ATV

Category: Teknologji

Lexoni të gjitha lajmet, rishikimet dhe zhvillimet më të reja nga bota e teknologjisë. Zbuloni inovacionet e fundit në inteligjencën artificiale, telefonat inteligjentë, aplikacionet dhe shkencën digjitale.

  • ChatGPT prezanton sistemin e parashikimit të moshës për të ndarë përvojën e të rinjve nga ajo e të rriturve

    ChatGPT prezanton sistemin e parashikimit të moshës për të ndarë përvojën e të rinjve nga ajo e të rriturve

    OpenAI ka nisur implementimin e një sistemi të ri të parashikimit të moshës në të gjitha planet konsumatore të ChatGPT, me qëllim identifikimin më të saktë të përdoruesve që mund të jenë nën moshën 18 vjeç. Ky hap shënon një ndryshim të rëndësishëm nga mbështetja vetëm te mosha e vetëdeklaruar, drejt mekanizmave automatike që bazohen në sjelljen reale të përdoruesve.

    Sipas OpenAI, sistemi i ri synon të aplikojë mbrojtjet e duhura për adoleshentët, ndërkohë që përdoruesit e rritur do të kenë një përvojë më pak të kufizuar. Zhvillimi vjen në një moment kur autoritetet rregullatore dhe ligjvënësit po rrisin presionin ndaj kompanive të inteligjencës artificiale për të garantuar siguri më të madhe për të miturit.

    Modeli i parashikimit të moshës analizon një kombinim faktorësh, përfshirë kohëzgjatjen e ekzistencës së llogarisë, modelet e përdorimit, oraret e aktivitetit dhe çdo informacion mbi moshën që përdoruesi mund të ketë dhënë më parë. OpenAI thekson se kjo metodë i lejon platformës të vlerësojë moshën pa kërkuar vazhdimisht deklarime apo verifikime identiteti, duke shmangur ndërprerjet e shpeshta në përdorim.

    Kompania e përshkruan këtë sistem si adaptiv dhe jo absolut. Në rastet kur sinjalet nuk janë të qarta, ChatGPT kalon automatikisht në një përvojë më të sigurt. Kur një llogari vlerësohet se i përket një të mituri, aplikohen kufizime shtesë për disa kategori përmbajtjeje që konsiderohen më të rrezikshme për adoleshentët. Këto përfshijnë dhunën grafike, përshkrime të vetëdëmtimit, role-play seksual ose të dhunshëm, sfida virale që mund të nxisin sjellje të rrezikshme, si dhe përmbajtje që promovon standarde ekstreme bukurie, dieta të pashëndetshme apo turpërim trupor.

    OpenAI thotë se këto masa janë ndërtuar me ndihmën e ekspertëve të zhvillimit të fëmijëve, duke u bazuar në studime që tregojnë se adoleshentët kanë një perceptim ndryshe të rrezikut dhe kontroll më të ulët të impulseve krahasuar me të rriturit.

    Kompania pranon se sistemet automatike mund të gabojnë. Përdoruesit që identifikohen gabimisht si nën 18 vjeç kanë mundësinë të rikthejnë qasjen e plotë përmes një procesi verifikimi të moshës, i cili realizohet përmes një kontrolli me selfie nga platforma Persona. Sipas OpenAI, ky proces është i shpejtë, i kthyeshëm dhe nuk kërkon ruajtje të përhershme të dokumenteve identifikuese, duke adresuar shqetësimet për privatësinë.

    Sistemi i ri është pjesë e një strategjie më të gjerë të OpenAI për mbrojtjen e përdoruesve të rinj. Kohët e fundit, kompania ka prezantuar edhe mjete kontrolli prindëror, që u mundësojnë kujdestarëve të menaxhojnë përdorimin e ChatGPT nga adoleshentët, përfshirë orare të kufizuara përdorimi dhe sinjalizime në raste shqetësimi emocional. Paralelisht, OpenAI ka krijuar një këshill të jashtëm ekspertësh për të studiuar ndikimin e inteligjencës artificiale në shëndetin mendor dhe mirëqenien emocionale.

    Zhvillimi vjen në një kohë kur OpenAI dhe kompani të tjera të fushës po përballen me vëzhgim të shtuar rregullator, përfshirë hetime nga Komisioni Federal i Tregtisë në SHBA dhe procese ligjore të lidhura me sigurinë e përdoruesve. OpenAI ka bërë të ditur se do të vazhdojë të përmirësojë modelin e parashikimit të moshës, duke monitoruar saktësinë dhe përpjekjet për të anashkaluar kufizimet.

