ATV

Category: TEKNOLOGJI

  • A është reale gjithçka që shfaqet në rrjete sociale?

    A është reale gjithçka që shfaqet në rrjete sociale?

    Rrjetet sociale në mënyrë të pamatshme janë bërë pjesë  përditshmërisë për secilin prej nesh. Këtë e dëshmojnë (edhe) të dhënat e muajit të fundit (tetor 2023) që ishin 4.95 miliardë përdorues të rrjeteve sociale në mbarë botën, që barazohet me 61.4 për qind të popullsisë totale globale.

    Për të diskutuar për përdorimin e rrjeteve sociale dhe vërtetësinë e jetës së njerëzve që pasqyrohet nëpërmjet tyre, në emisionin “LIBERO” ishin të ftuar gazetarë të cilët njëkohshëm janë edhe shumë aktivë në rrjetet e tyre sociale.

    Ndër ta, prezantuesi Argjend Rraci tha se ai vetë nuk është real në rrjete sociale dhe se jeta e përditshme me atë që shfaqet në këto rrjete – dallon dukshëm.

     “…Unë nuk jam real në rrjete sociale, nuk tregoj gjithçka nga jeta ime. Njerëzit mendojnë se unë bëj një jetë luksoze, duke u bazuar në postimet që i bëj, në vendet të cilat shkoj një herë në muaj, ndërkohë në përditshmëri ushqehem si të  gjithë të tjerët edhe me një hamburger…”, shtoi Argjendi.

    Sa i përket realitetit që ofrohet në rrjete sociale, gazetarja nga Shkupi Anita Latifi tha se është reale në rrjete sociale dhe se nuk është penduar për këtë gjë, sepse sinqeriteti i ndihmon asaj në ngritjen e kauzave në të cilat beson.

    Vlen të ceket se përdorimi i rrjeteve sociale mund ketë efekte të dëmshme në shëndetin mendor.

    Shumë studiues përmendin pasojat negative që shkaktojnë rrjetet sociale në shëndetin mendor. Ata shohin një rritje të rrezikut të depresionit, vetëbesimit të ulët, ankthit dhe vetmisë.

    Për ta dëgjuar në detaje diskutimin në lidhje me këtë temë, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Musk: Inteligjenca artificiale do t’i lë të gjithë njerëzit pa punë

    Musk: Inteligjenca artificiale do t’i lë të gjithë njerëzit pa punë

    Multimiliarderi Elon Musk beson se inteligjenca artificiale (IA) mund t’i lërë të gjithë pa punë. Sipas tij, inteligjenca artificiale mund të bëhet forca më shkatërruese në histori.

    Ai foli për inteligjencën artificiale në Lancaster House, rezidenca zyrtare e Britanisë së Madhe, duke shtuar se IA do ta vinte në dyshim vetë kuptimin e jetës, shkruan CNBC.

    “Për herë të parë, ne do të kemi diçka më të zgjuar se njeriu. Është e vështirë të thuhet saktësisht se kur do të ndodhë kjo, por do të vijë një moment kur nuk do të jetë e nevojshme që njeriu të kryejë një punë. Inteligjenca artificiale do të jetë në gjendje të bëjë gjithçka”, ka thënë Musk.

    Ai me shaka ka thënë se nuk e dinte nëse njerëzit do të ndiheshin rehat për shkak të kësaj. Musk pret që inteligjenca artificiale të mos ketë kufij.

    Musk ka paralajmëruar vazhdimisht për kërcënimet që vijnë nga inteligjenca artificiale. Në një rast, pronari i SpaceX ka thënë se inteligjenca artificiale mund të jetë më e rrezikshme se armët bërthamore.

  • ​Britania publikoi një deklaratë për inteligjencën artificiale

    ​Britania publikoi një deklaratë për inteligjencën artificiale

    Britania e Madhe shpalli sot Deklaratën e Bletchley-t, të rënë dakord me vende të tilla si Shtetet e Bashkuara dhe Kina, për të rritur përpjekjet globale për të bashkëpunuar në sigurinë e inteligjencës artificiale.

    Deklarata, e nënshkruar nga gjithsej 28 vende, u publikua në ditën e hapjes së samitit të inteligjencës artificiale në Bletchley Park, Anglia qendrore.

    “Deklarata përmbush qëllimet kryesore të samitit në vendosjen e një marrëveshjeje dhe përgjegjësie të përbashkët për rreziqet, mundësitë dhe vazhdimin e procesit të bashkëpunimit ndërkombëtar për sigurinë dhe kërkimin e inteligjencës artificiale, veçanërisht përmes bashkëpunimit më të madh shkencor,” tha Britania në një deklaratë të veçantë.

    Britania mblodhi së bashku qeveritë, akademinë dhe kompanitë që punojnë në inteligjencën artificiale për Samitin inaugurues të Sigurisë së inteligjencës artificiale (AI) të mërkurën për të diskutuar se si të frenohen rreziqet e teknologjisë dhe nëse mund të bëhet.

    Takimi është ideja e kryeministrit Rishi Sunak, i cili dëshiron që Britania të bëhet një ndërmjetëse midis blloqeve ekonomike të Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Bashkimit Evropian.

    Lista e 100 të ftuarve përfshin liderë botërorë, udhëheqës të teknologjisë si Elon Musk dhe shefi i ChatGPT, Sam Altman, dhe akademikë. Ata mblidhen të mërkurën dhe të enjten në Bletchley Park, shtëpia e kodeve britanike të Luftës së Dytë Botërore.

    Çfarë thotë deklarata?

    Deklarata e miratuar bën thirrje për transparencë dhe llogaridhënie të aktorëve që zhvillojnë teknologjinë më të avancuar të AI në planet e tyre për të matur, monitoruar dhe zbutur aftësitë potencialisht të dëmshme.

    Ai vendosi një agjendë me dy drejtime që synon identifikimin e rreziqeve me interes të përbashkët dhe ndërtimin e një kuptimi shkencor të tyre, si dhe politika të përbashkëta për të zbutur rreziqet.

