ATV

Category: Lajme

  • Rama pret në takim Mulliqin, flasin për rolin e diasporës në Kosovë

    Rama pret në takim Mulliqin, flasin për rolin e diasporës në Kosovë

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka pritur sot në takim kryetarin e Haledonit në ShBA, Gino Mulliqin.

    Në një njoftim, Rama tha se me Mulliqin bashkëbiseduan për rolin e diasporës, mundësitë për bashkëpunim mes komuniteteve, si dhe për zhvillimin e sheshit “Xhorxh Bush”, me fokus në punimet dhe ecurinë e projekti.

    “Lidhjet shqiptaro-amerikane janë një vlerë e çmuar dhe një urë e fortë bashkëpunimi. Do të vazhdojmë të ndërtojmë partneritete që kthehen në zhvillim konkret për Kryeqytetin dhe për lidhjet tona ndërkombëtare”, ka shkruar i pari i Prishtinës në Facebook.

  • Kuzhina Qendrore në Podujevë afër përfundimit, garantohet ushqim cilësor për mbi 10 mijë nxënës

    Kuzhina Qendrore në Podujevë afër përfundimit, garantohet ushqim cilësor për mbi 10 mijë nxënës

    Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka njoftuar se punimet për Kuzhinën Qendrore në Podujevë janë drejt përfundimit.

    I pari i Podujevës ka treguar se ky projekt është me investim prej 700 mijë euro dhe hapësirë 1,150 m².

    Ai ka thënë se ky projekt do të sigurojë përgatitjen e ushqimit për mbi 10 mijë nxënës, nga çerdhet, parafillorët e deri në klasën e 9-të.

    “Objekti do të funksionojë sipas standardeve bashkëkohore, me kuzhinë për ushqim të ngrohtë dhe të ftohtë, restorant dhe hapësira përcjellëse, duke garantuar cilësi dhe siguri të ushqimit për fëmijët tanë”, ka njoftuar Bulliqi.

  • Nesër deklaratat hyrëse në rastin ndaj Thaçit e të tjerëve për pengim të drejtësisë

    Nesër deklaratat hyrëse në rastin ndaj Thaçit e të tjerëve për pengim të drejtësisë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nesër do të zhvillohen deklaratat hyrëse në rastin ndaj Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët përballen me akuza për pengim të drejtësisë.

    Seanca është caktuar të nisë në orën 09:30 dhe të përmbyllet rreth orës 16:00.

    Sipas aktakuzës, Thaçi bashkë me të akuzuarit e tjerë dyshohet se kanë vënë në dispozicion informacione konfidenciale që lidhen me dëshmitarë, si dhe kanë dhënë udhëzime për ndërhyrje në dëshmitë e tyre. Prokuroria pretendon se këto veprime kanë synuar të ndikojnë në rrjedhën e procesit gjyqësor.

    Të pesë të akuzuarit janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

    Pas përfundimit të deklaratave hyrëse, Prokuroria do të vijojë me paraqitjen e provave para trupit gjykues.

  • Papa u kërkon priftërinjve të mos përdorin inteligjencën artificiale për përgatitjen e ligjëratës fetare

    Papa u kërkon priftërinjve të mos përdorin inteligjencën artificiale për përgatitjen e ligjëratës fetare

    Papa Leo i XIV ka bërë thirrje që priftërinjtë të mos mbështeten te inteligjenca artificiale (AI) për të përgatitur ligjëratën fetare, duke theksuar se AI nuk mund të ndajë besimin dhe nuk zëvendëson përvojën personale dhe reflekimin shpirtëror të predikuesit.

    Gjatë një takimi me klerin e Dioqezës së Romës, Papa i paralajmëroi priftërinjtë për “tendencën për të përgatitur predikimet me AI” dhe i inkurajoi ata që të përdorin mendjen dhe reflektimin e tyre personal.

    Ai tha se truri duhet të përdoret, ashtu si çdo muskul i trupit – nëse nuk punohet me të, dobësohet.

    Papa gjithashtu nënvizoi se një ligjëratë fetare e vërtetë është ndarja e besimit, dhe se asnjë “chatbot” nuk mund ta bëjë këtë, pasi AI nuk mund të ndajë besimin e thellë personal që vjen nga meditimi, lutja dhe përvoja e jetuar shpirtërore.

