ATV

Category: Sport

  • Zyrtare: Robert Lewandowski i dëmtuar, do të mungojë në El Clásico

    Zyrtare: Robert Lewandowski i dëmtuar, do të mungojë në El Clásico

    FC Barcelona ka marrë një goditje të rëndë, pasi sulmuesi kryesor Robert Lewandowski është dëmtuar gjatë grumbullimit me përfaqësuesen e Polonisë. Ai ka pësuar një dëmtim muskulor në bicepsin femoral të kofshës së majtë, që do ta mbajë jashtë fushës për rreth katër javë.

    Lewandowski iu nënshtrua testeve mjekësore këtë të martë, pas ndeshjes së kualifikimeve për Botërorin kundër Lituanisë, ku luajti 90 minuta dhe shënoi një gol. Për këtë sezon, ai ka luajtur 431 minuta dhe ka realizuar katër gola për Barcelonën.

    Kjo do të thotë se ai do të mungojë në El Clásico, që do të zhvillohet më 26 tetor. Përveç Lewandowskit, Barcelona tashmë ka mungesa të tjera si ajo e Joan García, ndërsa situata e Raphinha dhe Dani Olmo mbetet në dyshim për shkak të dëmtimeve.

    Klubi dhe trajneri Hansi Flick do të duhet të gjejnë alternativa për sulmin në këtë përballje të rëndësishme kundër Real Madridit.

  • Serge Gnabry rikthehet në formë: Bayern përfiton, por e ardhmja mbetet e pasigurt

    Serge Gnabry rikthehet në formë: Bayern përfiton, por e ardhmja mbetet e pasigurt

    Serge Gnabry është kthyer në një nga temat më të përfolura brenda kampit bavarez, teksa sulmuesi 30-vjeçar po kalon një sezon mbresëlënës, duke fituar sërish besimin e klubit dhe tifozëve pas një periudhe të vështirë.

    Skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany po kalon një moment të shkëlqyer, si në Bundesliga ashtu edhe në Ligën e Kampionëve, dhe forma e lartë e shumicës së lojtarëve, përfshirë edhe Gnabryn, ka qenë vendimtare për suksesin aktual.

    Pas një vere ku Bayern nuk e përjashtoi mundësinë e largimit të tij, Gnabry është shndërruar në një nga elementët më të rëndësishëm të skuadrës. Deri tani, ai ka zhvilluar 15 paraqitje zyrtare, duke shënuar tre gola dhe dhënë pesë asiste. Roli i tij pas Harry Kane është kthyer në një pikë kyçe në mekanizmin ofensiv të kampionëve të Gjermanisë.

    Megjithatë, pavarësisht formës së mirë, çështja e kontratës së tij mbetet pezull. Klubi nuk e ka përjashtuar një rinovim të mundshëm, por bisedimet nuk kanë marrë ende një drejtim konkret. I pyetur për të ardhmen, vetë lojtari është shprehur: “Nuk jam aspak i shqetësuar për momentin”, duke lënë të hapur të gjitha skenarët.

    Nëse nuk arrihet një marrëveshje për zgjatjen e kontratës brenda muajve të ardhshëm, Gnabry mund të kthehet në një opsion interesant për shumë klube në merkaton e verës, pasi do të hyjë në vitin e parafundit të kontratës së tij me Bayernin. Për momentin, bavarezët po përfitojnë nga forma e tij, por e ardhmja e sulmuesit mbetet ende e paqartë.

  • Elton Krasniqi dhe Shkambi Baruti i bashkohen FC Prishtinës

    Elton Krasniqi dhe Shkambi Baruti i bashkohen FC Prishtinës

    FC Prishtina ka zyrtarizuar përforcimet e radhës në skuadër, duke afruar sulmuesin anësor 20-vjeçar, Elton Krasniqi. Futbollisti nga Kosova vjen me një përvojë të çmuar nga futbolli gjerman dhe i bashkohet klubit nga kryeqyteti në prag të edicionit të ri.

