ATV

Category: SPORT

  • McGregor rikthehet në UFC pas pesë vitesh: Dua më shumë tituj, rekorde dhe fitore

    McGregor rikthehet në UFC pas pesë vitesh: Dua më shumë tituj, rekorde dhe fitore

    Pas një mungese të gjatë nga oktagoni, Conor McGregor është gati të rikthehet në skenën më të madhe të arteve marciale të përziera. Ish-kampioni i dyfishtë i UFC-së do të ngjitet sërish në kafaz këtë të shtunë në T-Mobile Arena në Las Vegas, ku do të përballet me Max Holloway në eventin kryesor të UFC 329, në kategorinë welter.

    Kjo do të jetë ndeshja e parë e irlandezit që nga korriku i vitit 2021, kur pësoi një frakturë të rëndë në këmbë gjatë përballjes me Dustin Poirier në UFC 264. Pas një rikuperimi të gjatë, McGregor beson se është gati të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij.

    Luftëtari me rekord 22 fitore dhe 6 humbje deklaroi se rikthimi i tij nuk ka të bëjë vetëm me një ndeshje, por me ambicien për të dominuar sërish sportin.

    “Ndjej se kam ende shumë për të arritur. Dua më shumë tituj, më shumë rripa kampioni, më shumë nokaut, më shumë rekorde dhe më shumë fitore. Kam punuar shumë për të ndërtuar këtë trashëgimi dhe tani dua të përfitoj nga gjithçka që kam krijuar.”

    McGregor shtoi se vazhdon ta konsiderojë veten një nga figurat më të mëdha të sporteve luftarake dhe është i bindur se mund ta dëshmojë këtë edhe një herë.

    “Bota e arteve marciale të përziera është bota ime. Jam këtu për ta treguar sërish se çfarë jam në gjendje të bëj dhe këtë do ta shihni të shtunën.”

    Edhe pse në korrik mbush 37 vjeç, irlandezi nuk mendon ende për tërheqjen. Ai pranoi se ndodhet në fazën e fundit të karrierës, por jo në fundin e ambicieve të tij. Pas sfidës me Holloway, McGregor do të ketë edhe një ndeshje të mbetur në kontratën aktuale me UFC-në, çka e bën këtë duel edhe më të rëndësishëm për të ardhmen e tij.

    Nga ana tjetër, Max Holloway nuk do të jetë aspak një kundërshtar i lehtë. Ish-kampioni dhe një nga emrat më të respektuar të UFC-së synon t’i japë fund rikthimit të bujshëm të McGregorit dhe të rikthehet në garën për titujt më të rëndësishëm.

    Pavarësisht sfidës që e pret, McGregor mbetet i bindur se është gati të dëshmojë edhe një herë vlerat e tij.

    “Fjalët nuk kanë më rëndësi. Tani është radha ime ta tregoj në kafaz, dhe pikërisht këtë do të bëj.”

  • Courtois thumbon SHBA-në pas fitores bindëse: Ishim më të sigurt se ndaj Senegalit

    Courtois thumbon SHBA-në pas fitores bindëse: Ishim më të sigurt se ndaj Senegalit

    Portieri i Belgjikës, Thibaut Courtois, nuk e fshehu kënaqësinë pas fitores së thellë 4-1 ndaj Shteteve të Bashkuara në Kupën e Botës 2026, por përveç analizës së ndeshjes, ai pati edhe disa deklarata të forta në adresë të kundërshtarëve.

    Gardiani belg iu rikthye polemikave që paraprinë sfidën, të lidhura me vendimin e FIFA-s për t’i lejuar sulmuesit amerikan Folarin Balogun të luante pavarësisht pezullimit, një çështje që kishte shkaktuar pakënaqësi te Federata e Futbollit e Belgjikës.

    “Në një farë mënyre, ia dolëm t’i përgjigjemi në fushë mungesës së respektit që amerikanët treguan ndaj nesh gjatë ditëve të fundit”, u shpreh Courtois pas përfundimit të takimit.

    Portieri belg minimizoi gjithashtu forcën e përfaqësueses amerikane, duke theksuar se sfida ndaj Senegalit kishte qenë shumë më e vështirë sesa ajo ndaj SHBA-së.