    Ai nuk e hodhi poshtë teknologjinë në përgjithësi, por kërkoi vigjilencë dhe dallim në përdorimin e saj, duke theksuar se shërbimet fetare duhet të vijojnë të reflektojnë besimin dhe përvojën personale të priftërinjve për komunitetet që shërbejnë.

    Papa gjithashtu paralajmëroi për rrezikun e iluzioneve të botës digjitale, siç janë ndjekësit dhe pëlqimet në rrjetet sociale, duke kujtuar se predikimet shpirtërore nuk duhet të ngatërrohen me famën online.

  • Konjufca takon ambasadorin Guerot: Diskutohet forcimi i marrëdhënieve dypalëshe

    Konjufca takon ambasadorin Guerot: Diskutohet forcimi i marrëdhënieve dypalëshe

    Gjatë së enjtes, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës Glauk Konjufca mbajti takim me ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë Sh.T. Olivier Guerot në kuadër të takimeve të para pas formimit të qeverisë.

    Në këtë takim ambasadori Guérot e uroi zëvendëskryeministrin Konjufca për detyrën dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Francës për vazhdimin e partneritetit me Republikën e Kosovës.

    Gjatë takimit, sipas MPJD-së u diskutua forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe për thëllimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
    “Theks i veçantë iu kushtua mundësive për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe nxitjen e investimeve, si dhe forcimit të lidhjeve kulturore dhe akademike ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

    Ndërkaq, ministri Konjufca në takim theksoi rëndësinë e koordinimit me Francën për realizimin e objektivave ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë avancimin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

  • Rritet kostoja e ndërtimit në Kosovë

    Rritet kostoja e ndërtimit në Kosovë

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur se Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit (IKN) në Kosovë ka shënuar rritje për 0,5 për qind në tremujorin e katërt (TM4) 2025, krahasuar me tremujorin e tretë (TM3) 2025, raporton KP.

    Sipas ASK-së, në këtë periudhë rritje është vërejtur te transporti (3,5%); pagat (1,2%); kostot e tjera (1,2%); materialet (0,3%) dhe energjia (0,2%). Ndërkohë, rënie është shënuar te makineritë (-0,1%).

    Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, përkatësisht TM4 2025 me TM4 2024, Indeksi i Kostos së Ndërtimit ka shënuar rritje për 3,5 për qind (sipas të dhënave detajuese 3,6%).

    Rritje më e theksuar në këtë krahasim vjetor është regjistruar te energjia (9,8%); pagat (8,1%); kostot e tjera (5,3%); transporti (4,4%) dhe materialet (2,6%). Ndërsa, rënie është evidentuar te makineritë (-0,4%).

  • Vdes boksieri Ruben Castillo pas betejës me kancerin

    Vdes boksieri Ruben Castillo pas betejës me kancerin

    Ylli i boksit, Ruben Castillo, i njohur si “Pushtuesi” dhe i cili luftoi në katër ndeshje për kampionatin botëror, ka ndërruar jetë në moshën 68-vjeçare pas një beteje me kancer.

    Castillo vdiq të mërkurën në Beaumont, Kaliforni, i rrethuar nga të afërmit e tij.

    Homazhet dhe mesazhet për nder të tij përfshinë një mesazh video nga Presidenti i World Boxing Council, Mauricio Sulaiman, i cili shprehu trishtimin për humbjen e legjendës së peshave të lehta.

  • Tragjike në Shkodër: 49-vjeçari humb jetën pasi bie nga çatia e banesës

    Tragjike në Shkodër: 49-vjeçari humb jetën pasi bie nga çatia e banesës

    Një 49-vjeçar me inicialet K.GJ ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga çatia e banesës së tij në fshatin Grudë e Re, në Shkodër.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, ndërsa familjarët e kanë dërguar me urgjencë në Spitali Rajonal Shkodër. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.

    Sipas të dhënave paraprake, rënia dyshohet të ketë qenë aksidentale, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

  • Takimi Osmani-Prattipati, Presidenca del me njoftim të gjatë, përmenden takimet me Trump e Rubio

    Takimi Osmani-Prattipati, Presidenca del me njoftim të gjatë, përmenden takimet me Trump e Rubio

    Presidenca ka reaguar pas takimit që presidentja Vjosa Osmani, ka pasur ditën e sotme me të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati. Në komunikatën për media, thuhet se gjatë takimi është diskutuar vizita e Osmanit në SHBA, dhe se, presidentja ka shprehur mirënjohje për ftesën që Kosova të jetë bashkëthemeluese e Bordit të Paqes.

