ATV

Blog

  • Kriza në Lindjen e Mesme godet edhe tregun e luksit në Dubai – shitjet e makinave luksoze bien me 30 për qind

    Kriza në Lindjen e Mesme godet edhe tregun e luksit në Dubai – shitjet e makinave luksoze bien me 30 për qind

    Shitjet e makinave luksoze në Dubai kanë rënë me rreth 30%, sipas një shitësi lokal, duke reflektuar ndikimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe rritjen e çmimeve të karburantit.

    Ky treg ka qenë prej vitesh ndër më fitimprurësit për marka si Rolls-Royce Motor Cars, Ferrari dhe Lamborghini, ku klientët shpenzojnë shuma të mëdha për modele unike dhe të personalizuara.

    Megjithatë, mbyllja e përkohshme e salloneve dhe rënia e vizitave pas rihapjes kanë ndikuar drejtpërdrejt në shitje.

    Edhe pse klientët më të pasur vazhdojnë të blejnë, atmosfera në treg është bërë më e pasigurt.

    CEO i Bentley Motors, Frank-Steffen Walliser, tha se njerëzit aktualisht kanë prioritete të tjera përveç blerjes së makinave të reja.

    Rënia po godet veçanërisht porositë e personalizuara, që janë burimi kryesor i fitimeve për prodhuesit luksozë.

  • U kritikua për shprehje raciste gjatë transmetimit të Ferma VIP, Arbana Osmani kërkon falje publike

    U kritikua për shprehje raciste gjatë transmetimit të Ferma VIP, Arbana Osmani kërkon falje publike

    Arbana Osmani u kritikua në rrjet pas një deklarate të bërë gjatë transmetimit të Ferma VIP.

    Gjatë një momenti në program, duke iu drejtuar një prej banorëve, Akil Varfit, me të cilin po diskutonte për debatet në shtëpi, Arbana përdori shprehjen: “Ke marrë pak si pushka e jevgut”.

    Menjëherë në rrjetet sociale nisën komentet kritikuese, ku shumë ndjekës theksuan se termi “jevgjit” konsiderohet ofendues dhe përdoret me qëllime përbuzëse ndaj një komuniteti.

    “Kujdes me shprehjet”, “Ke fyer një komunitet”, “100 vjet në televizion dhe akoma nuk kanë mësuar se cilat shprehje janë diskriminuese?”, ishin vetëm disa nga reagimet.

    Pak çaste më vonë, Arbana kërkoi falje për shprehjen, duke theksuar se nuk kishte qëllim ofendues dhe se nuk është raciste.

    E njëjta është rikthyer në ekran pas një pauze të gjatë, që nga edicioni i dytë i Big Brother.

    Tani ka marrë drejtimin e Ferma VIP 3 bashkë me partnerin e saj, regjisorin Eduart Grishaj.

  • Latifi përkujton Masakrën e Pastaselit: Drejtësia për krimet e 31 marsit mbetet qëllim i pandryshuar

    Latifi përkujton Masakrën e Pastaselit: Drejtësia për krimet e 31 marsit mbetet qëllim i pandryshuar

    Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka përkujtuar 27-vjetorin e Masakrës së Pastaselit, duke e cilësuar atë si një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë.

    Në një postim në Facebook, Latifi rikujtoi se më 31 mars 1999, në fshatin Pastasel u vranë 106 civilë të paarmatosur, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar.

    “Në ditën e fundit të marsit të përgjakur të vitit 1999, ndodhi një prej krimeve më mizore nga kriminelët serbë në fshatin Pastasel të Rahovecit, ku u vranë 106 fëmijë, gra, pleq e burra të paarmatosur”, ka shkruar Latifi.

    Ai theksoi se në këtë fshat kishin gjetur strehim edhe banorë nga zona të tjera përreth, të cilët po përpiqeshin t’i shpëtonin dhunës së luftës.

    “Banorë të Pastaselit, por edhe të fshatrave përreth, kishin gjetur vendstrehim në fshat për të shpëtuar veten dhe familjet e tyre nga krimet gjenocidiale serbe”, ka deklaruar ai.

    Kryetari i Rahovecit nënvizoi se kjo ngjarje mbetet e paharrueshme dhe se kërkimi i drejtësisë për viktimat është obligim i vazhdueshëm institucional dhe shoqëror.

