ATV

Category: Teknologji

Lexoni të gjitha lajmet, rishikimet dhe zhvillimet më të reja nga bota e teknologjisë. Zbuloni inovacionet e fundit në inteligjencën artificiale, telefonat inteligjentë, aplikacionet dhe shkencën digjitale.

  • Toyota prezanton “karrigen që ecë”

    Toyota prezanton “karrigen që ecë”

    Toyota në panairin Japan Mobility Show 2025 në Tokio ka prezantuar një pajisje inovative për lëvizje – karrigen robotike “Walk Me” me katër këmbë, e cila mund të ecë, të ngjitet shkallëve dhe të paloset në përmasë të vogël në vetëm 30 sekonda.

    “Walk Me” është zhvilluar për persona me lëvizshmëri të kufizuar, por në vend të dy rrotave ajo ka të integruara katër “këmbë” robotike. Çdo këmbë mund të përkulet, të ngjitet dhe të balancohet në mënyrë të pavarur, në mënyrë të ngjashme me lëvizjen e organizmave të gjalla. Këto këmbë e mundësojnë lëvizje të rrjedhshme mbi zhavorr, shkallë dhe sipërfaqe të pabarabarta, duke ruajtur stabilitetin e përdoruesit.

    Për rehati maksimale, këmbët janë veshur me material të butë, ndërsa sensorë dhe LiDAR skanojnë ambientin për të zbuluar pengesa, shkallë dhe karakteristika të tjera të terrenit. Sistemi inteligjent siguron stabilitet dhe lejon ndalim të menjëhershëm në rast përplasjeje me objekt që gjendet në rrugë.

    Ulësja brenda karriges “Walk Me” përshtatet sipas formës së trupit të përdoruesit, është e pajisur me mbështetës të shpinës dhe doreza anësore për komandim. Me ndihmën e dorezave mund të përcaktohet drejtimi i lëvizjes, por janë të mundshme edhe komandat zanore — për shembull duke thënë “më çoj në kuzhinë” ose “lëviz më shpejt”.

    Në ulëse është i integruar edhe një kompjuter që llogarit rutën, tregon shpejtësinë, gjendjen e baterisë dhe statistikat e ecjes në një ekran të vendosur në mbështetësen e dorezës. Bateria është fshehur prapa mbështetëses së karriges dhe siguron funksionimin gjatë ditës, ndërsa karikohet përmes rrjetës elektrike. Në rast mbinxehjeje të baterisë, pajisja çaktivizohet.

    Një tjetër veçori e karriges “Walk Me” është mundësia e palosjes. Me një shtypje të butonit, karriga transformohet në një valixhe, e cila mund të transportohet praktikisht në automjet ose të ruhet në shtëpi. Pas ndezjes, karriga përsëri shpaloset dhe është gati për përdorim.

    Toyota pozicionon “Walk Me” si zgjidhje për kushte reale – korridore të ngushta, shkallë dhe rrugë. Aktualisht është vetëm një prototip, por projekti tregon ambicien e Toyota‑s për zhvillimin e robotikës. /Telegrafi/

     

     

  • Honda po zhvillon një motor të ri V6

    Honda po zhvillon një motor të ri V6

    Honda ka prezantuar teknologjitë kryesore të sistemeve të saj hibride të mëdha të gjeneratës së ardhshme, përfshirë motorin e zhvilluar së fundmi V6, i cili përputhet me rregulloret strikte mjedisore, si dhe njësitë e reja të fuqisë dhe paketën e baterive që arrijnë efikasitet të lartë dhe kosto të ulët.

    Honda synon të përmirësojë efikasitetin e karburantit të modeleve hibride të mëdha të gjeneratës së ardhshme me më shumë se 30 për qind krahasuar me modelet klasike me motorë me djegie të brendshme që aktualisht shiten në të njëjtin segment.

    Prandaj, Honda do të kombinojë motorin V6 të gjeneratës së ardhshme me komponentët e rinj të sistemit hibrid, të cilët do të mundësojnë një drejtim efikas dhe ekonomik – sa më shumë të jetë e mundur për automjete të mëdha dhe të rënda.

    Honda gjithashtu synon të përmirësojë performancën e përshpejtimit të automjetit me gaz të plotë me më shumë se 10 për qind krahasuar me modelet me motor me djegie të brendshme që aktualisht shiten në të njëjtin segment, duke rritur efikasitetin e motorit dhe çdo njësie të fuqisë dhe duke përdorur ndihmën e baterisë.

