ATV

Blog

  • Arian Gashi zgjidhet kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës

    Arian Gashi zgjidhet kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës

    Prokurori Arian Gashi është zgjedhur kryesues i ri i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

    Gashi u zgjodh kryesues me katër vota pro.

    “Me katër vota për, z.Arian Gashi, zgjidhet Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës”, u konstatua në mbledhjen e jashtëzakonshme të KPK’së.

    Ai u zotua se detyrën do ta ushtroj me paanshmëri dhe transparencë.

    Gashi menjëherë pas zgjedhjes dha dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Komisionit për çështje normative, e cila iu miratua pa asnjë votë kundër dhe abstenim.

    Mandati i Gashit fillon sot dhe zgjat deri në përfundim të mandatit si anëtar i KPK’së. Gashi ishte betuar si anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës në janar të vitit 2023.

    Në garë për pozitën e kryesuesit ishte edhe prokurori special, Milot Krasniqi.

  • Xhiroi rastësisht momentin e sulmit iranian me dron, britaniku arrestohet në Dubai – pritet të dënohet rëndë

    Xhiroi rastësisht momentin e sulmit iranian me dron, britaniku arrestohet në Dubai – pritet të dënohet rëndë

    Një burrë nga Mbretëria e Bashkuar është në listën e 20 personave që në Emiratet e Bashkuara Arabe janë akuzuar sipas ligjeve për krimin kibernetik për shkak të regjistrimit dhe publikimit të materialeve që lidhen me sulmet iraniane ndaj vendit.

    The Guardian raporton se bëhet fjalë për një turist që po vizitonte Dubain, i cili është akuzuar sipas një ligji që ndalon shpërndarjen e materialeve që mund të rrezikojnë sigurinë publike.

    Rasti është theksuar nga organizata Detained in Dubai, e cila ofron ndihmë juridike për individët në Emiratet e Bashkuara Arabe, raporton bbc.

    Edhe pse kufizimet për regjistrimin e sulmeve gjatë konflikteve nuk janë të pazakonta në botë, rasti ka tërhequr vëmendje për shkak të reputacionit të Emirateve si një magnet për influencues, jeta e të cilëve varet nga regjistrimi dhe publikimi i vazhdueshëm. Pavarësisht ligjit, pamjet e sulmeve të fundit iraniane janë përhapur gjerësisht në rrjetet sociale.

    Radha Stirling, drejtoreshë e organizatës Detained in Dubai, tha se burri i paidentifikuar nga Londra është akuzuar së bashku me edhe 20 persona të tjerë pasi policia në telefonin e tij gjeti një video të një sulmi raketor iranian në Dubai, edhe pse ai thuhet se e kishte fshirë menjëherë videon kur iu kërkua ta bënte këtë.

    Sipas përmbledhjes zyrtare të rastit, të akuzuarit dyshohet se kanë përdorur një rrjet informacioni ose mjet IT për të transmetuar, publikuar, ripublikuar ose shpërndarë lajme të rreme, thashetheme apo propagandë provokuese që mund të ndikojë në opinionin publik ose të dëmtojë sigurinë publike.

    “Akuzat tingëllojnë jashtëzakonisht të paqarta, por serioze në letër. Në realitet, vepra e pretenduar mund të jetë diçka aq e thjeshtë sa shpërndarja ose komentimi i një videoje që tashmë qarkullon në internet”, tha Stirling në një deklaratë.

    Sipas ligjeve të Emirateve për krimin kibernetik, personi që publikon fillimisht përmbajtjen mund të akuzohet, por gjithashtu edhe kushdo që e ripërpunon, e ripublikon ose e komenton atë.

    Një video e vetme mund të çojë shpejt në ndjekje penale ndaj dhjetëra personave. Dënimet në raste të tilla mund të jenë deri në dy vjet burg, një gjobë nga rreth 4600 deri në 47 mijë euro, ose të dyja.

    Përveç kësaj, shtetasit e huaj mund të dëbohen nga vendi pas shpalljes së vendimit.

