ATV

Category: Sport

  • Peja pëson humbje të thellë nga ekipi grek Iraklis në ENBL Cup

    Peja pëson humbje të thellë nga ekipi grek Iraklis në ENBL Cup

    GO+Peja ka pësuar humbje të thellë ndaj ekipit grek Iraklis me rezultat 122:80,takim ky në kuadër të ENBL League.

    Pejanët nuk patën gjasa të bënin diçka në këtë takim,ku skuadra greke gjatë gjithë kohës ishte dominuese që nga fillimi e deri në fund,kurse vlen të theksohet se verdhëezinjët patën mungesa në këtë ndeshje.

    Tyron Flatten me 23 pikë si dhe Cesare Edëards me 14 pikë të tjera ishin basketbollistët më të mirë tek GO+Peja,por këto ishin të pamjaftueshme për të shmangur humbjen.

    Kujtojmë që kjo ishte humbja e pestë për GO+Pejën në ENBL League,teksa kanë arritur të shënojnë vetëm 1 fitore.

  • Dominik Szobozslai kapiteni i ardhshëm i Liverpooli-it në rast largimi të Virgil Van Dijk

    Dominik Szobozslai kapiteni i ardhshëm i Liverpooli-it në rast largimi të Virgil Van Dijk

    Gjiganti anglez Liverpool duket se e ka gjetur pasardhësin e Virgil Van Dijk për sa i përket shiritit të kapitenit të “The Reds”.

    Ylli hungarez Dominik Szobozslai mund të marrë shiritin e kapitenit të kampionëve të Anglisë,dhe kjo mund të ndodhë në një të ardhme të afërt.

    Përndryshe hungarezi aktualisht është lojtari më i mirë për Liverpoolin këtë sezon,duke marrë parasysh që “The Reds”po kalojnë një sezon tejet të vështirë në histori të klubit dhe Szobozlai ishte lider në shumë ndeshje të rëndësishme,dhe në anën tjetër ka hyrë në bisedime për të nënshkruar kontratën e re me Liverpool-in.

    Ndërkohë Van Dijk nuk ka marrë vendim se nëse dëshiron që të largohet nga Anfield apo jo,teksa holandezi ka kontratë me Liverpoolin deri në vitin 2027.

    Kujtojmë që Dominik Szoboszlai në 37 ndeshje këtë sezon për Liverpoolin ka realizuar 8 gola e dhuroi 5 asistime.

  • Hadergjonaj shkëlqen në Superligën turke, pjesë e formacionit të javës

    Hadergjonaj shkëlqen në Superligën turke, pjesë e formacionit të javës

    Xhiroja e 18-të e Superligës së Turqisë ka sjellë paraqitje të shumta cilësore, të reflektuara edhe në formacionin e javës të publikuar nga Sofascore. Mes emrave më të spikatur të kësaj xhiroje është edhe mbrojtësi Kosovar Florent Hadergjonaj, i cili ka marrë vëmendje të veçantë falë një performance shumë të fortë.

    Mbrojtësi i Alanyasporit u përfshi në 11-shen ideale pas një paraqitjeje të plotë në të dyja fazat e lojës, duke u vlerësuar me notën 8.5, një nga më të lartat për repartin defensiv. Hadergjonaj tregoi siguri në mbrojtje, por edhe efikasitet në sulm, duke kontribuar drejtpërdrejt me një gol dhe një asistim, si dhe duke qenë vazhdimisht aktiv në krahun e djathtë.

    Pavarësisht paraqitjes së tij të shkëlqyer, Alanyaspori nuk arriti të shmangte rezultatin negativ në përballjen ndaj Fenerbahçes, por performanca e Hadergjonajt u vlerësua gjerësisht nga analistët.

    Në formacionin e javës janë përfshirë edhe emra të njohur të kampionatit turk, me Anderson Talisca që spikati si lojtari më i vlerësuar i xhiros, ndërsa në repartin ofensiv u dallua edhe Bruno Petković.