    Sistemi pritet të shtrihet edhe në Bashkimin Evropian në javët në vijim, në përputhje me kërkesat rregullatore rajonale. Ndërsa kompania e cilëson këtë përditësim si një hap të rëndësishëm, OpenAI thekson se ndërtimi i një inteligjence artificiale të ndjeshme ndaj moshës mbetet një proces i vazhdueshëm.

  • Trumpi dëshiron më shumë se Grenlandën – ai e do Hënën

    Trumpi dëshiron më shumë se Grenlandën – ai e do Hënën

    Joshja ndaj eksplorimit të hapësirës mbetet e fuqishme, veçanërisht për një president që kërkon me dëshpërim të lërë një trashëgimi pas vetes.

    Nga: Philip Johnston 
    Përkthimi: ATV

    Askund në Tokë nuk ke më shumë siguri për të vënë në perspektivë ankthin modern sesa në Egjipt. Vizita ime e fundit te piramidat e Gizës ishte për t’u mahnitur si nga mrekullia e jashtëzakonshme inxhinierike, ashtu edhe nga lashtësia e tyre. Ne jemi më afër në kohë me Kleopatrën, faraonen e fundit e cila vdiq dy mijë vjet më parë, sesa ajo ishte me Kufunë, ndërtuesin e Piramidës së Madhe – e vetmja e mbijetuar e Shtatë Mrekullive të botës së lashtë. Përmasat e historisë që shfaqen aty janë marramendëse.

    Kjo, padyshim, i bën të gjitha manovrat rreth kalimit të Robert Jenrickut te Reform-a, apo edhe përpjekjen e Donald Trumpit për të aneksuar Grenlandën, të duken si një gungë e vogël në rrugën e kohës. Me të vërtetë, nëse presidenti amerikan dëshiron të dijë se si duket me të vërtetë ngritja narcisiste, ai duhet të shkojë në Abu Simbel dhe të shohë statujat kolosale të Ramzesit II të gdhendura në shpatin e malit.

    Ka qenë një udhëheqës që dinte si ta projektonte imazhin e tij dhe të manipulonte të vërtetën. Grekët e quajtën atë Ozimandia, dhe në poezinë e tij të madhe me të njëjtin emër, Shelley tall ambiciet e tij grandioze dhe përkohshmërinë e pushtetit. Trumpi është Ozimandia i sotëm, deri te “buzërrudhur dhe ftohtas ngërdheshur”.

    Udhëtimi im në tokën antike të Egjiptit përkoi me vdekjen e Erich von Dänikenit, shkrimtarit populist që çoi para teorinë se piramidat u ndërtuan nga jashtëtokësorët. Në librin e tij Karrocat e zotave? [Chariots of the Gods?] ai sugjeroi se qytetërimi njerëzor është produkt i ndërhyrjes së qëllimshme nga jashtëtokësorët.

    Teza e tij qendrore ishte se vizitorët “e hapësirës”, në kohët e lashta kishin kryer një “eksperiment shumimi” mbi banorët e Tokës, “derisa më në fund ata prodhuan një krijesë mjaftueshëm inteligjente që t’i barteshin rregullat e shoqërisë”.

    Pyetja e tij “A ishte Zoti astronaut?” ushqeu dekada të tëra me teori konspirative të Epokës së Re, të përforcuara më pas nga interneti dhe rrjetet sociale. Ai mund të ekspozohej si diletant dhe mashtrues, por librat e tij vazhduan të pranoheshin nga një audiencë naive për të cilën ishte e pamundur për të besuar se egjiptianët e lashtë ishin në gjendje të bënin monumente të tilla.

    Megjithatë, ideja absurde që jashtëtokësorët që zotërojnë mjetet teknologjike për të udhëtuar nëpër kozmos do të linin pas një grumbull gurësh dhe një gjuhë misterioze si provë të pranisë së tyre, nuk dukej se i shqetësonte besimtarët. As fakti që eksplorimi hapësinor është pafundësisht më pak i mundshëm sesa mijëra egjiptianë duke përdorur litarë dhe saja për të tërhequr blloqe masive guri në pozicion në Piramidën e Madhe – pa marrë parasysh se sa e jashtëzakonshme mund të duket ajo përpjekje për ne sot.

    Vetëm në fantashkencë është e mundur të udhëtosh te ylli më i afërt. Në vitin 2012, sonda hapësinore Voyager 1 u bë objekti i parë i krijuar nga njeriu që doli nga Sistemi Diellor. Ajo u nis pothuajse 50 vjet më parë; megjithatë, më 15 nëntor të këtij viti do të jetë vetëm një ditë drite larg Tokës. Ylli më i afërt me një planet në orbitë që mund të mbajë jetë është më shumë se katër vjet drite larg.