  • Ankthi i mëngjesit, si shkaktohet dhe si ta përballoni

    Ankthi i mëngjesit, si shkaktohet dhe si ta përballoni

    Ankthi është një gërshetim i ndërlikuar emocionesh negative që përfshijë frikën e tepruar, shqetësimin apo panik të lehtë.

    Zakonisht shoqërohet dhe me pasoja fizike si rrahje të forta të zemrës, dhimbje të kraharorit dhe një frymëmarrje të çrregullt.

    Krizat e ankthit të mëngjesit, është ai që të kap sapo hapim sytë, duke shkaktuar pasiguri, plogështi dhe lodhje të rënduar.

    Në fazat më të rënda, ky shqetësim shoqërohet dhe me marrje mendsh, të vjella dhe me një sistem tretës jo të qetë.

    Në shumë raste, kur zgjohesh në një mëngjes të tillë mendja të shkon menjëherë tek konsumimi i një kafeje, tek disa persona ajo ka efekt qetësues por tek disa të tjerë kafja ndikon në rritjen e mëtejshme të ankthit.

    Dy format e ankthit të mëngjesit

    Ankthi i mëngjesit që shfaqet menjëherë pas zgjimit të organizmit, ndërkohë që jemi ende shtrirë.

    Simptomat e këtij tipi të ankthit lidhen me nje tension në të gjithë trupin si dhe me rrahje të çrregullta e të forta të zemrës.

    Duke ndikuar në gjendjen psikologjike dhe fizike të personit të prekur gjatë ditës.

    Forma tjetër e ankthit të mëngjesit është ai që del në pah pas disa minutash që jemi zgjuar.

    Një gjendje e cila rritet gradë pas grade derisa arrin të formohet një dhimbje në kraharor.

    Në të dy rastet e ankthit të mëngjesit, vëmendja dhe përqëndrimi është i ulët.

    Disa nga reagimet fizike ndaj ankthit të mëngjesit janë: ngërçet të muskujve, kriza të stomakut, dhimbje të qafës dhe të kokës.

    Një nga karakteristikat kryesore të këtij lloj ankthi është plogështia që kap organizmin në mesditë.

    Simptomat e ankthit të mëngjesit

    Lodhje e vazhdueshme nga detyrimet e përditshme, pa pasur mundësi për të rikuperuar energjitë.

    Një numër i lartë përgjegjshmërish

    Një çrregullim i mënyrës së jetës, apo pamundësia e organizmit të saj

    Mos interesim në aktivitetet e zakonshme

    Pritshmëri të larta dhe të pakapshme

    Nervozizëm dhe irritim

    Si të përballoni ankthin e mëngjesit

    Për të shuar ndjesinë e ankthit të mëngjesit nuk është e nevojshme që të stresoheni për të gjetur shkakun e këtij ankthi.

    Gjëja kryesore është pranimi që keni një problem, dhe të ndryshoni sjelljen tuaj ndaj tij.

    Ekspertët e psikologjisë pohojnë se një ankth i tillë nuk duhet luftuar, pasi mund të përkeqësohet duke shkaktuar kriza paniku.

    Thelbi është qetësimi dhe reflektimi rreth problemeve që ju vërshojnë në mendje.

    Një sjellje e tillë arrin të normalizojë reagimin e organizmit.

    Duke qenë se truri fillon dhe dërgon sinjale qetësuese, trupi nuk është në gjendje alarmi dhe kështu kriza e ankthit kalon.

    Por nëse kriza të tilla janë kronike, AgroWeb.org ju këshillon që të konsultoheni me mjekët përkatës.

  • Gabimet që çojnë në dëmtim serioz të veshkave

    Gabimet që çojnë në dëmtim serioz të veshkave

    Veshkat kanë përgjegjësi të madhe në organizëm. Ato filtrojnë gjakun, pastrojnë organizmin, prodhojnë hormone, dhe ruajnë ekuilibrat e mineraleve dhe lëngjeve.

    Ekspertët paralajmërojnë se nëse njeriu nuk përkujdeset për to, pasojat do të jenë të rënda.

