ATV

Category: Sport

  • NBA: Knicks shkatërrojnë 76ers, Timberwolves rikthejnë ekuilibrin ndaj Spurs

    NBA: Knicks shkatërrojnë 76ers, Timberwolves rikthejnë ekuilibrin ndaj Spurs

    Mbrëmje spektakolare në playoff-et e NBA-së, ku New York Knicks dhe Minnesota Timberwolves dhuruan emocione dhe rezultate të rëndësishme në garën drejt finales.

    Në Konferencën e Lindjes, Knicks konfirmuan formën e jashtëzakonshme duke mposhtur Philadelphia 76ers me rezultatin 144-114, dhe duke mbyllur serinë 4-0. Skuadra nga Nju Jorku dominoi që në minutat e para, me një breshëri treshesh që vulosi fatin e sfidës që në çerekun e parë. 144 pikët e realizuara përbëjnë rekord të ri të klubit në playoff, ndërsa 25 treshet e shënuara barazojnë rekordin historik të NBA-së në postseason.

    Njeriu i ndeshjes ishte Miles McBride, autor i 25 pikëve dhe 7 treshave, në paraqitjen më të mirë të karrierës së tij në playoff. Mbështetje të rëndësishme dhanë edhe Jalen Brunson me 22 pikë, si dhe Josh Hart dhe Karl-Anthony Towns me nga 17 pikë secili. Për Philadelphia-n nuk mjaftuan 24 pikët e Joel Embiid dhe 17 të Tyrese Maxey.

    Në Konferencën e Perëndimit, Minnesota Timberwolves rikthyen ekuilibrin në seri pas fitores 114-109 ndaj San Antonio Spurs. Ndeshja u karakterizua nga tension i lartë, sidomos pas episodit të fillimit të periodës së dytë, kur Victor Wembanyama u përjashtua me faull flagrant pas goditjes me bërryl ndaj Naz Reid.

    Pavarësisht mungesës së yllit francez, Spurs luftuan deri në fund falë paraqitjeve të De’Aaron Fox dhe Dylan Harper. Megjithatë, në momentet vendimtare shkëlqeu Anthony Edwards, i cili realizoi 36 pikë, 16 prej tyre vetëm në periodën e fundit, duke udhëhequr Timberwolves drejt fitores dhe duke hyrë në historinë e NBA-së si lojtari i gjashtë që kalon 300 pikë në çerekët e katërt të playoff-it para moshës 25-vjeçare.

  • Alvaro Arbeloa në qendër të kritikave pas statistikave të dobëta te Real Madrid

    Alvaro Arbeloa në qendër të kritikave pas statistikave të dobëta te Real Madrid

    Trajneri Alvaro Arbeloa është vënë në qendër të vëmendjes pas një serie rezultatesh zhgënjyese në stolin e Real Madridit, duke ndezur debat te tifozët dhe analistët.

    Ish-mbrojtësi legjendar, tashmë trajner, ka regjistruar raportin më të lartë të humbjeve për çdo trajner të Real Madridit në shekullin 21, për sa kohë që ka drejtuar të paktën 20 ndeshje. Arbeloa ka humbur 8 ndeshje nga 25, ose 32% të takimeve zyrtare, një shifër që e vendos atë në një pozitë të vështirë krahasuar me paraardhësit e tij modernë.

    Edhe pse shumë trajnerë të tjerë kanë kaluar periudha të vështira nën presionin e madh të “Santiago Bernabeu”, askush nuk ka arritur këtë nivel humbjesh kaq shpejt në karrierën e tij si trajner i ekipit të parë. Për një klub që kërkon fitore të vazhdueshme, këto shifra kanë hapur diskutime të ashpra mbi qasjen taktike të Arbeloas dhe përshtatshmërinë e tij afatgjatë për këtë rol.

    Sipas raporteve, Arbeloa pritet të shkarkohet sapo të përfundojë sezoni, ndërsa rikthimi i Jose Mourinhos shihet si gjasa më e mundshme për stolin e Real Madridit.

