ATV

Category: Teknologji

Lexoni të gjitha lajmet, rishikimet dhe zhvillimet më të reja nga bota e teknologjisë. Zbuloni inovacionet e fundit në inteligjencën artificiale, telefonat inteligjentë, aplikacionet dhe shkencën digjitale.

  • Drejtori i BMW-së, Goller: Kurrë nuk do të ndalojmë së prodhuari motorë me benzinë ​​dhe naftë

    Drejtori i BMW-së, Goller: Kurrë nuk do të ndalojmë së prodhuari motorë me benzinë ​​dhe naftë

    BMW kohët e fundit prezantoi modelin elektrik Neue Klasse në panairin e veturave në Mynih.

    Qëllimi është të kapë dhe të tejkalojë prodhuesit kinezë në këtë segment të automjeteve.

    Megjithatë, BMW nuk e braktis traditën e vet. Autocar India raporton se drejtori i shitjeve të markës, Jochen Goller, ishte shumë i qartë në pyetjen e bërë: a do të ndalojë BMW prodhimin e motorëve me djegie të brendshme?!

    “Kurrë”, tha shkurt ai.

    Bashkimi Evropian ka vendosur që pas vitit 2035, veturat e reja me motor benzinë dhe dizel (si dhe hibride) nuk do të lejohen të shiten në vendet anëtare.

    Drejtori i BMW-së, Goller: Kurrë nuk do të ndalojmë së prodhuari motorë me benzinë dhe naftë telegrafi.com

    Aktualisht, prodhuesit kinezë janë shumë përpara krahasuar me ata evropianë, veçanërisht sa i përket çmimit të makinave të reja elektrike.

    Javën e kaluar, Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automjeteve (ACEA) u takua me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një takim urgjent.

    Një nga temat ishte dëshira e industrisë së automobilave për të zgjatur afatin dhe për të vazhduar shitjen e veturave me motorë me djegie të brendshme edhe pas vitit 2035.

    Shumë analistë besojnë se përpjekjet e industrisë së automobilave do të jenë të kota.

    BMW planifikon një gjeneratë të re veturash me motor benzinë dhe dizel, të cilat do të jenë në dispozicion në Evropën Lindore, Indinë dhe vendet ku elektrifikimi ende nuk ka përparuar.

    Kështu do të vazhdojë edhe pas vitit 2035. /Telegrafi/

  • Shfaqen problemet e para me iPhone 17 Pro – Përdoruesit ankohen se pjesa e pasme gërvishtet shumë lehtë

    Shfaqen problemet e para me iPhone 17 Pro – Përdoruesit ankohen se pjesa e pasme gërvishtet shumë lehtë

    iPhone-i i ri është në treg vetëm disa ditë, por tashmë po vijnë raportimet e para për probleme.

    Duket se pjesa e pasme e iPhone-ve të rinj në disa ngjyra gërvishtet shumë lehtë, ndërsa rrjetet sociale janë plot me komente dhe video lidhur me këtë. Në TikTok po qarkullojnë shumë video nga përdorues që tregojnë gërvishtjet në pjesën e pasme të pajisjes.

    Për këtë problem ka folur edhe gazetari i Bloomberg, Mark Gurman. Në një video në TikTok ai theksoi se përdoruesit kanë vënë re gërvishtje në pjesën e pasme të iPhone-ve të rinj me ngjyrë të zezë dhe të kaltër të errët.

    Ai shtoi se këto nuanca janë më të prirura për gërvishtje krahasuar me modelet e tjera, si ato me ngjyrë të artë, të kaltër dhe të bardhë tek modelet Air, si dhe ngjyrën portokalli tek modelet 17 Pro dhe 17 Pro Max.

    Por, përveç gërvishtjeve, Gurman theksoi edhe një problem tjetër – karrikuesi pa tel MagSafe herë pas here lë shenja në pjesën e pasme të modeleve më të errëta të iPhone, sidomos nëse pajisjet karikohen për një kohë më të gjatë.

    @megantinxie liked deep blue the best but ended up getting the silver 🥲 whyyyy #iphone17pro #iphone17promax #apple #iphone17 ♬ admire the perc – !


    Problemi është më i dukshëm sepse Apple këtë vit ka kaluar në përdorimin e një karikuesi alumini për modelet Pro dhe Pro Max, pasi më parë përdorte titan, përfundoi Gurman në videon e tij.

