ATV

Category: Sport

  • Refuzohet oferta e Barcelonës për yllin spanjoll

    Refuzohet oferta e Barcelonës për yllin spanjoll

    Nënshkrimi i Dani Olmos për Barçën mund të bëhet një nga telenovelat e verës. Barça dërgoi ofertën e parë në Leipzig disa ditë më parë për të konfirmuar interesin dhe për të arritur një marrëveshje në parim, por klubi gjerman e refuzoi kategorikisht propozimin e parë.

    Sipas ‘Sky Germany’, Leipzig konsideron se oferta nuk arrin minimumin që duan ta lirojnë lojtarin, ndonëse nuk ia kanë mbyllur derën negociatave pasi janë të gatshëm të ndahen me lojtarin në këtë merkato verore. Të dy palët do të vazhdojnë negociatat në javët në vijim, përcjellë KP.

    Leipzig konsideron se vlerësimi i lojtarit është i njëjtë me klauzolën e largimit që kishte deri pak ditë më parë dhe që kishte një vlerë prej 60 milionë eurosh. Klubi gjerman është i gatshëm të flasë për formulat e pagesave me këste dhe të përfshijë një shumë fikse me objektiva, por për aq kohë sa të arrijnë në 60 milionë që duan të depozitojnë për të adresuar planifikimin e tyre sportiv.

    Propozimi i bërë nga Barça raportohet se ishte shumë më i ulët. Klubi blaugran ka mbështetjen e lojtarit, i cili dëshiron të luajë në “Camp Nou”, kështu që ky aset mund të përfundojë disi duke ulur çmimin e përcaktuar nga Leipzig, megjithëse është e qartë se ai do të duhet të përmirësojë propozimin për të pasur mundësi reale për të. Për momentin, Olmo mbetet i palëkundur në dëshirën e tij për të luajtur për Barçën dhe kjo do të ndihmojë edhe pse Barça do të duhet të afrohet shumë afër atyre 60 milionëve të kërkuara.

    Leipzig ka disa klube të interesuara për Dani Olmo dhe një prej tyre do të ishte Chelsea, që dëshiron të hapë negociatat.

  • Autogol i vitit, mbrojtësi kroat shënoi në portën e Strakoshës

    Autogol i vitit, mbrojtësi kroat shënoi në portën e Strakoshës

    Kapiteni i ekipit grek AEK, kroati Domagoj Vida, shënoi autogol në ndeshjen e parë të xhiros së dytë të fazës kualifikuese në Conference League, kundër Inter Escaldes nga Andorra.

    Po zhvillohej minuta e 65-të, ku mbrojtësi kroat goditi me kokë një top ku nuk kishte kundërshtarë afër, por topi u godit më shumë se sa duhet dhe kaloi Thomas Strakoshën për të përfunduar në rrjetën e AEK-ut.

    Kjo nuk ishte një gajle e madhe për skuadrën greke, pasi po fitonte me rezultat 4:0.

    Portieri shqiptar, Thomas Strakosha, më pas e priti pastaj një penallti, por Inter Escaldes realizoi dy herë të tjera me Sascha Andrea edhe Martinez Viti, për rezultatin përfundimtar prej 4:3.

    Për fat të mirë të AEK-ut, andorrasit nuk arritën të barazojnë, ndërsa ndeshja e kthimit luhet javën tjetër në Andorrë.

  • Krasniqi: Nëntë garuesit e Kosovës kanë potencial për medalje në Lojërat Olimpike “Paris 2024”

    Krasniqi: Nëntë garuesit e Kosovës kanë potencial për medalje në Lojërat Olimpike “Paris 2024”

    Përfaqësuesja e Kosovës do të marrë pjesë me nëntë garues në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, që nis nesër (e premte) në kryeqytetin francez. Për pjesëmarrjen e sportistëve kosovar ka folur për Ekonomia Online, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi.

    Krasniqi ka thënë se për herë të parë Kosova po merr pjesë në olimpiadë edhe në sportin e boksit. Nga nëntë garues, pesë janë nga xhudo, një nga boksi, dy të notit dhe një prej atletikës.

