ATV

Category: SPORT

  • Thomas Tuchel: Mbajtja e topit nuk është në ADN-në e Anglisë

    Thomas Tuchel: Mbajtja e topit nuk është në ADN-në e Anglisë

    Kur Thomas Tuchel u kthye te stoli në minutën e 72-të, duke zëvendësuar golashënuesin Anthony Gordon dhe duke kaluar në një skemë me pesë mbrojtës për të ruajtur epërsinë, tifozët anglezë mbajtën frymën. Ishte një skenar që e kishin parë edhe më parë.

    Megjithatë, pasi Argjentina përmbysi rezultatin dhe fitoi 2-1, duke eliminuar Anglinë nga një tjetër gjysmëfinale e Kupës së Botës, Tuchel refuzoi të merrte përsipër të gjithë fajin për qasjen e tij taktike.

    Trajneri gjerman dha një vlerësim të ashpër pas ndeshjes, duke argumentuar se problemi kryesor nuk ishte sistemi i lojës, por një mangësi psikologjike e rrënjosur në futbollin anglez.

    “Në atë moment, ndjesia ime ishte se asnjë strukturë në botë nuk do të na kishte ndihmuar, sepse ishim shumë pasivë dhe nuk ishim mjaftueshëm fizikë. Nuk i ndaluam lojtarët që depërtonin në zonën tonë dhe as dërgesat tona nuk ishin të sakta”, deklaroi Tuchel.

    Ai theksoi se gjithçka ndryshoi menjëherë pasi Anglia kaloi në epërsi.

    “Nuk i kam parë ende të dhënat, por mendoj se menjëherë pas golit momenti ndryshoi plotësisht dhe posedimi ynë i topit ra në mënyrë drastike. Nuk fituam më duele dhe u tërhoqëm gjithnjë e më thellë. Nuk ishte ky plani, por kështu ndodhi”, u shpreh ai.

    Sipas Tuchelit, skuadra nuk arriti të ndalte depërtimet e mesfushorëve kundërshtarë dhe nuk ishte në gjendje të rikthente kontrollin e lojës.

    “Duhet ta rikthesh topin, përndryshe nuk mund ta thyesh presionin dhe nuk mund ta rifitosh vrullin. Mendoj se posedimi i topit luan një rol vendimtar. Ndoshta kjo nuk është pjesë e ADN-së sonë, siç është për Spanjën, Argjentinën apo Brazilin, të cilat e marrin topin dhe e kontrollojnë lojën”, përfundoi trajneri gjerman.

  • FIFA cakton gjyqtarët për finalen e Kupës së Botës

    FIFA cakton gjyqtarët për finalen e Kupës së Botës

    Slloveni Slavko Vinçiç do të ndajë drejtësinë në duelin e finales së madhe të Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës, ndërsa ekipi i arbitrave kompletohet nga dy ndihmës sllovenë dhe dy zyrtarë nga Jordania.

    FIFA ka zyrtarizuar ekipin e gjyqtarëve që do të drejtojë finalen e madhe të Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, e cila zhvillohet më 19 korrik në “New York New Jersey Stadium” i njohur edhe si “MetLife Stadium”.

    Besimi i është dhënë gjyqtarit slloven Slavko Vinçiç, një prej emrave më të njohur të arbitrimit evropian, i cili do të ketë përgjegjësinë për të drejtuar sfidën që do të vendosë kampionin e ri të botës.

    Vinçiç do të ndihmohet nga bashkëkombësit e tij Tomaz Klancnik dhe Andraz Kovacic në rolin e gjyqtarëve anësorë. Ndërkohë, arbitri i katërt do të jetë Adham Makhadmeh nga Jordania, ndërsa Mohammad Alkalaf, po ashtu nga Jordania, është caktuar si gjyqtar ndihmës rezervë.

    Përballja mes Spanjës dhe Argjentinës pritet të jetë kulmi i Kupës së Botës 2026, me dy nga kombëtaret më të forta të turneut që do të luftojnë për trofeun më prestigjioz në futbollin botëror.

    Përzgjedhja e ekipit të gjyqtarëve nga FIFA synon të garantojë një finale të drejtuar nga një staf me përvojë në ndeshjet më të rëndësishme ndërkombëtare.

  • Çmime të çmendura biletash: Spanja dhe Argjentina luajnë finalen më të shtrenjtë në historinë e sportit

    Çmime të çmendura biletash: Spanja dhe Argjentina luajnë finalen më të shtrenjtë në historinë e sportit

    Ethet para finales së Kupës së Botës midis Spanjës dhe Argjentinës kanë arritur në pikën e vlimit, dhe bashkë me të edhe çmimet e biletave, të cilat po thyejnë të gjitha rekordet e mëparshme sportive.

