ATV

Blog

  • Izraeli përgëzon Shqipërinë pas rezolutës për Iranin: Historike

    Izraeli përgëzon Shqipërinë pas rezolutës për Iranin: Historike

    Izraeli ka reaguar pas miratimit në Kuvendin e Shqipërisë, më 17 mars, të rezolutës që shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit.

    Ministri i Jashtëm i Izraelit Gideon Sa’ar shkruan në një postim në rrjetin social X se kjo ishte një rezolutë historike, ndërsa etiketon në këtë postim, homologun e tij shqiptar, ministrin Ferit Hoxha.

    “E vlerësoj kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe Kuvendin e Shqipërisë për rezolutën historike të miratuar sot, duke e shpallur Republikën Islamike të Iranit një shtet mbështetës të terrorizmit. Sipas fjalëve të rezolutës: Terrorizmi në të gjitha format e tij përbën një nga kërcënimet më serioze për shoqëritë demokratike. Ky është një tjetër demonstrim i dimensionit të qartë moral në politikën e jashtme të Shqipërisë.”, shkruan Sa’ar.

    Ky reagim vjen pasi Parlamenti i Shqipërisë miratoi me 79 vota pro rezolutën duke shpallur Republikën Islamike të Iranit si shtet sponsor të terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste. Me vendimin e sotëm Garda Revolucionare dhe Hezbollahu shpallen organizata terroriste.

    Në seancë nuk mori pjesë Partia Demokratike, e cila e konsideron si të paligjshme dhe të thirrur në kundërshtim të hapur me rregulloren e Kuvendit. Nga ana tjetër, Taulant Balla është shprehur se Shqipëria me këtë iniciativë qëndron përkrah aleatëve të saj strategjikë dhe kritikoi opozitën se nuk “doli dot mbi interesin e vogël të një proteste pa krye”.

    Megjithatë, pas seancës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi një deklaratë të kësaj partie në lidhje me zhvillimet në Iran.

    Në deklaratë thuhet se PD-ja e shpall Gardën Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste. Më tej theksohet se PD mbështet përpjekjet e SHBA-ve dhe Izraelit për të përmbysur diktaturën mizore teokratike të Ajatollahëve.

  • 10 shenja që tregojnë se nuk je arrogant, por thjesht i sigurt në vetvete

    10 shenja që tregojnë se nuk je arrogant, por thjesht i sigurt në vetvete

    Vetëbesimi shpesh keqkuptohet. Shumë njerëz që flasin hapur, e dinë vlerën e tyre dhe nuk kanë frikë të shprehen, shpesh etiketohen si arrogantë. Por në realitet, psikologjia bën një dallim të qartë: arroganca vjen nga pasiguria, ndërsa vetëbesimi i vërtetë është i qetë dhe i natyrshëm.

    Ja 10 shenja që tregojnë se dikush ka vetëbesim të shëndetshëm:

