ATV

Blog

  • Sheshi i Vushtrrisë sërish me probleme, pllaka të thyera dhe mungesë mirëmbajtjeje

    Sheshi i Vushtrrisë sërish me probleme, pllaka të thyera dhe mungesë mirëmbajtjeje

    Sheshi i Vushtrrisë, i cili ndër vite ka qenë subjekt i investimeve dhe intervenimeve të vazhdueshme me mjete publike, sërish po përballet me dëmtime të dukshme.

    Sipas një reagimi të publikuar nga “Zëri i Vushtrrisë”, në shesh janë vërejtur pllaka të thyera, dëmtime në ujëmbledhës dhe mungesë e mirëmbajtjes.

    Këto probleme kanë rikthyer diskutimin për cilësinë dhe qëndrueshmërinë e punimeve të realizuara me paratë e qytetarëve.

  • ​PDK do të jetë sot në Kuvend, i kërkon Deharit ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive

    ​PDK do të jetë sot në Kuvend, i kërkon Deharit ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive

    Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës një ditë më parë i është drejtuar me kërkesë zyrtare kryesuesit të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, që sot, më 12 gusht 2026, të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

    Sipas kërkesës së PDK-së, moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese. Megjithatë, tejkalimi i këtij afati, sipas PDK-së, nuk e shuan detyrimin për konstituimin e Kuvendit.

    Përkundrazi, sipas kësaj partie, obligimi për përfundimin e procesit konstituiv mbetet dhe duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme.

    “Prandaj, PDK ka kërkuar që pa asnjë vonesë të mëtejshme të thirret vazhdimi i seancës konstituive dhe deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit për të cilin kanë marrë besimin e qytetarëve”, thuhet në kërkesën e PDK-së.

    Më tej thuhet se “pavarësisht nëse Dehari e përmbush apo jo obligimin e tij për thirrjen e seancës, Grupi Parlamentar i PDK-së ka paralajmëruar se do të jetë më 12 gusht, në orën 11:00, i pranishëm në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kur përmbushet edhe 48-orëshi i dytë për vazhdimin e seancës sipas rregullores”.

    PDK ka ftuar edhe të gjitha grupet e tjera parlamentare dhe deputetët e zgjedhur që të mërkurën të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit, për të dëshmuar gatishmërinë e tyre politike dhe vullnetin për ta përmbushur besimin që qytetarët ua kanë dhënë.

    Ndryshe, vazhdimi i seancës konstituive është mbajtur të shtunën, por që u shty me kërkesë të kreut të LVV-së, Albin Kurti dhe pas ekskalimit të situatës në seancë pasi deputetja Time Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të Albin Kurtit.

  • Tërhiqen nga tregu produktet e qumështit të ndaluara për shitje

    Tërhiqen nga tregu produktet e qumështit të ndaluara për shitje

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) po vazhdon aksionin e kontrolleve të produkteve të qumështit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Gjatë ditës së sotme janë inspektuar markete në rajonet e Prizrenit, Ferizajt, Vushtrrisë dhe Gjilanit.

    Sipas një njofitmi për media thuhet se në kuadër të këtyre inspektimeve janë konstatuar ende në treg produkte të cilat janë ndaluar për shitje nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

    “Konkretisht, nga raftet e marketeve të inspektuara janë tërhequr këto produkte: Qumësht 3.2% VIDAS – 1 L, Holla Cooking Cream – 1 L, Garden Milk – 1 L, Spec me krem VIDAS – 1 kg, Magic Cream – 400 g, Schmand 18% – 800 g, Djath i bardhë 100% – 250 g”, thuhet në njoftim.

    Tutje thuhet se inspektorët e IQMT-së kanë urdhëruar operatorët ekonomikë që këto produkte të tërhiqen menjëherë nga raftet e shitjes, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    “IQMT u bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të zbatojnë pa vonesë urdhrat për tërheqjen e këtyre produkteve nga tregu, duke respektuar vendimet e autoriteteve kompetente dhe legjislacionin në fuqi. Po ashtu, IQMT u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që, nëse hasin në treg ndonjërin nga produktet e lartcekura, të ndaluara për shitje nga AUV, ta raportojnë rastin përmes platformës Viber në numrin +383 (0) 46 311-000”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

  • Më shtrenjtë se dje: Caktohen çmimet maksimale të derivateve për sot

    Më shtrenjtë se dje: Caktohen çmimet maksimale të derivateve për sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat vlejnë për ditën e sotme, 12.08.2026.

