ATV

Blog

  • Vazhdon rritja e çmimit të naftës në Kosovë

    Vazhdon rritja e çmimit të naftës në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë të ditura çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës për ditën e sotme.

    Sipas njoftimit, çmimi maksimal i naftës është caktuar në 1.75 euro për litër që është 2 centë më shtrenjtë se sa ditën e djeshme.

    Ndërkaq, benzina do të tregtohet me çmim maksimal prej 1.50 euro për litër, shifër kjo që nuk shënon rritje prej ditës së djeshme, ndërsa gazi do të tregtohet me 0.61 euro për litër.

    Sipas ministrisë, këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Barcelona ndryshon objektiv, Flick jep dritën jeshile për sulmuesin e Sportingut

    Barcelona ndryshon objektiv, Flick jep dritën jeshile për sulmuesin e Sportingut

    Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, thuhet se ka dhënë miratimin për transferimin e një sulmuesi alternativ, pas vështirësive të klubit katalanas për të siguruar shërbimet e Julian Alvarez nga Atletico Madrid këtë verë.

    Flick kishte këmbëngulur për transferimin e sulmuesit argjentinas si objektivin e tij kryesor, por vështirësitë e paraqitura nga Atletico Madrid për arritjen e një marrëveshjeje duket se kanë bërë që trajneri gjerman të ndryshojë qëndrim.

    Sipas gazetarit Gerard Romero, Flick i ka dhënë dritën jeshile Barcelonës për të ndjekur një lëvizje për sulmuesin e Sporting Lisbonës, Luis Suarez.

    Suarez është shfaqur si një alternativë e mundshme për repartin ofensiv të Barcelonës, megjithëse negociatat me klubin portugez pritet të jenë të vështira.

    Sulmuesi 28-vjeçar nga Kolumbia zhvilloi një sezon të shkëlqyer në vitin 2025/26, duke shënuar 38 gola dhe duke dhënë nëntë asistime në të gjitha kompeticionet.

    Sipas faqes së specializuar Transfermarkt, vlera e Suarez vlerësohet rreth 30 milionë euro. Megjithatë, në rast të një transferimi, Sporting Lisbona nuk pritet të pranojë një ofertë më të ulët se klauzola e lirimit prej 80 milionë eurosh.

    Barcelona tashmë duhet të vendosë nëse do të tentojë të arrijë një marrëveshje për Alvarez apo do të fokusohet te alternativa kolumbiane.

  • Sint-Truiden blen përfundimisht Arbnor Mujën, shqiptari merr fanellën me numër 7

    Sint-Truiden blen përfundimisht Arbnor Mujën, shqiptari merr fanellën me numër 7

    Klubi belg, Sint-Truiden, ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e përhershëm të sulmuesit anësor shqiptar, Arbnor Muja, nga Samsunspor.

    Pas një huazimi njëvjeçar, Sint-Truiden ka vendosur të blejë përfundimisht kartonin e futbollistit shqiptar nga klubi turk. Paraqitjet e tij pozitive gjatë sezonit duket se kanë bindur drejtuesit e klubit belg për ta bërë marrëveshjen të përhershme.

    Muja zhvilloi 28 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar gjashtë gola dhe dhënë dy asistime. Këto statistika kanë qenë të mjaftueshme që Sint-Truiden të vendoste për blerjen përfundimtare të tij.

    Transferimi është konfirmuar nga faqja zyrtare e klubit belg, e cila ka bërë të ditur gjithashtu se Muja do të vazhdojë të mbajë fanellën me numër 7.

    “STVV blen përgjithmonë Arbnor Mujën nga Samsunspor”, shkruan klubi belg në njoftimin e tij zyrtar.

    Kujtojmë se Muja ka luajtur më herët për Trepçën, Trepçën ’89, Skënderbeun, Dritën dhe Royal Antwerp, përpara transferimit te Samsunspor.

  • Arrestohet gjyqtari i Themelores, dyshohet për keqpërdorim të detyrës

    Arrestohet gjyqtari i Themelores, dyshohet për keqpërdorim të detyrës

    Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Njësinë e Veçantë Hetimore të Policisë së Kosovës, ka ndërmarrë një aksion hetimor që ka rezultuar me arrestimin e një gjyqtari të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me inicialet A.G.

