ATV

Category: Sport

  • Robert Lewandowski vendos kërkesa të larta financiare për klubet e Serie A

    Robert Lewandowski vendos kërkesa të larta financiare për klubet e Serie A

    Robert Lewandowski ka vendosur kërkesa të qarta financiare për klubet e interesuara nga Italia, në një periudhë kur e ardhmja e tij te FC Barcelona vazhdon të mbetet e paqartë.

    Sipas raportimeve të mediave italiane, sulmuesi polak ka kërkuar një pagë prej rreth 8 milionë eurosh në sezon nga klubet që synojnë transferimin e tij, mes tyre AC Milan dhe Juventus FC.

    Të dy klubet italiane po monitorojnë situatën e veteranit polak, i cili mund të largohet si lojtar i lirë gjatë verës, pasi kontrata e tij me Barcelonën skadon muajin e ardhshëm.

    Klubi katalanas raportohet se i ka ofruar Lewandowskit një rinovim afatshkurtër, por me ulje page, diçka që deri tani nuk duket se i përshtatet kërkesave të sulmuesit.

    Megjithatë, paga e kërkuar nga 36-vjeçari konsiderohet shumë e lartë për standardet aktuale financiare të Serie A, çka mund ta komplikojë ndjeshëm mundësinë e një marrëveshjeje me Milanin ose Juventusin.

    Pavarësisht moshës, Lewandowski vazhdon të mbetet një nga sulmuesit më të vlerësuar në futbollin evropian, falë eksperiencës, instinktit para portës dhe vazhdimësisë në nivel të lartë gjatë viteve të fundit.

  • Milani pranë marrëveshjes me Leon Goretzkan

    Milani pranë marrëveshjes me Leon Goretzkan

    AC Milan raportohet se është shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje personale me Leon Goretzka, i cili pritet të largohet si lojtar i lirë nga FC Bayern Munich në fund të sezonit.

    Mesfushori gjerman prej kohësh është konsideruar si një nga objektivat kryesorë të “Rossonerëve”, që synojnë të shtojnë më shumë eksperiencë dhe cilësi në repartin e mesfushës. Në projektin e ri të Milanit, Goretzka shihet si një profil ideal për t’iu bashkuar emrave me përvojë si Luka Modrić dhe Adrien Rabiot.

    31-vjeçari, i cili mbushi vitet në muajin shkurt, do të jetë i lirë nga 1 korriku, kur i përfundon kontrata aktuale me Bayern Munich.

    Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Milani është optimist se marrëveshja me reprezentuesin gjerman është shumë afër finalizimit. Interesim për mesfushorin kanë shfaqur edhe klube të tjera të mëdha evropiane, përfshirë SSC Napoli, Juventus FC, Arsenal FC, Olympique de Marseille dhe Bayer 04 Leverkusen.

    Megjithatë, Milani besohet se ka avantazh në negociata dhe mund ta përmbyllë transferimin nëse siguron një vend në UEFA Champions League për sezonin e ardhshëm. Aktualisht, skuadra kuqezi ndodhet në vendin e tretë në renditjen e Serie A.

    Gjatë këtij sezoni, Goretzka ka zhvilluar 45 paraqitje zyrtare me Bayern Munich, duke realizuar pesë gola dhe katër asistime. Ai gjithashtu ka një karrierë të rëndësishme me Kombëtarja e Gjermanisë në futboll, ku numëron 69 ndeshje dhe 15 gola të shënuar.

  • Arsenali synon Bradley Barcolan për të forcuar repartin ofensiv

    Arsenali synon Bradley Barcolan për të forcuar repartin ofensiv

    Arsenal FC po planifikon një rindërtim të rëndësishëm të repartit ofensiv për sezonin e ardhshëm, ndërsa objektivi kryesor i trajnerit Mikel Arteta është talenti francez Bradley Barcola, aktualisht pjesë e Paris Saint-Germain.

    Drejtuesit e klubit londinez e konsiderojnë Barcolan profilin ideal për të sjellë më shumë shpejtësi, kreativitet dhe balancë në krahun e majtë të sulmit. Sipas raportimeve, ardhja e tij do t’i krijonte më shumë hapësira edhe yllit anglez Bukayo Saka në anën tjetër të fushës.

    Arsenali thuhet se ka përgatitur raporte të detajuara për 23-vjeçarin, i cili vlerësohet si një nga talentet më premtues të futbollit evropian. Interesimi për francezin është rritur për shkak të situatës së tij te PSG-ja, ku konkurrenca e fortë në repartin ofensiv nuk i ka garantuar vazhdimësi të plotë në formacionin titullar të skuadrës së drejtuar nga Luis Enrique.

    Kjo situatë besohet se mund ta shtyjë lojtarin të mendojë për një aventurë të re, ku do të kishte rol më të rëndësishëm dhe më shumë minuta në dispozicion.

