ATV

Blog

  • Forbes: Shqipëria ndër 5 vendet e NATO-s që mbështesin ofensivën ndaj Iranit, përmendet edhe Kosova

    Forbes: Shqipëria ndër 5 vendet e NATO-s që mbështesin ofensivën ndaj Iranit, përmendet edhe Kosova

    Konflikti në Lindjen e Mesme vuri në dukje edhe një herë ndasitë brenda NATO-s, veçanërisht mes SHBA dhe vendeve të mëdha evropiane.

    Shqipëria rezulton ndër 5 vendet anëtare që kanë dalë hapur në mbështetje të operacioneve ushtarake që amerikanët dhe Izraeli po kryejnë prej tre javësh kundër Iranit.

    Revista “Forbes” ka listuar edhe Kosovën mes mbështetësve të SHBA, për faktin që NATO ka baza ushtarake aty.

    Në artikull theksohet se qëndrimi i Tiranës zyrtare përforcon linjën e saj tradicionale pro aleancës. Kryeministri Edi Rama e lidhi këtë qëndrim me konfliktet e mëparshme me Iranin, duke e paraqitur Shqipërinë si një aleat të fortë të SHBA-së.

    Në vitin 2022, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Teheranin pas një sulmi të rëndë kibernetik ndaj infrastrukturës shtetërore.

    “Forbes” thekson se përveç tre vende të Ballkanit: Shqipëria, Kosova dhe Maqdonia e Veriut, Trump ka marrë mbështetje publike edhe nga Republika Çeke, Lituania dhe Letonia. Por vetëm kaq.

    Kjo është arsyeja se përse Presidenti amerikan Donald Trump ka qenë vazhdimisht kritik ndaj një pjese të madhe të aleatëve që kanë vendosur të qëndrojnë jashtë përshkallëzimit ushtarak dhe nuk ka kursyer as aleatin e hershëm siç është Mbretëria e Bashkuar.

    Ndërkohë, vende të tjera si Danimarka, Finlanda dhe Luksemburgu kanë mbajtur një qëndrim neutral.

  • Parashikimi i motit për të enjten

    Parashikimi i motit për të enjten

    Të enjten parashikohet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale kohore me diell. Në zonat malore mund të ketë ndonjë reshje të izoluar bore.

    Era do të fryjë nga verilindja, e cila herë pas here pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 20-51 km/h.

    Temperaturat minimale do të luhaten prej 3 deri në 5°C, ndërsa ato maksimale prej 8 deri në 13°C. /MeteoKosova

  • Liverpool,Bayern dhe Atletico Madrid çerekfinalistët e rradhës në Champions

    Liverpool,Bayern dhe Atletico Madrid çerekfinalistët e rradhës në Champions

    Janë përcaktuar edhe çerekfinalistët e fundit në Ligën e Kampionëve.

    Liverpool përmbysi rezultatin nga ndeshja e parë ndaj Galatasaray-it,duke eliminuar gjigantin turk 4:0 konkretisht 4:1 nga të dy ndeshjet,dhe në çerekfinale do të takohet kundër PSG.

    Bayern kreu detyrën edhe në ndeshjen e dytë ndaj Atalantës 4:1,teksa nga të dy ndeshjet rezultati ishte 10:2 dhe Real Madrid do të jetë kundërshtari i bavarezëve në çerekfinale,kurse Tottenham u eliminua me kokën lartë nga Champions ku mposhti 3:2 Atletico Madridin teksa spanjollët me rezultat të përgjithshëm prej 7:5 kaluan në mesin e 8 ekipeve më të mira më Evropë.

  • Kompania muzikore heq mbi 135,000 këngë “deepfake” që imitonin artistët e saj, përfshirë Beyonce

    Kompania muzikore heq mbi 135,000 këngë “deepfake” që imitonin artistët e saj, përfshirë Beyonce

    Gjiganti muzikor Sony Music njoftoi se ka kërkuar heqjen e më shumë se 135,000 këngëve të krijuara nga mashtrues, që imitonin artistët e saj në platformat e transmetimit muzikor.

    Këto këngë të quajtura “deepfake” janë krijuar duke përdorur inteligjencën artificiale gjeneruese dhe kanë prekur disa nga emrat më të mëdhenj, përfshirë Beyoncé, Queen dhe Harry Styles.

    Sony njoftoi se përhapja e këtyre kopjeve të rreme shkakton “dëm të drejtpërdrejtë komercial për artistët e regjistruar ligjërisht” dhe shpesh synon muzikantët gjatë periudhave kur ata promovojnë albume të reja. Dennis Kooker, president i biznesit digjital global të Sony-t, tha: “Në rastet më të këqija, këto ‘deepfake’ mund të dëmtojnë një fushatë lançimi ose të njollosin reputacionin e një artisti.”