    “Kjo përfshin, përveç rritjes së transparencës së aktorëve privatë që zhvillojnë aftësitë e AI, standardet e duhura të vlerësimit, mjetet e testimit të sigurisë dhe zhvillimin e aftësive përkatëse të sektorit publik dhe kërkimit shkencor”, thuhet në deklaratë.

    Mbreti britanik Charles III tha sot se komuniteti ndërkombëtar duhet t’i përgjigjet rreziqeve të inteligjencës artificiale me një ndjenjë urgjence dhe uniteti, si në rastin e ndryshimeve klimatike.

    “Kjo është mënyra se si komuniteti ndërkombëtar u përpoq të trajtonte ndryshimet klimatike, të ndriçonte rrugën drejt emetimeve zero dhe të mbronte të ardhmen e planetit tonë,” tha mbreti në një video-mesazh të shfaqur në samitin e inteligjencës artificiale.

    “Ne duhet t’i përgjigjemi në mënyrë të ngjashme rreziqeve që paraqet inteligjenca artificiale, me një ndjenjë urgjence, uniteti dhe forcë kolektive”, tha Charles III.

    Skeptikët pyesin se sa ndikim mund të ketë Britania edhe kur SHBA, G7 dhe Bashkimi Evropian po përpiqen të shtyjnë nisma të tjera, disa prej të cilave tashmë kanë përparuar.

  • Instagram dhe Facebook bëhen me pagesë

    Instagram dhe Facebook bëhen me pagesë

    Kompania e rrjeteve sociale Meta ka vendosur të bëjë dy platformat më të ndjekura nga njerëzit Instagram dhe Facebook me pagesë në Bashkimin Europian dhe Zvicër, duke filluar nga ky muaj.

    Risia e këtij fakti është se versionet me pagesë të Facebook dhe Instagram nuk do të kenë më reklama. Ndërkohë që ata që do të mbajnë versionin falas të mediave sociale do të jenë në gjendje të marrin reklama dhe të vazhdojnë të ofrojnë të dhënat e tyre për to.

    Kostoja e Facebook dhe Instagram ndryshon në varësi të vendndodhjes ku abonoheni. Nëse e bëni këtë nëpërmjet web-it do të paguani 9,99 euro në muaj. Nëse e bëni këtë përmes aplikacionit, kostoja do të jetë 12,99 euro në muaj, pavarësisht nëse e bëni në iOS ose në një sistem Android.

    Meta thotë se abonimi ka të bëjë me të gjitha llogaritë e lidhura me atë kryesore, të paktën deri në mars 2024.

    Deri më 1 mars 2024, abonimi fillestar mbulon të gjitha llogaritë e lidhura në Qendrën e Llogarive të një përdoruesi. Megjithatë, duke filluar nga 1 marsi 2024, një tarifë shtesë prej 6 euro në muaj në web dhe 8 euro në muaj në iOS dhe Android do të aplikohet për çdo llogari shtesë të listuar në Qendrën e Llogarive të një përdoruesi.

  • Kompania e Destanit nga Tetova, Next.e.Go listohet në bursën NASDAQ në Nju Jork

    Kompania e Destanit nga Tetova, Next.e.Go listohet në bursën NASDAQ në Nju Jork

    Kompania me pronarë nga Maqedonia e Veriut, e udhëhequr nga familja Destani nga Tetova, është listuar në NASDAQ, bursën zyrtare amerikane, njofton gazeta zvicerane Le Canton27.ch.

    Listimi i Next.e.Go Mobile në këtë bursë amerikane dhe shpallja e djeshme e bërjes publike përbën kulmin e një pune të madhe e me përkushtim të një ekipi të tërë.

    Filantropi Lazim Destani për gazetën zvicerane Le Canton27.ch thotë se “NASDAQ’ gjithmonë ka qenë qendër për inovacionin, dhe ne jemi vërtet të lumtur që jemi pjesë e këtij ekosistemi me aq shumë ndikim”.

    Përndryshe, NASDAQ është bursa me qarkullimin më të madh në SHBA, me seli në New York.

    Kompania Next.e.Go ka nisur edhe iniciativën për investim edhe në Maqedoni të Veriut, ku edhe janë hudhur edhe themelet e objektit, ku pritet të ndërtohen veturat elektrike, të cilat do të shiten në tregun evropian dhe vendor.

  • Dy shqiptarë padisin Google në SHBA për diskriminim të gjuhës shqipe

    Dy shqiptarë padisin Google në SHBA për diskriminim të gjuhës shqipe

    Gjiganti teknologjik Google është paditur në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë për mospërfshirjen e gjuhës shqipe në gjuhët e mbështetura nga Google.

    Padia është bërë nga shtetasi amerikan Haki Dervishi, dhe Neshad Asllani, mjek kosovar, anëtar i bordit në organizatën “Dekada për të Drejtat e Njeriut” në New York.

    Ky diskriminim sipas tyre ka pasur pasoja të mëdha në media, marketing, investime të huaja, zhvillim ekonomik dhe teknologjik në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që flitet gjuha shqipe.

    “Paditësit besojnë se diskriminimi i vazhdueshëm i gjuhës shqipe nga Google ka bërë që folësit e gjuhës shqipe të diskriminohen nga pjesa tjetër e Evropës dhe botës në zhvillimin e biznesit, në marketing dhe gazetari, pasi janë të përjashtuar nga platformat Google Ads, Google Adsense dhe Google Admob”, thuhet në njoftimin për media të dërguar nga Dervishi dhe Asllani.

  • Domosdoshmëria dhe përfitimet e aplikimeve të AI në menaxhimin e bizneseve

    Domosdoshmëria dhe përfitimet e aplikimeve të AI në menaxhimin e bizneseve

    Nga Adrian Civici

    Inteligjenca Artificiale, në kuadrin e përgjithshëm të Revolucionit 4.0 dhe gjithë zhvillimeve të reja e shumë të shpejta që po ndodhin në këtë fushë, është në një ekspansion të jashtëzakonshëm. Funksioni dhe popullariteti i Inteligjencës Artificiale po rritet çdo ditë. Inteligjenca artificiale është aftësia e një sistemi ose një programi për të menduar dhe mësuar nga përvoja. Aplikacionet e AI kanë evoluar ndjeshëm gjatë viteve të fundit dhe kanë gjetur aplikimet e tyre pothuajse në çdo sektor biznesi. Në mënyrë të vecantë, aplikacionet e saj specifike po e bëjnë atë një instrument magjepsës në cdo fushë të jetës dhe aktivitetit njerëzor.