    Mesfusha e formacionit përbëhet nga Orkun Kökçü, Jackson Muleka dhe Eldor Shomurodov, të cilët ofruan kreativitet, ritëm dhe balancë gjatë ndeshjeve të tyre.

    Në mbrojtje, përveç Hadergjonajt, u dalluan edhe Ömer Ali Şahiner, Rıdvan Yılmaz, Emre Topçu dhe Yassine Bounasser, të cilët formuan një vijë solide. Ndërkohë, në portë shkëlqeu Johan Cuesta, me disa pritje vendimtare që siguruan rezultatin për skuadrën e tij.

  • “Nuk po bën diferencën”, Kritika të forta për Rashicën nga Nihat Kahveci

    “Nuk po bën diferencën”, Kritika të forta për Rashicën nga Nihat Kahveci

    Fitorja e ngushtë e Besiktasit ndaj Kayserisporit nuk ka mjaftuar për ta kënaqur ish-yllin e futbollit turk, Nihat Kahveci, i cili ka kritikuar hapur paraqitjen e skuadrës bardhezi, pavarësisht tre pikëve të marra.

    Besiktasi arriti të fitojë 1:0 në ndeshjen e zhvilluar të hënën, falë golit vendimtar të shënuar nga El Bilal Touré në minutën e 95-të, por sipas Kahvecit, loja e ekipit ishte larg nivelit që pritet nga një klub me ambicie të mëdha.

    Ish-sulmuesi i njohur ka theksuar se Besiktasi shfaqi probleme serioze në fazën sulmuese, duke munguar kreativiteti dhe qartësia para portës kundërshtare gjatë pjesës më të madhe të takimit.

    Në analizën e tij, Kahveci nuk i ka kursyer kritikat as për Milot Rashicën. Ai vuri në dyshim ndikimin e sulmuesit kosovar në lojën e ekipit, duke e krahasuar situatën aktuale me periudhën kur Ricardo Quaresma ishte pjesë e Besiktasit.

    “Kur shikon paraqitjen e Rashicës, të krijohet ideja se Quaresma ende mund të luajë. Rashica mund të ndihmojë si lojtar mbështetës në një skuadër të fortë, por kur i jepet një rol kryesor, ai nuk arrin të bëjë diferencën. Nuk e kuptoj pse trajneri e mbajti në lojë deri në minutën e 71-të, kur nuk ishte në formën e duhur”, ka deklaruar Kahveci.

    Rashica, 29-vjeçar, deri tani ka shënuar dy gola dhe ka dhuruar tri asistime në të gjitha garat me fanellën e Besiktasit. Pavarësisht kritikave, ai vazhdon të jetë një nga lojtarët më të komentuar në ambientin bardhezi.

  • NBA, Fitore të ngushta dhe spektakolare në ndeshjet e fundit

    NBA, Fitore të ngushta dhe spektakolare në ndeshjet e fundit

    Janë zhvilluar katër ndeshje shumë interesante në mëngjesin e sotëm në kuadër të NBA, liga më e fortë e basketbollit në botë.

    Detroit Pistons ka vazhduar me fitore, duke mundur Boston Celtics me vetëm një pikë diferencë, 104-103.

    Më efikasë në këtë sukses ishin Tobias Harris me 25 pikë dhe Jalen Duren me 18 pikë. Nga ana tjetër, përkundër paraqitjes spektakolare të Jalen Brown, i cili shënoi 32 pikë dhe mori 11 kërcime, Celtics nuk arriti të triumfonte.

    Aktualisht, Celtics renditen vetëm një pozitë më poshtë se Pistons në Konferencën e Lindjes.

     

    Golden State Warriors kanë regjistruar fitoren e katërt radhazi, duke mundur Miami Heat me rezultat të thellë, 135-112.

    Brandin Podzimeski udhëhoqi skuadrën drejt fitores me 24 pikë dhe 8 kërcime, ndërsa Stephen Curry shtoi 19 pikë dhe 11 asistime. Te skuadra humbëse, spikati Norman Powell me 21 pikë.

    Warriors renditen në vendin e tetë në Konferencën e Perëndimit, ndërsa Heat ndodhen në vendin e tretë në Lindje.

