ATV

Blog

  • 7 të arrestuar nga “Rrjeti Krasniqi”, dyshohet se falsifikonin dokumente për migrantët në Evropë

    7 të arrestuar nga “Rrjeti Krasniqi”, dyshohet se falsifikonin dokumente për migrantët në Evropë

    Shtatë anëtarë të një bande të njohur për falsifikimin e dokumenteve, e cila ndihmonte migrantët e paligjshëm të udhëtonin nëpër Evropë, janë arrestuar ose janë dorëzuar vetë, pas përpjekjeve të Britanisë së Madhe dhe Kosovës për të penguar aktivitetin e saj.

    Ambasada britanike në Kosovë bën me dije se “Rrjeti Krasniqi”, me bazë në Ballkanin Perëndimor, drejtonte një operacion të sofistikuar të falsifikimit, duke prodhuar dokumente identiteti, pasaporta dhe patenta shoferi, të cilat u mundësonin migrantëve të paligjshëm dhe trafikantëve të qenieve njerëzore të pretendonin në mënyrë të rreme shtetësinë e më shumë se 50 vendeve, përfshirë Britaninë e Madhe.

    Personat që aktualisht janë nën masën e arrestit janë:

    Flamur Krasniqi

    Valon Krasniqi

    Arif Krasniqi

    Nexhmije Selmani

    Shkembim Emerllahu

    Sami Duriqi

    Granit Avdyli

    Sipas medias së madhe britanike, “The Telegraph”, Flamur Krasniqi, ka qenë anëtar i grupit që dyshohet se u gjet në posedim të dokumenteve të falsifikuara; Valon Krasniqi dyshohet se është i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; kurse Arif Krasniqi pretendohet të jetë ndërmjetës i grupit që siguronte klientë për shërbimet e tyre.

    Grupi përfshinte edhe Nexhmije Selmanin, e akuzuar për ofrimin e lokaleve të përdorura nga grupi për falsifikim dokumentesh dhe për përfshirje në sigurimin e pajisjeve të falsifikimit; Shkëmbim Ermellahun, i akuzuar se u gjet në posedim të dokumenteve të falsifikuara; Sami Duriqin, i akuzuar për përfshirje në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; dhe Granit Avdylin, i cili thuhet se ka qenë i përfshirë në prodhimin e dokumenteve dhe reklamimin e shërbimeve të grupit.

    Në tetor të vitit të kaluar, pas veprimeve fillestare të organeve të rendit në Kosovë kundër tre anëtarëve të bandës, Britania e Madhe vendosi sanksione të synuara ndaj rrjetit, si pjesë e regjimit të parë në botë të sanksioneve të qeverisë kundër migracionit të parregullt.

    Në muajt në vijim, pasi identitetet e tyre u bënë publike përmes sanksioneve dhe nën presionin e autoriteteve britanike dhe kosovare, shtatë nga nëntë anëtarët e njohur të bandës janë arrestuar ose janë dorëzuar te autoritetet kosovare – i fundit prej tyre u dorëzua në maj të këtij viti.

     

  • Aleanca thirrje LVV-së: Thirreni seancën konstituive

    Aleanca thirrje LVV-së: Thirreni seancën konstituive

    Deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

    Bytyqi, në konferencën për media në hollin e Kuvendit, tha se pas qëndrimit të LDK-së se do të votojnë një president konsensual, nuk ka asnjë arsye të vonohet formimi i institucioneve të reja.

    “E di që Serbia nuk e njeh Kushtetutën, por që nuk e njeh as pushteti, nuk e kemi ditur. Pavarësisht gjithë asaj, ne do të bëjmë përpjekje që ta thërrasin LVV-në dhe ta bëjë konstituimin e Kuvendit. Mbrëmë e pamë LDK-në që thanë se nuk kanë asnjë arsye që të vonojnë konstituimin e Kuvendit. Ne i bëjmë thirrje LVV-së që ta bëjë konstituimin e Kuvendit dhe të vazhdojë me procedurat tutje”, tha ajo.

  • Myrto Uzuni spektakolar me Austin, shqiptari çon ekipin në çerekfinalet e Leagues Cup

    Myrto Uzuni spektakolar me Austin, shqiptari çon ekipin në çerekfinalet e Leagues Cup

    Myrto Uzuni vazhdon të shënojë gola mbresëlënës me fanellën e Austin, duke treguar një formë të jashtëzakonshme në këtë periudhë të sezonit.

    Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka tundur sërish rrjetën në Leagues Cup, duke ndihmuar ekipin e tij të sigurojë një vend në çerekfinalet e turneut, ku përballen skuadrat më të mira të MLS-së dhe kampionatit meksikan.

    Austin u përball me Club América në një ndeshje të luftuar, ku skuadra amerikane e pa veten në disavantazh në fillimin e pjesës së dytë. Por në minutën e 67-të ishte pikërisht Uzuni ai që riktheu baraspeshën.

    Sulmuesi shqiptar realizoi një gol spektakolar, duke goditur nga e majta dhe duke dërguar topin në cepin e largët të portës, duke i dhënë mundësi Austin-it të barazonte shifrat.

    Pas 90 minutave, rezultati mbeti 1-1 dhe fituesi u përcaktua nga gjuajtjet e penalltive. Në lotarinë e 11-metërshave, Austin triumfoi me rezultatin 6-5, ndërsa Uzuni shënoi edhe në tentativën e tij nga pika e bardhë.

    Ky sukses i siguroi Austin-it një vend në çerekfinalet e Leagues Cup, ku skuadra amerikane është një nga katër përfaqësueset e MLS-së që vijojnë rrugëtimin në turne.

    Për Uzunin, kjo ishte një tjetër paraqitje e rëndësishme, duke konfirmuar formën e shkëlqyer që po kalon me fanellën e Austin-it.

  • Arsenali refuzon ofertën e Milanit për Ethan Nwanerin

    Arsenali refuzon ofertën e Milanit për Ethan Nwanerin

    Arsenali ka refuzuar ofertën e fundit të Milanit për talentin anglez, Ethan Nwaneri.

    Milani po vazhdon kërkimet për një lojtar ofensiv cilësor që mund t’i përgjigjet kërkesave të trajnerit Ruben Amorim. Drejtuesit e klubit italian po punojnë intensivisht në merkato për të siguruar një futbollist të talentuar me këmbën e majtë, ndërsa aktualisht kanë në listën e tyre tre objektiva kryesorë.

    Preferenca e parë e “Rossonerëve” është Ethan Nwaneri. Milani tashmë ka paraqitur një ofertë zyrtare për një marrëveshje huazimi me opsion blerjeje prej 40 milionë eurosh për 19-vjeçarin.

    Megjithatë, Arsenali ka vendosur ta refuzojë propozimin e klubit italian, duke e komplikuar situatën për Milanin.

    Në sfond, drejtuesit e klubit kuqezi po monitorojnë edhe Dario Osorion e Midtjyllandit dhe Matias Soulén e Romës, të cilët mbeten alternativa për repartin ofensiv.

    Megjithatë, sipas La Gazzetta dello Sport, interesi i Milanit për sulmuesin argjentinas Matias Soulé është ftohur ndjeshëm gjatë orëve të fundit, duke e bërë Nwanerin objektivin kryesor të klubit italian.

  • FC Vushtrria zyrtarizon dy përforcime të reja për sezonin e ri

    FC Vushtrria zyrtarizon dy përforcime të reja për sezonin e ri

    FC Vushtrria po vazhdon të përforcojë skuadrën në prag të sezonit të ri në Superligën e Kosovës.

    Klubi vushtrrias ka zyrtarizuar sot dy transferime të reja, duke afruar në skuadër Gentrit Ullurin dhe Rigon Spahiun.

    Ulluri i bashkohet Vushtrrisë pas eksperiencës së fundit te Suhareka. Gjatë karrierës së tij, ai ka mbrojtur edhe fanellat e Lushnjës, Malishevës, Feronikelit 74, Vëllaznimit, Drenicës dhe Ramiz Sadikut.

    Ndërkohë, qendërmbrojtësi Rigon Spahiu vjen si një tjetër përforcim për repartin defensiv. Ai ka qenë pjesë e Shkupit, Calcio Leinfelden-Echterdingen, SG Sonnenhof Großaspach, Lirisë, FC Berdenia Berbourg dhe Olympic Charleroi. Më herët, Spahiu ka qenë pjesë edhe e akademive të 1. FC Heidenheim dhe VfB Stuttgart.