    Në njoftim shtohet edhe se, në takim është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, ku theksi është vendosur mbi rëndësinë e përmbylljes së ‘’ proceseve kushtetuese dhe konsolidimit të plotë institucional’’.

    Po ashtu, bëhet e ditur se, Osmani ka veçuar edhe çështjet e diskutuara në takimin me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, duke theksuar diskutimet e fokusuara në avancimin e partneritetit strategjik Kosovë–SHBA, me theks në sigurinë rajonale, diplomacinë, ekonominë dhe mbrojtjen.

    ‘‘Duke folur për zhvillimet e fundit në vend, Presidentja Osmani vuri në pah edhe përmirësimet e dukshme në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit në veri të vendit, të reflektuara në raportet e fundit të Policisë së Kosovës për rendin dhe ligjin gjatë vitit 2025. Sipas këtyre të dhënave, konfirmohet një situatë dukshëm më e qetë dhe më e sigurt për të gjithë qytetarët në atë pjesë të vendit’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.

    Postimi i plotë:

    Presidentja Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati, me të cilën diskutoi për vizitën e saj të fundit në SHBA dhe takimet me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, zhvillimet e fundit në vend, si dhe çështje të ndryshme me interes të përbashkët.

    Presidentja Osmani shprehu edhe njëherë mirënjohje për ftesën e Presidentit amerikan, Donald Trump, që Kosova të jetë shtet bashkëthemelues i Bordit të Paqes, si dhe për garancat e dhëna për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për angazhim dhe kontribut të vazhdueshëm.

    Ajo veçoi po ashtu çështjet e diskutuara në takimin me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, duke theksuar diskutimet e fokusuara në avancimin e partneritetit strategjik Kosovë–SHBA, me theks në sigurinë rajonale, diplomacinë, ekonominë dhe mbrojtjen. Presidentja ritheksoi rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të NATO-s si faktor kyç për stabilitetin, si dhe theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik për paqe afatgjatë.

    Me këtë rast, Presidentja Osmani nënvizoi sërish rëndësinë e vijimit të dialogut strategjik bilateral, duke theksuar se partneriteti me SHBA-të është interes jetik dhe ekzistencial për Republikën e Kosovës.

    Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks në rëndësinë e përmbylljes së proceseve kushtetuese dhe konsolidimit të plotë institucional, në funksion të stabilitetit demokratik, zhvillimit të vendit dhe adresimit të nevojave të qytetarëve.

    Duke folur për zhvillimet e fundit në vend, Presidentja Osmani vuri në pah edhe përmirësimet e dukshme në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit në veri të vendit, të reflektuara në raportet e fundit të Policisë së Kosovës për rendin dhe ligjin gjatë vitit 2025. Sipas këtyre të dhënave, konfirmohet një situatë dukshëm më e qetë dhe më e sigurt për të gjithë qytetarët në atë pjesë të vendit.

  • Hoti: Gjatë këtij viti, ligji për statusin e veteranëve do t’i nënshtrohet vlerësimit

    Hoti: Gjatë këtij viti, ligji për statusin e veteranëve do t’i nënshtrohet vlerësimit

    Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka listuar projektligjet që do të procedohen këtë vit, bashkë me ligjet që parashikohet t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit.

    Përmes një njoftimi, Hoti u shpreh se këto ligje dhe projektligje prekin drejtpërdrejt kategoritë më të ndjeshme dhe shtyllat kryesore të drejtësisë sociale në vend.

    Në mesin e projektligjeve për procedim është ai për skemën e ndihmës sociale, për personat e zhdukur, për punën, sigurinë dhe shëndetin në punë.

    “Vlerësimi ex-post ka për qëllim të analizojë zbatimin praktik të ligjeve, efektet e tyre në terren, si dhe nevojën eventuale për ndryshime apo plotësime” deklaroi Hoti.

    Ai po ashtu bëri me dije se ligjet që gjatë këtij viti do t’i nënshtrohen vlerësimit janë: luigji për skemat pensionale, ligji për veteranët e luftës së UÇK-së, si dhe ai për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre./EO/