    Ideja është që nga viti 2027 ky motor dhe sistemi të prezantohen në automjetet e mëdha të Hondës. Për momentin, si treg është përmendur SHBA-ja, dhe do të shihet nëse ky sistem do të ketë mundësi të shitet edhe në Evropë. /Telegrafi/

  • Shtyhet publikimi i video-lojës GTA VI

    Shtyhet publikimi i video-lojës GTA VI

    Bota e video-lojërave ka marrë një lajm që për shumë lojëtarë është tragjedi: loja e shumëpritur Grand Theft Auto VI (GTA VI) është shtyrë zyrtarisht për në 19 nëntor 2026, pas datës së mëparshme të 26 majit 2026. 


    Në një deklaratë, zhvilluesi “Rockstar Games” u shpreh: “Ne ndjejmë keqardhje për stërzgjatjen e lancimit të lojës pa kësaj pritjeje të gjatë, por këta muaj mëshumë që kemi kërkuar do të na lejojnë ta përfundojmë lojën më të lustruar, do ta bëjmë të jetë në nivelet e pritshmërisë që ju keni”, pra jemi duke folur për një pritje prej 13-të vitesh.

    Sipas drejtuesit të kompanisë, dhe kompanive amë, “Take‑Two Interactive”, “Strauss Zelnick”, vendimi për të shtyrë datën ishte një “investim i vlefshëm” për të lejuar Rockstar të realizojë vizionin e vet krijues pa kufizime.

    Analistët shohin pas kësaj disa përfitime strategjike: më shumë kohë për tekste, përmirësim të mekanikave të lojës dhe mundësi për të shfrytëzuar një treg që pritet të rinovohet përmes përmirësimeve të harduerit.

    Nga ana tjetër, për vetë fansat lajmi është pritur me zhgënjim. Shumë prej tyre kishin shpresuar për lansim në fund të vitit 2025. Një koment nga komuniteti rrëfen:

    Në përmbledhje: kjo vonesë nuk flet vetëm për datën e lançimit të një loje, por edhe për kurbën e pritjes së lojtarëve, për presionin që krijohet kur një lojë tejet e kërkuar deklarohet si “më e rëndësishmja e të gjitha kohërave”, dhe për marrëdhënien mes ambicies dhe afateve në industrinë e lojërave. Për momentin, numërimi vazhdon, e loja vjen më vonë.

  • Skema e re e verifikimit të zhvilluesve të Android nga Google hyn në fuqi më 2026

    Skema e re e verifikimit të zhvilluesve të Android nga Google hyn në fuqi më 2026

    Google do të zbatojë një politikë të re verifikimi të zhvilluesve të Android vitin e ardhshëm për të shtrënguar rregullat e publikimit të aplikacioneve në Play Store, pas gjetjeve se aplikacionet e instaluara nga jashtë dyqanit zyrtar përmbanin 50 herë më shumë programe keqdashëse, sipas një raporti të gushtit.

    Kompania tha në gusht se do të kalonte në politikën e re për të shtuar një shtresë shtesë sigurie në procesin e publikimit të aplikacioneve.

    Rregullat e reja të verifikimit do të hyjnë në fuqi fillimisht në Brazil, Indonezi, Singapor dhe Tajlandë në shtator 2026, përpara se të zgjerohen në pjesën tjetër të botës në vitin 2027 dhe më tej.

    Google thotë se politika do të forcojë mbrojtjen e përdoruesve duke zvogëluar mashtrimet, phishing-un dhe malware-in e përhapur përmes aplikacioneve të rreme ose mashtruese.

    Një raport i kohëve të fundit i kompanisë tha se ndryshimet synojnë të rrisin llogaridhënien e zhvilluesve dhe të kufizojnë abuzimet me ekosistemin Android.

    Lëvizja ka tërhequr reagime nga grupi Keep Android Open, i cili argumenton se procesi i gjerë i verifikimit dëmton filozofinë e burimit të hapur të platformës.

    Grupi thotë se kërkesa për identifikim zyrtar mund të dekurajojë zhvilluesit e pavarur të fokusuar në privatësi dhe të dëmtojë zhvillimin e softuerëve në shkallë të vogël me kalimin e kohës.

    Ai u ka bërë thirrje konsumatorëve dhe zhvilluesve të apelojnë te organet rregullatore lokale, duke argumentuar se skema rrezikon të dëmtojë të drejtat e sovranitetit digjital të përdoruesve dhe qeverive.

