ATV

Blog

  • Natë e zjarrtë në Prishtinë, tifozët e Kosovës krijojnë presion para finales me Turqinë

    Natë e zjarrtë në Prishtinë, tifozët e Kosovës krijojnë presion para finales me Turqinë

    Vetëm pak orë para përballjes historike ndaj Turqisë, atmosfera në Prishtinë ka nisur të ndizet që gjatë natës, me tifozët e Kombëtares së Kosovës që kanë krijuar një ambient të pazakontë pranë ekipit mysafir.

    Pas mesnatës, në afërsi të hotelit ku është akomoduar Kombwtarja turke janë dëgjuar shpërthime fishekzjarrësh dhe brohoritje nga tifozët vendas, duke prishur qetësinë e ekipit kundërshtar në prag të sfidës vendimtare.

    Qëllimi i kësaj lëvizjeje ishte i qartë, të rritet presioni ndaj Turqisë dhe të krijohet një avantazh psikologjik para ndeshjes që zhvillohet sonte nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

    Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku pamjet e fishekzjarrëve janë shpërndarë gjerësisht dhe kanë hapur diskutime të ndryshme mbi këtë formë mbështetjeje nga tifozët.

    Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse kjo natë e trazuar do të ndikojë në performancën e Turqisë në fushë, në një duel ku çdo detaj, fizik apo psikologjik, mund të jetë vendimtar.

    Ndërkohë, gjithçka është gati për një mbrëmje të madhe në “Fadil Vokrri”, ku pritet një atmosferë elektrizuese dhe një ndeshje e zjarrtë që mund të përcaktojë fatin e Kosovës në rrugën drejt Kupës së Botës 2026.

  • INTEGRA garantonte se  fotografitë e ekspozitës “Masakrat në Kosovës” janë zgjedhur me kujdes – “Kemi mbështetjen e Kuvendit”

    INTEGRA garantonte se fotografitë e ekspozitës “Masakrat në Kosovës” janë zgjedhur me kujdes – “Kemi mbështetjen e Kuvendit”

    Është publikuar kërkesa e INTEGRA’s drejtuar komunës së Prishtinës, për lejimin e zhvillimit të ekspozitës për masakrat në Kosovë, e cila u kritikua ashpër për shkak të pasaktësive në të dhëna.

    Në letrën drejtuar kryeqytetit, INTEGRA kërkon nga komuna që t’i lejohet shfrytëzimi i hapësirave në sheshin Nënë Tereza, duke theksuar se aty do të ekspozoheshin 52 panele ‘’ me tekst dhe fotografi që dokumentojnë 50 masakra të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë 1998–1999’’, përcjell Gazeta Express.

    ‘‘Këto panele do të vendosen përgjatë fillimit deri në fund të sheshit “Nënë Tereza”, në të dy anët e sheshit, në mes të drunjve (1 panel mes të 2 drunjve). Gjithashtu, me anë të kësaj kërkese, kërkojmë leje për hyrje në shesh me automjete për bartjen e paneleve për ekspozitë, konkretisht në këto pika: Te Hotel Grand; Te Kuvendi i Kosovës.’’, thuhet mes tjerash aty.

    Aty theksohet edhe se ekspozita është përkrahur nga kuvendi, dhe se ‘‘fotografitë e përfshira në ekspozitë janë përzgjedhur me kujdes, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e hapësirës publike.’’.

    Letra e plotë:

    Të nderuar,

    Shpresoj që jeni mirë me shëndet dhe me punë.

    Ju drejtohem me këtë kërkesë për të marrë leje për shfrytëzimin e hapësirës publike në sheshin Nënë Tereza, me qëllim të organizimit të ekspozitës së përkohshme “Masakrat në Kosovë 1998–1999”.

    Ekspozita do të hapet më 27 mars 2026 dhe do të qëndrojë e hapur për 14 ditë. Në kuadër të saj do të ekspozohen 52 panele (2×1 m) me tekst dhe fotografi që dokumentojnë 50 masakra të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë 1998–1999.

