ATV

Category: Sport

  • Helmut Marko i jep fund epokës së tij te Red Bull pas më shumë se 20 vitesh!

    Helmut Marko i jep fund epokës së tij te Red Bull pas më shumë se 20 vitesh!

    Epoka e artë e Helmut Marko në Formula 1 duket se ka arritur në fund. Strategu dhe këshilltari historik austriak i ka thënë lamtumirë Red Bullit pas mbi dy dekadash bashkëpunimi, vetëm pak ditë pasi Max Verstappen humbi titullin botëror për vetëm dy pikë.

    Largimi u bë zyrtar pas një takimi me CEO-n Oliver Mintzlaff, duke e detyruar Markon të mbyllë bashkëpunimin një vit para përfundimit të kontratës. Lajmi u konfirmua nga gazeta holandeze De Limburger, e cila raporton se kjo ndarje është rezultat i një sërë vendimesh të njëanshme të marra nga Marko gjatë viteve të fundit, vendime që kanë cenuar marrëdhëniet e tij me skuderinë.

    Një nga këto vendime lidhet me shkarkimin e Christian Hornerit, një veprim i bërë pa miratimin e drejtuesve dhe që solli pasoja të mëdha ekonomike për ekipin. Një tjetër ishte promovimi i Arvid Lindblad te Racing Bulls, duke e zhvendosur Yuki Tsunodën, si dhe mosmarrëveshjet që lindën pas kalimit të Isak Haxhitar te Red Bull.

    Gjithashtu, gjatë verës Marko vendosi të nënshkruante kontratë me pilotin Alex Dan pas largimit të tij nga McLaren, një lëvizje që drejtuesit nuk e miratuan. Ata i kërkuan ta anulonte menjëherë marrëveshjen, gjë që i kushtoi Red Bullit qindra mijëra dollarë në pagesa kompensuese.

    Pavarësisht turbulencave të brendshme, një pikë e sigurt për skuderinë mbetet Max Verstappen. Kampioni holandez do të qëndrojë te Red Bull deri në fund të kontratës së tij në vitin 2028 dhe do të jetë në qendër të projekteve të reja të zhvillimit të makinës nga sezoni i ardhshëm, me synimin për të fituar titullin e tij të pestë botëror.

    Red Bull tashmë përballet me një nga momentet më të rëndësishme të tranzicionit në historinë e saj moderne, teksa përpiqet të ndërtojë një epokë të re pas largimit të Helmut Markos.

  • Van Basten kritikon Mohamed Salah: “Reagoi gabimisht ndaj Arne Slot”

    Van Basten kritikon Mohamed Salah: “Reagoi gabimisht ndaj Arne Slot”

    Legjenda e futbollit holandez, Marco van Basten, ka komentuar shpërthimin e sulmuesit Mohamed Salah ndaj trajnerit të Liverpoolit, Arne Slot, gjatë fundjavës, duke mos kursyer kritikat për yllin egjiptian.

    Sipas Van Basten, Salah ka reaguar në mënyrë të gabuar dhe nuk ka justifikim për sjelljen e tij. “Do të thoja: truri i një zogu të egër. Nëse reagon kështu… Ai luajti shumë mirë vitin e kaluar, por këtë sezon nuk po shfaq formën e duhur”, tha legjenda holandeze, duke shtuar se performanca e sulmuesit ka qenë zhgënjyese kohët e fundit.

    Ai theksoi gjithashtu se trajneri Slot është i ndershëm dhe i drejtpërdrejtë, dhe se tensioni i fundit ka ardhur nga reagimi i Salahut: “Slot nuk i shmanget një sherri dhe nuk thotë asgjë të pamatur. Salah, nga ana tjetër, filloi ta sulmonte dhe të reagonte gabimisht”, shtoi Van Basten.

    Ngjarja ka rikthyer në qendër të vëmendjes raportet e brendshme te Liverpooli, ndërsa debati mbi marrëdhënien mes yjeve të skuadrës dhe stafit teknik vazhdon të komentuar gjerësisht në media.

  • Kylian Mbappé i thirrur për ndeshjen Real Madrid – Manchester City

    Kylian Mbappé i thirrur për ndeshjen Real Madrid – Manchester City

    Ylli francez Kylian Mbappé është përfshirë në listën e lojtarëve të thirrur për ndeshjen e madhe ndërmjet Real Madrid dhe Manchester City, edhe pse po vuan nga një shqetësim muskulor.

