ATV

Category: Lajme

  • Çështja e presidentit, Tahiri: Ende nuk është faza që kemi folur për emra të përveçëm

    Çështja e presidentit, Tahiri: Ende nuk është faza që kemi folur për emra të përveçëm

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, duke thënë se partia e tij po fokusohet në parime dhe standarde, jo në emra të veçantë.

    Tahiri ka deklaruar për mediat se PDK kërkon një kandidat që përfaqëson institucionet, qytetarët dhe ka reputacion dhe integritet si në nivel vendor, ashtu edhe ndërkombëtar.

    “Por dikë që përfaqëson edhe pozitën edhe opozitën, por edhe qytetarët që realisht nuk e votojnë presidentin direkt, dikush që ka reputacion dhe integritet, edhe vendor edhe ndërkombëtar, dikush që ka kontribut dhe është intelektual, dhe që i bën nder edhe shtetit të Kosovës, por edhe qytetarëve të Kosovës, vazhdojmë me mbet brenda këtyre qëndrimeve, në tentim të saj me diskutuar në parim dhe standard se kush do të duhej ti plotësonte këto atribute për të qenë president i vendit. Ende nuk është faza që kemi folur për emra të përveçëm, nuk kemi folur as dje, nuk po flasim as sot, por mendoj se vullneti i PDK-së është që kontribuojë në interes të institucioneve të vendit dhe shoqërisë. Por nëse nuk do të mundej me u gjet dikush, ose nuk ka më pas disponim prej forcës kryesore politike, PDK është gatshme gjithashtu me shku në zgjedhje. Nuk është diskutuar për marrëveshje politike, kjo çështje ka përfunduar. Marrëveshje politike i kish ra kur është formuar qeveria. PDK nuk është e interesuar për marrëveshje politike, por e interesuar për me pas qasje proaktive, pozitive, mbështetëse për institucionet dhe me mbështet një kandidat që i plotëson këto standarde që i ceka paraprakisht”.

    Kur u pyet nëse presidentja aktuale, Vjosa Osmani, i plotëson këto kushte, Tahiri tha, se nuk dëshiron të ndalet në emra të përveçëm.

    “Nuk është se po du me u lëshu në emra të përveçëm, por mendoj që vendit nuk i bën nder një emër që ka pas qasje të njëanshme dje, dikush që përfaqëson veç një grup apo subjekt, por po flasim për dikë që është mbi partitë politike. Në këtë nivel jemi duke folur në parime dhe standarde, por nëse është e nevojshme dhe e arsyshme dhe kërkohet, padyshim që PDK do të nxjerrë edhe emra”, deklaroi Tahiri.

  • Incident i pazakontë në SHBA, momenti kur toka ‘‘i përpinë’’ dy vetura

    Incident i pazakontë në SHBA, momenti kur toka ‘‘i përpinë’’ dy vetura

    Një incident i pazakontë ka ndodhur në Nebraska të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Atje, siç raporton Reuters, dy automjete u përpinë pjesërisht nga një gropë e madhe që u hap papritur në tokë.

    Veturat shihen teka janë ndaluar në një kryqëzim kur edhe ndodh rasti, e pastaj edhe persona teksa tentojnë të dalin nga vetura.

  • Mila Antonova, ish-e dashura ruse e Bill Gates që e lidh atë me Jeffrey Epstein

    Mila Antonova, ish-e dashura ruse e Bill Gates që e lidh atë me Jeffrey Epstein

    Marrëdhënia e Bill Gates me lojtaren ruse të brixhit, Mila Antonova, është rikthyer në qendër të vëmendjes pasi ai pranoi publikisht se kishte pasur afera jashtëmartesore gjatë martesës së tij.

    Rasti fiton peshë të veçantë për shkak të përfshirjes së Jeffrey Epstein i cili i kishte ofruar mbështetje financiare Antonovas, duke intensifikuar pyetjet rreth rrjetit të marrëdhënieve personale dhe profesionale që rrethojnë financierin pedofil.

