ATV

Category: Teknologji

Lexoni të gjitha lajmet, rishikimet dhe zhvillimet më të reja nga bota e teknologjisë. Zbuloni inovacionet e fundit në inteligjencën artificiale, telefonat inteligjentë, aplikacionet dhe shkencën digjitale.

  • WhatsApp është duke përgatitur një opsion për të fikur kamerën përpara se t’i përgjigjeni një videotelefonate

    WhatsApp është duke përgatitur një opsion për të fikur kamerën përpara se t’i përgjigjeni një videotelefonate

    Globalisht i popullarizuar, aplikacioni WhatsApp po teston një funksion të ri që synon të përmirësojë sigurinë e përdoruesve gjatë thirrjeve me video.

    Nëse jeni nga ata që nuk janë gjithmonë të sigurt nëse duan t’i përgjigjen një thirrjeje me video apo thjesht nuk janë gati për një bisedë “sy më sy”, kemi lajme të mira – WhatsApp po përgatit një zgjidhje.

    Aktualisht, kur një përdorues merr një thirrje me video në WhatsApp, kamera e përparme aktivizohet automatikisht, duke mos lënë mundësinë për ta pranuar thirrjen me kamerën të fikur. Edhe pse kjo nuk është problem për disa përdorues, ka shumë situata ku dikush dëshiron ta mbajë kamerën të çaktivizuar. Për momentin, është e mundur të përgjigjeni në thirrje dhe më pas të fikni kamerën, por kjo do të ndryshojë.

    Duke analizuar versionin më të fundit beta të WhatsApp për Android, Android Authority ka zbuluar opsionin e ri “Turn off your video” (Fik kamerën tënde), i cili do të shfaqet kur përdoruesi pranon një thirrje me video. Duke zgjedhur këtë opsion, kamera do të mbetet e fikur dhe thirrja do të pranohet vetëm në modalitetin zanor.

    Gjithashtu, ndërfaqja do të shfaqë opsionin “Accept without video” (Prano pa video), që i lejon përdoruesit të nisë thirrjen pa qenë i dukshëm. Nëse më vonë ndryshon mendje gjatë thirrjes, mund të zgjedhë opsionin “Turn on your video” dhe të kalojë në modalitetin me video.

    Ky funksion vjen në kohën e duhur, veçanërisht për shkak të rritjes së rasteve të zhvatjes përmes përmbajtjeve seksuale. Në Indi janë raportuar raste ku mashtruesit dërgojnë thirrje me video që përmbajnë përmbajtje eksplicite, më pas bëjnë një foto ku fytyra e viktimës është e dukshme dhe kërcënojnë se do ta publikojnë, nëse nuk paguhet një shumë e caktuar parash.

    WhatsApp ende nuk ka njoftuar zyrtarisht se kur kjo veçori do të jetë e disponueshme për publikun, por përdoruesit nuk pritet të presin gjatë. /Telegrafi/

  • ​Eksperienca e realitetit virtual e cila të lë me lot në sy

    ​Eksperienca e realitetit virtual e cila të lë me lot në sy

    Për shumëkënd, lajmet e vazhdueshme të këqija na mpin reagimin ndaj katastrofave klimatike. Por hulumtimet sugjerojnë se një lloj i ri tregimi gjithëpërfshirës për natyrën, përmes realitetit virtual (VR), mund të ndërtojë empati dhe të na inspirojë të veprojmë, shkruan BBC.

    “Një eksperiencë VR më ka prekur emocionalisht, ku ndjek historinë e një pangolini të ri, Chestnut, që përpiqet të mbijetojë në shkretëtirën Kalahari”, shprehet në artikullin e BBC Neës. Ndërsa numri i insekteve ka rënë për shkak të ndryshimeve klimatike, Chestnut lufton për të gjetur ushqim dhe, në fund, vdes. Ky lloj i narrativës VR ka dëshmuar të jetë më i fuqishëm dhe më prekës se mediat e tjera, duke ndikuar në sjelljen dhe qëndrimet ndaj mjedisit, shkruan KosovaPress.

