ATV

Category: SPORT

  • Vedat Muriqi pranë rikthimit, pritet të luajë në miqësoren e Fenerbahçes

    Vedat Muriqi pranë rikthimit, pritet të luajë në miqësoren e Fenerbahçes

    Vedat Muriqi ka bërë përparim të madh në procesin e rikuperimit dhe pritet të rikthehet shumë shpejt në fushë me fanellën e Fenerbahçes.

    Sipas raportimeve të beIN Sports, trajtimi i sulmuesit kosovar po ecën sipas planit, ndërsa ai tashmë është gati të jetë pjesë e ndeshjes së parë të skuadrës turke në fazën përgatitore.

    Muriqi pritet të aktivizohet për rreth 15-20 minuta në rikthimin e tij, me synimin që të rifitojë gradualisht ritmin e garës dhe formën optimale fizike pas lëndimit.

    Rikthimi i 31-vjeçarit konsiderohet një lajm shumë i rëndësishëm për Fenerbahçen, pasi trajneri do të ketë sërish në dispozicion një nga pikat kryesore të repartit ofensiv për sezonin e ri.

    Ndeshja e radhës e Fenerbahçes në kuadër të përgatitjeve verore do të zhvillohet më 11 korrik ndaj skuadrës polake Pogon Szczecin, sfidë në të cilën pritet edhe rikthimi gradual i Vedat Muriqit në aksion.

  • Kylian Mbappé vazhdon të shkruajë histori, thyen rekorde të reja në Kupën e Botës

    Kylian Mbappé vazhdon të shkruajë histori, thyen rekorde të reja në Kupën e Botës

    Kylian Mbappé po vazhdon të lërë gjurmë në historinë e futbollit botëror, duke vendosur rekorde të reja me paraqitjet e tij në Kupën e Botës 2026.

    Sipas të dhënave të Opta, sulmuesi francez është lojtari i vetëm në 60 vitet e fundit që ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në të paktën 10 gola në dy edicione të ndryshme të Kupës së Botës. Në Botërorin e vitit 2022 ai regjistroi 10 kontribute në gola, me tetë gola dhe dy asistime, ndërsa në edicionin e vitit 2026 ka arritur në 11 përfshirje direkte, falë tetë golave dhe tre asistimeve.

    Ylli i Real Madridit ka vendosur edhe një rekord tjetër historik, duke u bërë futbollisti me më shumë gola që i kanë dhënë epërsinë kombëtares së tij në Kupën e Botës. Deri tani, tetë nga golat e tij në këtë turne kanë kaluar Francën në avantazh, më shumë se çdo lojtar tjetër në historinë e kompeticionit.

    Mbappé është gjithashtu pranë një rekordi tjetër të madh. Me 11 përfshirje direkte në gola në Botërorin 2026, ai po i afrohet arritjes legjendare të Gerd Müller, i cili në Kupën e Botës 1970 ishte përgjegjës për 13 gola, duke shënuar 10 dhe asistuar në tre të tjerë.

    Rekordet e francezit nuk ndalen vetëm në Kupën e Botës. Në moshën 27-vjeçare, ai është bërë lojtari i parë në historinë e kombëtares së Francës që ka kaluar shifrën e 100 përfshirjeve direkte në gola, me 64 gola dhe 37 asistime.

    Me ritmin që po mban, Mbappé po forcon gjithnjë e më shumë statusin e tij si një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e këtij sporti.

  • Nga Gjermania te Brazili – 10 kombëtaret që zhgënjyen më shumë në Kupën e Botës 2026

    Nga Gjermania te Brazili – 10 kombëtaret që zhgënjyen më shumë në Kupën e Botës 2026

    Kupa e Botës 2026 dhuroi surpriza, drama dhe histori të paharrueshme, por për disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror turneu u shndërrua në një makth. Kombëtare që hynë në garë me objektiva të mëdha u larguan shumë më herët se sa pritej, duke lënë pas zhgënjim te tifozët dhe pasoja të menjëhershme brenda skuadrave.

    Në fund të turneut, disa ekipe paguan çmimin e dështimit me dorëheqje trajnerësh, largime lojtarësh dhe ndryshime të mëdha në projektet sportive.