     

    Phoenix Suns ka shënuar fitoren e dytë radhazi, duke mundur Brooklyn Nets me rezultat 126-117. Dillon Brooks shkëlqeu me 27 pikë, ndërsa Devin Booker shtoi 24 pikë dhe Collin Gillespie 22 pikë për fitoren e Suns.

    Te Nets, më i dalluari ishte Michael Porter Jr. me 23 pikë, por nuk mjaftuan për triumf.

    Suns renditen në vendin e shtatë në Perëndim, ndërsa Nets në vendin e 13 në Lindje.

     

    Philadelphia 76ers e mbylli me fitore këtë seri ndeshjesh, duke mundur Indiana Pacers me 113-104. Joel Embiid me 30 pikë dhe Tyrese Maxey me 29 pikë ishin protagonistët kryesorë të këtij triumfi.

    Te Pacers, më efikasi ishte Andrew Nembhard me 25 pikë.

    76ers renditen në vendin e pestë në Lindje, ndërsa Pacers ndodhen në fund të tabelës.

  • Për herë të parë pas 21 vitesh, LeBron James nuk është titullar në All Star Game

    Për herë të parë pas 21 vitesh, LeBron James nuk është titullar në All Star Game

    Pas 21 sezonesh radhazi, LeBron James nuk do të jetë titullar në All Star Game 2026. Pesëshet startuese për ndeshjen e yjeve janë bërë publike, dhe mungesa e 41-vjeçarit të Los Angeles Lakers është lajmi kryesor.

    LeBron po luan sezonin e tij të 23-të në NBA, dhe që nga sezoni i dytë kishte qenë gjithmonë pjesë e pesësheve të para në All Star. Ndeshja e yjeve do të zhvillohet më 15 shkurt në “Intuit Dome” në Ingleëood, shtëpi e Los Angeles Clippers.

    Edhe pse nuk është titullar, James ka mundësinë të zgjidhet si rezervë, pasi trajnerët e NBA-së do të zgjedhin 14 lojtarë të tjerë, nga shtatë për secilën Conference. Lista e plotë e ekipit do të bëhet publike më 1 shkurt.

    Këtë sezon, LeBron ka luajtur 24 ndeshje, mesatarisht duke shënuar 22.6 pikë, 6.9 asistime dhe 5.9 ribaunde për ndeshje. Ai ka fituar 3 herë çmimin MVP në All Star Game dhe mbetet një nga yjet më të mëdhenj të NBA-së.

     

    Përndryshe, titullarët e All Star 2026 janë:

    Nga Konferenca e Lindjes: Cade Cunningham (Detroit), Jalen Brunson (New York), Tyrese Maxey (Philadelphia), Jaylen Brown (Boston), Giannis Antetokounmpo (Milwaukee).

    Derisa në Konferencën e Perëndimit: Stephen Curry (Golden State), Shai Gilgeous-Alexander (Oklahoma City), Luka Dončić (Los Angeles Lakers), Victor Wembanyama (San Antonio), Nikola Jokić (Denver).

    Edhe pse nuk është titullar për herë të parë pas dy dekadash, LeBron pritet të marrë pjesë në spektaklin e All Star dhe të tregojë akoma një herë pse është një legjendë e NBA-së.

  • Xherdan Shaqiri shpallet lojtari më i mirë i vitit 2025 te Baseli

    Xherdan Shaqiri shpallet lojtari më i mirë i vitit 2025 te Baseli

    Xherdan Shaqiri është shpallur lojtari më i mirë i vitit 2025 te Baseli, duke kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm me fanellën e klubit zviceran.

    Sulmuesi kosovar ishte figura kyçe e Baselit gjatë vitit të kaluar, duke udhëhequr skuadrën drejt fitimit të titullit kampion dhe Kupës së Zvicrës, një sukses i dyfishtë që riktheu klubin në majat e futbollit vendor.

    Me 21 gola të shënuar dhe 22 asistime, Shaqiri ishte motori kryesor i lojës së Baselit, duke dëshmuar lidership, kreativitet dhe vendosmëri në momentet vendimtare. Performancat e tij të nivelit të lartë e bënë atë zgjedhjen e padiskutueshme për çmimin individual të vitit.

