ATV

Category: Sport

  • Greenwood në qendër të merkatos, Juventus gati të rikthejë interesin për sulmuesin e Olympique Marseille

    Greenwood në qendër të merkatos, Juventus gati të rikthejë interesin për sulmuesin e Olympique Marseille

    Sulmuesi i Olympique Marseille, Mason Greenwood, po hyn në qendër të merkatos verore, teksa interesimi i gjigantëve italianë Juventus është bërë gjithnjë e më serioz.

    24-vjeçari po zhvillon një sezon shumë të mirë në Francë, duke u shndërruar në një nga pikat kryesore të skuadrës. Në 38 ndeshje në të gjitha garat, ai ka realizuar 25 gola dhe ka shtuar edhe 8 asistime, duke konfirmuar formën e tij të lartë dhe ndikimin vendimtar në sulm.

    Këto paraqitje kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane, por Juventusi shihet aktualisht si destinacioni më i mundshëm për një transferim të mundshëm.

    Sipas raportimeve të “Gazzetta dello Sport”, e ardhmja e Greenwood mund të varet edhe nga situata sportive e Marseille. Nëse klubi francez nuk arrin kualifikimin në UEFA Champions League, atëherë mund të detyrohet të shqyrtojë shitjen e lojtarit për arsye financiare. Aktualisht, Marseille ndodhet në vendin e tretë në Ligue 1, por gara për zonën e Champions League është shumë e ngushtë, me disa ekipe vetëm pak pikë prapa.

    Nga ana financiare, klubi francez pritet të kërkojë të paktën 45 milionë euro për kartonin e sulmuesit. Një pjesë e kësaj shume do të përfitohet edhe nga Manchester United, për shkak të një klauzole të përfshirë në marrëveshjen e transferimit të tij në vitin 2024.

    Interesimi i Juventusit për Greenwood nuk është i ri, pasi klubi italian kishte tentuar ta siguronte dy vite më parë, por atëherë lojtari kishte zgjedhur projektin e Marseille. Tani, me formën e tij në rritje, një rikthim i kësaj piste duket më i mundshëm se kurrë.

  • FIFA rrit shpërblimet e Botërorit dhe sjell ndryshime të mëdha në rregullore

    FIFA rrit shpërblimet e Botërorit dhe sjell ndryshime të mëdha në rregullore

    FIFA ka vendosur të rrisë ndjeshëm shpërblimet për skuadrat pjesëmarrëse në FIFA World Cup, duke sjellë një tjetër lajm të rëndësishëm për futbollin botëror.

    Ky vendim u mor nga Këshilli i FIFA-s në mbledhjen e zhvilluar në Vancouver, në prag të Kongresit të organizatës. Rritja e fondit vjen si rezultat i të ardhurave më të larta komerciale të gjeneruara nga edicioni i këtij Botërori.

    Sipas vendimit të ri, shuma totale e shpërblimeve është rritur nga 727 milionë në 871 milionë dollarë, duke përfaqësuar një rritje prej 15 për qind. Çdo kombëtare pjesëmarrëse do të përfitojë të paktën 2.5 milionë dollarë për përgatitjet, ndërsa 10 milionë dollarë janë të garantuara vetëm për pjesëmarrjen në fazën e grupeve.

    Ndërkohë, pjesa tjetër e shpërblimeve do të shpërndahet sipas ecurisë së skuadrave në turne. Fituesi i Botërorit do të marrë një bonus të madh prej 50 milionë dollarësh.

    Përveç çështjeve financiare, Këshilli i FIFA-s ka miratuar edhe disa ndryshime disiplinore në rregullore. Mes tyre përfshihet ndëshkimi me karton të kuq për lojtarët që hyjnë në debate duke mbuluar gojën në mënyrë provokuese ndaj kundërshtarëve, si dhe për ata që largohen nga fusha në shenjë proteste ndaj vendimeve të arbitrit.

