ATV

Blog

  • Shtrenjtohet sërish nafta e benzina – këto janë çmimet e derivateve në Kosovë

    Shtrenjtohet sërish nafta e benzina – këto janë çmimet e derivateve në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë ka publikuar sërish çmimet maksimale të derivateve për datën 13 gusht.

    Sipas njoftimit, çmimi i naftës edhe për sot është 1.70 euro për litër, tre centë më shtrenjtë se të mërkurën.

    Po ashtu është shtrenjtuar edhe benzina. Sot çmimi i benzinës është 1.48 euro për litër, një cent më shtrenjtë se të mërkurën.

    Gazi vazhdon të jetë me të njëjtin çmim, 0.60 euro për litër.

    Çmimet e derivateve hyjnë në fuqi në ora 10:00 dhe vlejnë 24 orë.

  • Gruda: Avni Dehari të mos abuzojë me përparësinë teknike, kërkojmë seancë nesër

    Gruda: Avni Dehari të mos abuzojë me përparësinë teknike, kërkojmë seancë nesër

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, është nisur drejt sekretarit të Kuvendit për të paraqitur një kërkesë lidhur me mbajtjen e seancës konstituive.

    “Po shkojmë të deponojmë një kërkesë të re për Avni Deharin, kryesuesin sipas moshës, që ta mbajë seancën nesër, siç e kërkon Rregullorja e Punës. Avni Dehari është kryesues i seancës jo pse është burrë i mirë, apo pse është intelektual i dalluar, as politikan i përgjegjshëm. Është kryesues i seancës vetëm për një cilësi, për shkak të moshës.Dhe kërkoj të mos abuzohet me këtë përparësi teknike që e ka dhe të mos mbahet Kuvendi i bllokuar.Por po e dorëzojmë kërkesën dhe do të kemi një adresim për ju”, tha ai para mediave.

  • Hoxhaj: Rendi kushtetues ka rënë, PDK do të kërkojë seancën pas 48 orësh

    Hoxhaj: Rendi kushtetues ka rënë, PDK do të kërkojë seancën pas 48 orësh

    Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se rendi kushtetues i Kosovës ka rënë, duke kërkuar nga kryesuesi i Kuvendit sipas moshës, Avni Dehari, që të caktojë seancën e re konstituive.

    Hoxhaj e ka cilësuar si absurde situatën aktuale politike në vend, duke theksuar se institucionet, sipas tij, janë bllokuar për një periudhë të paprecedentë.

    “Çka po ndodhë në këtë vend është absurde dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës. Ne kemi pasur zgjedhje në shkurt, në dhjetor, në qershor. Kemi pasë tri palë zgjedhje nacionale. Asnjëherë nuk ka ndodhur që dikush 18 muaj e 5 ditë t’i bllokojë institucionet”, tha Hoxhaj.

    Ai ka bërë të ditur se PDK do t’i drejtojë sërish kërkesë Avni Deharit për mbajtjen e seancës konstituive brenda 48 orësh.

    Hoxhaj paralajmëroi gjithashtu se PDK do ta zhvendosë aktivitetin e saj edhe jashtë Kuvendit, përmes formave më të gjera të mobilizimit politik, demokratik dhe qytetar.

  • Lushtaku para qeverisë: Ku je kryeministër? Me gjasë paska pi mbrëme

    Lushtaku para qeverisë: Ku je kryeministër? Me gjasë paska pi mbrëme

    Deputetët e PDK-së kanë bllokuar hyrjen e Qeverisë së Kosovës në shenjë proteste ndaj, siç e kanë cilësuar, “hallakamës politike”.

    Deputeti i kësaj partie, Mërgim Lushtaku, i cili iu bashkua kolegëve të tij në orët e hershme të mëngjesit, ka reaguar edhe përmes një postimi në Facebook, duke pyetur: “Ku je, kryeministër?”.

