ATV

Blog

  • Ndryshon situata e Vlahovic te Juventusi, pritet vetëm firma

    Ndryshon situata e Vlahovic te Juventusi, pritet vetëm firma

    Sulmuesi serb, Dusan Vlahovic, është shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje të re për të rinovuar kontratën te Juventusi.

    Lojtari konsiderohej i larguar pak kohë më parë, për shkak të pagës së tij të lartë prej 12 milionë eurosh, por situata ka ndrushuar.

    Performancat e tij pozitive gjatë vjeshtës dhe dështimi i afrimeve të reja në sulm kanë ndryshuar qëndrimin e drejtuesve bardhezi. Kontrata aktuale e ish-sulmuesit të Fiorentinës skadon në qershor të vitit 2026, fakt që kishte zgjuar interesin e klubeve si Bayern Munich dhe Barcelona. Dëmtimi i pësuar në dhjetor uli interesin e merkatos, duke i dhënë përparësi bisedimeve për qëndrimin në Torino.

    Klubi raportohet se i ka ofruar lojtarit një pagë prej 7 milionë eurosh në vit për të vijuar bashkëpunimin. Marrëveshja e re mund të jetë afatshkurtër, për t’i dhënë mundësi serbit të rifitojë vlerën e tij në treg.

    Trajneri Luciano Spalletti e sheh Vlahovicin si pikën kyçe të sulmit për sezonin e ardhshëm. Pas katër muajsh mungesë, lojtari është rikthyer në stërvitje dhe pritet të grumbullohet për ndeshjen ndaj Udineses.

  • Irani publikon videon nga tuneli: Së shpejti do të përdorim edhe këto armë

    Irani publikon videon nga tuneli: Së shpejti do të përdorim edhe këto armë

    Irani publikoi një video për të cilën pretendojnë se tregon flotën e tyre të dronëve detarë të mbushur me eksploziv, të cilët i përdorin për sulme në Ngushticën e Hormuzit.

    Regjimi iranian e ka mbyllur këtë kalim kyç, përmes të cilit transportohet 20 për qind e naftës botërore, ndërsa në të njëjtën kohë ka shtuar sulmet ndaj anijeve në rajon.

    Në videot propagandistike të publikuara më herët, Republika Islamike është mburrur me tunele nëntokësore të mbushura me dronë detarë, raketa kundër anijeve dhe mina detare, duke treguar gjithashtu shumë varka sulmuese që përdoren për të lëshuar dronë ndaj anijeve që kalojnë nëpër ngushticë.

    Irani ka kërcënuar se do të përdorë raketat e tij nënujore, për të cilat pretendon se i zotërojnë vetëm Teherani dhe Rusia, për ta rritur çmimin e naftës në 200 dollarë për fuçi.

    Gjenerali i lartë i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Fadavi, paralajmëroi se “ne posedojmë raketa që lëshohen nën ujë me shpejtësi prej njëqind metrash në sekondë dhe mund t’i përdorim në ditët që vijnë”.

    Kryetari i parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se Gjiri Persik do të rrjedhë “me gjakun e pushtuesve” nëse SHBA dhe Izraeli vazhdojnë sulmet.

    “Çdo agresion ndaj territorit të ishujve iranianë do të thyejë çdo përmbajtje. Ne do të heqim dorë nga çdo përmbajtje dhe do të bëjmë që Gjiri Persik të rrjedhë me gjakun e pushtuesve”, tha ai.

  • Samsung prezanton funksionin “Inactivity Restart”

    Samsung prezanton funksionin “Inactivity Restart”

    Prodhuesi i njohur i telefonave Samsung ka prezantuar një funksion të ri për pajisjet Galaxy, që do të rrisë sigurinë e përdoruesve.

    Funksioni i quajtur “Inactivity Restart” bën që telefoni të rindizet automatikisht pas 72 orësh pa aktivitet.

    Ky hap është i menduar për të mbrojtur të dhënat personale në rast se telefoni humbet ose vidhet.

    Pas rindizjes, pajisja hyn në gjendjen “Before First Unlock” (BFU), ku biometria nuk funksionon dhe përdoruesi duhet të fusë PIN ose fjalëkalim për të pasur qasje në telefon.

    Samsung njofton se ky funksion po vendoset fillimisht në modelet e fundit Galaxy dhe do të jetë i disponueshëm për më shumë pajisje përmes përditësimeve të ardhshme të softuerit.