    “Në Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’, përfaqësohet me nëntë garues nga Kosova, ku gjashtë prej tyre janë në normat olimpike pesë janë prej xhudos dhe një është prej boksit, kur flasim për boksin është për herë të parë në histori që Kosova po merr edhe një normë nga një sport tjetër, sepse jemi mësuar deri më tash vetëm me xhudo. Mirëpo kemi edhe dy me ftesë të universalitetit që janë dy prej notit dhe një prej atletikës. Kështu që të gjithë ekipi është prej nëntë garuesish. Presim prej të gjithave ata që kanë norma olimpike të gjithë janë potencial për medalje, nuk mund të anashkalojmë asnjërin prej garuesve vetëm varet edhe fati sportivë në momente të caktuara. Për të marrë normat olimpike është një sfidë e madhe përballet gjatë katër viteve nëpër Kampionate Evropiane Botërore, duhet të jesh në rang listën top 10-shen botërore, kështu që është një sfidë dhe atë sportit që marrin normën olimpikë janë të gjithë potencial për marrjen e medaljes”, ka thënë Krasniqi.

    Krasniqi ka pritshmëri të mëdha për sportistët kosovarë, ndërsa veçon xhudisten Dristria Krasniqi.

    “Padyshim që pres nga xhudo, e sidomos nga Distria (Krasniqi) e cila është në nivelin më të lartë të listës së bashku me Laurën, Akili edhe Blin Kuka, kështu që besoj që po shkojmë me pak garues por me kualitet shumë të lartë. Ne si Komitet Olimpikë kemi bërë punën tonë gjatë kësaj periudhe katër vjeçare duke mbështetur sportistët tanë me bursa olimpike me kampe stërvitore e me të gjitha punët që janë të nevojshme për të gjithë garuesit. Përgatitjet i kanë kryer në mënyrën më të mirë të mundshme, të gjithë janë me shëndet të mirë dhe besoj që edhe me pak fat do të kemi medalje edhe në Paris”, shtoi ai.

    Ndryshe hapja solemne e Lojërave Olimpike “Paris 2024”, do mbahet më 26 korrik dhe mbaron më 11 gusht.

    Lojërat Olimpike “Paris 2024” do të kenë 3,800 orë sport të drejtpërdrejtë dhe do të dhurohen 329 medalje ari në 32 sporte gjatë 18 ditëve të garave, të cilat do të mbahen në Paris dhe në pjesë të tjera të Francës.

  • Ankesat për orar të ngjeshur, FIFA u përgjigjet klubeve

    Ankesat për orar të ngjeshur, FIFA u përgjigjet klubeve

    Organi më i lartë i futbollit botëror, FIFA, ka reaguar kundër ankesave ndaj kalendarit ndërkombëtar të tejmbushur nga FIFPRO dhe Ligat Evropiane duke theksuar se disa liga evropiane po veprojnë me interes tregtar, hipokrizi dhe pa konsideratë për pjesën tjetër të botës.

    “Kalendari aktual u miratua unanimisht nga Këshilli i FIFA-s, i cili përbëhet nga përfaqësues nga të gjitha kontinentet, përfshirë Evropën, pas një konsultimi të plotë dhe gjithëpërfshirës, ​​i cili përfshinte FIFPRO-në dhe organet e ligës. Kalendari i FIFA-s është instrumenti i vetëm që garanton se futbolli ndërkombëtar mund të vazhdojë të mbijetojë, të bashkëjetojë dhe të përparojë së bashku me futbollin e klubeve kombëtare dhe kontinentale. Disa liga evropiane të cilat janë vetë organizatorë dhe rregullatorë të garave po veprojnë me interes tregtar, hipokrizi dhe pa konsideratë për pjesën tjetër të botës”, ka thënë presidenti i FIFA-s Gianni Infantino.