    1. Gëzohesh për suksesin e të tjerëve
    Nuk e sheh suksesin e dikujt si kërcënim, por si diçka për t’u vlerësuar.

    2. Pranon kur nuk di diçka
    Nuk ke problem të thuash “nuk e di”, sepse e sheh si mundësi për të mësuar.

    3. Nuk mburresh vazhdimisht
    Nuk ke nevojë të tregosh çdo arritje, sepse puna jote flet vetë.

    4. Ndash meritat me të tjerët
    E di që suksesi nuk arrihet vetëm dhe vlerëson kontributin e të tjerëve.

    5. Qesh me veten
    Gabimet nuk të rrëzojnë, përkundrazi i merr me sportivitet.

    6. Bën pyetje me interes
    Nuk pyet për t’u dukur i zgjuar, por sepse do të kuptosh më shumë.

    7. Nuk e kthen bisedën në garë
    Dëgjon të tjerët dhe nuk ndjen nevojë të jesh gjithmonë më i miri në histori.

    8. Ndihesh rehat edhe në heshtje
    Nuk ke nevojë të jesh gjithmonë në qendër të vëmendjes.

    9. Nuk ke frikë nga njerëzit më të aftë
    Për ty, të mësosh nga të tjerët është forcë, jo dobësi.

    10. Respekton të gjithë njësoj
    Silluni njësoj me të gjithë, pa marrë parasysh statusin apo përfitimin.

    Në fund, vetëbesimi i vërtetë nuk ka nevojë të bëjë zhurmë. Ai është i qetë, i qëndrueshëm dhe i sinqertë. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse ndonjëherë mund të duket “i tepërt” për ata që ende po luftojnë me pasiguritë e tyre.

  • Lufta ndaj Iranit – vjen dorëheqja e parë në administratën Trump

    Lufta ndaj Iranit – vjen dorëheqja e parë në administratën Trump

    Kreu i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, Joseph Kent, ka dhënë dorëheqjen të martën, duke u bërë anëtari i parë dhe më i lartë i administratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që jep dorëheqjen për shkak të luftës në Iran.

    Në letrën e dorëheqjes, ai ka thënë se Teherani zyrtar nuk përbënte kërcënim të menjëhershëm për Shtetet e Bashkuara. Po ashtu, i ka kërkuar presidentit Trump që të “ndryshojë kurs”.

    “Nuk mund ta mbështes me ndërgjegje të pastër luftën e vazhdueshme në Iran. Irani nuk përbënte kërcënim të menjëhershëm për kombin tonë dhe është e qartë se ne e filluam këtë luftë për shkak të presionit nga Izraeli dhe lobi i tij i fuqishëm”, ka shkruar Kent në një letër drejtuar Trumpit të postuar në X.

    Disa ekspertë kanë thënë se një kërcënim i menjëhershëm do të ishte i nevojshëm që Shtetet e Bashkuara të nisnin një luftë sipas ligjit aktual.

    Zyrtarët e inteligjencës raportohet të jenë kapur në befasi nga njoftimi i Kent.

    Mediat raportojnë se Kent është i afërt me drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, e cila ka qëndruar kryesisht e heshtur që nga fillimi i luftës në Iran.

    Gabbard nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike dhe është shfaqur në publik vetëm gjatë transferimit dinjitoz të ushtarëve amerikanë të vrarë në fillim të këtij muaji gjatë konfliktit me Iranin.

    Kent, 45 vjeç, është një veteran i forcave speciale amerikane dhe i CIA-s, gruaja e të cilit, teknikja e marinës Shannon Kent, kishte mbetur e vdekur nga një sulm vetëvrasës me bombë në Siri në vitin 2019.

  • Tentoi ta vriste gruan pas ndarjes, arrestohet 43-vjeçari shqiptar në Itali

    Tentoi ta vriste gruan pas ndarjes, arrestohet 43-vjeçari shqiptar në Itali

    Një 43-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, pasi tentoi të vriste gruan e tij.

    Sipas mediave italiane, çifti shqiptar ishin ndarë, mirëpo burri nuk e pranonte këtë fakt.

    Pas ndarjes bashkëshortja është larguar nga shtëpia në Toscano me tre fëmijët e mitur, duke u strehuar pranë të afërmeve të saj.

    Sipas autoriteteve vendase, 43-vjeçari e ndoqi dhe në momentin që ajo doli nga shtëpia ai e sulmoi me thikë. Gruaja është plagosur në dorë.

    Disa orë pas ngjarjes, shqiptari u arrestua në një zonë periferike.

  • Emrat më të preferuar për djem në Shqipëri, trendet që po ndryshojnë traditën

    Emrat më të preferuar për djem në Shqipëri, trendet që po ndryshojnë traditën

    Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se zgjedhja e emrave për djemtë në Shqipëri ka ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

    Sot, emra si Amar, Deon, Aron dhe Liam po kryesojnë listat e preferencave, duke reflektuar një prirje drejt emrave të shkurtër, modernë dhe me ndikim ndërkombëtar. Ndërkohë, emrat tradicionalë shqiptarë si Arben, Gëzim apo Alban po përdoren gjithnjë e më rrallë.