    Sipas Prokurorisë Speciale, gjyqtari dyshohet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”.

    Hetimi ndaj tij është zhvilluar në mënyrë intensive dhe të vazhdueshme për disa muaj.

    Prokuroria thotë se gjatë kësaj periudhe, organet e hetuesisë kanë siguruar të dhëna dhe prova mbi bazën e të cilave Specialja ka vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirjen e tij në veprën penale.

    Për këtë arsye, është ndërmarrë masa e arrestimit.

    “Me qëllim të respektimit të integritetit të procesit hetimor dhe parimit të prezumimit të pafajësisë,nuk mund të ndahen detaje të tjera në këtë fazë. Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në luftimin e korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe veprave të tjera penale, duke vepruar në përputhje me ligjin dhe me standardet e drejtësisë penale”, thotë Prokuroria.

  • Kurti i përgjigjet Abixhikut: E ndoqa qëndrimin e mikut tim – nuk është pak ta marrësh Kryetarin e Kuvendit

    Kurti i përgjigjet Abixhikut: E ndoqa qëndrimin e mikut tim – nuk është pak ta marrësh Kryetarin e Kuvendit

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar sot qëndrimin e LDK’së që e prezantoi dje se do të mbesë në opozitë dhe se Presidenti duhet të jetë jopartiak dhe që e mbron “Kushtetutën e Republikën”.

    Ai iu referua si “mik” kreut të LDK’së, Lumir Abdixhiku, ndërsa për të tha se s’do të “kishte qenë pak po të bëhej” zëvendës i tij në qeveri.

    Gjithashtu, Kurti insistoi se pak s’është për LDK edhe po ta merrte postin e kryeparlamentarit.

    “E ndoqa edhe mbrëmë qëndrimin e deklaratën publike të mikut tim, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixihiku, i cili tha se LDK-ja do të qëndrojë në opozitë. Unë besoj që LDK-ja është dashur të vijë në bashkëqeverisje. Ta kemi një marrëveshje politike. Nuk është e thënë të jetë identike me rezultatin e zgjedhjeve – 53 me 18 – por edhe deformim i rezultatit nuk mund të jetë. Pra, me 18 deputetë ta marrësh kryetarin e Kuvendit nuk është pak”.

  • U aksidentuan rrugës për në Gjermani, sot varrosen tre mërgimtarët nga Kosova

    U aksidentuan rrugës për në Gjermani, sot varrosen tre mërgimtarët nga Kosova

    Tre mërgimtarët nga Kosova që humbën jetën tragjikisht në një aksident trafiku në Gjermani do të varrosen sot.

    Tahir Tahiri, Gentian Tahiri dhe Laurent Aliu do të përcillen për në banesën e fundit në një ceremoni mortore që do të mbahet në orën 17:00, në lagjen Nuhaj të fshatit Komogllavë të Ferizajt.

    Tre të rinjtë humbën jetën në aksidentin tragjik teksa po ktheheshin nga Kosova drejt Gjermanisë, ku jetonin dhe vepronin.

    Familjarë, miq dhe të afërm pritet të mblidhen sot për t’u dhënë lamtumirën e fundit tre mërgimtarëve.

  • Policia tregon shkeljet që çuan në largimin nga puna të dhëndrit të Thaçit

    Policia tregon shkeljet që çuan në largimin nga puna të dhëndrit të Thaçit

    Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me largimin nga puna të togerit policor Arben Visoqi, një ditë pasi ai bëri të ditur se pas 26 vitesh shërbim është larguar nga Policia e Kosovës.

    Ai kishte deklaruar po ashtu se ndaj tij ishte iniciuar një procedurë disiplinore pas një ankese anonime dhe kishte pretenduar edhe për hakmarrje për shkak të raporteve sinjalizuese që, sipas tij, kishte bërë ndaj zyrtarëve brenda Policisë.

    Por Policia e Kosovës, përmes një komunikate, ka treguar për arsyet e largimit të tij.

    Sipas Policisë, ndaj Visoqit janë iniciuar gjithsej 15 raste disiplinore, prej të cilave 13 janë trajtuar në nivel qendror dhe dy në nivel rajonal.

    Policia thotë se tri prej këtyre rasteve kanë të bëjnë me shkrime dhe komente në rrjete sociale, ku në total janë shqiptuar gjashtë masa disiplinore.