    Ekspertët e teknologjisë e vlerësojnë këtë hap si një përmirësim të rëndësishëm të sigurisë, duke e bërë më të vështirë përdorimin e pajisjeve nga persona të paautorizuar. /

  • Çertifikohen dy qenë policorë

    Çertifikohen dy qenë policorë

    Në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë, u mbajt ceremonia e certifikimit të dy qenve policorë, një nga Policia e Kosovës dhe një nga Policia e Shqipërisë, të siguruar si donacion nga Ambasada e Francës.
    Procesi i trajnimit (SAMBI – trajnim për qen shumë qëllimesh) ka zgjatur 16 javë, ndërsa certifikimi përfundimtar është realizuar në periudhën 09–12 mars 2026, nën mbikëqyrjen e instruktorëve nga Qendra e Trajnimit në Gramat, Francë, me përkrahjen e OSBE-së.

    Në këtë ceremoni, morën pjesë zyrtarë të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë nga OSBE, përfaqësues të Ambasadës së Francës dhe instruktorë nga Franca, zyrtarë të OSBE-së nga Shqipëria, përfaqësues të Departamentit të Burimeve Njerëzore dhe Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse të Policisë së Kosovës, si dhe eprorë dhe staf i Njësisë Policore me Qenë Policor (K9).

    Gjatë ceremonisë u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës, Ambasadës së Francës dhe OSBE-së, për ngritjen e kapaciteteve profesionale të Njësisë K9, përmes mbështetjes në infrastrukturë, trajnimit dhe donacioneve të qenve policorë. Ky bashkëpunim kontribuon në forcimin e kapaciteteve për luftimin e krimit, veçanërisht në zbulimin e drogës, kartëmonedhave të falsifikuara, armëve, municionit dhe materialeve polimerike, si dhe në avancimin e bashkëpunimit rajonal në luftimin e krimit ndërkufitar.

    Ceremonia u përmbyll me falënderime nga Policia e Kosovës dhe me zotimin për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, në funksion të zhvillimit të mëtejmë të kapaciteteve të Njësisë K9.

  • Dorëhiqet edhe Kryesia e Partisë Guxo në Pejë

    Dorëhiqet edhe Kryesia e Partisë Guxo në Pejë

    Pas zhvillimeve në Degën e Deçanit, dorëheqje nga strukturat e tyre kanë dhënë edhe anëtarë të Kryesisë së Partisë Guxo në Pejë.

    Në një njoftim, anëtari i kësaj partie Ruzhdi Blakaj, bëri të ditur se vendimi për largim nga partia lidhet me, siç thonë, mungesën e përkrahjes ndaj Presidentes Vjosa Osmani nga ana e strukturave të kësaj partie në Pejë.

    Në reagim thuhet se është shqetësues qëndrimi i zëvendëskryeministres dhe bashkëkryetares së Guxo-s, Donika Gërvalla, për të cilën pretendohet se ka lobuar kundër rizgjedhjes së Osmanit në postin e presidentes.

    Sipas deklaratës së tyre, është e papranueshme që brenda të njëjtit subjekt politik të mos ketë mbështetje për një presidente që, sipas tyre, ka treguar integritet dhe angazhim të vazhdueshëm për shtetin, veçanërisht në fushën e politikës së jashtme.

    “Për këto arsye, në shenjë kundërshtimi ndaj kësaj qasjeje dhe në mbrojtje të parimeve që përfaqësojmë, kemi vendosur të japim dorëheqje nga Partia Guxo – Pejë dhe të vazhdojmë ta mbështesim Presidenten Osmani në çdo vendim të saj të mëtejmë”, thuhet në njoftim.

  • Kurti tha se s’ka nevojë për zgjedhje, zyrtari i AAK-së: Tuta han dardha të buta

    Kurti tha se s’ka nevojë për zgjedhje, zyrtari i AAK-së: Tuta han dardha të buta

    Ish-kandidati i AAK-së për deputet, Arton Demhasaj, ka reaguar pasi kryeministri Albin Kurti ka thënë se s’ka nevoje për zgjedhje të reja.

    Demhasaj ka lënë të kuptohet se Kurti po frikësohet nga zgjedhjet e reja, duke përdorur një shprehje popullore.

    “Tuta han dardha të buta!””, ka shkruar ai.

  • Kurti sot u çon ftesë partive opozitare për takim

    Kurti sot u çon ftesë partive opozitare për takim

    Kryeministri Albin Kurti sot do t’iu dërgojë ftesë liderëve të partive opozitare për t’u takuar në fillimin e javës që vjen, me qëllim të diskutohet cështja e presidentit/presidentes.

    Ai gjatë një ngjarje në QKUK i pyetur për çështjen e një marrëveshje siç tha ai me opozitën për këtë post, theksoi se të dy emrat të cilët i kishin propozuar për president nga VV, erdhën meqenëse një marrëveshje me opozitën nuk e kishin arritur dot, ani pse tre herë ishte takuar me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe dy herë të tjera me atë të PDK-së, Bedri Hamza.

    “Së pari, unë kam zhvilluar tri takime me kryetarin e LDK-së dhe dy me kryetarin e PDK-së. Fatkeqësisht, në 48 orët e fundit, para se të mbërrijmë tek mesnata e 5 marsit, nuk pati asnjë takim. Mendoj që kjo ka qenë dëm dhe gabim. Ishte dashur të takohemi edhe në 48 orët e fundit. Dhe mos harroni, vetëm kur u bë e pamundur figura konsensuale, vetëm atëherë kur PDK kërkoi që ne t’ia siguronim votat për dy kandidatët e saj pa na treguar fare emrat, neve, më pak se 30 orë para mesnatës së 5 marsit, na nxorëm emrin Glauk Konjufcës. Dhe sërish pritëm, u refuzua takimi me mua. Dhe vetëm tre orë para mesnatës së pesë marsit nxorëm edhe emrin e Fatmire Mulhaxha Kollcaku” u shpreh Kurti.

    ”Unë besoj se me krerët e partive opozitare duhet të takohemi, dhe unë qysh sot do t’iu dërgoj ftesa për tu takuar në fillim të javës së ardhshme”, shtoi më tutje ai.

  • Heqja e fusnotës, Kurti: Pranvera po vjen më herët, fusnota u shkri si fjollë bore

    Heqja e fusnotës, Kurti: Pranvera po vjen më herët, fusnota u shkri si fjollë bore

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur lidhur me vendimin e  Komitetit Evropian të Rajoneve për të hequr fusnotën krahas emrit të vendit tonë, e njohur si “Kosovo*”. Kurti tha se pranvera po vjen më herët, e fusnota po shkrihet si fjollë bore.

    “Duket që sivjet panvera po vjen më herët dhe siç u tha atëbotë që fusnota do të shkrihet si një fjollë bore. Ndoshta është gabuar viti dhe Qeveria, por kjo po ndodh.  Natyrisht se kemi ende trashëgimi të keqe nga ajo kohë dhe nuk do të duhej të entuziazmoheshim tepër . Kemi trashegimi po e ritheksoj që pengesat,  sfidat dhe vështirësitë që i kanë pasur gjatë negociatave në Bruksel vijnë prej trashegimisë së mrapsht që na kanë lënë qeveritë pararëndëse. Ne po punojmë me shumë zell, e durim që ato të eliminohen . Në Bruksle është atmosefra pozitive që Kosova të bëjë hapa përpara. E dy hapat me të rëndëssishëm në vijim është pyetësori prej komisionit evropian dhe statusi i vendit kandidat”, tha Kurti. .

  • Barcelona synon një transferim surprizë: Pedro Neto në radarin e gjigantëve katalanas

    Barcelona synon një transferim surprizë: Pedro Neto në radarin e gjigantëve katalanas

    Barcelona po planifikon të bëjë disa lëvizje surprizë në afatin kalimtar të verës, dhe sulmuesi i Chelseat, Pedro Neto, duket se është në qendër të interesit, sipas raportimeve të Mundo Deportivo.

    Klubi katalanas po kërkon të forcojë skuadrën me një qendërmbrojtës, një sulmues dhe një anësor të majtë, dhe Neto shfaqet si një objektiv i mundshëm. Marrëdhëniet e mira me agjentin e tij, Jorge Mendes, mund të ndihmojnë në realizimin e një marrëveshjeje.

    26-vjeçari portugez është bërë një nga lojtarët kyç të Chelseat në sezonet e fundit. Ai e mbylli sezonin 2024/25 me nëntë gola dhe po aq asistime, duke luajtur një rol vendimtar në fitimin e Ligës së Konferencës dhe Kupës së Botës për Klube.

    Këtë sezon, Neto ka shënuar tashmë 10 gola dhe ka dhënë gjashtë asistime në të gjitha garat, duke treguar aftësi të jashtëzakonshme në shpejtësi, driblim dhe pasime kreative. Fleksibiliteti i tij për të luajtur në të dyja krahët e bën atë një shtesë të dëshirueshme për skuadrën e Hansi Flick.

  • Kushtetuesja fillon shqyrtimin e dekretit të presidentes javën e ardhshme

    Kushtetuesja fillon shqyrtimin e dekretit të presidentes javën e ardhshme

    Gjykata Kushtetuese ende nuk ka filluar shqyrtimin e lëndës që ka të bëjë me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e kuvendit.

    Burime brenda gjykatës thonë se fillimisht duhet të përkthehen të gjitha materialet e dorëzuara nga palët e interesit në gjuhët përkatëse për shtatë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

    Në fillim të javës së ardhshme, Kushtetuesja pritet të fillojë shqyrtimin e dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e kuvendit.

    RTV21 një ditë më parë ka raportuar se Gjykata Kushtetuese do t’i trajtojë së bashku kërkesën e kryeministrit Albin Kurti dhe atë të Grupit parlamentar të LVV-së, për shkak të objektit të njëjtë.