    Zakonisht, njerëzit neglizhojnë shëndetin duke u ushqyer keq dhe duke anashkaluar rëndësinë e ushqyerjes për shëndetin e veshkave dhe jo vetëm.

    Në këtë artikull do të mësoni për gabimet që dëmtojnë rëndë veshkat.

    Dehidratimi

    Gabimi i parë që njerëzit bëjnë shpesh është se nuk pijnë shumë ujë.

    Duke qenë se uji përbën pjesën më të madhe të organizmit, ekspertët këshillojnë pirjen e të paktën 8 gotave me ujë çdo ditë.

    Kjo sasi do të mundësojë filtrimin e duhur të gjakut, eliminimin e toksinave dhe mbetjeve nga organizmi.

    Kripa

    Kripa e tepërt rrit tensionin e gjakut dhe shkakton stres tek veshkat.

    Konsumi i tepruar i saj mund të shkaktojë probleme të rënda.

    Sheqeri

    Njësoj si kripa, edhe konsumi i lartë i sheqerit shkakton presion në veshka.

    Njerëzit që konsumojnë dy ose më shumë pije të ëmbla në ditë, vështirësojnë ndjeshëm punën e veshkave.

    Mungesat e mineraleve dhe vitaminave

    Një regjim i varfër në vitamina e minerale mund të nxisë formimin e gurëve në veshka dhe sëmundjeve të veshkave.

    Ekspertët këshillojnë konsumin e më shumë frutave, perimeve dhe vakteve të shëndetshme.

    Proteinat shtazore

    Konsumi i lartë i mishit mund të shkaktojë grumbullimin e tepërt të proteinave të përpunuara në organizëm.

    Barra është shumë e rëndë për veshkat dhe shkakton punë ‘pa orar’ për to.

    Mungesa e gjumit

    Gjumi është shumë i rëndësishëm për gjallërimin e mendjes dhe trupit.

    Mungesa e tij shkakton dëmtim të kockave, stres dhe probleme me veshkat.

    Kafeina

    Ndikimi i kafesë në organizëm është i njëjtë me kripën.

    Ajo rrit tensionin e gjakut dhe shkakton dëme të forta me kalimin e kohës.

    Medikamentet

    Medikamentet kundër dhimbjeve mund të kenë një ndikim shumë të rrezikshëm në organizëm dhe veçanërisht në veshka.

    Ekspertë thonë se njeriu duhet të frenohet nga dëshira për të përdorur medikamente pa karar.

    Abuzimi me alkoolin

    Pirja e tepruar e alkolit shkakton një tension të lartë në veshka dhe eventualisht dëmtim të parikuperueshëm të tyre.

  • Shpërthimi në lokalin “Sekiraqa” më 2007, të gjithë të akuzuarit lirohen nga akuza

    Shpërthimi në lokalin “Sekiraqa” më 2007, të gjithë të akuzuarit lirohen nga akuza

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykim lirues për të gjithë të akuzuarit në rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraqa”, ngjarje që kishte ndodhur më 24 shtator 2007 dhe ku kishin humbur jetën dy persona.

    Me vendimin e gjykatës, nga akuzat janë liruar Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi, Mehmet Mehmeti dhe Afet Dalloshi. Trupi gjykues ka vendosur që shpenzimet e procedurës penale të bien mbi gjykatën.

    Në këtë rast Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti akuzohen se më 24 shtator 2007 në bashkëkryerje më Besnik Hasanin, Shpend Qerimin dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, pretendohet se kishin vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës në objektin e lokalit “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë. Si pasojë e këtij shpërthimi kishin humbur jetën N.M., dhe P.S., dhe ishin lënduar disa persona të tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Të akuzuarit Hasani dhe Qerimi janë gjykuar dhe dënuar në një proces tjetër gjyqësor.

    Ndryshe, gjykata e shkallës së parë, më 29 korrik të vitit 2016, shtatë të akuzuarit i kishte liruar nga akuzat për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa” në Prishtinë, me arsyetimin se mbrojtjes së të akuzuarve nuk u ishin zbuluar provat shfajësuese dhe se vazhdimi i gjykimit do të shpinte në shkelje të mëtejshme të parimit të gjykimit të rregullt.