    Kompani si HabitatXR po përdorin VR për të krijuar eksperienca që shfaqin natyrën në mënyrë gjithëpërfshirëse. Studimet tregojnë se këto eksperienca mund të rrisin lidhjen tonë me natyrën dhe të na nxisin të veprojmë për ta mbrojtur. VR është veçanërisht e fuqishme në provokimin e ndjenjës së madhështisë dhe mahnitjes, që mund të na motivojë të bëjmë sakrifica për mjedisin.

    Megjithatë, edhe pse VR mund të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe qasjes në natyrë, ajo nuk mund të zëvendësojë përvojat reale në natyrë. Për më tepër, VR mund të jetë një mundësi për ata që nuk kanë qasje të lehtë në natyrën reale, siç janë ata që nuk kanë parqe afër shtëpisë.

  • TikTok përforcon masat për adoleshentët

    TikTok përforcon masat për adoleshentët

    Karakteristika të reja të personalizueshme për të menaxhuar kohën e kaluar në aplikacion, transparencë mbi kontaktet e adoleshentëve dhe një mjet për të inkurajuar çaktivizimin në mbrëmje. Këto janë karakteristikat e reja të shpallura nga TikTok, një përmirësim i Family Connection (Lidhja e Familjes), “mjeti që për pesë vjet ka mbështetur prindërit dhe kujdestarët për të krijuar një mjedis të sigurt dhe pozitiv”.

    “Tejkalimi i bashkëpunimit me familjet dhe duke ndjekur udhëzimet e ekspertëve – thotë TikTok-u në një njoftim – karakteristikat e reja ofrojnë më shumë kontroll dhe personalizim për prindërit për të mbështetur djemtë dhe vajzat në zhvillimin e zakoneve digjitale të balancuara”.

    Ndër karakteristikat e reja të prezantuara është pushimi nga ekrani, që i lejon prindërit dhe kujdestarët të vendosin kufizime të personalizuara për të bllokuar qasjen në TikTok për adoleshentët në periudha kohore specifike, shkruan ANSA, transmeton KosovaPress.

    Transparenca në rrjetin social: prindërit dhe kujdestarët do të mund të shohin se kë ndjekin fëmijët e tyre në TikTok, kush i ndjek ata dhe cilat llogari kanë bllokuar.

    Duke filluar nga muajt e ardhshëm, kur një adoleshent të raportojë një video që e konsideron të papërshtatshme, do të mund të njoftohet gjithashtu një prind, kujdestar ose një i rritur tjetër i besuar, edhe jashtë “Family Connection”.

    Përfundimisht, ky përditësim ka funksionin “kohë për pushim”: nëse një adoleshent (ndërmjet 13 dhe 15 vjeç) është në TikTok pas orës 22:00, përmbajta e tij ‘For You’ do të ndërpritet nga ky funksion i ri që përbëhet nga një kujtesë me ekran të plotë dhe muzikë relaksuese, e cila është projektuar për të inkurajuar relaksimin dhe ndërgjegjësimin për kohën, përcjellë KosovaPress.

    “Integrimi i një elementi meditativ është planifikuar në javët në vijim”, përfundon TikTok.

  • Google Maps po merr një përditësim të madh – a do ta shfrytëzoni?

    Google Maps po merr një përditësim të madh – a do ta shfrytëzoni?

    Përdoruesit e Android 16 tani kanë mundësinë të provojnë për herë të parë një funksion të ri gjatë përdorimit të Google Maps, pasi kjo aplikacion është i pari që përdor “Live Updates”.

    Ky funksion u mundëson përdoruesve të marrin informacione të përditësuara në shiritin e statusit, duke e bërë më të lehtë, për shembull, ndjekjen e udhëzimeve në harta.