    “Gentrit, mirë se erdhe në Vushtrri! Të urojmë suksese në rrugëtimin tonë të përbashkët. Rigoni do të jetë një nga gladiatorët tanë në këtë rrugëtim. Mirë se erdhe në familjen e FC Vushtrrisë, Rigon! Shumë fat, suksese dhe një sezon të mbarë me fanellën tonë!”, shkroi klubi në njoftimin për dy përforcimet e reja.

    Vushtrria kishte zyrtarizuar një ditë më parë edhe dy transferime të tjera, Kim Sanen dhe Klejdi Palokën, duke vazhduar kështu ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri në elitën e futbollit kosovar.

  • Tërheqja e dokumentit të shtetësisë, MPB-ja me njoftim të rëndësishëm

    Tërheqja e dokumentit të shtetësisë, MPB-ja me njoftim të rëndësishëm

    Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar qytetarët e Republikës së Kosovës për ndryshimin e lokacionit të zyrës për pranimin e vendimeve për fitim, ri-fitim dhe humbje të shtetësisë me lirim.

    Sipas njoftimit, nga e hëna, 17 gusht 2026, tërheqja e dokumentit të shtetësisë do të bëhet në objektin e Agjencisë për Regjistrim Civil, në katin e parë.

    Objekti ndodhet në rrugën “Luan Haradinaj”.

    MPB-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që nga kjo datë të drejtohen në lokacionin e ri për kryerjen e këtyre shërbimeve.

  • Hamza: Pas qëndrimit të fundit të LDK-së, rruga për formimin e institucioneve është hapur – LVV s’do partneritet, por nënshtrim

    Hamza: Pas qëndrimit të fundit të LDK-së, rruga për formimin e institucioneve është hapur – LVV s’do partneritet, por nënshtrim

    Bedri Hamza tha se “tash, pas qëndrimit të fundi të LDK-së, rruga është e hapur” për formimin e institucioneve.

    “I kanë numrat, i kanë votat”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në një konferencë për media në hollin e Kuvendit, dhe shtoi se Lëvizja Vetëvendosje s’duhet ta mbajë vendin “në vakum institucional, me mungesë stabiliteti politik, e mbi të gjitha, me shkelje të vazhdueshme të ligjit dhe suspendim të Kushtetuës.

    “Nuk ka situatë më serioze, nuk mund të ketë situatë më serioze sesa suspendimi irendit kushtetues, sesa mosrespektimi i rregullores së punës së Kuvendit, sesa mosrepsektimi i vendimeve të gjykatave, përfshirë edhe vendimin e Gjykatës Supreme”, tha ai.

    Hamza tha se ai nuk ka mundur të ketë rezultate produktive me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për shkak se, siç tha, ai “nuk do bashkëpunim”, po “nënshtrim”.

    Ai tha se PDK-ja s’ka vendosur “vija të kuqe të bashkëpunimit” dhe “nuk u ka ikur takimeve.

    “Jemi taku. Nuk kanë qenë takime produktive, me rezultat. Zoti Kurti nuk do bashkëpunim, nuk do partneritet – do nënshtrim. Partia Demokratike e Kosovës, bazuar në të gjitha këto fakte, ka ardhur në qëndrimin e saj, i cili është i qartë, është publik, është zyrtar: ne do ta luajmë rolin tonë në Kuvendin e Republikës së Kosovës si parti opozitare, me kritika, me alternativa, por edhe me përkrahje të çështjeve të rëndësishme për interesin e vendit”, tha ai.

  • Përfundojnë adresimet nga foltorja e Kuvendit, deputetët e PDK’së dhe AAK’së dalin nga salla

    Përfundojnë adresimet nga foltorja e Kuvendit, deputetët e PDK’së dhe AAK’së dalin nga salla

    Ka përfunduar konferenca e kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në foltoren e Kuvendit.

    Nga aty Hamza i bëri thirrje kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, që të thërrasë seancën konstituive, ndërsa tha se me PDK’në nuk do të mund të komunikohet pa u kthye rendi kushtetues.

    Fjalë mbajti edhe deputeti i AAK’së, Burim Ramadani.