    Por, ky rast ishte kthyer në rigjykim në prill të vitit 2017, nga Gjykata e Apelit, pas ankesës së Prokurorisë, se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk ishte i drejtë. Gjetjet e gjykatës së shkallës së parë se moszbulimi i provave shfajësuese përbën arsye për refuzimin e akuzës, sipas Apelit kjo rrethanë nuk përbën arsye për refuzimin e akuzës.

    Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 22 gusht 2014, saktësisht nga prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, ngarkon Bejtullah Mehmetin, Luan Qerkinin, Bekim Sumën, Fadil Sadikun, Afet Dalloshin, Arbresh Dalipin dhe Mehmet Mehmetin.

    Në pikën e parë, të akuzuarit ngarkohen se më 24 shtator 2007, Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti, në bashkëkryerje më Besnik Hasanin, Shpend Qerimin (të dy këta të dënuar tashmë për të njëjtën vepër penale) dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, për hakmarrje të paskurpullt ose për motive të tjera të ulëta, dhe duke rrezikuar me dashje jetën e një ose më shumë personave, privuan nga jeta N.M., dhe P.S,.

    Sipas aktakuzës, kjo ndodhi duke vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës të improvizuar në katin përdhesë në objektin e lokalit “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë.

    Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” në shkelje të neneve 23 dhe 147, par.4, 9 dhe 11 të Kodit Penal të Kosovës.

    Aty thuhet se pas një historie të gjatë dhune ndërmjet policisë në Ferizaj, policëve të Njësisë ROSU dhe Enver Sekiraqës, dhe pas vrasjes së policit Triumf Riza, vrasje e cila në aktakuzë thuhet se “besohet të jetë urdhëruar nga Enver Sekiraqa”, Policia e Ferizajt bashkë me policët e Njësisë ROSU planifikuan hakmarrje kundër Sekiraqës, duke hedhur në erë me bombë lokalin e tij në Prishtinë. Lokali thuhet se ndodhej në një zonë të populluar banesore, që ishte plotë me bare e restorante. Kurse, bomba thuhet se u vendos në muajin e Ramazanit më 24 shtator 2007, kur lokalet ishin të hapura për njerëzit që bënin syfyrin. Madhësia e bombës, vendi i vendosjes së saj dhe koha e shpërthimit, thuhet se do të thoshte se të pandehurit kishin për qëllim të vrisnin.

    Në pikën e dytë të aktakuzës, thuhet se Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin dhe gjithashtu në bashkëkryeje me tani të dënuarit për të njëjtën vepër penale, Besnik Hasanin dhe Shpend Qerimin, si dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, për hakmarrje të paskurpullt ose për motive tjera të ulëta dhe duke rrezikuar me dashje jetën e një ose më shumë personave, ndërmorën veprim të menjëhershëm për të privuar nga jeta Xh.S., V.Z., L.N., G.S., E.N., N.H., F.B., L.K., Sh.S., M.K dhe T.K., duke vendosur dhe shpërthyer mjetin plaës në lokalin “Sekiraqa”, duke u shkaktuar lëndime të rënda personave të lartpërmendur.

    Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” në shkelje të neneve 20, 23 dhe 147, par.4, 9 dhe 11 të Kodit Penal.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, madhësia e bombës, vendi i vendosjes së saj dhe koha e shpërthimit, do të thoshte se të dyshuarit kishin për qëllim të vrisnin dhe kjo ndodhi pasi u vranë dy persona, si dhe tentuan të vrisnin 11 të tjerët.

    Pika e tretë e aktakuzës, ngarkon të akuzuarit Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti se në bashkëkryerje me tani të dënuarit për këtë vepër Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, si dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, shkaktuan rrezik të përgjithshëm të jetës njerëzore, duke shpërthyer një mjet plasës të improvizuar, të vendosur në katin përdhesë të një ndërtese në bulevardin “Bill Klinton” në Prishtinë, duke shkaktuar vdekjen e dy personave, u shkaktoi lëndime të rënda trupore 11 të tjerëve, si dhe shkaktoi dëme të mëdha pasurore në pronën dhe pasurinë e disa aktivitetve tregtare në Prishtinë.

    Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” me shkelje të neneve 23 dhe 291, par.1 dhe 5 të Kodit Penal të Kosovës.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, Policia e Ferizajt bashkë me policët e Njësisë ROSU, ekzekutuan një plan dhe u takuan në Fermën e Deleve në Racaj një ditë para ditës kritike (23 shtator 2007), nga aty thuhet se dy persona u dëguan për të marrë mjetin plasës, minë kundër-tank dhe dy armë.

    Aktakuza thotë se plani ishte të hidhet në erë lokali “Sekiraqa”. Pasi ishin kthyer, thuhet se i akuzuari Dalipi dhe dy të akuzuarit Mehmeti ishin udhëzuar çfarë të bënin, kurse Dalloshi thuhet se i la policët të ekzekutonin planin e tyre dhe i kishin pritur në një lokal në Kaçanik. Të dy veturat e Policisë, thuhet se ishin siguruar nga të akuzuarit Suma dhe Sadiku, e targat ia fshehu i akuzuari Bejtullah.

    Në aktakuzë thuhet se pas kësaj, anëtarët e grupit nisen me vetura për Prishtinë për ta ekzekutuar planin. Bomba ishte vendosur në lokal rreth orës 2:10 mëngjesin e 24 shtatorit 2007, ku si pasojë u vranë dy persona dhe u lënduan 11 të tjerë.

    Historia procedurale:

    Në aktakuzë thuhet se të pandehurit ishin hetuar në vitin 2007 pasi dyshoheshin se ishin përfshirë në shpërthimin në lokalin “Sekiraqa”. Nga deklaratat e dëshmitarëve në vendngjarje më 2007, thuhet se ishte e qartë se në rast ishin përfshirë tetë policë në dy automjete të Policisë.

    Në përfundim të hetimeve, u ngrit aktakuzë ndaj Besnik Hasanit, Shpend Qerimit dhe N.C., për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, vrasje e rëndë dhe vrasje në tentativë. Kurse, Luan Qerkini, Bejtullah Mehmeti, Fadil Sadiku e Bekim Suma, nuk u akuzuan ngase nuk kishte prova të mjaftueshme.

    Aktakuza e parë u ngrit më 12 gusht 2008, aktgjykimi u shpall më 22 shtator 2009, ku Hasani dhe Qerimi u dënuan me 25 vjet burgim, kurse N.C., u lirua nga akuzat. Vendimi u bë i prerë më 25 maj 2012.

    Hetimi dhe aktakuza thuhet se ka nisur nga dëshmitë dhe provat e reja që kanë dalë në dritë nga vendimi lidhur me aktakuzën e parë. /BetimipërDrejtësi

  • Zanfina Ismaili i del në mbrojtje Gjestit: Nga përvoja them se pronari i asaj kompanie ka qenë jo korrekt – Liri për Gjesti

    Zanfina Ismaili i del në mbrojtje Gjestit: Nga përvoja them se pronari i asaj kompanie ka qenë jo korrekt – Liri për Gjesti

    Këngëtarja e njohur shqiptare, e cila prej vitesh është tërhequr nga muzika, Zanfina Ismaili, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me rastin e reperit Gjesti, emri i vërtetë i të cilit është Besart Kelmendi.

    Reagimi i saj vjen pas raportimeve se Gjesti dyshohet se ka shkuar i armatosur dhe ka kanosur stafin e kompanisë Onima, e cila menaxhon të drejtat e tij autoriale në disa platforma muzikore.

    Ismaili, e cila në të kaluarën ka qenë e njohur për hitet si “Partizani i Vogël” dhe “As i fundit, as i pari”, ka bërë një reagim të ashpër përmes një InstaStory, duke theksuar se nga përvoja e saj personale ka pasur një eksperiencë shumë negative me pronarin e Onima.

    Sipas saj, veprimi i nxituar i Gjestit mund të jetë rezultat i pakënaqësive të grumbulluara ndër vite.