    “Ajo ditë e përgjakshme do të mbetet e pashlyer në kujtesën tonë. Drejtësia dhe dënimi i krimeve të 31 marsit 1999 do të jetë qëllimi ynë kryesor deri në realizim”, ka shtuar Latifi.

    Ai e ka përmbyllur mesazhin me nderime për të gjithë të rënët gjatë luftës në Kosovë.

    “Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve të luftës”, ka përfunduar Latifi.

  • Tensionet me Ramën, Spiropali me shkrim të gjatë: Heshtja ime nuk është mungesë përgjigjeje

    Tensionet me Ramën, Spiropali me shkrim të gjatë: Heshtja ime nuk është mungesë përgjigjeje

    Ditë më parë u raportua për tensione ndërmjet kryeministrit Edi Rama dhe deputetes së Partisë Socialiste, Elisa Spiropali e cila javë më parë u lirua nga detyra e ministres së Punëve të Jashtme.

    Mediat në Shqipëri patën raportuar se ka pasur një moment, ku Rama i është drejtuar Spiropalit me fjalinë “Mos më provoko se do të nxjerr jashtë”.

    “Mos më provoko se do të nxjerr jashtë”, tensione mes Ramës e Spiropalit në mbledhjen me dyer të mbyllura

    E në tërë këtë proces, sot ka reaguar ish ministrja Spiropali, e cila ka thënë se heshtja e saj nuk është mungesë përgjigjeje.

    Sipas saj, ajo që po ndodh nuk është thjesht një çështje personale, por një shfaqje e një modeli që po zgjerohet me një normalitet të heshtur, ku arroganca dhe abuzimi nuk paraqiten më si devijime, por si forma të pranueshme shoqërore.

    Lexoni të plotë postimin e Spiropalit:

    Ka ditë që në emisione dhe forume flasin për mua, me një siguri që shpesh nuk vjen nga njohja, por nga nevoja për ta mbushur boshllëkun me versione. Zërat shtohen, interpretimet shumëfishohen, ndërsa ajo që mungon është qetësia për të kuptuar se jo çdo gjë që ndodh kërkon një rrëfim të menjëhershëm publik.

    Heshtja ime nuk është mungesë përgjigjeje, është një kufi i vendosur mes asaj që duhet thënë dhe asaj që duhet kuptuar, sepse në një kohë kur gjithçka kërkon të shpjegohet, rrezikojmë të humbasim kuptimin e vetë përgjegjësisë.

    Ajo që po ndodh nuk është thjesht një çështje personale, por një shfaqje e një modeli që po zgjerohet me një normalitet të heshtur, ku arroganca dhe abuzimi nuk paraqiten më si devijime, por si forma të pranueshme shoqërore.

    Ky model nuk imponon vetëm vendime, por ndërton një kulturë ku bindja konsiderohet virtyt dhe përshtatja shpërblehet më shumë se merita, duke e zhvendosur gradualisht politikën nga një hapësirë e konkurrencës së ideve në një strukturë të mbyllur ku rëndësi ka sa përshtatesh, jo sa vlen.

    Në këtë rrjedhë, fitorja fillon të humbasë përmbajtjen e saj morale dhe reduktohet në rezultat, ndërsa besimi që e legjitimon atë dobësohet në mënyrë të padukshme. Dhe kur iluzioni zëvendëson reflektimin, atëherë edhe dinjiteti fillon të trajtohet si një element i negociueshëm, i varur nga momenti dhe nga pozicioni, jo si një vlerë që qëndron përtej pushtetit.

    Këtu fillon edhe heshtja e debatit, jo si mungesë mendimesh, por si mungesë hapësire për t’i vënë në jetë. Sepse debati nuk zhduket, ai shtypet, dhe kur shtypet, nuk krijon qetësi, por grumbullim të padukshëm tensioni. Dhe pikërisht aty ku debati zëvendësohet nga dakordësia e heshtur, meritokracia fillon të përmendet si parim, por nuk funksionon më si praktikë, sepse ajo kërkon një drejtësi që nuk pranon kompromise me rehatinë e pushtetit.

    Në këtë klimë, frika nuk ka nevojë të shpallet për të ekzistuar, ajo ndihet, shpërndahet në mënyrë të heshtur dhe bëhet pjesë e një rendi të ri ku njerëzit mësohen të masin fjalët, jo për nga vërtetësia, por për nga pasojat. Dhe kur kjo ndodh, liria humbet karakterin e saj si ushtrim i përditshëm dhe reduktohet në një dëshirë që përmendet më shumë sesa praktikohet. Kjo është ndoshta forma më e rafinuar e kufizimit, kur liria nuk ndalohet, por zbehet.