    “Nga 15 raste të iniciuara, 3 prej tyre kanë pasur të bëjë me shkrime dhe komente në rrjete sociale, ku në total janë shqiptuar 6 masa disiplinore ,duke përfshirë edhe rastin e fundit në gusht 2026, Ndërprerje e Marrëdhënies së Punës me vendim të PK-së. Në 3 rastet e trajtuara që kanë të bëjnë me rrjetet sociale, janë shqiptuar masat;

    – Ndalesë në pagë 30% për 2 muaj, e iniciuar në vitin 2016 dhe shqiptuar masa po ashtu në vitin 2016.

    – Ndalesë në pagë 30% për 6 muaj, e iniciuar në vitin 2025 dhe shqiptuar masa në vitin 2026.

    -“Ndërprerje e marrëdhënies së punës”, e iniciuar në vitin 2026 dhe shqiptuar masa po ashtu në vitin 2026”, thotë Policia, transmeton Klankosova.tv.

    Policia thotë se Visoqi, sipas tyre, ka vazhduar me të njëjtat shkelje, duke vepruar në kundërshtim me procedurat disiplinore.

    Sipas komunikatës, shkeljet lidhen me sjellje të rëndë diskredituese, mosbindje të rëndë dhe shkelje të rëndë të autorizimit, përfshirë publikimin, shpërndarjen apo komentimin e postimeve, fotografive, videove dhe incizimeve që, sipas Policisë, dëmtojnë imazhin e institucionit.

    “Mirëpo meqë zyrtari ka vazhduar me shkeljet e njëjta duke rënë në kundërshtim me procedurat e parapara ligjore, Udhëzimin Administrativ me nr. 04/2019, për Shkeljet, Masat dhe Procedurat Disiplinore në Policinë e Kosovës, Neni 20. Sjellja e rëndë diskredituese, paragrafi 1, pika 1.14. Sillet në mënyrë të tillë duke dëmtuar imazhin e Policisë së Kosovës gjatë kryerjes së detyrës apo jashtë saj; Neni 21 Mosbindja e rëndë, paragrafi 1, nen. par. 1.13. Me veprim apo mosveprim, nuk zbaton apo nënvlerëson urdhrat apo udhëzimet nga autoriteti i nivelit qendror; dhe Neni 24 Shkelja e rëndë e autorizimit paragrafi 1, nen. para. 1.17 Publikon, shfaq, shpërndan apo komenton postime, fotografi, video dhe incizime që dëmtojnë imazhin e Policisë”, thuhet tutje në komunikatë.

    Ndërkohë, lidhur me vendimin për largimin nga puna, Policia bën të ditur se palëve u është dhënë mundësia për ankesë në gjykatën kompetente.

    “Lidhur me vendimet PK-së, palëve iu jepet këshillë juridike për të drejtë të ankesës në gjykatën kompetente”.

    Visoqi, në reagimin e tij të djeshëm, kishte deklaruar se do t’i adresojë pretendimet e tij në rrugë ligjore, duke thënë se tani i mbetet ta mbrojë të drejtën e tij në gjykatë dhe në instanca të tjera.

    Arben Visoqi është po ashtu dhëndër i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, lidhje familjare të cilën ai vetë e përmendi në reagimin e tij.

  • Zemaj: LVV-ja duhet ta thërrasë seancën, askush s’është mbi institucionet

    Zemaj: LVV-ja duhet ta thërrasë seancën, askush s’është mbi institucionet

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se Kosova ka nevojë për institucione funksionale, teksa i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që ta thërrasë seancën konstituive.

    “Lëvizja Vetëvendosje duhet ta thërrasë seancën! Konstituimi i Kuvendit duhet të ndodhë. Askush nuk guxon t’i mbajë peng institucionet e vendit dhe ta thellojë krizën politike. Provokimi i situatës nuk është në interes të Kosovës. Pushtetet shkojnë e vijnë, por Kosova është mbi të gjitha. Mjaft me këto lojëra politike. Pushteti fitohet dhe mbahet në mënyrë demokratike, përmes rregullave, ligjeve dhe Kushtetutës. Askush nuk është mbi institucionet dhe askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng shtetin”, ka shkruar ai në Facebook.