    A mund të dëmtojë problemi shitjet e telefonave të rinj?

    Analistët nga Wall Street, me të cilët ka biseduar portali MarketWatch, nuk duken të shqetësuar për këtë, as për ndikimin e mundshëm në biznesin e Apple.

    “Prezantimet e reja të iPhone-ve shpesh shoqërohen me probleme të reja. Edhe ndryshimet më të vogla në dizajn dhe materiale marrin shumë vëmendje për shkak të rëndësisë së madhe të produktit që shitet në miliona njësi çdo muaj”, tha Gil Luria, drejtor në D.A. Davidson.

    Luria shtoi se “nëse rezulton se ky është një problem i përhapur, Apple gjithmonë mund të ndryshojë drejtim. Kjo mund të sjellë disa kosto afatshkurtra, por ndoshta asgjë më shumë.”

    Dan Ives, analist i lartë në Wedbush Securities, deklaroi se situata me gërvishtjet është “mbivlerësuar” dhe e quajti iPhone 17 një produkt “fenomenal”. “Përdoruesit janë të kënaqur dhe sipas mendimit tonë ky nuk do të jetë problem,” shtoi Ives. /Telegrafi/

    @bloombergbusiness Eager shoppers around the globe waiting to purchase a new #iPhone on Friday arrived at stores to find that some of the models were already covered in scratches. Mark Gurman explains why. #tech #news ♬ original sound – Bloomberg Business

  • Tesla Cybertruck kalon testet e sigurisë

    Tesla Cybertruck kalon testet e sigurisë

    Tesla Cybertruck ka kaluar me sukses testet e ashpra të përplasjes nga Instituti për Sigurinë në Autostrada (IIHS), duke konfirmuar një nivel të lartë mbrojtjeje për pasagjerët.

    Problemet me dritat e përparme dhe rripin e sigurimit i pamundësuan Cybertruck-ut të merrte çmimin prestigjioz Top Safety Pick.

    Në testin e përplasjes frontale, kukulla e vendosur në ulësen e shoferit tregoi lëndime minimal në kokë, gjoks dhe këmbë, ndërsa pasagjerët në ulëset e pasme shfaqën vetëm rrezik të vogël për gjoksin.

    Testet e sistemit të shmangies së përplasjeve treguan gjithashtu performancë të shkëlqyer, me Cybertruck që shmangu të gjitha skenarët e emergjencës, ditën dhe natën, përfshirë pengesat lëvizëse.

    Sipas IIHS, dobësia kryesore e automjetit qëndron te sistemi i ndriçimit të përparmë, i cili krijon shkëlqim të tepërt dhe ndriçim të pabarabartë midis anës së majtë dhe të djathtë të rrugës.

  • YouTube shton funksione e reja AI për krijuesit e përmbajtjeve dhe Shorts

    YouTube shton funksione e reja AI për krijuesit e përmbajtjeve dhe Shorts

    Gjatë eventit Made on YouTube 2025, platforma prezantoi një sërë mjetesh dhe veçorish të reja të bazuara në inteligjencën artificiale, të cilat synojnë të mbështesin krijuesit e përmbajtjeve në mënyrë më efikase.

    Duke nisur me YouTube Shorts, Google po implementon mjetin gjenerues DeepMind Veo 3 Fast, i cili mund të krijojë sfonde për klipe të shkurtra me zë. Ky mjet ofron gjithashtu mundësi për redaktime AI, shtimin e objekteve në skena dhe konvertimin e dialogut në këngë ose shoqërim muzikor.

    YouTube prezantoi gjithashtu një mjet bisedor të quajtur Ask Studio, i projektuar për të ndihmuar krijuesit të optimizojnë rrjedhën e punës, të marrin sugjerime dhe të kryejnë teste A/B për angazhim më të madh të audiencës.

    Platforma ka sjellë përditësime edhe për transmetimet e drejtpërdrejta dhe podkastet. Krijuesit e podkasteve do të mund të përdorin AI-në për të prerë Shorts dhe klipe të shkurtra nga episodet e plota, ndërsa mjeti Veo mund të gjenerojë video të personalizueshme vetëm nga skedari audio.

    Në aspektin e monetizimit, YouTube ka shtuar opsione të reja që i afrojnë krijuesit dhe bizneset. Krijuesit tani mund të shtojnë lidhje direkte në faqet e markave brenda Shorts, ndërsa YouTube Shopping pritet të zgjerohet në më shumë tregje dhe shitës me pakicë, duke përfshirë edhe etiketimin automatik të produkteve për integrim më të lehtë.