    Megjithatë, Mbappé dëshiron të jetë i gatshëm për sfidën dhe tregon vendosmërinë e tij për të qenë pjesë e skuadrës në ditën e ndeshjes. Sipas mediave spanjolle, futbollisti francez ka treguar një mentalitet të fortë dhe ambicie për të kontribuar, pavarësisht shqetësimeve fizike.

    Ky lajm vjen si një motiv shtesë për tifozët e Real Madrid, të cilët shpresojnë që Mbappé të sjellë performancë të lartë kundër kampionëve anglezë.

  • Bruno Fernandes shpallet “Lojtari i Javës” në Premier League!

    Bruno Fernandes shpallet “Lojtari i Javës” në Premier League!

    Mesfushori portugez i Manchester United, Bruno Fernandes, është zgjedhur Lojtari i Javës në Premier League pas paraqitjes së shkëlqyer kundër Wolverhampton Wanderers.

    Fernandes ishte protagonist absolut në këtë ndeshje, duke shënuar dy gola dhe duke dhuruar një asist që ndihmoi skuadrën e tij të arrijë fitore të rëndësishme. Performanca e tij nuk kaloi pa u vlerësuar, duke i siguruar kështu çmimin prestigjioz për këtë javë.

    Ky është një tjetër sukses për portugezin, i cili vazhdon të jetë një nga lojtarët më të rëndësishëm dhe më të besueshëm të Manchester United dhe të Premier League.

  • Hidhet shorti për 1/8-tën e Kupës së Kosovës, dy super-derbi ndezin fazën pranverore!

    Hidhet shorti për 1/8-tën e Kupës së Kosovës, dy super-derbi ndezin fazën pranverore!

    Sot në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës është hedhur shorti për fazën e 1/8-tës së Kupës së Kosovës, duke prodhuar përballje tepër interesante dhe disa duele të zjarrta që premtojnë spektakël.

    Dueli kryesor i kësaj faze është padyshim Prishtina – Ballkani. Kampionët në fuqi të Kupës përballen me Ballkanin, skuadër që synon rikthimin te trofeu i Kupës, të cilin e fitoi dy sezone më parë pikërisht kundër kryeqytetasve. Ky takim shihet gjerësisht si një finale e parakohshme, duke marrë parasysh rivalitetin e fortë dhe formën e të dyja skuadrave.

    Një tjetër super-derbi është Drita – Llapi, një duel që gjithmonë sjell tension, emocione dhe rivalitet të madh. Drita synon trofetë prej vitesh, ndërsa Llapi ka treguar se në Kupë di të surprizojë, madje edhe të fitojë. Përballja konsiderohet e hapur dhe e paparashikueshme.

    Shorti është treguar disi më i favorshëm për Gjilanin, që ndeshet me Lirinë nga Liga e Parë, si dhe për Malishevën që përballet me Trepçën ’89.

    Po ashtu, janë caktuar edhe dy duele mes skuadrave të Superligës: Drenica – Ferizaj dhe Dukagjini – Prishtina e Re.

    Ndërkaq, dy ndeshje tjera do të luhen mes ekipeve të Ligës së Parë: Feronikeli 74’ – Dinamo dhe Vushtrria – Vëllaznimi.

    Faza e 1/8-tës pritet të zhvillohet në pjesën e parë të sezonit pranveror dhe sipas gjithçkaje që tregoi shorti, tifozët mund të presin shumë emocion dhe ndeshje me intensitet të lartë.

  • FIFA prezanton ndryshim të madh për Botërorin 2026: Loja do të ketë pushime të detyrueshme tre-minutëshe

    FIFA prezanton ndryshim të madh për Botërorin 2026: Loja do të ketë pushime të detyrueshme tre-minutëshe

    FIFA ka njoftuar një rregull të ri që pritet të ndikojë ndjeshëm mënyrën se si do të zhvillohet Kupa e Botës 2026. Për herë të parë, në çdo pjesë të lojës do të futet një pushim i detyrueshëm tre-minutësh rreth minutës së 23-të, duke e ndarë praktikisht ndeshjen në katër periudha – një koncept i ngjashëm me formatet e sporteve amerikane.

    Zyrtarisht, FIFA thotë se këto pushime synojnë “mbrojtjen e shëndetit të lojtarëve”. Por reagimet në komunitetin e futbollit dhe mediat ndërkombëtare tregojnë një skepticizëm të madh. Sipas tyre, ky është një hap tjetër drejt “amerikanizimit” të futbollit dhe krijimit të më shumë hapësirave për reklama televizive që sjellin fitime të mëdha financiare.