    Pra, do të kalojnë mijëra vjet para se çdo qenie, që mund të ndajë këtë univers me ne, të dëgjojë tingujt e Koncertit të Dytë të Brandenburgut të Bahut ose të përpiqet të gjejë kuptimin e vizatimeve të përfshira në të ashtuquajturin Regjistri i Artë që sonda mban.

    Do të kishin menduar se, përballë pamundësisë së udhëtimeve në hapësirë, ne do t’i braktisnim ëndrrat tona dhe do të pranonim se nuk po shkojmë askund. Mbi të gjitha, janë 53 vjet nga ulja e fundit me ekuipazh në Hënë nga Apollo 17, një epokë të cilën ne, në mënyrë tepër optimiste, e pamë si fillimin e Epokës Hapësinore, por doli se ky ishte fundi i saj.

    Por, tundimi mbetet i fuqishëm, veçanërisht për dikë që kërkon me dëshpërim të lërë një trashëgimi, pra Donald J. Trump. Para Krishtlindjes, ai lëshoi një urdhër ekzekutiv që udhëzonte NASA-n të çonte një njeri në Hënë deri në vitin 2028 – para se ai të përfundojë mandatet e tij të dytë.

    Gjatë fundjavës, raketa e Sistemit të Lëshimit Hapësinor (SLS) dhe kapsula hapësinore Orion u zhvendosën nga Qendra Hapësinore Kenedi e NASA-s në platformën e nisjes. Ishte një kujtim i atyre ditëve të ngazëllyera në fund të viteve ‘60 dhe në fillim të viteve ‘70 të shekullit XX, kur raketat e mëdha Saturn ishin duke u vendosur në pozicion.

    Artemisi II është planifikuar të niset muajin e ardhshëm, me katër anëtarë ekuipazhi në bord të cilët drejtohen drejt Hënës, megjithëse jo për të zbritur.

    Ajo do të shërbejë, në vend të kësaj, për të vendosur themelet për një ulje hënore nga astronautët me misionin Artemis III, ndoshta vitin e ardhshëm. Pas kësaj, tetë ulje të tjera janë planifikuar për të ngritur një bazë të përhershme në Hënë, për eksperimentim shkencor dhe për t’u përdorur si trampolinë drejt Marsit.

    A ka ndonjë kuptim në këtë dhe a mund të përballohet? Qëndrueshmëria e projektit u përmirësua paksa nga zhvillimi i mjeteve të ripërdorshme që çoi Kongresin e ShBA-së, vitin e kaluar, nën Trumpin, të financojë misionet nën një Ligj të madh e të bukur [One Big Beautiful Bill Act]. Por, gjithsesi do të kushtojë me miliarda.

    Dhe, megjithëse do të jetë e jashtëzakonshme të shihet një herë tjetër njeriu duke ecur në sipërfaqen e fqinjit tonë më të afërt qiellor, a mund të justifikohet me të vërtetë kjo? Duke u kthyer te programi Apollo, mund të shihet sot si një aventurë e madhe, por ishte thellësisht e papëlqyeshme mes shumë amerikanëve për shkak të kostos.

    Ai u motivua po aq nga politika e Luftës së Ftohtë sa edhe nga kërkimi për përparim shkencor. Në vitin 1962, presidenti John F. Kennedy caktoi objektivin për ta çuar njeriun në Hënë deri në fund të dekadës, kryesisht për t’i treguar Bashkimit Sovjetik se Perëndimi kapitalist mund të bënte atë që shteti sklerotik komunist do ta kishte të pamundur për ta arritur. Mbështetja e Trumpit për Artemisin është gjithashtu politike, pasi ai dëshiron të ketë avantazh ndaj Kinës e cila gjithashtu po planifikon misione me ekuipazh, megjithëse jo deri në vitin 2030.

    Cilido qoftë arsyetimi – dhe nëse ndoshta do të ishte më mirë të shpenzoheshin paratë për një kurë për Alzheimerin – dëshira për t’u çliruar nga Toka mbetet e fortë. Deri më tani, nuk ka të njëjtin ndjesi entuziazmi rreth Artemisit si ajo që unë e kujtoj në fëmijë me Apollon.

    Kur ajo niset muajin e ardhshëm (duke supozuar se kjo ndodh, duke pasur parasysh shumë defekte teknike me anijen hapësinore), presidenti Trump sigurisht do ta shfrytëzojë atë deri në maksimum. Megjithatë, a është një trampolinë drejt yjeve apo thjesht ëndrra e një njeriu mendjemadh? “Shihni ç’bëra! Dhe brenga ju hëngërt”!