    Mjetet dhe veçoritë e reja do të prezantohen gradualisht deri në fund të vitit 2025 dhe në fillim të vitit 2026.

  • Laptopi më i lirë i Apple mund të hyjë në prodhim shumë shpejt

    Laptopi më i lirë i Apple mund të hyjë në prodhim shumë shpejt

    Apple ka kohë që përflitet se do të përgatisë një MacBook të ri me një çip iPhone dhe një çmim më të ulët, dhe duket se do të hyjë në prodhim masiv së shpejti.

    Një model MacBook më i përballueshëm, i mundësuar nga një procesor i serisë A, mund të hyjë në prodhim në tremujorin e katërt të këtij viti, sipas analistit të zinxhirit të furnizimit të Apple, Ming-Chi Kuo, shkruajnë mediat e huaja.

    Kjo do të thotë që Apple mund të lansojë MacBook, me një çmim të përfolur prej 599 dollarësh, në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2026.

    MacBook më i lirë i Apple u përfol për herë të parë në qershor.

    Laptopi u përfol se do të kishte një ekran 33 centimetra dhe të njëjtin çip A18 Pro që Apple përdori në modelet iPhone 16 Pro.

    Mund të jetë gjithashtu i disponueshëm në ngjyra më të ndritshme se çdo MacBook aktual, dhe të vijë në ngjyra rozë, të kaltër dhe të verdhë së bashku me një variant më klasik argjendi. /Telegrafi/

  • Komunikimi përmes mesazheve dhe stresi krahasuar me komunikimin sy më sy

    Komunikimi përmes mesazheve dhe stresi krahasuar me komunikimin sy më sy

    Studime të psikologjisë së komunikimit kanë treguar se komunikimi përmes mesazheve digjitale mund të rrisë nivelin e stresit gjatë një konflikti.

    Pa sinjale joverbale, si toni i zërit, shprehjet e fytyrës dhe gjuha e trupit, njerëzit kanë tendencën të interpretojnë gabimisht qëllimin e tjetrit, shpesh duke perceptuar armiqësi ose zemërim edhe kur këto nuk ekzistojnë.

    Studiuesja Dr. Kory Floyd ka kryer studime mbi efektet emocionale të komunikimit digjital, duke treguar se diskutimi përmes mesazheve kërkon një përpjekje më të madhe njohëse për të deshifruar emocionet dhe kontekstin, duke rritur ankthin, frustrimin dhe tensionin emocional.
    Eksperimentet kanë treguar se çiftet dhe kolegët që zihen përmes chat-it raportojnë më shumë parehati dhe zgjatje më të madhe të konfliktit krahasuar me ata që diskutojnë ballë për ballë.

    Ekspertët sugjerojnë prandaj që mesazhet dhe emailet të rezervohen për komunikime praktike dhe neutrale, ndërsa bisedat emocionalisht të ndjeshme duhet të zhvillohen ballë për ballë ose të paktën përmes video-thirrjes, në mënyrë që të ruhet kontakti njerëzor dhe të reduktohen keqkuptimet.

  • Mashtrim në WhatsApp: Kujdes, mund t’ju rrëmbejnë llogarinë

    Mashtrim në WhatsApp: Kujdes, mund t’ju rrëmbejnë llogarinë

    Një fushatë e re phishing, e dokumentuar nga kompania e sigurisë Kaspersky, po synon përdoruesit e rrjetit social WhatsApp përmes një skeme mashtruese të rreme votimi, që mund të çojë në marrjen e kontrollit të plotë të llogarive.

    Sulmi përdor imazhe të sportistëve — por edhe tema të tjera votimi — për të krijuar një ndjesi autenticiteti dhe për të nxitur pjesëmarrjen, thonë ekspertët.

    Sipas raportit, mashtrimi fillon kur përdoruesi ridrejtohet në një faqe që duket si sondazh votimi: ajo tregon fotografi të sportistëve, një buton “Voto” dhe një numërues në kohë reale që pretendohet të reflektojë numrin e votave dhe pjesëmarrësve.

    Faqja gjithashtu pretendon se pjesëmarrja mund të bëhet pas një “autorizimi” dhe se fituesit do të përfitojnë shpërblime nga “sponsorët”.