    “Këtë që e paska bërë Gjesti ndaj Onima, është veç një revoltë e njeriut që (jam e bindur) e kanë gënjyer gjatë dhe shumë. Frustrimi nuk vjen si rrufeja, jo! Ndërsa pronari i Onima ka qenë njeriu më jo profesional, më jo korrekt ndonjëherë. Po flas nga përvoja ime para shumë vitesh. S’paska ndryshuar aspak! Liri për Gjestin”, ka shkruar Zanfina në InstaStory.

    Ndërkohë, reperi Gjesti po përballet me akuza nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për tri vepra penale, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga organet e drejtësisë.

  • Maliqi: Vjosa Osmani e shembi LDK-në dhe e çoi votuesin te Kurti, përçarja do të ketë efekt, nuk e lë pa shenjë VV-në

    Maliqi: Vjosa Osmani e shembi LDK-në dhe e çoi votuesin te Kurti, përçarja do të ketë efekt, nuk e lë pa shenjë VV-në

    Njohësi i zhvillimeve politike, Agon Maliqi, vlerëson se përçarja mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti do të ketë ndikim në skenën politike dhe në rezultatin e Lëvizja Vetëvendosje.

    Maliqi theksoi se në vitet e fundit ka ekzistuar një “efekt Osmani” në rritjen e mbështetjes për Vetëvendosjen. Sipas tij, presidentja ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvendosjen e një pjese të elektoratit nga Lidhja Demokratike e Kosovës drejt Vetëvendosjes.

    Ai kujtoi se në zgjedhjet e vitit 2021, fryma e fitores ishte e përbashkët mes Kurtit dhe Osmanit, duke ndikuar që një pjesë e madhe e votuesve të LDK-së të kalonin në mbështetje të Vetëvendosjes.

    “Fryma që u prodhua në vitin 2021 dhe mitologjia e asaj fitoreje ishte e përbashkët. Ishte Osmani ajo që në njëfarë forme e shembi LDK-në dhe e çoi votuesin e saj te Vetëvendosja”, ka deklaruar Maliqi për REL.

    Sipas tij, përplasja aktuale mes dy figurave kryesore të politikës në vend pritet të ketë pasoja për Vetëvendosjen.

    “Një efekt do ta ketë, nuk e lë pa shenjë kjo Vetëvendosjen”, theksoi ai.

    Maliqi shtoi se Osmani ka pasur rol edhe në zhvillimet më të fundit politike, duke përmendur se ajo vetë e ka pranuar publikisht se kishte përdorur institucionin e Presidencës për të ndihmuar qeverisjen e Kurtit dhe fitoren në zgjedhjet e fundit.

    Sipas tij, zhvillimet e fundit mund të ndikojnë në riformësimin e skenës politike në vend, ndërsa zgjedhjet e parakohshme gjatë këtij viti i konsideron të pashmangshme.

    “Dilema e vetme është se kur do të mbahen ato”, tha Maliqi.

  • Pas arrestimit të Gjestit – vjen reagimi i Xhenetës

    Pas arrestimit të Gjestit – vjen reagimi i Xhenetës

    Pas incidentit në zyrat e Onima, ku reperi Gjesti u shoqërua nga policia për shkak të një përplasjeje me stafin e kompanisë, ka reaguar edhe Xheneta Fetahu.

    Reperi, fitues i Big Brother VIP Albania, mbetet në paraburgim, ndërsa nesër në orën 09:30 do të mbahet seanca gjyqësore për vendosjen e masës së sigurisë ndaj tij.

    Përmes një postimi në rrjetin social Instagram, Xheneta ka kërkuar më shumë mirëkuptim nga publiku, duke theksuar se nuk po justifikon sjelljet e gabuara, por se presioni i gjatë dhe grumbullimi i padrejtësive mund të çojnë në reagime të papritura.

    “Është më e lehtë të flasësh nga jashtë, por shumë më e vështirë të kuptosh se çfarë e shtyn një person deri në atë pikë”, shkruan ajo, duke nënvizuar rëndësinë e reflektimit para gjykimit publik.