    Bashkëthemeluesi miliarder i Microsoft bëri pranimin surprizë gjatë një takimi të kohëve të fundit me punonjësit e Fondacionit Gates, duke u përpjekur – sipas një raporti në Wall Street Journal – të distancohej nga miqësia e tij me Epstein, të cilën ish-gruaja e tij Melinda Gates e ka lidhur kryesisht me shpërbërjen e martesës së tyre.

    “Kam pasur afera jashtëmartesore, një me një lojtar rus të brixhit dhe një me një fizikant bërthamor rus”, thuhet se ka deklaruar Gates në takimin në fjalë, ndërsa sqaroi se nuk ka bërë (ose parë) asgjë “të paligjshme” në lidhje me veprimet e – tani të ndjerit – Epstein.

    Marrëdhënia me Mila Antonova dhe lidhjet me Epstein

    Thashethemet rreth marrëdhënies së Gates me Mila Antonova kishin qarkulluar që nga zbulimet rreth kontakteve të saj me Epstein, të cilat u përfshinë në dokumentet e çështjes.

    Gates ishte 53 vjeç kur u fotografua për herë të parë me Antonovën, atëherë në të 20-at e saj, në një turne kombëtar brixhi në Uashington. Ajo kishte thënë me një buzëqeshje në një fjalim në Nju Jork se “nuk e rraha, por u përpoqa ta godisja me këmbë”, duke sugjeruar se ajo ishte përpjekur ta takonte atë për vite me radhë. Nuk dihet se kur filloi marrëdhënia e tyre ose sa zgjati.

    Në vitin 2013, një bashkëpunëtor i ngushtë dhe këshilltar i Gates, Boris Nikolitch, e prezantoi atë me Epstein, i cili ishte dënuar tashmë për shfrytëzim seksual të të miturve. Antonova po kërkonte fonde për të krijuar shkollën e saj të brixhit online.

    Sipas asaj që i tha Wall Street Journal në vitin 2023, Epstein mbuloi tarifat e saj të shkollimit për një kurs kodimi.

    “Ai pranoi të paguante dhe ia pagoi direkt shkollës. Nuk kishte shkëmbim. Nuk e di pse e bëri. Kur e pyeta, ai tha se ishte i pasur dhe donte të ndihmonte njerëzit kur të mundte”, tha ajo, duke shtuar se në atë kohë ajo nuk ishte në dijeni të së kaluarës së tij kriminale. “Nuk e kisha idenë se ai ishte kriminel ose se kishte ndonjë motiv të fshehtë. Jam i neveritur nga Epstein dhe ajo që bëri”.

    Kërcënimet dhe emailet e vitit 2017

    Pavarësisht pretendimeve të Epstein për altruizëm, zhvillimet sugjerojnë se motivet e tij mund të kenë qenë shumë më të errëta. Një zëdhënës i Gates ka thënë më parë se Jeffrey Epstein “u përpoq pa sukses të shfrytëzonte një marrëdhënie të kaluar për të kërcënuar z. Gates”, duke mohuar se kishte ndonjë reagim financiar nga miliarderi.

    Në një email të korrikut 2017 të publikuar nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së , Epstein pretendoi se i kishte dërguar para Antonovas kur ajo po vuante financiarisht, duke e akuzuar Gates se ishte “koprac” për mënyrën se si e trajtoi ish-të dashurën e tij.

    Në një mesazh drejtuar Nikoliç, ai shkroi, ndër të tjera: “Shoku yt Bill është i çmendur. Ish-e dashura e tij nuk mund të përballojë kondicionerin, nuk mund të udhëtojë për brixh. “Njeriu më i pasur në botë është aq koprrac sa ish-i i tij jeton në divanin e një miku”.

  • Vdes aktivisti i çështjes kombëtare dhe ish i burgosuri politik, Mentor Kaçi

    Vdes aktivisti i çështjes kombëtare dhe ish i burgosuri politik, Mentor Kaçi

    Ka vdekur aktivisti i çështjes kombëtare dhe ish i burgosuri politik, Mentor Kaçi.

    Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë gazetari Ngadhnjim Haxhosaj, i cili po ashtu shkroi për veprimtarinë dhe angazhimin e tij për liri.