    “Kam lexuar shumë gjëra këto ditë dhe vetëm më kanë bërë të buzëqesh. E kuptoj se donin të krijonin sa më shumë vëmendje rreth SHBA-së, por sinqerisht isha më i bindur për fitoren në këtë ndeshje sesa në përballjen me Senegalin, i cili, sipas mendimit tim, ka një ekip më të fortë”, deklaroi ai.

    Belgjika tashmë ka siguruar një vend në çerekfinale, ku e pret një përballje shumë e vështirë ndaj Spanjës. Megjithatë, Courtois kërkoi që skuadra të mos ushtrojë presion të panevojshëm mbi veten.

    “Objektivi ynë ishte të arrinim në çerekfinale. Tani e kemi përmbushur atë dhe gjithçka që do të vijë nga ky moment e tutje do të jetë një bonus”, përfundoi portieri belg.

  • Wimbledon: Zverev pranë çerekfinales, Cobolli, Fritz dhe Fery kualifikohen

    Wimbledon: Zverev pranë çerekfinales, Cobolli, Fritz dhe Fery kualifikohen

    Raundi i katërt i turneut prestigjioz Wimbledon ka dhuruar emocione dhe rezultate interesante, me shumicën e biletave për në çerekfinale që tashmë kanë gjetur pronarët. Megjithatë, njëra nga sfidat më të rëndësishme mbetet ende e hapur dhe do të përfundojë gjatë ditës së sotme.

    Tenisti gjerman Alexander Zverev është shumë pranë kualifikimit, pasi kryeson me sete 2-0 ndaj çekut Jiri Lehecka. Takimi u ndërpre për shkak të errësirës, në momentin kur seti i tretë ishte në barazim 3-3, duke lënë gjithçka për t’u vendosur në vazhdimin e ndeshjes.

    Ndërkohë, italiani Flavio Cobolli vazhdon paraqitjet mbresëlënëse në barin londinez. Ai dominoi australianin Alex de Minaur, duke triumfuar me rezultat të pastër 3-0 dhe duke siguruar një vend mes tetë tenistëve më të mirë të turneut.

    Në çerekfinale ka kaluar edhe amerikani Taylor Fritz, i cili zhvilloi një ndeshje shumë të mirë ndaj kazakut Alexander Bublik, duke fituar gjithashtu me rezultat 3-0 dhe duke konfirmuar formën e tij të shkëlqyer.

    Një tjetër duel spektakolar ishte ai mes britanikut Arthur Fery dhe bullgarit Grigor Dimitrov. Pas një beteje të gjatë me pesë sete, Fery arriti të triumfojë me rezultat 3-2, duke i dhuruar publikut vendas një tjetër arsye për festë.

    Në konkurrencën e femrave, italiania Jasmine Paolini hasi më shumë vështirësi sesa pritej, por në fund arriti të siguronte kualifikimin. Ajo mposhti filipinasen Alexandra Eala me rezultat 2-1, duke treguar karakter në momentet vendimtare të takimit.

    Biletën për në çerekfinale e prenë edhe ukrainasja Marta Kostyuk dhe belgia Elise Mertens, të cilat vazhdojnë rrugëtimin e tyre në turneun më prestigjioz në fushat me bar.

    Surpriza më e madhe e ditës erdhi me eliminimin e amerikanes Madison Keys. Një nga favoritët e turneut u mposht në dy sete nga çekja Linda Noskova, e cila siguroi një fitore të rëndësishme dhe një vend në mesin e tetë tenisteve më të mira të Wimbledonit.

  • Manchester City përgatit ofertën “bombë” për Vinicius Jr, Real Madridi përballet me një vendim të vështirë

    Manchester City përgatit ofertën “bombë” për Vinicius Jr, Real Madridi përballet me një vendim të vështirë

    Manchester City është gati të ndezë tregun e transferimeve me një lëvizje të bujshme për yllin e Real Madridit, Vinicius Jr. Kampionët anglezë thuhet se po përgatisin një ofertë prej 150 milionë eurosh për brazilianin, duke synuar të përfitojnë nga ngërçi në bisedimet për rinovimin e kontratës së tij.