    Sipas mediave sportive, Arsenali është i gatshëm të ofrojë rreth 80 milionë euro për të bindur kampionët francezë të heqin dorë nga një prej lojtarëve më premtues të skuadrës. Klubi londinez e sheh verën e vitit 2026 si momentin ideal për të realizuar një transferim të madh dhe për të forcuar repartin ofensiv me një futbollist që përshtatet me filozofinë dinamike të Artetës.

    Në planet e Arsenalit priten edhe ndryshime të tjera në sulm, pasi largimet e mundshme të Gabriel Jesus dhe Gabriel Martinelli mund të krijojnë hapësira të reja në skuadër.

    Barcola shihet si lojtari ideal për të sjellë depërtim në situatat një kundër një, freski teknike dhe më shumë efikasitet në ndeshjet e mëdha, veçanërisht në UEFA Champions League.

    Megjithatë, Arsenali nuk do ta ketë të lehtë realizimin e këtij transferimi, pasi interesim për sulmuesin francez kanë shfaqur edhe klube të mëdha evropiane si FC Bayern Munich, FC Barcelona dhe Liverpool FC.

    Nëse marrëveshja realizohet, Barcola pritet të jetë një nga figurat kryesore të projektit të ri të Arsenalit në synimin për dominim në futbollin anglez dhe atë evropian.

  • Real Madridi hap hetim disiplinor ndaj Tchouaménit dhe Valverdes pas incidentit në klub

    Real Madridi hap hetim disiplinor ndaj Tchouaménit dhe Valverdes pas incidentit në klub

    Real Madrid CF ka nisur një proces disiplinor ndaj dy mesfushorëve të ekipit të parë, Aurélien Tchouaméni dhe Federico Valverde, pas një incidenti të raportuar mes tyre gjatë dy ditëve radhazi në ambientet e klubit.

    Sipas mediave sportive spanjolle, përplasja mes dy lojtarëve dyshohet se ka kaluar edhe në kontakt fizik. Raportimet pretendojnë se në incidentin e dytë situata është përshkallëzuar deri në atë pikë sa Valverde ka pasur nevojë për trajtim mjekësor në spital.

    Megjithatë, futbollisti uruguaian ka mohuar publikisht se ka qenë viktimë e një agresioni të drejtpërdrejtë nga bashkëlojtari i tij. Pavarësisht kësaj, klubi madrilen ka vendosur të hapë hetim zyrtar për rastin dhe ka emëruar një instruktor të posaçëm për zhvillimin e procedurave disiplinore.

    Sipas raportimeve, të dy futbollistët mund të përballen me masa të rënda disiplinore, që përfshijnë pezullime të gjata, gjoba financiare dhe madje edhe pezullim të pagesës së pagës. Në rast se incidenti cilësohet “i rëndë”, ndëshkimi mund të variojë nga 3 deri në 10 ndeshje, ndërsa nëse konsiderohet “shumë i rëndë”, pezullimi mund të arrijë nga 11 deri në 20 ndeshje.

    Po ashtu, bazuar në rregulloren e brendshme të klubit dhe marrëveshjen kolektive ndërmjet LaLiga-s dhe AFE-së (Asociación de Futbolistas Españoles), nuk përjashtohet as mundësia e masave edhe më ekstreme, përfshirë ndërprerjen e kontratës.

    Hetimi pritet të zgjasë disa javë, periudhë gjatë së cilës të dy lojtarët do të informohen zyrtarisht për akuzat dhe do të kenë mundësi të japin versionin e tyre përpara marrjes së një vendimi përfundimtar.

    Kjo situatë vjen në një moment delikat për Real Madridin, që ndodhet në fazën më vendimtare të sezonit dhe synon të mbetet konkurrues në të gjitha garat kryesore.

  • Detroit Pistons dhe Oklahoma City Thunder afrohen me finalet e konferencave

    Detroit Pistons dhe Oklahoma City Thunder afrohen me finalet e konferencave

    Skuadra e Detroit Pistons ka shënuar fitore 107-97 ndaj Cleveland Cavaliers në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të “play-off”-it në Konferencën e Lindjes, duke marrë epërsinë 2-0 në seri.

    Takimi ishte mjaft rivalizues gjatë pjesës më të madhe të lojës, por në momentet vendimtare vendasit u treguan më të saktë dhe arritën një fitore të merituar.

    Më i dalluari te Detroit ishte Cade Cunningham me 25 pikë, ndërsa kontribut të rëndësishëm dha edhe Tobias Harris me 21 pikë. Te Cleveland nuk mjaftuan 31 pikët e Donovan Mitchell, pasi Cavaliers pësuan humbjen e dytë radhazi. Dy sfidat e ardhshme do të zhvillohen në fushën e Cleveland.

