ATV

Category: Sport

  • Play-Off dramatike në NBA, Thunder kalon tutje, Cleveland rikthehet fuqishëm ndaj Detroitit

    Play-Off dramatike në NBA, Thunder kalon tutje, Cleveland rikthehet fuqishëm ndaj Detroitit

    Oklahoma City Thunder ka siguruar me autoritet kualifikimin në finalen e Konferencës Perëndimore, pasi eliminoi Los Angeles Lakers me rezultat të përgjithshëm 4-0 në seri.

    Skuadra nga Oklahoma dominoi plotësisht përballjen, duke fituar tri ndeshjet e para me diferencë të thellë, ndërsa sfida e katërt në Los Angeles solli më shumë dramë dhe emocione deri në sekondat e fundit.

    Thunder triumfoi me rezultat 115:110 në një ndeshje që u vendos vetëm në fund. Lakers arritën të kalonin përkohësisht në epërsi 110:109 pas dy gjuajtjeve të sakta të Marcus Smart, por më pas mbetën pa pikë deri në sirenën përfundimtare.

    Në momentet vendimtare, Chet Holmgren realizoi një ngulje të rëndësishme, ndërsa Shai Gilgeous-Alexander dhe Ajay Mitchell vulosën fitoren nga vija e gjuajtjeve të lira.

    Lideri absolut i Thunder ishte sërish Gilgeous-Alexander, i cili e mbylli takimin me 35 pikë dhe 8 asistime, duke konfirmuar formën fantastike në këtë edicion të Play-Offit. Në anën tjetër, LeBron James u dallua për Lakers me 24 pikë dhe 12 ribaunde, por performanca e tij nuk mjaftoi për të shmangur eliminimin.

    Me këtë sukses, Oklahoma City Thunder avancon në finalen e Konferencës Perëndimore, ku do të presë fituesin e serisë mes San Antonio Spurs dhe Minnesota Timberwolves.

     

    Në Konferencën e Lindjes, Cleveland Cavaliers reagoi fuqishëm në parketin vendas, duke triumfuar 112:103 ndaj Detroit Pistons dhe duke barazuar serinë gjysmëfinale në 2-2.

    Përballja ishte e luftuar për pjesën më të madhe të kohës, me të dy skuadrat që shkëmbyen avantazhin disa herë gjatë ndeshjes. Megjithatë, Cavaliers treguan më shumë qetësi dhe efikasitet në momentet vendimtare, duke bërë diferencën në periodën e fundit.

    Figura kryesore e takimit ishte pa dyshim Donovan Mitchell, i cili zhvilloi një paraqitje spektakolare me 43 pikë, duke udhëhequr Cleveland drejt një fitoreje shumë të rëndësishme në garën për finalen e Konferencës.

    Te Detroiti u dallua LeVert me 24 pikë, por performanca e tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen në një sfidë ku vendasit kontrolluan ritmin në çastet decisive.

  • Nga stadiumet te tifozët, Ronaldinho me rol unik gjatë Kupës së Botës

    Nga stadiumet te tifozët, Ronaldinho me rol unik gjatë Kupës së Botës

    Ronaldinho do të jetë një nga figurat më të veçanta të Kampionatit Botëror 2026, por kësaj radhe larg fushës së lojës. Legjenda braziliane është përzgjedhur nga transmetuesi brazilian TV Globo për të pasur një rol unik gjatë mbulimit mediatik të turneut që do të organizohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

    Sipas raportimeve të mediave braziliane, ish-ylli i Barcelonës dhe kombëtares së Brazilit nuk do të jetë thjesht analist televiziv, por një figurë qendrore që do të sjellë atmosferën e Botërorit më afër tifozëve.

    Roli i Ronaldinhos pritet të jetë dinamik dhe mjaft ndryshe nga format tradicionale të televizionit sportiv. Ai do të ndjekë ndeshjet drejtpërdrejt nga stadiumet, do të vizitojë kampet stërvitore të skuadrave pjesëmarrëse dhe do të realizojë intervista ekskluzive me futbollistë e personalitete të njohura të turneut.

    Përveç kësaj, braziliani do të marrë pjesë në aktivitete dhe evente të ndryshme me tifozët në qytetet kryesore pritëse të Botërorit, duke sjellë energjinë dhe karizmën që e kanë karakterizuar gjithmonë.

    Në rrjetet sociale, ky angazhim është komentuar gjerësisht si një koncept krejtësisht “brazilian”, duke e lidhur stilin argëtues dhe spontan të Ronaldinhos me atmosferën festive që shoqëron zakonisht Kampionatin Botëror.