    Sulmuesi 25-vjeçar është i lidhur me klubin madrilen deri në verën e vitit 2027, por ende nuk ka arritur një marrëveshje të re me drejtuesit e “Los Blancos”. Me kontratën që po hyn në dy vitet e fundit, pasiguria për të ardhmen e tij është rritur ndjeshëm.

    Presidenti Florentino Perez mbetet i vendosur ta mbajë Viniciusin në “Santiago Bernabeu”, megjithatë negociatat kanë hasur në vështirësi. Raportohet se lojtari kërkon një pagë neto prej rreth 30 milionë eurosh në sezon, shifër që klubi spanjoll nuk është i gatshëm ta pranojë.

    Në anën tjetër, Manchester City po kërkon të rikthehet në majën e futbollit anglez dhe evropian pas dy sezoneve pa triumf në Ligën Premier. Trajneri Enzo Maresca e sheh Viniciusin si pjesën kyçe të projektit të tij të ri dhe beson se braziliani mund të transformojë repartin ofensiv të skuadrës.

    Nëse transferimi realizohet, Vinicius do të krijonte një treshe spektakolare në sulm së bashku me Rayan Cherki dhe Erling Haaland, një kombinim që premton të jetë ndër më të frikshmit në futbollin evropian.

    Ndërkohë, ardhja e Kylian Mbappes te Real Madridi mund të ndikojë në vendimin e brazilianit. Burime pranë klubit sugjerojnë se Vinicius nuk ndihet më qendra e projektit sportiv dhe nuk është plotësisht i kënaqur me rolin që ka marrë pas transferimit të francezit.

    Një kalim në “Etihad Stadium” do t’i ofronte atij mundësinë të ishte lideri i padiskutueshëm i skuadrës, me një sistem loje të ndërtuar rreth cilësive të tij, shpejtësisë, driblimeve dhe kreativitetit.

    Vinicius vjen pas një sezoni tjetër mbresëlënës me Real Madridin, ku regjistroi 22 gola dhe 14 asistime në 53 paraqitje në të gjitha garat, statistika që e konfirmojnë si një nga futbollistët më të kërkuar në botë.

    Tani mbetet për t’u parë nëse Manchester City do ta formalizojë ofertën prej 150 milionë eurosh dhe nëse Real Madridi do të pranojë të negociojë largimin e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.

  • Ronaldo pas eliminimit të Portugalisë: Spanja pati fat, por ne dhamë gjithçka

    Ronaldo pas eliminimit të Portugalisë: Spanja pati fat, por ne dhamë gjithçka

    Cristiano Ronaldo ka komentuar eliminimin e Portugalisë nga Kupa e Botës 2026, pas humbjes minimale 1-0 ndaj Spanjës në fazën e 1/8 së finales. Kapiteni portugez u shpreh se sfida ishte e ekuilibruar dhe u vendos nga një moment vendimtar në favor të rivalëve.

    Portugalia u ndëshkua në minutat shtesë të takimit, duke i dhënë fund ëndrrës për të vazhduar më tej në turne. Sipas Ronaldos, fati buzëqeshi Spanjës në fund të ndeshjes.

    “Ndeshja mund të shkonte në favor të secilës skuadër. Spanja pati fat që gjeti golin në minutat e fundit, por ky është futbolli. Në përgjithësi ishte një përballje shumë e barabartë”, deklaroi ai.

    Veterani portugez pranoi se ekipi i tij mund të kishte bërë më shumë, por theksoi se u eliminua nga një prej skuadrave më të forta të turneut.

    “Mund të kishim luajtur më mirë, por u eliminuam nga një ekip që besoj se do të arrijë në finale ose do të jetë shumë pranë saj. Ishte një ndeshje e luftuar deri në fund.”

    Ronaldo vlerësoi angazhimin e bashkëlojtarëve, duke theksuar se Portugalia la gjithçka në fushën e lojës.

    “Ne dhamë maksimumin dhe, kur e bën këtë, nuk ke asgjë për t’ia qortuar vetes.”

    Megjithatë, 41-vjeçari nuk zbuloi nëse kjo ishte paraqitja e tij e fundit me fanellën e Portugalisë. E ardhmja e tij në kombëtare mbetet ende e paqartë.

