ATV

Blog

  • Osmani shtroi iftar për myftiun Tërnava dhe delegacionin e BIK’ut

    Osmani shtroi iftar për myftiun Tërnava dhe delegacionin e BIK’ut

    Presidentja Vjosa Osmani ka shtruar iftar për kryetarin e Bashkësisë Islame Naim Tërnava dhe delegacionin e tij për nder të muajit të Ramazanit, ka njoftuar Presidenca.

    Në njoftim thuhet se Osmani theksoi se |zemërgjerësia që manifestohet këtë muaj është një kujtesë e fuqishme për rëndësinë e solidaritetit, të përulësisë dhe të përkushtimit ndaj njëri-tjetrit”.

    Më tej, Osmani shprehu falënderimin e saj të thellë për kontributin e vazhdueshëm të BIK-it, në kultivimin e vlerave të paqes, tolerancës dhe mirëkuptimit ndërmjet qytetarëve tanë.

  • Ndalohet i dyshuari për kontrabandë me emigrantë në Pejë

    Ndalohet i dyshuari për kontrabandë me emigrantë në Pejë

    Një rast i dyshuar për kontrabandë me emigrantë është zbuluar në Pejë, pasi një automjet me targa vendore është ndaluar nga njësia patrulluese gjatë kontrolleve në terren.

    Në automjet ndodheshin katër persona shtetas të huaj.

    Sipas policisë, drejtuesi i automjetit dyshohet se po transportonte personat në mënyrë të kundërligjshme.

    Më tej, pas verifikimeve fillestare dhe identifikimit të pasagjerëve, rasti është trajtuar në koordinim me prokurorin kujdestar.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar, ndërsa ndaj katër shtetasve të huaj do të vijojnë procedurat e rregullta ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi.

  • Ndahet nga jeta gazetari dhe analisti i njohur Namir Lapardhaja

    Ndahet nga jeta gazetari dhe analisti i njohur Namir Lapardhaja

    Gazetari dhe analisti i njohur Namir Lapardhaja është ndarë nga jeta para kohe.

    Dyshohet se shkak i vdekjes së 40-vjeçarit ka qenë një trombozë në sistemin e qarkullimit të gjakut. Lajmin e konfirmuan familjarët e tij.

    Lapardhaja u shqua për analizat e tij të drejtpërdrejta dhe kritike mbi zhvillimet politike në vend. Ai është autor librash, esesh dhe një numri të madh artikujsh.

    Namir Lapardhaja ishte një qytetar i angazhuar, që jetonte mes mësuesisë, gazetarisë dhe aktivizimit të tij si qytetar i denjë i Beratit.

  • Arrestohet në Jarinjë një person i kërkuar, kishte dy urdhëresa gjyqësore

    Arrestohet në Jarinjë një person i kërkuar, kishte dy urdhëresa gjyqësore

    Një person i kërkuar është arrestuar në pikën kufitare në Jarinjë, gjatë një kontrolli të realizuar nga njësitë policore.

    I dyshuari, shtetas i Serbisë, është ndaluar në bazë të urdhëresave aktive të lëshuara nga gjykata.

    Sipas policisë, ndaj tij ishin në fuqi dy urdhëresa arresti, të cilat janë verifikuar gjatë procedurave të kontrollit në kufi.

    Pas identifikimit, i dyshuari është shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale.

  • Sorensen takon zyrtarin e OKB-së, diskutohet zbatimi i Ligjit për të Huajt

    Sorensen takon zyrtarin e OKB-së, diskutohet zbatimi i Ligjit për të Huajt

    Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, ka zhvilluar një takim me zyrtarin e lartë të OKB-së, ambasadorin Jean-Pierre Lacroix, ku kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në dialog dhe hapat e ardhshëm.

    Sorensen ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka informuar atë për marrëveshjen e fundit me Qeverinë e Kosovës lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt, duke theksuar se ajo u arrit në një frymë konstruktive dhe pragmatike.

    Më tej, ai ka theksuar nevojën për avancimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, ndërsa ka paralajmëruar diskutime të reja në OKB gjatë javës së ardhshme për vijimin e procesit të dialogut.

  • Qeveria i kërkon Presidentes Osmani t’i japë autorizimin Gërvallës për një marrëveshje me Belgjikën në fushën e drejtësisë

    Qeveria i kërkon Presidentes Osmani t’i japë autorizimin Gërvallës për një marrëveshje me Belgjikën në fushën e drejtësisë

    Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimit për të kërkuar nga Presidentja Vjosa Osmani dhënien e autorizimit për ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale, me Qeverinë e Mbretërisë së Belgjikës.

    Kryeministri Albin Kurti e prezantoi këtë pikë në mbledhjen e sotme të qeverisë.