  • Erling Haaland nderohet me katër rekorde Guinness për arritjet e tij të jashtëzakonshme

    Erling Haaland nderohet me katër rekorde Guinness për arritjet e tij të jashtëzakonshme

    Sulmuesi i Manchester Cityt, Erling Haaland, është nderuar me katër certifikata të Rekordeve Botërore Guinness për arritjet e tij të jashtëzakonshme në shënimin e golave.

    Çmimet iu dorëzuan 26-vjeçarit norvegjez përpara fillimit të sezonit të ri, në shenjë vlerësimi për rekordet e vendosura prej tij në Premier League, Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Kombeve.

    Haaland u bë lojtari më i shpejtë në histori që arriti kuotën e 100 golave në Premier League, duke e realizuar këtë në vetëm 111 ndeshje. Rekordi u konfirmua më 2 dhjetor 2025, kur norvegjezi shënoi kundër Fulhamit.

    Sulmuesi i Cityt mban gjithashtu rekordin për numrin më të madh të golave të shënuar në një sezon të vetëm të Premier League. Në sezonin 2022/23, Haaland realizoi 36 gola, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 34 golash, të vendosur nga Andy Cole dhe Alan Shearer.

    Rekordi i tretë lidhet me Ligën e Kombeve, ku Haaland është golashënuesi më i mirë në historinë e kompeticionit me 19 gola, të shënuar nga shtatori i vitit 2020 deri në nëntor të vitit 2024.

    Certifikata e katërt i është dhënë për barazimin e rekordit të Ligës së Kampionëve, pasi Haaland shënoi pesë gola në një ndeshje të vetme kundër RB Leipzig më 14 mars 2023. Para tij, këtë arritje e kishin realizuar vetëm Lionel Messi dhe Luiz Adriano.

    Në pak më shumë se tre vjet në futbollin anglez, Haaland është shndërruar nga një talent premtues në një nga sulmuesit më dominues në aspektin statistikor. Popullariteti i tij është rritur ndjeshëm edhe jashtë fushës, me numrin e ndjekësve të tij në Instagram që u rrit me 24 milionë gjatë Kupës së Botës së fundit.

    Tashmë, Haaland po përgatitet për sfidat e reja me Manchester Cityn dhe trajnerin Enzo Maresca. Objektivi kryesor i klubit është rikthimi te titulli i Premier League, pasi City dështoi ta fitonte kampionatin sezonin e kaluar.

    Sezonin e ri, Manchester City do ta nisë me Community Shield, ku do të përballet me Arsenalin në Cardiff.

  • Ramadani akuzon pushtetin për ikje nga përgjegjësitë: Po e çojnë Kosovën drejt vakumit institucional

    Ramadani akuzon pushtetin për ikje nga përgjegjësitë: Po e çojnë Kosovën drejt vakumit institucional

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që t’i japë fund vakumit institucional dhe të mundësojë funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës.

    Ramadani, në një konferencë për media nga foltorja e Kuvendit, tha se është “totalisht e paimagjinueshme” që vakumi institucional të mos konsiderohet si çështje e sigurisë kombëtare.

    “Ajo që e besoj dhe që e kemi shqetësim të gjithë është fakti se Kosova dhe Kuvendi duhet të jenë funksionalë. Për shembull, edhe kërcënimin me rrjedhjen e Ibër-Lepencit, sepse nuk ka kush e trajton. Edhe për çmimet e larta”, tha Ramadani.

    Ai theksoi se askush nuk po e konteston fitoren e Vetëvendosjes në zgjedhjet e qershorit, por sipas tij, është vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që po e konteston situatën politike.

    “Askush nuk po ia konteston fitoren e qershorit. Bindja jonë është që ajo do të jetë fitorja e fundit. Nuk po i kontestojmë në asnjë gjë, është vetë Kurti që po konteston”, u shpreh ai.

    Ramadani akuzoi pushtetin se po shmang përgjegjësitë dhe paralajmëroi se AAK-ja nuk do të lejojë që Kosova të mbetet në vakum institucional.

    “Gjithçka që po bëjnë është që po ikin nga përgjegjësitë. Këtë nuk do ta lejojmë. E kemi për obligim që të mos e lejojmë Kosovën të futet në vakum institucional”, deklaroi ai.

    Ai shtoi se nëse pas kësaj situate fshihen qëllime të tjera, “do ta shohim”, duke e cilësuar vakumin institucional si çështje thelbësore për funksionimin dhe sigurinë e vendit.