    Ngjarja ndodhi një ditë më parë pas një debati mes Gjestit dhe drejtuesve të kompanisë për çështje të kontratës, që eskaloi deri në dëmtimin e pajisjeve të zyrës. Xheneta përfundon mesazhin e saj me një thirrje për qetësim: “Ndonjëherë zgjidhja më e mençur është të qetësosh situatën para se të bëhet më keq.”

    Reagimi i saj ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve, duke rikujtuar rëndësinë e mirëkuptimit dhe të mos nxitohet me gjykim publik.

  • Dëmet që i shkaktojnë kufjet

    Dëmet që i shkaktojnë kufjet

    Teknologjia është duke ecur përpara nga dita në ditë dhe ne duke qenë të varur nga ato i neglizhojmë efektet e dëmshme shëndetësore që vinë së bashku me teknologjinë.

    Kufjet janë bërë pjesë e përditshmërisë tonë, duke shëtitur, duke përdorur telefonin në shtëpi, duke shkuar në shkollë, punë apo fakultet.

    Ato janë një nga objektet që kohët e fundit janë bërë të pandashme për secilin nga ne. Por, pavarësisht funksionalitetit dhe argëtimit që ofrojnë, shpesh diskutohet tema se a janë ato në gjendje të cenojnë shëndetin tuaj të përgjithshëm.

    Por sipas otoringolaringologut Aziz Mustafa nuk ka një interval të caktuar të dëgjimit me kufje që mund të rezultojë i dëmshëm tek veshi i njeriut.

    Njerëzit që përdorin shumë kufje janë të prirur të ankohen për gumëzhima në vesh dhe dhimbje të mprehtë në pjesë të caktuara të veshit, efekte te cilat kane pasur edhe pasoja fatale tek njeriu.

    Ne anën tjetër përdorimi i kufjeve mund të bëhet një rrezik edhe në qytet sepse mund të çojë në mosdëgjimin e borive të makinave që sinjalizojnë një rrezik të afërt apo ne dekoncentrimin e personit.

    Aksidentet që ndodhin çdo ditë në mesin tonë, shpeshherë janë të lidhura me përdorimin e kufjeve derisa jemi duke lëvizur në komunikacion, e që në shumë raste përfundon me fatalitet, andaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm.

  • Komuna e Mitrovicës njofton për pastrimin e disa rrugëve, kërkohet largimi i automjeteve gjatë natës

    Komuna e Mitrovicës njofton për pastrimin e disa rrugëve, kërkohet largimi i automjeteve gjatë natës

    Komuna e Mitrovicës ka njoftuar qytetarët se gjatë ditëve në vijim do të realizohet pastrimi dhe larja e disa rrugëve të qytetit, duke kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për largimin e automjeteve të parkuara në këto zona gjatë kohës së zhvillimit të punimeve.

    Sipas njoftimit të Drejtorisë për Shërbime Publike, pastrimi dhe larja e rrugëve do të zhvillohet gjatë orëve të natës, duke filluar nga ora 23:00 deri në përfundim të punimeve.

    Më 15 mars 2026, nga ora 23:00, pastrimi do të realizohet në rrugët “Mbretëresha Teutë”, “Ali Zeneli”, “Lah Nimani” dhe “Afrim Zhitia”.

    Ndërkaq më 16 mars 2026, në të njëjtin orar, do të pastrohen Bulevardi “Shemsi Ahmeti”, rruga “Brigada 141” dhe rruga “Hasan Prishtina”.

    Sipas komunës, më 17 mars 2026 pastrimi do të vazhdojë në rrugët “Agim Ramadani – Katana”, “Fan Noli” dhe “Bislim Bajgora”.

    Ndërsa më 18 mars 2026, nga ora 23:00, punimet do të zhvillohen në rrugët “Ahmet Selaci”, “Martirë të Kombit”, “Xhafer Deva” dhe “Pajazit Boletini”.

    Autoritetet komunale kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe bashkëpunimin e tyre për largimin e automjeteve nga këto rrugë gjatë orarit të paraparë, në mënyrë që procesi i pastrimit dhe larjes së rrugëve të realizohet pa pengesa.