ATV

Blog

  • 16 vjeçe në luftë: Mimoza Shala rrëfen plagosjen në betejën e Çabratit

    16 vjeçe në luftë: Mimoza Shala rrëfen plagosjen në betejën e Çabratit

    Në moshën 16-vjeçare, Mimoza Shala u bë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke iu bashkuar luftës për çlirimin e vendit. Në emisionin “LIBERO”, ajo rrëfeu se rruga drejt frontit nisi që në bankat e shkollës, bashkë me shokë e shoqe, në një kohë kur gjithçka ishte e paqartë dhe e rrezikshme.

    “…Organizimi ka filluar në shkollë, me shokë e shoqe. Normal ishte e vështirë sepse nuk e dinim rrugën, nuk e dinim sakt ku gjendej UÇK-ja…”, kujtoi ajo.

    Shala tregoi se gjatë gjithë luftës kishte një frikë të veçantë: jo nga vdekja, por nga plagosja.

    “Gjatë krejt luftës unë nuk i jam frikësu vrasjes sa i jam frikësu plagës”, rrëfeu Shala.

    Në një moment të luftës, ajo e përmendi edhe një bisedë me komandantin e saj, Shkëlzen Haradinaj.

    “…Komandant, i lutem Zotit që ai plumb që m’kap le t’më kap mirë, në ndonjë organ vital dhe le t’më lë në vend”, i kishte thënë ajo, duke shpjeguar se nuk donte ta përjetonte plagosjen sepse i dukej shumë e rëndë.

    Megjithatë, fati i luftës e çoi pikërisht drejt asaj që kishte frikë. Më 7 maj, gjatë betejës së Çabratit në Gjakovë, ajo u plagos në një rrethim të vështirë.

    “Dita që u plagosa ka qenë 7 maji. Ne u gjendëm në një rrethim të vështirë. Kur jam plagosur, nuk i kam pasë as 20 metra larg. I kam pasë shtatë vrima në uniformë, vetëm një plumb më ka goditë. Në fillim as nuk e kam ndier, thjesht kam pa gjak”, tregoi Mimoza.

    Ajo potencoi se momenti ishte edhe më i rëndë sepse disa nga bashkëluftëtarët që i kishte pranë u vranë gjatë përplasjes.

    Rrëfimi i saj mbetet një dëshmi e fortë e sakrificës së shumë të rinjve që, edhe në moshë shumë të re, u përfshinë në luftën për liri.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Mimoza Shalës, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Kylian Mbappe gati për ndeshjen e dytë ndaj Manchester City

    Kylian Mbappe gati për ndeshjen e dytë ndaj Manchester City

    Sulmuesi francez Kylian Mbappe mund të jetë gati për ndeshjen e dytë ndaj Manchester City, pasi që po rikuperohet mirë, raportojnë mediat franceze.

    Ylli i Real Madridit po ndihet mirë fizikisht dhe ekziston mundësia që ai të jetë në dispozicion për përballjen e kthimit në Ligën e Kampionëve, sipas raportimit të RMC Sport.

    Sulmuesi francez, megjithatë do t’i nënshtrohet disa testeve mjekësore në ditët në vijim për të konfirmuar plotësisht gjendjen e tij fizike dhe për të përcaktuar nëse mund të luajë.

    Mbappe pritet të jetë gjithashtu i gatshëm edhe për ndeshjet e ardhshme të Kombëtares së Francës gjatë pauzës ndërkombëtare, nëse gjithçka shkon sipas planit.

    Ndeshjen e ardhshme Real Madrid e luan kundër Elche, më 14 mars 2026, nga ora 21:00.

     

  • FORBES publikon listën e njerëzve më të pasur të botës, mes tyre edhe një shqiptar

    FORBES publikon listën e njerëzve më të pasur të botës, mes tyre edhe një shqiptar

    Forbes publikoi njerëzit më të pasur sipas shteteve. Derisa Elon Musk vazhdon të kryesojë listën globale të njerëzve më të pasur në botë, miliarderët po shfaqen në gjithnjë e më shumë shtete – nga Afganistani dhe Algjeria deri te Vietnami dhe Zimbabveja.

