ATV

Category: Sport

  • Manchester United shkarkon trajnerin Ruben Amorim pas 14 muajsh

    Manchester United shkarkon trajnerin Ruben Amorim pas 14 muajsh

    Manchester United ka vendosur të shkarkojë trajnerin Ruben Amorim nga pozicioni i trajnerit kryesor, me portugezin 40-vjeçar që do të largohet menjëherë pas 14 muajsh në krye të klubit.

    Vendimi vjen pas raportimeve për tensione midis Amorim dhe hierarkisë së klubit, përfshirë drejtorin e futbollit, Jason Wilcox. Gjatë mandatit të tij, rezultatet e Manchester United kanë qenë të paqëndrueshme, duke e lënë ekipin të luftojë për të sfiduar kryesimin e Premier Ligës.

    Darren Fletcher pritet të marrë drejtimin e përkohshëm të skuadrës, ndërsa klubi po kërkon një trajner të përhershëm për të stabilizuar performancën dhe drejtimin sportiv.

    Për momentin ‘Djajtë e Kuq’ mbajnë vendin e gjashtë në tabelë me 31 pikë. /ATVLIVE.TV

  • Kombëtarja e Kosovës luan dy miqësore në Slloveni

    Kombëtarja e Kosovës luan dy miqësore në Slloveni

    Federata e Hendbollit e Kosovës ka nisur menjëherë aktivitetet për vitin 2026, duke planifikuar dy ndeshje miqësore të rëndësishme për Kombëtaren A të meshkujve në Slloveni. Këto përballje synojnë të përgatisin ekipin kombëtar për sfidat garuese që do të pasojnë gjatë vitit.

    Shtabi teknik i udhëhequr nga selektori Jesper Ostlund ka planifikuar këto miqësore si një mundësi ideale për të testuar taktikat e reja, për të dhënë shansin lojtarëve të rinj dhe për të konsoliduar lojën e ekipit në mënyrë që të jetë sa më i fortë dhe i bashkuar për sfidat ndërkombëtare.

    Kosova do të udhëtojë të martën mbrëma për në qytetin e Lashkos të Sllovenisë, ku të enjten më 8 janar, nga ora 17:00, do të zhvillohet miqësorja Kuvajti – Kosova. Ky takim do të shërbejë si një test i rëndësishëm për lojtarët, pasi ata do të përballen me një ekip që ka cilësi të ndryshme teknike dhe taktike, duke sfiduar aftësitë e tyre në fushë.

    Më pas, të shtunën më 10 janar, nga ora 11:00, në qytetin e Rogashka Slatinës do të zhvillohet miqësorja Kosova – Algjeria.

    Për këto miqësore, selektori pritet të ketë në dispozicion një numër më të madh lojtarësh, duke përfshirë disa talentë të rinj që mund të bëhen pjesë e ekipit kombëtar për herë të parë. Ky është një hap i rëndësishëm në ndërtimin e një grupi konkurrues dhe të përgatitur mirë për sfidat ndërkombëtare. /ATVLIVE.TV

  • Kosova U18 e zhvillon sot ndeshjen e fundit në grup ndaj Turqisë

    Kosova U18 e zhvillon sot ndeshjen e fundit në grup ndaj Turqisë

    Kombëtarja U18 e Kosovës në volejboll do ta zhvillojë sot ndeshjen e tretë dhe të fundit në fazën e grupeve të Kualifikimeve të Kampionatit Evropian CEV U18 2026, duke u përballur me Turqinë.

    Takimi do të luhet në Podgoricë, në palestrën SC Verde, me fillim nga ora 15:30.

    Për Kosovën, kjo ndeshje paraqet mundësinë e fundit në grup për një paraqitje sa më të mirë në një turne me konkurrencë të fortë evropiane.

    Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK) fton të gjithë dashamirët e volejbollit ta ndjekin dhe ta përkrahin Kombëtaren U18 në këtë përballje ndaj Turqisë. /ATVLIVE.TV

  • Kosova përfaqësohet edhe në drejtësinë sportive në Kualifikimet e CEV U18 2026

    Kosova përfaqësohet edhe në drejtësinë sportive në Kualifikimet e CEV U18 2026

    Përveç pjesëmarrjes së Kombëtares U18 në Kualifikimet e Kampionatit Evropian CEV U18 2026 në Podgoricë, Kosova po përfaqësohet me dinjitet edhe në aspektin e drejtësisë sportive, përmes gjyqtarit kosovar me thirrje të FIVB-së, Burim Zymeri.