    Këto panele do të vendosen përgjatë fillimit deri në fund të sheshit “Nënë Tereza”, në të dy anët e sheshit, në mes të drunjve (1 panel mes të 2 drunjve).

    Gjithashtu, me anë të kësaj kërkese, kërkojmë leje për hyrje në shesh me automjete për bartjen e paneleve për ekspozitë, konkretisht në këto pika:

    Te Hotel Grand;

    Te Kuvendi i Kosovës.

    Kjo ekspozitë organizohet nga OJQ Integra me mbështetje nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe synon të kontribuojë në informimin e publikut dhe në kujtesën kolektive për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

    Fotografitë e përfshira në ekspozitë janë përzgjedhur me kujdes, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e hapësirës publike. Ato nuk paraqesin skena morbide apo pamje grafike të dhunës, por synojnë të dokumentojnë vuajtjen dhe pasojat njerëzore të krimeve të luftës në mënyrë dinjitoze dhe të përgjegjshme.

    Gjatë kohës së shfrytëzimit, do të sigurohemi që hapësira publike të ruhet e pastër dhe të mos dëmtohet në asnjë mënyrë.

    Ju lutem që ta shqyrtoni kërkesën tonë dhe të na njoftoni për procedurat e mëtejme. Nëse ju nevojiten informata shtesë, mos hezitoni të na kontaktoni.

    Faleminderit për kohën dhe bashkëpunimin tuaj!

    Me respekt,

    Kushtrim Koliqi
    INTEGRA
    Drejtor ekzekutiv

  • Gjoshi: Presidentja ta emëroj anëtarin e PDK-së në KQZ që sot

    Gjoshi: Presidentja ta emëroj anëtarin e PDK-së në KQZ që sot

    Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje presidentes, Vjosa Osmani, që pa humbur kohë ta emërojë anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ, Rashit Qalaj. Kërkesa e PDK-së vjen pas vendimit te Gjykates Kushtetuese e cila shpalli të papranueshme kërkesën e presidentes Osmani për sqarimin lidhur me çështjen e emërimit të anëtarëve të KQZ-së.

    Sekretari për Anëtarësi dhe Financa në PDK, Betim Gjoshi, tha për RTV21 se kërkesa e Osmanit në Kushtetuese ka qenë e panevojshme meqë ndarja e mandateve në KQZ është më se e qartë.

    “Kërkesa e presidentes Osmani ka qenë e panevojshme, në vitin 2021 për njëjtën çështje i është drejtuar gjykatës dhe ka pasur pegjigje si dhe ka qenë e panevojshme edhe për shkak të konfigurimit të kuvendit i cili përafërisht ngjashëm si 2021 VV kishte 58 sot 57 PDK kishte 19 sot ka 22 edhe Osmani në atë kohë na kishte dhënë dy mandate neve dy VV-së ashtu siç e thotë edhe kushtetuta. Ne presim qe ajo sa më shpejtë ta emëroj anëtarin PDK z. Qalaj i cili i plotëson të gjitha kriteret…Nëse shikojmë praktikën deri më tani dhe lexojmë kushetutën drejt, mandati i takon PDK-së. Nuk ndahen mandatet në baza të asaj se sa mandate ke në Kuvend por ndahen duke marrë përbazë nenin 139 kushteutës dhe Ligjin për zgjedhjet dhe presim që znj Osmani, i bëjmë thirrje që sot pa humbur kohë ta emëroj anëtarin e PDK-së”, tha Gjoshi për RTV21.

  • Buleshkaj: Mbi 90% e zyrtarëve kanë deklaruar pasurinë, vonesat ndëshkohen me gjoba

    Buleshkaj: Mbi 90% e zyrtarëve kanë deklaruar pasurinë, vonesat ndëshkohen me gjoba

    Afati për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët publik po i afrohet fundit, ndërsa drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, bën të ditur se mbi 90% e zyrtarëve tashmë e kanë përmbushur këtë obligim, por paralajmëron gjoba për ata që nuk e respektojnë afatin.