    Kompania shtoi se numri prej 135,000 këngësh që ka zbuluar deri tani përfaqëson vetëm një pjesë të tërësisë së përmbajtjes së ngarkuar në platformat muzikore. Që nga marsi i vitit të kaluar, Sony ka identifikuar rreth 60,000 këngë që pretendojnë në mënyrë të rreme të përfshijnë artistë nga lista e saj. Të tjerë artistë të prekur mund të jenë Bad Bunny, Miley Cyrus dhe Mark Ronson.

    Kooker vuri në dukje se problemi me këto ‘deepfake’ është se ato janë një fenomen i nxitur nga kërkesa: “Shfrytëzojnë faktin që një artist po promovon muzikën e tij. Kjo është kur ‘deepfake’-et janë më keq – ato përfitojnë nga kërkesa që ka krijuar artisti dhe në fund dëmtojnë atë që ai po përpiqet të arrijë.”

    Ky lajm u bë publik në kuadër të lançimit të Global Music Report në Londër, ku u publikuan edhe të dhënat e International Federation of the Phonographic Industry (IFPI), sipas të cilave të ardhurat nga muzika e regjistruar u rritën me 6.4% gjatë vitit të kaluar, duke arritur në 31.7 miliardë dollarë (£23.8 miliardë).

    Kjo shënon vitin e 11-të radhazi të rritjes, duke u ndihmuar nga abonimet e transmetimit streaming që shpëtuan industrinë pas periudhave të piraterisë dhe rënies financiare. Mbretëria e Bashkuar mbeti tregu i tretë më i madh muzikor në botë, ndërsa Kina tejkaloi Gjermaninë si tregu i katërt më i madh, duke hyrë në top 10, brenda më pak se një dekade.

    Sipas raportit, Taylor Swift ishte artistja më e madhe e vitit 2025 dhe kishte albumin më të popullarizuar në botë me titullin The Life Of A Showgirl./BBC/

  • E jashtëzakonshme: Shqiptarja Drena Kusari emërohet në një nga pozitat më të larta në Microsoft

    E jashtëzakonshme: Shqiptarja Drena Kusari emërohet në një nga pozitat më të larta në Microsoft

    Ekspertja shqiptare në industrinë globale të teknologjisë, Drena Kusari, ka njoftuar se ka marrë një rol të ri të rëndësishëm në gjigantin teknologjik Microsoft.

    Përmes një postimi në rrjetin LinkedIn, Kusari njoftoi se ka nisur zyrtarisht punën si Corporate Vice President dhe General Manager në këtë kompani.

    “Jam e lumtur të ndaj se po filloj një pozitë të re si Corporate Vice President dhe General Manager në Microsoft!”, ka shkruar Kusari në njoftimin e saj.

    Ky pozicion konsiderohet ndër nivelet më të larta drejtuese në strukturën e kompanisë, duke e vendosur Kusarin në mesin e drejtuesve të lartë të një prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në botë.

    Emërimi i saj përbën një tjetër histori suksesi për gratë shqiptare në industrinë globale të teknologjisë.

    Me një karrierë të ndërtuar në ekosistemin e Silicon Valley dhe në kompani të mëdha ndërkombëtare, Kusari është ndër figurat shqiptare që kanë arritur në nivele të larta të lidershipit në sektorin global të inovacionit dhe teknologjisë.

    Kusari lindur dhe është rritur në Gjakovë. Pas luftës në Kosovë, ajo u shpërngul në Shtetet e Bashkuara në vitin 1999, ku përfundoi vitin e fundit të shkollës së mesme. Puna e saj e parë ishte si interprete dhe punonjëse terreni për organizatën Save the Children menjëherë pas luftës.

    Ka diplomuar me dy drejtime, Ekonomi dhe Diplomaci në Occidental College në SHBA.

    Ka marrë MBA nga Harvard Business School, një nga shkollat më prestigjioze të biznesit në botë.

    Para se të arrijë në Microsoft, ajo ka pasur një karrierë në disa kompani të mëdha globale si në Goldman Sachs si analiste financiare, McKinsey & Company si konsulente strategjie për kompani Fortune 500, pastaj në Lyft ku ishte General Manager për rajonin Southwest dhe Hawaii, duke qenë dhe gruaja e parë që drejtoi këtë rajon në kompani, e po ashtu edhe në Bumble, ku kishte rol drejtues për strategji dhe zhvillim biznesi.

  • Irani godet Katarin, përfshihet nga flakët impianti më i madh i gazit

    Irani godet Katarin, përfshihet nga flakët impianti më i madh i gazit

    Ministria e Brendshme e Katarit njoftoi se një sulmi nga Irani i ka shkaktuar një zjarr masiv në impiantit kryesor të gazit në vend në zonën industriale të Ras Laffan-it.