    Kur përdoruesi klikon “Voto” ose “Autorizo”, ai ridrejtohet në një faqe mashtruese që e nxit të kyçet përmes WhatsApp për një proces të shpejtë verifikimi. Përdoruesit i kërkohet të fusin numrin e telefonit të lidhur me llogarinë e tyre në WhatsApp.

    Sulmuesit më pas shfrytëzojnë mekanizmin e WhatsApp Web: ata fusin numrin e viktimës për të hapur një sesion në WhatsApp Web dhe sistemi gjeneron një kod 6-shifror njëpërdorimësh (OTP). Faqja mashtruese kap atë kod — dhe nëse viktima e fut kodin në pajisjen e vet, sesioni i hapur nga sulmuesit aktivizohet. Pas aktivizimit, sulmuesit mund të spiunojnë bisedat, të dërgojnë mesazhe në emër të viktimës dhe, në përfundim, të marrin kontrollin e plotë të llogarisë.

    Kaspersky paralajmëron se metoda është e lehtë për t’u përshtatur në skenarë të ndryshëm dhe se qëllimi përfundimtar është keqpërdorimi i llogarive të WhatsApp për qëllime kriminale.

    Si të mbroheni:

    Aktivizoni verifikimin me dy hapa (Two-Step Verification) në WhatsApp.

    Mos ndani kurrë kodet e verifikimit — as me “miq” dhe as në faqe interneti; WhatsApp nuk do t’ju kërkojë kurrë kodin.

    Mos jepni të dhëna personale në faqe të panjohura.

    Kontrolloni gjithmonë URL-në për t’u siguruar që faqja është legjitime.

    Përdorni një softuer sigurie të besueshëm për të zbuluar dhe bllokuar faqe dhe lidhje të rrezikshme.

  • Apple prezanton iPhone 17, gjithçka që duhet të dini për telefonin më të ri të gjigantit amerikan

    Apple prezanton iPhone 17, gjithçka që duhet të dini për telefonin më të ri të gjigantit amerikan

    Apple ka zbuluar iPhone-in e saj të shumëpritur më të fundit, i cili vjen në pesë ngjyra: ngjyrë livando, blu e çelët, e zezë, e bardhë dhe jeshile ulliri.

    Apple po shfaq përmirësime të mëdha të ekranit me ekranin e ri Super Retina XDR. Madhësia e ekranit është 6.3 inç, nga 6.1 inç që ishte në modelin e mëparshëm, transmeton Telegrafi.

    Tani ai mbështet ProMotion me një shpejtësi rifreskimi prej 120Hz, arrin një shkëlqim rekord prej 3,000 nitësh dhe është i veshur me një shtresë anti-reflektuese me 7 shtresa plus Ceramic Shield 2 për rezistencë 3-fish më të madhe ndaj gërvishtjeve. Apple thotë se gjithçka ka të bëjë me lexueshmërinë në çdo mjedis.

    Në brendësi, çipi i ri A19 sjell një motor ekrani të riprojektuar, një motor neural me 16 bërthama, një CPU me 6 bërthama dhe një GPU me 5 bërthama. I kombinuar me rritjen e bandwidth-it të memories, Apple pretendon se është 20 përqind më i shpejtë se iPhone 16.

    Jeta e baterisë përmirësohet gjithashtu, me 8 orë shtesë të luajtjes së videos krahasuar me gjeneratën e kaluar. Kur keni nevojë për një mbushje, telefoni mund të arrijë 50 përqind të karikimit në vetëm 20 minuta.

    Debuton kamera Center Stage në pjesën e përparme të iPhone. Lejon selfie me rezolucion të lartë në çdo orientim, kështu që nuk keni më nevojë ta rrotulloni telefonin vetëm për të kapur një pamje peizazhi.

    Apple gjithashtu nxori në pah selfie-t e stabilizuara gjatë lëvizjes, duke synuar që fotot dhe videot tuaja të përparme të jenë të qarta edhe kur jeni në lëvizje.

    Apple po i jep një shtysë serioze sistemit të kamerave të iPhone 17. Ai përmban një konfigurim të ri të dyfishtë fusion prej 48MP, një telefoto 2x prej 12MP dhe një kamerë ultra të gjerë fusion prej 48MP – një linjë e ndërtuar për të trajtuar gjithçka, nga pamjet e përditshme deri te peizazhet e gjera.