    Përmes kësaj strategjie, TV Globo synon të krijojë një përvojë më emocionale dhe më afër publikut, duke e kthyer Ronaldinho në një nga figurat kryesore të spektaklit jashtë fushës gjatë Botërorit 2026.

  • Juventus zbulon fanellën e re për sezonin 2026/27, rikthehet eleganca klasike

    Juventus zbulon fanellën e re për sezonin 2026/27, rikthehet eleganca klasike

    Juventus ka prezantuar zyrtarisht fanellën e re të shtëpisë për sezonin 2026/27, duke sjellë një kombinim mes traditës dhe stilit modern që pasqyron identitetin historik të klubit torinez.

    Dizajni i ri ruan vijat ikonike bardh e zi, por këtë herë ato janë sjellë në një version më bashkëkohor dhe elegant. Fanella karakterizohet nga prerje të pastra dhe detaje gjeometrike që i japin një pamje më dinamike dhe moderne.

    Një nga elementet më të veçanta të këtij edicioni është rikthimi i jakës klasike polo, frymëzuar nga uniformat legjendare të Juventusit ndër vite. Përveç kësaj, detajet në ngjyrë ari mbi stemën e klubit, logon e Adidas-it dhe numrat e lojtarëve i japin fanellës një prekje luksi dhe elegance.

    Kompleti i ri plotësohet me pantallona të bardha dhe çorape në të njëjtën ngjyrë, duke ruajtur stilin tradicional të “Zonjës së Vjetër”. Fanella tashmë është në dispozicion për tifozët në dyqanet fizike dhe online.

    Në njoftimin zyrtar, Juventusi theksoi se fanella përfaqëson lidhjen mes historisë së pasur të klubit dhe vizionit për të ardhmen.

    “Rrënjë të forta dhe sytë drejt së ardhmes. Fanella e re sjell një interpretim modern të simboleve historike të klubit, duke kombinuar elegancën klasike me energjinë e futbollit modern”, thuhet në komunikatën e klubit bardhezi.

    Me këtë dizajn të ri, Juventus synon të ruajë identitetin tradicional, ndërsa njëkohësisht të sjellë freski dhe inovacion për sezonin e ardhshëm.

  • Sulmuesi dardan Vedat Muriqi dominon në Spanjë, pjesë e formacionit më të mirë të javës

    Sulmuesi dardan Vedat Muriqi dominon në Spanjë, pjesë e formacionit më të mirë të javës

    Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, vazhdon të shkëlqejë në elitën e futbollit spanjoll. Pas një paraqitjeje tjetër të nivelit të lartë me Mallorcan, ai është përfshirë në formacionin më të mirë të javës në La Liga nga Sofascore.

    Muriqi ishte protagonist në barazimin 1-1 ndaj Villarrealit, ku realizoi golin e ekipit të tij dhe u vlerësua me notën 8.2. Falë performancës së tij bindëse, sulmuesi dardan u përzgjodh në qendër të sulmit në ekipin ideal të javës së 35-të.

    Paraqitjet e tij nuk kaluan pa u vënë re as nga kundërshtarët. Trajneri i Villarrealit vlerësoi lart forcën dhe ndikimin e Muriqit në lojë, duke theksuar vështirësitë që mbrojtësit e tij patën për ta ndalur.

    Në repartin ofensiv, përkrah reprezentuesit kosovar u përfshi edhe bashkëlojtari i tij te Mallorca, Zito Luvumbo. Ndërkohë, mesfusha e formacionit u kompletua nga Victor Garcia, Alex Baena, Pablo Martinez dhe Antony, të cilët spikatën gjatë kësaj jave në kampionatin spanjoll.

    Edhe mbrojtja solli emra në formë të mirë si Jose Gaya, David Affengruber, Javi Rodriguez dhe Andrei Ratiu, ndërsa në portë u vendos Arnau Tenas, i cili mori notën më të lartë të javës, 8.9.

    Përfshirja e Muriqit në këtë formacion konfirmon edhe një herë sezonin fantastik që po kalon në Spanjë. Sulmuesi nga Prizreni mbetet figura kryesore e Mallorcas dhe një ndër lojtarët më të dalluar të La Ligas këtë edicion.

    Deri më tani, ai ka realizuar 22 gola në kampionat, duke u renditur i dyti në listën e golashënuesve, vetëm dy gola pas Kylian Mbappé me 24 realizime.