     

    1. Republika Çeke

    Botërori për çekët përfundoi që në fazën e grupeve, ku arritën të grumbullonin vetëm një pikë. Pas eliminimit, sulmuesi Patrik Schick i dha fund karrierës me kombëtaren, ndërsa trajneri Miroslav Koubek dha dorëheqjen.

     

    1. Skocia

    Një tjetër zhgënjim për skocezët, të cilët nuk arritën sërish të kalonin fazën e grupeve. Ky ishte eliminimi i tyre i 13-të radhazi në fazën e parë të një turneu madhor.

     

    1. Ekuadori

    Pavarësisht pritshmërive, Ekuadori zhvilloi një turne me shumë luhatje dhe nuk arriti të linte gjurmë. Dështimi solli edhe largimin e trajnerit Sebastian Beccacece.

     

    7. Brazili

    Një nga goditjet më të mëdha të Botërorit. Pesë herë kampionët e botës u eliminuan nga Norvegjia që në fazën e 1/16-ave, ndërsa projekti i Carlo Ancelottit u vu menjëherë nën presion.

     

    1. Holanda

    “Oranje” konsiderohej mes favoriteve për trofeun, por aventura e saj përfundoi shumë shpejt pas eliminimit nga Maroku në fazën e parë me eliminim direkt.

     

    1. Portugalia

    Edhe pse u ndal nga Spanja, zhgënjimi nuk lidhej vetëm me eliminimin. Portugezët nuk arritën të bindnin me lojën e tyre gjatë gjithë turneut dhe mbetën larg pritshmërive.

     

    1. Koreja e Jugut

    Eliminimi i Koresë së Jugut u përjetua si një dështim kombëtar. Reagimet ishin aq të forta, sa presidenti i vendit kërkoi hetim për paraqitjen e ekipit, ndërsa trajneri Hong Myung-bo u vu në qendër të kritikave.

     

    1. Uruguai

    Kombëtarja amerikano-jugore përjetoi një Botëror të trazuar, të shoqëruar me rezultate zhgënjyese, tensione të brendshme dhe largimin e trajnerit Marcelo Bielsa pas përfundimit të turneut.

     

    2. Turqia

    Me Vincenzo Montellën në stol, Turqia shihej si një nga kombëtaret që mund të surprizonte pozitivisht. Megjithatë, ajo nuk arriti të kalonte fazën e grupeve, duke u renditur mes dështimeve më të mëdha të turneut.

     

    1. Gjermania

    Në krye të listës qëndron Gjermania. Katër herë kampionët e botës u eliminuan nga Paraguai në fazën e 1/16-ave, në atë që u konsiderua surpriza më e madhe e Kupës së Botës 2026.

    Ky eliminim tronditi futbollin gjerman dhe solli ndryshime të menjëhershme. Federata vendosi t’ia besojë drejtimin e kombëtares Jurgen Kloppit, me shpresën se ai do ta rikthejë “Pancerat” mes elitës së futbollit botëror.

    Për shumë kombëtare, Botërori 2026 nuk do të mbahet mend për sukseset, por për dështimet që mund të shërbejnë si pikënisje për një kapitull të ri.

  • FIFA thyen heshtjen pas polemikave në Argjentinë–Egjipt, Collina mbron arbitrimin dhe VAR-in

    FIFA thyen heshtjen pas polemikave në Argjentinë–Egjipt, Collina mbron arbitrimin dhe VAR-in

    FIFA ka dalë me një reagim zyrtar pas polemikave të shumta që pasuan ndeshjen mes Argjentinës dhe Egjiptit në fazën e 1/8 së finales së Kupës së Botës 2026, duke mbështetur plotësisht vendimet e ekipit të arbitrimit.

    Takimi i zhvilluar në Atlanta përfundoi me një rikthim spektakolar të kampionëve në fuqi. Argjentina përmbysi disavantazhin prej dy golash dhe triumfoi 3-2 falë realizimeve të Cristian Romeros, Lionel Messit dhe Enzo Fernandezit. Megjithatë, rezultati u la në hije nga debatet e forta rreth disa vendimeve të gjyqtarit dhe përdorimit të sistemit VAR.

    Pas eliminimit, Federata Egjiptiane e Futbollit reagoi ashpër, duke kërkuar përjashtimin e gjyqtarit dhe ekipit të tij nga vazhdimi i Botërorit. Egjiptianët pretenduan se arbitrat kryen gabime të rënda dhe se refuzuan të rishikonin disa situata kyçe të ndeshjes.