    Sipas vendimit të MINT-it, çmimi maksimal i lejuar për një litër naftë (dizel) është 1.67 euro, më shtrenjtë se dje, ndërsa për një litër benzinë 1.47 euro, po ashtu më shtrenjtë.

    Çmimi maksimal i gazit është caktuar 0.60 euro për litër.

    Çmimet hyjnë në fuqi sot në orën 10:00.

  • Njësia A4 e KEK-ut ndalet pas rrjedhjes së gazit në gjenerator

    Njësia A4 e KEK-ut ndalet pas rrjedhjes së gazit në gjenerator

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se Njësia A4 është ndalur në mënyrë të kontrolluar më 11 gusht 2026, në orën 00:00, pas evidentimit të një rrjedhjeje të gazit të hidrogjenit (H₂) në gjenerator, në zonën e kushinetës nr. 7.

    Sipas KEK-ut, ndalja është bërë si masë parandaluese dhe në përputhje me kërkesat e sigurisë teknike, me qëllim të krijimit të kushteve të nevojshme për kontrollin dhe ndërhyrjet teknike në pajisje.

    Ekipet profesionale janë angazhuar menjëherë për vlerësimin e gjendjes teknike, identifikimin e shkakut të rrjedhjes dhe eliminimin e problemit.

    KEK ka bërë të ditur se pas përfundimit të kontrolleve dhe ndërhyrjeve teknike, si dhe konfirmimit të kushteve të sigurta për operim, Njësia A4 do të rikthehet në punë.

    Korporata ka njoftuar se për zhvillimet e mëtejshme dhe kohën e rikthimit të njësisë në operim, publiku do të informohet me kohë.

  • 25 vjet nga masakra e Lubotenit ku u vranë 10 civilë shqiptarë

    25 vjet nga masakra e Lubotenit ku u vranë 10 civilë shqiptarë

    Sot bëhen 25 vite që nga masakra e Lubotenit, kur forcat maqedonase të sigurisë vranë dhjetë civilë shqiptarë në këtë fshat të Shkupit.

    Në mëngjesin e 12 gushtit 2001, u zhvillua operacioni i ndërhyrjes së njësiteve policore – ushtarake në Luboten ku vranë fëmija 6-vjeçar Erxhan Aliu, si dhe Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami, Atulla Qaili.

    Në këtë aksion u dogjën 14 shtëpi, ndërsa u arrestuan dhe u keqtrajtuan mbi 100 banorë të tjerë, me arsyetimin se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së.

    Rasti i Lubotenit ishte një ndër rastet e vetme që u proceduan dhe u gjykuan nga Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte, me ç’rast për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë u dënua ish-pjesëtari i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, ndërsa i akuzuari i parë ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza.

    Tarçullovski u dënua nga Gjykata e Hagës me 12 vjet burg për vrasje, thyerje të ligjeve të luftës, torturë dhe shkatërrim të pasurisë, por ai tanimë ndodhet në liri pas mbajtjes së 8 vjetëve burg.

    Nga ana tjetër, Tarçullovski, por edhe Boshkovski, nga ana e shtetit konsiderohen dhe nderohen si heronj kombëtarë të konfliktit të vitit 2001.

  • Rrahmani: Korrupsioni në Kosovë kurrë s’ka qenë më i lartë se në këtë pushtet

    Rrahmani: Korrupsioni në Kosovë kurrë s’ka qenë më i lartë se në këtë pushtet

    Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani ka nisur ditën duke e quajtur Kosovën si vend të korruptuar sa asnjëherë më parë.

    Ai ka thënë se e vetmja gjë që bashkon sot në vendin tonë është korrupsioni dhe interesi.

    “Korrupsioni kurrë s’ka qenë më i lartë se në këtë pushtet. Edhe në nivelin lokal, nëpër komuna, korrupsioni është më i madh se çdo herë”, ka shtuar Rrahmani.