    Këtu nuk bën përjashtim as biznesi në gjithë kompelsitetin e tij që tashmë ka në duar një armë të re për një cilësi dhe eficencë pa limit në objektivat dhe rezultatet e tij. IA po ndryshon në mënyrë spetakolare vetë peisazhin e bizneseve. IA ka depërtuar në mënyrë të pamohueshme në çdo cep të bizneseve, nga shërbimi ndaj klientit te rekrutimi i burimeve njerëzore, nga marketingu te financat.

    Për të qëndruar përpara në zhvillim modern, nuk është vetëm njohja e këtij revolucioni teknologjik, por zotërimi i tij. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me automatizimet, dixhitalizimin apo robotikën, por mbi të gjitha, ka të bëjë me shfrytëzimin e fuqisë së IA për të rritur produktivitetin – mund të përpunojë sasi të mëdha të dhënash shumë më shpejt se çdo njeri, duke ndihmuar në marrjen e vendimeve të shpejta dhe thjeshtimit të mjaft operacioneve; eficencën – duke ulur ndjeshëm gjasat e gabimeve dhe rritur cilësinë e punës.  Ndryshe nga njerëzit, IA nuk ka nevojë për pushime duke i krijuar mundësi bizneseve të ofrojnë shërbime gjatë gjithë kohës; dhe potencialin human.

    Përmirësimi i shërbimit ndaj klientit.

    Shërbimi ndaj klientit është themeli i çdo biznesi të suksesshëm. Zbatimi i Inteligjencës Artificiale në këtë sektor ka krijuar një shërbim të ri ndaj klientit duke përshpejtuar proceset, duke personalizuar përgjigjet si dhe duke përmirësuar kënaqësinë e klientit. Ja disa nga aplikacionet apo përdorimet e Inteligjencës Artifiale në këtë aspekt të rëndësishëm, në shërbimin ndaj klientit:

    ➤ LiveChat – Imagjinoni një pritës e dialogues dixhital që plotëson nevojat e klientëve tuaj me shpejtësi dhe efikasitet, jo vetëm gjatë orarit zyrtar të punës, por gjatë gjithë ditës. LiveChat, i mundësuar nga GPT-4 i avancuar, është chatboti i personalizuar që bën pikërisht këtë, duke siguruar shërbim të shpejtë ndaj klientit. Jo vetëm që garanton konfidencialitetin dhe sigurinë e të dhënave me ruajtje të sigurt në serverët GCP/AWS (Shërbime cloud të sigurta, të besueshme dhe me performancë të lartë), por është gjithashtu në përputhje me ligjet dhe rregullat për ruajtjen e privatësisë së të dhënave.

    ➤ Tidio (Platforma e shërbimit të klientit nëpërmjet IA) – Në mjedisin kompleks të shërbimit ndaj klientit, Tidio vepron si orientuesi juaj inteligjent, duke u dhënë përparësi kërkesave urgjente dhe duke u siguruar që ato të zgjidhen menjëherë, mundëson në parashikimin e pyetjeve të mundshme të klientëve, duke përshpejtuar më tej mbështetjen ndaj klientit dhe duke i bërë përgjigjet më profesionale.

    ➤ Landbot – është një mjet unik që lejon të ndërtoni chatbots bisedues, faqe specifike interneti, fuqizon bizneset të ndërtojnë fushata komunikimi marketingu sa më të personalizuara, ofron dizajne tërheqëse, zgjeron mundësitë e komunikimit me klientët, i shërben atyre me eficencë të lartë gjatë gjithë kohës, duke ulur në mënyrë efektive kostot operacionale.

    Kuptimi më i mirë i klientëve.

    Duke kaluar nga shërbimi ndaj klientit në analizën e klientit, teknologjia e Inteligjencës Artificiale vazhdon të hapë terren të ri që sas ka filluar të eksplorohet me eficencë. Këto mjete ndihmojnë në zbulimin e zakoneve, preferencave dhe sjelljeve të klientëve duke ofruar të dhëna e njohuri më të thella që ndihmojnë menaxhimin e bizneseve, por ato ofrojnë dhe mundësi më të mëdha për të përmirësuar e bërë më efikase strategjitë e zhvillimit të bizneseve.

    Ja disa nga aplikacionet apo përdorimet e Inteligjencës Artifiale në këtë aspekt të rëndësishëm, që po ripërcaktojnë peizazhin e analizës së klientit :

    ➤ Peak (Kompani e IA e njohur për platformën e saj të inteligjencës artificiale SaaS) – instrument që shërben si një profilizues gjithëpërfshirës, duke konsoliduar të dhënat e klientit nga pika të shumta kontakti për të krijuar një personazh sa më të qartë e të qëndrueshëm të secilit klient, vecanërisht zakoneve dhe sjelljes së klientëve gjatë blerjes, kënaqësive dhe dyshimeve të tyre gjatë procesit të vendimmarrjes, parashikimin e sjelljeve të ardhëshme të klientëve, blerjet e tyre të rradhës apo kohën ideale të blerjeve nga klientët.

    ➤ Visual Website Optimizer (VËO): Ky instrument i segmentimit të klientëve është një eksperimentues i përpiktë, duke testuar segmente të ndryshme për të optimizuar faqen e internetit të bizneseve të ndryshme. Baza e të dhënave të tij përmban të dhënat e klientelës së bizneseve të ndryshme, i unifikon ato si dhe i bën të shfrytëzueshme nga gjithë ekipi menaxherial i bizneseve.