    E ngjashme me sistemin “Live Activities” të Apple, funksioni i ri i Android mund të përdoret në aplikacione të ndryshme, por aktualisht është zbatuar vetëm në Google Maps. “Live Updates janë një lloj i ri njoftimesh që ndihmojnë përdoruesit të ndjekin dhe të kenë qasje të shpejtë në aktivitetet e rëndësishme aktuale”, shpjeguan zhvilluesit e Android në një postim ku u prezantua për herë të parë ky funksion.

    Tani, përdorimi i “Live Updates” është vërejtur në versionin Beta 2.1 të Android 16, raporton Android Authority.

    Kur ndiqni udhëzimet përmes aplikacionit Google Maps, në shiritin e statusit të Android shfaqet një tregues me informacion për kohën deri në kthesën tjetër dhe kohën e parashikuar të mbërritjes. Nëse tërhiqni poshtë njoftimet, do të shihni më shumë detaje.

    Nëse nuk dëshironi të keni informacione live në njoftime, ekziston edhe mundësia për ta çaktivizuar këtë funksion. Në seksionin e cilësimeve të njoftimeve për Maps, mund të gjeni opsionin “Shfaq informacione live” dhe ta çaktivizoni atë.

    Për momentin, ky funksion është i disponueshëm vetëm në versionin beta të Android 16. Megjithatë, pritet që në të ardhmen shumë aplikacione do ta përdorin funksionalitetin “Live Updates”, veçanërisht kur Android 16 të prezantohet gjatë verës. /Telegrafi/

  • ​Prodhuesi turk i dronëve Baykar nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me gjigantin Italian

    ​Prodhuesi turk i dronëve Baykar nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me gjigantin Italian

    Prodhuesi kryesues turk i dronëve Baykar Technologies dhe gjiganti i mbrojtjes Leonardo kanë nënshkruar marrëveshje partneriteti në teknologjitë pa pilot.

    Marrëveshja u nënshkrua nga shefi ekzekutiv i kompanisë Leonardo, Roberto Cingolani dhe kreu i kompanisë Baykar, Selçuk Bayraktar dhe shefi ekzekutiv, Haluk Bayraktar. Ceremonia u zhvillua në selinë e kompanisë Leonardo në Romë, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    “Ne kemi qenë në negociata intensive për muaj të tërë. Ne tashmë po punonim me Leonardon dhe ka sisteme që i kemi integruar”, tha Selçuk.

    “Ne tashmë ishim duke bashkëpunuar dhe kimia dhe sinergjia janë zhvilluar në një mënyrë magjepsëse në muajt e fundit”, shtoi ai. Duke theksuar se të dy kompanitë kanë veçori plotësuese, Selçuk tha se “Ne mund të bëjmë sistemet më të mira së bashku. I falënderojmë për bashkëpunimin, jemi shumë të lumtur që nisim këtë rrugëtim”.

    Cingolani, nga ana tjetër, tha se sot është një ditë shumë e rëndësishme pasi “po nënshkruajmë një memorandum mirëkuptimi me Baykar”.

    “Ne kemi identifikuar gurë themelin e rëndësishëm me kolegët tanë nga Baykar”, tha ai. Duke theksuar se po kalojnë një periudhë komplekse, Cingolani tha se marrëveshja është produkt i punës së tyre intensive në pesë muajt e fundit.

    “Ky është një rezultat i madh”, tha Cingoloni duke theksuar se marrëveshja është pesëvjeçare, por parashikon një bashkëpunim më të thellë. Ai shtoi se i ka lënë shumë përshtypje vizita e tij në objektet e kompanisë Baykar në Istanbul, duke theksuar se Baykar ka një familje shumë të gjerë produktesh në UAV (mjete ajrore pa pilot).

    Prodhimi do të kryhet në Türkiye dhe Itali nën partneritetin e dy kompanive. Baykar dhe Leonardo presin që tregu i mjeteve ajrore pa pilot në Evropë të arrijë në 100 miliardë dollarë në 10 vitet e ardhshme.