  • Rockstar bën gjest human – lojtar i sëmurë rëndë provon GTA VI para daljes

    Rockstar bën gjest human – lojtar i sëmurë rëndë provon GTA VI para daljes

    Ndërsa miliona lojtarë në mbarë botën po presin me padurim premierën e lojës Grand Theft Auto VI në vjeshtën e vitit 2026 – projekti më ambicioz i industrisë së videolojërave – Rockstar Games ka treguar edhe njëherë anën njerëzore të saj.

    E gjithë historia filloi me një apel publik nga Anthony Armstrong, një zhvillues nga Ubisoft Toronto, i cili përmes LinkedIn i është drejtuar drejtuesve të Rockstar‑it. Një anëtar i afërt i familjes së tij, i cili ka luftuar me kancerin për vite me radhë, ka marrë një parashikim jetësor prej vetëm disa muajsh – që do të thotë se ka pasur shumë pak shanse të përjetojë daljen zyrtare të GTA VI.

    Armstrong kërkoi që t’i jepet familjarit të tij – një fans i devotshëm i kësaj serie video-lojërash – mundësia të shohë dhe të luajë pak nga loja para prezantimit zyrtar, duke respektuar të gjitha marrëveshjet e konfidencialitetit.

    Falë mbështetjes së madhe nga komuniteti, postimi i tij arriti te njerëzit e duhur. Sipas informacioneve të fundit, Shtraus Zelnick, CEO i Take‑Two Interactive (kompania nënë e Rockstar‑it), e kontaktoi Armstrong‑in dhe i dha lajme të mira — dhe është arritur një marrëveshje për këtë mundësi të veçantë. Armstrong më pas fshiu postimin për të mbrojtur privatësinë e familjes së tij.

    Ky nuk është rasti i parë kur Rockstar bën një gjest të tillë për ndonjë fan. Një situatë e ngjashme ishte edhe me Red Dead Redemption 2 në vitin 2018, kur një fan i sëmurë rëndë mori mundësinë të testojë lojën para daljes në shitje.

    Kujtojmë se data zyrtare e daljes së GTA VI është planifikuar për nëntor 2026 për PlayStation 5 dhe Xbox Series X/S, ndërsa versioni për PC pritet të vijë pak më vonë. 

  • iPhone 18 Pro dhe Pro Max do të kenë ekrane OLED të përparuara LTPO+

    iPhone 18 Pro dhe Pro Max do të kenë ekrane OLED të përparuara LTPO+

    Një raport i ri që vjen nga burimet e zinxhirit të furnizimit të ETNews, thotë se Apple po planifikon të prezantojë panele të përparuara LTPO+ OLED me modelet e ardhshme iPhone 18 Pro dhe 18 Pro Max. Përveç natyrës së supozuar më efikase nga ana e energjisë të ekraneve LTPO+, ato do t’i lejojnë gjithashtu Apple të vendosë skanerin IR, të përdorur për Face ID, pas ekranit.

    Për më tepër, disa njerëz të njohur me çështjen dyshojnë se Apple do ta zhvendosë edhe kamerën selfie pas ekranit pa bërë kompromis me cilësinë.

    Është interesante se kjo do ta nxirrte prodhuesin kinez të paneleve BOE nga zinxhiri i furnizimit të Apple për modelet Pro, pasi vetëm LG dhe Samsung mund të prodhojnë ekrane LTPO+ OLED. Megjithatë, BOE mund të prodhojë ende panele për modelet jo-Pro. Raporti gjithashtu sugjeron që Apple do të përfshijë panele LTPO+ në M6 MacBook Pro të ridizajnuar.

  • A harxhon vërtet energji shtimi i fjalëve ‘të lutem’ dhe ‘faleminderit’ te kërkesat për ChatGPT-në?

    A harxhon vërtet energji shtimi i fjalëve ‘të lutem’ dhe ‘faleminderit’ te kërkesat për ChatGPT-në?

    Heqja e fjalëve “të lutem” dhe “faleminderit” nga kërkesa juaj e radhës për ChatGPT, sipas disa diskutimeve online, mund të duket sikur ndihmon në shpëtimin e planetit.

    Ideja tingëllon e besueshme, sepse sistemet IA përpunojnë tekstin hap pas hapi: kërkesat më të gjata kërkojnë pak më shumë llogaritje dhe për rrjedhojë përdorin pak më shumë energji. Edhe drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, ka pranuar se në shkallën e miliarda kërkesave, kjo ndikon në kostot operative.

    Megjithatë, të thuash se të qenit i sjellshëm me ChatGPT ka një kosto të ndjeshme mjedisore është e tepruar. Ndikimi i disa fjalëve shtesë është i papërfillshëm krahasuar me energjinë që kërkohet për të operuar qendrat e të dhënave ku funksionon IA-ja.