    ➤ Clearbit ( Produkt i pasurimit të të dhënave që përditëson automatikisht të dhënat e shitjeve, klientëve, etj.). Ky mjet shërben si një lloj “lente zmadhuese” që shqyrtuar llogaritë individuale të korporatave, pasuron të kuptuarit e klientëve, duke siguruar që strategjitë e biznesit të jenë sa më adekuate e cilësore, përcakton të ardhmen e rritjes dhe zhvillimit strategjik të bizneseve.

    Zhvillimi i marketingut.

    Ka kohë që tashmë konsiderohet e vjetëruar dhe jo-eficente praktika kur marketingu ishte një proces i dërgimit të mesazheve të përgjithësuara me shumicë. Sot, strategjia fokusohet në dërgimin e email të personalizuara në kohë dhe të përshtatshme për klientët e mundshëm.

    Ky ndryshim drejt përmbajtjes më të shënjestruar dhe të personalizuar është bërë i mundur nga IA. IA mund të gjenerojë qindra e mijëra drafte të personalizuara në kohë rekord, mesazhe të përshtatshëm për cdo marrës të tyre, të analizojë sjelljen e konsumatorit në të kaluarën, të qartësojë sjelljen dhe mënyrat e komportimit të konsumatorit në aspektet e shfletimit dhe përdorimit të faqes së internetit të cdo biznesi, etj.

    Ja disa nga aplikacionet apo përdorimet e Inteligjencës Artifiale në këtë aspekt të rëndësishëm, që po ripërcaktojnë metodat dhe metodologjinë e zhvillimit të marketingut :

    ➤ HubSpot – I njohur për platformën e tij gjithëpërfshirëse të marketingut, HubSpot ka krijuar aftësi inteligjente për të gjeneruar qindra e mijëra drafte të personalizuara “shitje”, duke bërë gjurmimin automatik të të gjitha ndërveprimeve dhe kontakteve ndërmjet kompanisë dhe klientëve të saj.

    ➤ Leadpages (Aplikacion në internet që përdoret për të mbledhur sa më shumë abonentë me email, që rrit në mënyrë të konsiderueshme listën e kontakteve me email) – që ndihmon shumë për rritjen e audiencës së ofertave, shërbimeve dhe produkteve të bizneseve.

    ➤ SeventhSense – Platformë e teknollogjisë IA që aplikon profilizimin e sjelljes së konsumatorëve, duke përdorur ndërveprimet e kaluara të tyre për të planifikuar kohën dhe veprimet e ardhshme të tyre.

    ➤ Zeta – platformë e teknollogjisë së IA e gjeneratës së arshme që zbulon identitetin, qëllimin dhe kontekstin e klientit, që ndihmon në identifikimin e opsioneve më efektive.

     Roli i Inteligjencës Artificiale në punësimin dhe rekrutim.

    Mjetet e inteligjencës artificiale po bëhen arma më eficente e proceseve të rekrutimit të stafeve e punonjësve të bizneseve, duke e bërë atë një instrument të shpejtë e mbi të gjitha mjaft eficent e cilësor.

    Le të trajtojmë disa nga këto mjete që ndryshojnë mënyrën e organizimit dhe menaxhimit të bizneseve :

    ➤ Attract.AI – Aplikacion që ndihmon në zbulimin e talenteve duke vepruar “me shpejtësinë e dritës” në identifikimin dhe evidentimin e burimeve njerëzore potenciale në shërbim të zgjedhjes dhe rekrutimit të stafeve e personelit të bizneseve të ndryshme. Të dhënat për mijëra e miliona kandidatë përpunohen në kohë rekord duke “ju vënë në tavolinë” mundësitë më të mira të zgjedhjes dhe kandidatët më të përshtatshëm në nivel kombëtar e ndërkombëtar.

    ➤ Olivia – është një “asistente inteligjente” që mund të ndihmojë në automatizimin e detyrave rutinë të zyrave të menaxhimit të personelit dhe rekrutimeve, duke krijuar mundësi të reja për të bërë më shumë punë me vlerë të shtuar duke shpenzuar më pak burime. Ajo fuqizon ekipet e punësimit për të identifikuar më shpejt talentet më të mira, i mban ata të angazhuar me komunikime të menjëhershme, merret me planifikimin e intervistave, menaxhon çdo fazë të udhëtimit të burimeve njerëzore.etj.  Bëhet fjalë për transformimin e burimeve njerëzore në një operacion strategjik, efikas dhe efektiv që kontribuon ndjeshëm në suksesin e përgjithshëm të një biznesi.

    Eficenca e Kontabilitetit dhe Financave.

    Duke u futur më thellë në fushën e IA nuk mund të anashkalohet roli dhe kontributi i saj i rëndësishëm në sferën e kontabilitetit dhe dhe financave. Numri i bizneseve që po përdorin IA në këtë drejtim po rritet me shpejtësi marramendëse. Meqenëse inteligjenca artificiale është bërë më e përhapur në të gjitha industritë, nuk është për t’u habitur që ajo po zgjerohet shpejt edhe brenda botës së financave e kontabilitetit, veçanërisht pasi COVID-19 ka ndryshuar ndërveprimin njerëzor. Duke riorganizuar dhe konsoliduar detyrat dhe duke analizuar të dhënat dhe informacionin shumë më shpejt se njerëzit, AI ka një ndikim të thellë dhe ekspertët parashikojnë se IA do ti kursejë industrinë bankare rreth 1 trilion dollarë deri në vitin 2030. “, Sipas McKinsey & Company “Teknologjitë e inteligjencës artificiale janë gjithnjë e më integrale në botën ku jetojmë dhe bankat dhe institucionet financiare e monetare duhet t’i përdorin këto teknologji gjerësisht për të mbetur relevante”.

    Ja disa nga aplikacionet apo përdorimet e Inteligjencës Artifiale në këtë aspekt të rëndësishëm aplikimesh të suksesshme :

    ➤ Datar FP&A Genius – Softueri i orientuar drejt ekipeve të financave të korporatave të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që kërkojnë të përmirësojnë planifikimin dhe analizën e tyre financiare. Ai automatizon konsolidimin e të dhënave dhe raportimin financiar dhe ofron flukse pune, shabllone dhe vizualizim të të dhënave që lehtësojnë buxhetimin, parashikimin, modelimin e skenarëve dhe analizën financiare. Ky chatbot i IA furnizohet me të dhëna në kohë reale nga burime të sigurta dhe të besueshme, duke garantuar vendime të bazuara në saktësi,  paraqet informacionin e tij përmes tabelave dhe pamjeve vizuale të kuptueshme lehtë, duke e bërë kompleksitetin e të dhënave financiare të kuptueshme për të gjithë.

