ATV

Category: Sport

  • “Skifterat” japin shembull – SC Gjilani ndan mjete për bamirësi

    “Skifterat” japin shembull – SC Gjilani ndan mjete për bamirësi

    Klubi i Gjilanit vazhdon të dëshmojë se është një nga klubet më të veçanta në Superligën e Kosovës, jo vetëm për paraqitjet sportive, por edhe për angazhimin e vazhdueshëm humanitar.

    Skuadra gjilanase, e njohur si “Skifterat”, çdo fundvit shfaq anën e saj humane duke mbështetur shoqata bamirëse dhe kategori të ndjeshme të shoqërisë. Këtë herë, klubi ka ndarë nga 2 mijë euro për secilën prej tri organizatave: Qendrën e Kujdesit Ditor “Pema”, Shoqatën “Handikos” dhe Shoqatën e të Verbërve në Gjilan.

    “Sporti nuk është vetëm garë dhe emocione në fushë – ai është edhe zemër, solidaritet dhe përgjegjësi shoqërore”, thuhet në njoftimin e Fondacionit Sport Club Gjilani. Me këtë frymë, klubi ka ndërmarrë një hap domethënës duke ofruar mbështetje financiare për këto shoqata që luajnë rol të rëndësishëm në komunitet.

    Drejtuesit e klubit, së bashku me disa futbollistë dhe anëtarë të stafit teknik, vizituan nga afër këto tri shoqata, ku përveç ndihmës financiare u shpërndanë edhe dhurata simbolike, si shenjë respekti dhe solidariteti.

    Fondacioni SC Gjilani ka bërë të ditur se do të vazhdojë edhe në të ardhmen me veprimtari humanitare, me synimin për të zgjeruar mbështetjen ndaj organizatave dhe iniciativave që kontribuojnë në mirëqenien e komunitetit. /ATVLIVE.TV

  • Superkupa e Italisë rikthehet te formati klasik, nuk do të zhvillohet më në Riad

    Superkupa e Italisë rikthehet te formati klasik, nuk do të zhvillohet më në Riad

    Superkupa e Italisë nga viti i ardhshëm do të vendoset në një ndeshje të vetme dhe nuk do të organizohet më si turne në Riad. Lajmi u konfirmua nga presidenti i Serie A, Ezio Maria Simonelli.

    “Nuk kemi më nevojë për dy gjysmëfinale. Vitin e ardhshëm Kupa e Azisë do të zhvillohet në Riad dhe autoritetet saudite na kanë njoftuar se nuk do të jetë e mundur të organizohet Superkupa atje. Kjo na jep lirinë të zgjedhim vetë datën dhe vendin,” deklaroi Simonelli.

    Ai shtoi se synimi është rikthimi te formati tradicional i garës. “Ideja ime është të kthehemi te formula klasike, një finale mes kampionit të Serie A dhe fituesit të Kupës së Italisë. Nëse miratohet kjo skemë, ndeshja mund të luhet në fillim të sezonit, ashtu siç ka qenë më parë. Megjithatë, këto janë vendime që duhet të merren nga Këshilli i Ligës, përfshirë edhe përcaktimin e vendit të finales,” tha ai për radion Anke i Sport.

    Në edicionin e vitit 2025, Superkupa e Italisë u zhvillua me formatin me katër skuadra, ku Napoli, Milani, Interi dhe Bologna garuan për trofeun, i cili përfundimisht u fitua nga skuadra e drejtuar nga Antonio Conte. /ATVLIVE.TV

  • Legjenda e Liverpoolit rrëfen betejën për jetën: “Mendova se ishte fundi”

    Legjenda e Liverpoolit rrëfen betejën për jetën: “Mendova se ishte fundi”

    Ish-sulmuesi legjendar i Liverpoolit, Ian Rush, ka zbuluar se kohët e fundit ka kaluar një nga momentet më të vështira të jetës së tij, pasi u rrëzua në shtëpi dhe përfundoi me urgjencë në spital.

    Ikona e Liverpoolit dhe e Uellsit, 64 vjeç, u shtrua më 11 dhjetor për shkak të asaj që u përshkrua si një “supergrip”. Gjendja e tij ishte serioze, duke e detyruar të kalonte dy ditët e para në kujdes intensiv për shkak të problemeve të rënda me frymëmarrjen.

