ATV

Category: Sport

  • Francesco Bagnaia siguron “pole position” në Le Mans, Ducati dominon kualifikueset

    Francesco Bagnaia siguron “pole position” në Le Mans, Ducati dominon kualifikueset

    Ducati dominoi provat kualifikuese të Çmimit të Madh të Le Mans në MotoGP, me Francesco Bagnaia që regjistroi kohën më të shpejtë.

    Piloti italian përshkoi pistën franceze me kohën 1 minutë, 29 sekonda e 634 të mijtat, duke siguruar “pole position”-in e parë që nga gara e Malajzisë sezonin e kaluar.

    Menjëherë pas tij u rendit kampioni i botës në fuqi, Marc Marquez, i cili mbeti vetëm 12 të mijtat prapa shokut të skuadrës te Ducati.

    Vijën e parë të nisjes e kompletoi lideri aktual i kampionatit, Marco Bezzecchi, që me motorin e Aprilia ndaloi kronometrin vetëm 23 të mijtat më ngadalë se Bagnaia.

    Në vijën e dytë të startit do të jenë Fabio Di Giannantonio, Pedro Acosta dhe Fabio Quartararo.

    Më pas renditen Joan Mir, Jorge Martin dhe Ai Ogura, ndërsa në vijën e katërt të nisjes do të jenë Alex Marquez, Johann Zarco dhe Alex Rins.

  • Bayern Munich synon Charles De Ketelaere-Belgu jep “dritën jeshile” për transferimin

    Bayern Munich synon Charles De Ketelaere-Belgu jep “dritën jeshile” për transferimin

    Bayern Munich ka intensifikuar interesimin për sulmuesin e Atalanta, Charles De Ketelaere, ndërsa reprezentuesi belg raportohet se ka dhënë miratimin për një transferim të mundshëm veror në “Allianz Arena”.

    Gjiganti i Bundesliga e konsideron 25-vjeçarin si një përforcim prioritar për repartin ofensiv, pas paraqitjeve mbresëlënëse që ai ka zhvilluar në Serie A me fanellën e Atalantas.

    Sipas raportimeve nga media italiane dhe eksperti i merkatos Sacha Tavolieri, Bayern tashmë ka nisur lëvizjet prapa skenës për të përgatitur terrenin e marrëveshjes. De Ketelaere thuhet se e ka mirëpritur mundësinë e kalimit në Bavari, duke bërë që kushtet personale të mos konsiderohen problem në negociatat e ardhshme.

    Megjithatë, klubi gjerman duhet ende të hyjë në bisedime zyrtare me Atalantan për të arritur një marrëveshje mbi tarifën e transferimit të ish-lojtarit të AC Milan.

    Karriera e De Ketelaere ka njohur një ringritje të madhe në Bergamo nën drejtimin e trajnerit Gian Piero Gasperini. Aftësitë e tij teknike dhe loja mes linjave kanë qenë vendimtare në transformimin e tij gjatë sezonit të fundit.

    Futbollisti belg iu bashkua Atalantas fillimisht në formë huazimi nga Milani në vitin 2023, ndërsa klubi italian aktivizoi më pas opsionin e blerjes për rreth 24 milionë euro në verën e vitit 2024.

  • Wembanyama udhëheq San Antonion drejt triumfit, Knicks pranë kualifikimit

    Wembanyama udhëheq San Antonion drejt triumfit, Knicks pranë kualifikimit

    San Antonio Spurs siguroi një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Minnesota Timberwolves, në një ndeshje të luftuar deri në fund.

    Për vendasit nuk mjaftuan 32 pikët dhe 14 kërcimet e Anthony Edwards.

     

    Heroi i mbrëmjes ishte Victor Wembanyama, i cili mori përsipër skuadrën e tij dhe e udhëhoqi drejt suksesit në Mineapolis me 39 pikë, 16 prej të cilave i realizoi vetëm në periodën e katërt.

     

    Në Konferencën e Lindjes, New York Knicks vazhduan serinë pozitive ndaj Philadelphia 76ers, duke fituar edhe ndeshjen e tretë.

    Rikthimi i Joel Embiid nuk mjaftoi për Philadelphia-n, pasi Knicks arritën të bëjnë diferencën falë paraqitjes së shkëlqyer të Jalen Brunson, i cili realizoi 33 pikë, pavarësisht mungesës së rëndësishme të OG Anunoby.