  • Kosova zhvillon dy ndeshje miqësore përgatitore para Ligës së Kombeve kundër Çekisë dhe Andorrës

    Kosova zhvillon dy ndeshje miqësore përgatitore para Ligës së Kombeve kundër Çekisë dhe Andorrës

    Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë dy ndeshje miqësore gjatë muajit qershor, si përgatitje për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, ku do të garojë në Ligën B.

    Dardanët do të përballen fillimisht me Kombëtaren e Çekisë, më 31 maj, në stadiumin “Epet Arena” në Pragë. Kjo ndeshje pritet të jetë një test i rëndësishëm për ekipin e drejtuar nga përzgjedhësi Franco Foda, përballë një kundërshtari cilësor evropian. Çekia siguroi pjesëmarrjen në Botërorin 2026, duke mposhtur Danimarkën pas penalltive në play-off-in evropian, dhe aktualisht renditet e 41-ta në ranglistën e FIFA-s.

    Kosova dhe Çekia janë përballur dy herë më parë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020: më 7 shtator 2019, Kosova fitoi 2:1 në “Fadil Vokrri”, ndërsa më 14 nëntor 2019, në Plzen, humbi po 2:1.

    Ndeshja e dytë miqësore e Dardanëve do të zhvillohet më 7 qershor kundër Andorrës, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kosova dhe Andorra janë përballur dy herë në kualifikimet për Euro 2024, duke barazuar 1:1 në Prishtinë dhe duke fituar 3:0 në Andorra La Vella.

    Këto dy ndeshje do t’i shërbejnë stafit teknik për të vazhduar ndërtimin e skuadrës për takimet garuese të Ligës B, ku Kosova bën pjesë në Grupin B3 me Austrinë, Izraelin dhe Irlandën. Dardanët do të grumbullohen në hotel “Emerald” më 27 maj.

  • Hansi Flick: “Jam jashtëzakonisht krenar pas fitores historike ndaj Real Madrid”

    Hansi Flick: “Jam jashtëzakonisht krenar pas fitores historike ndaj Real Madrid”

    Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka shprehur emocionin dhe krenarinë e tij pas triumfit të madh të skuadrës në La Liga, të siguruar me fitoren ndaj Real Madrid në El Clasico në Camp Nou.

    “Nuk do ta harroj kurrë këtë moment. Ekipi im është fantastik dhe jam shumë i kënaqur. Jam jashtëzakonisht krenar për lojtarët e mi”, tha Flick pas vërshëllimës së fundit. Ai vlerësoi edhe atmosferën e krijuar nga tifozët dhe rëndësinë e fitores ndaj rivalit historik:

    “Është emocionuese të luash me tifozët në një El Clasico dhe të mposhtësh Real Madridin”, shtoi trajneri gjerman.

    Flick theksoi edhe paraqitjen taktike dhe disiplinën e skuadrës gjatë ndeshjes: “Luajtëm shumë mirë, u mbrojtëm shumë mirë dhe shënuam dy gola të mrekullueshëm.”

    Ai nuk harroi të falënderojë të gjithë ata që kontribuan në suksesin e klubit: “Dua të falënderoj skuadrën, presidentin dhe të gjithë njerëzit që na kanë mbështetur. Jam shumë krenar që kam një ekip kaq të mirë. Faleminderit për gatishmërinë për të luftuar në çdo ndeshje. E vlerësoj shumë. Duhet të festojmë. Visca el Barça dhe Visca Catalunya.”

  • Mikel Arteta lavdëron gjyqtarin pas anulimit të golit të West Hamit: “Vendim i guximshëm”

    Mikel Arteta lavdëron gjyqtarin pas anulimit të golit të West Hamit: “Vendim i guximshëm”

    Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka lavdëruar gjyqtarin Chris Kavanagh për vendimin “të guximshëm” që mori duke anuluar golin e vonshëm të West Hamit në fitoren 1-0 të ekipit të tij të dielën.