    Sipas informacionit të dhënë nga gazeta me reputacion RMC Sport, dueli i ardhshëm do të bëhet zyrtarisht finalja më e shtrenjtë në historinë e sportit. Dëshira e tifozëve për të parë drejtpërdrejt betejën historike për fronin planetar ka krijuar një kërkesë të paparë, dhe shifrat që qarkullojnë në publik janë fjalë për fjalë të çmendura.

    Për një tifoz mesatar, të shkosh në stadiumin MetLife do të mbetet thjesht një ëndërr, duke pasur parasysh që çmimet e biletave janë rritur ndjeshëm.

    Çmimi mesatar i biletave në treg aktualisht arrin në një shifër të pabesueshme prej 9,717 eurosh. Edhe nëse zgjidhni opsionin më të lirë, i cili përfshin vendet më të këqija në stadium dhe nuk përfshin ndonjë zbritje speciale, do t’ju duhet të shpenzoni deri në 3,496 euro.

    Megjithatë, rekorde absolute po thyhen në platformat e rishitjes së biletave, ku janë regjistruar disa bileta, çmimi i të cilave arrin një shifër marramendëse prej 1,748,000 eurosh.

    Sikur të mos mjaftonin çmimet astronomike, organizatorët e finales së madhe përballen edhe me rrethana të paparashikuara natyrore.

    Konkretisht, pikërisht tre ditë para ndeshjes finale në stadiumin MetLife, Nju Jorku është mbuluar plotësisht nga tymi i dendur që vjen nga zjarret pyjore në Kanada. Kjo situatë krijon dramë shtesë dhe shqetësim të madh në lidhje me kushtet e ndeshjes, si dhe praninë e tifozëve në hapësirën e hapur.

    Megjithatë, as problemet mjedisore, dhe as me sa duket çmimet e biletave prej miliona dollarësh, nuk do ta pengojnë spektaklin.

    Përplasja e titanëve midis Argjentinës dhe Spanjës garanton historinë e futbollit, dhe të pasurit me fat që do të jenë në tribuna do të paguajnë çmimin më të lartë të regjistruar ndonjëherë në botën e sportit.

  • Incident pas gjysmëfinales Argjentinë–Angli, Bellingham përfshihet në një përplasje me Barcon

    Incident pas gjysmëfinales Argjentinë–Angli, Bellingham përfshihet në një përplasje me Barcon

    Përfundimi i gjysmëfinales së Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Anglisë nuk kaloi pa tensione, pasi një incident mes Jude Bellingham dhe Valentin Barcos tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

    Teksa futbollistët argjentinas po festonin kualifikimin në finalen e Botërorit pas fitores dramatike 2-1, mesfushori anglez mbeti i zhgënjyer në fushë duke parë festën e kundërshtarëve.

    Pak çaste më vonë, situata u tensionua kur Bellingham iu afrua grupit të futbollistëve argjentinas dhe e goditi lehtë me shuplakë në pjesën e pasme të kokës mbrojtësin e majtë Valentin Barco. Veprimi shkaktoi reagime të menjëhershme nga lojtarët e të dyja skuadrave, por për fat situata u qetësua shpejt dhe nuk degjeneroi në një përleshje masive.

    Sipas raportimeve, reagimi i yllit anglez lidhej me një episod gjatë ndeshjes. Pas golit të barazimit të Enzo Fernandez në minutën e 86-të, ndërsa pjesa më e madhe e futbollistëve argjentinas festonin me autorin e golit, Barco u drejtua pranë lojtarëve anglezë dhe, sipas mediave, i provokoi duke festuar para tyre.

    Ky veprim duket se nuk u harrua nga Bellingham, i cili pas përfundimit të takimit reagoi ndaj mbrojtësit argjentinas, duke shkaktuar incidentin që tashmë po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale.

    Tashmë mbetet për t’u parë nëse FIFA do të ndërmarrë hapa disiplinorë. Në rast se hapet një procedurë dhe veprimi i Bellingham klasifikohet si “sjellje e dhunshme”, mesfushori i Anglisë rrezikon një pezullim prej të paktën tre ndeshjesh, sipas rregulloreve disiplinore të organit qeverisës të futbollit botëror.

    FIFA pritet të shqyrtojë pamjet e incidentit dhe më pas të vendosë nëse do të nisë një hetim zyrtar ndaj futbollistit anglez.