    Baykar Technologies, prodhuesi i mjeteve ajrore luftarake pa pilot (UCAV) Bayraktar TB2 dhe Bayraktat Akıncı, ka zgjeruar rrjetin e tij të bashkëpunimit në Itali.

    Në muajin dhjetor, kompania turke bleu gjigantin italian të hapësirës ajrore Piaggio.

  • ​BMW vonon prodhimin e Mini elektrike, shkak i pasigurisë

    ​BMW vonon prodhimin e Mini elektrike, shkak i pasigurisë

    BMW ka konfirmuar se ka vonuar rihyrjen e prodhimit të automjeteve elektrike në fabrikën Mini në Oxford për shkak të pasigurisë në industrinë automobilistike.

    Kompania ka vendosur të pezullojë përmirësimin e fabrikës së saj në Cowley, një investim prej 600 milionë paund, dhe të refuzojë një grant prej 60 milionë paund nga qeveria, por ka mbetur në dialog me të.

    Kjo ka ndodhur për shkak të shqetësimeve mbi objektivat e prodhimit të automjeteve elektrike. Prodhuesit e automjeteve kanë argumentuar se numri i automjeteve elektrike që pritet të shiten në këtë vit dhe vitet e ardhshme është tepër i lartë.

    Prodhimi i dy modeleve elektrike Mini ishte planifikuar të fillonte në 2026, ndërsa BMW ka theksuar se ndihma e qeverisë për kalimin në automjete elektrike është e nevojshme. Departamenti për Transportin ka deklaruar se po konsultohet për afatin e ri të 2030 dhe po investon mbi 2.3 miliardë paund për mbështetje.

  • “Silicon Valley” zbulon veturat e të ardhmes

    “Silicon Valley” zbulon veturat e të ardhmes

    Modelet më të fundit të veturave nga disa prej prodhuesve më të mëdhenj në botë janë sjellë të gjitha nën një çati në ‘Silicon Valley Auto Show 2025’.

    Shfaqja e veturave, që filloi të premten dhe përfundon sot, mbahet në Qendrën e Konventave në Santa Clara të Kalifornisë dhe ofron një vështrim për të ardhmen e veturave.

    Në këtë ngjarje u prezantua një gamë e gjerë e veturave nga prodhues të klasit botëror, përfshirë Acura, Mercedes-Benz, Tesla, Porsche, Toyota, Land Rover dhe shumë të tjera.

    Një pikë kryesore në shfaqje ishte mjeti i parë fluturues në botë i zhvilluar nga kompania ALEF, një automjet inovativ që shënoi një hap të rëndësishëm përpara në transportin personal ajror. kompania planifikon të fillojë prodhimin dhe të nisë dërgesat e para në fund të vitit 2025.

    Ngjarja ka rezultuar të jetë një përvojë emocionuese për entuziastët e veturave dhe novatorët e teknologjisë, duke shfaqur përparimet më të fundit në vetura dhe në të ardhmen e transportit.

  • Si do të jetë bota pas 5 vjetësh me Inteligjencën Artificiale

    Si do të jetë bota pas 5 vjetësh me Inteligjencën Artificiale

    Inteligjenca Artificiale (IA) është duke revolucionarizuar çdo aspekt të jetës sonë. Nga arsimi te shëndetësia, nga ekonomia te argëtimi, kjo teknologji po bëhet një mjet i pandashëm i përditshmërisë.

    Brenda pesë viteve të ardhshme, ndikimi i saj do të jetë edhe më i madh, duke prekur thellësisht mënyrën se si jetojmë, punojmë dhe ndërveprojmë me njëri-tjetrin. Po cilat janë disa nga transformimet kryesore që priten deri në vitin 2029.

    Arsimi: Nga mësimi tradicional te inteligjenca e personalizuar

    Në botën e arsimit, IA po riformëson mënyrën se si studentët mësojnë. Në vend të një metode uniforme të mësimdhënies, teknologjia do të mundësojë një përvojë të personalizuar për çdo student. Algoritmet e IA-së do të identifikojnë nevojat dhe dobësitë individuale të nxënësve, duke ofruar materiale dhe ritëm të përshtatur për secilin. Profesori nuk do të zhduket, por do të ketë rolin e një mbikëqyrësi dhe mentori që do të ndihmojë në interpretimin dhe përforcimin e njohurive të marra nga sistemet e automatizuara.