    Në një intervistë Buleshkaj theksoi se afati i fundit për deklarimin e pasurisë përfundon sot në orën 23:59.

    “Shumica dërrmuese e zyrtarëve, mbi 9 mijë, kanë deklaruar pasurinë tashmë. Janë mbi 90% e zyrtarëve që e kanë përfunduar këtë proces. I kemi mbi 400 të cilët ende nuk kanë filluar deklarimin e pasurisë dhe i kemi 530 të cilët janë në përfundim të deklarimit të pasurisë. Do të thotë jemi në 900-shin e fundit të deklarimit të pasurisë.

    Po ashtu edhe afati i deklarimit të pasurisë është në fund. Kanë mbetur tashmë vetëm edhe 12-13 orë për ta deklaruar pasurinë sepse mbyllet si afat në mesnatë, do të thotë në orën 23:59:59 sekonda mbyllet sistemi. Dhe si i tillë, secili që vonohet edhe një minutë pas mesnate, kualifikohet për të pranuar një gjobë e cila është 30% e pagës mujore të atij zyrtari”, tha ai.

    Buleshkaj, kritikoi praktikën e lënies së deklarimit për momentet e fundit nga një pjesë e zyrtarëve.

    “Edhe kësaj radhe, ngjashëm me radhët e kaluara, kemi numër goxha të madh të zyrtarëve që e kanë lënë deklarimin e pasurisë për momentet e fundit, e që nuk është një praktikë shumë e mirë. Sidomos për ata që mund të kenë diçka të paqartë në proces dhe kanë nevojë të konsultohen me Agjencinë. Ne kemi numër të vogël të zyrtarëve që janë të ngarkuar me punët e deklarimit të pasurisë dhe ata nuk do të kenë mundësi që të pranojnë 1000 telefonata potenciale përnjëherësh.

    Që nga fillimi kemi bërë thirrje që secilin zyrtar ta fillojë më herët deklarimin e pasurisë dhe ta përfundojë shumë më herët. Për më tepër, sot kemi një arsye shtesë ta kryejmë më herët sepse është një lojë futbollistike shumë e rëndësishme ku shumica e qytetarëve të Kosovës janë të interesuar ta përcjellin. Ajo zgjat afërsisht deri në fund të afatit dhe ka shumë mundësi që t’ju kalojë afati zyrtarëve të caktuar dhe të kualifikohen, siç e përmenda më herët, për gjobë”, u shpreh ai.

    Ai u bëri thirrje zyrtarëve që ta përfundojnë sa më shpejt këtë obligim dhe të kërkojnë ndihmë në rast nevoje.

    “Kështu që edhe njëherë u bëjmë thirrje që të gjithë ta kryejnë obligimin sa më herët që është e mundur gjatë ditës. Në qoftë se kanë pyetje për Agjencinë, t’i adresohen përmes numrave të cilët tashmë ata i kanë dhe i dinë. Për më tepër ka edhe email, përmes të cilit do të tentojmë t’ju kthejmë përgjigje të gjithë atyre që kanë ndonjë pyetje. Sistemi është funksional, duhet ta theksoj, është goxha intuitiv, është i sigurt dhe të gjithë ata mund ta kryejnë obligimin në kohë. Kushdo që ka harruar fjalëkalimin mund ta resetojë fjalëkalimin e tyre, është një procedurë mjaft e thjeshtë duke i vendosur kredencialet që janë numri personal dhe emaili kontaktues i cili është përdorur për deklarimin e pasurisë. Si të tillë, janë hapa tepër të lehtë”, thotë ai.

    Buleshkaj nënvizoi se procesi i deklarimit është i thjeshtë dhe kërkon pak kohë për shumicën e zyrtarëve.