    Ndërkohë, Evropa mbetet referencë e përhershme në diskurs, një fjalë që përdoret për të legjitimuar çdo drejtim.

    Evropa nuk është një narrativë për t’u cituar, por një rend vlerash që kërkon përputhje, dhe çdo distancë mes fjalës dhe praktikës e bën këtë referencë të zbrazët. Në këtë pikë, politika përballet me një pyetje që nuk mund ta shmangë: a jemi duke ndërtuar një sistem që prodhon përgjegjësi apo një sistem që e justifikon dhe riprodhon veten?

    Fitorja nuk merret, ajo provohet.

    Meritohet kur njerëzit nuk të ndjekin nga frika, por të besojnë nga bindja, dhe kur largohesh, mbetet respekti, jo vetëm rezultati.

    Prandaj, nuk kam folur për veten, sepse kjo nuk është një histori që fillon dhe mbaron me një individ. Është një pasqyrë e një kohe që kërkon më shumë reflektim se reagim. Dhe ndoshta, në një moment kur gjithçka kërkon zë, heshtja bëhet forma më e fortë e fjalës, sepse ajo nuk i nënshtrohet menjëhershmërisë, por i jep kohë të vërtetës të marrë formë.

  • Ministri i Izraelit: Banorët e zhvendosur libanezë nuk mund të kthehen derisa të garantohet siguria në vend

    Ministri i Izraelit: Banorët e zhvendosur libanezë nuk mund të kthehen derisa të garantohet siguria në vend

    Rreth 600 mijë banorë të evakuuar nga jugu i Libanit nuk do të mund të kthehen derisa të garantohet siguria e banorëve në veriun e Izraelit, tha Ministri i Mbrojtjes Israel Katz.

    Katz gjithashtu tha se Izraeli do të krijojë një zonë tampon në këtë zonë dhe do të mbajë kontrollin deri te lumi Litani.

    Izraeli tashmë ka njoftuar se synon të kontrollojë një zonë tampon deri te lumi, i cili ndodhet rreth 30 km në veri të kufirit izraelito-libanez.

    Më herët këtë muaj, ushtria izraelite lëshoi një urdhër evakuimi për katër rrethe të ndryshme në periferi jugore të Bejrutit, duke zhvendosur qindra mijëra njerëz, shkruan Euronews.al.

    Kjo vjen në mes të një sulmi më të gjerë ndaj grupit militant Hezbollah të mbështetur nga Irani, i cili filloi të qëllonte Izraelin menjëherë pas fillimit të luftës në solidaritet me Teheranin.

  • Nafta 1.82 euro, Berjani: Kosova me çmimet më të lira në rajon

    Nafta 1.82 euro, Berjani: Kosova me çmimet më të lira në rajon

    Kryetari i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka bërë një pasqyrim të gjendjes aktuale në tregun e derivateve, ku sipas tij Kosova vazhdon të ketë çmime më të lira se vendet fqinje.

    Në një prononcim për Insajderin, Berjani ka kujtuar se periudha më kritike për çmimet ishte fillimi i luftës në Ukrainë, ndërsa aktualisht situata paraqitet më e stabilizuar për xhepin e qytetarëve tanë.

    “Qytetarët tanë po shërbehen me çmimet më të lira në rajon,” u shpreh Berjani, duke shtuar se parashikimi për ditët në vijim është i vështirë për shkak të lëvizjeve të paparashikueshme në bursa.

    Sipas Berjanit, çmimet me pakicë që po aplikohen sot nëpër pikat e karburantit janë: Dizelli: Nga 1.74 euro deri në 1.82 euro ndërsa benzina: Nga 1.40 euro deri në 1.44 euro

    Ai bëri të ditur se çmimi furnizues me shumicë gjatë ditës së premte ka qenë 1.74 euro.

    I pyetur se kur mund të pritet një rënie më e ndjeshme e çmimeve, kreu i naftarëve vuri theksin te situata gjeopolitike.

    Sipas tij, stabilizimi i plotë dhe ulja e çmimeve varet direkt nga ndërprerja e tensioneve dhe konflikteve në Lindjen e Mesme, të cilat po mbajnë nën presion tregjet ndërkombëtare.