    Po ashtu, është vendosur që kartonët e verdhë të fshihen pas fazës së grupeve dhe pas çerekfinaleve, në mënyrë që lojtarët të mos penalizohen në fazat vendimtare të turneut.

    Në planin organizativ, FIFA ka konfirmuar edhe zgjedhjet për presidentin e ri të organizatës për periudhën 2027–2031, të cilat do të mbahen vitin e ardhshëm në Kongresin e 77-të, ku pritet të jetë sërish kandidat edhe presidenti aktual Gianni Infantino.

    Gjithashtu, FIFA ka nisur diskutimet për një rregull të ri që do t’u kërkonte klubeve të aktivizojnë të paktën një lojtar nga ekipet U20 ose U21 në ndeshje zyrtare, me synimin për të rritur zhvillimin e talenteve të reja në futbollin profesionist.

  • Gjysmëfinale e zjarrtë në UEFA Champions League, Atletico Madrid-Arsenal përballen për një vend në finale

    Gjysmëfinale e zjarrtë në UEFA Champions League, Atletico Madrid-Arsenal përballen për një vend në finale

    Sonte futbolli evropian sjell një tjetër spektakël të madh, teksa Atletico Madrid dhe Arsenal përballen në gjysmëfinalen e shumëpritur të UEFA Champions League.

    Kjo sfidë pritet të jetë një duel i fortë stilesh, nga njëra anë qëndron organizimi i hekurt dhe stabiliteti defensiv i skuadrës së drejtuar nga Diego Simeone, ndërsa në anën tjetër është loja moderne, dinamike dhe e rrjedhshme e Arsenalit, që këtë sezon ka impresionuar në Evropë.

    Atletico rikthehet në këtë fazë për herë të parë pas disa vitesh dhe hyn në këtë përballje me moral të lartë, veçanërisht pas triumfit ndaj Barcelona në rrugën drejt gjysmëfinales. “Los Colchoneros” kanë treguar një fytyrë tjetër në arenën evropiane, duke qenë shumë efikasë në sulm dhe duke regjistruar një nga sezonet më produktive në historinë e tyre në këtë kompeticion.

    Nga ana tjetër, Arsenali vjen me vetëbesim të madh. Londinezët jo vetëm që kanë qenë shumë të fortë në mbrojtje, duke pësuar shumë pak gola gjatë gjithë kampanjës, por kanë edhe një avantazh psikologjik, pasi më herët këtë sezon e kanë mposhtur bindshëm Atletico Madridin në fazën e grupeve. Kjo fitore mbetet një motiv shtesë për “Topçinjtë” para këtij takimi vendimtar.

    Me të dy skuadrat që synojnë finalen dhe janë në formë të mirë, gjithçka është e hapur për një ndeshje të zjarrtë. Tensioni, taktikat dhe momentet individuale pritet të jenë vendimtare në një natë ku çdo detaj mund të bëjë diferencën.

  • Zyrtare: Leon Avdullahu rinovon me TSG Hoffenheim deri në vitin 2031

    Zyrtare: Leon Avdullahu rinovon me TSG Hoffenheim deri në vitin 2031

    Mesfushori kosovar Leon Avdullahu ka vulosur të ardhmen e tij te TSG Hoffenheim, duke rinovuar kontratën deri në vitin 2031 dhe duke konfirmuar besimin e ndërsjellë mes palëve.

    Pas një përshtatjeje të shpejtë në futbollin gjerman, 22-vjeçari është shndërruar në një element kyç në mesfushë, duke tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane. Për të shmangur largimin e tij, Hoffenheimi ka vepruar në kohë, duke e “blinduar” me një marrëveshje afatgjatë.

    Ky vendim vjen pak ditë pasi edhe bashkëkombësi i tij, Albian Hajdari, rinovoi kontratën me klubin, duke forcuar prezencën shqiptare në skuadër.