    “Deklarimi i pasurisë, për kushdo që s’ka pasur dallim të madh në këto vitet e fundit apo nga viti i kaluar deri në këtë vit, është çështje minutash për ta kryer obligimin sepse të gjitha të dhënat e herës së kaluar tashmë janë në sistem, vetëm kanë nevojë t’i përditësojnë ato. Për shembull, në qoftë se dikush nuk ka pasuri të paluajtshme shtesë (apartamente, tokë, etj.), nuk ka nevojë t’i prekë fare, thjesht i kalon si hapa. Në qoftë se ka vetëm dallim në të hyra, i ndryshon vetëm të hyrat dhe mund ta dërgojë të gjithë regjistrin për një kohë shumë të shkurtër, çështje minutash. Këtu po flas nga përvoja ime sepse edhe të gjithë zyrtarët e Agjencisë janë subjekte deklaruese dhe ne të gjithë e kemi kryer deklarimin e pasurisë. Për mua, për shembull, ka marrë disa minuta si proces dhe ka qenë shumë lehtë për t’u përfunduar”, thekson Buleshkaj.

    Ai shpjegoi se gjobat për mosdeklarim janë të shkallëzuara në bazë të pagës së zyrtarëve.

    “Ligji e ka paraparë që gjoba, e cila shqiptohet në mënyrë mandatore nga Agjencia, të jetë e shkallëzuar varësisht nga paga që pranon zyrtari. Në qoftë se një zyrtar e ka një pagë më të lartë, për shembull 1500 euro, gjoba për të është rreth 500 euro. Për dikë tjetër që e ka më të vogël, në qoftë se është po thojmë 1000 euro, gjoba do të jetë 300 euro. Do të thotë është e shkallëzuar varësisht, është në bazë të pagës, jo pagës mesatare, por pagës reale që zyrtari pranon në bazë mujore. Ata që kanë paga më të vogla, normal që kanë edhe gjobë më të vogël. Por, sidoqoftë, çfarëdo gjobë që pranohet, duke pasur parasysh që edhe në sektorin publik nuk ka pagë më të vogël se po besoj rreth 500 euro, gjoba minimale do të jetë mbi 150 euro, që është shumë goxha e madhe dhe substanciale për secilin qytetar të Kosovës, për më tepër në kohën kur edhe çmimet nuk janë duke u zbritur por janë duke u ngritur në mënyrë të vazhdueshme”, thotë drejtori.

    Buleshkaj paralajmëroi edhe pasoja më të rënda në rast të mosrespektimit të afateve edhe pas gjobës fillestare.

    “Po flasim tashmë për afatin e parë, do të thotë për të gjithë ata që deklarimin e bëjnë pas 1 prillit. Secili zyrtar publik i cili është i obliguar ta kryejë këtë deklarim dhe nuk e kryen, për 15-ditëshin e parë pason gjoba (30% e pagës). Në qoftë se vonohet më shumë se 15 ditë pas afatit, atëherë përveç gjobës bëhet edhe subjekt i hetimit penal. Të gjitha këto raste Agjencia i përcjell në prokurori, pastaj prokuroria mund të ngritë aktakuzë për mosdeklarim të pasurisë në kohë, e cila sipas ligjit tonë po ashtu edhe Kodit Penal, dënohet edhe me gjobë edhe me burg deri në (në qoftë se nuk gaboj) deri në 5 vite për mosdeklarim të pasurisë. Po ashtu edhe gjobat mund të jenë jo tashmë vetëm 30% e pagës, por janë edhe më të mëdha”, shtoi Bukeshkaj.

  • Arratisje spektakolare në SHBA: Gruaja me pranga në duar largohet nga dritarja e makinës së policisë (VIDEO)

    Arratisje spektakolare në SHBA: Gruaja me pranga në duar largohet nga dritarja e makinës së policisë (VIDEO)

    Një video po bën xhiron e mediave sociale pasi tregon momentin kur një grua arrin të arratiset nga mjeti i policisë në Michigan të SHBA-së.

    Arratisja e saj e pazakontë ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve nëpër botë teksa ajo arrin të arratiset përmes dritares së mjetit pavarësisht se kishte duar e prangosura.

    Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhur të shtunën pasdite në zonën e Muskegon Heights pas një kontrolli rutinë të policisë në një automjet. Sipas autoriteteve, për njërën prej pasagjereve ekzistonte një urdhër arresti për shkelje të kushteve të lirimit me kusht.

    Identiteti i saj u konfirmua përmes gjurmëve të gishtërinjve dhe më pas ajo u prangos. Ajo u la në pjesën e pasme të një makine patrullimi. Siç shihet në video, gruaja shfrytëzoi dritaren gjysmë të hapur të automjetit dhe arriti të nxirrte trupin e saj jashtë, pavarësisht kufizimeve të prangave.

    Me lëvizje të kujdesshme, ajo doli nga dritarja dhe iku me vrap, pa u vënë re menjëherë nga oficerët e policisë që ndodheshin aty pranë.

    Mungesa e saj u vu re pak kohë më vonë, kur një oficer policie iu afrua makinës së patrullës dhe zbuloi se gruaja ishte zhdukur, gjë që nxiti një mobilizim të menjëhershëm për ta gjetur atë, shkruan Euronews.al.

    Menjëherë pas kësaj, një banor vendas raportoi një tentativë vjedhjeje, afërsisht një orë pas arratisjes. Autoritetet po hetojnë mundësinë që e arratisura të ketë lidhje me incidentin ndërsa ende nuk është kapur.

  • Tarifat e reja të rrymës shtyhen për 1 maj

    Tarifat e reja të rrymës shtyhen për 1 maj

    Tarifat e reja të energjisë elektrike të parapara të hyjnë në fuqi më 1 prill, pritet të shtyhen deri më 1 maj, ka bërë të ditur kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu.

    “Tarifat aktuale të energjisë elektrike do të mbesin në fuqi gjatë muajit prill, ndërsa tarifat e reja pritet të hyjnë në fuqi më 1 maj”, tha Fejzullahu për Radion Evropa e Lirë.

    ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe përcaktimin vjetor të tarifave të energjisë elektrike, të cilat zakonisht shpallen më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

    Tre operatorët energjetikë në Kosovë, në muajin janar të këtij viti kanë kërkuar rritjen e tarifave të rrymës për vitin 2026.

    Rritja e çmimit të rrymës është kërkuar nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).

    KESCO ka kërkuar rritje mbi 20 për qind të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026, por nga ZRRE-ja thanë se ende nuk ka ndonjë shifër se sa do të jetë përqindja e rritjes së çmimit.

    Për rritjen e kësaj përqindjeje, KESCO është thirrur në sasinë e madhe të importit të energjisë elektrike.

    Po ashtu, Korporata Energjetike e Kosovës, (KEK), thuhet në aplikim, ka paraparë vazhdimin e projekteve të rehabilitimit të njësive gjeneruese, kësaj radhe në termocentralin Kosova B, njësia B1, me një kohëzgjatje të planifikuar prej rreth tetë muajsh, krahasuar me pesë muaj më 2025 për njësinë B2.

    Kjo situatë sipas KESCO-s pritet që të kufizojë edhe prodhimin vendor dhe të rrisë varësinë nga importi.

    Arsye tjetër në dokument përmendet edhe rritja e pagës minimale nga Qeveria e Kosovës.

    Zyrtarë të ZRRE-së, në janar të këtij viti, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se “kërkesat do t’iu nënshtrohen shqyrtimit dhe se do të aprovohen vetëm kostot që vlerësohen si të arsyeshme”.

    Sipas aplikimit të dorëzuar në ZRRE, KESCO ka kërkuar që të hyrat e lejuara maksimale për vitin e ardhshëm të jenë 528.78 milionë euro.

    Vitin e kaluar, KESCO kishte kërkuar të hyra të lejuara maksimale rreth 448 milionë euro, ndërsa ZRRE-ja kishte aprovuar rreth 436 milionë euro.