    “Nuk mund të paragjykoj se çfarë çmimesh do të kemi në ditët në vijim, pasi ka lëvizje të mëdha në bursa dhe në tregjet ndërkombëtare,” tha ai.

  • OVL-UÇK letër institucioneve e organizatave ndërkombëtarëve: Tërhiqni mbështetjen për publikimin “Masakrat në Kosovë”

    OVL-UÇK letër institucioneve e organizatave ndërkombëtarëve: Tërhiqni mbështetjen për publikimin “Masakrat në Kosovë”

    Pas protestës së djeshme para Kuvendit të Kosovës, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë ndërmarrë një tjetër hap lidhur me publikimin “Masakrat në Kosovë 1998–1999”.

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) ka njoftuar se u është drejtuar me një letër publike disa institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që kanë mbështetur këtë publikim, duke kërkuar tërheqjen e emrave të tyre nga çdo referencë mbështetjeje.

    Letra u është dërguar Community Development Fund (CDF) – Ambasada e Suedisë në Kosovë, Rockefeller Brothers Fund (RBF), Institute of International Education (IIE), Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës (FDFA) – Ambasada e Zvicrës në Kosovë, Cultural Heritage without Borders (CHwB) dhe Kosovo Foundation for Open Society (KFOS).

    Sipas OVL UÇK-së, kërkesa vjen për shkak të shqetësimeve serioze lidhur me besueshmërinë dhe integritetin e publikimit të autorit Shkëlzen Gashi, si dhe ndikimin e ekspozitës së tij publike në Prishtinë.

    Në letrën drejtuar këtyre institucioneve, organizata thekson se publikimi paraqet mangësi në metodologjinë kërkimore, mungesë të analizës së strukturuar të burimeve dhe probleme në organizimin e të dhënave.

    Po ashtu, sipas tyre, në disa raste përfshihen ngjarje të cilësuara si “masakra” edhe pse mungojnë burime të mjaftueshme, ndërsa njëkohësisht jepen të dhëna konkrete për to, çka, sipas OVL UÇK-së, krijon kontradikta dhe ngre dyshime mbi saktësinë e publikimit.

    Organizata ka ngritur shqetësime edhe për mënyrën e klasifikimit të viktimave, duke e cilësuar atë si reduktuese, si dhe për mospërputhje në të dhënat numerike dhe përdorimin e materialeve vizuale që, sipas tyre, nuk përkojnë gjithmonë me ngjarjet e paraqitura.

    Në letër theksohet se përfshirja e institucioneve ndërkombëtare si mbështetëse e publikimit krijon lidhje të drejtpërdrejtë me përmbajtjen e tij dhe ndikon në perceptimin publik, pavarësisht deklarimeve formale për distancim nga qëndrimet e autorit.

    Për këtë arsye, OVL UÇK ka kërkuar që këto institucione të tërheqin emrat e tyre nga publikimi, duke theksuar se ruajtja e së vërtetës historike është përgjegjësi morale ndaj viktimave dhe brezave të ardhshëm.

    “Përmes kësaj letre është kërkuar tërheqja e emrave të tyre nga çdo referencë e mbështetjes në këtë publikim, për shkak të shqetësimeve serioze lidhur me besueshmërinë dhe integritetin e tij. OVL UÇK thekson se trajtimi i temave të ndjeshme historike kërkon përgjegjësi të lartë dhe standarde të mirëfillta profesionale”, thuhet më njoftim.

    Letrën e plotë pa ndërhyrje, e gjeni më poshtë:

    Për vëmendjen e drejtuesve të institucioneve mbështetëse,

    Të nderuar,

    Me shpresën se ky komunikim ju gjen mirë, në emër të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, po ju drejtohemi përmes kësaj letre publike në lidhje me mbështetjen që institucioni juaj i ka dhënë publikimit “Masakrat në Kosovë 1998–1999” të autorit z. Shkëlzen Gashi, si dhe ndikimit që ka pasur ekspozita e tij publike në Prishtinë.

    Pas një shqyrtimi të kujdesshëm të përmbajtjes, vlerësojmë se ky publikim paraqet një sërë problematikash serioze që cenojnë besueshmërinë dhe integritetin e tij.

    Së pari, ndonëse publikimi paraqitet si studim, ai nuk mbështetet në një metodologji të qartë kërkimore; mungon analiza e strukturuar dhe kritike e burimeve, si dhe një organizim sistematik i të dhënave, duke e afruar më shumë me një përmbledhje sesa me një hulumtim apo studim të mirëfilltë.

