ATV

Blog

  • Moment epik nga Superliga e Çekisë: Portieri godet dritaret e një banese në Pragë

    Moment epik nga Superliga e Çekisë: Portieri godet dritaret e një banese në Pragë

    Një moment i pazakonshëm ndodhi në ndeshjen e raundit të 25-të të kampionatit çek mes Bohemians 1905 dhe Slovan Liberec, e cila përfundoi pa gola (0:0) në stadiumin Dolícek Stadium në Pragë.

    Portieri i mysafirëve, Tomas Koubek, në përpjekje për të larguar rrezikun dhe për të shmangur një goditje nga këndi, e goditi topin me forcë të madhe. Topi fluturoi shumë lart mbi tribunat e stadiumit dhe përfundoi në ballkonin e një apartamenti në ndërtesat që ndodhen pranë fushës. Fatmirësisht dritarja e asaj banese shpëtoi pa u thyer.

    Goditja e Koubek habiti si lojtarët në fushë ashtu edhe tifozët në tribuna. Pamjet e këtij momenti u përhapën shpejt në rrjetet sociale dhe u bënë një nga skenat më të veçanta të këtij sezoni në ligën çeke.

    Stadiumi Dolícek, shtëpia e klubit Bohemians 1905, njihet për arkitekturën e tij të veçantë. Ndërtesat e banimit ndodhen shumë pranë stadiumit dhe ballkonet e tyre shpesh shërbejnë si vende nga ku banorët mund të ndjekin ndeshjet.

    Stadiumi u hap në vitin 1932, kur Bohemians 1905 priti Sparta Pragën, dhe u projektua nga arkitekti Alois Vejvoda. Ai është rinovuar në vitet 2003 dhe 2007 dhe sot ka një kapacitet prej rreth 6300 spektatorësh.

  • Sveçla në Forumin e Salzburgut: ​Kosova synon sisteme digjitale për siguri kufitare

    Sveçla në Forumin e Salzburgut: ​Kosova synon sisteme digjitale për siguri kufitare

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po merr pjesë në takimin e Forumi të Salzburgut ku po diskutohet për bashkëpunimin rajonal në fushën e menaxhimit të migracionit dhe sigurisë kufitare.

    Gjatë fjalës së tij, ai mirëpriti lansimin e Sistemit të Hyrje/Daljes (Entry/Exit System – EES), duke e cilësuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe digjitalizimit të kufijve të jashtëm të zonës Schengen.

    Ai theksoi se Kosova është e interesuar të përfitojë nga sisteme të tilla për të rritur sigurinë kufitare dhe për të përmirësuar menaxhimin e migracionit.

    “Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e informimit të qytetarëve të Kosovës për rregullat e udhëtimit dhe qëndrimit në zonën Schengen, por dhe rregullat në Kosovë që janë në përputhje me direktivat e BE-së, përmes fushatave informuese dhe platformave online të dedikuara”.

    “Në kuadër të diskutimit për bashkëpunimin me Frontex në Ballkanin Perëndimor, ministri Sveçla vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Frontex, duke theksuar angazhimin e përbashkët me Policinë e Kosovës në disa pika kufitare dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës”, bëhet e ditur në një njoftim të ministrisë që udhëhiqet nga Sveçla.

    Ai ritheksoi përkushtimin e Kosovës për të thelluar bashkëpunimin me partnerët evropianë ai dhe avancimin e bashkëpunimin me EUROPOL-in për të kontribuar si partner i besueshëm në sigurinë rajonale dhe më gjerë.

  • Të shtëna me armë në Skenderaj, një i plagosur dërgohet për trajtim mjekësor në spital

    Të shtëna me armë në Skenderaj, një i plagosur dërgohet për trajtim mjekësor në spital

    Një person ka mbetur i plagosur pas të shtënave me armë zjarri që dyshohet të kenë ndodhur mbrëmjen e së hënës në Skenderaj.

    Sipas raportimit fillestar, incidenti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes dy personave.

    Sipas policisë, rreth orës 21:00 i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor.