    “Në frymën e thellimit të raporteve dypalëshe në fushën e Drejtësisë, sot para jush paraqesim për miratim propozimin e MD që Qeveria e Kosovës t’i rekomandojë presidentes dhënien e autorizimit ministres së Drejtësisë për nënshkrimin për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale me Qeverinë e Mbretërisë së Belgjikës”, tha ai.

    Ndërkaq, Gërvalla tha se kjo marrëveshje do të intensifikonte bashkëpunimin juridik në çështjet penale.

    “Në shërbim të forcimit të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale ka iniciuar lidhjen e marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale. Kemi zhvilluar negociatat me Ministrinë e Drejtësisë së Belgjikës dhe është arritur pëlqimi lidhur me tekstin e marrëveshjes. Qëllimi është baza ligjore dypalëshe”.

  • Ministria e Sportit dhe Rinisë shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Elif Sherifit

    Ministria e Sportit dhe Rinisë shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Elif Sherifit

    Me pikëllim të thellë, Ministria e Sportit dhe Rinisë ka reaguar pas lajmit për ndarjen e parakohshme nga jeta të Elif Sherifit, gazetare dhe zëdhënëse e KF Drita.

    Në telegramin e ngushëllimit, ministri Blerim Gashani ka theksuar se Elifi do të mbahet mend për profesionalizmin, përkushtimin dhe pasionin e saj të veçantë për gazetarinë dhe sportin. Ai vlerëson kontributin e saj të çmuar në promovimin e vlerave sportive dhe komunikimit publik, si dhe dashurinë e saj për futbollin dhe komunitetin, të cilat do të mbeten pjesë e kujtesës së përbashkët të të gjithë atyre që e njohën.

    “Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Sherifi, kolegët, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me Elifin. Kujtimi për të do të jetojë gjithmonë. U prehtë në paqe,” shkruhet në telegram.

    Ky reagim i Ministrisë pasqyron humbjen e madhe të një profesionisteje të respektuar dhe angazhimin e saj të palodhur në fushën e sportit dhe gazetarisë.

  • Kurti: Alarmuese që Serbia po provokon me helikopterë pranë kufirit, bashkë me Rusinë e Iranin duan trazira e konflikte gjithandej

    Kurti: Alarmuese që Serbia po provokon me helikopterë pranë kufirit, bashkë me Rusinë e Iranin duan trazira e konflikte gjithandej

    Kryeministri Albin Kurti u shpreh “thellësisht i shqetësuar” në fillim të një mbledhjeje të qeverisë, ku foli për stërvitjet e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit.

    Ai tha se “institucionet e Kosovës mbeten vigjilente dhe të gatshme për t’u përballur me çdo kërcënim”, ndërsa shtoi se “është koha që komuniteti ndërkombëtar të ndëshkojë këtë qasje destabilizuese të Serbisë që kërcënon drejtpërdrejt sigurinë dhe paqen rajonale”.

    Kurti tha se është “koha e fundit” që bota demokratike të “ndërmarrë hapa konkretë” edhe për mbrojtjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilëve u bëri thirrje që të mos bien pre e provokimeve.

    “Këto provokime në afërsi të brezit kufitar në Karaçevë nga njësia e brigadës 63 e parashutistëve të Serbisë, përmes stërvitjeve me helikopterë H145M dhe kërcënimeve me parashutë disa metra larg kufirit me Republikën e Kosovës, përbëjnë një shfaqje të rrezikshme të agresionit. Kjo shfaqje bëhet edhe më alarmuese kur kujtojmë se e njëjta njësi ka trajnuar dhe mbështetur grupin e kriminelit Milan Radoiçiq, të cilët realizuan sulmin agresor e terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, kur vranë rreshterin policor, Afrim Bunjakun – heroin e Kosovës”, tha ai.

    Kurti tha se “këto lëvizje ushtarake, kombinuar me retorikën nxitëse të presidentit të Serbisë, Vuçiq, kinse Serbia po përgatitet për një sulm të mundshëm nga një aleancë Kroaci-Shqipëri-Kosovë, si dhe blerja e armatimit kinez dhe rus, konfirmojnë se Serbia po e përdor Rusinë si mjet shantazhi për ta mbajtur rajonin e Ballkanit nën tension të vazhdueshëm”.

    Ai përmendi situatën aktuale të sigurisë në botë, që tha se është “tejet e brishtë”, ndërsa tha se Beogradi po e shfrytëzon këtë.

    “Beogradi po e shfrytëzon këtë moment për ta sfiduar gatishmërinë e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë dhe në përgjithësi stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, sipas interesave të Serbisë dhe aleatëve të saj Rusisë dhe Iranit, që duan të kenë trazira, konflikte dhe paqëndrueshmëri gjithandej”.