    “Është ndarë nga jeta Mentor Kaçi, njëri ndër patriotët që veproi dhe kontribuoi kundër sistemit të Serbisë dhe ish-Jugosllavisë. Mentor Kaçi, i shkolluar për montazh, por asnjëherë nuk e ndali veprimtarinë patriotike, u burgos në vitin 1981 dhe u torturua në mënyrë çnjerëzore në burgun e Prishtinës dhe të Prizrenit, ku ishte dënuar me 10 vite burg. Baca Mentor nuk u ndal as pas daljes nga burgu dhe vazhdoi veprimtarinë e tij, duke qenë njëri ndër organizatorët e Frontit Kombëtar, ku bashkë me shumë patriotë vuri në lëvizje në vitin 1990 këtë organizatë, e cila kishte synim të luftojë Serbinë me pushkë e me penë. Ai u burgos bashkë me shumë anëtarë të këtij grupi dhe vuajti dënimin me 7 vite burgim. Mentor Kaçi do të kujtohet si njeri idealist, trim, i dashur dhe i mençur. Lavdi veprës së Bacës Mentor”, ka shkruar Haxhosaj.

    Kaçi lindi në Gjakovë më 1952 dhe vdiq mbrëmë, më 25 shkurt 2026.

  • Dy marrëveshjet me BE’në kalojnë në Komisionin për Integrime Evropiane

    Dy marrëveshjet me BE’në kalojnë në Komisionin për Integrime Evropiane

    Deputetët anëtarë të Komisionit për Integrime Evropiane kanë miratuar dy marrëveshjet me Bashkimin Evropian.

    Bëhet fjalë për Projektligjit nr.10/L-010 për ratifikimin e ”Amendamentit nr.2 të marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2017, pjesa e parë” dhe Shqyrtimi i Pojektligjit nr.10/L-009 për ratifikimin e Amendamentit ”nr.3 të marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2018”.

  • Trump dëshiron ekstradimin e menjëhershëm të bosit serb të drogës

    Trump dëshiron ekstradimin e menjëhershëm të bosit serb të drogës

    Sipas një raporti të inteligjencës amerikane, udhëheqësi gueril kolumbian Giovanny Andrés Rojas , i njohur me nofkën “Araña” dhe bosi serb i drogës Antun Mrdeža bënë një marrëveshje për të kontrabanduar kokainë në një nga rrugët më të rëndësishme të drogës në botë.

    Në atë kohë, “Araña” ishte komandanti i përgjithshëm i grupit Komandos Kufitar dhe në të njëjtën kohë negociatori zyrtar i paqes i Qeverisë kolumbiane. Sot ai është në burgun e sigurisë së lartë La Picota në Bogotá. Mrdeža ka qenë në paraburgim në Venezuelë që nga maji i vitit 2025, pasi ka qenë në arrati për vite me radhë, gjë që filloi me zhdukjen e tij spektakolare nga paraburgimi kolumbian.

    Shtëpia e Bardhë ka kërkuar zyrtarisht ekstradimin e të dy burrave dhe emrat e tyre tani janë pjesë e bisedimeve diplomatike në nivelin më të lartë.

    Takimi i ardhshëm midis presidentit kolumbian Gustavo Petro dhe udhëheqëses venezueliane Delcy Rodríguez merr kështu një rëndësi shumë më të gjerë sesa thjesht forcimi i marrëdhënieve dypalëshe. Sipas burimeve në Bogota, qëllimi është të bihet dakord për një mekanizëm me anë të të cilit Kolumbia do të kërkonte zyrtarisht ekstradimin e Mrdezes nga Venezuela, duke u bërë kështu ndërmjetës dhe garantues i procesit, përpara se Shtetet e Bashkuara të bëjnë kërkesën e tyre.

    Mrdež, i njohur edhe si Nikola Boroš , konsiderohet nga autoritetet kolumbiane si anëtar i të ashtuquajturës Administratë e re për trafikimin e drogës – një rrjet transnacional që, sipas vlerësimeve, lidh prodhuesit e kokainës në Amerikën Latine me shpërndarësit evropianë.