    “Ora është 8:16 dhe me gjasë kryeministri paska pirë mbrëmë dhe nuk qenka zgjuar për të ardhur në punë. Ku je, kryeministër? REPUBLIKË – KUSHTETUTË”, ka shkruar Lushtaku.

    Ndërkohë, PDK-ja ka paralajmëruar një sërë veprimesh, për shkak të asaj që kjo parti e konsideron shkelje të Kushtetutës nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizja Vetëvendosje.

  • Cristiano Ronaldo prek me mesazhin për Lionel Messin pas vdekjes së babait të tij

    Cristiano Ronaldo prek me mesazhin për Lionel Messin pas vdekjes së babait të tij

    Cristiano Ronaldo ka shprehur ngushëllimet e tij për Lionel Messin pas ndarjes nga jeta të babait të yllit argjentinas, Jorge Messi.

    Edhe pse karrierat e tyre janë shoqëruar për vite me një rivalitet të jashtëzakonshëm, dy prej futbollistëve më të mëdhenj në histori kanë treguar vazhdimisht respekt për njëri-tjetrin. Këtë herë, Ronaldo zgjodhi të jetë pranë Messit në një prej momenteve më të vështira të jetës së tij.

    Messi kishte ndarë me ndjekësit një mesazh të ndjerë për babain e tij, duke kujtuar rolin e rëndësishëm që Jorge Messi kishte pasur jo vetëm në jetën e tij, por edhe në ndërtimin e karrierës së tij futbollistike.

    Në mesin e reagimeve të shumta ndaj postimit të Messit ishte edhe ai i Cristiano Ronaldos, i cili i dërgoi një mesazh të shkurtër, por shumë domethënës.

    “Një përqafim i madh për ty dhe të dashurit e tu në këto momente të vështira, Leo. Qëndro i fortë”, shkroi Ronaldo.

    Në mesazhin e tij të gjatë, Messi e përshkroi babain si “baba, mik dhe menaxher”, duke nënvizuar ndikimin që Jorge kishte pasur në çdo hap të rrugëtimit të tij.

    “Ti ishe babai im, miku dhe menaxheri im. Gjithmonë ishe personi që duhej të ishe në çdo moment dhe nuk gabove kurrë”, kishte shkruar Messi.

    Argjentinasi foli edhe për mënyrën se si do ta mbajë gjallë kujtimin e të atit përmes fëmijëve të tij.

    “Do të më mungosh shumë, por do të jesh gjithmonë i pranishëm, veçanërisht në rritjen e fëmijëve të mi, sepse unë i rris dhe i mësoj ashtu siç bëtë ti dhe nëna me mua. Pusho në paqe dhe kujdesu për ne atje lart, ashtu siç bëre këtu. Faleminderit për gjithçka. Të dua, babi”, përfundoi Messi.

    Mesazhi i Ronaldos është një tjetër dëshmi se, pavarësisht rivalitetit legjendar që i ka ndarë në fushën e futbollit, në momente të tilla njerëzore respekti mes dy ikonave kalon përtej sportit.

    Ronaldo dhe Messi kanë shkruar së bashku një nga kapitujt më të paharrueshëm të historisë së futbollit, ndërsa ky gjest tregon edhe një herë anën njerëzore të rivalitetit të tyre.

  • Superliga e Kosovës nis sezonin e ri, Prishtina-Ballkani derbi i javës së parë

    Superliga e Kosovës nis sezonin e ri, Prishtina-Ballkani derbi i javës së parë

    Albi Mall Superliga e Kosovës rikthehet këtë fundjavë me sezonin e ri 2026/27, ndërsa që në javën e parë futbolldashësit do të kenë mundësinë të shohin një përballje të madhe mes Prishtinës dhe Ballkanit.

    Xhiroja hapëse do të zhvillohet në tri ditë, nga e premtja deri të dielën, me pesë ndeshje në program.

    Sezoni i ri do të nisë të premten, më 14 gusht, me duelin mes Feronikelit ’74 dhe Gjilanit. Kjo sfidë do të zhvillohet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me fillim nga ora 16:30.