    Çmimi iu dorëzua kapitenit të Baselit nga presidenti i Federatës Zvicerane të Futbollit, Peter Knabel, i cili e njeh Shaqirin që nga ditët e tij të hershme në akademinë e klubit dhe vlerësoi rrugëtimin e tij të suksesshëm.

    Përveç Shaqirit, edhe FC Basel u nderua me çmimin “Ekipi i Vitit 2025”, duke konfirmuar dominimin e tyre në futbollin zviceran gjatë këtij sezoni.

    Ndërkohë, edhe në edicionin aktual Shaqiri po vazhdon me formë të mirë, duke regjistruar 20 paraqitje në të gjitha garat, ku ka kontribuar me gjashtë gola dhe nëntë asistime, duke mbetur një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.

  • Tensione pas finales së AFCON, Maroku kërkon rishqyrtim të ndeshjes

    Tensione pas finales së AFCON, Maroku kërkon rishqyrtim të ndeshjes

    Federata Mbretërore e Futbollit e Marokut ka reaguar zyrtarisht pas finales së Kupës së Kombeve të Afrikës ndaj Senegalit, duke bërë të ditur se ka nisur procedura ligjore për shkak të ngjarjeve që shënuan përfundimin e ndeshjes.

    Përmes një komunikate për media, federata marokene ka theksuar se synon të kërkojë “drejtësi” për atë që e cilëson si cenim të rrjedhës normale të finales, pavarësisht se gjatë ndeshjes kishte vlerësime të ndryshme lidhur me vendimet e gjyqtarit.

    Kontesti lidhet me një moment kyç të takimit, kur gjyqtari akordoi një penallti për Marokun, vendim pas të cilit Kombëtarja e Senegalit reagoi duke u larguar përkohësisht nga fusha në shenjë proteste. Megjithatë, jo të gjithë lojtarët senegalezë e braktisën fushën dhe pas rreth dhjetë minutash ndërprerjeje, ndeshja u rifillua.

    Në fund, Senegali arriti të triumfonte dhe të fitonte titullin e kampionit të Afrikës, por ngjarjet e fundit të finales vazhdojnë të shkaktojnë debate të forta në opinionin sportiv.

    Federata Marokene ka njoftuar se do të ndjekë rrugë ligjore ndaj Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF) dhe FIFA-s, duke kërkuar shqyrtimin e situatës dhe mundësinë e anulimit të rezultatit ose riluajtjes së finales.

    “Kjo situatë ndikoi drejtpërdrejt në zhvillimin normal të ndeshjes dhe në performancën e lojtarëve tanë. Vendimi i gjyqtarit për penalltinë ishte i drejtë, por reagimi që pasoi ndryshoi rrjedhën e finales”, thuhet në deklaratën e federatës marokene.

    Në të njëjtën kohë, federata ka falënderuar tifozët për mbështetjen e vazhdueshme gjatë turneut dhe për atmosferën e krijuar gjatë organizimit të kampionatit.

    Megjithatë, bazuar në praktikat e mëparshme të Kupës së Kombeve të Afrikës, një anulim i finales apo heqje e titullit konsiderohet shumë pak e mundshme. Në rast të ndonjë vendimi disiplinor, pritet që ai të jetë i natyrës financiare dhe jo sportive.

  • Rikthehet Liga e Kampionëve, Inter, Arsenal, Real dhe City në kërkim të kualifikimit

    Rikthehet Liga e Kampionëve, Inter, Arsenal, Real dhe City në kërkim të kualifikimit

    Sonte rikthehet spektakli më i madh i futbollit evropian, Liga e Kampionëve, me një mbrëmje të mbushur plot emocione dhe përballje vendimtare. Nëntë ndeshje janë në program për t’u zhvilluar në kuadër të xhiros së shtatë të fazës së ligës, një fazë ku çdo pikë mund të bëjë diferencën mes kualifikimit, “play-off”-it apo eliminimit të hershëm.