    Krasniqi ka qenë pjesë e skuadrës U19 dhe ekipit të dytë të Stuttgartit, ndërsa më parë ka zhvilluar karrierën e tij në akademinë e Hannoverit, ku është formuar si lojtar.

    Në nivel ndërkombëtar, ai ka përfaqësuar Kombëtaren e Kosovës në grupmoshat U15, U17 dhe U19.

    I prezantuar sot si lojtari më i ri i FC Prishtinës, Krasniqi shprehu emocionet e tij për këtë hap të ri në karrierë:

    “Jam i lumtur që i bashkohem një klubi të madh siç është Prishtina. Shpresoj që ky do të jetë një vit i suksesshëm dhe do të jap maksimumin për të arritur objektivat tona. Mezi pres të zbres në fushë dhe të luaj para tifozëve tanë, Plisat”, u shpreh ai për faqen zyrtare të klubit.

    Ndërsa, Shkambi Baruti, është qendërmbrojtës 194 cm i gjatë dhe i bashkohet skuadrës nga kryeqyteti.

    Baruti vjen me një përvojë nga futbolli shqiptar. Ai ishte pjesë e Partizanit, më pas kaloi te Tomori, ndërsa së fundmi ka luajtur për ekipin e Erzenit.

    21 vjeçari për faqen zyrtare te klubit u shpreh i lumtur që është pjesë e Prishtinës.

    “Është krenari të jesh pjesë e klubit ma të trofeshëm në Kosovë, premtoj se do ta jap maksimumin për këtë fanellë si dhe për tifozët e zjarrtë Plisat” – përfundoi Baruti. /ATVLIVE.TV

  • Përditsim zyrtar nga FC Barcelona: Situata e dëmtimeve para ndeshjes ndaj Gironës

    Përditsim zyrtar nga FC Barcelona: Situata e dëmtimeve para ndeshjes ndaj Gironës

    Klubi i FC Barcelona ka publikuar sot një përditësim zyrtar mbi gjendjen fizike të lojtarëve të ekipit të parë, teksa skuadra përgatitet për sfidën e radhës në La Liga ndaj Gironës.

    Të gatshëm për ndeshjen:
    • Fermín López është rikuperuar plotësisht dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen e fundjavës.
    • Lamine Yamal, i cili kishte pasur shqetësime të lehta, gjithashtu është i gatshëm për të luajtur.

    Të dëmtuar:
    • Raphinha do të mungojë për 1 deri në 2 javë për shkak të një dëmtimi muskulor.
    • Dani Olmo pritet të jetë jashtë fushave për rreth 3 javë.
    • Joan García do të mungojë për një periudhë prej 1 muaji.
    • Marc-André ter Stegen përballet me një mungesë të gjatë prej 3 muajsh, pas një dëmtimi që kërkon trajtim të specializuar.
    • Gavi, i cili ka pësuar një dëmtim serioz, do të jetë jashtë fushave për rreth 5 muaj, duke mbyllur pjesën më të madhe të sezonit.

    Barcelona përballet me një seri mungesash të rëndësishme, por rikthimi i lojtarëve si Fermín dhe Yamal jep shpresa për një paraqitje pozitive ndaj një kundërshtari të fortë si Girona.

  • Ndeshjet vendimtare të ditës: Shtatë ekipe pranë ëndrrës së Botërorit

    Ndeshjet vendimtare të ditës: Shtatë ekipe pranë ëndrrës së Botërorit

    Ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2026 vazhdojnë sot, me pritshmëri të lartë për të mësuar emrat e pesë – e ndoshta deri në shtatë – kombëtareve të tjera që do të sigurojnë pjesëmarrjen në turneun e madh që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

    Nga Afrika, pritet të zyrtarizohen tre pjesëmarrës të rinj, ndërsa nga Azia, dy ekipe mund të sigurojnë kualifikimin. Evropa, gjithashtu, mund të japë dy emra të rinj në listën e pjesëmarrësve, në varësi të rezultateve të mbrëmjes.