  • Galaxy AI shton dy gjuhë të reja: filipinisht dhe guxharatisht

    Galaxy AI shton dy gjuhë të reja: filipinisht dhe guxharatisht

    Që nga debutimi i tij në fillim të vitit 2024, Galaxy AI i Samsung ka vazhduar të zgjerojë shpejt mbështetjen për gjuhë të ndryshme, duke e bërë më të aksesueshëm për përdoruesit në mbarë botën.

    Në prill 2024, numri i gjuhëve të mbështetura arriti në 16, ndërsa në dhjetor të të njëjtit vit, ky numër u rrit në 20. Tani, Galaxy AI ka shtuar dy gjuhë të reja: filipinishten dhe guxharatishten, të cilat janë tashmë të disponueshme për shkarkim si paketa gjuhësore brenda aplikacionit “Cilësimet”. Filipinishtja flitet nga rreth 87 milionë njerëz, ndërsa guxharatishtja nga rreth 62.5 milionë.

    Zhvillimi i këtyre dy gjuhëve u realizua në bashkëpunim me qendrat kërkimore të Samsung në Indonezi dhe Indi. Me këto shtesa, Galaxy AI mbështet tani 22 gjuhë të ndryshme, të cilat fliten nga gati 74% e popullsisë globale – rreth 5.9 miliardë njerëz.

    Samsung raporton gjithashtu se më shumë se 70% e përdoruesve të Galaxy S25 angazhohen rregullisht me Galaxy AI dhe Google Gemini, ndërsa 47% e përdoruesve e përdorin AI-në në jetën e tyre të përditshme. Kompania parashikon që deri në fund të këtij viti, Galaxy AI të arrijë mbi 400 milionë pajisje, duke e dyfishuar suksesin e arritur gjatë vitit 2024 me 200 milionë pajisje.

  • A mund të jetojmë pa internet?

    A mund të jetojmë pa internet?

    Përgatiti Laurisa Kajtazaj

    Në ditët e sotme, interneti duket si pjesë e pashmangshme e jetës: punojmë, mesojmë, komunikojmë, argëtohemi. Por çfarë ndodh nëse për një ditë e ndërpresim këtë lidhje? A është një sfidë e vërtetë apo mundësi për rifillim?

    Sipas një artikulli të BBC News, një grup adoleshentësh kaluan disa ditë pa smartphone dhe u përballën me vështirësi fillestare, por më pas raportuan më shumë qetësi dhe kohë cilësore me familjen.

    “…Kur 10 adoleshentë hoqën dorë nga telefonat e tyre, përjetuan fillimisht mungesë dhe ankth, por më pas zbuluan qetësinë dhe lidhjen reale me njërëzit. Eksperimenti tregoi se varësia nga teknologjia u kishte kufizuar përqendrimin dhe ndjenjën e lirisë. Heqja dorë nga smartphone- i ndihmoi të kuptojnë se jeta jashtë ekranit është me e vertetë dhe me e shëndetshme për mendjen dhe marrëdheniet…”, thuhet në artikull.

    Autori amerikan Joshua Fields Millburn, tregoi se në fillim të vitit kishte marrë një vendim të qëllimshëm për të hequr lidhjen e internetit nga shtëpia e tij, gjë që rezultoi të ishte zgjedhja më e mirë që kishte bërë ndonjëherë për të rritur produktivitetin personal.

    “…Nuk isha i kënaqur me kohën që po humbisja – ndjeva se mund të bëja gjëra më të qëllimshme me kohën time sesa ta shpenzoja atë në internet…”, theksoi Millburn.

    Raporti i Unicef-it mbi aksesin në internet tregon se vetëm një e treta e fëmijëve të moshës shkollore kanë internet në shtëpi, ndërsa shumë të tjerë në vendet me të ardhura të ulëta ose në zonat rurale mbeten të përjashtuara nga mundësitë digjitale.

    Vlen ta potencojmë se sipas “Statista”, që nga shkurti i vitit 2025, Kina renditej e para midis vendeve me më shumë përdorues interneti në mbarë botën. Vendi më i populluar në botë kishte 1.11 miliardë përdorues interneti, më shumë se trefishi i Shteteve të Bashkuara të renditura në vendin e tretë, me vetëm rreth 322 milionë përdorues interneti.

     

  • Teknologjia na “shkatërroi” sytë, por gjithashtu na “shpëtoi” nga syzet

    Teknologjia na “shkatërroi” sytë, por gjithashtu na “shpëtoi” nga syzet

    Përgatiti Erona Mumini

    Operacionet e syrit me laser kanë revolucionarizuar mënyrën se si trajtohen problemet e zakonshme të shikimit. Falë teknologjisë moderne, shumë pacientë kanë mundësinë të heqin dorë nga syzet!