    “Shërbimet e mbrojtjes civile po ndërhyjnë për të shuar zjarrit në zonën industriale të Ras Laffan pas sulmit iranian, pasi janë shkaktuar dëme të mëdha”,thuhet në deklaratën e ministrisë.

    Sulmi vjen pasi Teherani kishte paralajmëruar se do të godiste infrastrukturën energjetike në të gjithë Gjirin, si përgjigje ndaj sulmit të përbashkët të Shtetet e Bashkuara dhe Izrael ndaj impianteve të tij të gazit.

    Sipas raportimeve, impiantet e Ras Laffan për gaz natyror të lëngshëm (GNL) ishin në proces evakuimi për shkak të kërcënimit iranian ndaj infrastrukturës energjetike të Gjirit.

    Katari ka ndërprerë plotësisht prodhimin e gazit natyror të lëngshëm për shkak të këtyre tensioneve, dhe çdo dëmtim i impianteve mund të zgjatë ndërprerjen e furnizimit përtej majit, duke kërcënuar që të marrë jashtë funksionit një të pestën e furnizimit global të GNL-së.

  • Gruda: Presim që dekreti i Osmanit të shpallet kushtetues, zgjedhjet brenda 45 ditëve

    Gruda: Presim që dekreti i Osmanit të shpallet kushtetues, zgjedhjet brenda 45 ditëve

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se pret që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të shpallë dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të kushtetueshëm dhe të përcaktojë që zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditëve.

    Gruda në Debat Plus ka shtuar se Kuvendi i Kosovës e ka konsumuar të drejtën për të zgjedhur presidentin dhe se çdo interpretim tjetër, si ai i afatit 60-ditor, nuk është i vlefshëm.

    “Ne presim që dekreti i presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të shpallet kushtetues, dhe Gjykata Kushtetuese të përcaktojë që duhet të shpallen zgjedhjet e reja dhe se duhet të mbahen brenda 45 ditëve. Kjo sepse kështu është e përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës”, ka theksuar ai.

    Ai ka theksuar se Kuvendi duhet të kishte zgjedhur presidentin 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit në detyrë.

    “Kuvendi i Kosovës e ka konsumuar drejtën e vet për me zgjedh një president. Dhe asnjë interpretim obstruktiv që i bëhet Kushtetutës sikur qenkan edhe 60 ditë tjera nuk mendoj që është i vlefshëm. Kuvendi i Kosovës është dashur me zgjedh presidentin 30 ditë para se t’i përfundojë presidentit ekzistues mandati”, ka deklaruar Gruda në Debat Plus.

    Gruda ka theksuar se afati 30-ditor në Kushtetutë është për një qëllim tjetër, ndërsa afati 60-ditor shërben për një qëllim tjetër.

  • Baleti Kombëtar i Kosovës gati për premierën e parë të vitit 2026

    Baleti Kombëtar i Kosovës gati për premierën e parë të vitit 2026

    Baleti Kombëtar i Kosovës është në proces të provave intensive për pjesën e parë të projektit të ri, duke u përgatitur për premierën e parë të vitit 2026. Procesi i provave ka arritur tashmë javën e tretë dhe pritet të përfundojë brenda një jave.

    Pjesa e parë e këtij projekti titullohet “We Will Never Give Up on Love”, me koreografi nga Erion Kruja. Shfaqja do të prezantohet për publikun më 29 prill 2026, duke sjellë një përvojë artistike të pasur dhe emocionuese.

    Ky projekt tregon përkushtimin e Baletit Kombëtar të Kosovës për të sjellë produkte të reja dhe inovative në skenën kulturore, duke theksuar rëndësinë e artit koreografik në vend.

  • Kurti thërret kabinetin qeveritar në mbledhje nesër

    Kurti thërret kabinetin qeveritar në mbledhje nesër

    Zyra për Media e Kryeministrisë ka njoftuar se nesër do të mbahet mbledhja e radhës e Qeverisë së Kosovës.

    Sipas njoftimit, mbledhja do të nis të enjten në orën 11:00.

    Në njoftimin për media nuk janë bërë të ditura pikat e rendit të ditës së kësaj mbledhje.

  • Izraeli thotë se më shumë se 200 objektiva janë goditur sot në Iran

    Izraeli thotë se më shumë se 200 objektiva janë goditur sot në Iran

    Forcat Mbrojtëse Izraelite thonë se avionët e tyre luftarakë kanë goditur më shumë se 200 objektiva në Iranin perëndimor dhe qendror gjatë ditës së fundit.

    Objektivat përfshijnë vende të përdorura për të ruajtur dhe lëshuar raketa balistike, sisteme mbrojtjeje ajrore, lëshues raketash balistike dhe vende prodhimi armësh, thotë IDF, ka raportuar BBC.