    Drejtori sportiv i klubit, Andreas Schicker, nuk i kurseu vlerësimet për zhvillimin e Avdullahut, duke e cilësuar atë si një shembull të përkryer të progresit të një lojtari të ri në këtë ambient. Sipas tij, inteligjenca në lojë, vizioni dhe aftësia për të lexuar ndeshjen e bëjnë mesfushorin një pjesë thelbësore të stilit të Hoffenheimit.

    Edhe vetë Avdullahu shprehu entuziazmin për vazhdimin e aventurës në Gjermani, duke theksuar se ndihet më i motivuar se kurrë për të kontribuar në sukseset e ekipit.

    Ai iu bashkua Hoffenheimit nga FC Basel në verën e vitit 2025, pas një sezoni të suksesshëm ku fitoi dopietën në Zvicër. Deri më tani, ka regjistruar 31 paraqitje me klubin gjerman, ndërsa vlera e tij në treg ka arritur në rreth 25 milionë euro.

  • Spurs rikthehen fuqishëm, kalojnë në gjysmëfinale pas dominimit ndaj Portland Trail Blazers

    Spurs rikthehen fuqishëm, kalojnë në gjysmëfinale pas dominimit ndaj Portland Trail Blazers

    San Antonio Spurs kanë siguruar një fitore bindëse ndaj Portland Trail Blazers me rezultat 114:95 në ndeshjen e pestë të raundit të parë të playoff-eve, duke prerë biletën për në gjysmëfinalet e Konferencës Perëndimore për herë të parë që nga viti 2017.

    Skuadra nga Teksasi dominoi takimin nga fillimi deri në fund, pa hasur vështirësi serioze, dhe e mbylli serinë me tri fitore radhazi, duke treguar formë të shkëlqyer në momentet vendimtare.

    Ylli i ri, Victor Wembanyama, ishte lider në parket me një performancë të gjithanshme prej 17 pikësh, 14 ribaundesh dhe gjashtë bllokimesh, ndërsa De’Aaron Fox kontribuoi me 21 pikë.

    Kjo arritje rikthen San Antonio Spurs në këtë fazë për herë të parë që nga sezoni 2017, kur kaluan Houston Rockets, por më pas u goditën nga dëmtimi i Kawhi Leonard dhe u eliminuan në finalen e konferencës nga Golden State Warriors.

    Në raundin tjetër, Spurs do të përballen me fituesin e serisë mes Denver Nuggets dhe Minnesota Timberëolves, ku këta të fundit aktualisht udhëheqin 3-2 dhe ndeshja e gjashtë pritet të zhvillohet të enjten.

     

    Ndërkohë, Philadelphia 76ers kanë befasuar në transfertë duke mposhtur Boston Celtics me shifrat 113:97, duke ngushtuar serinë në 3-2.

    Joel Embiid udhëhoqi skuadrën e tijë drejt fitores me 33 pikë e tetë asistime derisa Tyrese Maxey shtojë 25 pikë e 10 kërcime.

     

    Po ashtu, New York Knicks janë një hap më afër gjysmëfinales pas fitores së thellë 126:97 ndaj Atlanta Haëks, duke kaluar në epërsi 3-2 në seri.

    Më efikasi në këtë dneshje ishte Jalen Brunson me 39 pikë e tëtë asistime.

  • Juventusi nis bisedimet për Robert Lewandowskin

    Juventusi nis bisedimet për Robert Lewandowskin

    Juventusi ka nisur bisedime konkrete për transferimin e sulmuesit të Barcelonës, Robert Lewandowski, me negociatat që tashmë konsiderohen të hapura.

    Sulmuesi polak, i cili mund të bëhet i lirë në qershor, është i hapur për t’u bashkuar me klubin italian, duke e parë këtë si një mundësi për të vazhduar të luajë në nivelin më të lartë të futbollit europian. Agjenti i tij, Pini Zahavi, së fundmi është takuar me drejtuesit e Juventusit për të shqyrtuar realizueshmërinë e një marrëveshjeje dhe për të sqaruar pritshmëritë financiare.

