Përgatiti: Fatlum Jashari
Dinamikë të re për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëpërmjet zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese dhe shfrytëzimit të mundësive, kërkoi kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, të hënën.
Si hap drejt normalizimit, ai, por edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen, përmendën zhbllokimin e CEFTA-s, që nuk lidhet direkt me procesin e dialogut.
Teksa vlerësoi se normalizimi nuk është më i lidhur me diskutime, por me veprime konkrete, profesori Dritëro Arifi theksoi se BE-ja tani kërkon që Ballkani të lëvizë drejt integrimit.
“Normalizimi tash fillon me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, Ohër, dhe të gjithave të nënshkruara më herët. Pra, i gjithë Ballkani Perëndimor nëse dëshiron të lëvizë drejt BE-së, e ka të pamundur nëse nuk bashkëpunon, pra nëse nuk integrohet njëherë brenda Tregut Rajonal, pastaj të jemi garues me tregun evropian”, tha Arifi.
Në këtë kontekst, ai vlerësoi se Kosova nuk duhet të bjerë në, siç u shpreh, “gracën serbe, që ka për qëllim të mos lejojë integrimin e rajonit”.
“Kosova do të duhej të lëvizte shumë më shpejt, të dritës po them kushtimisht, që t’i ikë kësaj politike primitive, këtij kurthi, që të paktën ne të avancojmë dhe ta ngremë standardin. Sepse kur mbetet vetëm një problem, atëherë është lehtë të atakohet ai problem”, tha Arifi.
Pasi përmendi se rruga e Kosovës dhe e Serbisë për anëtarësim në BE, por edhe përfitimi nga fondet e saj, është e kushtëzuar me normalizimin, politologu Fidan Ukaj theksoi se presioni do të rritet.
“Mendoj se viti 2025 do të sjellë një dinamikë të re në procesin dialogues e po ashtu do të ketë një presion më të madh nga ana e faktorit ndërkombëtar ndaj palëve, qoftë në implementimin e akordimeve, e po ashtu edhe në ndarjen e fondeve për vendet e Ballkanit Perëndimor, qoftë përmes lehtësimit në tregti përmes CEFTA-s”, tha Ukaj.
Duke folur për kërkesën për dinamikë të re, kryeministri Albin Kurti, të hënën, tha se pret lëvizje pasi të kompletohet ndryshimet pas-zgjedhore në institucionet e Bashkimit Evropian.

Leave a Reply