    Pushimet e reja do të aplikohen në të gjitha 104 ndeshjet e turneut, pavarësisht kushteve atmosferike. Ndryshe nga “pushimet e freskimit”, që zbatoheshin vetëm në nxehtësi të lartë, këto ndërprerje do të jenë të detyrueshme edhe në stadiumet me ajër të kondicionuar. FIFA përmend edhe ankesat e lojtarëve nga Kupa e Botës për Klube si një arsye shtesë për këtë ndryshim.

    Megjithatë, shumë media prestigjioze nga The Guardian deri te Sydney Morning Herald, theksojnë se vendimi u prezantua në një takim me kompanitë televizive, gjë që ka shtuar dyshimet se arsyeja kryesore është komerciale. Këto aludime u fuqizuan edhe më shumë nga deklarata e presidentit Gianni Infantino, i cili tha se Botërori 2026 “do të ketë një shfaqje në pjesën e parë të ngjashme me Super Bowl-in”.

    Përveç aspektit financiar, ky rregullim pritet të ndikojë drejtpërdrejt edhe në strategjinë e skuadrave. Pushimet e reja u japin trajnerëve dy mundësi shtesë për rregullime taktike gjatë lojës, gjë që mund të ndryshojë ritmin, psikologjinë dhe dinamikën e ndeshjes – duke e afruar futbollin me basketbollin apo NFL-në, ku ndërprerjet janë pjesë thelbësore e strategjisë.

    Me këtë vendim, Kupa e Botës 2026 nuk do të mbahet mend vetëm si turneu i parë me 48 ekipe, por edhe si një eksperiment i madh që mund të transformojë përgjithmonë sportin më të ndjekur në botë.

  • Lamine Yamal thyen rekordin e Mbappé, bëhet adoleshenti më produktiv në historinë e Champions League!

    Lamine Yamal thyen rekordin e Mbappé, bëhet adoleshenti më produktiv në historinë e Champions League!

    Lamine Yamal ka shkruar histori në UEFA Champions League. Me asistimin e tij ndaj Eintracht Frankfurt, talenti i Barcelonës ka arritur në 14 kontribuime direkte në gola, 7 gola dhe 7 asistime, duke u bërë lojtari i parë ndonjëherë nën moshën 18 vjeç që arrin këto shifra.

    Me këtë arritje, Yamal ka thyer rekordin e Kylian Mbappé, i cili deri tani mbante vendin e parë për më së shumti gola e asistime si adoleshent në Champions League.

    Yamal, vetëm 17 vjeç, është tashmë një nga lojtarët kryesorë të Barcelonës, i njohur për shpejtësinë, teknikën dhe qetësinë në vendime. Askush tjetër në historinë e garës, në moshën 18 vjeçare ose më të re, nuk ka arritur numra të tillë.

    UEFA e ka konfirmuar zyrtarisht rekordin, ndërsa Barcelona po përfiton nga forma e tij e jashtëzakonshme. Bota e futbollit po sheh një superyll të ri që po ngjitet me shpejtësi drejt majës.

  • Arsenali goditet nga mungesat para ndeshjes së Champions League, Declan Rice jashtë sfidës me Brugge!

    Arsenali goditet nga mungesat para ndeshjes së Champions League, Declan Rice jashtë sfidës me Brugge!

    Arsenali merr një tjetër goditje të rëndësishme vetëm pak orë para ndeshjes së sotme ndaj Club Brugge në Ligën e Kampionëve. Mesfushori kyç Declan Rice është konfirmuar jashtë skuadrës për shkak të një sëmundjeje, duke e lënë ekipin e Artetës pa një nga lojtarët më të rëndësishëm në mesfushë.

    Lajmi është bërë i ditur sot, ku raportohet se Rice është i sëmurë dhe nuk ka mundur të stërvitet me ekipin, duke mos qenë i gatshëm për sfidën e mbrëmjes.

    Mungesa e tij shtohet listës së problemeve për Mikel Artetën, i cili tashmë po përballet me disa dëmtime dhe duhet të gjejë alternativa për një ndeshje vendimtare në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

    Arsenali udhëton sonte në Belgjikë për t’u përballur me Bruggen, në një duel ku “Topçinjtë” synojnë të sigurojnë pikë të rëndësishme për vazhdimin e rrugëtimit evropian. Pa Rice në mesfushë, përgjegjësia bie mbi lojtarë si Jorginho, Partey ose Kai Havertz, varësisht zgjedhjes taktike të Artetës.

    Ndeshja pritet të nisë me intensitet të lartë, ndërsa mungesa e Rice e bën misionin e Arsenalit edhe më të vështirë.