    Me urdhër të prokurorit, njësitë policore kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë gjuetie dhe 15 fishekë. Ndërkohë, i dyshuari ndodhet në kërkim policor dhe hetimet për rastin janë në vazhdim.

  • Inflacioni në Kosovë arrin 6% në shkurt 2026, rriten çmimet e ushqimit dhe fluturimeve, ASK publikon statistikat

    Inflacioni në Kosovë arrin 6% në shkurt 2026, rriten çmimet e ushqimit dhe fluturimeve, ASK publikon statistikat

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin shkurt 2026.

    Në publikimin e ASK’së, thuhet se çmimet e konsumit janë me një shkallë të rritjes për 6,0 % vjetore dhe 0,6 % mujore.

    Tutje shtohet edhe se, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 6,0 % në muajin shkurt 2026, krahasuar me muajin shkurt 2025. Inflacioni mujor ishte 0,6 % në muajin shkurt 2026.

    ‘’Shkurt 2026 / Shkurt 2025 6,0 %

    Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë në një mesatare prej 6,0 % në muajin shkurt 2026, krahasuar me muajin shkurt 2025. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (42,5 %); bileta të fluturimeve (39,0 %); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (33,4 %); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (16,8 %); pemë (16,4 %); mirëmbajtje dhe riparim të pajisjeve personale të transportit (15,1 %); mish (14,7 %); pushime të organizuara (13,2 %); shërbime ambulantore (9,6 %); shërbime hoteliere (9,5 %); kafe, çaj dhe kakao (9,3 %); peshq (8,0 %); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (7,4 %); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (6,7 %); kujdes personal (6,6 %); perime (6,4 %); pije alkoolike (6,4 %); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (6,1 %),; qumësht, djathë dhe vezë (5,6 %); mirëmbajtje dhe rregullim të vendbanimit (5,5 %); prodhime ushqimore (5,4 %); gjëra personale (5,2 %); bukë dhe drithëra (5,2 %); duhan (4,2 %); produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje (3,9 %); mobile dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (3,9 %); veshje (3,3 %); vajra dhe yndyra (3,1 %); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (2,7 %); me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 6,4 për qind në IHÇK.’’, thuhet në njoftimin e ASK’së.

    Nisin reformat në Kodin zgjedhor/ Mbahet mbledhja e parë e grupit të punës
    Read more

  • QKUK ul tarifën e parkingut, nga 1 euro në 50 cent për orë

    QKUK ul tarifën e parkingut, nga 1 euro në 50 cent për orë

    Pas kritikave të qytetarëve, Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës ka vendosur të ulë tarifën e parkingut në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

    Sipas vendimit të marrë më 27 shkurt 2026, tarifa e re është 0.50 € për 1 deri në 60 minuta qëndrimi, si dhe 0.50 € për çdo orë shtesë.

    Nga ShSKUK thonë për Lajmi.net se ky vendim synon të lehtësojë barrën financiare për pacientët, familjarët dhe qytetarët që frekuentojnë QKUK-në.

    Për informata shtesë, qytetarët do të informohen përmes lajmërimeve zyrtare të vendosura në hyrjet e rampave të parkingut dhe në momentin e marrjes së biletës.

    Ky vendim vjen pas vendosjes së rregullores së re për parkingun në fillim të muajit shkurt, e cila kishte ngjallur reagime për shkak të tarifës prej 1 euro për qëndrime deri në 1 orë.

  • Mbi 2 mijë e 400 gjoba trafiku për 24 orë, Policia njofton për mbi 40 aksidente

    Mbi 2 mijë e 400 gjoba trafiku për 24 orë, Policia njofton për mbi 40 aksidente

    Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24-orëve të fundit, në vend janë shqiptuar 2455 gjoba trafiku.

    Në raport njoftohet edhe se gjatë kësaj kohe kanë ndodhur 15 aksidente me të lënduar, ndërsa 29 me dëme materiale.

    Po ashtu është bërë e ditur se janë arrestuar 19 persona, ku 8 janë dërguar në mbajtje.