    Në qendër të polemikave ishin dy episode vendimtare: anulimi i golit të Mostafa Zikos, pasi VAR konstatoi një faull ndaj Lisandro Martinez në nisje të aksionit, si dhe pretendimi për një penallti ndaj Mohamed Salahut pak çaste para golit të fitores së Enzo Fernandezit në minutën e 93-të.

    Për t’i dhënë fund spekulimeve, shefi i arbitrave të FIFA-s, Pierluigi Collina, mbrojti publikisht punën e gjyqtarëve dhe hodhi poshtë çdo pretendim për favorizim.

    “Debatet mbi vendimet e arbitrave janë pjesë e futbollit, por akuzat e pabazuara nuk kanë vend në këtë sport. Integriteti i gjyqtarëve të Kupës së Botës nuk mund të vihet në dyshim”, deklaroi Collina.

    Ai theksoi se gjyqtarët e FIFA-s punojnë në mënyrë të pavarur dhe se vendimet e tyre nuk ndikohen nga asnjë faktor i jashtëm.

    Duke komentuar rastin e golit të anuluar të Egjiptit, Collina sqaroi se sistemi VAR kontrollon të gjithë fazën sulmuese që i paraprin një goli dhe se ndërhyrja ndaj Lisandro Martinez u vlerësua si faull i qartë.

    “Një faull mbetet faull. Nëse arbitri nuk e vëren në moment, VAR ka detyrimin të ndërhyjë dhe ta korrigjojë vendimin”, u shpreh ai.

    Sa i përket episodit ku Egjipti kërkoi penallti për Salahun, drejtuesi i arbitrave tha se si gjyqtari në fushë ashtu edhe ekipi i VAR-it arritën në përfundimin se Julian Alvarez preku fillimisht topin dhe se kontakti pasues ishte pjesë normale e lojës.

    “Nuk u konstatua asnjë shkelje që të justifikonte akordimin e penalltisë”, shtoi Collina.

    Në fund, italiani pranoi se futbolli vazhdon të ketë situata të interpretueshme, por nënvizoi se FIFA mbetet e kënaqur me standardin e arbitrimit dhe me mënyrën se si janë zbatuar protokollet e VAR-it gjatë gjithë turneut.

    Pas këtij kualifikimi dramatik, Argjentina do të përballet me Zvicrën në çerekfinale të Kupës së Botës 2026. Fituesi i këtij dueli do të sigurojë një vend në gjysmëfinale, ku do ta presë skuadra që triumfon në përballjen mes Anglisë dhe Norvegjisë.

  • Barcelona shton përpjekjet për Adeyemin, por oferta mbetet larg kërkesës së Dortmundit

    Barcelona shton përpjekjet për Adeyemin, por oferta mbetet larg kërkesës së Dortmundit

    Barcelona nuk ka hequr dorë nga transferimi i Karim Adeyemit dhe po vazhdon negociatat me Borussia Dortmundin për të siguruar shërbimet e sulmuesit gjerman.

    Sipas gazetarit Luca Bendoni, oferta e klubit katalunas është më e ulët nga sa ishte raportuar më herët. Blaugranët kanë vendosur në tavolinë 20 milionë euro si pagesë fikse, ndërsa edhe 10 milionë euro të tjera janë parashikuar në formë bonusesh të lidhura me paraqitjet dhe objektivat e lojtarit.

    Megjithatë, propozimi nuk e ka bindur ende Borussia Dortmundin. Klubi gjerman vazhdon të kërkojë rreth 40 milionë euro për të lejuar largimin e 24-vjeçarit, duke mbajtur një diferencë të konsiderueshme mes palëve.

    Në anën tjetër, Barcelona duket se ka bërë përparim me vetë futbollistin. Raportohet se Adeyemi ka arritur marrëveshje për kushtet personale dhe është i gatshëm të firmosë një kontratë pesëvjeçare, në momentin që klubet arrijnë akordin për shumën e transferimit.

    Drejtuesit katalunas po punojnë për të ngushtuar diferencën financiare me Dortmundin dhe shpresojnë ta mbyllin marrëveshjen gjatë ditëve në vijim.