    Së dyti, në disa raste përfshihen ngjarje të cilat cilësohen si “masakra”, edhe pse vetë publikimi e pranon mungesën e burimeve të mjaftueshme për to. Megjithatë, për këto raste paraqiten të dhëna konkrete si data, vendndodhje dhe numri i viktimave, duke krijuar një kontradiktë të drejtpërdrejtë dhe duke ngritur dyshime serioze mbi saktësinë dhe përgjegjësinë akademike të publikimit.

    Së treti, mënyra e klasifikimit të viktimave përmes një ndarjeje të ngurtë ndërmjet civilëve dhe luftëtarëve paraqet një qasje reduktuese, që nuk reflekton kompleksitetin e realitetit në terren dhe rrezikon të prodhojë interpretime të deformuara të ngjarjeve, e po ashtu përbën mungesë të ndjeshmërisë për viktimat.

    Së katërti, janë evidentuar mospërputhje në të dhënat numerike të viktimave në disa raste, si dhe përdorimi i materialeve vizuale që nuk përkojnë gjithmonë me ngjarjet që pretendohet të paraqiten, duke e dobësuar më tej kredibilitetin e publikimit.

    Në këtë kontekst, vlerësojmë se përfshirja e institucionit tuaj në seksionin e mbështetjes së këtij publikimi nuk është neutrale. Pavarësisht deklarimit formal se pikëpamjet e shprehura nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimet e donatorëve, vetë fakti i mbështetjes financiare dhe identifikimit publik krijon një lidhje të drejtpërdrejtë të legjitimitetit institucional me përmbajtjen e tij.

    Një distancim i tillë formal nuk është i mjaftueshëm për të neutralizuar perceptimin publik, as ndikimin që kjo lidhje prodhon në interpretimin dhe pranimin e përmbajtjes.

    Duke marrë parasysh arsyet e sipërpërmendura, konsiderojmë se mbajtja e emrit të institucionit tuaj si mbështetës i këtij publikimi cenon kredibilitetin institucional dhe përgjegjësinë publike që e shoqëron atë.

    Për këtë arsye, kërkojmë nga ju që të tërhiqni emrin e institucionit tuaj nga çdo referencë e mbështetjes në këtë publikim.

    Ruajtja e së vërtetës historike nuk është thjesht çështje akademike, por për më tepër një përgjegjësi morale ndaj viktimave dhe brezave që vijnë.

    Me respekt,

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së

    Prishtinë, Kosovë.

  • ​Kurti: Nuk do të ndalemi kurrë së kërkuari drejtësi për viktimat e masakrave serbe

    ​Kurti: Nuk do të ndalemi kurrë së kërkuari drejtësi për viktimat e masakrave serbe

    Është shënuar 27-vjetori i masakrimit të 106 qytetarëve në Pastasel të Komunës së Rahovecit. Në përkujtimin e viktimave të një nga krimet më të rënda të luftës së Kosovës ishte edhe kryeministri, Albin Kurti.

    Ai tha se 106 civilët në Pastasel u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. “Ata që na vranë menuan se do të na zhdukin, por ata ikën e ne qëndruam këtu të pathyeshëm”, tha Kurti.

    Kurti tha se ky ishte krim i paramenduar.

    Ai u shpreh se është detyrë e institucioneve të drejtësisë që këto të shndërrohen në aktakuza.

    “Në dhjetorin e kaluar është dorëzuar kallëzim penal për këtë masakër, një hap i domosdoshëm drejt drejtësisë. Është detyrë e institucioneve të drejtësisë që këto krime të shndërrohen në aktakuza.

    Drejtësia e vonuar është drejtësi e cunguar, por ne nuk do të ndalemi kurrë së kërkuari atë. Ata më vonë u përpoqën të fshihej e vërteta me zhvarrosjen dhe djegien e trupave. Serbia kreu gjenocid në Kosovë, menduan se do na zhdukin; ata ikën e ne qëndruam këtu të pathyeshëm. Sakrifica e dëshmorëve u bë udhërrëfyes i popullit tonë”, tha Kurti.