    Të shtunën, më 15 gusht, do të luhen dy ndeshje. Drenica do të përballet me Dukagjinin në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, ndërsa Vushtrria do ta presë Malishevën në stadiumin me bari sintetik në Hajvali. Të dyja takimet janë planifikuar të nisin në ora 16:30.

    Megjithatë, e gjithë vëmendja do të jetë të dielën në kryeqytet, ku Prishtina dhe Ballkani do të përballen në “Fadil Vokrri”, duke e bërë derbin një nga sfidat më të mëdha të javës së parë.

    Ndeshja do të nisë në ora 19:00 dhe pritet të sjellë interesim të madh, pasi dy skuadrat kanë qenë protagoniste të rëndësishme të futbollit kosovar në vitet e fundit.

    Përballja e tyre që në start të kampionatit i jep një dozë të veçantë emocioni sezonit të ri dhe mund të shërbejë si një test i hershëm për ambiciet e të dyja skuadrave.

    Po të dielën do të zhvillohet edhe një tjetër duel interesant. Drita do të presë Llapin në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, me ndeshjen që do të nisë në ora 16:30.

    Kështu, Superliga e Kosovës e hap sezonin e ri me një javë që premton rivalitet, emocione dhe një derbi të madh që në start.

  • Messi me letër prekëse për babain e ndjerë: Nuk e di çfarë do të bëj pa ty

    Messi me letër prekëse për babain e ndjerë: Nuk e di çfarë do të bëj pa ty

    Lionel Messi ka ndarë një rrëfim tejet personal dhe emocional për humbjen e babait të tij, duke i kushtuar atij një letër në të cilën rikthehet te kujtimet, bisedat e fundit dhe një prej periudhave më të rëndësishme të karrierës së tij.

    Ylli argjentinas rrëfen dhimbjen që përjetoi kur kuptoi se i ati nuk do të mund ta shihte nga afër një tjetër turne të madh të tij. Messi kujton se babai i kishte kërkuar me ngulm të luante në Kupën e Botës dhe se ai shpresonte deri në fund që i ati të përmirësohej dhe të mund të udhëtonte për ta parë.

    Në letrën e tij, Messi tregon edhe momentin kur kuptoi se gjendja e babait ishte përkeqësuar seriozisht, ndërsa mungesën e tij e ndjeu sidomos pas çdo ndeshjeje, kur priste një mesazh që nuk do të vinte më.

    “Babi, ende nuk mund ta besoj se je larguar. Nuk dua të dorëzohem. Është shumë e vështirë për mua të imagjinoj se nuk do të të shoh më dhe se nuk do të flasim më. E di që po vuaje dhe ndoshta kështu është më mirë, por u largove shumë shpejt. Na mbeti ende shumë për të shijuar së bashku”, shkroi Messi.

    Ai kujton më pas premtimin që i kishte bërë babait për Kupën e Botës.

    “Më kërkove aq shumë që të luaja në Kupën e Botës së fundit. Ishte pikërisht në ditët para fillimit të saj kur gjendja jote u përkeqësua. Të thashë se do të arrinim në finale, në mënyrë që ti të mund të udhëtoje.”

    Messi rrëfen se pas çdo ndeshjeje priste një mesazh nga babai, por mungesa e tij e bëri të kuptonte se situata ishte shumë më serioze nga sa shpresonte.

    “Sa herë që përfundonte një ndeshje, prisja dhe më mungonte mesazhi yt. Pikërisht atëherë kuptova se situata ishte vërtet e rëndë. Megjithatë, nuk pushova së menduari për të shkuar sa më larg që të ishte e mundur, që të kishe kohë dhe të mund të shihje një ndeshje.”

    Argjentinasi arriti deri në finale, por babai i tij nuk mundi të ishte aty. Messi thotë se dëshironte ta fitonte trofeun edhe për të, por trupi nuk e lejoi të jepte më shumë.