    Më e rëndësishme është vetë përhapja e kësaj ideje. Ajo tregon se shumë njerëz e ndiejnë tashmë se IA-ja nuk është aq “jofizike” sa duket. Ky intuitë meriton të merret seriozisht.

    Inteligjenca artificiale mbështetet në qendra të mëdha të dhënash me infrastrukturë kompjuterike shumë të dendur. Këto objekte konsumojnë shumë energji elektrike, kërkojnë ftohje të vazhdueshme dhe janë të lidhura me përdorimin e ujit, tokës dhe burimeve të tjera.

    Ndryshe nga shërbimet digjitale tradicionale, ku energjia kryesore shpenzohet një herë gjatë ruajtjes së të dhënave, çdo kërkesë ndaj një modeli IA kërkon një llogaritje të re. Çdo pyetje gjeneron një proces të ri “konkluzioni”, që do të thotë konsum i ri energjie çdo herë.

    Studimet tregojnë se qendrat e të dhënave përbëjnë tashmë një pjesë të konsiderueshme të konsumit global të energjisë elektrike, dhe kjo kërkesë pritet të rritet ndjeshëm. Përveç energjisë, këto qendra përdorin shumë ujë dhe ndikojnë në përdorimin e tokës dhe infrastrukturës lokale.

    Prandaj, problemi real nuk është si i formulojmë kërkesat, por sa shpesh dhe sa intensivisht përdorim këto sisteme. Miti i “të lutem” nuk është thjesht një gabim, por një shenjë se njerëzit e kuptojnë intuitivisht se IA-ja ka një gjurmë mjedisore.

    Një debat më i pjekur duhet të fokusohet te planifikimi energjetik, menaxhimi i ujit dhe integrimi i infrastrukturës së IA-së në sistemet ekzistuese, duke e parë atë jo si diçka abstrakte, por si pjesë reale të botës fizike që tashmë po përballet me kufijtë e saj./TheConversation

  • Elon Musk padit OpenAI dhe Microsoft, kërkon 134 miliardë dollarë!

    Elon Musk padit OpenAI dhe Microsoft, kërkon 134 miliardë dollarë!

    Elon Musk po kërkon deri në 134 miliardë dollarë nga OpenAI dhe Microsoft, duke argumentuar se ai meriton “përfitimet e padrejta” që ata morën nga mbështetja e tij e hershme për startup-in e Inteligjencës Artificiale.

    OpenAI fitoi midis 65.5 miliardë dhe 109.4 miliardë dollarë nga kontributet e sipërmarrësit miliarder kur ai ishte bashkëthemelues i OpenAI nga viti 2015, ndërsa Microsoft fitoi midis 13.3 miliardë dhe 25.1 miliardë dollarë, sipas Musk.

    OpenAI e ka quajtur padinë “të pabazuar” dhe pjesë të një fushate “ngacmimi” nga Musk.

    Një avokat i Microsoft ka thënë se nuk ka prova që kompania e ka ndihmuar dhe inkurajuar” OpenAI-n. Pra, të dy kompanitë kundërshtuan pretendimet e Musk për dëmshpërblim në një padi të veçantë.

    Musk, i cili u largua nga OpenAI në vitin 2018 dhe tani drejton xAI pretendon se operatori i ChatGPT OpenAI shkeli misionin e tij themelues në një ristrukturim të profilit të lartë në një entitet fitimprurës.

    Një gjyqtar në Oakland të Kalifornisë vendosi këtë muaj që një juri do të dëgjojë gjyqin, i cili pritet të fillojë në prill.

    Dosja e Musk thotë se ai kontribuoi rreth 38 milionë dollarë, 60% të financimit të hershëm të OpenAI, ndihmoi në rekrutimin e stafit, lidhi themeluesit me kontaktet kryesore dhe i dha besueshmëri projektit kur u krijua.

    Në dosje thuhet se kontributet e Musk në OpenAI dhe Microsoft u llogaritën nga dëshmitari i tij ekspert, ekonomisti financiar C. Paul Wazzan.

    Musk mund të kërkojë dëmshpërblim ndëshkues dhe dënime të tjera, duke përfshirë një urdhër të mundshëm ndalimi, nëse juria e gjen përgjegjëse njërën nga kompanitë, thuhet në dosje, pa specifikuar se çfarë forme mund të marrë ndonjë urdhër ndalimi.

  • Kompania e vetme automobilistike në botë me vlerë mbi 1 trilion paund – më e pasur se Ferrari dhe Mercedes së bashku

    Kompania e vetme automobilistike në botë me vlerë mbi 1 trilion paund – më e pasur se Ferrari dhe Mercedes së bashku

    Është i vetmi prodhues automjetesh në botë që ka kapërcyer pragun e 1 trilion dollarëve në vlerë tregu, ndërsa kapitalizimi i tij vazhdon të rritet me ritme të shpejta.