  • Dy futbollistë shqiptarë në formacionin më të mirë të javës në Bundesligë

    Dy futbollistë shqiptarë në formacionin më të mirë të javës në Bundesligë

    Në fundjavë u zhvillua java e 33-të e Bundesligës së Gjermanisë, dhe në formacionin më të mirë të kësaj xhiroje nuk kanë munguar futbollistët shqiptarë.

    Sipas vlerësimeve të SofaScore, në “Ekipin e javës” u përzgjedhën Albian Hajdari dhe Arijon Ibrahimovic, të cilët spikaten me paraqitjet e tyre dhe u konsideruan ndër më meritorët për fitoret e skuadrave përkatëse.

    Albian Hajdari ishte një nga pikat më të forta të Hoffenheim në fitoren minimale 1-0 ndaj Werder Bremen. Mbrojtësi shqiptar u vlerësua me notën 8.7, falë paraqitjes së sigurt në prapavijë, dueleve të fituara dhe rolit kyç në ruajtjen e portës së paprekur në një ndeshje vendimtare në fundin e sezonit.

    Ndërkohë, Arijon Ibrahimovic spikati në fitoren e Heidenheim me rezultat 3-1. Ai u vlerësua me notën 8.5, duke qenë një nga lojtarët më të rrezikshëm në fazën ofensivë dhe duke ndihmuar skuadrën e tij të sigurojë tri pikë të rëndësishme.

    Përveç dyshes shqiptare, në formacionin më të mirë të javës 33 janë përfshirë edhe emra të njohur të Bundesligës, si Michael Olise (8.7), Joshua Kimmich (8.3), Willi Orbán (8.9) dhe Conrad Trimmel (8.8), të cilët gjithashtu patën paraqitje të nivelit të lartë.

    Paraqitjet e Hajdarit dhe Ibrahimovic janë një tjetër tregues i rritjes së futbollistëve shqiptarë në kampionatet më të forta të Evropës, veçanërisht në një fazë të sezonit ku çdo pikë dhe çdo performancë ka rëndësi të madhe.

  • Daniel Siebert do të drejtojë finalen PSG–Arsenal në Champions League

    Daniel Siebert do të drejtojë finalen PSG–Arsenal në Champions League

    UEFA ka caktuar arbitrin gjerman Daniel Siebert për të drejtuar finalen e UEFA Champions League mes Paris Saint-Germain dhe Arsenal. Për 42-vjeçarin, kjo do të jetë finalja e parë në karrierë në një kompeticion madhor të UEFA-s.

    Siebert kishte drejtuar edhe ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales në Emirates mes Arsenalit dhe Atletico Madrid, duke fituar besimin e shtëpisë europiane të futbollit për këtë supersfidë të sezonit.

    Asistentët e tij do të jenë bashkëkombësit Seidel dhe Foltyn, ndërsa arbitër i katërt është spanjolli Porras Ayuso.

    Në dhomën VAR do të jenë gjermanët Dankert dhe Schroder, me mbështetjen shtesë të VAR-it nga spanjolli Del Cerro Grande.

  • Barcelona rinovon kontratën me Hansi Flick deri në 2028

    Barcelona rinovon kontratën me Hansi Flick deri në 2028

    Barcelona ka bindur trajnerin Hansi Flick të rinovojë kontratën për dy vite, me opsion për një vit shtesë. Trajneri gjerman po arrin suksese të mëdha te gjiganti katalanas, duke fituar titullin e La Ligës për të dytin vit radhazi, përfshirë një fitore të veçantë kundër rivalit të përjetshëm, Real Madrid.

    Gazetari Fabrizio Romano raporton se gjithçka është mbyllur mes dy palëve. “Hansi Flick dhe Barcelona pajtohen për kontratën e re, gjithçka e aprovuar pas marrëveshjes në parim që ishte arritur javë më parë,” shkruan ai.

    Kontrata e re do të jetë e vlefshme deri në qershor 2028, me opsion deri më 2029, dhe është negociuar nga agjenti i tij, Pini Zahavi. Nënshkrimi pritet të bëhet së shpejti.

    Ndërkohë, Flick – i cili humbi babanë në të njëjtën ditë kur festoi titullin – premtoi tifozëve se vitin e ardhshëm do të synojë fitimin e Ligës së Kampionëve, trofe që Barcelona nuk e ka fituar që nga viti 2015.

  • Trepça e luan edhe ndeshjen e dytë në “Minatori” ndaj Bashkimit

    Trepça e luan edhe ndeshjen e dytë në “Minatori” ndaj Bashkimit

    Kampionët në fuqi, KB Trepça, fituan finalen e parë ndaj Bashkimit me rezultat 94-79 në një atmosferë spektakolare në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Mitrovicasit nuk e lëshuan kontrollin deri në fund, duke treguar se trofeu nuk dorëzohet lehtë.