    Në emisionin “Libero”, oftalmologu Dr.Afrim Shabani, shpjegoi më tepër për sa i takon këtij lloj operimi dhe tregoi se si teknologjia e avancuar e laserit po u mundëson pacientëve të përmirësojnë shikimin në mënyrë efikase dhe pa dhimbje.

    “…Nuk ka dhimbje për arsye se syri është me anestetik, do të ketë dhimbje nëse nuk është i bërë me anestetik. Në momentin që pacienti e përfundon operimin, është i lirë…”, deklaroi Shabani.

    Ndërkohë, ai tregoi disa nga kriteret që duhet të përmbushen para operacionit.

    “…Kriteri i parë është mosha mbi 18 vjeç; Kriteri i dytë është që te personat që duhet të përcillet dioptria për 2 deri në 3 vite ku nuk kemi lëvizje të dioptrisë, për arsye se laseri e largon atë dioptri që e ke jo që e ndalë atë dioptri; Kriteri i tretë është fotografimi i syrit – sepse pa atë asnjëherë nuk futemi në operacion…”, shtoi doktori.

    Vlen ta potencojmë se operacionet me laser, sipas doktor Afrim Shabanit përfaqësojnë një hap të madh drejt përmirësimit të cilësisë së jetës, duke u dhënë njerëzve mundësinë të shohin qartë pa pasur nevojë për mjete ndihmëse!

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Dr. Afrim Shabanit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • iPhone 18 do të ketë më shumë RAM se kurrë

    iPhone 18 do të ketë më shumë RAM se kurrë

    Apple, e njohur për qasjen e kujdesshme ndaj inovacioneve të harduerit, duket se po përgatit një hap të rëndësishëm për gjeneratën e ardhshme të iPhone-ve.

    Sipas një raporti të publikuar nga portali jugkorean The Bell, modeli standard i iPhone 18 mund të pajiset me 12 GB RAM, një rritje e ndjeshme krahasuar me 8 GB që ofrohen aktualisht në serinë më të fundit. Nëse këto informacione rezultojnë të sakta, do të ishte hera e parë që Apple i jep një modelit bazë (jo versionit Pro) një kapacitet kaq të madh memorjeje.

    Kjo lëvizje nuk pritet të jetë vetëm kozmetike. Shtimi i RAM-it do të mundësonte performancë më të mirë në multitasking, hapje më të shpejtë të aplikacioneve dhe efikasitet më të lartë në funksionet e inteligjencës artificiale – një element që do të luajë rol qendror në sistemin e ri operativ iOS 19.

    Raporti thekson gjithashtu se Apple planifikon të përdorë memorien e avancuar LPDDR5X RAM, e cila është më e shpejtë dhe më efikase në konsum energjie krahasuar me versionin aktual. Ky përmirësim do ta ndihmojë kompaninë të qëndrojë në garë me prodhues si Samsung dhe Google, telefonët premium të të cilëve tashmë ofrojnë kapacitete të ngjashme ose më të mëdha.

    Edhe pse Apple nuk ka dhënë ende asnjë koment zyrtar mbi këto thashetheme, dihet se vitet e fundit kompania ka reduktuar gjithnjë e më shumë diferencat mes modeleve standarde dhe atyre Pro. Kjo mund të nënkuptojë se përdoruesit do të marrin më shumë vlerë për çmimin që paguajnë, në një kohë kur pritjet për performancë dhe inteligjencë artificiale janë më të larta se kurrë.

  • SHBA prezanton X-59, aeroplani supersonik pa zhurmë dhe më i shpejtë se zëri

    SHBA prezanton X-59, aeroplani supersonik pa zhurmë dhe më i shpejtë se zëri

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë realizuar me sukses fluturimin e parë të një aeroplani “të qetë”, i aftë të udhëtojë me shpejtësi më të madhe se ajo e zërit, një hap i rëndësishëm në zhvillimin e teknologjisë ajrore të së ardhmes.

    Ky projekt përfaqëson një arritje të madhe për shkencën dhe inxhinierinë amerikane, duke kombinuar inovacionin me qëllimin për të bërë fluturimet supersonike më të pranueshme dhe më miqësore ndaj mjedisit.