    Pasi u rikuperua plotësisht, Rush foli për BBC Sport, duke ndarë përvojën e tij tronditëse. “Mendova më të keqen, mendova se ky mund të ishte fundi. Nuk mund të merrja frymë dhe ishte jashtëzakonisht e vështirë. Kishte momente kur mendoja se nuk do të isha këtu për shumë gjatë, por tani ndihem shumë më mirë dhe më i fortë,” u shpreh ai.

    Rush vlerësoi veçanërisht partneren e tij, Carol, për rolin vendimtar në ato momente kritike. “Ishte një përvojë e tmerrshme. Pata panik sepse nuk merrja dot frymë. Carol ishte e jashtëzakonshme – ajo më ndihmoi të qëndroja i qetë dhe të merrja frymë derisa mbërriti ambulanca,” tha ai.

    Ian Rush mbetet një nga figurat më të mëdha në historinë e Liverpoolit. Gjatë dy periudhave me klubin, ai fitoi pesë tituj të Divizionit të Parë, dy Kupa Evropiane, tre Kupa FA dhe pesë Kupa të Ligës. Ai ishte golashënuesi më i mirë i klubit për tetë sezone radhazi dhe vazhdon të mbajë rekordin si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Liverpoolit.

    Në arenën ndërkombëtare, Rush regjistroi 73 paraqitje me kombëtaren e Uellsit, duke shënuar 28 gola, çka e rendit të dytin në listën e golashënuesve më të mirë, pas Gareth Bale. Përveç Liverpoolit, ai ka luajtur edhe për Chester, Juventus, Leeds, Newcastle, Sheffield United, Wrexham dhe e përfundoi karrierën e tij në Australi me Sydney Olympic.

    Pas tërheqjes nga futbolli aktiv, Rush pati një periudhë të shkurtër si trajner, fillimisht si trajner sulmues te Liverpool dhe më pas si menaxher i Chester, angazhimi i tij i vetëm si trajner kryesor. /ATVLIVE.TV

  • FIFA dhe Wenger synojnë të transformojnë rregullin e jashtëlojes për Kupën e Botës 2026

    FIFA dhe Wenger synojnë të transformojnë rregullin e jashtëlojes për Kupën e Botës 2026

    FIFA po shqyrton një ndryshim të madh dhe potencialisht revolucionar në rregullin e pozicionit jashtë loje, i cili mund të ndryshojë ndjeshëm mënyrën se si luhet dhe gjykohet futbolli modern. Lajmi u bë i ditur nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, gjatë Samitit Botëror të Sportit që u mbajt së fundmi në Dubai.

    Ndryshimi i propozuar është prezantuar fillimisht dy vjet më parë nga ish-trajneri legjendar i Arsenalit, Arsene Wenger, dhe synon të reduktojë polemikat e shumta që shoqërojnë vendimet për pozicion jashtë loje, veçanërisht në epokën e VAR-it, ku diferencat mes sulmuesit dhe mbrojtësit shpesh maten në milimetra.

    Sipas të ashtuquajturit “Ligji i Wenger”, një lojtar nuk do të konsiderohej më në pozicion jashtë loje nëse vetëm një pjesë e trupit të tij është përpara mbrojtësit. Jashtë loje do të shpallej vetëm në rastet kur i gjithë trupi i sulmuesit ndodhet përpara kundërshtarit në momentin e pasimit.

    Presidenti Infantino konfirmoi se FIFA po e analizon seriozisht këtë propozim, duke theksuar se synimi kryesor është ta bëjë lojën më sulmuese dhe më tërheqëse për tifozët.

    “Po shqyrtojmë ndryshimin e rregullit të pozicionit jashtë loje, i cili ka evoluar me kalimin e viteve. Ndoshta në të ardhmen, një sulmues do të duhet të jetë plotësisht përpara mbrojtësit për t’u konsideruar jashtë loje. Ne vazhdojmë të analizojmë rregullat për ta bërë futbollin më dinamik dhe më emocionues”, ka deklaruar Infantino.

    Propozimi i Wenger pritet të analizohet nga Bordi Ndërkombëtar i Shoqatës së Futbollit (IFAB) në një takim që do të mbahet më 20 janar në Londër. Më pas, çështja do të diskutohet në Asamblenë e Përgjithshme të IFAB-it në shkurt, në Uells, ku mund të merret edhe vendimi përfundimtar.