    Burim Zymeri është deleguar për të ndarë drejtësinë në këtë turne të rëndësishëm evropian, duke qenë pjesë e trupit të gjyqtarëve që po drejtojnë ndeshjet e Kualifikimeve U18.

    Prania e tij në një event të këtij niveli përbën vlerësim të lartë profesional, si për vetë Zymerin, ashtu edhe për volejbollin e Kosovës në përgjithësi.

    Angazhimi i një gjyqtari kosovar me thirrje të FIVB-së në garat kualifikuese të Kampionatit Evropian dëshmon për besimin e institucioneve ndërkombëtare në profesionalizmin, përgatitjen dhe standardet e larta të arbitrimit nga Kosova.

    Ky është një tregues i qartë i avancimit të vazhdueshëm të kuadrove kosovare në arenën ndërkombëtare.

    Përfaqësimi i Kosovës përmes gjyqtarit Burim Zymeri në këto kualifikime i jep dimension shtesë pjesëmarrjes së vendit tonë në Kampionatin Evropian U18, duke konfirmuar se Kosova po kontribuon
    jo vetëm me ekipe dhe sportistë, por edhe me kuadro profesionale të nivelit të lartë në volejbollin evropian dhe botëror. /ATVLIVE.TV

  • Vedat Muriqi shënon golin e 10-të në La Liga, shfaqet si një ndër sulmuesit më të mirë

    Vedat Muriqi shënon golin e 10-të në La Liga, shfaqet si një ndër sulmuesit më të mirë

    Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi vazhdon të shkëlqejë në La Liga, duke shënuar një tjetër gol këtë herë ndaj Gironas.

    Qendërsulmuesi i ekipit fitoi një penallti në minutat e fundit të ndeshjes, pasi u faullua brenda zonës nga lojtari kundërshtar.

    Nga pika e bardhë, 31 vjeçari nuk gaboi dhe ngushtoi epërsinë në minutën 90+1’ për 2-1.

    Mirwpo goli i tij nuk mjaftoi qw ekipi ishullor t’i shmangej humbjes, megjithatw nw aspektin personal pwr djalin nga Prizreni, ky është goli i 10-të në kampionatin spanjoll, duke e renditur atë si golashënuesin e tretë më të mirë pas Ferran Torres me 11 gola dhe Kylian Mbappe me gjithsej 18 gola.

    Performancat e tij të fundit konfirmojnë se Muriqi është një nga sulmuesit më të rrezikshëm në La Liga, pasiqë në 17 xhiro numëron 10 gola. /ATVLIVE.TV

  • Sinjal nga Londra – Rosenior favorit absolut për stolin e Chelseat

    Sinjal nga Londra – Rosenior favorit absolut për stolin e Chelseat

    Liam Rosenior ka mbërritur në Londër, ndërsa procesi për emërimin e tij si trajner i ri i Chelseat ka hyrë në fazën vendimtare. Prania e tij në kryeqytetin anglez shihet si një sinjal i qartë se bisedimet mes palëve janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje.

    Ish-trajneri i Hull Cityt ka qenë prej kohësh në listën e preferencave të drejtuesve të klubit londinez dhe ka mbetur kandidati kryesor edhe përpara përkeqësimit të marrëdhënieve me Enzo Marescan, që çuan në ndarjen mes palëve.

    Pronari BlueCo, fondi që kontrollon Chelsean, po punon intensivisht për ta sjellë Rosenior në Stamford Bridge, duke e parë atë si një projekt afatgjatë dhe si figurë kyçe për rindërtimin dhe stabilizimin e skuadrës.

    Megjithatë, para se marrëveshja të finalizohet, drejtuesit po përpiqen të zgjidhin edhe situatën menaxheriale te Strasbourg, klubi tjetër nën të njëjtën pronësi, në mënyrë që të shmangen çdo lloj komplikimi administrativ.

    Bisedimet me Rosenior pritet të intensifikohen gjatë ditëve në vijim, me palët që mbeten në kontakt të vazhdueshëm për detajet e kontratës dhe planin sportiv.

    Sapo këto çështje të mbyllen, emërimi i tij në stolin e Chelseat pritet të përshpejtohet, duke hapur një kapitull të ri për klubin londinez.

    Në pritje të zyrtarizimit, mbetet të shihet nëse Rosenior do të arrijë t’i rikthejë Chelseat stabilitetin dhe ambicien pas një periudhe të trazuar drejtimi.