    Teksa disa kompani automobilistike po përballen me vështirësi për t’iu përshtatur kërkesës në ndryshim, të tjera po rriten më shpejt nga sa pritej. Çmimet e makinave të reja janë rritur, drejtuesit po i mbajnë automjetet e tyre për më gjatë dhe shumë marka po rikthehen te modelet hibride, pasi shitjet e makinave elektrike janë ngadalësuar.

    Megjithatë, një prodhues ka arritur të shkëputet dukshëm nga tregu global, duke e çuar vlerën e tij në nivele më të larta se Ferrari dhe Mercedes-Benz të marra së bashku. Gjatë vitit të fundit, industria është ndikuar nga rritja e kostove, tarifat e reja tregtare dhe heqja graduale e subvencioneve federale për automjetet elektrike në SHBA. Si pasojë, disa kompani humbën miliarda dollarë, ndërsa të tjera u përshtatën shpejt dhe panë rritje të ndjeshme të vlerës së tyre.

    Sipas një raporti të ri financiar nga US News, kompania automobilistike më e vlefshme në botë është tashmë Tesla.

    Raporti thekson se Tesla vlerësohet rreth 1.4 trilion dollarë (afërsisht 1.1 trilion paund), duke u bërë prodhuesi i vetëm i makinave në botë me një vlerë kaq të lartë dhe duke lënë shumë pas rivalët e saj.

    Për krahasim, Ferrari vlerësohet rreth 68.6 miliardë dollarë, ndërsa Mercedes-Benz rreth 66.1 miliardë dollarë. Edhe së bashku, ato nuk i afrohen kapitalizimit të tregut të Tesla-s.

    Tesla u themelua në vitin 2003 nga inxhinierët Martin Eberhard dhe Marc Tarpenning. Elon Musk iu bashkua kompanisë një vit më vonë, pasi drejtoi raundin e parë të madh të financimit, dhe u bë drejtor ekzekutiv në vitin 2008. Sot, ai zotëron një pjesë të konsiderueshme të aksioneve dhe mbetet figura më e njohur publike e kompanisë.

    Fillimisht, Tesla prodhoi vetëm një makinë sportive – Roadster. Më vonë, ajo u zgjerua me modele për tregun masiv si Model S, Model 3, Model X dhe Model Y.

    Me kalimin e viteve, kompania hyri edhe në sektorë të tjerë, përfshirë ruajtjen e energjisë, bateritë në shkallë të gjerë, panelet diellore dhe sistemet e avancuara softuerike. Ky kombinim e ka ndihmuar Teslën të shndërrohet në aktorin dominues të tregut global të automjeteve elektrike.

    Sipas US News, vlera e Tesla-s u rrit me mbi 300 miliardë dollarë brenda vetëm tre muajsh, pasi ndryshimet në tarifa favorizuan automjetet e prodhuara në SHBA. Aksionet e kompanisë janë rritur rreth 70 për qind gjatë vitit të fundit.

    Investitorët miratuan gjithashtu një paketë të re shpërblimi 10-vjeçare për Elon Musk, e cila mund të arrijë deri në 1 trilion dollarë, nëse kompania përmbush objektivat afatgjata, përfshirë një kapitalizim tregu prej 8.5 trilion dollarësh dhe prodhimin vjetor të 20 milionë automjeteve.

    Ndërkohë, pjesa tjetër e industrisë po lëviz në një drejtim tjetër: prodhuesit po shkurtojnë kostot, po zgjerojnë gamën e makinave hibride dhe po thjeshtojnë dizajnin e brendshëm të automjeteve. Shumë konsumatorë po zgjedhin makina të përdorura ose po shtyjnë blerjet, pasi modelet e reja janë bërë gjithnjë e më të shtrenjta.

    10 kompanitë automobilistike më të vlefshme në botë (US News, 2025)

    Tesla – 1.4 trilion $

    Toyota – 259.7 miliardë $

    Xiaomi – 135.2 miliardë $

    BYD – 126.1 miliardë $

    General Motors – 69.7 miliardë $

    Ferrari – 68.6 miliardë $

    Mercedes-Benz – 66.1 miliardë $

    BMW – 63.3 miliardë $

    Volkswagen – 58.9 miliardë $

    Maruti Suzuki – 56.5 miliardë $

  • 11 makinat më të mira të reja që pritet të dalin në treg në vitin 2026

    11 makinat më të mira të reja që pritet të dalin në treg në vitin 2026

    Viti 2026 pritet të jetë një vit shumë i rëndësishëm për industrinë e automobilave, me prezantime të reja në pothuajse çdo segment të tregut.