    Nëse miratohet, ky ndryshim mund të hyjë në fuqi që nga sezoni i ardhshëm, duke shënuar një nga reformat më të mëdha në rregullat e lojës në vitet e fundit.

  • Asllani poston foto me Xavi-n, takim që mund t’i hapë rrugën drejt Barcelonës?

    Asllani poston foto me Xavi-n, takim që mund t’i hapë rrugën drejt Barcelonës?

    Fisnik Asllani po kalon një formë fantastike në Bundesliga këtë sezon. Lojtari i Hoffenheimit ka tërhequr vëmendje me golat e tij dhe është bërë një nga elementët kryesorë të ekipit.

    Interesi për kosovarin nuk mungon. Sipas mediave, Barcelona e ka vënë në listën e saj si një zëvendësues potencial për Robert Lewandowskin.

    Lajmet u forcuan pas një fotografie të Asllanit pranë legjendës katalanase, Xavi Hernandez, të postuar në Instagram me mbishkrimin: “Kënaqësi e madhe.”

    Aktualisht, Asllani ndodhet në Katar për pushime dimërore, por formën e tij në fushë e ka treguar me 6 gola në 15 paraqitje për Hoffenheimin këtë sezon në ligën gjermane. /ATVLIVE.TV

  • Messi kryeson listën e 100 më të mirëve, duke lënë pas Pele dhe Maradonën

    Messi kryeson listën e 100 më të mirëve, duke lënë pas Pele dhe Maradonën

    Lionel Messi është shpallur futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, sipas revistës prestigjioze angleze ‘FourFourTwo’. Revista përditësoi klasifikimin e 100 futbollistëve më të mirë që ka njohur bota e futbollit dhe ylli argjentinas, kampion bote në fuqi dhe kapiten i kombëtares së Argjentinës, kryeson këtë listë.

    Në moshën 38-vjeçare, Messi ka lënë pas dy legjenda të sportit si Pele, brazilianin e jashtëzakonshëm dhe Diego Maradona, i njohur si “El Pibe de Oro”, të cilët plotësojnë podiumin e klasifikimit. Cristiano Ronaldo, edhe pse 40-vjeçar dhe në formë të jashtëzakonshme, renditet i katërti në këtë listë, duke lënë pas emra legjendarë si Johan Cruyff, Zinedine Zidane, Franz Beckenbauer dhe Alfredo Di Stefano.

    Dhjetëshen më të mirë e plotësojnë edhe Ronaldo Nazario dhe George Best, ndërsa lista e 100 më të mirëve përfshin emra si Marco Van Basten, Eusebio, Paolo Maldini, Ronaldinho, Lev Yashin, Xavi Hernandez, Andres Iniesta, Luka Modric, Thierry Henry dhe Ruud Gullit.

    Ky klasifikim vlerëson kontributin e jashtëzakonshëm të Messi-t në futboll, duke e konsoliduar si një nga figurat më ikonike të historisë së këtij sporti. /ATVLIVE.TV

  • Pas një muaji larg, Araujo rifillon stërvitjet

    Pas një muaji larg, Araujo rifillon stërvitjet

    Kapiteni i Barcelonës, Ronald Araujo, është rikthyer në stërvitje me klubin katalanas pas një mungese prej një muaji, që ai e kishte kërkuar për tu përkujdesur për shëndetin e tij mendor. Sipas raportimeve të L’Équipe, uruguaiani 26-vjeçar rifilloi punën në qendrën stërvitore të Barcelonës të hënën, më 29 dhjetor.

    Araujo nuk kishte luajtur që nga 25 nëntori, kur u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Chelseat, në humbjen 3-0. Pas këtij momenti, mbrojtësi kërkoi një pushim për të rifreskuar mendërisht, një kërkesë që klubi e pranoi dhe i dha kohë për rikuperim.

    Gjatë mungesës së tij, Barcelona ka shënuar progres të dukshëm, duke u rikthyer në krye të La Ligës dhe regjistruar shtatë fitore radhazi në të gjitha garat. Me Andreas Christensen jashtë për shkak të një dëmtimi afatgjatë, Araujo pritet të rikthehet shpejt si titullar nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick.