    Kujtojmë se karrierën si trajner, Rosenior e nisi në vitin 2022 si trajner i përkohshëm i Derby County, ku drejtoi ekipin në 12 ndeshje. Më pas, nga nëntori i vitit 2022 deri në maj 2024, ai ishte trajner i Hull City, ku u vlerësua për punën e tij dhe stilin modern të lojës.

    Ndërsa suksesi më i madh ka ardhur në arenën evropiane, ku Strasburgu ka shkëlqyer në Ligën e Konferencës, duke e përfunduar fazën e ligës në vendin e parë, me 16 pikë nga 18 të mundshme.

    Si futbollist, Rosenior ka një karrierë të gjatë prej mbi 15 vitesh në Premier League dhe Championship, duke veshur fanellat e klubeve si Fulham, Reading, Ipswich, Hull City dhe Brighton. /ATVLIVE.TV

  • Rrahmani i pandalshëm – Rekord historik dhe “Lojtari i ndeshjes” ndaj Lazios

    Rrahmani i pandalshëm – Rekord historik dhe “Lojtari i ndeshjes” ndaj Lazios

    Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, po vazhdon të dëshmojë se është një nga shtyllat kryesore të Napolit dhe një ndër qendërmbrojtësit më të mirë në Serie A. Me paraqitjet e tij të qëndrueshme dhe vendimtare, 31 vjeçari jo vetëm që garanton siguri në mbrojtje, por po lë gjurmë edhe në aspektin ofensiv.

    Në ndeshjen ndaj Lazios, Rrahmani realizoi një tjetër gol të rëndësishëm, duke e çuar në kuotën e 11 golave të shënuar gjatë pesë viteve të fundit në ligën italiane. Me këtë shifër, ai është bërë mbrojtësi me më së shumti gola në elitën e futbollit italian në këtë periudhë, një rekord vërtet mbresëlënës.

    Performanca e tij ndaj Lazios u vlerësua maksimalisht, pasi Rrahmani u shpall “Lojtari më i mirë i ndeshjes”, ndërsa nga platforma statistikore “SofaScore” u vlerësua me notën e lartë 8.0, duke konfirmuar ndikimin e madh që kishte në lojën e skuadrës.

    Pas përfundimit të ndeshjes, djali nga Prishtina u shpreh i kënaqur si për golin, ashtu edhe për rezultatin pozitiv të ekipit.

    “Jam shumë i lumtur që arrita të shënoj sërish. Duhet të vazhdojmë kështu. Kemi lojtarë me strukturë dhe cilësi, të cilët mund të jenë shumë të rrezikshëm për çdo kundërshtar”, deklaroi Rrahmani.

    Ai shtoi se ndjenja e golit i kishte munguar, por theksoi se suksesi i ekipit është gjithmonë prioritet.

    “Më kishte munguar ndjenja e golit, por është gjithmonë më e bukur kur fiton skuadra”.

    Rrahmani u ndal edhe te forma e shkëlqyer e Napolit në javët e fundit.

    “Është fitorja jonë e katërt radhazi me rezultat 2-0. Jemi një skuadër e fortë dhe shpresojmë të vazhdojmë në këtë ritëm. Në futboll asgjë nuk është e pamundur”, u shpreh ai për kanalin “DAZN”.

    Aktualisht, Napoli renditet në pozitën e tretë në tabelën e Serie A me 37 pikë, vetëm dy pikë më pak se kryesuesi Interi, duke mbajtur gjallë garën për titullin kampion. /ATVLIVE.TV

  • Asllani drejt largimit nga Torino?

    Asllani drejt largimit nga Torino?

    Kristjan Asllani duket se nuk ka arritur të lërë gjurmë te Torino, pasi paraqitjet e tij nuk kanë bindur drejtuesit e klubit italian.

    Sipas gazetarit të njohur Nico Schira, mesfushori shqiptar është kandidat për t’u larguar që në afatin kalimtar të janarit, raportojnë mediat italiane.

    23 vjeçari është i huazuar nga Interi deri në fund të sezonit, konkretisht deri në muajin qershor, por drejtuesit e Torinos po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e ndërprerjes së huazimit dhe rikthimit të tij te zikaltërit gjashtë muaj më herët.