  • Meta ringjall funksionin e njohur “Poke” në Facebook

    Meta ringjall funksionin e njohur “Poke” në Facebook

    Kompania Meta po përpiqet të rikthejë një nga veçoritë më të hershme dhe të harruara të Facebook, Poke.

    Ky funksion, i njohur për të lejuar përdoruesit të “ngacmonin” miqtë e tyre, do të bëhet më i lehtë për t’u gjetur në profilin e përdoruesve në aplikacionin Facebook.

    Në ditët e para të rrjetit social, Poke ishte një mënyrë interaktive për të bashkëvepruar, përveç komenteve, dhe ndërkohë është lënë pas dore dhe harruar nga shumica e përdoruesve.

    Meta njofton se funksioni nuk u zhduk kurrë, por tani po i jepet një version i ri për ta rikthyer në vëmendje.

  • Google i shpëton ndarjes, por detyrohet të ndajë të dhëna me konkurrentët

    Google i shpëton ndarjes, por detyrohet të ndajë të dhëna me konkurrentët

    Google nuk do të duhet të shesë shfletuesin e saj Chrome, por duhet të ndajë informacione me konkurrentët, ka urdhëruar një gjykatës federal amerikan.

    Masat e vendosura nga gjykatësi i Distriktit, Amit Mehta, dolën pas një beteje disavjeçare gjyqësore mbi dominimin e Google-it në kërkimin online.

    Rasti ishte përqendruar rreth pozitës së Google-it si motor kërkimi parazgjedhur në një sërë produktesh të veta si Android dhe Chrome, si dhe në produkte të kompanive të tjera si Apple.

    Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së kishte kërkuar që Google të shiste Chrome – por vendimi i së martës do të thotë se gjiganti teknologjik mund ta mbajë atë, megjithatë do t’i ndalohet të ketë kontrata ekskluzive dhe do të duhet të ndajë të dhëna kërkimi me rivalët.

    Google kishte propozuar zgjidhje më pak drastike, si kufizimi i marrëveshjeve për ndarjen e të ardhurave me kompani si Apple, për ta bërë motorin e tij të kërkimit opsionin parazgjedhur në pajisjet dhe shfletuesit e tyre, njofton BBC, transmeton Sinjali.

    Të martën, kompania bëri të ditur se e shihte vendimin si një fitore dhe tha se ngritja e inteligjencës artificiale (AI) me shumë gjasë kishte ndikuar në këtë rezultat.

    “Vendimi i sotëm e njeh sa shumë është ndryshuar industria përmes shfaqjes së AI-së, e cila po u jep njerëzve shumë më tepër mënyra për të gjetur informacion,” tha Google në një deklaratë pas vendimit.

    “Kjo nënvizon atë që kemi thënë që kur ky rast u hap në vitin 2020: Konkurrenca është e fortë dhe njerëzit mund të zgjedhin lehtësisht shërbimet që duan,” vazhdoi deklarata.

    Gjiganti teknologjik kishte mohuar akuzat që nga viti 2020, duke thënë se dominimi i tij në treg vjen për shkak se motori i tij i kërkimit është më i mirë se të tjerët dhe konsumatorët thjesht e preferojnë atë.

    Vitn e kaluar, gjykatësi Mehta vendosi se Google kishte përdorur metoda të pandershme për të krijuar monopol mbi tregun e kërkimeve online, duke punuar në mënyrë aktive për ta ruajtur këtë nivel dominimi deri në atë masë sa të shkelte ligjin amerikan.

    Por në vendimin e tij, gjykatësi Mehta tha se një shitje e plotë e Chrome ishte “një zgjidhje e papërshtatshme për këtë rast”.

    Google gjithashtu nuk do të duhet të shesë sistemin operativ Android, i cili fuqizon shumicën e telefonave inteligjentë në botë.

    Kompania kishte argumentuar se shkëputja e disa pjesëve të operacioneve të saj, si Android, do të thoshte që ato në fakt do të ndalonin së funksionuari siç duhet.

    “Urdhri i sotëm për masat pajtuese pranoi nevojën për të rikthyer konkurrencën në tregun e kërkimit që ka qenë i monopolizuar prej kohësh, dhe tani ne po shqyrtojmë opsionet tona dhe po mendojmë nëse masat e urdhëruara janë të mjaftueshme për ta përmbushur këtë qëllim,” shkroi në X ndihmësprokurorja e Përgjithshme Abigail Slater pas vendimit.