    Barcelona do të rikthehet në fushë të shtunën kundër Espanyolit në orën 21:00, ndërsa më pas skuadra udhëton për në Jeddah për të marrë pjesë në Superkupën e Spanjës, ku do të përballet me Athletic Bilbao në gjysmëfinale më 7 janar. Rikthimi i Araujo pritet të forcojë mbrojtjen e katalanasve për këtë sfidë të rëndësishme. /ATVLIVE.TV

  • Dy asistime – Vojvoda në formacionin e javës në Serie A

    Dy asistime – Vojvoda në formacionin e javës në Serie A

    Xhiroja e 17-të e Serie A ka përfunduar me një paraqitje fantastike të Mërgim Vojvodës, i cili ka ndihmuar Como-n të triumfojë me rezultatin 3-0 në udhëtim te Lecce. Ylli kosovar ishte protagonist absolut i sfidës, duke dhuruar dy asistime vendimtare dhe duke spikatur në lojë.

    Falë performancës së tij, Vojvoda u përfshi në formacionin e javës nga faqja e specializuar SofaScore, ku mori notën 7,8 dhe u konsiderua një nga futbollistët më të vlerësuar të Comos.

    Përveç Vojvodës, formacioni i javës përfshin edhe:

    • Portier: Caprile (Cagliari)

    • Mbrojtës: Kalulu (Juventus), Ziolkowski (Roma), Valenti (Parma)

    • Mesfushorë: Moro (Bologna), Nico Paz (Como), Kenan Yildiz (Juventus), Christopher Nkunku (Milan)

    • Sulm: Douvikas (Como), Rasmus Hojlund (Napoli)

    Ky sukses i Comos dhe performanca e Vojvodës tregojnë rëndësinë e lojtarëve kosovarë në futbollin italian dhe ndikimin që mund të kenë në ekipet e tyre. /ATVLIVE.TV

  • Sturm Graz me trajner të ri, Atdhe Nuhiu drejt një hapi të madh në karrierë

    Sturm Graz me trajner të ri, Atdhe Nuhiu drejt një hapi të madh në karrierë

    Fabio Ingolitsch është emëruar zyrtarisht trajner i ri i kampionit në fuqi të Austrisë, Sturm Graz, duke hapur një kapitull të ri për klubin austriak në prag të pjesës së dytë të sezonit.

    Sipas mediave austriake, Ingolitsch pritet ta marrë me vete edhe ndihmëstrajnerin e tij nga Altachu, Atdhe Nuhiun. Ky i fundit shihet si pjesë e stafit teknik të ri, duke e bërë këtë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.

    Trajneri i ri do ta nisë zyrtarisht punën te Sturm Graz të premten, ndërsa debutimi i tij në stolin e kampionëve austriakë do të jetë më 22 janar, në ndeshjen e fazës së Ligës së Evropës ndaj Feyenoordit.

    Atdhe Nuhiu, 36-vjeçar, ka nisur karrierën e tij si ndihmëstrajner te Altachu në vitin 2024 dhe aktualisht është gjithashtu ndihmës i përzgjedhësit të Kosovës, Franco Foda. Si futbollist, Nuhiu ka qenë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në 19 ndeshje, gjatë periudhës 2017–2021.

    Angazhimi i mundshëm te Sturm Graz do të përfaqësonte një hap të madh përpara në karrierën e Nuhiut, duke qenë pjesë e stafit të një prej klubeve më të mëdha dhe më të suksesshme në futbollin austriak.

  • Ter Stegen drejt largimit? Girona futet seriozisht në garë për portierin gjerman

    Ter Stegen drejt largimit? Girona futet seriozisht në garë për portierin gjerman

    E ardhmja e Marc-André ter Stegen mund të marrë një kthesë të papritur gjatë afatit kalimtar të janarit. Portieri gjerman i Barcelonës është shfaqur si një objektiv konkret për huazim nga Girona.

    Sipas burimeve pranë klubit katalanas, ter Stegen është në listën e dëshirave të Gironës, ndërsa raportohet se janë gjithsej tre klube të interesuara për shërbimet e tij në formë huazimi. Vetë Girona ka konfirmuar interesimin, duke e konsideruar portierin si një përforcim madhor për pjesën e dytë të sezonit.

    Trajneri i Gironës, Michel, nuk e ka fshehur entuziazmin për këtë mundësi, duke deklaruar: “Do të më pëlqente shumë ta kisha ter Stegen me ne. Ai është një portier i klasit botëror.”

    Megjithatë, realizimi i marrëveshjes varet nga miratimi i rregullave të Fair Play Financiar të La Ligës, që mund të jenë faktori vendimtar për këtë transferim të bujshëm. Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e portierit gjerman.