    Pavarësisht qëndrimit të fortë të klubit gjerman, pozita e Dortmundit në negociata nuk është ideale. Kontrata e Adeyemit përfundon në verën e ardhshme dhe rreziku për ta humbur pa dëmshpërblim e detyron klubin të shqyrtojë me kujdes çdo ofertë. Për më tepër, sezoni i fundit i sulmuesit nuk ishte në nivelin që pritej, një faktor që mund të ndikojë në vlerën përfundimtare të transferimit.

  • Xhaka beson te befasia ndaj Argjentinës: Jemi gati për sfidën më të madhe të Botërorit

    Xhaka beson te befasia ndaj Argjentinës: Jemi gati për sfidën më të madhe të Botërorit

    Kombëtarja e Zvicrës po numëron orët para çerekfinales së madhe të Kupës së Botës, ku do të përballet me kampionen në fuqi, Argjentinën, në një duel që pritet të zhvillohet në Kansas City.

    Në prag të kësaj sfide, kapiteni Granit Xhaka ka dërguar një mesazh të qartë: Zvicra nuk udhëton për t’u mbrojtur, por për të luftuar për një vend në gjysmëfinale dhe për të shkruar histori.

    Mesfushori shqiptar theksoi se afrimi drejt fazave vendimtare të turneut ka rritur edhe më shumë besimin dhe ambicien brenda skuadrës.

    “Sa më afër objektivit që jemi, aq më e madhe bëhet dëshira për ta arritur atë. E ndiejmë presionin, por është një presion pozitiv që na motivon të japim edhe më shumë për të vazhduar rrugëtimin në këtë Botëror”, deklaroi Xhaka.

    Kapiteni zviceran foli edhe për përballjen me Lionel Messin, duke e cilësuar një privilegj mundësinë për të luajtur kundër një prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

    “Është një privilegj të jesh pjesë e epokës së Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos. Ende nuk kemi hyrë në analizën e detajuar të Argjentinës, por shumë shpejt do të përgatitemi me kujdes për këtë sfidë”, u shpreh ai.

    Zvicrën e pret një mision jashtëzakonisht i vështirë. Përballë do të ketë një Argjentinë që ka shfaqur formë të jashtëzakonshme gjatë turneut, duke shënuar në secilën nga pesë ndeshjet e fundit dhe duke mbërritur në çerekfinale me plot vetëbesim.

    Në qendër të vëmendjes mbetet Lionel Messi, i cili me tetë gola është golashënuesi më i mirë i këtij Botërori dhe arma kryesore e skuadrës së Lionel Scalonit.

    Për të rrëzuar kampionët në fuqi dhe për të siguruar një vend mes katër kombëtareve më të mira në botë, Zvicra do të duhet të zhvillojë një paraqitje pothuajse perfekte në të dyja fazat e lojës. Përballë saj do të jetë një Argjentinë që vjen në këtë duel me një seri mbresëlënëse prej 12 fitoresh radhazi në të gjitha garat, çka e bën sfidën edhe më të vështirë, por njëkohësisht edhe më motivuese për skuadrën e Xhakës.

  • Serie A revolucionon përdorimin e VAR-it, ndryshime të rëndësishme në rregullat e arbitrimit për sezonin e ri

    Serie A revolucionon përdorimin e VAR-it, ndryshime të rëndësishme në rregullat e arbitrimit për sezonin e ri

    Futbolli italian do të hyjë në një epokë të re të arbitrimit nga sezoni 2026/27, pasi Serie A ka vendosur të zgjerojë kompetencat e sistemit VAR me ndryshime të rëndësishme që synojnë të reduktojnë gabimet e gjyqtarëve.

    Sipas raportimit të Corriere dello Sport, teknologjia VAR nuk do të kufizohet më vetëm te rastet e golave, penalltive apo kartonëve të kuq direkt, por do të ketë rol edhe në korrigjimin e disa vendimeve të tjera që kanë shkaktuar polemika në vitet e fundit.

    Një nga risitë më të rëndësishme është mundësia që VAR të ndërhyjë për të anuluar një goditje nga këndi të akorduar gabimisht. Kjo do të jetë e mundur vetëm nëse rishikimi nuk ndërpret një aksion që është ende në zhvillim, duke ruajtur kështu ritmin e lojës.

    Një tjetër ndryshim me peshë lidhet me kartonët e verdhë. Për herë të parë, sistemi VAR do të ketë autoritetin të rishikojë vendimet që çojnë në kartonin e dytë të verdhë dhe, si pasojë, në përjashtimin e një futbollisti nga loja. Nëse konstatohet se vendimi ka qenë i gabuar, arbitri do të ketë mundësinë ta korrigjojë atë.

    Megjithatë, VAR nuk do të ndërhyjë në rastet kur arbitri vendos të mos japë kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë këtë vlerësim ekskluzivisht në dorën e gjyqtarit kryesor.

    Ndërsa rregulli për korrigjimin e goditjeve nga këndi do të jetë në diskrecionin e secilës federatë kombëtare, ndërhyrja e VAR-it për kartonin e dytë të verdhë është një direktivë e IFAB-it dhe do të zbatohet detyrimisht në të gjitha garat që përdorin sistemin VAR.

    Serie A ka konfirmuar se do t’i aplikojë menjëherë këto rregulla, ndërsa Serie B dhe Serie C ende po shqyrtojnë zbatimin e tyre, pasi numri më i kufizuar i kamerave në këto kategori paraqet vështirësi teknike.

    Ndryshimet vijnë pas shumë polemikave të sezonit të kaluar, ku një nga rastet më të diskutuara ishte ai mes Pierre Kalulu dhe Alessandro Bastonit. Sipas rregullave të reja, një situatë e tillë do të mund të rishikohej nga VAR dhe pezullimi i lojtarit potencialisht do të shmangej.

    Përveç zgjerimit të rolit të VAR-it, futbolli italian do të harmonizohet edhe më shumë me standardet e UEFA-s në aspektin disiplinor. Mbulimi i gojës gjatë debatit me një kundërshtar nuk do të ndëshkohet më automatikisht me karton të kuq, por me karton të verdhë. Po ashtu, një qasje më tolerante do të zbatohet edhe ndaj lojtarëve që largohen përkohësisht nga fusha si formë proteste.

    Me këto ndryshime, Serie A synon ta bëjë arbitrimin më të drejtë, më të saktë dhe më në përputhje me zhvillimin modern të futbollit.

  • Lumbardha Misini transferohet te Bayer Leverkusen, Servette realizon shitjen më të madhe në historinë e klubit

    Lumbardha Misini transferohet te Bayer Leverkusen, Servette realizon shitjen më të madhe në historinë e klubit

    Futbollistja e Kombëtares së Kosovës, Lumbardha Misini, ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e saj, duke u transferuar te Bayer Leverkusen.

    Lajmi është konfirmuar nga Servette FCCF, i cili njoftoi se ka arritur marrëveshje me klubin gjerman për kalimin e sulmueses kosovare. Ky transferim shënon një moment historik për klubin zviceran, pasi konsiderohet marrëveshja më e madhe e realizuar ndonjëherë nga Servette në futbollin e femrave.

    Misini iu bashkua skuadrës nga Gjeneva verën e kaluar, pasi u transferua nga Trabzonspori. Brenda vetëm një sezoni, ajo u shndërrua në një prej lojtareve më të rëndësishme të ekipit, duke regjistruar 25 paraqitje dhe duke dhënë një kontribut të çmuar në sukseset e klubit.

    Falë paraqitjeve të shkëlqyera të saj, Servette riktheu dominimin në futbollin zviceran, duke fituar si titullin kampion ashtu edhe Kupën e Zvicrës.

    Forma e lartë e Misinit, si me Servetten ashtu edhe me fanellën e Kombëtares së Kosovës, nuk kaloi pa u vënë re nga klubet elitare evropiane. Interesimi konkret u kurorëzua me transferimin te Bayer Leverkusen, ku ajo do të vazhdojë karrierën në një nga kampionatet më të forta të futbollit të femrave.

    Në njoftimin e tij, Servette FCCF falënderoi futbollisten kosovare për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë gjatë sezonit të kaluar, duke i uruar suksese në sfidën e re me klubin gjerman.

    Kalimi te Bayer Leverkusen përfaqëson një tjetër arritje të rëndësishme për futbollin e Kosovës dhe një dëshmi të rritjes së vazhdueshme të Lumbardha Misinit në skenën ndërkombëtare.