    Sipas ekspertëve të gjuhës dhe kulturës, kjo tendencë lidhet me ndikimin e fortë të globalizimit dhe modeleve të huaja, ku prindërit shpesh zgjedhin emra bazuar në tingullin dhe stilin modern, më shumë sesa në kuptimin apo origjinën e tyre.

    Gjithashtu, shumë prindër i konsiderojnë emrat e huaj më tërheqës, edhe pse në disa raste nuk janë të njohur me domethënien e tyre. Kjo ka ngritur shqetësime te specialistët, të cilët theksojnë se Shqipëria ka një pasuri të madhe emrash tradicionalë, të bukur dhe të lehtë për t’u shqiptuar.

    Megjithatë, realiteti tregon se trendet moderne po ndikojnë gjithnjë e më shumë në zgjedhjet e prindërve, duke sjellë një ndryshim të dukshëm në identitetin e emrave të brezave të rinj.

  • Fifi del në mbrojtje të Erkandit: “Me mua ka qenë gjithmonë korrekt”

    Fifi del në mbrojtje të Erkandit: “Me mua ka qenë gjithmonë korrekt”

    Skandali mes këngëtarit Gjesti dhe pronarit Erkand Shabani ka ndarë publikun në dy kampe, me shumë artistë që e kanë kritikuar për marrëveshje të dyshimta.

    Ndërkohë, Fifi ka zgjedhur të mbajë një qëndrim të kundërt, duke dalë në mbrojtje të Erkandit. Në një postim në Instastory, këngëtarja ka sqaruar raportin e saj të gjatë me të dhe tregoi se bashkëpunimi i tyre ka qenë gjithmonë korrekt dhe profesional.

    Ajo theksoi se pakënaqësitë dhe kënaqësitë në marrëveshje janë individuale dhe se secili artist ka përvojën e vet. Fifi gjithashtu zbuloi se para se të nënshkruante marrëveshjen, e ka lexuar me një avokat dhe ka qenë e qartë për çdo detaj ligjor dhe rregull.

    Në mbyllje, Fifi i dha një mesazh të prerë ndjekësve të saj: kush nuk pajtohet me qëndrimin e saj, mund të bëjë “unfollow” pa problem.

  • Enxhi Nasufi flet për herë të parë për Heidi Baçin dhe WakeUp

    Enxhi Nasufi flet për herë të parë për Heidi Baçin dhe WakeUp

    Pas largimit nga drejtimi i emisionit të mëngjesit WakeUp, Enxhi Nasufi po shijon një periudhë qetësie, duke u fokusuar tek vetja dhe projektet personale. Por kur u pyet për vajzën që i zuri karrigen, Heidi Baçi, Enxhi nuk nguroi të fliste me maturi dhe sportivitet.

    Ajo theksoi se ruan vlerësim të madh për institucionin e Top Albania Radio, që mbetet pjesë e përditshmërisë së saj dhe një “kolonë zanore” për jetën e saj. Megjithatë, kur u pyet nëse ndjek emisionin çdo mëngjes ku tani Heidi moderon krah Blendi Salajt, Enxhi pranoi me të qeshura se nuk e bën dot, pasi po shfrytëzon kohën për të rikuperuar gjumin e munguar gjatë muajve të zgjimeve të hershme.

    Megjithatë, largimi nuk ka ulur respektin dhe fjalët e mira të saj për pasardhësen. Enxhi vlerësoi energjinë pozitive dhe buzëqeshjen e Heidit, duke e cilësuar si një cilësi të fortë për ekranin televiziv: “Heidi është shumë pozitive, e buzëqeshur, cilësi shumë e mirë për vajzë ekrani. Do uroja t’i merrte më të mirën.”