  • Kurti zhvillon telefonatë me Marta Kos: Integrimi në BE, prioritet kyç i Qeverisë

    Kurti zhvillon telefonatë me Marta Kos: Integrimi në BE, prioritet kyç i Qeverisë

    Kryeministri Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, ku është diskutuar për procesin e zgjerimit dhe reformat që lidhen me integrimin e Kosovës në BE.

    Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, integrimi evropian mbetet prioritet i qeverisë.

    Gjatë bisedës, Kurti theksoi rëndësinë e marrjes së statusit kandidat dhe përmendi disa nga vendimet e fundit të Kuvendit, përfshirë miratimin e buxhetit prej katër miliardë euro dhe Planin e Rritjes në vlerë rreth 880 milionë euro për përshpejtimin e reformave.

    Në njoftim thuhet se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit janë paraparë hapa për zbatimin e këtij plani përmes ligjeve që kapin vlerën rreth 90 milionë euro.

  • E dhimbshme: Vdes polici, Bajram Mustafa

    E dhimbshme: Vdes polici, Bajram Mustafa

    Këtë të martë, ka ndërruar jetë zyrtari policor, Bajram Mustafa.

    Kështu ka bërë të ditur Sindikata e Policisë së Kosovës, përmes një telegrami ngushëllimi.

    “Me rastin e vdekjes të zyrtarit policor Bajram Mustafa, familjes, miqve dhe gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

  • Shkëlqeu me dy gola ndaj Osasunas – Vedat Muriqi, pjesë e formacionit të javës në La Liga

    Shkëlqeu me dy gola ndaj Osasunas – Vedat Muriqi, pjesë e formacionit të javës në La Liga

    Vedat Muriqi është bërë pjesë e formacionit më të mirë të javës në La Liga për xhiron e 27-të.

    Kjo pas paraqitjes së tij fantastike vikendin që lamë pas, me sulmuesin dardan që ishte autor i dy golave të realizuar ndaj Osasunas.

    Mallorca luajti baras me rezultat 2-2 në udhëtim, një ndeshje të cilën e lëshoi nga duart vetëm në minutat e fundit të saj.

    Muriqi në atë përballje ishte vlerësuar si ‘Lojtari më i Mirë’ duke marrë notën 8.6 nga Sofascore dhe tashmë është bërë pjesë edhe e 11-shes më të mirë të javës.

    31-vjeçari rreshtohet në fazën ofanzive së bashku me emra si Ante Budimir (Osasuna) dhe Lucas Boye (Alaves).

    Për Muriqin paraqitja ndaj Osasunas ishte e 26-ta për të këtë edicion në kampionat spanjoll.

    Kujtojmë se sulmuesi shtatgjatë po luan këtë sezon me shifra të jashtëzakonshme, teksa deri në këtë fazë të sezonit numëron 18 gola të realizuar, ndërsa ka edhe një asistim.

  • Trafik armësh nga Mali i Zi: Arrestohen dy persona në Tiranë, një tjetër shpallet në kërkim

    Trafik armësh nga Mali i Zi: Arrestohen dy persona në Tiranë, një tjetër shpallet në kërkim

    Dy persona janë arrestuar në Tiranë dhe një tjetër është shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Rotondo”, pas një hetimi 2 mujor.

    Gjatë operacionit, u vunë në pranga 31-vjeçari Donati Jaku, banues në Shkodër dhe 22-vjeçari Florian Gjeta, banues në fshatin Domje.

    Automjeti që drejtonte Gjeta dhe ku ishte pasagjer Jaku, u ndalua për kontrolle, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në vendin e quajtur “Rrethi i Freskut”.

    Nga kontrollet në automjet, u gjetën 6 armë zjarri (pistoleta SigSauer) të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen në këtë zonë.

    Armët e zjarrit u sekuestruan bashkë me automjetin tip “Volkswagen” që drejtonte 22-vjeçari, si dhe me 4 celularë, shkruan Abcnews.al.

    Në vijim të hetimeve rreth kësaj veprimtarie kriminale, u identifikua dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i të arrestuarve.