    Sipas përmbledhjes më të fundit të revistës Forbes, këtë vit 80 shtete dhe territore kanë të paktën një miliarder, dy më shumë se vitin e kaluar.

    Historitë e miliarderëve shpesh janë shumë të ndryshme. Një nga shembujt më interesantë vjen nga Afganistani. Sipërmarrësi Mirwais Azizi u largua nga lufta sovjeto-afgane në vitin 1988 me vetëm 700 dollarë në xhep. Pasi mbërriti në Dubai, ai nisi biznes në industrinë e tekstilit, ndërsa më vonë kaloi në sektorin e patundshmërive. Sot kompania e tij Azizi Developments ka më shumë se 60 projekte dhe po ndërton një kullë që pritet të bëhet e dyta më e larta në botë.

    Afganistani nuk është i vetmi shtet që së fundmi ka fituar miliarderin e tij të parë. Pakistani, për shembull, është rikthyer në listën e Forbes falë sipërmarrësit të ri Sualeh Asif, bashkëthemelues i mjetit të inteligjencës artificiale për programim Cursor. Pasuria e tij vlerësohet në më shumë se një miliard dollarë.

    Në krye të renditjes globale mbetet Elon Musk, pasuria e të cilit vlerësohet në rreth 839 miliardë dollarë, që është vlera më e lartë neto që Forbes ka regjistruar ndonjëherë. Pas tij vijnë shumë miliarderë të teknologjisë dhe industrisë, ndër ta edhe bashkëthemeluesi i Google, Larry Page.

    Në listën e Forbes është përfshirë edhe Shqipëria. Si personi më i pasur i lidhur me këtë shtet përmendet biznesmeni Samir Mane, pasuria e të cilit vlerësohet rreth 1.9 miliardë dollarë.

    Pasuria e Manes, vitin e kaluar nga revista Forbesishte regjistruar në kuotën e 1.4 miliardë dollarëve.

    Ai është themeluesi dhe presidenti i BALFIN Group, një konglomerat investimesh me qendër në Tiranë, Shqipëri.

    Mane u largua nga regjimi komunist i Shqipërisë në 1991 dhe u transferua në Austri si refugjat.

    Ai hapi dyqanin ‘Neptun’, një zinxhir dyqanesh elektronike në Shqipëri në vitin 1998 dhe u kthye në 2005 për të hapur qendrën e parë tregtare në vend.

    BALFIN zotëron gjithashtu prona të paluajtshme në SHBA, Kanada dhe Austri si dhe parqe logjistike dhe një universitet privat në Shqipëri.

  • Presidentja Osmani përkujton viktimat e masakrës në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë: Dëshmi e krimeve mizore të regjimit serb

    Presidentja Osmani përkujton viktimat e masakrës në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë: Dëshmi e krimeve mizore të regjimit serb

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë një homazh solemn për viktimat e masakrës në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë, duke e cilësuar këtë ngjarje si një dëshmi të krimeve mizore të regjimit gjenocidal serb.

    “13 Marsi është një nga datat, të cilën Mitrovica nuk do ta harrojë kurrë”, tha presidentja Osmani.

    Ajo bëri të ditur se në këtë ditë përkujtohen 7 civilë të pafajshëm, nga mosha vetëm 5 deri në 65 vjeç, të vrarë mizorisht më 13 mars 1999 nga granatat e forcave të regjimit serb.

    Presidentja theksoi se gjatë këtij akti makabër u plagosën 128 qytetarë të tjerë, përfshirë fëmijë, gra, pleq dhe të rinj, të cilët u përballën me barbarinë e një regjimi kriminal.

    “Masakra e Tregut të Gjelbër mbetet dëshmi e dhimbshme e krimeve mizore të kryera gjatë luftës në Kosovë”, tha Osmani, duke shtuar se përulja dhe respekti ndaj viktimave shoqërohen me solidaritet dhe dhimbje me familjet e tyre.