    Në përfundim, Enxhi përmendi rëndësinë e eksperiencës në radio dhe televizione, duke e quajtur një “shkollë më vete”, ku çdo moderator mëson shpejtësinë, sportivitetin në komunikim dhe aftësinë për të reaguar në sekondë. Mesazhi i saj është i qartë: Heidi ka një mundësi të artë për të përvetësuar disiplinën dhe dinamikën e botës televizive.

  • Ferma VIP 3 nis më 27 mars, Arbana Osmani rikthehet si moderatore

    Ferma VIP 3 nis më 27 mars, Arbana Osmani rikthehet si moderatore

    Reality show i njohur Ferma VIP do të rikthehet në ekran me edicionin e tretë, duke filluar më 27 mars. Moderatorja e famshme Arbana Osmani do të jetë sërish në timon, duke sjellë një sezon të ri plot sfida, dinamika dhe momentet më të veçanta nga jeta e VIP-ave në fermë.

    Spektakli, që ndërthur jetën rurale me prova fizike dhe sfida të ndryshme, ka arritur të tërheqë vëmendje të madhe të publikut në dy sezonet e para. Në edicionin e parë, fitues u shpall Dijonis Biba, i cili fitoi zemrat e publikut dhe triumfoi në garën e fermës.

    Për këtë sezon, konkurrentët e rinj do të përballen me punët e fermës, sfida të papritura dhe prova që testojnë durimin, aftësitë fizike dhe strategjinë e tyre, duke garantuar spektakël dhe emocione për çdo javë.

  • 814 gjoba për tejkalim të shpejtësisë në rajonin e Ferizajt

    814 gjoba për tejkalim të shpejtësisë në rajonin e Ferizajt

    Policia Rajonale e Ferizajt, gjatë periudhës 01–15.03.2026, ka shqiptuar gjithsej tetëqind e katërmbëdhjetë (814) gjoba ndaj shoferëve të cilët janë kapur duke lëvizur me shpejtësi mbi normat dhe kufizimet e lejuara.

    Ky aktivitet është realizuar në kuadër të fushatës “Shpejtësia nuk është aftësi, është rrezik”, e zhvilluar nga data 16.02.2026 deri më 28.02.2026, me moton:

    “Mos e mat jetën me kilometra në orë.”

    Policia po ashtu ka pasur edhe një apel për shoferët.

    “Shpejtësia e papërshtatshme rrezikon drejtpërdrejt jetën e shoferit dhe të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. Respektoni kufizimet e shpejtësisë dhe përshtatni ngasjen me kushtet e rrugës, pasi një moment pakujdesie mund të ketë pasoja në njerëz”, thuhet në apelin e Policisë.

    Policia e rajonit të Ferizajt ka njoftuar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.

    Ftohen qytetarët të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo shkelje përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.

    Të dhënat e raportuesve ruhen në konfidencialitet të plotë.

  • Heqja e masave ndaj Kosovës, çka deklaroi përfaqësuesi i Komisionit Evropian

    Heqja e masave ndaj Kosovës, çka deklaroi përfaqësuesi i Komisionit Evropian

    Komisioni Evropian ka konfirmuar se janë hequr të gjitha masat financiare ndaj Kosovës. Kjo u bë e ditur gjatë debatit për raportin për Kosovën që u zhvillua në Parlamentin Evropian.

    Jiri Plecity, përfaqësues i KE-së bëri të ditur heqjen e masave.

    “Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së”, tha Jiri Plecity, përfaqësues i Komisionit Evropian.

    Deklaratën e plotë mund ta gjeni KËTU.

    Bashkimi Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023, duke pezulluar financimin dhe takimet dypalëshe midis zyrtarëve evropianë dhe atyre të Qeverisë së Kosovës.

    Këto masa ishin vendosur pas tensioneve në komunat me shumicë serbe në Kosovë, pasi në krye të komunave ishin kryetarët shqiptarë.

    Para disa muajsh kishte filluar largimi gradual i këtyre masave, ndërkaq sot u konfirmua largimi i plotë i tyre.