    Të enjten, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi se partia e tij ka vendosur ta japë votën për kandidat konsensual për president duke hequr dorë nga përcaktimi paraprak se çdo marrëveshje me LVV-në duhet të nënkuptojë që ky post t’i takojë LDK-së.

    “Le t’i ketë të gjitha LVV-ja”, ka thënë Abdixhiku pas mbledhjes së deputetëve të LDK-së të enjten.

  • Kurti: Tash duhet të flasim për emra, ka me dhjetëra persona të denjë për President, por s’i them tash

    Kurti: Tash duhet të flasim për emra, ka me dhjetëra persona të denjë për President, por s’i them tash

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se po kërkon të takohet “sa më parë” me kryetarët e tri partive të tjera të mëdha parlamentare.

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se tani duhet të kalojnë “tek emrat e përveçëm” për Presidentin.

    “Unë e përshëndes thirrjen e kryetarit Abdixhiku që edhe partitë e tjera… gjithpërfshirës të jetë Presidenti. Pra, të mos jenë vetëm dy subjekte: vetëm Vetëvendosja dhe vetëm LDK-ja. Të jenë edhe të tjerët. Dhe me këtë ide unë mbrëmë iu kam shkruar të tre kryetarëve të partive. I kam shkruar edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, edhe kryetarit të AAK-së, Ardian Gjini, edhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku që sa më parë të takohemi dhe të merremi vesh për Presidentin”, tha ai.

    “Duhet të takohemi, njëmend të flasim për karakteristikat e figurës presidenciale, por për besë duhet të fillojmë të flasim edhe me emra, sepse po humbim shumë kohë. A më së shumti humbim kohë duke shkuar në zgjedhje”, tha Kurti.

    Ai tha se ka “dhjetëra të tillë” të denjë për pozitën e Presidentit të vendit.

    “Unë mendoj që ka me dhjetëra të tillë në shoqërinë tonë, në univeristetet tona, në akademinë tonë, në jetën politike. Ata që kanë kontribuar në rezistencë paqësore, ata që kanë kontribuar në luftë çlirimtare, ata që kanë kontribuar në shtetndërtim demokratik. Kemi me dhjetëra figura që mund të jenë President”, tha ai.

    Kurti u tha gazetarëve se nuk dëshiron t’i thotë para tyre emrat që i ka në mendje.

    “Tash më kurseni që unë t’ua them juve emrat, sepse, siç e dini, emrin që e përmendi unë, po ia vënë vulën time, ndërkohë që ato personalitete janë të shquara në shoqërinë tonë. në popullin tonë, dhe unë kërkoj që sa më parë të ulemi me Bedri Hamzën, Lumir Abdixhikun dhe Ardian Gjinin”, tha ai.

    Kurti tha se President duhet të jetë “dikush që është jashtë skenës aktuale politike, jashtë polemikave ditore partiake dhe që është figurë unifikuese”.

    Ai tregoi se kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku i kishte ofruar një “President konsensual” dhe që LDK-ja ta merrte pozitën e zëvendëskryeministrit dhe tri ministri, apo që president të bëhej nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca dhe që LDK-ja ta merrte pozitën e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri.

  • KRU “Prishtina” shkyç konsumatorë me borxhe deri në 3 mijë euro, gjenden edhe lidhje ilegale

    KRU “Prishtina” shkyç konsumatorë me borxhe deri në 3 mijë euro, gjenden edhe lidhje ilegale

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka zhvilluar sot aksione në zonën e Prishtinës, ku janë realizuar disa shkyçje të konsumatorëve që kanë borxhe për shërbimet e ujësjellësit.

    Sipas KRU “Prishtina”, shkyçjet janë bërë ndaj konsumatorëve me borxhe që variojnë nga 500 deri në 3 mijë euro.

    Gjatë aksionit, ekipet e kompanisë kanë identifikuar edhe një numër të lidhjeve ilegale të ujit, ndaj të cilave janë ndërmarrë masat përkatëse.

    KRU “Prishtina” ka paralajmëruar se aksionet do të vazhdojnë gjatë gjithë muajit, në kuadër të përpjekjeve për të parandaluar keqpërdorimin e ujit dhe për të rritur pagesat për shërbimet e ofruara.

    Kompania u ka bërë thirrje konsumatorëve që t’i përmbushin obligimet e tyre dhe të mos përdorin lidhje të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit.