ATV

Category: SPORT

  • Norvegjia dhuron të ardhurat e ndeshjes me Izraelin për ndihma humanitare në Gaza

    Norvegjia dhuron të ardhurat e ndeshjes me Izraelin për ndihma humanitare në Gaza

    Shoqata Norvegjeze e Futbollit ka marrë një vendim me karakter humanitar, duke njoftuar se të gjitha të ardhurat nga shitja e biletave të ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës 2026 kundër Izraelit do të dhurohen për popullsinë civile në Rripin e Gazës.

    Fondet e mbledhura do të destinohen për organizatat humanitare dhe mjekësore që veprojnë në terren, mes tyre edhe organizata “Mjekët pa Kufij”, e cila vazhdon të ofrojë kujdes shëndetësor dhe ndihmë emergjente për banorët e prekur nga konflikti.

    Përmes një komunikate zyrtare, Federata Norvegjeze theksoi se kjo nismë synon të ofrojë mbështetje konkrete për njerëzit që po përballen me një krizë të rëndë humanitare, duke vënë në plan të parë solidaritetin dhe ndihmën ndaj civilëve.

    Vendimi është pritur me reagime të shumta pozitive, si në opinionin publik ashtu edhe në rrjetet sociale, ku është vlerësuar si një shembull i rolit që sporti mund të luajë përtej fushës së lojës, duke u shndërruar në një mjet solidariteti dhe mbështetjeje për komunitetet në nevojë.

  • Sinner forcon kreun e renditjes ATP, Sabalenka mbetet numri një te femrat

    Sinner forcon kreun e renditjes ATP, Sabalenka mbetet numri një te femrat

    Përfundimi i turneut prestigjioz të Wimbledonit ka sjellë edhe ndryshime në renditjen botërore të tenisit. Italianti Jannik Sinner vazhdon të dominojë në krye të listës ATP, pasi mbrojti me sukses pikët e fituara një vit më parë dhe tani ka krijuar një epërsi prej afro pesë mijë pikësh ndaj ndjekësit më të afërt.

    Në vendin e dytë është ngjitur gjermani Alexander Zverev, falë paraqitjes së tij në finalen e Wimbledonit, duke lënë pas spanjollin Carlos Alcaraz. Ky i fundit vazhdon të bjerë në renditje, pasi mungon në gara prej dy muajsh për shkak të një dëmtimi.

    Ndërkohë, te femrat, triumfi në Wimbledon i ka sjellë një ngjitje të rëndësishme çekes Linda Noskova, e cila tashmë renditet në vendin e shtatë në botë.

    Pavarësisht kësaj, bjellorusja Aryna Sabalenka vazhdon të mbajë kreun e renditjes WTA. Megjithatë, diferenca me rivalet është ngushtuar ndjeshëm. Elena Rybakina, që mban vendin e dytë, ndodhet vetëm rreth 400 pikë larg, ndërsa edhe Jessica Pegula, Coco Gauff dhe Mirra Andreeva mbeten në garë për pozitat më të larta.

    Me sezonin që vazhdon drejt US Open, gara për vendin e parë në renditjen botërore pritet të bëhet edhe më e fortë, si në konkurrencën e meshkujve, ashtu edhe te femrat.

  • Argjentina rikthen fanellën blu për gjysmëfinalen ndaj Anglisë

    Argjentina rikthen fanellën blu për gjysmëfinalen ndaj Anglisë

    Argjentina do të paraqitet me fanellën e saj alternative në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Anglisë, sfidë që do të zhvillohet të mërkurën në Atlanta.

    Vendimi vjen pasi FIFA e ka përcaktuar Argjentinën si skuadrën mysafire, duke bërë që “Albicelestët” të zbresin në fushë me fanellën blu, të kombinuar me pantallona dhe çorape të zeza.

    Për ekipin e Lionel Scalonit kjo nuk është hera e parë që përdor këtë komplet në këtë Botëror. Fanella blu u vesh edhe në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, ku Argjentina triumfoi 3 me 1 ndaj Jordanisë. Me të njëjtën uniformë pritet të paraqitet edhe portieri Emiliano “Dibu” Martinez.

    Megjithatë, kjo fanellë mbart edhe një simbolikë të veçantë në historinë e futbollit argjentinas. Pikërisht me ngjyrën blu, Argjentina ka arritur disa nga fitoret më të paharrueshme ndaj Anglisë në Kupën e Botës.

    Në Botërorin e vitit 1986 në Meksikë, Diego Maradona shkroi historinë me dy golat legjendarë në çerekfinale, ndërsa në Francë 1998, Argjentina eliminoi anglezët pas ekzekutimit të penalltive në fazën e 1/8-ës së finales.

    Tashmë, fanella blu rikthehet në një tjetër përballje historike mes dy rivalëve të mëdhenj, me Argjentinën që synon ta shndërrojë edhe këtë herë në një ogur të mirë për të siguruar një vend në finalen e Kupës së Botës 2026.

  • Skandaloze: Tifozët e Zenitit shfaqin banerin “Kosova është Serbi”

    Skandaloze: Tifozët e Zenitit shfaqin banerin “Kosova është Serbi”

    Tifozët e skuadrës ruse Zenit sërish kanë dalë me një baner skandaloz, duke e vendosur Kosovën si pjesë të Serbisë.

    Në përballjen ndaj ekipit nacionalist Red Star, tifozët e klubit rus vazhduan me luftën kundër Kosovës.

    “Kosova është Serbi”, thuhet në një nga banerët e Zenitit, ndërsa në tjetrin shkruhej “Jetë të gjatë Rusisë dhe Serbisë”.

    Kjo nuk është hera e parë që klubet ruse kur luajnë ndaj atyre serbe shfaqin banerë kundër Kosovës, ngase raportet mes dy shteteve mbesin të ngushta.

  • Sa fitoi Conor McGregor për një ndeshje që zgjati vetëm 69 sekonda

    Sa fitoi Conor McGregor për një ndeshje që zgjati vetëm 69 sekonda

    Rikthimi i Conor McGregorit në oktagon pas një pauze pesëvjeçare përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme, por irlandezi, pavarësisht humbjes së rëndë në Las Vegas, u largua me një fitim marramendës.

    Sipas vlerësimeve të mediave, vetëm me hyrjen në kafaz, McGregor kishte të garantuara rreth 12.8 milionë euro, pavarësisht rezultatit.

    Kur këtij shume i shtohen përqindjet nga shitja e transmetimeve, të ardhurat nga biletat, kontratat e sponsorizimit dhe aktivitetet e marketingut, vlerësohet se fitimet e tij do të kalojnë 25.5 milionë euro.

    Me këtë, ai konfirmoi edhe një herë statusin e yllit më fitimprurës në historinë e MMA-së, pasi gjatë karrierës ka fituar më shumë se 212.5 milionë euro vetëm nga ndeshjet, bonuset dhe përqindjet nga shitja e transmetimeve.

    Duke përfshirë edhe sipërmarrjet e tij të biznesit, si shitja e markës së uiskit Proper No. Twelve, pasuria e tij totale vlerësohet në mbi 425 milionë euro.

    Paraqitja e McGregorit tregoi sërish se emri i tij vazhdon të tërheqë interes të jashtëzakonshëm nga publiku, ndonëse UFC vendosi një rekord të ri të organizatës për të ardhurat nga shitja e biletave.

    Kujtojmë se në luftën kryesore të mbrëmjes në UFC 329, McGregor pësoi një dëmtim në gju pas vetëm 69 sekondash, gjë që u shfrytëzua nga Max Holloway për të siguruar një fitore të shpejtë me ndërprerje.

  • Erling Haaland kritikon arbitrin pas eliminimit: Të gjitha vendimet 50-50 shkuan kundër nesh

    Sulmuesi i Norvegjisë, Erling Haaland, ka shprehur zhgënjimin e tij pas humbjes 2-1 ndaj Anglisë, pas vazhdimeve, në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026, duke vlerësuar paraqitjen e skuadrës së tij, por edhe duke kritikuar vendimet e arbitrave në momentet kyçe të takimit.

    “Për të qenë i sinqertë, është shumë e vështirë ta përshkruaj atë që ndiej tani. Mendoj se meritonim më shumë.

    “Në të njëjtën kohë, ishim vetëm një hap larg eliminimit të Anglisë. Ka një ndjenjë boshllëku, por njëkohësisht jemi krenarë që luajtëm një çerekfinale kundër Anglisë dhe i dhamë një betejë të fortë. Emocionet e mia janë të përziera”, deklaroi Haaland.

    I pyetur për dy vendimet e diskutueshme të gjyqtarit gjatë ndeshjes, sulmuesi norvegjez nuk e fshehu pakënaqësinë.

    “Janë pikërisht këto episode të vogla që vendosin fatin e ndeshjeve në Kupën e Botës. Kundër Brazilit arritëm t’i kthenim në favorin tonë, por sot, në të gjitha situatat 50-50, vendimet shkuan kundër nesh. Kur luan ndaj një skuadre si Anglia, kjo e bën gjithçka shumë më të vështirë”, u shpreh ai.

    Haaland u ndal edhe te goli i anuluar i Norvegjisë, duke vënë në dyshim vendimin e arbitrit.

    “Ne arritëm t’ia impononim lojën kundërshtarit. Martin kontrolloi ritmin e ndeshjes dhe luajtëm ashtu siç kishim planifikuar. Shënuam gol, por ai u anulua sepse, sipas gjyqtarit, unë shtyva Elliot Anderson gjatë goditjes nga këndi. Sinqerisht, mua më shtyjnë në pothuajse çdo duel të tillë. Është paksa zhgënjyese”, shtoi sulmuesi.

    Në pjesën e dytë, kur rezultati ishte 1-1, gjyqtari francez Clément Turpin anuloi golin e Torbjørn Heggem pas ndërhyrjes së VAR-it, duke sinjalizuar faull të Haaland gjatë ekzekutimit të një goditjeje nga këndi dhe urdhëroi përsëritjen e kornerit.

    Pavarësisht eliminimit, 25-vjeçari beson se paraqitja në Botërorin 2026 ka ndryshuar mënyrën se si perceptohet Norvegjia në futbollin ndërkombëtar.

    “Është e vështirë ta përpunoj gjithçka tani, por mendoj se ky turne e ka ndryshuar Norvegjinë.

    “Jam krenar për skuadrën tonë dhe shpresoj që edhe të gjithë norvegjezët të jenë krenarë për ne. Ajo që kemi arritur është një sukses i madh.

    “Gjithçka duket e pabesueshme. Ndihem sikur ky turne më ka ndryshuar edhe mua si person. Ndoshta tani njerëzit më njohin edhe më shumë”, përfundoi Haaland.

    Sulmuesi norvegjez e mbylli Kupën e Botës 2026 me shtatë gola në pesë ndeshje, duke qenë një nga futbollistët më të spikatur të turneut, pavarësisht eliminimit të Norvegjisë në çerekfinale.

  • Opta publikon favoritin për fitimin e Botërorit 2026, Franca kryeson para gjysmëfinaleve

    Opta publikon favoritin për fitimin e Botërorit 2026, Franca kryeson para gjysmëfinaleve

    Katër kombëtaret më të mira të Botërorit 2026 kanë siguruar një vend në gjysmëfinale, ku priten përballje spektakolare mes Francës, Spanjës, Argjentinës dhe Anglisë.

    Pas çerekfinaleve dramatike, turneu ka hyrë në fazën vendimtare. Gjysmëfinalja e parë do të sjellë një duel të madh evropian mes Francës dhe Spanjës, ndërsa në gjysmëfinalen tjetër kampionia në fuqi, Argjentina, do të përballet me Anglinë në një sfidë që pritet të jetë jashtëzakonisht e luftuar.

    Në prag të këtyre ndeshjeve, superkompjuteri i Opta-s ka publikuar parashikimin e tij për skuadrën favorite për ta fituar Kupën e Botës 2026.

    Sipas analizës statistikore, Franca është favoritja kryesore për të ngritur trofeun, me 34.05 për qind mundësi për t’u shpallur kampione e botës dhe për të fituar titullin e tretë në histori.

    Pas “Les Bleus” renditet Spanja, së cilës Opta i jep 23.45 për qind shanse për të triumfuar, ndërsa Anglia pozicionohet e treta me 21.94 për qind mundësi për ta fituar Botërorin.

    Kampionia në fuqi, Argjentina, vlerësohet si skuadra me më pak gjasa për të triumfuar mes katër gjysmëfinalisteve. Sipas superkompjuterit të Opta-s, “Albiceleste” ka 20.55 për qind mundësi për ta mbrojtur titullin dhe për të fituar Kupën e Botës për herë të dytë radhazi.

    Megjithatë, me vetëm dy ndeshje të mbetura deri në fund të turneut, çdo parashikim mbetet vetëm statistikë, pasi në këtë fazë të garës edhe detajet më të vogla mund të përcaktojnë fituesin e trofeut më prestigjioz në futbollin botëror.

  • Gianni Infantino nuk e përjashton Botërorin me 64 kombëtare: Do ta shqyrtojmë pas vitit 2026

    Gianni Infantino nuk e përjashton Botërorin me 64 kombëtare: Do ta shqyrtojmë pas vitit 2026

    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka bërë të ditur se mundësia e zgjerimit të Kupës së Botës nga 48 në 64 kombëtare do të shqyrtohet pas përfundimit të Botërorit 2026.

    Kreu i qeverisë botërore të futbollit e cilësoi formatin aktual me 48 ekipe si një sukses të madh, duke theksuar se niveli i konkurrencës në turne ka qenë shumë i lartë dhe se përfaqësueset nga të gjitha kontinentet kanë dëshmuar se mund të rivalizojnë në skenën më të madhe të futbollit.

    “Një turne me 48 kombëtare ka rezultuar jashtëzakonisht i suksesshëm. Të gjitha ekipet kanë treguar një nivel të lartë loje. Kombëtaret nga çdo kontinent kanë shënuar gola dhe kanë arritur të marrin të paktën një pikë”, deklaroi Infantino.

    Ai veçoi edhe paraqitjen e skuadrave afrikane në Botërorin 2026, duke nënvizuar se nëntë nga dhjetë përfaqësueset e kontinentit siguruan kualifikimin në fazën me eliminim direkt.

    “Kjo tregon edhe një herë se sa e rëndësishme është t’u japim të gjithëve një mundësi për të konkurruar në skenën më të madhe të futbollit”, shtoi presidenti i FIFA-s.

    I pyetur nëse Kupa e Botës mund të zgjerohet në 64 kombëtare, Infantino nuk e përjashtoi këtë mundësi, duke lënë të kuptohet se tema do të diskutohet pas përfundimit të turneut aktual.

    “Botërori me 64 ekipe? Pa dyshim që kjo çështje do të shqyrtohet pas përfundimit të këtij Botërori. Kur organizojmë një turne të tillë, duhet të marrim parasysh jo vetëm Evropën dhe Amerikën e Jugut, por të gjithë botën. Çdo vend duhet të ketë mundësinë të realizojë ëndrrën për të marrë pjesë në Kupën e Botës”, u shpreh Infantino.

    FIFA e zgjeroi Kupën e Botës nga 32 në 48 kombëtare për edicionin e vitit 2026, ndërsa një zgjerim i mundshëm në 64 ekipe do të sillte ndryshime edhe më të mëdha në formatin e kompeticionit më prestigjioz të futbollit botëror.

  • Jude Bellingham i përgjigjet Thomas Tuchelit: Ndoshta nuk e di sa e vështirë është të luash ndaj kësaj Norvegjie

    Jude Bellingham i përgjigjet Thomas Tuchelit: Ndoshta nuk e di sa e vështirë është të luash ndaj kësaj Norvegjie

    Mesfushori i Anglisë, Jude Bellingham, ka reaguar ndaj kritikave të trajnerit Thomas Tuchel pas fitores së vështirë 2-1 ndaj Norvegjisë, pas vazhdimeve, në çerekfinalen e Kupës së Botës.

    Pavarësisht kualifikimit në gjysmëfinale, Tuchel u shpreh se nuk ishte plotësisht i kënaqur me paraqitjen e “Tre Luanëve”, duke theksuar se skuadra ende nuk e ka shfaqur potencialin e saj të plotë në këtë turne.

    I pyetur për komentet e trajnerit, Bellingham pranoi se pritshmëritë ndaj Anglisë janë gjithmonë të larta, por nënvizoi se përballja me Norvegjinë ishte shumë më e vështirë sesa mund të dukej.

    “Ndoshta. Por ndoshta ai nuk e di se çfarë do të thotë të luash në këto kushte ndaj Erling Haaland, Martin Ødegaard, Antonio Nusa dhe Alexander Sørloth. Ky nuk ishte aspak një kundërshtar i lehtë”, deklaroi Bellingham.

    Ylli i Real Madridit theksoi se në fazat eliminatore të një Botërori nuk ka rëndësi vetëm loja e bukur, por mbi të gjitha rezultati.

    “Nuk mund ta fitosh çdo ndeshje vetëm duke pasuar topin dhe duke bërë një mijë pasime. Ndonjëherë duhet të fitosh edhe në mënyrë jo të bukur, dhe sonte e bëmë përsëri”, u shpreh ai.

    Bellingham ishte protagonisti kryesor në triumfin e Anglisë, duke realizuar dy golat që i siguruan ekipit kualifikimin në gjysmëfinale.

    Mesfushori anglez ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të këtij Botërori, duke regjistruar gjashtë gola dhe një asistim në gjashtë ndeshje të zhvilluara.

    Në fund, 23-vjeçari bëri thirrje që skuadra të vazhdojë të ruajë atmosferën pozitive dhe unitetin në prag të sfidës së radhës.

    “Mendoj se u përpoqëm të krijonim një atmosferë pozitive dhe duhet ta vazhdojmë këtë. Nuk gjej fjalë për t’i lavdëruar sa duhet këta djem”, përfundoi Bellingham.

  • Rikthimi i McGregorit zgjati vetëm 69 sekonda, Holloway triumfon me TKO në UFC 329

    Rikthimi i McGregorit zgjati vetëm 69 sekonda, Holloway triumfon me TKO në UFC 329

    Rikthimi i shumëpritur i Conor McGregorit në oktagon u mbyll në mënyrën më të hidhur të mundshme, pasi irlandezi u mposht nga Max Holloway me nokaut teknik (TKO) në duelin kryesor të UFC 329.

     

    Ish-kampioni i UFC-së, i cili rikthehej në aksion pas pesë vitesh mungesë, pësoi një dëmtim serioz në gju vetëm pak sekonda pas fillimit të përballjes, teksa tentoi një goditje të lartë me këmbë. I pamundur për të vazhduar meçin, McGregor u bë pre e sulmeve të Hollowayt, ndërsa arbitri ndërhyri për ta ndërprerë duelin pas vetëm 69 sekondash.

     

    Për Hollowayn, kjo ishte paraqitja e parë në kategorinë welterweight (77 kilogramë), ndërsa fitorja ndaj një prej emrave më të mëdhenj në historinë e UFC-së i siguroi një debutim të jashtëzakonshëm në këtë peshë.

     

    Dy luftëtarët ishin përballur edhe në vitin 2013, kur McGregor kishte dalë fitues me vendim unanim. Edhe në atë duel irlandezi kishte pësuar një dëmtim në gju, por këtë herë pasojat pritet të jenë shumë më të rënda dhe mund ta mbajnë larg oktagonit për një periudhë të gjatë.

     

    Pas triumfit, Holloway nuk e përjashtoi mundësinë e një përballjeje të tretë me McGregorin, duke theksuar se tashmë bilanci mes tyre është barazuar në 1-1.

     

    “Do ta bëj të mendojë se mund të rikthehet edhe një herë, që të ndeshemi sërish në fund të vitit”, kishte deklaruar Holloway para meçit.

     

    Megjithëse shpërblimet financiare të luftëtarëve nuk janë bërë ende publike, UFC 329 raportohet se ka gjeneruar rreth 25 milionë dollarë të ardhura vetëm nga shitja e biletave, duke dëshmuar edhe një herë se McGregor mbetet një prej figurave më tërheqëse të sporteve luftarake, pavarësisht humbjes në rikthimin e tij.