  • Shtypi britanik shpërthen pas eliminimit nga Argjentina, Tuchel dhe banderola për Ishujt Falkland në qendër të kritikave

    Shtypi britanik shpërthen pas eliminimit nga Argjentina, Tuchel dhe banderola për Ishujt Falkland në qendër të kritikave

    Eliminimi dramatik i Anglisë nga Argjentina në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026 ka shkaktuar reagime të forta në mediat britanike, të cilat janë fokusuar në dy tema kryesore: taktikat e trajnerit Thomas Tuchel dhe banderolën kontroverse të shfaqur nga futbollistët argjentinas pas ndeshjes.

    Shumica e gazetave dhe portaleve në Mbretërinë e Bashkuar kritikuan ashpër trajnerin gjerman, duke e fajësuar për mënyrën se si e menaxhoi ndeshjen pas golit të Anthony Gordon. Sipas analistëve, Anglia hoqi dorë nga loja sulmuese shumë herët, u tërhoq në mbrojtje dhe ia dorëzoi iniciativën Argjentinës, e cila e shfrytëzoi këtë qasje për të shënuar dy herë në minutat e fundit dhe për të siguruar finalen.

    Kritikave iu bashkuan edhe disa prej emrave më të njohur të futbollit anglez. Ish-kapiteni dhe legjenda e Anglisë, Gary Lineker, e cilësoi qasjen taktike të Tuchelit si “të pakuptueshme”, duke theksuar se ishte gabim t’i jepej kaq shumë hapësirë Lionel Messit, i cili asistoi në të dy golat e Argjentinës. Edhe Harry Kane pranoi pas ndeshjes se skuadra u tërhoq shumë herët dhe e lejoi kundërshtarin të merrte kontrollin e lojës.

    Në të njëjtën kohë, një pjesë e madhe e shtypit britanik u përqendrua te festimi i futbollistëve argjentinas pas ndeshjes. Lisandro Martinez dhe Giovani Lo Celso u fotografuan duke mbajtur një banderolë me mbishkrimin “Las Malvinas son Argentinas” (“Malvinet janë argjentinase”), një mesazh që i referohet mosmarrëveshjes së gjatë mes Argjentinës dhe Britanisë për Ishujt Falkland. Veprimi u cilësua nga shumë media britanike si provokues dhe politik.

    Reagimet nuk mbetën vetëm në media. Ministri britanik Peter Kyle e quajti gjestin “krejtësisht të papërshtatshëm”, ndërsa kërkoi që FIFA të shqyrtojë rastin, pasi rregulloret e saj ndalojnë shfaqjen e mesazheve politike në stadiume dhe gjatë aktiviteteve zyrtare të turneut.

    Pavarësisht polemikave, kritikat më të mëdha në Angli vazhdojnë të drejtohen ndaj Thomas Tuchelit, i cili përballet me presion të madh pas një tjetër eliminimi në prag të finales. Përballë një Argjentine të udhëhequr nga Lionel Messi, strategjia mbrojtëse e teknikut gjerman u konsiderua nga shumë analistë si arsyeja kryesore që “Tre Luanët” humbën një avantazh të çmuar dhe mbetën jashtë finales së Botërorit 2026.

  • Lionel Messi vendos një tjetër rekord në Kupën e Botës, shkruan histori në moshën 39-vjeçare

    Lionel Messi vendos një tjetër rekord në Kupën e Botës, shkruan histori në moshën 39-vjeçare

    Lionel Messi vazhdon të thyejë rekorde dhe të shkruajë historinë e futbollit botëror. Kapiteni i Argjentinës është bërë lojtari më i vjetër që ka luajtur ndonjëherë në një gjysmëfinale të Kupës së Botës, pasi zbriti në fushë kundër Anglisë në moshën 39 vjeç e 21 ditë.

    Rekordi i ri erdhi në një mbrëmje të paharrueshme për “Albicelestët”, të cilët përmbysën Anglinë me rezultat 2-1 dhe siguruan një vend në finalen e Kupës së Botës 2026. Edhe pse nuk shënoi, Messi ishte protagonist absolut i ndeshjes, duke dhënë dy asistime për Enzo Fernandez dhe Lautaro Martinez, autorët e golave që i siguruan Argjentinës kualifikimin.

    Ky është vetëm një nga rekordet që sulmuesi argjentinas ka vendosur gjatë këtij Botërori. Para gjysmëfinales, ai kishte realizuar tetë gola dhe kishte regjistruar dy asistime, duke qenë një nga kandidatët kryesorë për fitimin e “Këpucës së Artë”.

    Turneu nisi në mënyrë ideale për Messin, i cili shënoi një tregolësh ndaj Algjerisë në paraqitjen e tij të 200-të me fanellën e Argjentinës. Me atë performancë, ai u bë lojtari më i vjetër që realizon një “hat-trick” në historinë e Kupës së Botës.