    “Arritëm në finale dhe ti nuk munde të ishe aty. Doja ta fitoja për ta sjellë trofeun te ti dhe për të të treguar një tjetër. Nuk munda; këmbët e mia nuk mundën më. Këtë herë u përpoqa të shkoja përtej asaj që më lejonte trupi, por nuk munda.”

    Një prej pjesëve më të dhimbshme të rrëfimit të Messit lidhet me kthimin e tij në shtëpi, kur babai ende mendonte se Argjentina e kishte humbur finalen pas penalltive.

    “Kur u ktheva, ti mendoje se e kishim humbur finalen pas penalltive. Nuk mundëm të flisnim për asgjë nga ato që kishin ndodhur. Ti nuk munde të shijoje asgjë. Nuk u bëmë kampionë, por nuk e ke idenë se sa shumë e shijuam çdo ndeshje.”

    Në fund, Messi pranon se humbja e babait e ka lënë me shumë pikëpyetje edhe për të ardhmen e tij në futboll.

    “Nuk e di çfarë do të bëj pa ty, nuk e di si do të vazhdoj. Unë vetëm kam luajtur futboll dhe tani kam shumë dyshime nëse do të vazhdoj ta bëj këtë edhe për shumë gjatë. Ti ishe pranë meje që nga fillimi; kishte mbetur kaq pak deri në fund. Pse nuk munde të qëndroje edhe pak më gjatë, që ta përfundonim bashkë?”

    Messi e mbylli letrën me një mesazh të ndjerë për babain e tij, duke theksuar se kujtimi i tij do të mbetet gjithmonë i gjallë.

    “Do të më mungosh shumë, por do të jesh gjithmonë i pranishëm. Pusho në paqe dhe kujdesu për ne nga lart, ashtu siç bëre këtu poshtë. Faleminderit për gjithçka.”

  • Bayern Munich kërkon Topin e Artë për Harry Kane: Këto shifra e meritojnë çmimin

    Bayern Munich kërkon Topin e Artë për Harry Kane: Këto shifra e meritojnë çmimin

    Bayern Munich ka dalë publikisht në mbështetje të Harry Kane për Topin e Artë, duke vlerësuar paraqitjet dhe statistikat e jashtëzakonshme të sulmuesit anglez që prej transferimit të tij në Gjermani.

    Klubi bavarez publikoi në rrjetet sociale shifrat e Kane, i cili deri më tani ka realizuar 146 gola dhe ka dhënë 31 asistime në 147 ndeshje me fanellën e Bayern Munichut.

    Duke prezantuar këto statistika, Bayern e cilësoi sulmuesin anglez si një “lojtar të gjeneratës”, duke bërë të qartë se sipas klubit, kontributi i tij e vendos në mesin e kandidatëve që meritojnë çmimin më prestigjioz individual në futboll.

    “Një futbollist i gjeneratës: Harry Kane. Këto shifra meritojnë Topin e Artë!”, shkroi Bayern Munich në postimin e tij.

    Kane ka qenë prej kohësh një prej golashënuesve më të spikatur në futbollin evropian dhe paraqitjet e tij me Bayern e kanë forcuar edhe më shumë kandidaturën për çmimin prestigjioz.

    Rezultati përfundimtar i garës për Topin e Artë 2026 do të mësohet më 26 tetor, kur në Londër do të zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve.

    Në mesin e emrave të përfolur për këtë çmim janë edhe Ousmane Dembélé, Kylian Mbappé, Lamine Yamal, Khvicha Kvaratskhelia, Fabián Ruiz, Rodri dhe Lionel Messi.

    Ndërkohë, mesfushori i PSG-së, Vitinha, ka dhënë më herët preferencat e tij për Topin e Artë, duke favorizuar një prej bashkëlojtarëve të tij në klubin francez.