  • Zyrtare: Albion Rrahmani transferohet në Serie A, Venezia e prezanton sulmuesin kosovar

    Zyrtare: Albion Rrahmani transferohet në Serie A, Venezia e prezanton sulmuesin kosovar

    Albion Rrahmani ka realizuar një tjetër hap të madh në karrierën e tij. Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës është zyrtarisht futbollist i Venezias, pasi klubi italian konfirmoi transferimin e tij nga Sparta e Pragës.

    Skuadra veneciane, e rikthyer këtë sezon në elitën e futbollit italian, njoftoi se Rrahmani ka firmosur një kontratë afatgjatë, e cila do ta mbajë të lidhur me klubin deri më 30 qershor 2029.

    “Venezia FC njofton transferimin e përhershëm të sulmuesit Albion Rrahmani nga Sparta e Pragës. Futbollisti kosovar ka nënshkruar kontratë me klubin deri më 30 qershor 2029”, thuhet në komunikatën zyrtare të klubit.

    Menjëherë pas prezantimit, 24-vjeçari nuk e fshehu entuziazmin për nisjen e kësaj aventure në Serie A, duke theksuar se projekti i Venezias ishte vendimtar në zgjedhjen e tij.

    “Venezia është një klub me histori të pasur dhe me një vizion shumë ambicioz për të ardhmen. Gjatë bisedave që zhvilluam mbeta vërtet i impresionuar nga projektet dhe objektivat e klubit”, deklaroi Rrahmani.

    Ai shtoi se të përfaqësojë një qytet si Venecia dhe një klub me tifozë kaq besnikë është një motivim i madh për të.

    “Është një privilegj të luaj për një klub që përfaqëson një qytet kaq unik. Mbështetja e tifozëve më motivon edhe më shumë dhe premtoj se do të jap gjithmonë maksimumin në fushë. Bashkë me skuadrën do të luftojmë në çdo ndeshje për të arritur objektivat dhe për t’u dhënë tifozëve sa më shumë arsye për t’u krenuar”, u shpreh sulmuesi kosovar.

    Sipas raportimeve, Venezia ka investuar rreth 7.5 milionë euro për kartonin e Rrahmanit, duke e bërë atë një nga transferimet më të rëndësishme në historinë e klubit. Pas paraqitjeve të mira me Spartën e Pragës, sulmuesi llapjan tashmë do të ketë mundësinë të dëshmojë vlerat e tij në një nga kampionatet më prestigjioze të futbollit evropian.

  • Malisheva nis sonte aventurën evropiane, përballë Vllaznisë në “Loro Boriçi”

    Malisheva nis sonte aventurën evropiane, përballë Vllaznisë në “Loro Boriçi”

    Malisheva do të bëjë sonte debutimin e saj në edicionin e ri të Ligës së Konferencës, teksa përballet në transfertë me Vllazninë në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues.

    Sfida do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, duke nisur nga ora 20:00, ku të dyja skuadrat do të synojnë ta hedhin hapin e parë drejt kualifikimit në raundin e dytë të garës.

    Vllaznia vjen në këtë përballje pas një periudhe intensive përgatitore, me trajnerin dhe stafin teknik që kanë punuar në çdo aspekt për ta paraqitur skuadrën në formën më të mirë të mundshme. Shkodranët synojnë ta shfrytëzojnë faktorin fushë për të ndërtuar një epërsi para ndeshjes së kthimit.

    Në anën tjetër, Malisheva udhëton drejt Shkodrës me ambicie të mëdha dhe besim se mund të nxjerrë një rezultat pozitiv. Përfaqësuesja kosovare synon të largohet me një rezultat të favorshëm, që do t’i jepte avantazh për sfidën e kthimit, e cila do të zhvillohet pas një jave në Kosovë.

    Dueli pritet të jetë i luftuar nga minuta e parë deri në fund, pasi bëhet fjalë për një përballje eliminatore, ku çdo detaj dhe çdo gol mund të ketë peshë vendimtare në garën për kualifikim.

    Atmosfera në “Loro Boriçi” pritet të jetë elektrizuese, me mbështetjen e tifozëve vendas, ndërsa Malisheva do të përpiqet të përballojë presionin dhe të hedhë një hap të rëndësishëm drejt vazhdimit të rrugëtimit në skenën evropiane.