    Më pas, Messi shënoi dy gola kundër Austrisë, realizoi ndaj Jordanisë, si dhe gjeti rrjetën në fazën eliminatore përballë Kepit të Gjelbër dhe Egjiptit. Me golat e tij ndaj Austrisë, ai kaloi Miroslav Klosen dhe u ngjit në vendin e parë si golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës.

    Përveç golave, Messi ka vazhduar të jetë vendimtar edhe me asistime. Në çerekfinale ndaj Zvicrës, ai asistoi Alexis Mac Allister, duke arritur në kuotën e 10 asistimeve në Kupat e Botës. Që nga viti 1966, kur asistimet regjistrohen zyrtarisht, asnjë futbollist nuk ka dhënë më shumë pasime për gol në këtë kompeticion.

    Gjithashtu, Messi mban rekordin për përfshirjen më të madhe direkte në gola në fazat eliminatore të Kupës së Botës gjatë 60 viteve të fundit. Në tetë ndeshjet e fundit me eliminim direkt, ai ka kontribuar në 13 gola, duke shënuar shtatë dhe asistuar gjashtë të tjerë.

    Tani, legjenda argjentinase do të ketë mundësinë të shtojë një tjetër kapitull të artë në karrierën e tij, pasi Argjentina do të përballet me Spanjën në finalen e Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet të dielën, më 19 korrik, nga ora 21:00. Nëse arrin ta udhëheqë Argjentinën drejt triumfit, Messi do të fitojë titullin e dytë radhazi të kampionit të botës, duke forcuar edhe më tej trashëgiminë e tij si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

  • Emocionuese: Kështu e përjetoi kualifikimin komentatori i televizionit kombëtar argjentinas

    Emocionuese: Kështu e përjetoi kualifikimin komentatori i televizionit kombëtar argjentinas

    Pablo Giralt, komentator i televizonit “Telefe” në Argjentinë e ka përjetuar në mënyrë tejet emocionuese rikthimin e Argjentinës në ndeshjen ndaj Anglisë në gjysmëfinale të Kupës së Botës.

    Argjentunaishte duke humbur me rezultat 1:0, por në fund fitoi me shifrat 2:1.

    Komentatori është bërë viural në rrjetet sociale.

    Argjentina e bëri një rikthim të madh, duke u kthyer nga humbja prej 1-0.

    Ishte Anthony Gordon që shënoi në minutën e 55-të për 1-0.

    Argjentina pas golit të pranuar e shtoi presionin, dhe u hudh në aksion, për të shënuar golin e barazimit.

    Atë e gjeti Enzo Fernandezi në minutën e 85-të të takimit.

    Argjentina nuk u zmbraps, dhe vazhdoi sulmet, duke shënuar edhe golin e fitores.

    Lionel Messi asistoi dhe e gjeti kokën e Lautaros që shënoi për 2-1 në portën e Jordan Pickfordit.

    Me këtë fitore të madhe, Argjentina shkon në finalen e madhe ndaj Spanjës, që luhet të dielen, më 19 korrik.

    Anglia do të luajë ndaj Francës, në ndeshjen për vendin e tretë, që luhet të shtunën, më 19 korrik, nga ora 23:00.

  • Pushim historik në finalen e Botërorit: FIFA pritet të zgjasë pauzën e pjesës së parë në 25 minuta

    Pushim historik në finalen e Botërorit: FIFA pritet të zgjasë pauzën e pjesës së parë në 25 minuta

    Finalja e Kupës së Botës pritet të sjellë një ndryshim të pazakontë, pasi pushimi mes dy pjesëve mund të zgjasë deri në 25 minuta për shkak të spektaklit muzikor të planifikuar, në stilin e finales së Super Bowl.

    Sipas raportimeve, pauza në finalen e Botërorit që do të zhvillohet të dielën në stadiumin “New York New Jersey” mund të zgjasë nga 20 deri në 25 minuta.

    Arsyeja kryesore është organizimi i një shfaqjeje të madhe muzikore 11-minutëshe, ku pritet të jenë pjesë disa nga emrat më të mëdhenj të skenës botërore.

    Mes artistëve kryesorë të përfolur për këtë spektakël janë Madonna, Shakira dhe grupi i njohur koreano-jugor i K-pop-it, BTS.

    Burime pranë FIFA-s kanë bërë të ditur se opsioni kryesor është që pushimi të zgjasë rreth 20 minuta, ndërsa një tjetër mundësi është që pas 15 minutave të zakonshme të zhvillohet programi muzikor i planifikuar.

