokushtetues kryeministri Albin Kurti, i cili njoftoi se është duke u dërguar në Gjykatën Kushtetuese për kontestim.

    Ndërkaq, partitë tjerë opozitare e kanë mirëpritur këtë vendim të presidentes, por thanë se do të respektojnë çfarëdo vendimi që nxjerr Kushtetuesja për ankesat e dërguara në lidhjen me zgjedhjen e presidentit.

    Më poshtë teksti i dekretit:

    Presidentja e Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 86 (2) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton se zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual, ndërlidhur me nenin 82 (1.3) të Kushtetutës, si dhe duke u bazuar në nenin 84 (4) të Kushtetutës, nenin 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës dhe nenin 4 (4) të Rregullores (P) Nr. 02/2022 për Organizimin dhe Funksionimin e Presidencës (30.12.2022), nxjerr:

    DEKRET

    Shpërndahet Legjislatura e Dhjetë (X) e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Ky dekret hyn në fuqi në datën e nënshkrimit.

  • Kurti: Kemi 60 ditë kohë për ta zgjedhur presidentin

    Kurti: Kemi 60 ditë kohë për ta zgjedhur presidentin

    Kryeministri Albin Kurti tha se gjatë kohës kur ai po flet, po dërgohet në Gjykatë Kushtetuese dekreti i presidentes Osmani.

    Ai tha se afati 60 ditor për ta zgjedhur presidentin ka nisur mbrëmë dhe, sipas tij, afati 30-ditor që presidenti të zgjidhet pa i mbarur mandati presidentit aktual flet për nisje të procesit, jo për mbyllje të tij.

    “I kemi 60 ditë kohë të bëjmë zgjidhe e të mos kemi zgjedhje”, tha Kurti.

  • Kurti e akuzon opozitën për mosbashkëpunim të mirëfilltë për zgjedhjen e presidentit

    Kurti e akuzon opozitën për mosbashkëpunim të mirëfilltë për zgjedhjen e presidentit

    Kurti tani po i kritikon dy partitë kryesore opozitare, PDK dhe LDK, për mungesë të bashkëpunimi të mirëfilltë për një marrëveshje për president.

    Ai tha se nuk u morën vesh me PDK-në pasi ai tha se nuk ka pranuar të bëjë marrëveshje ‘bllanko”, siç kërkonte PDK.

    “Nuk mund të bëj marrëveshje pa u ditur emri”, tha ai.

    “Kur s’më dhanë emra, thashë hajt të provoj unë t’ua japë një emër”, tha Kurti teksa përshkruante negociatat me opozitën.

    Ai tha se nuk u pranua propozimi i tij për emrin e Andin Hotin dhe nuk pranuan më as të takohen.

    Kurse për LDK-në tha se i ka thënë se mund të japin veç gjysmën e nënshkrimeve për njërin kandidat.

  • Kurti: S’mund të flasim për zgjedhjet e reja pa e thënë fjalën e vetë Gjykata Kushtetuese

    Kurti: S’mund të flasim për zgjedhjet e reja pa e thënë fjalën e vetë Gjykata Kushtetuese

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për media ka folur për situatën politike tashmë të krijuar edhe pasi nuk munden ta zgjedhin presidenten/in, e që pasoi edhe me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për ta shpërndarë Kuvendin.

    Në këtë konferencë, Kurti ka thënë se është Gjykata Kushtetuese ajo që duhet të thotë fjalën e saj, nëse duhet të ketë zgjedhje të reja apo jo.

    “Nuk mund të flasim për zgjedhje të reja pa folur Gjykata Kushtetuese”, tha ai.

    Kryeministri Kurti tha se sipas Kushtetutës, ai nuk është dashur të shpërndahej tani.

    “Ka afat 60-ditor për t’u zgjedhur presidenti dhe ne kemi qenë në sallën e Kuvendit vetëm 30 minuta”, tha Kurti.

    “Nuk është përmbushur kriteri prej 60-ditësh, nuk jemi më 5 maj sot, por më 6 mars”, shtoi ai.

  • Aksion në gjithë Kosovën për çmimet e derivateve, dalin në terren inspektorët

    Aksion në gjithë Kosovën për çmimet e derivateve, dalin në terren inspektorët

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka zhvilluar sot një aksion të gjerë inspektues në bashkëpunim me inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës dhe ata të Autoritetit të Konkurrencës.

    Aksioni është realizuar në kuadër të mbikëqyrjes së çmimeve të derivateve të naftës.

    Sipas njoftimit, qëllimi i këtij aksioni ka qenë kontrollimi i zbatimit të vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve të produkteve të naftës dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse.

    “Qëllimi i këtij aksioni ka qenë mbikëqyrja e zbatimit të vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve të produkteve të naftës dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse. Veprimet kanë për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, rritjen e transparencës në treg, sigurimin e konkurrencës së ndershme dhe parandalimin e çrregullimeve të mundshme në treg”, thuhet në njoftim.

    Ndërkohë, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e vazhdueshëm të tregut, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, luftimin e informalitetit dhe eliminimin e praktikave të padrejta tregtare.

  • Emiratet e Bashkuara Arabe kapën mbi 1 mijë dronë që nga fillimi i luftës me Iranin

    Emiratet e Bashkuara Arabe kapën mbi 1 mijë dronë që nga fillimi i luftës me Iranin

    Emiratet e Bashkuara Arabe u përballën me një tjetër sulm masiv ajror gjatë natës së të premtes dhe alarmet dhe paralajmërimet publike mbetën gjatë gjithë natës, raportoi korrespondenti i Euronews në Dubai nga terreni.

    “Një kontakt në Aeroportin Ndërkombëtar të Abu Dhabit tha se po dëgjojnë shpërthime përgjimi çdo 20 sekonda”, tha Jane Witherspoon.

    Që nga fillimi i luftës në Iran të shtunën, mbrojtja ajrore e Emirateve të Bashkuara Arabe ka kapur 1,072 dronë, 196 raketa balistike dhe tetë raketa kruiz.

    “Konsensusi i përgjithshëm për shumë njerëz është se ata mendonin se do të kishte mbaruar deri tani, dhe ndërsa gjithçka duket plotësisht nën kontroll, ekziston një shqetësim në rritje”, raportoi Witherspoon.

    Ndërkohë, njerëzit në Katar u zgjuan nga një alarm emergjence në telefonat e tyre gjatë natës të premten, pas të cilit Ministria e Mbrojtjes njoftoi se kishte kapur një dron që synonte bazën ajrore Al-Udeid, baza më e madhe ushtarake amerikane në rajon.

    Autoritetet lokale u kanë këshilluar njerëzve të shmangin grumbullimet në hapësira publike të hapura.