  • Lladrovci: Oferta e Kurtit për familjen Jashari, nuk duket e sinqertë

    Lladrovci: Oferta e Kurtit për familjen Jashari, nuk duket e sinqertë

    Ramiz Lladrovci, kryetar i Drenasit, tha se emri i familjes Jashari nuk duhet të përdoret për interesa politike dhe se respekti ndaj tyre duhet të mbetet mbi çdo kalkulim partiak.

    “Kur përmendet familja Jashari, duhet të kemi kujdes shumë që mos të hyjmë në hak për më keq nëse flasim për përfshirjen e tyre në spekulime politike. Familja Jashari nuk mund të jetë në tavolinën e tregtisë për imazhe politike, e as për rregullime të kredibilitetit të asnjë partie politike,” tha Lladrovci.

    Ai foli lidhur me ofertat politike dhe rolin e familjes Jashari.

    Lladrovci shtoi se për kryeministrin Albin Kurti, kujdesi ndaj familjes Jashari nuk mund të përdoret si mjet politik dhe se veprimet e liderëve duhet të jenë të sinqerta dhe të qëndrueshme.

    “Po të ishte i sinqertë, që nga viti 2004 kur hyri në politikë, do të ishte kujdesur për Jasharët. Uroj të jem gabim, por nuk besoj që është ofertë e sinqertë. Pyes sikur të kishte 80 vota Kurti, a do të kishte propozuar? Por pse tash?”, tha Lladrovci. /rtv21

  • Ish-kryeshefi i KEK-ut sillet në gjykatë për akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare

    Ish-kryeshefi i KEK-ut sillet në gjykatë për akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka filluar seanca gjyqësore ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Në seancën e mbajtur më 15 janar, prokurorja Firkije Fejzullahu deklaroi se pas administrimit të provave do të arrihet zbardhja e plotë e gjendjes faktike dhe provimi i fajësisë së të akuzuarve.

    Ajo theksoi se Krasniqi, pa kontrata apo autorizime ligjore, kishte kërkuar udhëzime dhe referenca nga i akuzuari Isuf Zejna lidhur me tenderimet e KEK-ut, si dhe kishte autorizuar në mënyrë të kundërligjshme Dejona Mihalin të jepte opinione dhe vendime për to.

    Sipas prokurores, do të vërtetohet qëllimi dhe dashja për kryerjen e veprave penale dhe dëmi i shkaktuar ndaj KEK-ut dhe qytetarëve të Kosovës.

    Ndërkaq, mbrojtësi i Krasniqit, avokati Vyrtyt Ibrahimaga, ka thënë se Prokuroria po dramatizon veprimet e të akuzuarit, të cilat sipas tij janë thjesht veprime menaxheriale.

    Ai theksoi se nuk janë përmbushur elementet objektive të veprës penale, pasi askush nuk ka përfituar jashtëligjshëm dhe nuk është dëmtuar.

    Mbrojtja tha se Krasniqi ka vepruar gjithmonë në interes të ndërmarrjes dhe për të përmbushur detyrat në afat rekord, shkruan Eo, transmeton Klankosova.tv.

    Vetë Krasniqi ka cilësuar aktakuzën si të montuar dhe ka theksuar se qëndrimi i tij pesëmujor në paraburgim është i padrejtë.Sipas aktakuzës, ai, së bashku me Ymer Dragushën dhe Isuf Zejnën, akuzohet për dëmtim të buxhetit të shtetit me rreth 37 milionë euro.

    Gjykata Themelore më 23 prill 2025 pati aprovuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes, duke hedhur aktakuzën për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”, ndërsa pjesa tjetër u rikualifikua në “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

    Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën dhe ka vendosur që procedura penale për pesë vepra penale ndaj Krasniqit të vazhdohet sipas dispozitave të procedurës.

    Në seancën fillestare më 7 shkurt 2025, Krasniqi dhe Zejna janë deklaruar të pafajshëm.

    Ymer Dragusha, një tjetër i akuzuar, ka pranuar fajësinë pas marrëveshjes me Prokurorinë.Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 dhjetor 2024 ngriti aktakuzën e re ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi si dhe Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës. Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha akuzohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

    Krasniqi akuzohet edhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Kurse, Isuf Zejna akuzohet për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdrim i detyrës zyrtare”.