    Sipas rregullave të futbollit të përcaktuara nga Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të Futbollit (IFAB), lojtarët kanë të drejtë për një pushim maksimal prej 15 minutash mes dy pjesëve të një ndeshjeje.

    Megjithatë, FIFA ka aplikuar një format të ngjashëm edhe më herët. Në finalen e Kupës së Botës për Klube të vitit të kaluar, e zhvilluar gjithashtu në New Jersey, pushimi zgjati gjithsej 24 minuta për shkak të programit muzikor, ku performuan artistë si Coldplay, J Balvin, Doja Cat, Tems dhe Emmanuel Kelly.

    Edhe finalja e këtij Botërori do të shoqërohet me një spektakël madhështor.

    Në program janë përfshirë edhe Justin Bieber, Burna Boy, Gustavo Dudamel dhe kori PS22, ndërsa pjesë e organizimit është edhe grupi Coldplay. Shfaqja është konceptuar dhe prodhuar nga lideri i Coldplay, Chris Martin.

    Zgjatja e pushimit do të nënkuptonte një shkelje të rregullave standarde të futbollit nga vetë FIFA, pasi ligjet e lojës përcaktojnë qartë se intervali mes dy pjesëve nuk duhet të kalojë 15 minuta.

    Finalja e Kupës së Botës do të nisë në orën 15:00 sipas kohës lokale, ose 21:00 sipas kohës së Evropës Qendrore, ndërsa ceremonia para ndeshjes do të fillojë rreth një orë e gjysmë më herët.

    Në ceremoninë hapëse pritet të marrin pjesë emra të njohur si Tom Cruise, Laura Pausini, Nicole Scherzinger, Robbie Williams dhe ylli i internetit IShowSpeed, ndërsa himni kombëtar amerikan do të interpretohet nga Jennifer Hudson.

    Spanja siguroi një vend në finale pasi mposhti Francën me rezultatin 2-0 në gjysmëfinale të zhvilluar në Dallas.

    “La Roja” do të përballet për trofeun e kampionit të botës me fituesin e duelit tjetër gjysmëfinal mes Anglisë dhe Argjentinës.

  • Macron reagon pas eliminimit të Francës: Humbje e vështirë sonte

    Macron reagon pas eliminimit të Francës: Humbje e vështirë sonte

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka reaguar menjëherë pas humbjes 0:2 të kombëtares franceze ndaj Spanjës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, duke shprehur mbështetjen e tij për “Blutë” dhe duke uruar kundërshtarin për kualifikimin në finale.

    Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, Macron vlerësoi paraqitjen e ekipit francez, pavarësisht rezultatit zhgënjyes, duke theksuar se kjo është një skuadër me të ardhme të ndritur.

    “Bravo Spanjës për këtë kualifikim. Faleminderit Bluve që veshën ngjyrat tona me angazhim. Humbje e vështirë sonte, por kjo skuadër është e re dhe premtuese”, shkroi presidenti francez.

    Franca nuk arriti të gjejë rrugën drejt finales, pasi u mposht me rezultat 2:0 nga një Spanjë që tregoi pjekuri dhe efikasitet në momentet vendimtare të ndeshjes.

  • Norvegjia dhuron të ardhurat e ndeshjes me Izraelin për ndihma humanitare në Gaza

    Norvegjia dhuron të ardhurat e ndeshjes me Izraelin për ndihma humanitare në Gaza

    Shoqata Norvegjeze e Futbollit ka marrë një vendim me karakter humanitar, duke njoftuar se të gjitha të ardhurat nga shitja e biletave të ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës 2026 kundër Izraelit do të dhurohen për popullsinë civile në Rripin e Gazës.

    Fondet e mbledhura do të destinohen për organizatat humanitare dhe mjekësore që veprojnë në terren, mes tyre edhe organizata “Mjekët pa Kufij”, e cila vazhdon të ofrojë kujdes shëndetësor dhe ndihmë emergjente për banorët e prekur nga konflikti.

    Përmes një komunikate zyrtare, Federata Norvegjeze theksoi se kjo nismë synon të ofrojë mbështetje konkrete për njerëzit që po përballen me një krizë të rëndë humanitare, duke vënë në plan të parë solidaritetin dhe ndihmën ndaj civilëve.

    Vendimi është pritur me reagime të shumta pozitive, si në opinionin publik ashtu edhe në rrjetet sociale, ku është vlerësuar si një shembull i rolit që sporti mund të luajë përtej fushës së lojës, duke u shndërruar në një mjet solidariteti dhe mbështetjeje për komunitetet në nevojë.