    NASA, në bashkëpunim me kompaninë e njohur Lockheed Martin, ka kryer me sukses testet e para të avionit eksperimental X-59. Ky aeroplan është projektuar për të eliminuar tingullin e fortë “boom” që krijohet zakonisht kur një aeroplan kalon shpejtësinë e zërit. Falë dizajnit të veçantë aerodinamik dhe teknologjive të avancuara të kontrollit të zërit, X-59 synon të prodhojë vetëm një zhurmë të butë, të ngjashme me një trokitje e lehtë në distancë.

    Ky aeroplan unik është ndërtuar si një prototip i vetëm dhe shërben si një platformë kërkimore për të testuar mundësitë e rikthimit të fluturimeve pasagjerësh supersonike, të cilat u ndërprenë që prej ndalimit të “Concorde” në fillim të viteve 2000, raporton reuters.

    Nëse testet rezultojnë të suksesshme, X-59 mund të hapë një epokë të re në udhëtimet ajrore, duke mundësuar që njerëzit të udhëtojnë shumë më shpejt midis kontinenteve, për shembull, nga Nju Jorku në Londër për më pak se katër orë.

    Sekretari Amerikan i Transportit, Sean Duffy ka theksuar se ky projekt forcon udhëheqjen e SHBA-së në fushën e aviacionit dhe inovacionit teknologjik, duke theksuar se synimi nuk është vetëm të arrihet shpejtësia, por edhe të përmirësohet përvoja e udhëtimit për publikun. Sipas tij, X-59 mund të ndryshojë mënyrën se si njerëzit e perceptojnë udhëtimin ajror, duke e bërë atë më të qetë, më të shpejtë dhe më efikas.

    NASA ka investuar mbi 500 milionë dollarë në zhvillimin e projektit X-59. Aktualisht, inxhinierët dhe shkencëtarët po punojnë për të analizuar të dhënat nga testet fillestare dhe për të përmirësuar më tej teknologjinë e reduktimit të zhurmës. Qëllimi përfundimtar është që, në të ardhmen, të lejohet fluturimi i avionëve supersonikë mbi tokë, diçka që sot është e ndaluar për shkak të ndotjes akustike që shkaktojnë këto lloj fluturimesh.

    Nëse projekti X-59 përmbush pritshmëritë, ai mund të shënojë një revolucion të ri në historinë e aviacionit botëror, duke hapur rrugën për një epokë të re të fluturimeve të shpejta, të qeta dhe të qëndrueshme.

  • Elon Musk sfidon Wikipedia-n me enciklopedinë e tij “Grokipedia”

    Elon Musk sfidon Wikipedia-n me enciklopedinë e tij “Grokipedia”

    Elon Musk ka prezantuar një platformë të re enciklopedike online, të quajtur “Grokipedia”, e zhvilluar nga kompania e tij xAI e mbështetur nga inteligjenca artificiale. Projekti synon të konkurrojë me Wikipedia-n, të cilën Musk e kritikon për “mungesë neutraliteti dhe propagandë”, raporton New York Times.

    Faqja, e cila përjetoi një ndërprerje të shkurtër menjëherë pas lansimit, përmban mbi 800 mijë artikuj të gjeneruar nga AI, krahasuar me rreth tetë milionë artikuj të Wikipedia-s të shkruar nga njerëzit.

    Dizajni është minimalist dhe përfshin një fushë kërkimi që ofron qasje të shpejtë në tema të ndryshme nga profili i Musk, i përshkruar si “vizionar dhe provokator i pavarur”, deri te figura politike si Donald Trump dhe kandidati për kryebashkiak të New York-ut, Zohran Mamdani.

    Musk thotë se Grokipedia synon të “pastrojë informacionin e gabuar” që, sipas tij, ka mbizotëruar në Wikipedia. Megjithatë, disa artikuj duket se reflektojnë pikëpamjet personale dhe ideologjike të tij.

    Ekspertët e mediave e shohin projektin si pjesë të përpjekjeve të Musk për të krijuar një ekosistem alternativ mediatik që pasqyron pikëpamjet e tij personale. “Kontrolli mbi informacionin ka qenë gjithmonë një formë pushteti”, thotë Ryan McGrady, studiues në Universitetin e Massachusetts Amherst.

    Ndërkohë, Wikipedia përballet me sfida të reja: trafiku i përdoruesve njerëzorë ka rënë me 8% këtë vit, ndërsa kërkimet nga sistemet e AI po rriten ndjeshëm.

    Drejtoresha teknologjike e Wikimedia, Selena Deckelmann, paralajmëron se “rreziku është që përdoruesit të pranojnë si të vërteta informacionet që u ofrojnë këto mjete”, duke theksuar rëndësinë e verifikimit të burimeve.