    Në shumë shkolla, tashmë përdoren platforma të bazuara në IA që ndihmojnë studentët të kuptojnë konceptet më mirë përmes simulimeve dhe analizave të thelluara. Brenda pesë viteve të ardhshme, është e pritshme që shkollat të përdorin më shumë mësues virtualë dhe të ndjekin një model hibrid mësimor.

    Shëndetësia: Diagnoza më të sakta dhe trajtime të personalizuara

    Në fushën e shëndetësisë, IA do të luajë një rol vendimtar në përmirësimin e diagnozave dhe trajtimeve. Brenda pesë viteve, teknologjia do të mund të analizojë të dhënat mjekësore në mënyrë të menjëhershme dhe të sugjerojë trajtime të personalizuara për pacientët. Ky zhvillim do të ndihmojë në reduktimin e gabimeve mjekësore dhe do të përmirësojë efikasitetin e shërbimeve shëndetësore.

    Për më tepër, përdorimi i IA-së në kërkimin farmaceutik do të përshpejtojë procesin e zhvillimit të ilaçeve të reja. Përmes analizave të avancuara të të dhënave, do të jetë më e lehtë të gjenden trajtime efektive për sëmundje të ndryshme, duke reduktuar ndjeshëm kohën dhe kostot e zhvillimit të tyre.

    Ekonomia dhe tregu i punës: Riformësimi i mënyrës së punës

    Ekonomia do të përjetojë një transformim rrënjësor, pasi shumë procese do të automatizohen. Industria financiare tashmë po përdor algoritme të IA-së për të optimizuar investimet dhe për të luftuar mashtrimet financiare. Në të njëjtën kohë, sistemet e IA-së do të ndihmojnë bizneset të analizojnë sjelljen e konsumatorëve dhe të ofrojnë produkte dhe shërbime të personalizuara.

    Megjithatë, automatizimi i punës do të çojë në humbjen e disa vendeve të punës, sidomos në sektorë si bankat, sigurimet dhe shërbimet administrative. Nga ana tjetër, do të krijohen profesione të reja që kërkojnë aftësi në menaxhimin dhe zhvillimin e teknologjisë së IA-së.

    Sipas një raporti të fundit, deri në vitin 2029, rreth 3.8 milionë vende pune në Itali pritet të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale, ndërkohë që do të krijohen mundësi të reja në sektorë të ndryshëm si inxhinieria e të dhënave dhe etika e IA.

    Automjetet dhe transporti: Drejtimi autonom

    Në pesë vitet e ardhshme, makinat autonome do të jenë më të përhapura. Sistemet e IA-së do të mund të analizojnë kushtet e trafikut dhe të marrin vendime në kohë reale për të reduktuar aksidentet. Me përmirësimin e sensorëve dhe algoritmeve të vetë-mësimit, këto automjete do të jenë në gjendje të lëvizin me siguri edhe në rrugë të ndërlikuara.

    Përveç makinave, transporti publik do të përfitojë gjithashtu nga IA. Rrjetet e transportit do të menaxhohen më mirë falë analizës së të dhënave të mëdha, duke optimizuar oraret dhe ulur ndotjen.

    Banka dhe siguria financiare: Optimizimi i proceseve dhe lufta ndaj mashtrimeve

    Në sektorin bankar, IA do të përdoret për të përmirësuar procesin e dhënies së kredive dhe për të përforcuar sistemet kundër mashtrimeve. Bankat do të ofrojnë shërbime të personalizuara për klientët e tyre përmes asistentëve virtualë që do të ndihmojnë në menaxhimin e financave personale dhe zgjidhjen e problemeve komplekse.