    Marka të njohura si Land Rover, BMW, Ferrari, Jaguar, Tesla dhe Aston Martin do të sjellin modele me dizajne të reja, teknologji elektrike të avancuar dhe performancë mbresëlënëse.

    Më poshtë janë 11 makinat më të spikatura që pritet të lansohen në 2026, të përkthyera, të përshtatura dhe me të gjitha njësitë e konvertuara në kilometra dhe euro.

    Jaguar Type 00

    Jaguar Type 00 pritet të jetë një nga modelet më të diskutuara të vitit 2026 dhe shënon fillimin e një epoke të re për markën britanike.

    Sedani me katër dyer përfaqëson një shkëputje të qartë nga modelet klasike coupe të Jaguar-it dhe do të jetë automjeti i parë elektrik i markës pas I-Pace (2018). Modeli është parë duke u testuar intensivisht në pistën Nürburgring Nordschleife, çka tregon ambiciet sportive të kompanisë.

    Land Rover Range Rover Electric

    Range Rover Electric është një nga lançimet më të pritura të vitit.

    Bateri: 118 kWh

    Autonomi: mbi 480 km

    Fuqia: 552 kuaj-fuqi

    Shpejtësia maksimale: rreth 250 km/h

    Modeli synon të ruajë luksin klasik të Range Rover-it, duke hyrë fuqishëm në tregun e SUV-ve elektrikë luksozë, përballë konkurrencës së fortë nga prodhuesit kinezë.

    BMW 3 Series Electric

    Një nga modelet më ikonike të BMW-së do të vijë edhe në version plotësisht elektrik.

    Bateri: 108.7 kWh

    Autonomi e pritshme: mbi 800 km me një karikim të vetëm

    Modeli do të ndajë shumë teknologji me SUV-in elektrik BMW iX3 dhe synon të jetë një pikë referimi në segmentin e sedanëve elektrikë.

    Leapmotor B05

    Një nga surprizat më të mëdha nga Kina.

    Bateri: 67.1 kWh

    Autonomi: rreth 460 km

    Çmimi: nën 35,000 €

    Leapmotor B05 synon të ofrojë teknologji moderne dhe dizajn tërheqës me një çmim dukshëm më të ulët se rivalë si Volkswagen ID.3.

    Red Bull RB17

    Një hiper-makinë ekstreme e projektuar nga legjenda e Formula 1, Adrian Newey.

    Motori: V10 hibrid

    Fuqia: rreth 1,200 kuaj-fuqi

    Prodhimi: vetëm 50 njësi

    Çmimi: rreth 7 milionë €

    RB17 është ndërtuar me shasi monokok karboni, efekt toke dhe pezullim aktiv – një makinë piste e homologuar për rrugë.

    Aston Martin Valhalla

    Një supermakinë e frymëzuar drejtpërdrejt nga Formula 1.

    Motori: V8 biturbo + motor elektrik (PHEV)

    Fuqia totale: mbi 1,000 kuaj-fuqi

    0–100 km/h: 2.5 sekonda

    Shpejtësia maksimale: rreth 350 km/h

    Prodhimi: 999 njësi

    Çmimi: rreth 995,000 €

    Renault Twingo Electric

    Një nga makinat elektrike më të përballueshme që pritet në treg.

    Bateri: 27.5 kWh (LFP)

    Autonomi: rreth 260 km

    Çmimi i pritshëm: nën 23,500 €

    Synon përdorimin urban dhe ndjek suksesin e modeleve Renault 4 dhe Renault 5.

    Ferrari Amalfi

    Ferrari sjell një model “entry-level” por me ADN tipike sportive.

    Motori: V8 biturbo

    0–100 km/h: 3.3 sekonda

    Ndërkohë, Ferrari pritet të zbulojë edhe modelin e tij të parë plotësisht elektrik – Elettrica, në pranverën e vitit 2026.

    Tesla Roadster

    Pas një pritjeje të gjatë, Tesla Roadster pritet të jetë një nga makinat elektrike më ekstreme ndonjëherë.

    Shpejtësia maksimale e pretenduar: mbi 400 km/h

    Autonomi: rreth 1,000 km

    Çmimi i pritshëm: mbi 175,000 €

    Smart #2

    Smart rikthehet me një makinë të vogël urbane, dyvendëshe.

    Lansimi: fundi i vitit 2026

    Çmimi i pritshëm: 23,500 – 29,000 €

    Modeli pason Smart Fortwo, i cili u ndërpre në vitin 2024.