    “Këto liga me sa duket preferojnë një kalendar plot me miqësore dhe turne verore, të cilat shpesh përfshijnë udhëtime të shumta nëpër botë. FIFA, përkundrazi, duhet të mbrojë interesat e përgjithshme të futbollit botëror, duke përfshirë mbrojtjen e lojtarëve, kudo dhe në të gjitha nivelet e lojës”, shtoi ai.

    Unioni botëror i futbollistëve dhe Ligat Evropiane, të cilat përfaqësojnë më shumë se 1000 klube në 33 vende në të gjithë kontinentin, njoftuan ditë më parë se kanë paraqitur një ankesë të përbashkët kundër FIFA-s me Komisionin Evropian për “imponimin e njëanshëm” të kalendarit të ndeshjeve ndërkombëtare. .

    “Kalendari i ndeshjeve ndërkombëtare është aktualisht i mbingarkuar dhe i paqëndrueshëm për ligat kombëtare dhe për shëndetin e lojtarëve. Vendimet e marra nga FIFA kanë favorizuar garat e saj dhe interesat komerciale”, thuhet në ankesën e tyre.

  • Andy Murray merr vendim shokues në prag të Olimpiadës së Parisit

    Andy Murray merr vendim shokues në prag të Olimpiadës së Parisit

    Andy Murray është tërhequr nga turneu olimpik i tenisit teke në Lojërat e Parisit 2024, eventi i fundit që ai do të luajë përpara daljes në pension. 37-vjeçari është ende duke konkurruar në dyshe për meshkuj së bashku me Dan Evans ndërsa ai lufton për medaljen e tij të katërt olimpike të përgjithshme në fusha balte Roland-Garros.

    Megjithatë, Murray, i konsideruar si një nga heronjtë më të mëdhenj sportivë të Britanisë së Madhe, tani nuk do të luajë më kurrë një ndeshje teke, duke i dhënë fund karrierës së tij të shkëlqyer.

    Ish-legjendari numër 1 i botës fitoi dy tituj të Ëimbledonit, dy medalje të arta olimpike, US Open dhe Kupën Davis, por tani zyrtarisht ka mbyllur këtë aventurë, përcjellë KosovaPress.

    “Kam marrë vendimin të tërhiqem nga teke për t’u përqëndruar në dyshe me Danin”, tha Murray të enjten. “Praktika jonë ka qenë e shkëlqyer dhe ne po luajmë mirë së bashku”., shtoi ai.

    Murray, i cili i dha fund pritjes 77-vjeçare të Britanisë së Madhe për një kampion në teke për meshkuj në Ëimbledon në 2013, pati telashe me lëndimet në vitet e tij të lavdisë.

    Murray regjistroi gjithsej 46 tituj të karrierës ATP Tour në teke, gjë që e vendos atë të 15-tin në Epokën e Hapur. Ai shijoi 41 javë si numri 1 i botës – një arritje e bujshme duke pasur parasysh epokën e tenisit në të cilën ai po luante me Novak Djokovic, Rafael Nadal dhe Roger Federer.

  • Argjentinë-Marok, ja pse u vonua dy orë vendimi i VAR-it për vlefshmërinë e golit

    Argjentinë-Marok, ja pse u vonua dy orë vendimi i VAR-it për vlefshmërinë e golit

    Fitorja e Marokut ndaj Argjentinës me rezultat 2-1 në Lojërat Olimpike bëri bujë të madhe, por jo për shkak të rezultatit, por për shkak të asaj që ndodhi në fushë në minutat shtesë të ndeshjes.

    Në fakt, Argjentina barazoi rezultatin në 2-2 në minutën e 16’ shtesë me golin e Medinas, moment ky kur tifozët marokenë sulmuan lojtarët e Argjentinës dhe pushtuan fushën gjë e cila detyroi gjyqtarin ta ndërpres ndeshjen, derisa goli po shqyrtohej nga VAR-i për pozicion jashtë loje.

    Por, për shkak të trazirave nga tifozët, ndërprerja e ndeshjes zgjati për 90 minuta, kohë gjatë së cilës nuk erdhi as vendimi për golin nëse ishte pozicion jashtë loje apo jo, transmeton KosovaPress.