    Fitore të rëndësishme ka regjistruar edhe Oklahoma City Thunder, që triumfoi 125-107 ndaj Los Angeles Lakers në gjysmëfinalen e dytë të Konferencës së Perëndimit, duke udhëhequr gjithashtu 2-0 serinë.

    Skuadra kampione zhvilloi një paraqitje bindëse, duke dominuar në pjesën më të madhe të takimit. Për Lakers, më efikasi ishte Austin Reaves me 31 pikë, por ato mbetën vetëm për statistikë.

    Te Oklahoma u dalluan gjashtë basketbollistë me mbi 10 pikë, ndërsa më të mirët ishin Shai Gilgeous-Alexander dhe Chet Holmgren, që realizuan nga 22 pikë secili.

  • Finalet për titullin kampion nisin këtë fundjavë në “Minatori”

    Finalet për titullin kampion nisin këtë fundjavë në “Minatori”

    Përballjet finale të Superligës së Kosovës në basketboll do të nisin këtë fundjavë në Palestra Minatori, ku kampioni në fuqi KB Trepça do ta presë KB Bashkimi në ndeshjen e parë të serisë finale.

    Pas një sezoni të gjatë dhe mjaft spektakolar, të dy skuadrat kanë treguar formë të mirë dhe kanë dhuruar basketboll cilësor gjatë gjithë kampionatit, duke krijuar pritje të mëdha për finalet e këtij edicioni.

    Trepça dhe Bashkimi po përballen sërish në luftën për titull, njësoj si në edicionin e kaluar, kur mitrovicasit arritën të triumfonin me rezultat 4:2 në seri dhe ta shpallnin veten kampionë të Kosovës.

    Rivaliteti mes dy skuadrave është thelluar edhe më shumë në vitet e fundit, pasi ato janë takuar edhe në dy finalet e fundit të Kupës së Kosovës, të cilat përfunduan me fitoret e “Xehetarëve”.

    Ndeshja e parë e finales zhvillohet të dielën në palestrën “Minatori”, ndërsa titulli kampion do t’i takojë skuadrës që arrin katër fitore në serinë finale.

  • FIFA trefishon çmimin e biletave më të mira për finalen e Kupës së Botës

    FIFA trefishon çmimin e biletave më të mira për finalen e Kupës së Botës

    FIFA ka rritur çmimin e biletave më të shtrenjta për finalen e Kupës së Botës 2026, e planifikuar të luhet më 19 korrik në stadiumin MetLife në East Rutherford, kështu që tani ato kushtojnë 32,970 dollarë.

    Në faqen e shitjeve të FIFA-s, këto vende janë shënuar si kategoria e parë e vendeve të përparme. Më parë, çmimi maksimal për të njëjtën kategori ishte 10,990 dollarë, dhe ky opsion ishte i disponueshëm vetëm të enjten në mbrëmje për përdoruesit e karrigeve me rrota dhe biletat e aksesueshme.

    Çmimet e larta pasuan fundin e turneut. Biletat për gjysmëfinalet e 14 korrikut në stadiumin AT&T në Arlington kushtuan 11,130 dollarë, 4,330 dollarë, 3,710 dollarë dhe 2,705 dollarë, ndërsa biletat për gjysmëfinalen e dytë një ditë më vonë në stadiumin Mercedes-Benz në Atlanta kushtuan 10,635 dollarë, 3,545 dollarë dhe 2,725 dollarë.

    Ndeshjet e ekipit kombëtar të SHBA-së në fazën e grupeve ishin gjithashtu të shtrenjta.

    Për ndeshjen kundër Paraguait më 12 qershor në stadiumin SoFi në Inglewood, çmimet ishin 2,735 dollarë, 1,940 dollarë dhe 1,120 dollarë, për ndeshjen kundër Australisë më 19 qershor në Seattle ishin 2,715 dollarë dhe për ndeshjen kundër Turqisë më 25 qershor në Ingleëood plotë 2,970 dollarë, 1,345 dollarë, 990 dollarë dhe 840 dollarë.

    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e mbrojti një politikë të tillë në konferencën globale të Institutit Milken në Beverly Hills.

    “Duhet ta shohim tregun. Jemi në një treg ku argëtimi është më i zhvilluari në botë, kështu që duhet të zbatojmë çmimet e tregut. Nëse biletat do të shiten me një çmim shumë të ulët, ato do të rishiten me një çmim shumë më të lartë”, ka thënë Infantino.

    Në platformën e rishitjes së FIFA-s, biletat për finalen e së enjtes ofroheshin për çmime midis 8,970 dhe 11,499,998.85 dollarë. FIFA nuk përcakton çmimet e kërkuara në platformë, por merr një tarifë prej 15 për qind nga blerësi dhe 15 për qind të tjera nga shitësi.