    Rrethi i afërt i Lewandowskit kërkon një kontratë dyvjeçare me vlerë rreth 8–10 milionë euro neto në sezon, plus bonuse. Megjithëse kjo shifër është dukshëm më e ulët se paga e tij aktuale te Barcelona, kërkesat mbeten të konsiderueshme duke pasur parasysh moshën e lojtarit, i cili po afrohet të 38-at.

    Juventusi po e vlerëson me kujdes situatën, ndërsa drejtori sportiv Damien Comolli dhe trajneri Luciano Spalletti e konsiderojnë prioritet afrimin e një qendërsulmuesi me përvojë. Megjithatë, në listë po merren në konsideratë edhe alternativa të tjera si Randal Kolo Muani dhe Gonçalo Ramos.

  • Vedat Muriqi në mesin e të nominuarve për “Formacionin e Vitit” në La Liga

    Vedat Muriqi në mesin e të nominuarve për “Formacionin e Vitit” në La Liga

    La Liga, në bashkëpunim me sponsorin e saj EA Sports FC26, ka publikuar listën e futbollistëve të nominuar për “Formacionin e Vitit” në kampionat.

    Në mesin e sulmuesve të përzgjedhur gjendet edhe Vedat Muriqi. Sulmuesi i Kosovës ka realizuar 21 gola deri tani në La Liga dhe renditet i dyti në listën e golashënuesve, pas Kylian Mbappé.

    Në listën e kandidatëve për repartin ofensiv janë edhe emra të njohur si Julián Álvarez, Antony, Borja Iglesias, Ante Budimir, Ferran Torres, Gonçalo Guedes, Lamine Yamal, Kylian Mbappé, Alberto Moleiro, Mikel Oyarzabal, Raphinha, Giuliano Simeone, Víctor Muñoz dhe Vinícius Júnior.

    Përzgjedhja e formacionit bëhet përmes votimit nga tifozët. Fillimisht zgjidhet moduli apo taktika e ekipit (me pesë opsione të ndryshme), më pas përzgjidhen lojtarët për sulm, mesfushë, mbrojtje dhe portë, për të kompletuar formacionin me 11 futbollistët më të mirë të sezonit.

    Muriqi është i hapur për votim në kategorinë e sulmuesve përmes linkut zyrtar të publikuar nga La Liga.

  • PSG pret Bayern Munich në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve – publikohen formacionet zyrtare

    PSG pret Bayern Munich në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve – publikohen formacionet zyrtare

    Paris Saint-Germain do të jetë nikoqir i Bayern Munichut në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, që zhvillohet sonte nga ora 21:00.

    Dueli mes dy gjigantëve evropianë pritet të jetë tejet i fortë, ndërsa trajnerët Luis Enrique dhe Vincent Kompany tashmë kanë publikuar formacionet zyrtare.

    Te PSG-ja, nga minuta e parë starton Vitinha, për të cilin kishte dyshime nëse do të rikuperohej me kohë nga një lëndim i pësuar në kampionat. Sulmi mbetet i pandryshuar, me Désiré Doué dhe Khvicha Kvaratskhelia në krahë, të mbështetur nga Ousmane Dembélé.

    Te Bayern Munich nuk ka surpriza të mëdha, me Kompany që ka hedhur në fushë formacionin e tij më të fortë të mundshëm këtë sezon.

    Formacionet zyrtare:

    PSG: Safonov, Hakimi, Marquinhos, Pacho, Mendy, Neves, Vitinha, Zaïre-Emery, Doué, Dembélé, Kvaratskhelia

    Bayern Munich: Neuer, Stanisic, Upamecano, Tah, Davies, Kimmich, Pavlović, Olise, Musiala, Díaz, Kane

  • Szymon Marciniak reagon sërish për ndeshjen Inter – Barcelona në Ligën e Kampionëve

    Szymon Marciniak reagon sërish për ndeshjen Inter – Barcelona në Ligën e Kampionëve

    Gjyqtari polak Szymon Marciniak ka reaguar sërish lidhur me ndeshjen e shumëpërfolur Inter–Barcelona , takim që i takoi gjysmëfinales së sezonit të kaluar të Ligës së Kampionëve që u zhvillua në “San Siro” dhe u mbyll me fitoren e Inter Milan pas kohës shtesë, me rezultat 4–3.