  • Ngjarjet në Kuvend, Blerta Deliu: Po e mbyllim për sot, do të jemi këtu edhe nesër, do të jemi këtu çdo ditë

    Ngjarjet në Kuvend, Blerta Deliu: Po e mbyllim për sot, do të jemi këtu edhe nesër, do të jemi këtu çdo ditë

    Deputetja e PDK’së, Blerta Deliu, ka thënë se kjo parti s’do i ndalë veprimet për ta ruajtur rendin Kushtetues.

    Deliu nga Kuvendi ka thënë se nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa kthimi tek rendi Kushtetues.

    ‘’Thirrja jonë është që të kthehet rendi Kushtetues. Asgjë nuk ka më të rëndësishme sot se kthimi në rendin kushtetues. Ne po e mbyllium këtu sot, por do të vazhdojmë të jemi në kuvend. Nuk do t’i ndalim veprimet tona politike, institucionale, demokratike por edhe veprime të tjera, për ta ruajtur rendin Kushtetues’’, ka thënë Deliu.

    ‘’Sjelljet që sot i keni parë, inskenimet, përpjekjet për ta shndërruar këtë seancë në normalitet, janë thirrje kaotike, sot kuvendi ka nevojë për konstituim. Po shkunden themelet e shtetit të Kosovës. Nuk guxon askush ta mbyllë parlamentin, nuk guxojnë që dyertë të mbyllen, ne do të jemi këtu edhe nesër, do të jemi këtu çdo ditë, aksionet tona ligjore kushtetuese, politike nuk do të mungojnë për ta kthyer Kosovën në binarë të saj, dhe stabilitetin në vend’’, ka deklaruar Deliu.

  • Neymar drejt Inter Miamit, braziliani mund të ribashkohet me Messin dhe Suárezin

    Neymar drejt Inter Miamit, braziliani mund të ribashkohet me Messin dhe Suárezin

    Neymar mund të largohet nga Santosi në fund të vitit dhe të transferohet në Major League Soccer, ku pritet të ribashkohet me dy ish-shokët e tij të Barcelonës, Lionel Messin dhe Luis Suárezin.

    Ish-përfaqësuesi brazilian Felipe Melo ka bërë një deklaratë të bujshme, duke pretenduar se Neymar do të jetë pjesë e Inter Miamit nga janari i vitit të ardhshëm.

    Kontrata e Neymarit me Santosin skadon në dhjetor, ndërsa e ardhmja e tij mbetet ende e paqartë. Vetë sulmuesi brazilian kishte lënë të hapur edhe mundësinë e pensionimit nga futbolli i luajtur, por deklarata e Melos ka rikthyer fuqishëm skenarin e një transferimi në Shtetet e Bashkuara.

    Duke folur në kanalin e tij në YouTube, Melo tha se kishte marrë informacion nga një mik i tij dhe se Neymar do të transferohet në Miami në janar.

    “Një mik më ka zbuluar se Neymar do të shkojë të luajë në Miami në janar. Nëse kjo ndodh, do të kem qenë i pari që e ka dhënë këtë lajm”, u shpreh ish-mesfushori brazilian.

    Një transferim i tillë do të kishte edhe një dimension të veçantë, pasi Neymar do të ribashkohej me Lionel Messin dhe Luis Suárezin. Të tre formuan treshen e famshme “MSN” te Barcelona, duke shënuar plot 363 gola së bashku gjatë tri sezoneve në Camp Nou.

    Vetëm në sezonin e parë të tyre si treshe, Neymar, Messi dhe Suárez realizuan 122 gola dhe e udhëhoqën Barcelonën drejt triumfit në Ligën e Kampionëve.

    Nëse marrëveshja realizohet, rikthimi i “MSN”-së në një skuadër do të ishte padyshim një nga historitë më të mëdha të futbollit në vitet e fundit.

    Megjithatë, për momentin bëhet fjalë për një deklaratë të Felipe Melos dhe jo për një konfirmim zyrtar nga Neymar, Santos apo Inter Miami.