    Ndërkohë, siguria kibernetike do të jetë një tjetër fushë ku IA do të luajë një rol të rëndësishëm. Me avancimin e sulmeve kibernetike, sistemet inteligjente do të jenë të afta të analizojnë dhe parandalojnë kërcënimet në kohë reale, duke reduktuar rrezikun e vjedhjes së të dhënave dhe mashtrimeve financiare.

    Argëtimi dhe mediat: Personalizimi i përvojës

    Industria e argëtimit do të ndryshojë ndjeshëm. Në platforma si Netflix dhe Spotify, algoritmet e IA-së tashmë rekomandojnë përmbajtje bazuar në preferencat tona. Megjithatë, në të ardhmen, do të mund të shohim filma dhe të luajmë videolojëra ku rrëfimet dhe skenarët do të përshtaten sipas preferencave tona, duke krijuar një përvojë unike për çdo përdorues.

    Në fushën e muzikës dhe artit, IA po përdoret për të krijuar këngë dhe vepra arti origjinale. Brenda pak vitesh, mund të kemi asistencë krijuese që do të ndihmojë artistët të eksplorojnë forma të reja të shprehjes.

    Marrëdhëniet sociale dhe etika: Sfida të reja

    Ndikimi i IA-së nuk do të kufizohet vetëm në fusha praktike, por do të prekë edhe marrëdhëniet njerëzore. Rritja e asistentëve virtualë inteligjentë mund të çojë në një ndryshim të madh në mënyrën se si ndërveprojmë me njëri-tjetrin. Një studim i fundit tregon se një në katër të rinj nën 40 vjeç mendon se IA mund të zëvendësojë një marrëdhënie romantike tradicionale.

    Megjithatë, kjo sjell sfida të mëdha etike. Si mund të garantojmë që IA të mos manipulojë njerëzit emocionalisht? A do të jetë e mundur të vendosen kufizime për të mbrojtur privatësinë dhe vlerat njerëzore?

    Inteligjenca Artificiale do të sjellë transformime të mëdha në të gjitha aspektet e jetës. Megjithëse përfitimet e saj janë të mëdha, rreziqet dhe sfidat etike duhet të adresohen me kujdes. Një nga sfidat më të mëdha do të jetë balancimi midis inovacionit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

    Në pesë vitet e ardhshme, suksesi i shoqërisë sonë do të varet nga mënyra se si e përdorim këtë teknologji dhe si vendosim kufizimet e duhura. / bota.al

  • Koreja e Veriut dyshohet të jetë pas “hakerimit më të keq në histori” të kriptomonedhës

    Koreja e Veriut dyshohet të jetë pas “hakerimit më të keq në histori” të kriptomonedhës

    Kriminelët kibernetikë të Koresë së Veriut dyshohet se kanë kryer “hakimin më të keq në histori” pasi u zbulua një grabitje e kriptomonedhës prej 1.19 miliardë dollarësh.

    Hakeruesit arritën të merrnin kontrollin e një portofoli Ethereum dhe të largonin të gjithë përmbajtjen e tij, shkruan The Sun.

    Bursa Bybit me bazë në Dubai e konfirmoi këtë grabitje rekord të kriptomonedhës.

    Përgjegjësit e krimit arritën të aksesojnë portofolin prej £1 miliard dhe të transferonin përmbajtjen e tij në një adresë të paidentifikuar.

    Firma e analizës së blockchain Arkham Intelligence ka akuzuar Grupin Lazarus të Koresë së Veriut pas këtij hakimi. Pavarësisht pretendimeve të Arkham, autorët ende nuk janë konfirmuar.

    Shefi ekzekutiv i Bybit, Ben Zhou, ndau një deklaratë në X pas incidentit të kushtueshëm. Ai e përshkroi këtë krim si “hakimin më të keq në histori”.