    Kjo bëri që shumë njerëz të besonin se kishte marrë kaq shumë kohë për të marrë një vendim për golin.

    Tani besohet se verifikimet nga gjyqtarët ishin bërë dhe do të kishin arritur në një përfundim menjëherë falë teknologjisë gjysmë të automatizuar offside dhe vendimi u vonua për shkak të frikës për probleme të mëtejshme të turmës.

    Raportet nga ESPN sugjerojnë se gjyqtarët menduan se një vendim në ato momente vetëm sa do t’i hidhte benzinë zjarrit dhe mund të shkaktonte trazira edhe më të mëdha.

    Loja rifilloi përfundimisht rreth orës 19:00 me orën lokale, në mënyrë efektive pas dyerve të mbyllura pas dy orësh.

  • Broja asiston në barazimin e Chelseat me skuadrën uellsiane

    Broja asiston në barazimin e Chelseat me skuadrën uellsiane

    Armando Broja ishte protagonist në barazimin 2-2 të Chelseat me skuadrën nga Uellsi, Wrexham, ndeshje kjo që ishte e karakterit miqësor.

    “Blutë” e Londrës kaluan në avantazh në minutën e 35’ me golin e realizuar nga Nkunku pas asistimit të Guiu dhe me këtë rezultat edhe përfundoi pjesa e parë, raporton KosovaPress.

    Në pjesën e dytë, Wrexham barazoi rezultati me golin e Bolton në minutën e 58’, derisa në minutën e 71’ përmbysën rezultatin me Marriott që shënoi për 2-1.

    Gjithsesi, tetë minuta para përfundimit të ndeshjes, Chelsea barazoi rezultatin me golin e Ugochukëu që shënoi pas asistimit nga Armando Broja.

    Sulmuesi shqiptar hyri në lojë si zëvendësues në fillim të pjesës së dytë. Ndryshe, e ardhmja e Brojës është ende e pa qartë, derisa gjiganti italian, Milani është shumë e interesuar për shërbimet e tij dhe mediat italiane raportojnë se dy skuadrat janë në bisedime për kartonin e tij.

  • Shqipëria gjobitet sërish nga UEFA për ngjarjet në “Euro 2024”

    Shqipëria gjobitet sërish nga UEFA për ngjarjet në “Euro 2024”

    Shqipëria sërish është dënuar nga shtëpia e futbollit evropian, UEFA, për ngjarjet që kanë ndodhur në Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”. Bashkë me Shqipërinë, UEFA ka dënuar edhe gjashtë kombëtare të tjera për “racizmin e shfaqur në tribuna”, shkruan AP.

    Shqipëria u gjobit me 30 mijë euro dhe ndalim me kusht për tifozët në ndeshjen e parë jashtë fushe për shkak të sjelljes raciste të tyre në ndeshjet kundër Kroacisë dhe Spanjës.

    Kroacia u gjobit me 50 mijë euro dhe ndalim të tifozëve për ndeshjen e parë jashtë fushe për shkak të sjelljes raciste të tifozëve në ndeshjet kundër Spanjës, Shqipërisë dhe Italisë.

    Serbia u gjobit me 30 mijë euro dhe ndalim të tifozëve për ndeshjen e parë jashtë fushe për shkak të sjelljes raciste të tifozëve në ndeshjet kundër Anglisë, Sllovenisë dhe Danimarkës.

    Sllovenia u gjobit me 30 mijë euro dhe ndalim me kusht për tifozët në ndeshjen e parë jashtë fushe për shkak të sjelljes raciste të tifozëve në ndeshjet kundër Danimarkës, Anglisë dhe Portugalisë.

    Rumania u gjobit me 40 mijë euro dhe nuk do t’i ketë tifozët në ndeshjen e parë jashtë fushe shkaku i sjelljeve raciste të tyre kundër Ukrainës, Belgjikës dhe Holandës.

    Hungaria u gjobit me 30 mijë euro dhe ndalim me kusht për tifozët në ndeshjen e parë jashtë fushe për shkak të sjelljes raciste të tyre në ndeshjet kundër Gjermanisë dhe Skocisë.