  • Qeveria mban 1 minutë heshtje për tre kosovarët që vdiqën tragjikisht në Vjenë

    Qeveria mban 1 minutë heshtje për tre kosovarët që vdiqën tragjikisht në Vjenë

    Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrat e tij kanë mbajtur 1 minutë heshtje për tre shtetasit kosovarë të cilët vdiqën tragjikisht pak ditë më parë në një kantier ndërtimi në Vjenë.

    Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e pestë të Qeverisë, Kurti tha se të rinjtë nga Kosova do të kujtohen përherë si punëtorë e bashkatdhetarë, derisa shtoi se vdekja e tyre duhet të shërbejë si moment përkujdesjeje dhe reflektimi për sakrificën dhe mundin e mërgatës sonë.

    “Në emër të Qeverisë në këto momente të rënda shpreh ngushëllime më të sinqerta për familjet dhe gjithë atyre që janë prekur nga kjo gjendje”, tha Kurti mes tjerash.

  • Pentagoni kërkon mbi 200 miliardë dollarë fonde emergjente për luftën në Iran

    Pentagoni kërkon mbi 200 miliardë dollarë fonde emergjente për luftën në Iran

    Pentagoni ka kërkuar më shumë se 200 miliardë dollarë nga Shtëpia e Bardhë për të financuar luftën në Iran, sipas një zyrtari të lartë të administratës.

    Në një kërkesë të re të madhe të raportuar nga The Washington Post, ky veprim ka të ngjarë të përballet me rezistencë të konsiderueshme në Kongres, shkruajnë mediat e huaja.

    Siç theksohet më tej, financimi i propozuar do të tejkalonte shumë kostot e ofensivës aktuale ajrore dhe synon rritjen e prodhimit të armëve kritike të përdorura në luftë.

    Departamenti i Mbrojtjes thuhet se ka kërkuar paketa të mëdha financimi “për të rimbushur municionet precize që janë varfëruar me shpejtësi”, pasi forcat amerikane dhe izraelite kanë goditur mijëra objektiva gjatë tre javëve të fundit.

    Mbetet e paqartë se sa do t’i kërkojë Shtëpia e Bardhë përfundimisht Kongresit të miratojë, me disa zyrtarë që dyshojnë se kërkesa e Pentagonit ka një shans real për t’u miratuar.

    Departamenti ka paraqitur disa propozime në javët e fundit si pjesë e diskutimeve të brendshme të vazhdueshme, kanë thënë zyrtarët.

    Megjithatë, kërkesa pritet të shkaktojë një betejë të madhe politike në Kongres, ku mbështetja publike për luftën mbetet e kufizuar dhe demokratët kanë shprehur kritika të forta.

    Republikanët kanë treguar mbështetje për fonde shtesë, por ende nuk kanë përcaktuar një rrugë të qartë legjislative, veçanërisht duke pasur parasysh pragun prej 60 votash të Senatit.

    Presidenti Donald Trump kishte bërë fushatë për uljen e përfshirjes së SHBA-së në konfliktet e huaja dhe kishte kritikuar shpenzimet e mëparshme për luftën në Ukrainë, ku Kongresi miratoi afërsisht 188 miliardë dollarë.

    Dhe kostoja e luftës së Iranit është rritur me shpejtësi, duke tejkaluar 11 miliardë dollarë vetëm në javën e parë, sipas zyrtarëve.

    Menjëherë pas fillimit të sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit, administrata filloi përgatitjen e një kërkese shtesë për financim për të siguruar që ushtria të mund të ruante gatishmërinë ndërsa përballonte sulmet.

    Brenda Pentagonit, përpjekja është udhëhequr nga Zëvendës Sekretari i Mbrojtjes, Steven Feinberg, i cili është përqendruar në zgjerimin e bazës industriale të mbrojtjes së SHBA-së dhe rritjen e kapacitetit të prodhimit për sistemet kryesore të armëve.

    Zyrtarët thanë se propozimet synojnë të adresojnë mungesat në municione dhe të përshpejtojnë prodhimin, megjithëse ekspertët paralajmëruan se shkallëzimi i prodhimit do të kërkonte kohë për shkak të kufizimeve në punë, objekte dhe materiale.

    Edhe para luftës, Trump kishte kërkuar një buxhet mbrojtës prej 1.5 trilion dollarësh, një propozim që shkaktoi kundërshtim të brendshëm nga Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit e Shtëpisë së Bardhë, e cila e konsideroi atë shumë të madh.

    Ligjvënësit kanë nxitur gjithashtu që fonde shtesë për operacionet e inteligjencës të përfshihen në çdo paketë përfundimtare.