    ➤ Domo: Një aplikacion pionier në integrimin dhe analizën e të dhënave, Domo merr të dhëna të papërpunuara nga një mori burimesh dhe i bashkon ato së bashku për të prodhuar njohuri e informacione domethënëse për vendimmarrjen. Këto njohuri sfidojnë kufijtë e njohur tradicionale të evidentimit dhe përpunimit të të dhënave financiare e atyre kontabël. Forca e Domo-s qëndron në ofrimin e një pamje të konsoliduar të biznesit, duke mundësuar vendimmarrje të bazuar në informacione komplekse e të përditësuara.

    ➤ Booke – Përdor IA për të rregulluar transaksionet e pakategorizuara dhe gabimet e kodimit, për të komunikuar më mirë me klientët dhe për të automatizuar më shumë “veprime rutinë apo të përditshme”. Duke vepruar si një llogaritar virtual, Booke përdor IA për të automatizuar dhe optimizuar shumë detyra të kontabilitetit, thjeshton komunikimin me klientin dhe rrit saktësinë e kategorizimit të transaksioneve me kalimin e kohës.

    Rritja e produktivitetit të menaxhimit të biznesit

    Falë mjeteve të IA bizneset kanë mundësi të thjeshtojnë operacionet dhe të mbajnë nën kontroll të gjitha proceset në mënyrë më efektive se kurrë më parë. Ato jo vetëm që shërbejnë si asistentë personalë që ju kujtojnë takimet ose detyrat, por gjithashtu reduktojnë ndjeshëm kohën e shpenzuar për menaxhimin e projektit, planifikimin dhe organizimin e informacionit.

    Le ta konkretizojmë me disa shembuj përdorimin e IA në procese e operacione që ndikojnë shumë pozitivisht në rritjen e produktivitetit të tyre :

    ➤ Xembly (The smartest AI team assistant) – vepron si asistent virtual, duke ndihmuar në vendosjen e rregullit në sferën komplekse të caktimit të takimeve, mbledhjeve, planeve të veprimit, ndjekjen operacionale të punëve, etj., gjatë gjithë aktivitetit të përditshëm të funksionimit të bizneseve të ndryshme. Xembly integrohet në platforma të ndryshme, duke përfshirë Slack, Jira, Salesforce, Zoom, Google Calendar, etj.

    ➤ Taskade – Ky mjet all-in-one i produktit dhe menaxhimit të ekipit sjell IA në botën e menaxhimit të projektit. Taskade e bën të pandërprerë bashkëpunimin në ekip dhe ofron pasqyra të detajuara të progresit për secilin projekt, duke krijuar gjithashtu edhe një rrjet sigurie për gjithë punën e realizuar.

    ➤ Genei – është një chatbot revolucionar i AI i mundësuar nga ChatGPT & GPT-4, GPT-3. Për profesionistët që merren me kërkime shkencore ose punime akademike, Genei i lejon përdoruesit të organizojnë dhe menaxhojnë informacionin në mënyrë shumë efikase.

    Forcimi i sigurisë kibernetike

    Në një botë ku kërcënimet kibernetike dhe shkeljet e të dhënave po bëhen gjithnjë e më të përhapura, IA është shfaqur si një forcë e rëndësishme në forcimin e masave të sigurisë kibernetike dhe mbrojtjen e aseteve dixhitale.

    Nga zbulimi i kërcënimeve të mundshme deri tek reagimi ndaj incidenteve në kohë reale, IA ofron një nivel të sofistikuar mbrojtjeje, i cili është veçanërisht i vlefshëm në një epokë të punës në distancë dhe rritjes së mbështetjes dixhitale. IA i pajis bizneset me mjetet për të parandaluar sulmet kibernetike dhe për të siguruar kufijtë e tyre dixhitalë, duke rritur kështu besimin midis klientëve dhe bizneseve.

    ➤ Darktrace – shquhet në sferën e sigurisë kibernetike të aktivizuar nga IA për zbulimin dhe përgjigjen e kërcënimeve. Teknologjia e saj self-learning mund të identifikojë, gjurmojë dhe reagojë ndaj kërcënimeve në kohë reale, duke reduktuar në mënyrë drastike dëmin e mundshëm. Duke kuptuar modelet ‘normale’ për përdoruesit individualë dhe rrjetin në tërësi, Darktrace mund të zbulojë shpejt anomalitë që mund të evidentojnë një kërcënim të sigurisë kibernetike.

    ➤ Crowdstrike: Crowdstrike përdor IA për të forcuar sigurinë e pikës fundore, një zonë e shënjestruar shpesh nga keqbërësit kibernetikë. IA identifikon dhe ndalon në mënyrë efektive shkeljet duke monitoruar dhe analizuar vazhdimisht aktivitetet në pikat fundore duke iu përgjigjur menjëherë kërcënimeve të mundshme.

    ➤ Check Point Infinity: Si një zgjidhje gjithëpërfshirëse për parandalimin e kërcënimeve kibernetike, Check Point Infinity përdor plotësisht IA për të mbrojtur kundër sulmeve të mundshme kibernetike. Inteligjenca Artificiale siguron një arkitekturë të integruar sigurie të krijuar për të trajtuar kërcënimet në të gjitha rrjetet, shërbimet cloud dhe aplikacionet celulare.

    Sigurimi i sigurisë kibernetike nuk ka të bëjë vetëm me reagimin ndaj kërcënimeve; ka të bëjë me parashikimin dhe zbutjen e tyre përpara se të shkaktojnë dëm. Këto mjete të drejtuara nga IA ofrojnë një qasje proaktive për sigurinë e aseteve dixhitale, duke siguruar që biznesi të ruajë integritetin e tij dhe të vazhdojë të funksionojë pa probleme në fushën dixhitale.