    Ndeshja u shoqërua me dy ndërhyrje vendimtare të sistemit VAR. Marciniak akordoi një penallti për Interin pas ndërhyrjes së Pau Cubarsí ndaj Lautaro Martínez, ndërsa një tjetër penallti, e dhënë fillimisht për një faull ndaj Lamine Yamal, u anulua më pas, pasi u konstatua se kontakti kishte ndodhur pak jashtë zonës.

    Rreth një vit më vonë, gjatë një eventi në Poloni, një tifoz i FC Barcelona e kritikoi gjyqtarin për vendimet në atë ndeshje. Marciniak u përgjigj duke theksuar se, sipas tij, vendimet fillestare kishin qenë në favor të Barcelonës, por më pas janë korrigjuar nga VAR-i.

    “Nuk kam asgjë për të kërkuar falje, për të qenë i sinqertë. Nga këndvështrimi im, nuk ka asgjë për të kërkuar falje. Nëse jemi të sinqertë, vendimet e mia favorizuan Barcelonën. Nuk i dhashë penallti Interit dhe VAR më thirri për të rishikuar pamjet. Së dyti, akordova një penallti dhe ata më korrigjuan, sepse ishte katër ose pesë centimetra jashtë zonës. Pra, ishin dy vendime në favor të Barcelonës, por VAR më korrigjoi. Kështu është jeta”, deklaroi Marciniak.

    Përveç këtyre rasteve, te Barcelona pati ankesa edhe për një prekje të mundshme me dorë nga Acerbi në zonë, si dhe për një faull të Dumfries ndaj Gerard Martín në aksionin që parapriu golin që e çoi ndeshjen në kohë shtesë.

  • Titull: Incident me thirrje fyese ndaj shqiptarëve në ndeshjen Vardar – Tikvesh-Hapetn procedurat hetimore

    Titull: Incident me thirrje fyese ndaj shqiptarëve në ndeshjen Vardar – Tikvesh-Hapetn procedurat hetimore

    Një incident me përmbajtje të rëndë fyese është raportuar në Maqedoninë e Veriut gjatë ndeshjes së kampionatit vendor, ku FK Vardar mposhti FK Tikvesh me rezultat të thellë 7–0.

    Sipas raportimeve nga Shkupi, gjatë takimit një pjesë e tifozëve të grupit ultras të Vardarit, “Komiti”, kanë intonuar kore të cilësuara si antishqiptare, me thirrje dhe sharje ndaj shqiptarëve. Pamje të publikuara në rrjete sociale kanë dokumentuar momentet e këtyre thirrjeve, por videot më pas janë fshirë brenda një kohe të shkurtër.

    Ngjarja ka rikthyer në vëmendje një problem që është përmendur edhe më herët në opinionin publik, pasi raste të ngjashme janë raportuar edhe në të kaluarën në stadiume të ndryshme të Maqedonisë së Veriut.

    Rasti vjen në një periudhë të ndjeshme, kur në vend janë shënuar edhe tensione shoqërore e politike, përfshirë protesta të studentëve shqiptarë lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në procesin arsimor.

    Në lidhje me incidentin, autoritetet kanë njoftuar se kanë nisur procedurë për veprën penale “dhunë dhe sjellje e pahijshme në ndeshje sportive”.

    Sipas dispozitave ligjore, për persona fizikë parashihen gjoba nga 600 deri në 1000 euro, ndërsa për klubin sportiv gjobat mund të shkojnë nga 1500 deri në 5000 euro, nëse vlerësohet se sjellje të tilla nuk janë parandaluar.

    Pritet që organet kompetente të analizojnë materialet e publikuara dhe raportet nga ndeshja për të përcaktuar përgjegjësitë dhe masat e mëtejshme.