  • Manchester City synon transferimin e Vinicius Junior-Rinovimi me Real Madridin mbetet pezull

    Ylli brazilian i Real Madrid CF, Vinícius Júnior, është rikthyer në qendër të spekulimeve të merkatos evropiane, me Manchester City F.C. që po monitoron nga afër situatën e tij në Madrid.

    Kontrata aktuale e sulmuesit skadon në vitin 2027, ndërsa bisedimet për rinovimin ende nuk kanë sjellë një marrëveshje përfundimtare. Kjo ka ngritur shqetësime te drejtuesit e klubit madrilen, të cilët e konsiderojnë këtë verë si vendimtare për të ardhmen e lojtarit.

    Sipas raportimeve, Vinicius kërkon të trajtohet si një nga figurat kryesore të projektit dhe pretendon një pagë të ngjashme me atë të Kylian Mbappé. Kjo ka krijuar tensione brenda klubit, pasi presidenti Florentino Pérez nuk dëshiron të prishë strukturën aktuale të pagave.

    Situata sportive e ekipit gjithashtu nuk po ndihmon. Fundi i sezonit për Real Madrid CF është shoqëruar me paqëndrueshmëri, dyshime dhe tensione të brendshme, duke bërë që braziliani të reflektojë më seriozisht për të ardhmen e tij.

    Në këtë situatë po përpiqet të përfitojë Manchester City F.C.. Trajneri Pep Guardiola e sheh Viniciusin si një përforcim ideal për repartin ofensiv, falë shpejtësisë, aftësisë në duele një kundër një dhe ndikimit të madh në lojë.

    Edhe pse City ka alternativa në krahun e majtë, drejtuesit anglezë besojnë se asnjë lojtar nuk ofron profilin dhe ndikimin global të brazilianit. Për më tepër, klubi anglez i garanton stabilitet sportiv dhe konkurrencë për trofetë më të mëdhenj çdo sezon.

    Nëse situata te Real Madrid CF nuk ndryshon, mundësia e një transferimi të Vinícius Júnior drejt Anglisë mund të bëhet gjithnjë e më reale.

  • Fermin Lopez hedh poshtë largimin nga Barcelona: Dua të qëndroj këtu përgjithmonë

    Fermin Lopez hedh poshtë largimin nga Barcelona: Dua të qëndroj këtu përgjithmonë

    Mesfushori i FC Barcelona, Fermín López, ka mohuar mundësinë e largimit nga klubi gjatë afatit kalimtar veror, pavarësisht interesimit që kishte nga Chelsea F.C. vitin e kaluar.

    Forma e shkëlqyer e 22-vjeçarit bëri që Barcelona t’ia rinovojë kontratën në janar deri në vitin 2031, duke siguruar kështu të ardhmen e tij afatgjatë në “Camp Nou”.

    Megjithatë, spekulimet për të ardhmen e tij nuk kanë munguar, pasi mediat kanë raportuar vazhdimisht se Fermin mund të jetë një nga lojtarët që klubi mund ta sakrifikojë për të balancuar financat.

    Vetë lojtari ka reaguar ndaj këtyre zërave, duke theksuar se dëshira e tij ka qenë gjithmonë të qëndrojë te Barcelona.

    “Mendoj se të gjithë mund të jenë të qetë. Këto gjëra ndodhën edhe vitin e kaluar. Gjithmonë ka thashetheme dhe histori të tilla, por unë kam qenë shumë i qetë sepse doja të qëndroja te Barça”, deklaroi fillimisht Fermin.

    “Gjithmonë kam dashur të jem këtu. Ka qenë ëndrra ime që nga fëmijëria dhe tani që jam pjesë e këtij klubi, dua ta shijoj në maksimum dhe të qëndroj këtu për aq kohë sa të jetë e mundur. Jam shumë i lumtur dhe shpresoj të qëndroj te Barcelona përgjithmonë”, përfundoi ylli spanjoll.

  • Bologna vihet pas reprezentuesit të Kosovës Dion Gallapeni

    Bologna vihet pas reprezentuesit të Kosovës Dion Gallapeni

    Bologna FC 1909 ka nisur lëvizjet për merkaton e verës, teksa drejtuesit e klubit po analizojnë disa pista transferimi për sezonin e ardhshëm.

    Sipas mediave italiane, një nga çështjet kryesore lidhet me të ardhmen e mbrojtësit grek Charalampos Lykogiannis, kontrata e të cilit është drejt përfundimit. Për këtë arsye, drejtori sportiv Giovanni Sartori ka filluar kërkimet për një zëvendësues të mundshëm dhe emri që ka dalë në pah është ai i talentit kosovar Dion Gallapeni.