  • Ukraina godet infrastrukturën kyçe të eksporteve të naftës ruse pranë Detit Baltik

    Ukraina godet infrastrukturën kyçe të eksporteve të naftës ruse pranë Detit Baltik

    Ukraina ka kryer sulme të përsëritura ndaj infrastrukturës kryesore të eksporteve të naftës ruse pranë Detit Baltik gjatë javës së fundit, duke shkaktuar zjarre të mëdha dhe ndërprerje në operimin e porteve dhe rafinerive.

    Sipas BBC, të paktën tre site në rajonin e Leningradit, pranë Shën Petersburgut, janë goditur që nga 23 marsi. Sulmet kanë prekur portet Ust-Luga dhe Primorsk, si dhe rafinerinë Kirishi.

    Analiza e Qendrës për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër (Crea) tregon se më 26 dhe 27 mars nuk është ngarkuar asnjë anije me naftë në këto tre porte, një ndalesë e pazakontë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në 2022.

    Imazhet satelitore tregojnë shtigje të mëdha tymi në Primorsk dhe dëme të konsiderueshme në Kirishi. Komandanti ukrainas i forcave me dronë, Robert Brovdi, deklaroi se operacionet synonin “demilitarizimin e arterieve të naftës ruse dhe kapaciteteve të rafinimit”.

    Rafineria Kirishi, një nga tre më të mëdhatë në Rusi, prodhon karburante që mbështesin forcat e armatosura ruse, dhe sulmet kanë shkaktuar pezullimin e rreth 40% të kapaciteteve të eksporteve.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se aleatët kanë kërkuar reduktim të sulmeve ndaj sektorit energjetik rus për shkak të krizës globale të energjisë, por sulmet do të vazhdojnë derisa Rusia të ndalojë sulmet ndaj energjetikës ukrainase. Analistët paralajmërojnë se ndërprerjet mund të rrisin presionin ndërkombëtar për të ndaluar goditjet ndaj infrastrukturës energjetike ruse dhe të ndikojnë në çmimet globale të naftës.

     

  • Derbi i liderëve të Konferencave i takojë Thunder, Lakers vazhdojnë me fitore

    Derbi i liderëve të Konferencave i takojë Thunder, Lakers vazhdojnë me fitore

    Mëngjesin e sotëm janë zhvilluar ndeshjet e radhës në kuadër të Ligës më të fortë të basketbollit në botë, NBA.

    Një nga duelet me të shumëpritura ka qenë ai në mes të dy liderëve së Konferencës së Perëndimit Oklahoma City Thunder dhe të Lindjes Detroit Pistons.

    Të dy këto skuadra kanë qëndruar në krye të tabelave përkatëse, që nga fillimi I sezonit, duke treguar formë fantastike dhe duke qenë pothuajse të pamposhtur.

    Mirëpo Thunder arriti të triumfonte në këtë super derbi me rezultat të ngushtë 114-110.

    Si gjothmonë ylli I skuadrës së Thunder, Shai Gilgeous-Alexander udhëhoqi skuadrën e tijë drejt fitores me 47 pikë, duke qënë i pandalshëm.

    Derisa te skuadra humbëse, paraqitje të mirë kishte Paul Reed me 21 pikë e 10 kërcime dhe Javonte Green me 19 sosh.

    Kujtojmë që të dy skuadrat vazhdojnë të kryesojnë në Konferencën e Perëndimit respektivisht të Lindjes.

     

    Boston Celtics është ndalur me humbje nga Atlanta Hawks me shfirat 112-102.

    Më meritoret për fitoren e Haëks ishin Jalen Johnson me 20 pikë e 12 kërcime dhe Onyeka Okongëu me 20 pikë e 10 kërcime.

    Nga ana tjetër, Jalen Broën po ashtu ishte efikas me 29 pikë, 10 kërcime dhe nëntë asistime por që nuk mjaftuan për fitore.

    Hawks renditen në poziten e gjashtë në Konferencën e Lindjes derisa Celtics në poziten e dytë.

     

    Los Angeles Lakers ka realizuar fitoren e tretë rresht, pas triumfit ndaj Washington Wizards me rezultat 120-101.

    Më meritoret në këtë fitore ishin, Lebron James me triple-double prej 21 pikëve, 10 kërcimeve dhe 12 asistimeve, Austin Reaves dhe Luke Kennard me nga 19 sosh.

    Te skuadra humbëse u dallua Will Riley me 20 pikë.

    Lakers renditën në poziten e tretë në Konferencën e Perëndimit derisa Wizards në vendin e 14 në Lindje.