    Në grupin A të zonës afrikane, Benini dhe Gaboni kanë një mundësi të artë për të siguruar paraqitjen e tyre të parë historike në Kupën e Botës.

    Benini pret Nigerinë në orën 18:00. Një fitore do ta çonte Beninin direkt në Kupën e Botës.

    Në rast barazimi, Benini do të varej nga ndeshja Afrika e Jugut – Ruanda, ku fitorja e Afrikës së Jugut do të siguronte kalimin e saj.

    Nigeria, nga ana tjetër, do të kualifikohej vetëm nëse mposht Beninin dhe Afrika e Jugut nuk arrin të fitojë.

    Një rezultat specifik 2-1 në favor të Nigerisë dhe humbje e Afrikës së Jugut do ta vendoste fatin e grupit përmes numrit të kartonëve të marrë – një skenar i pazakontë, por i mundshëm.

    Anglia mund të sigurojë biletën për Kupën e Botës me një fitore ndaj Letonisë.

    Portugalia, gjithashtu, ka mundësinë të kualifikohet sot, nëse mposht Hungarinë.

    Nga Azia, priten dy emra të tjerë që do të bëhen pjesë e garës globale, në pritje të rezultateve të fundit të raundit kualifikues. /ATVLIVE.TV

  • GO+ Peja nis sonte garat në Ligën ENBL

    GO+ Peja nis sonte garat në Ligën ENBL

    GO+ Peja do të ketë sonte ndeshjen e parë në Ligën ENBL të basketbollit.

    Skuadra me traditë nga Kosova do të përballet me ekipin Riga Zelli nga Letonia.

    Sfida zhvillohet nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, për shkak se palestra në Pejë është e zënë për shkak të Zgjedhjeve Lokale në Kosovë.

    Për verdhezinjtë ky është takimi i parë, ndërsa Riga Zelli do të ketë ndeshjen e dytë dhe hyn pas fitores ndaj Dziki Warszawa (93:91).

    Pejanët do të kenë tetë ndeshje, katër vendas dhe katër mysafirë, për të kërkuar kualifikimin tutje. /ATVLIVE.TV

  • Eksperimenti i Thomasson s’jep rezultat, Kosova triumfoi

    Eksperimenti i Thomasson s’jep rezultat, Kosova triumfoi

    Kosova arriti të fitojë përsëri në ndeshjen kualifikuese ndaj Suedisë.

    Goli i Fisnik Asllanit në minutën e 32-të rezultoi vendimtar për “Dardanët”, të cilët shënuan një fitore historike, duke e bërë ëndrrën për kualifikim në Kupën e Botës një mundësi reale.

    Selektori i Suedisë, Jon Dahl Thomasson, kishte provuar një taktikë të pazakontë para ndeshjes. Ai kishte mbajtur të fshehtë formacionin titullar, duke ua bërë të ditur lojtarëve vetëm disa orë para ndeshjes – ndryshe nga zakonisht, kur ata njoftoheshin që në kohën e drekës.

    Megjithatë, kjo strategji nuk dha rezultat, pasi Suedia tani është më pranë fundit të tabelës sesa vendeve të para që sigurojnë kualifikimin direkt ose vendin e dytë për play-off.

    Megjithatë, Suedia ende ka një mundësi për të arritur në fazën play-off, falë paraqitjeve të mira në Ligën e Kombeve, ku përfundoi në vendin e parë në Ligën C, duke siguruar ngritjen në Ligën B. /ATVLIVE.TV

  • Tradita vazhdon: Spotify dhe albumi i Ed Sheeran në fanellën e Barcelonës për “El Clasico”

    Tradita vazhdon: Spotify dhe albumi i Ed Sheeran në fanellën e Barcelonës për “El Clasico”

    Si çdo herë, “El Clasico” mbetet derbi më i ndjekur në botë, ku dy gjigantët e futbollit, Real Madridi dhe Barcelona, ofrojnë spektakël dhe emocion për tifozët globalë.