  • Detaje nga operacioni që vrau El Menchon – ai u ekzekutua në vend, dinte shumë sekrete

    Detaje nga operacioni që vrau El Menchon – ai u ekzekutua në vend, dinte shumë sekrete

    “El Mencho” u lokalizua falë një informacioni të inteligjencës amerikane, e cila po ndiqte lëvizjet e një gruaje të afërt me të, e dyshuar si e dashura e tij.

    Meksika është përfshirë nga një valë e re dhune pas lajmit për vdekjen e njërit prej trafikantëve më të fuqishëm në botë, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”.

    Ai ishte lideri i kartelit famëkeq Jalisco Nueva Generación Cartel (CJNG), një organizatë kriminale që kontrollonte territore të gjera dhe rrugë të rëndësishme të trafikut të drogës.

    Si u gjet dhe si vdiq

    Sipas versionit zyrtar të autoriteteve meksikane, “El Mencho” u lokalizua falë një informacioni të inteligjencës amerikane, e cila po ndiqte lëvizjet e një gruaje të afërt me të, e dyshuar si e dashura e tij.

    Përmes gjurmimit të saj, forcat e sigurisë arritën të konfirmonin praninë e Osegueras në një zonë malore pranë qytetit Tapalpa, në shtetin perëndimor të Jalisco-s.

    Operacioni u zhvillua më 22 shkurt, pasi ishte planifikuar një ditë më parë.

    Sipas qeverisë, ai u kap i gjallë, por ndërroi jetë gjatë transportimit me helikopter drejt spitalit, shkruan euronews.al.

    Megjithatë, gazetari investigativ Ioan Grillo, një njohës i thellë i krimit të organizuar në Meksikë, e ka kundërshtuar këtë version.

    Sipas tij, vendimi për të mos e lënë të mbijetonte është marrë brenda Meksikës, pasi “ai dinte shumë sekrete” dhe ishte përgjegjës për vrasjen e shumë ushtarakëve, gjyqtarëve, politikanëve, gazetarëve dhe policëve.

    Shpërthimi i dhunës në disa shtete

    Menjëherë pas publikimit të lajmit për vdekjen e tij, shpërthyen përplasje të armatosura në disa rajone të vendit.

    Më i goditur ishte shteti i Jalisco-s, sidomos kryeqyteti i tij Guadalajara, si dhe qyteti turistik Puerto Vallarta.

    Raportohet se karteli kishte ofruar shpërblim për çdo ushtarak të vrarë.

    Ministri i Sigurisë, Omar García Harfuch, bëri të ditur se nga përleshjet kanë mbetur të vrarë të paktën 30 anëtarë të kartelit, 27 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe një civil i pafajshëm.

    Mbi 70 persona janë arrestuar.

    Në shumë qytete janë djegur vetura, kamionë dhe biznese, ndërsa janë ngritur qindra barrikada në rrugë.

    Banorët dhe turistët e huaj janë detyruar të mbyllen nëpër shtëpi dhe hotele.

    Përleshje dhe zjarrvënie janë raportuar edhe në zona të tjera, nga Tijuana deri në shtetin e Quintana Roo.

    Reagimi i qeverisë dhe pasojat

    Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, por situata ka treguar qartë forcën dhe ndikimin që kartelët e drogës vazhdojnë të kenë në vend.

    Ngjarjet kanë ndodhur vetëm katër muaj para fillimit të Kupës së Botës 2026, e cila pritet të zhvillohet edhe në Guadalajara.

    Për arsye sigurie janë anuluar ndeshje sportive, janë mbyllur shkolla në shtatë shtete dhe janë pezulluar fluturimet drejt Guadalajara-s dhe Puerto Vallarta-s.

    Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja u kanë kërkuar qytetarëve të tyre në Meksikë të qëndrojnë të mbyllur në banesa apo hotele.

    Lufta për pasardhësin

    Vdekja e “El Mencho” ka hapur një betejë të re për kontrollin e kartelit.