  • KF Llapi përforcohet në mbrojtje, transferon Agon Xhakën

    KF Llapi përforcohet në mbrojtje, transferon Agon Xhakën

    KF Llapi ka arritur marrëveshje me qendërmbrojtësin Agon Xhaka, i cili nga sot është zyrtarisht pjesë e skuadrës bardhekaltër.

    29-vjeçari ka nënshkruar kontratë me klubin nga Podujeva deri në verën e vitit 2028, duke iu bashkuar projektit të ekipit për dy sezonet e ardhshme.

    Futbollisti vjen te Llapi pas një periudhe pesëvjeçare të suksesshme me FC Malishevën, ku ka qenë një nga lojtarët kyç të skuadrës. Gjatë kësaj kohe, ai ka regjistruar 129 paraqitje zyrtare dhe ka kontribuar në sukseset e klubit, përfshirë edhe kualifikimet në garat evropiane për tri sezone radhazi.

    KF Llapi ka bërë të ditur se vazhdon të forcojë skuadrën me futbollistë të dëshmuar, në funksion të objektivave për sezonin e ri. Klubi i ka uruar mirëseardhje Agon Xhakës dhe shumë suksese me fanellën bardhekaltër.

    I njohur për sigurinë në mbrojtje, lojën në ajër dhe karakterin luftarak, Xhaka pritet të sjellë stabilitet dhe lidership në repartin defensiv të Llapit në sezonin e ri.

  • Real Madridi monitoron Doue, e ardhmja e Viniciusit mund të përcaktojë gjithçka

    Real Madridi monitoron Doue, e ardhmja e Viniciusit mund të përcaktojë gjithçka

    E ardhmja e Vinicius Junior vazhdon të mbetet e paqartë te Real Madridi, ndërsa drejtuesit e klubit po shqyrtojnë alternativa në rast se braziliani nuk rinovon kontratën dhe largohet nga “Santiago Bernabeu”.

    Një nga emrat që ka tërhequr vëmendjen e presidentit Florentino Perez është talenti i Paris Saint-Germain, Desire Doue, i cili konsiderohet një nga futbollistët më premtues të futbollit evropian.

    Sipas raportimeve, Real Madridi e vlerëson shumë profilin e 21-vjeçarit, por PSG nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga shërbimet e tij. Trajneri Luis Enrique e konsideron Douen një lojtar kyç në projektin e tij, ndërsa klubi francez pritet të kërkojë rreth 150 milionë euro për të nisur negociatat.

    Doue spikat për aftësinë e tij për të luajtur në disa pozicione të repartit ofensiv. Ai mund të aktivizohet në krahë, si mesfushor ofensiv ose pas sulmuesit, cilësi që vlerësohen shumë nga stafi teknik i Real Madridit.

    Që prej transferimit nga Rennes, zhvillimi i tij ka qenë i shpejtë dhe i qëndrueshëm. Sipas Transfermarkt, vlera e tij në treg është rreth 120 milionë euro, ndërsa kontrata me PSG-në është e vlefshme deri në vitin 2029, duke i dhënë klubit francez një pozicion të fortë në çdo negociatë.

    Në moshën 21-vjeçare, Doue ka dëshmuar cilësi të larta në driblim, pasin vendimtar dhe finalizim, ndërsa paraqitjet me Kombëtaren e Francës kanë rritur edhe më shumë vlerësimin për të.

    Megjithatë, gjithçka lidhet me të ardhmen e Vinicius Junior. Nëse braziliani rinovon kontratën me Real Madridin, interesi për Douen pritet të zbehet ndjeshëm.

    Në rast se nuk arrihet marrëveshje me Viniciusin, klubi madrilen mund të shqyrtojë shitjen e tij për të financuar transferimin e një zëvendësuesi të nivelit të lartë në krahun e majtë. Për momentin, situata mbetet e hapur. Desire Doue vazhdon të jetë një nga emrat më të pëlqyer në Madrid, ndërsa PSG mbetet e vendosur të mos e lëshojë lehtë yllin e saj.

  • Jürgen Klopp rikthehet në stol, pranon të marrë drejtimin e Gjermanisë

    Jürgen Klopp rikthehet në stol, pranon të marrë drejtimin e Gjermanisë

    Jürgen Klopp është shumë pranë rikthimit në stol, pasi ka pranuar të marrë drejtimin e Kombëtares së Gjermanisë.