  • Mbappé drejt rikthimit për “El Clásico”-Pritet vendim në orët e fundit

    Mbappé drejt rikthimit për “El Clásico”-Pritet vendim në orët e fundit

    Sulmuesi i Real Madridit, Kylian Mbappé, është shumë pranë rikthimit në fushë për sfidën e madhe ndaj Barcelonës këtë të diel në orën 21:00, ndeshje që mund të vendosë titullin e La Ligës.

    Ylli francez ka qenë në dyshim pasi mungoi në stërvitje për disa ditë për shkak të një problemi muskulor në kofshë, të pësuar pas ndeshjes ndaj Real Betisit. Megjithatë, ai nuk ka pësuar dëmtim serioz dhe ka vetëm një tendosje.

    Mbappé është rikthyer në qendrën stërvitore të Real Madridit në Valdebebas dhe ka nisur punën graduale, duke marrë pjesë pjesërisht në stërvitje me grupin dhe pjesërisht me stafin mjekësor. Ai ka kaluar teste mjekësore dhe po monitorohet nga afër nga klubi.

    Sipas raportimeve, gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm dhe pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen, por më shumë gjasa ka që ta nisë nga stoli sesa si titullar.

    Real Madridi përballet me Barcelonën në një ndeshje vendimtare, ku çdo rezultat përveç fitores së madrilenëve do t’i siguronte titullin katalanasve.

  • Tensione të larta në dhomën e zhveshjes së Real Madridit, klubi thërret takim urgjent

    Tensione të larta në dhomën e zhveshjes së Real Madridit, klubi thërret takim urgjent

    Atmosfera në kampin e Real Madrid është përshkallëzuar ndjeshëm pas një sërë incidentesh të raportuara brenda dhomës së zhveshjes, ku protagonistë janë Federico Valverde dhe Aurélien Tchouaméni.

    Sipas raportimeve të MARCA-s, tensionet që nisën pas një përplasjeje të mëparshme mes dy lojtarëve nuk janë qetësuar, përkundrazi situata është përkeqësuar në orët e fundit me një incident të ri të cilësuar si “shumë serioz” nga brenda klubit. Kjo ka bërë që drejtuesit të reagojnë menjëherë duke thirrur një takim urgjent në dhomën e zhveshjes.

    Burimet brenda klubit bëjnë të ditur se përplasja e fundit ka eskaluar shpejt dhe ka kërkuar ndërhyrjen e disa pjesëtarëve të stafit dhe ekipit, duke reflektuar një klimë të tensionuar dhe mungesë harmonie brenda skuadrës.

    Gjendja thuhet se është më e rëndë se incidenti i mëparshëm në Valdebebas, ndërsa klubi po shqyrton mundësinë e marrjes së masave disiplinore për të rikthyer qetësinë.

    Pas ngjarjes, është zhvilluar një takim emergjent me pjesëmarrjen e drejtuesve të klubit, me qëllim stabilizimin e situatës dhe ndalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të tensioneve.

    Aktualisht, në kampin madrilen mbizotëron një atmosferë e brishtë, me shqetësime serioze për unitetin e skuadrës në një periudhë vendimtare të sezonit.

  • Mohamed Sissoko del në mbështetje të Edon Zhegrovës: Do të ishte gabim të shitej

    Mohamed Sissoko del në mbështetje të Edon Zhegrovës: Do të ishte gabim të shitej

    Ylli i Kombëtares së Kosovës Edon Zhegrova, ka marrë vlerësime të mëdha nga ish-mesfushori i Juventusit, Mohamed Sissoko, i cili beson se klubi nuk duhet ta shesë sulmuesin gjatë afatit kalimtar të verës.

    Sissoko, që ishte pjesë e Juventusit nga viti 2007 deri më 2011, foli për mediumin italian TuttoJuve.com lidhur me ndryshimet e fundit te skuadra italiane, por vëmendje të veçantë morën komentet e tij për Zhegrovën.

    Ish-mesfushori u shpreh se ka pritshmëri të mëdha nga reprezentuesi kosovar dhe vlerëson aftësitë e tij.

    “Pres shumë nga Zhegrova, ai është një djalë me disa cilësi shumë të rëndësishme”, deklaroi fillimisht Sissoko.

    I pyetur nëse këto mund të jenë ndeshjet e fundit të Zhegrovës me bardhezinjtë, ai theksoi se largimi i tij do të ishte një vendim i gabuar.

    “Shpresoj që jo. Mendoj se do të ishte gabim ta shisnim pas vetëm një sezoni. Ai është dashur të përshtatet me një vend të ri dhe me një stil ndryshe loje. Do të vazhdoja t’i besoja, sepse më pëlqen shumë si lojtar”, përfundoi Sissoko.