    Ende nuk ka një vendim përfundimtar lidhur me të ardhmen e djalit nga Elbasani, por pritet që situata të qartësohet në ditët në vijim, me disa opsione të hapura, përfshirë rikthimin te Interi ose një huazim tjetër.

    Që nga transferimi te Torino, Kristjan Asllani ka regjistruar 16 paraqitje në të gjitha kompeticionet, por nuk ka arritur të shënojë gol apo të ketë ndikim vendimtar në lojën e skuadrës. /ATVLIVE.TV

  • Vedat Muriqi vesh tutat si të Maduros, Nike e shet gjithë modelin brenda pak orësh

    Vedat Muriqi vesh tutat si të Maduros, Nike e shet gjithë modelin brenda pak orësh

    Vedat Muriqi ka tërhequr vëmendje të madhe në rrjetet sociale pas një detaji të pazakontë në veshjen e tij sportive.

    Sulmuesi i Kosovës është fotografuar me një tuta Nike identike me atë që mbante presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, gjatë arrestimit të tij.

    Tuta gri me detaje të zeza është bërë menjëherë virale, pasi fotot e Muriqit u shpërndanë nga fansat dhe mediat sportive. E njëjta tuta përdoret nga klubi i La Ligës, RCD Mallorca, ku versioni zyrtar ka vetëm stemën e klubit të qëndisur në gjoks.

    Kompleti është bërë nga materiale të ricikluara dhe shitet veçmas: pjesa e sipërme kushton 99,99 €, ndërsa pjesa e poshtme 55,99 €, duke e bërë totalin 155,98 € për kompletin.

    Pas publikimit të fotove, tutat u shitën të gjitha në faqen zyrtare të Nike brenda vetëm pak orësh, duke treguar ndikimin e paparë që ka pasur arrestimi i ish-presidentit të Venezules.

    Rrjetet sociale u përmbushën me shaka dhe komentet për ngjashmërinë midis sulmuesit dhe presidentit venezuelian, ndërsa fansat e futbollit dhe të modës diskutuan gjerësisht për stilin dhe viralitetin e tij.

    Edhe pse oferta online u shter, tutat mund të gjenden ende në disa dyqane fizike, megjithatë stoku i mbetur pritet të shitet shumë shpejt.

    Ky fenomen tregon se si një detaj i vogël në veshje mund të bëhet hit në media dhe të ndikojë menjëherë në shitjet globale të një brandi të madh si Nike.

  • Barcelona synon rimëkëmbjen financiare përmes projektit “Spotify Camp Nou”

    Barcelona synon rimëkëmbjen financiare përmes projektit “Spotify Camp Nou”

    Barcelona po e sheh projektin e “Spotify Camp Nou” si bazën kryesore për rikthimin e stabilitetit të saj financiar afatgjatë. Drejtori ekzekutiv i klubit, Manel del Rio, gjatë një interviste për TV3, foli për afatet kohore dhe parashikimet për rihapjen graduale të stadiumit.

    Klubi është duke pritur miratimin e tretë nga komuna për të hapur tribunën veriore dhe seksionin e tifozëve, gjë që do ta rrisë kapacitetin e stadiumit në 62,000 vende.

    “Ky hap do të na lejojë që më shumë anëtarë të përjetojnë shtëpinë e tyre, Spotify Camp Nou, me një kapacitet prej 62,000 vendesh,” tha Del Rio. Rihapja mund të realizohet që në ndeshjen e parë në shtëpi të vitit 2026 kundër Oviedos më 24 ose 25 janar, në varësi të miratimit të komunës.

    Duke shikuar më tej, Barcelona planifikon të arrijë 105,000 vende sezonin e ardhshëm, edhe pa çati, me zonat VIP dhe nivelin e tretë plotësisht funksionale. Me stadiumin plotësisht funksional, klubi parashikon të ardhura vjetore prej rreth 360 milionë eurosh, një element kyç për përballimin e borxhit prej rreth 1.4 miliardë eurosh.

    Del Rio qetësoi shqetësimet për borxhin, duke thënë se “klubet me më shumë borxhe shpesh kanë edhe të ardhurat më të larta. Nëse asetet tejkalojnë detyrimet, nuk ka problem. Aktualisht është një borxh i qëndrueshëm.”

    Ai u shpreh optimist për të ardhmen e klubit: “Rruga është shumë pozitive. Rruga e Barcelonës është e ëmbël, një rrugë force. Kam luajtur shumë futboll, jam tifoz dhe mbështetës i Barcelonës.”