    Ndërkaq, KEDS-i ka kërkuar 235 milionë euro apo 21 milionë euro më shumë se sa kërkesa fillestare e vitit të kaluar që ishte 214 milionë euro. Ndërsa, vitin e kaluar, ZRRE-ja i kishte aprovuar këto të hyra në vlerën prej 180.653 milionë euro.

    Kurse kërkesa e KOSTT-it, që tha se synon të ofrojë shërbime më cilësore për konsumatorët, është mbi 99 milionë euro, nga rreth 102 milionë euro sa ishte vitin e kaluar. Vitin paraprak, ZRRE-ja kishte aprovuar këto të hyra në vlerën prej 88 milionë euro.

    Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin paraprak.

    Sipas tarifave aktuale, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovat.

    Kurse tarifat e lira që shfrytëzohen gjatë natës nga ora 23:00 deri në 08:00 të mëngjesit, konsumatorët për një kilovat paguajnë 3.88 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë.

    Ndërkaq, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë paguajnë 7.28 centë për kilovat./REL

  • Mallorca motivon Muriqin para finales historike Kosovë–Turqi

    Mallorca motivon Muriqin para finales historike Kosovë–Turqi

    Kombëtarja e Kosovës do të përballet sonte me Turqinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nga ora 20:45, në kuadër të finalës së play-off për kualfikim në Kupën e Botës 2026.

    Në prag të këtij dueli vendimtar, një mesazh i veçantë mbështetjeje ka ardhur nga Spanja. Klubi i Mallorcas ka dalë publikisht në përkrahje të sulmuesit dhe kapitenit të Kosovës, Vedat Muriqi, duke e cilësuar atë si “një hap larg Kupës së Botës” përmes një postimi motivues në rrjetet sociale.

    Ky reagim vjen në një moment shumë të rëndësishëm për përfaqësuesen kosovare, e cila synon të shkruajë historinë me një kualifikim të parë në një turne madhor botëror.

    Forma e Muriqit këtë sezon me Mallorcan ka qenë mbresëlënëse. Sulmuesi kosovar ka realizuar 18 gola në La Liga, duke u shndërruar në golashënuesin kryesor të skuadrës dhe një nga figurat më të rëndësishme në luftën për mbijetesë. Shumë nga golat e tij kanë qenë vendimtarë, duke mbajtur ekipin larg zonës së rënies.

    Përtej formës në klub, Muriqi mbetet një figurë kyçe edhe te Kosova. Si kapiten, ai ka treguar vazhdimisht lidership, karakter dhe prezencë të fortë në fushë, duke udhëhequr ekipin në momentet më të rëndësishme. Përvoja e tij në futbollin evropian pritet të jetë një faktor i rëndësishëm në përballjen ndaj Turqisë.

    Tani, të gjitha sytë janë drejt stadiumit “Fadil Vokrri”, ku Muriqi dhe shokët e tij do të kërkojnë të bëjnë hapin më të madh në historinë e futbollit kosovar.

  • Haradinaj nderon kujtimin e martirëve në Pastasellë dhe Burim

    Haradinaj nderon kujtimin e martirëve në Pastasellë dhe Burim

    Në Pastasellë të Rahovecit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj së bashku me Smajl Latifin, familjarë dhe bashkëpunëtorë nderuan kujtimin e 106 martirëve të ekzekutuar nga ky fshat dhe nga fshatrat përreth, të strehuar aty për t’i shpëtuar barbarisë së armikut.

    Të njëjtin fat e patën edhe 42 shqiptarë të pafajshëm nga fshati Burim i Malishevës.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj thotë se plumbat e armikut nuk kursyen të moshuarit, as gratë e fëmijët, duke lënë plagë të thella për familjet e tyre.

    “Jetojmë çdo ditë me lavdinë e të rënëve dhe me sakrificën që forcoi rrugën tonë drejt lirisë. Kujtimi për ta mbetet i përhershëm, ndërsa detyrimi ynë është ta mbrojmë dhe ta forcojmë Kosovën, për të cilën ata dhanë jetën”, ka shkruar Haradinaj.