  • Ulutash në takim me përfaqësues të Listës Serbe, flasin për praninë e KFOR-it në veri

    Ulutash në takim me përfaqësues të Listës Serbe, flasin për praninë e KFOR-it në veri

    Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, është takuar në Shtabin e KFOR-it me kryetarin e Listës Serbe, Zlatan Elek, i cili e kishte kërkuar takimin.

    Në takim, ku morën pjesë edhe nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, deputetja Jovana Radosavljeviq dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, u diskutua për situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe procesin e vazhdueshëm të optimizimit të pranisë së KFOR-it.

    Sipas KFOR-it, Ulutash theksoi se procesi i optimizimit është ndërmarrë si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.

    “Komandanti i KFOR-it theksoi se procesi i optimizimit të KFOR-it është nisur si rezultat i situatës së përmirësuar të sigurisë në Kosovë. Ai përsëriti se ky proces do të kryhet gradualisht. Ai bazohet në kushte dhe mund të përmbyset, nëse kërkohet nga zhvillimet përkatëse që mund të ndikojnë në sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal. Ai shtoi se KFOR-i do të mbetet plotësisht i pajisur dhe i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi përkatës, në përputhje me mandatin e gjatë të KFOR-it në OKB”.

    Një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe sigurisë së Manastirit të Deçanit.

    “Ai theksoi se KFOR-i mbetet reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit, është i përkushtuar për sigurinë e tij dhe se kalimi gradual i pranisë së KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë është në fazën fillestare. Sapo të finalizohet ky proces, KFOR-i do të mbajë një prani të fortë në Mitrovicën e Veriut dhe në veri të Kosovës për të mirën e të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftim.

  • Deda: Vendi në situatën më të rëndë që nga viti 1999

    Deda: Vendi në situatën më të rëndë që nga viti 1999

    Komentatori politik Ilir Deda ka deklaruar se Kosova po përballet me një nga situatat më të rënda politike e kushtetuese që nga viti 1999.

    Deda tha se, sipas tij, përmes “lojërave politike” vendi ka dalë jashtë kornizës kushtetuese dhe se normat kushtetuese po shkelen qëllimisht.

    “Na jemi në situatën ma t’rëndë prej vitit 1999, ku me lojëra politike vendi ka dalë jashtë binarëve kushtetues, ku shkelen qëllimshëm normat kushtetuese”, tha Deda. /Gazeta10

  • Sonte ndodh spektakli qiellor, si do të përjetohet eklipsi i diellit në Evropë?

    Sonte ndodh spektakli qiellor, si do të përjetohet eklipsi i diellit në Evropë?

    Sonte në mbrëmje, miliona evropianë do të mund të shohin eklipsin diellor. Në Spanjë, Portugali, Grenlandë dhe Islandë do të jetë i plotë, ndërsa në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore i pjesshëm.

    Sipas TimeandDate, kompania e cila ofron informacione për astronominë, në Kosovë qytetarët do të kenë mundësi të vëzhgojnë eklipsin e pjesshëm diellor, i cili do të nisë në orën 19:29.

    Kulmi i eklipsit pritet në 19:38, kur Hëna do ta mbulojë pjesën më të madhe të dukshme të Diellit. Vetëm tre minuta më vonë, në 19:41, Dielli do të perëndojë.

    Për shkak se fenomeni do të ndodhë shumë pranë horizontit, rekomandohet që eklipsi të ndiqet nga një pikë e lartë dhe nga një zonë pa pengesa, me pamje të lirë drejt perëndimit-veriperëndimit.

    Faza e pjesshme e eklipsit do të përfundojë në orën 21:07.

    Sipas The Guardian, në Spanjë kulmi pritet rreth 20:26–20:33, ndërsa në Londër në 19:13. Ekspertët paralajmërojnë të mos shihet Dielli me sy të lirë; në mungesë të syzeve speciale mund të përdoret kullesa si projektor, duke reflektuar dritën mbi letër. Ky është eklipsi i parë i plotë i dukshëm nga Evropa kontinentale pas dy dekadash.