    Škoda Epiq

    (Shënim: Škoda është markë çeke, jo suedeze)

    Segmenti: SUV elektrik kompakt

    Autonomi e pritshme: mbi 400 km

    Çmimi: Rreth 29,000 €

    Epiq synon të jetë hyrja më e përballueshme e Škoda-s në botën e makinave elektrike.

    Viti 2026 pritet të sjellë një përzierje interesante mes luksit, performancës ekstreme dhe makinave elektrike të përballueshme. Nga hiper-makina mbi 1,000 kuaj-fuqi deri te qytetaret elektrike ekonomike, tregu i automobilave po hyn në një fazë transformimi të thellë.

  • Shoferi i testimit të Bugatti Veyron tregon momentet kur frenoi me 400 km/h

    Shoferi i testimit të Bugatti Veyron tregon momentet kur frenoi me 400 km/h

    Jemi me fat që jetojmë në epokën e Bugatti Veyron, një supermakinë rekordthyese që revolucionoi industrinë e automobilave në fillim të viteve 2000. Pak makina kanë pasur ndikim kaq të madh në botën e automjeteve dhe në jetën e entuziastëve të shpejtësisë.

    Loris Bicocchi, ish-shofer testues i Bugatti Veyron, kujton emocionet e para kur u ngjit pas timonit të prototipit të parë. Ai kishte qenë pjesë e testimeve të EB110 GT dhe SS në vitet 1990, por Veyron ishte diçka krejt tjetër. Në pistën e testimit Michelin në Ladoux, pranë Clermont-Ferrand, Bicocchi shpjegon: “Nga 300 km/orë, gjithçka ndryshon. Duhet të rindërtoje të gjitha referencat që kishe ndërtuar deri atëherë.”

    Një nga momentet më dramatike ndodhi kur ai duhej të frenonte plotësisht në mbi 400 km/orë gjatë testimeve në pistën Ehra-Lessien të grupit Volkswagen. Bicocchi kujton qartë aksidentin në Nardò, kur një gomë shpërtheu me 398 km/orë, duke dëmtuar parakolpin dhe kapakun e motorit. Shpejtësia e lartë dhe dëmtimi i gomës e lanë pa frenim dhe pa pamje përpara, por reagimi i tij i shpejtë e shpëtoi jetën. Makina ndaloi pas 1.8 kilometrash duke u mbështetur në barrierën mbrojtëse.

    Bicocchi vazhdoi më pas të testonte edhe modelin Chiron dhe përjetimet e tij mbeten një dëshmi e guximit dhe profesionalizmit të pilotëve testues të Bugatti. Megjithëse Bugatti u tërhoq nga përpjekjet për rekord shpejtësie në vitin 2019, CEO aktual, Mate Rimac, ka sugjeruar se kompania mund të provojë një ditë të thyejë barrierën e 500 km/orë, me goma të specializuara dhe pista të përshtatshme.

    Historia e Veyron nuk është vetëm një tregim mbi shpejtësinë ekstreme, por edhe mbi aftësinë, guximin dhe kontrollin e pafund të pilotëve që testojnë këto përbindësha automobilistik.

  • A do të zëvendësojë Al vendet e punës?!

    A do të zëvendësojë Al vendet e punës?!

    Pavarësisht frikës së përhapur se Inteligjenca Artificiale (Al) mund të zëvendësojë vendet e punës, një studim nga Anthropic sugjeron se teknologjia aktualisht po i ndihmon punëtorët.

    Pavarësisht shqetësimeve për punën, hulumtimi është më kompleks pasi u zbulua se Al i riformëson vendet e punës ndryshe, varësisht nga roli.

    Në vend që të përqendrohej vetëm te sa shpesh përdoret Al, raporti shqyrtoi më nga afër se çfarë lloj detyrash i jepen asaj dhe nëse ka sukses,

    Studimi zbuloi se 49% e vendeve të punës tani mund të përdorin Al në të paktën një të katërtën e detyrave të përfshira, që është një rritje prej 13% nga fillimi i vitit 2025.

    Por, jo të gjitha punët në zyrë preken në të njëjtën mënyrë nga Al, sipas raportit.

    Raporti thekson ndryshimet gjeografike. Vendet me të ardhura më të larta kanë tendencë ta përdorin Al më shpesh për punë dhe detyra personale. Vendet me të ardhura më të ulëta tregojnë një përqindje më të lartë të përdorimit në arsim.

    Ndryshe, ky është botimi i katërt i indeksit ekonomik të Anthropic, i cili gjurmon se si Al po integrohet në punë dhe efektet e saj të mundshme.

    Autorët e raportit argumentojnë se të kuptuarit se si përdoret Al është po aq e rëndësishme sa matja e përhapjes së saj.