    Sipas raportimeve të fundit, tekniku gjerman ka dhënë miratimin për projektin e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), ndërsa palët po finalizojnë detajet e kontratës afatgjatë dhe kushtet e bashkëpunimit. Gjithashtu, po diskutohen edhe termat e largimit të tij nga posti i Drejtuesit Global të Futbollit te Red Bull Group.

    Klopp rikthehet në rolin e trajnerit pas largimit nga Liverpooli, ku shkroi historinë gjatë nëntë viteve në krye të klubit anglez, duke fituar trofe të shumtë dhe duke u shndërruar në një nga trajnerët më të vlerësuar në botë.

    Ndërkohë, Red Bull kishte identifikuar Oliver Glasner si një nga kandidatët për ta zëvendësuar Kloppin në strukturat e grupit, por ky plan nuk u realizua pasi trajneri austriak ka arritur marrëveshje me Nottingham Forest.

    Edhe pse mbeten për t’u zgjidhur disa detaje burokratike dhe financiare, rikthimi i Kloppit në stol konsiderohet çështje kohe, me trajnerin gjerman që pritet të nisë një epokë të re në krye të “Panzerëve”.

  • Carlo Ancelotti konfirmon rikthimin e Raphinhas, por Brazili humb Paquetan para sfidës me Norvegjinë

    Carlo Ancelotti konfirmon rikthimin e Raphinhas, por Brazili humb Paquetan para sfidës me Norvegjinë

    Brazili pritet të bëjë disa ndryshime në formacion për ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës së Botës kundër Norvegjisë, krahasuar me ekipin që mposhti Japoninë në fazën e 1/16 së finales.

    Arsyeja kryesore është mungesa e mesfushorit Lucas Paqueta, i cili ka pësuar një dëmtim dhe nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Carlo Ancelotti.

    Ndërkohë, lajme pozitive vijnë për Raphinhan, i cili është rikthyer në stërvitje pas dy javësh mungesë për shkak të një dëmtimi në tendinën e gjurit, të pësuar gjatë ndeshjes së fazës së grupeve ndaj Haitit.

    Trajneri Carlo Ancelotti konfirmoi se sulmuesi është rikuperuar, por ende nuk ndodhet në formën e tij optimale.

    “Raphinha po rikuperohet shumë mirë. Nuk është ende plotësisht i gatshëm, por është në dispozicion për të qenë në stol dhe për të marrë disa minuta ose për të ndihmuar në momente të caktuara”, deklaroi Ancelotti.

  • Sunderland refuzon Chelsean-Granit Xhaka mbetet i paprekshëm

    Sunderland refuzon Chelsean-Granit Xhaka mbetet i paprekshëm

    Sunderland ka refuzuar çdo mundësi për transferimin e kapitenit të skuadrës, Granit Xhakës, duke i bërë të qartë Chelseat se mesfushori nuk është në shitje.

     

    Klubi londinez ka shfaqur interes serioz për reprezentuesin zviceran me prejardhje nga Kosova dhe ka paraqitur dy oferta gjatë këtij afati kalimtar. Megjithatë, Sunderland i ka refuzuar të dyja, pa hyrë në negociata për një shumë të mundshme transferimi.

     

    Qëndrimi i klubit është i qartë: Xhaka konsiderohet i paprekshëm dhe pjesë kyçe e projektit për sezonin e ardhshëm. Drejtuesit e Sunderland besojnë se përvoja, lidershipi dhe cilësitë e tij në mesfushë janë të pazëvendësueshme, sidomos në prag të pjesëmarrjes së skuadrës në garat evropiane.

     

    Nga ana tjetër, Chelsea synonte të përforconte mesfushën me një futbollist me përvojë dhe profil lideri, por tentativa për transferimin e Xhakës ka dështuar për shkak të vendosmërisë së Sunderland.

     

    Sipas raportimeve, kontaktet mes dy klubeve janë ndërprerë dhe Sunderland nuk ka ndërmend të shqyrtojë oferta të tjera për kapitenin e tij.

     

    Granit Xhaka pritet të mbetet një nga figurat kryesore të Sunderland edhe për sezonin e ardhshëm, ndërsa klubi anglez po ndërton projektin afatgjatë rreth mesfushorit me përvojë.