  • Dy duele të forta ndezin Superligën e Kosovës sonte

    Dy duele të forta ndezin Superligën e Kosovës sonte

    Elita e basketbollit kosovar rikthehet sonte me dy sfidat e para të xhiros së dhjetë, duke sjellë rivalitet dhe emocione të forta në parket.

    Derbi i kësaj xhiro pritet të ndezë atmosferën në Prizren, ku përballen Bashkimi dhe Trepça, nënkampioni dhe kampioni aktual i Kosovës. Portokallezinjtë e Prizrenit kanë bilanc prej shtatë fitoreve dhe dy humbjeve, ndërsa ‘Xehetarët’ nga Mitrovica kanë pesë fitore dhe tri humbje.

    Skuadrat kanë nisur sezonin me formë të shkëlqyer: prizrenasit regjistruan shtatë fitore radhazi para dy humbjeve, ndërsa mitrovicasit po zhvillojnë një edicion mjaft interesant me pesë fitore dhe tri humbje. Për më tepër, të dy ekipet kanë përvojë ndërkombëtare pasi morën pjesë në grupet e FIBA Europe Cup.

    Të mërkurën, Vëllaznimi do të presë Golden Eagle Yllin në një përballje ku kuqezinjtë vijnë pas dy fitoreve radhazi dhe mbajnë një bilanc prej tre fitoreve dhe gjashtë humbjeve, ndërsa therandasit kanë dy fitore dhe shtatë humbje.

    Në ditën e enjte, GO+ Peja do të përballet me Borën, me pejanët që regjistrojnë shtatë fitore dhe dy humbje, ndërsa prishtinasit tri fitore dhe pesë humbje. E një sfidë që premton tension dhe lojë të bukur është ajo ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Rahoveci 029, ku të dy ekipet kanë nga katër fitore dhe pesë humbje.

    Kalendari i xhiros së 10-të: E mërkurë | 18:45 Bashkimi – Trepça, 18:45 Vëllaznimi – Golden Eagle Ylli.

    E enjte | 18:45 GO+ Peja – Bora, 18:45 Sigal Prishtina – Rahoveci 029.

  • Orlando dhe New York shkëlqejnë në çerekfinalet e Kupës së NBA-së, përballje e zjarrtë në gjysmëfinale

    Orlando dhe New York shkëlqejnë në çerekfinalet e Kupës së NBA-së, përballje e zjarrtë në gjysmëfinale

    Kupa e NBA-së solli spektakël gjatë natës, ku Orlando Magic dhe New York Knicks siguruan biletat për gjysmëfinale pas dy paraqitjeve mbresëlënëse, duke treguar se janë seriozisht pretendentë për trofeun e ri të ligës më të fortë të basketbollit në botë.

     

    Orlando realizoi surprizën e madhe të mbrëmjes duke mposhtur Miami Heat me rezultat 117:108, pavarësisht mungesës së yllit Franz Wagner.

    Në skenë u ngjit Desmond Bane, i cili shpërtheu me 37 pikë, duke marrë mbi supe krejt ofensivën e ekipit dhe duke u shpallur heroi i padiskutueshëm i sfidës.

    Edhe Jalen Suggs kontribuoi me 20 pikë, ndërsa Paolo Banchero, i rikthyer pas një lëndimi, realizoi 18 pikë të vlefshme për këtë fitore të madhe.

    Miami u mbajt në lojë nga 20 pikët e Tyler Herro, si dhe 19 pikët e Bam Adebayo e Andrew Wiggins, por këto nuk mjaftuan për të shmangur eliminimin.

     

     

    Në ndeshjen tjetër çerekfinale, New York Knicks treguan forcë dhe disiplinë duke mposhtur Toronto Raptors me shifrat 117:101.

    Jalen Brunson ishte thjesht i pandalshëm me 35 pikë, duke udhëhequr Knicks drejt një fitoreje të sigurt.

    Ndërkohë, Josh Hart shtoi 21 pikë, duke plotësuar një performancë të shkëlqyer ekipore.

    Për Raptors, Brandon Ingram u përpoq t’i mbante gjallë shpresat me 31 pikë, por pa mundur të ndryshojë fatin e ndeshjes.

     

    Tashmë gjithçka është gati për gjysmëfinalet, ku Orlando do të përballet me New York-un në një duel që premton intensitet, energji dhe basketboll të nivelit më të lartë.

    Përballja tjetër do të përcaktohet nga fituesit e ndeshjeve të sotme: Oklahoma City – Phoenix dhe LA Lakers – San Antonio.

    Kupa e NBA-së po sjell emocion pas emocioni, dhe gjysmëfinalet premtojnë edhe më shumë dramë dhe spektakël.