    “Përulemi me respekt para viktimave, ndajmë dhimbjen me familjet e tyre dhe riafirmojmë thirrjen për drejtësi”, përfundoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

  • Babai i Gjestit nuk lejohet në sallë, seanca ndaj këngëtarit zhvillohet e mbyllur

    Babai i Gjestit nuk lejohet në sallë, seanca ndaj këngëtarit zhvillohet e mbyllur

    Gjatë ditës së premte u zhvillua seanca dëgjimore ndaj këngëtarit Besart Kelmendi, i njohur për publikun me emrin artistik Gjesti.

    Seanca është mbajtur me dyer të mbyllura në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë.

    Para ndërtesës së gjykatës janë parë edhe persona të afërt të këngëtarit.

    Në Pallatin e Drejtësisë ka mbërritur babai i Gjestit, Jetoni, i cili nuk është lejuar të hyjë në sallën ku po mbahet seanca dëgjimore. Gjithashtu, aty është parë edhe menaxheri i tij i ri, Bonart Ajvazi.

    Gjesti u arrestua më 11 mars, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, ka bërë të ditur se ai dyshohet për kryerjen e disa veprave penale.

    Sipas Prokurorisë, Besart Kelmendi dyshohet për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Kanosja”, si dhe për veprën penale “Asgjësim apo dëmtimi i pasurisë”.

  • Edhe Supremja ia rrëzon ankesën Alternativës pasi nuk u përfshi në ndarjen e fondeve nga KQZ

    Edhe Supremja ia rrëzon ankesën Alternativës pasi nuk u përfshi në ndarjen e fondeve nga KQZ

    Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik Alternativa, që drejtohet nga Mimoza Kusari-Lila, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

    Ky subjekt politik ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme me të cilën konteston ligjshmërinë e vendimit të PZAP-së dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për caktimin e lartësisë së mjeteve nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike për periudhën pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

    Subjekti politik Alternativa ka kundërshtuar faktin që nuk ishte përfshirë në ndarjen e këtyre mjeteve.

    “Gjykata Supreme konstaton se PZAP ka vepruar drejt kur e ka hedhur poshtë ankesën si të palejuar, pasi sipas Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, PZAP ka kompetencë të shqyrtojë vetëm ankesat ndaj vendimeve të KQZ-së që janë të përcaktuara shprehimisht me këtë ligj. Vendimet e KQZ-së që kanë të bëjnë me ndarjen e mjeteve nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike nuk përfshihen në kategoritë e vendimeve që mund të ankimohen në PZAP”.

    Gjykata Supreme vlerëson se as Ligji për Financimin e Subjekteve Politike nuk parashikon të drejtën e ankesës ndaj vendimeve të KQZ-së për ndarjen e fondeve, përveç në rastet që lidhen me dispozitat ndëshkimore.

    “Edhe pse ankesa në PZAP nuk është e lejueshme për këtë kategori vendimesh, subjekti politik ka mundësi të kërkojë mbrojtje juridike përmes procedurave të tjera gjyqësore të parashikuara me ligj, përfshirë kontrollin gjyqësor të akteve përfundimtare të organeve publike”.

  • Hoxhaj alarmon: Raketat kineze në Serbi rrezikojnë stabilitetin rajonal

    Hoxhaj alarmon: Raketat kineze në Serbi rrezikojnë stabilitetin rajonal

    Deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka komentuar blerjen e raketave supersonike nga Serbia prej Kinës dhe tha se ky zhvillim përbën shqetësim.

    “Serbia që po siguron kapacitete goditëse hipersonike me raketa kineze ngre pyetje serioze për sigurinë rajonale. Ballkani nuk mund të përballojë rikthimin e mendësisë hegjemoniste apo trashëgiminë e Serbisë që vepron si ‘Rusia e vogël’. NATO duhet të forcojë parandalimin për të mbrojtur stabilitetin”, ka shkruar Hoxhaj.