    Ndikimi i IA në marketingun video dhe audio

    Fuqia e përmbajtjes video dhe audio në nxitjen e angazhimit të klientit është e pamohueshme.

    Në peizazhin dixhital të ndërlidhur dhe me ritme të shpejta, këto formate ofrojnë përvoja dinamike që nxisin një lidhje më të gjerë e më të thellë me audiencën.

    Mjetet e IA po revolucionarizojnë këtë hapësirë, duke e bërë atë të aksesueshme dhe efektive për bizneset e të gjitha madhësive.

    ➤ Synthesia – është një platformë e mundësuar nga IA që ju lejon të krijoni video të nivelit profesional pa pasur nevojë për pajisje të shtrenjta ose aftësi të gjera teknike.

    Me teknologjinë e saj të mediave sintetike, mund të dizajnohen video me avatarë virtualë që dërgojnë mesazhet tuaja në një mënyrë shumë tërheqëse, mundësojnë të personalizoni gjuhën, tonin, shprehjet e avatarit dhe më shumë, duke siguruar që videot të rezonojnë me audiencën tuaj të synuar.

    ➤ Maverick – ofron një zgjidhje inovative të IA për marketing audio, veçanërisht në industrinë e podcast-it. IA përdor algoritme specifike për të automatizuar dhe thjeshtuar procesin e prodhimit dhe promovimit të podcast-it. Maverick mund të optimizojë përmbajtjen tuaj audio, ta shpërndajë atë nëpër platforma të ndryshme, etj.

    ➤ Descript – është një mjet novator që përdor IA për të transkriptuar, modifikuar dhe përzier përmbajtjen video dhe audio. Është një mjet i shkëlqyer për podkasterët, tregtarët e videove dhe krijuesit e përmbajtjes që synojnë të ofrojnë përmbajtje multimediale me cilësi të lartë.

    ➤ Oxolo – ofron zgjidhje për krijimin, redaktimin dhe përmirësimin e përmbajtjes video. Kjo platformë përfshin gjithashtu analiza të automatizuara të përmbajtjes, duke ofruar njohuri të vlefshme për t’ju ndihmuar të maksimizoni ndikimin e fushatave tuaja të marketingut me video. Përfshirja e videos dhe audios në strategjinë tuaj të marketingut, e mbështetur nga këto mjete të inteligjencës artificiale, ju lejon të krijoni përmbajtje bindëse dhe tërheqëse që mund të rrisë ndjeshëm dukshmërinë e markës suaj dhe angazhimin e klientit.

    Lehtësimi i analizës së të dhënave

    Në botën e sotme të drejtuar nga të dhënat, bizneset janë të përmbytura me sasi të mëdha të dhënash, të cilat, nëse shfrytëzohen siç duhet, mund të ofrojnë informacion e njohuri të paçmueshme për të nxitur rritjen dhe inovacionin.

    IA luan një rol kryesor, duke ofruar mjete të sofistikuara për të mbledhur, analizuar dhe interpretuar këto të dhëna, duke i përkthyer ato në strategji të zbatueshme për bizneset.

    ➤ DataRobot: DataRobot, një platformë e automatizuar e mësimit të makinerive të drejtuar nga IA, fuqizon bizneset të krijojnë dhe vendosin me shpejtësi modele parashikuese. Inteligjenca Artificiale zvogëlon nevojën për ekspertizë të gjerë të shkencës së të dhënave, duke demokratizuar analitikën e të dhënave. Me veçori të tilla si optimizimi i modelit, njohuritë në kohë reale dhe eksplorimi gjithëpërfshirës i të dhënave, i lejon bizneset të marrin vendime të bazuara në të dhëna masive në mënyrë efektive.

    ➤ RapidMiner: RapidMiner ofron një grup të fuqishëm mjetesh për përgatitjen e të dhënave, mësimin e makinerive, mësimin e thellë, nxjerrjen e tekstit dhe analitikën parashikuese. Inteligjenca Artificiale ofron krijimin dhe vërtetimin e automatizuar të modelit, duke lehtësuar procesin e zbulimit të modeleve dhe tendencave brenda grupeve komplekse të të dhënave. Me RapidMiner, bizneset mund të shfrytëzojnë fuqinë e të dhënave të tyre për të përmirësuar efikasitetin operacional dhe për të hartuar strategji konkurruese.

    ➤ Alteryx: Alteryx është një platformë e fuqishme analitike e të dhënave që përdor IA dhe mësimin e makinerive për të automatizuar analitikën, përgatitjen e të dhënave dhe vendosjen e modeleve. Ndërfaqja e saj drag-and-drop lejon përdoruesit e të gjitha niveleve të aftësive të manipulojnë të dhënat, të ndërtojnë modele dhe të ndajnë informacione e njohuri ndërmjet tyre. Duke demokratizuar aksesin në shkencën dhe analitikën e të dhënave, Alteryx u mundëson bizneseve të shfrytëzojnë potencialin e të dhënave të tyre për përmirësimin e proceseve dhe nxitjen e rritjes. Integrimi i IA në analitikën e të dhënave paralajmëron një epokë të re të vendimmarrjes së informuar, ku njohuritë e nxjerra nga të dhënat janë të sakta, në kohë dhe me ndikim.

    ➤ DSS (Decision Support System) – Sistemi i Mbështetjes së Vendimeve (DSS) është një mjet i kompjuterizuar që ndihmon individët dhe organizatat në marrjen e vendimeve të mirëinformuara. Ai kombinon analizën e të dhënave, modelimin dhe ndërfaqet ndërvepruese për të trajtuar probleme komplekse dhe për të ndihmuar vendimmarrësit në fusha të ndryshme. DSS-të ofrojnë qasje në të dhëna në kohë reale, simulim të skenarëve dhe analitikë parashikuese, duke u mundësuar përdoruesve të eksplorojnë opsione të shumta dhe rezultatet e tyre të mundshme. Duke rritur saktësinë e vendimeve dhe duke reduktuar pasigurinë, DSS-të luajnë një rol vendimtar në planifikimin strategjik, efikasitetin operacional dhe avantazhin konkurrues në të gjithë lllojet e bizneseve.