    Sipas “Il Resto del Carlino”, Bologna ka zhvilluar kontaktet e para me lojtarin e Wisła Płock, i cili shihet si profili ideal për të përforcuar krahun e majtë të mbrojtjes.

    Gallapeni, i lindur në Suharekë në vitin 2004, e nisi karrierën në Kosovë me FC Prishtina, para se të transferohej në Poloni te Widzew Łódź dhe më pas te Wisła Płock.

    Pavarësisht moshës së re, ai tashmë është pjesë e Kombëtarja e Kosovës, ku ka regjistruar disa paraqitje. Mbrojtësi i majtë vlerësohet për teknikën, shpejtësinë dhe aftësinë për të luajtur edhe më përpara në krahun e majtë të mesfushës.

    Sipas “Transfermarkt”, kartoni i tij vlerësohet rreth 2.5 milionë euro, çka e bën një investim të përballueshëm dhe një projekt afatgjatë për klubin italian.

    Ndërkohë, Bologna po monitoron edhe disa emra të tjerë për repartin ofensiv, ndërsa vazhdon interesimi për krijimin e marrëdhënieve më të afërta me Real Madrid CF, ku pëlqehen disa talente të akademisë madrilene.

  • Real Madridi gjobit Valverden dhe Tchouaménin pas përplasjes në zhveshtore

    Real Madridi gjobit Valverden dhe Tchouaménin pas përplasjes në zhveshtore

    Real Madrid CF ka konfirmuar se ka gjobitur me nga 500 mijë euro secilin lojtarët Federico Valverde dhe Aurélien Tchouaméni, pas incidentit fizik që ndodhi në dhomën e zhveshjes së skuadrës.

    Sipas raportimeve, gjatë përplasjes Valverde goditi kokën në një tavolinë, duke pësuar traumë në kokë dhe humbje të përkohshme të kujtesës për disa ngjarje. Mesfushori uruguaian pritet të mungojë për disa javë deri në rikuperimin e plotë.

    Në komunikatën zyrtare, klubi madrilen bëri të ditur se të dy lojtarët kanë kërkuar falje për sjelljen e tyre dhe kanë pranuar dënimin e vendosur nga klubi.

    “Real Madrid CF njofton se, pas ngjarjeve që çuan dje në hapjen e procedurave disiplinore ndaj lojtarëve tanë Federico Valverde dhe Aurélien Tchouaméni, të dy janë paraqitur sot para oficerit hetues.

    Gjatë paraqitjes së tyre, lojtarët shprehën keqardhjen e sinqertë për atë që ndodhi dhe i kërkuan falje njëri-tjetrit.

    Po ashtu, ata kërkuan falje ndaj klubit, bashkëlojtarëve, stafit teknik dhe tifozëve, duke ofruar bashkëpunim të plotë dhe duke pranuar çdo vendim disiplinor që klubi e konsideron të përshtatshëm.

    Në dritën e këtyre rrethanave, Real Madridi ka vendosur t’i gjobisë të dy lojtarët me nga 500 mijë euro, duke mbyllur kështu procedurat e brendshme disiplinore”, thuhet në deklaratë.

    Ndërkohë, mbetet të shihet nëse Tchouaméni do të jetë i gatshëm për ndeshjen e madhe ndaj FC Barcelona në “El Clasico”.

  • Milan në paqartësi: Allegri dhe Tare në rrezik largimi

    Milan në paqartësi: Allegri dhe Tare në rrezik largimi

    Sipas disa burimeve në Itali, e ardhmja e trajnerit Massimiliano Allegri dhe drejtorit sportiv Igli Tare te AC Milan mbetet e pasigurt, pavarësisht nëse skuadra siguron apo jo kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

    Raportimet në mediat italiane sugjerojnë se klubi kuqezi mund të përballet me një tjetër verë ndryshimesh të mëdha. Sipas ekspertit të Milanit, Carlo Pellegatti, Allegri mund të mos vazhdojë në “San Siro” për shkak të marrëdhënieve të tensionuara me CEO-n e klubit, Giorgio Furlani.

    Kontrata e Allegrit është e vlefshme deri në qershor 2027, por përfshin një klauzolë zgjatjeje automatike deri në vitin 2028 në rast se Milani kualifikohet në Ligën e Kampionëve këtë sezon. Megjithatë, sipas raportimeve të Calciomercato.com, raportet e ftohta me drejtuesit mund të çojnë në ndarje, edhe nëse objektivat sportive përmbushen.