    Serbia bleu raketa balistike supersonike nga Kina, konfirmoi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa Kroacia fqinje kërkoi reagim nga aleanca e NATO-s.

    Me këtë blerje, Serbia u bë vendi i parë, pas Pakistanit, që siguroi nga Kina raketa CM-400, me fuqi të madhe shkatërruese.

  • Vizita në spital dhe takimi i fundit me babain, një vit nga rikthimi i Hashim Thaçit në Kosovë

    Vizita në spital dhe takimi i fundit me babain, një vit nga rikthimi i Hashim Thaçit në Kosovë

    Sot bëhet një vit nga momenti kur ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u lirua përkohësisht nga paraburgimi i Dhomave të Specializuara në Hagë për të vizituar babanë e tij, Haxhi Thaçin, i cili ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore në spital.

    Vizita e Thaçit në Kosovë atëherë ishte e shkurtër dhe u realizua nën masa të rrepta sigurie, ndërsa takimi me babanë e tij u konsiderua një moment i rëndë dhe emocional për familjen.

    Vetëm disa ditë pas kësaj vizite, Haxhi Thaçi ndërroi jetë.

    “Në spital të thashë lamtumirë, babë! Nga Haga të them, mirupafshim në parajsë!”, ishte mbishkrimi i kurorës që u dërgua nga Thaçi në ditën e varrimit të Haxhi Thaçit.

    Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar dhe tani janë në pritje të vendimit. Gjykata tashmë është tërhequr për të marrë vendimin përfundimtar, i cili pritet të shpallet në muajt në vijim.

    Në Kosovë, pritja për këtë vendim shoqërohet me interes të madh publik, ndërsa shumë qytetarë dhe përfaqësues politikë kanë shprehur besimin e tyre në pafajësinë e ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe në karakterin çlirimtar të luftës së saj.

    Procesi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së konsiderohet një nga çështjet më të rëndësishme gjyqësore që lidhen me periudhën e luftës në Kosovë, ndërsa vendimi i gjykatës pritet të ketë jehonë të gjerë politike dhe shoqërore në vend.

  • Këta janë kandidatët për antarë të bordit të RTK-së

    Këta janë kandidatët për antarë të bordit të RTK-së

    Tashmë janë bërë publikë emrat e kandidatëve për anëtarë të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

    Sipas njoftimit të Flutura Kusarit, në konkursin për anëtarë të bordit të RTK-së kanë aplikuar 67 persona për pozitat e anëtarëve shqiptarë. Në dokument gjenden të dhënat edhe për pozitat e tjera.

    Siç është bërë e ditur, janë 8 pozita të lira për anëtarë të bordit: 6 për shqiptarët dhe 2 për komunitetet joshumicë.

  • G-Bani del me reagim për rastin e Gjestit

    G-Bani del me reagim për rastin e Gjestit

    Gjesti përballet sot me drejtësinë, pas incidentit të raportuar dy ditë më parë në zyrat e kompanisë “Onima” në Prishtinë. Në prag të kësaj seance, G-Bani ka bërë një reagim të fortë publik në mbështetje të artistit.

    Përmes një postimi, G-Bani thekson se problemi i Gjestit nuk është vetja e tij, por rrethi i gabuar shoqëror që nuk e ka ndaluar të bëjë veprime të nxituara. Sipas tij, gjithçka ka ardhur si pasojë e moshës, presionit të famës dhe gjendjes së rënduar emocionale pas humbjes së vëllait.

    “U pre në besë kur e denoncuan,” shprehet G-Bani, ndonëse e pranon hapur se rruga që zgjodhi Gjesti për të zgjidhur konfliktin ishte krejtësisht e gabuar.

    Në fund, ai bën një apel për autoritetet: Gjesti të marrë një mësim apo një gjobë të majme, por mos t’i mohohet liria, pasi sipas tij, artisti nuk përbën rrezik dhe nuk meriton t’i ndërpritet karriera në këtë pikë.