    Pas një pauze mbi njëmujore, rikthimi i Champions League pritet me interes të madh, pasi shumë skuadra janë në garë të drejtpërdrejtë për një vend në tetëshen e parë, e cila siguron kualifikim direkt në fazën tjetër.

    Vëmendja kryesore e mbrëmjes është e përqendruar te përballja mes Interit dhe Arsenalit, që do të luhet në stadiumin legjendar “Giuseppe Meazza” nga ora 21:00. Kampionët e Italisë kërkojnë patjetër fitore për të mbetur në zonën elitare, ndërsa londinezët vijnë me moral të lartë dhe mund të sigurojnë kualifikimin edhe me një barazim, pas një serie perfekte prej gjashtë fitoresh në gjashtë ndeshje.

    Në ndeshjet e tjera, Real Madridi synon të vazhdojë rrugëtimin e tij drejt tetëshes duke kërkuar tre pikë të plota ndaj Monacos, ndërsa Manchester City përballet me një udhëtim të vështirë në Norvegji kundër Bodo/Glimt. Një tjetër sfidë e fortë e pret edhe Paris Saint-Germainin, që luan në transfertë ndaj Sporting Lisbonës.

    Një duel me shumë peshë është edhe ai mes Tottenhamit dhe Borussia Dortmundit, ku të dyja skuadrat janë të detyruara të fitojnë për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim direkt. Ndërkohë, Napoli ndodhet nën presion maksimal në udhëtimin ndaj Copenhagen, pasi çdo hap fals mund ta lërë jashtë fazës së “play-off”-it.

    Programi i mbrëmjes plotësohet me tri përballje të tjera interesante: Bayer Leverkusen udhëton drejt Greqisë për t’u përballur me Olympiacosin, Kairat Almaty pret në shtëpi Club Brugge, ndërsa Villarreal përballet me Ajaxin në një duel klasik evropian.

    Një mbrëmje që premton futboll të nivelit të lartë, emocione të forta dhe rezultate që mund të përcaktojnë fatin e shumë skuadrave në Ligën e Kampionëve.

  • Vedat Muriqi shkëlqen në La Liga, pjesë e formacionit të javës pas het-trikut spektakolar

    Vedat Muriqi shkëlqen në La Liga, pjesë e formacionit të javës pas het-trikut spektakolar

    Java e 20-të e kampionatit spanjoll, La Liga, ka nxjerrë në pah disa nga performancat më të spikatura të javës, të përmbledhura në formacionin zyrtar të Sofascore. Mes emrave më të dalluar qëndron Vedat Muriqi, i cili ka rrëmbyer vëmendjen kryesore me paraqitjen e tij brilante.

    Sulmuesi i Mallorcës dhe Kombëtares së Kosovës u vlerësua me notën 8.8, duke u renditur ndër më të mirët e javës. Muriqi dëshmoi edhe një herë rëndësinë që ka për skuadrën e tij, duke qenë dominues në zonën kundërshtare, i fortë në duele dhe vendimtar në fazën sulmuese.

    Pas het-trikut spektakolar ndaj Athletic Bilbaos, vendi i tij në formacionin e javës ishte më se i merituar. Në vijën e sulmit, ai shoqërohet nga Ante Budimir, i cili mori notën 9.0, ndërsa pak më prapa tyre shkëlqeu talenti i Barcelonës, Lamine Yamal, lojtari më i vlerësuar i javës me notën 9.2.

    Mesfusha përbëhet nga Bryan Zaragoza, Pablo Fornals dhe Aleix Febas, të cilët ofruan kreativitet, stabilitet dhe intensitet gjatë ndeshjeve të tyre.

    Në repartin defensiv, u dalluan Jose Gayà, Daley Blind, Raul Asencio dhe Aitor Ruibal, që garantuan siguri dhe organizim, ndërsa në portë performancë të jashtëzakonshme pati Leo Roman. Portieri i Mallorcës u vlerësua me notën maksimale 10, pas një paraqitjeje perfekte ndaj Bilbaos, duke kompletuar një javë fantastike për skuadrën.