  • Hoxha: Evropa është një histori zgjerimi, koha e Shqipërisë është tani

    Hoxha: Evropa është një histori zgjerimi, koha e Shqipërisë është tani

    Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, zhvilloi një bashkëbisedim me studentë të Akademisë Diplomatike të Vjenës, në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

    Takimi u karakterizua nga një shkëmbim i hapur dhe i frytshëm mbi sfidat dhe transformimet që po përjeton diplomacia në një kontekst të ri gjeopolitik, gjithnjë e më kompleks dhe dinamik, shkruan Tvklan.al.

    Në qendër të diskutimeve ishte rrugëtimi evropian i Shqipërisë, përfshirë progresin e arritur në reformat kyçe, ecurinë e procesit të negociatave për anëtarësim dhe angazhimin e vazhdueshëm për të prodhuar rezultate konkrete në funksion të integrimit në Bashkimin Evropian.

    Hoxha theksoi se orientimi evropian i Shqipërisë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm që prej fillimit të këtij procesi: “një rilidhje e plotë dhe pa kushte me hapësirën natyrore të përkatësisë sonë – Evropën”.

    “Për ne nuk ka asgjë më gjithëpërfshirëse dhe më jetike sesa procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në Evropë ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm: zgjerimi është rikthyer në qendër të vëmendjes. Sot, kushdo që flet për zgjerimin e konsideron atë një investim strategjik për të ardhmen e Evropës. Evropa është një histori zgjerimi, një histori rritjeje. Dhe nëse shpesh thuhet se Evropa do të zgjerohet kur të vijë koha e duhur, për ne kjo kohë është tani. Nuk ka arsye për vonesa”, u shpreh Hoxha.

    Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë së përbashkët për të çuar përpara perspektivën evropiane të vendit, duke vlerësuar njëkohësisht rolin e brezit të ri të diplomatëve në formësimin e së ardhmes së Evropës dhe të rajonit.

    Ministri vlerësoi gjithashtu kontributin ndër vite të Akademisë Diplomatike të Vjenës në përgatitjen e brezave të diplomatëve, duke theksuar lidhjen e qëndrueshme të këtij institucioni me Shërbimin e Jashtëm të Shqipërisë, përmes formimit të disa prej përfaqësuesve të tij.

  • ​Sa fiton Kosova nëse arrin Botërorin 2026?

    ​Sa fiton Kosova nëse arrin Botërorin 2026?

    Kualifikimi i mundshëm i Kosovës në Kupën e Botës 2026 do të kishte jo vetëm rëndësi historike në aspektin sportiv, por edhe përfitime të mëdha financiare. Sipas të dhënave, vetëm pjesëmarrja në këtë turne do t’i siguronte Kosovës të paktën 10.5 milionë dollarë, ku përfshihen 9 milionë për pjesëmarrje dhe 1.5 milionë për përgatitje.

    Ky shpërblim paraqet një rritje prej rreth 50 për qind krahasuar me Kupën e Botës 2022, si rezultat i rritjes rekord të fondit të shpërblimeve nga FIFA për edicionin e ri me 48 skuadra pjesëmarrëse.

    Përfitimet financiare mund të rriten edhe më shumë në varësi të ecurisë së Kosovës në turne. Nëse arrin në fazën e 1/32 së finales, secila skuadër përfiton rreth 11 milionë dollarë, ndërsa në 1/8 e finales kjo shumë rritet në 15 milionë. Një kualifikim në çerekfinale do t’i sillte federatës rreth 19 milionë dollarë.

    Përveç shpërblimeve nga FIFA, edhe Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar bonus shtesë prej 1një milionë euro për kombëtaren në rast kualifikimi. Ky bonus pritet të ndahet mes lojtarëve, ku secili prej tyre mund të përfitojë nga 40 mijë deri në 50 mijë euro./kp