    Ndërsa përfundojmë këtë eksplorim në labirinthet e IA, është e qartë se potenciali i saj është i jashtëzakonshëm, transformues dhe në evolucion eksponencial të vazhdueshëm./kb

  • ​Forumi i Strategjisë së Robotikës 2023 mbahet në Sofje

    ​Forumi i Strategjisë së Robotikës 2023 mbahet në Sofje

    Një forum për inovacione në robotikë dhe teknologji autonome, i titulluar “Forumi i Strategjisë së Robotikës 2023: Bullgaria në Epokën Dixhitale: AI, Automatizimi dhe Robotika”, nisi të martën në Sofia Tech Park.

    Ngjarja organizohet nga Shoqata Profesionale e Robotikës, Automatizimit dhe Inovacioneve.

    Vizitorët mund të takojnë inxhinierë të rinj bullgarë që tregojnë risi në robotikën industriale dhe zgjidhjet e automatizimit, si dhe kompani bullgare të specializuara në robotikë, automatizim, prodhim inteligjent dhe teknologji industriale, të cilët po shfaqin robotët dhe teknologjinë e tyre më të re, raporton BTA.

    Ka edhe program seminari, ku përfaqësues të degës flasin për trendet në prodhimin e robotëve bullgarë, sfidat me të cilat përballet siguria kibernetike në fabrikat bullgare, si dhe hyrjen e inteligjencës artificiale në industri.

    Forumi i Strategjisë së Robotikës po zhvillohet që nga viti 2019.

    Në hapje të forumit, zëvendësministri i Inovacionit dhe Rritjes, Georgi Angelov, tha se ministria e tij ka për qëllim të rikthejë Bullgarinë si një vend për inovacione të teknologjisë së lartë, sipërmarrje dhe transferim teknologjik.

    Robotika është një nga fushat prioritare në Bullgari, Evropë dhe botë, shtoi ai, siç citohet nga Ministria e Inovacionit.

    Ai tha gjithashtu se në kuadër të Programit për Konkurrueshmëri dhe Inovacion në Ndërmarrje janë gati të nisin dy procedura: për krijimin e inovacioneve në ndërmarrje dhe për inkorporimin e tyre.

  • iPhone 15 erdhi – a ia vlen dhe sa janë çmimet?

    iPhone 15 erdhi – a ia vlen dhe sa janë çmimet?

    Apple të martën prezantoi gjeneratën e re të iPhone-ave, të cilën e karakterizojnë kamera më të mira, procesorë më të shpejtë, një sistem i ri i mbushjes, dhe një ngritje çmimi për modelin më të avancuar.

    Prezantimi i telefonave të rinj mobilë në selinë e gjigantit teknologjik në Kupertino, Kaliforni, u bë teksa Apple po përpiqet ta përmbysë një rënie të shitjeve për tre çerekmujorë radhazi.

    Shitjet më të pakta kanë bërë që çmimi i aksioneve të kompanisë të bjerë për rreth 10 për qind që nga mesi i korrikut, duke e zvogëluar vlerën e Apple-it në treg nën pragun prej 3 trilionë dollarësh, që firma e arriti për herë të parë më herët këtë vit.

    Investitorëve me sa duket nuk iu bënë shumë përshtypje produktet e prezantuara nga Apple më 12 shtator, teksa aksionet e kompanisë ranë për gati 2 për qind të martën.

    Siç ka ndodhur me Apple-in dhe me prodhuesit e tjerë të telefonave të mençur, katër modelet e reja të iPhone 15-shit nuk kanë bërë ndonjë përparim të madh në teknologji.

    Por, Apple ka shtuar mjaftueshëm veçori të reja në modelin më të avancuar – iPhone 15 Pro Max – për ta rritur çmimin e tij bazë për 100 dollarë në Shtetet e Bashkuara, apo 9 për qind në krahasim me versionin e vitit të kaluar, në 1.200 dollarë.

    Si pjesë e çmimit më të lartë bazë, iPhone 15 Pro Max më i lirë do të ofrojë 256 gigabajtë hapësirë të brendshme, në krahasim me versionin më pak të kushtueshëm prej 128 gigabajtësh të iPhone 14 Pro Max-it.

    Apple i ka mbajtur të njëjta çmimet për pjesën tjetër të modeleve, teksa iPhone 15 bazik do të shitet për 800 dollarë, iPhone 15 Plus për 900, ndërsa iPhone 15 Pro për 1.000 dollarë.

    Ndonëse ruajtja e këtyre çmimeve pritet të ndikojë në fitimet e Apple-it dhe t’i bëjë trysni shtesë çmimit të aksioneve të kompanisë, analisti nga Investing.com, Thomas Monteiro, beson se ky është një hap i kujdesshëm, teksa inflacioni ende i lartë dhe shkalla e interesit në rritje po i tkurrin buxhetet e familjeve.

    “Realiteti është se Apple e ka gjetur veten në një pozitë sfiduese para kësaj ngjarjeje”, ka pohuar Monteiro.

    Dhe, rritja e çmimit të iPhone 15 Pro Max-it mund t’i ndihmojë Apple-it t’i rrisë shitjet, nëse konsumatorët vazhdojnë të anojnë nga modelet më të avancuara të kompanisë. Analisti nga Wedbush Securities, Dan Ives, pret që iPhone 15 Pro dhe Pro Max të përbëjnë rreth 75 për qind të shitjeve totale të gjeneratës së re në vitin pasardhës.

    Të gjitha modelet e reja do të dalin në shitje më 22 shtator në SHBA dhe në disa tregje tjera perëndimore, ndërsa porositë do të nisin këtë të premte.

    Një prej ndryshimeve më të mëdha që Apple njoftoi të martën është një mënyrë e re për t’i mbushur modelet e iPhone 15-shit dhe gjeneratat e ardhshme. Kompania ka kaluar në standardin USB-C, i cili tashmë përdoret gjerësisht në shumë pajisje, përfshirë kompjuterët e saj Mac dhe shumë prej iPad-ëve të saj.