    Arsenali mori kryesimin me pesë pikë në Ligën Premier pas triumfit minimal në “London Stadium”, ku Leandro Trossard shënoi golin vendimtar ndaj “Çekanëve”, të cilët po luftojnë për mbijetesë. Ndeshja u tensionua në minutat e fundit, kur Callum Wilson mendoi se kishte barazuar rezultatin në minutën e 95-të. Pas një kontrolli të gjatë nga VAR-i, goli u anulua për shkak të një faulli ndaj portierit David Raya nga Pablo gjatë krosimit nga këndi.

    “Me siguri do ta kujtoj këtë ditë. E dinim që do të ishte një ditë e vështirë, ata po luftojnë për mbijetesë, ndërsa ne po përpiqemi të fitojmë Ligën Premier”, tha Arteta.

    Trajneri shtoi: “E nisëm ndeshjen shumë mirë dhe patëm tri raste të mëdha. Pastaj erdhi lëndimi i Ben White, u desh të bënim një ndryshim dhe të përshtatemi. Hodhëm gjithçka që kishim për ta fituar. U shpërblyem për atë guxim. Pastaj janë dy aksione, një me David Raya. Ai bën një pritje të pabesueshme, dhe pastaj polemika rreth golit të anuluar, që padyshim është një vendim i madh.”

    “Kur kam pasur nevojë të jem kritik, kam qenë. Por duhet t’i përgëzoj ata (gjyqtarët). Duhet shumë guxim për të dalë dhe për t’i dhënë mundësinë gjyqtarit ta shikojë aksionin. Kur e sheh pamjen, nuk ka asnjë dyshim, është faull i pastër. Ata ishin shumë të guximshëm. Aksioni e meritonte këtë. Sipas mendimit tim, është shumë e qartë. Këto janë rregullat dhe ne kërkojmë vazhdimësi.”

  • Galatasaray befasoi Arsenalin dhe Evropën me transferimin e Victor Osimhenit

    Galatasaray befasoi Arsenalin dhe Evropën me transferimin e Victor Osimhenit

    Nënpresidenti i Galatasarayt, Abdullah Kavukcu, ka zbuluar se drejtori sportiv i Arsenalit, Andrea Berta, mbeti i “habitur” nga përmasat financiare të transferimit të përhershëm të Victor Osimhenit në Stamboll.

    Kampionët e Turqisë siguruan sulmuesin pas aktivizimit të klauzolës së lirimit prej 75 milionë eurosh nga Napoli, ndërsa paketa totale e marrëveshjes arrin rreth 159 milionë euro për katër vite. Kavukcu theksoi se ambiciet e klubit janë në nivel me elitën evropiane, duke nënvizuar se edhe me buxhetin prej 800 milionë eurosh të Arsenalit, londinezët u befasuan nga aftësia e Galatasarayt për të financuar pagën vjetore prej 15 milionë eurosh të Osimhenit dhe të drejtat fitimprurëse të imazhit.

    “Nuk do ta shisja për 150 milionë euro. Transferimi i Osimhenit na ka sjellë shumë; kemi korrur frytet e ambicies sonë”, u shpreh Kavukcu.

    Investimi po jep rezultate si jashtë, ashtu edhe brenda fushës. Në aspektin komercial, sulmuesi pritet të gjenerojë rreth 22 milionë euro të ardhura, përfshirë 6 milionë euro vetëm nga marrëveshjet e reklamimit.

    Ndërkohë, në fushë ndikimi i Osimhenit po mbetet vendimtar: dopieta e tij të shtunën udhëhoqi Galatasarayn drejt një fitoreje me përmbysje 4-2 ndaj Antalyasporit, duke siguruar titullin e katërt radhazi në Superligën Turke.

  • Ferizaj barazon 1:1 me Malishevën-Shanset për mbijetesë u zvogëluan

    Ferizaj barazon 1:1 me Malishevën-Shanset për mbijetesë u zvogëluan

    Ferizaj ka zhgënjyer me një barazim 1:1 ndaj Malishevës në ndeshjen e javës së 33-të të elitës së futbollit të Kosovës.