    Djali i tij, Ruben Oseguera González, i njohur si “El Menchito”, po vuan burgimin e përjetshëm në Shtetet e Bashkuara.

    Mes kandidatëve për ta zëvendësuar “El Menchon” përmenden Juan Carlos Valencia González (El 03), dhëndri i tij Julio Alberto Castillo Rodríguez (El Chorro) dhe shefi i sigurisë Audias Flores Silva (El Jardinero).

    Analistët paralajmërojnë se drejtues mund të bëhet edhe një trafikant i rrezikshëm nga shtet tjetër i Amerikës Latine, duke e bërë situatën akoma më të frikshme.

    Një figurë që kontrollonte gjysmën e vendit

    Sipas vlerësimeve të ekspertëve, përmes një rrjeti të gjerë aleancash dhe grupimesh kriminale, “El Mencho” kishte arritur të kontrollonte më shumë se gjysmën e territorit meksikan.

    Edhe pse thuhet se kohët e fundit jetonte i izoluar në zonat malore të Jalisco-s dhe vuante nga probleme të rënda shëndetësore, ndikimi i tij mbetej i jashtëzakonshëm.

    Vdekja e tij nuk shënon fundin e dhunës në Meksikë.

    Përkundrazi, shumë analistë të krimit të organizuar besojnë se vendi mund të përballet me një periudhë edhe më të trazuar, ndërsa grupet kriminale luftojnë për pushtet në një nga tregjet më të mëdha të drogës në botë.

  • Behrami publikon foto nga dita kur Thaçi u zgjodh President: Sot, Kosovës i mungon më shumë se kurrë!

    Behrami publikon foto nga dita kur Thaçi u zgjodh President: Sot, Kosovës i mungon më shumë se kurrë!

    Deputeti i Partia Demokratike e Kosovës, Artan Behrami, ka publikuar një fotografi me ish-Presidentin Hashim Thaçi, në shënim të dhjetëvjetorit të zgjedhjes së tij në krye të shtetit. Aty Thaçi shihet tek feston,i rrethuar nga stafi i tij.

    “Sot, si dhjetë vjet më parë, në Parlamentin e Kosovës, me 71 vota pro, Hashim Thaçi u zgjodh President i Kosovës. Sot, pas dhjetë vjetëve, Kosovës i mungon më shumë se kurrë!”

    Dhjetë vjet më parë, më 26 shkurt 2016, kryetari i atëhershëm i PDK-së, Hashim Thaçi, u zgjodh President i Kosovës në raundin e tretë të votimit në Kuvend, mes tensionesh të larta politike. Ai siguroi 71 vota, pasi në dy raundet e para nuk arriti të merrte dy të tretat e votave të deputetëve.

    Procesi u shoqërua me kundërshtime të ashpra nga opozita, e cila ndërpreu dy herë seancën duke hedhur gaz lotsjellës brenda Kuvendit. Deputetët opozitarë akuzuan Thaçin dhe kryeministrin e atëhershëm Isa Mustafa për veprime të dëmshme ndaj vendit, duke përmendur marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë dhe çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Ata gjithashtu shprehën dyshime për marrëveshje të mundshme me Listën Serbe në këmbim të votave.

    Ndërkohë, jashtë ndërtesës së Kuvendit pati përplasje mes protestuesve dhe policisë, ku u përdor gaz lotsjellës dhe topa uji për shpërndarjen e turmës. Nga incidentet u raportuan disa të lënduar, përfshirë pjesëtarë të policisë dhe protestues.

    Hashim Thaçi mori zyrtarisht detyrën e Presidentit më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës. Para kësaj, ai kishte mbajtur poste të larta shtetërore, përfshirë atë të kryeministrit të Kosovës (2007–2014) dhe zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme (2014–2015).

    Më 5 nëntor 2020, Thaçi dha dorëheqje nga posti i Presidentit dhe udhëtoi drejt Hagës, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij për krime lufte. Në konferencën e fundit si President, ai deklaroi se nuk do të përballej me drejtësinë ndërkombëtare duke qëndruar në detyrë si President i Kosovës.