    Apple është detyruar të pensionojë kabllot me portin e quajtur Lightning, që i prezantoi më 2012, për shkak të një vendimi që rregullatorët evropianë planifikojnë ta zbatojnë nga viti 2024.

    Ndonëse konsumatorët shpesh nuk i pëlqejnë ndryshimet, kalimi në portet USB-C mund të mos jetë aq i papërshtatshëm – për shkak se ky standard është në përdorim të gjerë në një varg kompjuterësh, telefonash të mençur e pajisjesh të tjera që njerëzit tashmë i posedojnë.

    Kalimi në USB-C mund të rezultojë edhe hap i pëlqyer, pasi ky standard zakonisht i mbush pajisjet më shpejt, si dhe siguron bartje më të shpejtë të të dhënave.

    Modelet bazike të iPhone 15-shit janë ridizajnuar për të ofruar një hapësirë ndryshuese në ekranin e telefonave, të cilën Apple e quan “Ishulli Dinamik”, për njoftime nga aplikacionet – një risi që u soll me pajisjet e vitit të kaluar Pro dhe Pro Max.

    Ato, po ashtu, kanë çip më të shpejtë, që është përdorur në modelet Pro dhe Pro Max të vitit të kaluar, përderisa iPhone 15-shat më të avancuar fuqizohen nga një procesor edhe më i avancuar, i cili u mundëson pajisjeve t’i akomodojnë të njëjtat videolojëra që zakonisht mund të luhen vetëm në aparate lojërash.

    iPhone 15 Pro dhe Pro Max do të kenë edhe atë që Apple pohon se është ekuivalent i shtatë thjerrave të kamerave. Sistemi i kamerave përfshin një thjerrë telefotografike të stilit të periskopit, i cili do të përmirësojë cilësinë e fotografive të shkrepura nga largësi të mëdha.

    Thjerra telefotografike ofron zmadhim optik deri në pesë herë – duke ngecur prapa zmadhimit deri në 10 herë që mundëson modeli i avancuar Galaxy S22 Ultra i Samsung-ut – por përfaqëson një përparim nga zmadhimi deri në 3 herë që ofrojnë iPhone 14 Pro dhe Pro Max.

    Apple ka vendosur t’i veshë modelet premium me titan, që kompania thotë se është materiali i njëjtë që përdoret në disa anije kozmike.

    Përveç iPhone-ave të rinj, Apple po ashtu ka prezantuar gjeneratën e saj të ardhshme të orëve të mençura – një produkt që debutimin e pati gati një dekadë më parë.

    Seria 9 e Apple Watch-it, që do të jetë në shitje nga 22 shtatori, vjen me një mundësi për kontrollimin e pajisjes me një gjest, i cili iu mundëson përdoruesve t’i menaxhojnë alarmet dhe t’iu përgjigjen thirrjeve telefonike duke e prekur dy herë gishtin e madh me një gisht tjetër.

  • SHBA-ja akuzon kompaninë Google për mashtrim

    SHBA-ja akuzon kompaninë Google për mashtrim

    Shtetet e Bashkuara argumentuan të martën se Google nuk kishte vepruar sipas rregullave në përpjekjet e kësaj kompanie të teknologjisë për të mbajtur dominancën në kërkimet online. Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, kompania pagoi 10 miliardë dollarë që rivalët më të vegjël të mos ishin kurrë tërheqës për përdoruesit.

    “Ky rast ka të bëjë me të ardhmen e internetit”, tha Kenneth Dintzer, përfaqësues i Departamentit të Drejtësisë. Ai, gjatë gjykimit në Uashington, tha se Google më 2010 nisi të ruante, në mënyrë të paligjshme, monopolin.

    Departamenti amerikan i Drejtësisë e ka akuzuar kompaninë Google se çdo vit ka paguar miliarda dollarë për prodhuesit e pajisjeve sikurse Apple Inc, për kompanitë e internetit sikurse AT&T dhe shfletuesve sikurse Monzilla për t’i dhënë motorit të kërkimit të Google hapësirë në treg prej 90 për qind.

    Për më tepër, Dintzer tha se Google ka mashtruar në ankandet për reklamat e vendosura në internet, në mënyrë që të rrisë çmimet për reklamuesit.

    “Shkalla e mashtrimit ka rëndësi dhe Google në mënyrë të paligjshme ka mbajtur monopolin për më shumë se një dekadë”, tha Dintzer. Ai tha se ka konkurrencë serioze, Google nuk iu përkushtua aq shumë inovacionit dhe i kushtoi më pak vëmendje shqetësimeve të tjera, sikurse është privatësia.

    Ai tha se Departamenti i Drejtësisë ka të dhëna se Google ka ndërmarrë hapa për të mbrojtur komunikimet lidhur me pagesat që i bënte kompanive sikurse Apple. “Ata e dinin se këto marrëveshje i kalonin kufizimet e ligjit të konkurrencës”, tha ai.

    Mbrojtja e Google për këtë çështje është e thjesht: Kompania argumenton se tregu i saj i madh nuk është për shkak se ka shkelur ligjin, por për faktin se ka një motor kërkimi të shpejtë dhe efektiv i cili është falas.

    Në një gjykatë federale në Uashington kanë nisur deklaratat hyrëse për këtë rast. Gjyqi pritet të zgjasë të paktën dhjetë javë dhe do të ndahet në dy faza. Në fazën e parë, gjykatësi Amit Mehta, do të vendosë nëse Google ka shkelur ligjet për konkurrencën dhe se si menaxhohen kërkimet dhe reklamimi në këtë kompani.

    Nëse gjykatësi vendos që Google ka shkelur ligjin, atëherë ai do të vendosë se cila është mënyra më e mirë për ta zgjidhur çështjen. Gjykatësi Mehta mund të vendosë thjesht të lëshojë një urdhër që i kërkon Google që të ndalë praktikat e tilla ose ta urdhërojë kompaninë që të shesë asetet. /rel