    Ruben Silva-Richards shënoi për vendasit në minutën e 38-të, por Asanne barazoi për mysafirët në minutën e 63-të.

    Ndeshja pati edhe tensione, pasi Ndjigi i Malishevës u përjashtua me karton të kuq pas dy kartonëve të verdhë në fund të pjesës së parë.

    Me këtë rezultat, Ferizaj mbetet në vendin e 9-të me 35 pikë, duke e vështirësuar rrugën për mbijetesë, ndërsa Malisheva pozicionohet e treta me 53 pikë, thuajse e siguruar për pjesëmarrje në Conference League.

  • Llapi dhe Dukagjini barazojnë 0-0 në duelin për mbijetesë

    Llapi dhe Dukagjini barazojnë 0-0 në duelin për mbijetesë

    Dueli mes Llapit dhe Dukagjinit përfundoi pa fitues, 0-0, në një përballje vendimtare për mbijetesë.

    Të dy skuadrat kishin mundësi të shumta për të marrë fitoren, por pa sukses.

    Për vendasit, Ramadan, Aliu dhe Hasani krijuan raste të mira, ndërsa mysafirët Isufi, Pefqeli dhe Mërlaku gjithashtu provuan, por portieri Coric mbeti i pakalueshëm.

    Pas këtij rezultati, Llapi vazhdon të mbetet në vendin e tetë me 40 pikë, ndërsa Dukagjini pozicionohet i shtati me 42 pikë.

  • Hansi Flick merr një lajm të trishtë para “El Clasico”, babai i tij ndërron jetë

    Hansi Flick merr një lajm të trishtë para “El Clasico”, babai i tij ndërron jetë

    Trajneri i Barcelona-s, Hansi Flick, ka marrë një lajm të hidhur të dielën, pasi babai i tij ka ndërruar jetë. Njoftimi u bë vetëm disa orë para se të zhvillohej “El Clasico” ndaj Real Madridit.

    Megjithatë, sipas mediave spanjolle, Flick pritet që, pavarësisht dhimbjes, të qëndrojë pranë skuadrës dhe do ta drejtojë ekipin në këtë përballje të rëndësishme.

    “FC Barcelona dhe e gjithë familja blaugrana i shpreh ngushëllimet Hansi Flick-it për humbjen e babait të tij. E ndajmë dhimbjen dhe qëndrojmë pranë tij dhe familjes së tij në këtë moment të vështirë,” njoftoi Barcelona.

    Përveç sfidës personale, Barcelona mund të shpallet kampione këtë të dielë në rast se arrin të marrë edhe një barazim në shtëpi ndaj rivalit të përbetuar, Real Madrid. “El Clasico” nis në orën 21:00 dhe zhvillohet në “Camp Nou”.

  • Vedat Muriqi vazhdon formën fantastike te Mallorca, shënon ndaj Villarrealit

    Vedat Muriqi vazhdon formën fantastike te Mallorca, shënon ndaj Villarrealit

    Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi po vazhdon të jetë shpëtimtari i Mallorcas. Ylli i Kosovës realizoi në kohën shtesë të pjesës së parë për të barazuar rezultatin ndaj Villarrealit.

    Muriqi përfitoi nga një gabim amator i portierit mysafir, i cili humbi topin nga duart, dhe me një goditje të lehtë shënoi në portën e zbrazur në minutën 45+2’.

    Ky është goli i 22-të i Muriqit në La Liga këtë sezon, duke e vendosur vetëm dy gola pas liderit aktual Kylian Mbappe në garën për “Pichichi”.

    https://x.com/BNewsMargazin/status/2053458148694933673?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E2053458148694933673%7Ctwgr%5Ef04ec1878af032cc09fef2c05dee4ca43c0103be%7Ctwcon%5Es1_c10&ref_url=https%3A%2F%2Ftelegrafi.com%2Fvedat-muriqi-ylli-i-mallorcas-shenon-gol-ndaj-villarrealit%2F