    Që nga nisja e bashkëpunimit me “Spotify”, Barcelona ka vendosur të promovojë në fanellat e saj albume të ndryshme muzikore gjatë “El Clasico”.

    Këtë herë, në fanellën e katalanasve do të prezantohet albumi i ri “Play” i këngëtarit britanik të njohur, Ed Sheeran.

    Kjo traditë nisi në vitin 2022 me artistë si Drake, më pas Rosalia me albumin “Motomami”, “The Rolling Stones” në 2023, si dhe Karol G dhe Coldplay në vitin 2024. Ndërsa këtë vit, pas Ed Sheeran, fanellat kanë promovuar edhe Travis Scott.

    Kujtojmë se “El Clasico” do të zhvillohet më 26 tetor në “Santiago Bernabeu”, me fillim në orën 16:15. /ATVLIVE.TV

  • UEFA njofton hapjen e sezonit 2027/28 me vetëm një ndeshje të marten

    UEFA njofton hapjen e sezonit 2027/28 me vetëm një ndeshje të marten

    UEFA ka njoftuar se në mbrëmjen e së martës do të zhvillohet vetëm një ndeshje, e cila shënon hapjen e sezonit 2027/28 të Ligës së Kampionëve.

    Ky takim do të jetë ai i kampionëve në fuqi të Evropës, të cilët do të hapin garën në fazën e ligës, pjesë e një ristrukturimi të madh të formatit tradicional të këtij kompeticioni.

    Ndërkohë, 17 ndeshjet e tjera të javës së parë do të zhvillohen në mbrëmjet e së mërkurës dhe të enjtes.

    Sipas formatit aktual, 18 ndeshjet e raundit hapës zakonisht ndahen në mënyrë të barabartë në tre netë, me gjashtë ndeshje secilën mbrëmje. Por për sezonin e ri do të ketë ndryshime, me tetë ose nëntë ndeshje që do të luhen të mërkurën dhe të enjten gjatë javës së parë të garave. /ATVLIVE.TV

  • Udine nën masa të rrepta sigurie për ndeshjen Itali–Izrael dhe marshimin pro-Palestinë

    Udine nën masa të rrepta sigurie për ndeshjen Itali–Izrael dhe marshimin pro-Palestinë

    Qyteti italian i Udines ndodhet sot nën masa të jashtëzakonshme sigurie për shkak të ndeshjes mes Italisë dhe Izraelit, e vlefshme për fazën “play-off” të kualifikueseve evropiane për Kupën e Botës 2026. Takimi pritet të zhvillohet në orën 20:45 në “Stadio Friuli”, përpara rreth 10 mijë tifozëve, pasi autoritetet kanë kufizuar kapacitetin për arsye sigurie.

    Paralelisht me ndeshjen, në qytet është paralajmëruar një marshim pro-Palestinë, me pjesëmarrje të pritshme po aq të madhe sa numri i tifozëve në stadium. Kjo ka shtyrë Ministrinë e Brendshme italiane të ndërmarrë një plan të gjerë sigurie.

    Në terren janë vendosur rreth 1000 forca sigurie – përfshirë policë, karabinierë dhe ushtarë – ndërsa situata monitorohet edhe nga helikopterë dhe dronë. Rreth stadiumit është shpallur “zonë e kuqe”, ku kontrollet janë të rrepta dhe përfshijnë përdorimin e detektorëve të metaleve dhe pajisjeve me rreze X.

    Në disa pika strategjike do të vendosen snajperë, ndërsa kombëtarja izraelite po shoqërohet nga agjentë të shërbimit sekret “Mossad”.

    Prefekti i Udines ka urdhëruar ndalimin e shitjes së pijeve në shishe qelqi apo kanaçe, si dhe heqjen e tavolinave, karrigeve dhe çadrave nga ambientet e jashtme të bareve dhe restoranteve pranë stadiumit.

    Masat e marra synojnë të garantojnë mbarëvajtjen e një mbrëmjeje të vlerësuar me “rrezik të lartë sigurie”. /ATVLIVE.TV