    Ndeshja e dytë do të zhvillohet po në këtë palestër, të mërkurën nga ora 19:30. Klubi ka njoftuar se biletat mund të blihen online që nga sot. Pas ballafaqimit të mesjavës, seria do të vazhdojë në Prizren me dy përballjet e radhës.

    Te Trepça u dalluan:Mustapha Amzil me 21 pikë e 13 kërcime,Kenneth Hasbrouck me 22 pikë dhe Dardan Kapiti me 16 pikë e 6 kërcime,kurse te Bashkimi, më efikasi ishte Shannon Shorter me 27 pikë.

    Kujtojmë se këta dy klube, dy emra të mëdhenj të basketbollit në Kosovë, u përballën edhe në finalen e edicionit të kaluar.

  • Fisnik Asllani ëndërron Ligën e Kampioneve me Hoffenheimin

    Fisnik Asllani ëndërron Ligën e Kampioneve me Hoffenheimin

    Hoffenheimi mori një fitore të rëndësishme ndaj Werder Bremenit në javën e 33-të të Bundesligës, duke e mposhtur me rezultatin 1-0 në “PreZero Arena”. Golin e vetëm e shënoi Bazoumana Toure në minutën e 26-të.

    Pas këtij triumfi, Hoffenheimi renditet në vendin e pestë me 61 pikë, po aq sa Stuttgart që ndodhet në pozitën e katërt. Me vetëm një ndeshje të mbetur, ekipi i Asllanit e mban ende gjallë shpresën për të arritur top 4, por duhet të presë një hap fals të Stuttgartit.

    Sulmuesi Fisnik Asllani, i cili po e përfundon sezonin e fundit te Hoffenheimi, shprehu optimizëm për kualifikimin në Ligën e Kampioneve, por kritikoi mënyrën si u menaxhua ndeshja. Ai tha se një gol i dytë do të kishte qetësuar ekipin dhe theksoi vështirësitë e lojës kundër një skuadre që mbyllet në mbrojtje.

    “Ëndrra për t’u kualifikuar në Ligën e Kampioneve është ende aty,” tha Asllani. “Të luash kundër një ekipi me lojtar më pak nuk është aq e lehtë sa duket. Bremeni u mbrojt shumë, luajti me kundërsulme dhe ne nuk gjetëm hapësira.”

    Ai shtoi se fitorja ishte shumë e rëndësishme, por duhej të shënonin më shumë gola dhe paralajmëroi për ndeshjen e fundit jashtë ndaj Gladbachut: “Javën e ardhshme duam të përgatitemi mirë. Jemi të fokusuar te vetja.”

    Asllani është gjithashtu i lidhur me interesa nga klube si Barcelona, Bayern Munich dhe Borussia Dortmund, duke lënë të hapur mundësinë e largimit në verë.

  • Pavel Nedved: Kosova, test i mirë për Çekinë para Botërorit 2026

    Pavel Nedved: Kosova, test i mirë për Çekinë para Botërorit 2026

    Legjenda e Juventusit, Pavel Nedved, ka vlerësuar Kosovën si një test të mirë për Republikën Çeke para Kampionatit Botëror 2026.

     

    Ndryshe nga Dardanët, që nuk arritën të kualifikohen për Botëror, Çekia siguroi pjesëmarrjen pas fitores ndaj Danimarkës në penallti. Kosova do të jetë mysafir e Çekisë më 31 maj, dhe Nedved, në rolin e tij si menaxher i Federatës Çeke, e ka konsideruar këtë ndeshje si një përgatitje të rëndësishme për Botërorin.

     

    “Mezi presim të kthehemi në ‘Letna’, ku fituam finalen e play-offit ndaj Danimarkës në mars, falë përkrahjes së madhe nga tifozët tanë. Besojmë se atmosfera do të jetë e shkëlqyer edhe për ndeshjen ndaj Kosovës, që është e fundit para udhëtimit për në Kupën e Botës. E shohim si një test të mirë dhe mundësi për t’u thënë tifozëve ‘mirupafshim’ para Botërorit”, deklaroi Nedved.

     

    Përveç ndeshjes ndaj Çekisë, Kosova më 7 qershor do ta presë Andorrën në Prishtinë, si miqësoren e dytë dhe të fundit këtë muaj.

     

    Kosova do të nisë ciklin kualifikues për Ligën B të Ligës së Kombeve në shtator, ku ndodhet në grup me Austrinë, Izraelin dhe Irlandën.