    Austria është gjobitur me 20 mijë euro dhe nuk do t’i ketë tifozët në ndeshjen e parë jashtë fushë shkaku i sjelljeve raciste ndaj Polonisë.

    Kroacia e Shqipëria janë në mesin e vendeve që u dënuan më së shumti gjatë “Euro 2024”, për shkak të sjelljeve të tifozëve.

  • ​Kosova e nis me fitore evropianin e FIBA U18

    ​Kosova e nis me fitore evropianin e FIBA U18

    Kosova e ka nisur me fitore FIBA U18 Women’s EuroBasket, Divizioni C për femra, që po zhvillohet në Prishtinë. Vashat dardane të mërkurën triumfuan ndaj Qipros me rezultat 54:61 (14:19, 15:19, 12:13, 13:10).

    Dardanet e reja e nisën ndeshjen shumë më mirë të përkrahur edhe nga publiku, për të pasur epërsi prej nëntë pikësh 5:14, derisa e fituan çerekun e parë 14:19. Vashat e Kosovës vazhduan me lojë të mirë në periudhën e dytë, për të shtuar më shumë epërsinë, për të shkuar në pushim me rezultat 29:38.

    Në periodën e tretë u zhvillua lojë më e baraspeshuar, por me gabime të dyanshme, derisa shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 41:51. Në dhjetë minutat e fundit, Qipro afroi shifrat tri herë deri në pesë pikë, por vashat dardane ishin të vendosura dhe triumfuan në fund 54:61.

    Te Kosova u dalluan Flutura Mehmeti me 11 pikë e 13 kërcime, Klea Gashi me 12 pikë, Etna Rexhepi me nëntë pikë e tetë kërcime dhe Tia Tuhina me shtatë pikë e gjashtë kërcime.

    Ndeshja e ardhshme e Kosovës do të jetë sot ndaj Maltës nga ora 19:30. Të enjten zhvillohen ndeshjet e fundit në grupe, ku do të vendoset se kush do të kualifikohet në gjysmëfinale dhe kush do të garojë për pozitat 5-7.

    Në ndeshjet tjera të zhvilluara në ditën e sotme, që u zhvilluan në Grupin B, Shqipëria shënoi fitoren e parë në këtë garë, duke mundur Armeninë 64:50, derisa Azerbajxhani arriti fitoren e dytë, kësaj radhe mundi Gjeorgjinë 74:68.

  • ​Presidentja Osmani në Paris në mbështetje të sportistëve kosovarë

    ​Presidentja Osmani në Paris në mbështetje të sportistëve kosovarë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit të Republikës Emmanuel Macron dhe të Presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, ka udhëtuar për në Paris për të marrë pjesë krahas liderëve të shumtë botërorë, në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Paris 2024, dhe për t’i mbështetur 9 sportistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në këto Lojëra.

    Me këtë rast, Presidentja Osmani ka potencuar se për Kosovën, pjesëmarrja në Lojëra Olimpike paraqet kulmin e punës së palodhur, përkushtimit dhe vendosmërisë së sportistëve tanë.

    “Është një dëshmi e qëndrueshmërisë së shtetit tonë dhe aftësisë për t’u ngritur mbi sfidat dhe për të shkëlqyer në skenën botërore”, ka theksuar Presidentja Osmani.

    Në kuadër të vizitës në Paris, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në Samitin “Sporti për zhvillim të qëndrueshëm”, i cili organizohet nga Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron.

    Gjatë qëndrimit në Paris, Presidentja Osmani e shoqëruar nga Zotëria i parë, Prindon Sadriu, janë të ftuar në pritjen e organizuar nga Presidenti i Francës në Pallatin Elize dhe në të njëjtën kohë do ta ndjekin paraqitjen e sportistëve të Republikës së Kosovës në Trokadero. Ata gjithashtu janë të ftuar edhe në darkën e organizuar nga Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

    Kosova në Lojërat Olimpike Paris 2024, do të përfaqësohet me 9 sportistë në disa disiplina sportive.