    Zhou tha se kompania e tij mori më shumë se 350,000 kërkesa për tërheqje pas goditjes. Bybit e shtoi se kishte raportuar krimin në polici dhe po punonte për të gjetur kriminelët. Bybit, e themeluar në vitin 2018, mban një pasuri prej £15 miliard dhe ofron për përdoruesit kriptomonedha të ndryshme.

    Koreja e Veriut ka vjedhur një shumë të vlerësuar prej 800 milionë dollarësh në kriptomonedha në vitin 2024, sipas Redbord.

    Sulmet e tjera të mëdha në kriptomonedha në të kaluarën kanë shkaktuar vjedhjen e qindra milionë paundëve nga portofolat online të njerëzve. Një shumicë e madhe prej £32 milionë Bitcoin u vjedh nga bursa Binance në vitin 2019./tch

  • AI është gati të deshifrojë mendimet e kafshës suaj

    AI është gati të deshifrojë mendimet e kafshës suaj

    Shumë pronarë të kafshëve shtëpiake shpesh pyesin veten se çfarë mund të jenë duke thënë macet dhe qentë e tyre. Me kalimin e kohës, njerëzit fillojnë të kuptojnë kuptimin pas çdo tundjeje të bishtit, çdo miau dhe çdo lehjeje, por ideja për të ditur saktësisht se çfarë komunikojnë kafshët e tyre ka qenë gjithmonë një dëshirë e përbashkët.

    Së fundmi, shkencëtarët po përdorin inteligjencën artificiale (AI) për të deshifruar gjuhën e kafshëve, një fushë që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje.

    Sipas një raporti të The Guardian, Daniel Mills, profesor i mjekësisë së sjelljes veterinare në Universitetin e Lincolnit, ka theksuar se AI mund të ndihmojë në interpretimin të komunikimit të kafshëve, duke ofruar njohuri të reja mbi qëllimet dhe emocionet e tyre. Kjo teknologji mund të sjellë përfitime të rëndësishme në mirëqenien e kafshëve dhe në marrëdhëniet e tyre me njerëzit.

    Një studim i fundit i publikuar në revistën Science Direct ka analizuar kompleksitetin e shprehjeve të fytyrës te macet, duke zbuluar se ato shfaqin 276 shprehje të ndryshme gjatë ndërveprimeve me njëra-tjetrën. Studiuesja Brittany Florkiewicz, profesoreshë e psikologjisë në Kolegjin Lyon, vëren se macet ndryshojnë mënyrën e komunikimit kur ndërveprojnë me njerëzit krahasuar me ndërveprimet me macet e tjera. Ky kompleksitet paraqet sfida në të kuptuarit e emocioneve të tyre, por përdorimi i AI-së mund të ndihmojë në interpretimin më të saktë të këtyre sinjaleve.

    Studiuesit, duke përfshirë ekipin e Mills, po përdorin teknologjinë AI për të analizuar shprehjet e fytyrës te macet, qentë dhe kuajt përmes analizës së një sasie të madhe videosh të disponueshme në internet. Kjo metodë jo vetëm që synon të ndihmojë në kuptimin e komunikimit të kafshëve shtëpiake, por gjithashtu mund të përdoret për të përmirësuar mirëqenien e kafshëve në sektorë të ndryshëm, si p.sh. monitorimi i shëndetit të lopëve gjatë procesit të mjeljes për të identifikuar shenjat e dhimbjes.

    Aplikimet e AI-së në kuptimin e komunikimit të kafshëve shkojnë përtej sferës së kafshëve shtëpiake. Teknologjia mund të ndihmojë në përpjekjet për ruajtjen e specieve të rrezikuara dhe të ofrojë njohuri të reja mbi biologjinë dhe psikologjinë e tyre. Studiues të ndryshëm po përdorin AI për të analizuar vokalizimet e kafshëve të egra si zebrat, rinocerontët e bardhë dhe papagajtë për të studiuar modelet e tyre të komunikimit. Kjo analizë mund të ndihmojë gjithashtu në eksplorimin e origjinës së aftësive të komunikimit të njeriut dhe lidhjeve të tij me kafshët e tjera.