    Thuhet gjithashtu se Allegri dhe Furlani kanë zhvilluar disa takime javët e fundit për planifikimin afatgjatë të klubit, por palët ende nuk ndajnë të njëjtin vizion për të ardhmen.

    Ndërkohë, Tuttomercatoweb raporton se edhe Igli Tare është nën vëzhgim, pasi investimet e verës së kaluar nuk kanë dhënë rezultatet e pritura, sidomos në rastet e lojtarëve si Christopher Nkunku dhe Ardon Jashari.

    Po ashtu, drejtori sportiv i Atalanta BC, Tony D’Amico, mbetet një alternativë e mundshme për Milanin, megjithëse klubi bergamask nuk është i gatshëm të ndahet lehtë me të.

  • Başakşehir synon Milot Rashicën me ofertë prej 3.5 milionë euro

    Başakşehir synon Milot Rashicën me ofertë prej 3.5 milionë euro

    Klubi turk İstanbul Başakşehir FK ka hyrë seriozisht në garë për transferimin e sulmuesit kosovar Milot Rashica, i cili aktualisht luan për Beşiktaş JK.

    Sipas raportimeve nga mediat turke, trajneri i Başakşehir, Nuri Şahin, i ka paraqitur drejtuesve të klubit një vlerësim pozitiv për lojtarin 29-vjeçar dhe ka kërkuar afrimin e tij për sezonin e ardhshëm.

    Thuhet se Başakşehir po përgatit një ofertë prej rreth 3.5 milionë eurosh për Rashicën, i cili ka kontratë me Beşiktaş deri në vitin 2027. Megjithatë, drejtuesit e klubit bardhezi raportohet se janë të hapur për shitjen e tij, si pjesë e planit për të ulur shpenzimet dhe për të krijuar buxhet për përforcime të reja.

    Rashica më parë ka qenë pjesë edhe e Galatasaray SK, duke e bërë atë një nga lojtarët me përvojë në Superligën e Turqisë.

  • Granit Xhaka shpallet “Lojtari i Vitit” te Sunderlandi

    Granit Xhaka shpallet “Lojtari i Vitit” te Sunderlandi

    Granit Xhaka është shpallur “Lojtari i Sezonit” te Sunderland AFC, pas paraqitjeve të shkëlqyera gjatë këtij edicioni në futbollin anglez.

    Edhe pse sezoni i Sunderlandit është zbehur disi në javët e fundit, fakti që skuadra vazhdon të jetë në garë për një vend që dërgon në garat evropiane konsiderohet një sukses i madh. Para nisjes së kampionatit, shumë analistë e parashikonin Sunderlandin në fundin e tabelës, por ekipi siguroi mbijetesën disa javë para përfundimit të sezonit dhe tejkaloi pritshmëritë.

    Xhaka ka qenë një nga figurat kryesore të skuadrës në këtë sukses, duke fituar vlerësimin maksimal nga tifozët dhe drejtuesit e klubit. Mesfushori shqiptar ka regjistruar shtatë përfshirje direkte në gola gjatë sezonit, mes realizimeve dhe asistimeve, duke treguar rëndësi të madhe në repartin e mesfushës.

    Përveç kontributit ofensiv, ai ka krijuar 33 raste për gol, ndërsa tetë prej tyre janë vlerësuar si “raste të mëdha”, statistikë që e rendit ndër lojtarët më produktivë në pozitën e tij në Premier League.

    Paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re edhe nga figura të njohura të futbollit. Ish-portieri legjendar danez Peter Schmeichel ka deklaruar se Xhaka do të ishte zëvendësuesi ideal i Casemiro te Manchester United FC.

    “Kam një ide, ndoshta kontroverse, por mendoj se duhet të shkojmë dhe ta transferojmë Xhakën. Kur shoh çfarë ka bërë ai te Sunderlandi, është arsyeja pse skuadra ka qenë kaq e jashtëzakonshme”, është shprehur Schmeichel.

    Statistikat e mesfushorit shqiptar këtë sezon kanë qenë mbresëlënëse edhe në organizimin e lojës. Asnjë mesfushor tjetër nuk ka realizuar më shumë pasime të gjata se ai në Premier League, ndërsa vetëm një përqindje shumë e vogël e lojtarëve kanë regjistruar më shumë prekje të topit, çka tregon ndikimin dhe rëndësinë e tij në qendër të fushës.