ATV

Category: Lajme

  • Kush janë katër ministrat e rinj të qeverisë së Shqipërisë

    Kush janë katër ministrat e rinj të qeverisë së Shqipërisë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë plot 7 ndryshime në kabinetin qeveritar këtë të enjte, pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe ministrave.

    Ndër largimet vihen re tre emra që ikin nga kabineti qeveritar pa asnjë post: Belinda Balluku nga posti i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Elisa Spiropali nga posti i ministres së Jashtme dhe Pirro Vengu nga posti i ministrit të Mbrojtjes.

    Ndërkohë në listën e të emëruarve vihen re katër prurje të reja: Ferit Hoxha, Enea Karakaçi, Ermal Nufi si dhe Eriona Ismaili.

    Nëse tre të parët janë tërësisht prurje të reja, Ermal Nufi më parë ka qenë pjesë e kabinetit, si zv.sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri.

    Ferit Hoxha emërohet Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme

    Ferit Hoxha i cili më parë ka mbajtur rolin e ambasadorit të Shqipërisë në BE vjen pikërisht në postin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke zëvendësuar Elisa Spiropalin.

    Ai u diplomua në vitin 1988 në Fakultetin e Gjuhëve te Huaja; Gjuhë dhe Kulture Frënge, Universiteti i Tiranës, Shqipëri. Ai gjithashtu është diplomuar edhe në Institutin Holandez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare “Clingendael”, Hagë. Eksperiencën e parë si diplomat ai e nisi në vitin 1991, në Ministrinë e Jashtme.

    Më pas në vitin 1998 emërohet ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë, shef i Misionit të RSH-së pranë Bashkimit Evropian, Bruksel, post të cilin e mbajti deri në vitin 2001. Më pas në vitet 2001-2006 emërohet ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSH-së pranë Republikës Franceze, Paris dhe në vitet 2003-2006 ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSH-së në Republikën Portugeze, me rezidencë në Paris. Nga viti 2006 deri në vitin 2009 është sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në vitin 2009 emërohet ambasador i Shqipërisë në OKB, por është gjithashtu i akredituar si ambasador edhe për Kubën.

    Enea Karakaçi emërohet Ministër për Infrastrukturën dhe Energjinë

    Sakaq, postin e Belinda Ballukut, si ministër për Infrastrukturën dhe Energjinë e merr Enea Karakaçi, i cili ka një eksperiencë të gjerë në sektorin energjitik. Më përpara ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm për Politikat dhe Zhvillimin e Energjisë dhe Industrisë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në këtë pozicion ai kishte për detyrë zhvillimin e politikave dhe strategjive për energjinë në përgjithësi, energjinë e rinovueshme, naftën dhe gazin, mineralet dhe efiçiencën energjetike në Shqipëri.

    Formimi i tij është ligji për çështje energjie. Karakaçi i mori përvojat e para në Entin Rregullator të Energjisë, i cili është një autoritet i pavarur rregullator për sektorin energjetik shqiptar. Më vonë u punësua në Ministrinë e Energjetikës, ku dhe mbajti poste të ndryshme.

    Ai u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në vitin 2009 dhe kreu Masterin për Drejtësi në Universitetin e Amsterdamit në 2010-n, për Ligjin e Bashkimit Evropian.

    Ermal Nufi emërohet ministër i Mbrojtjes

    Një tjetër prurje e re është Ermal Nufi. Ai merr postin si ministër i Mbrojtjes, duke larguar nga kabineti qeveritar Pirro Vengun. Nufi më parë ka qenë zv.sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri.

    Nufi ka përfunduar studimet e nivelit “Master në drejtësi pranë Fakultetit të Drejtësisë, të Universitetit të Tiranës, në vitin 2010“.

    Pas diplomimit, Nufi ka punuar si konsulent ligjor në sektorin privat dhe atë të organizatave jofitimprurëse, vendase dhe ndërkombëtare.

    Gjithashtu, ai ka mbajtur edhe pozicionin e pedagogut të jashtëm në të drejtën civile dhe tregtare pranë Institutit të Studimeve Strategjike dhe Trajnimeve. Që prej vitit 2013, është licencuar si avokat nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ku ka shërbyer edhe si anëtar i Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatëve të Tiranës. Nga viti 2021, Nufi ka mbajtur pozicionin e këshilltarit ligjor të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ka shërbyer në pozicione të ndryshme brenda administratës publike shqiptare.

    Eriona Ismaili emërohet Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin

    Toni Gogun si ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin e zëvendëson një tjetër prurje e re, Eriona Ismaili. Kjo e fundit është deputete e qarkut të Vlorës, e zgjedhur për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit të vitit 2025.

  • Dyshimet për dallavere me vota, 12 persona intervistohen në Vushtrri dhe Skënderaj

    Dyshimet për dallavere me vota, 12 persona intervistohen në Vushtrri dhe Skënderaj

    12 persona janë intervistuar në Vushtrri dhe Skënderaj lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    Siç bën të ditur policia, bëhet fjalë për shtatë të dyshuar në Vushtrri dhe pesë të tjerë në Skënderaj.

    Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, të dyshuarit në të dyja rastet janë liruar në procedurë të rregullt.

  • Bill Clinton dëshmon sot për lidhjet me Jeffrey Epstein

    Bill Clinton dëshmon sot për lidhjet me Jeffrey Epstein

    Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, do të paraqitet para Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me Jeffrey Epstein.

    Clinton ka mohuar çdo dijeni ose përfshirje në krimet e Epstein dhe Ghislaine Maxwell, duke theksuar se udhëtimet e tij me aeroplanin e Epstein ishin për aktivitet filantropik të Fondacionit Clinton.

    Ai nuk është akuzuar ndonjëherë për shkelje në lidhje me këtë çështje.

  • Hillary Clinton dëshmoi mbi 6 orë para panelit të Dhomës së Përfaqësuesve

    Hillary Clinton dëshmoi mbi 6 orë para panelit të Dhomës së Përfaqësuesve

    Hillary Clinton doli përpara ligjvënësve republikanë në një intervistë me dyer të mbyllura në kuadër të hetimit të Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve për lidhjet e mundshme me Jeffrey Epstein.

    Pas më shumë se gjashtë orësh dëshmi në Nju Jork, ajo deklaroi se i ishte përgjigjur çdo pyetjeje dhe theksoi disa herë se nuk e kishte njohur kurrë Epstein dhe nuk kishte pasur komunikime me të.

    “Nuk e di sa herë më është dashur të them. Nuk e njihja Jeffrey Epstein. Nuk kisha asnjë ide për aktivitetet e tyre kriminale”, tha Clinton për Epstein dhe Maxwell.

    Më tej ajo shtoi: “Nuk më kujtohet ta kem takuar ndonjëherë zotin Epstein. Nuk kam fluturuar kurrë me avionin e tij dhe as nuk kam vizituar ishullin, shtëpitë apo zyrat e tij. Nuk kam asgjë për të shtuar për këtë”, u shpreh ajo.

    Clinton pranoi se e njihte “rastësisht” Ghislaine Maxëell, e dënuar për rolin e saj në çështjen Epstein, duke sqaruar se Maxwell kishte marrë pjesë si e ftuar në dasmën e vajzës së saj në vitin 2010.

    Ajo kritikoi republikanët që refuzuan një seancë publike, duke e cilësuar procesin si të politizuar.

    Kryetari i komisionit, James Comer, e përshkroi dëshminë si “produktive” dhe tha se mund të publikojë videon brenda 24 orëve. Ai shtoi se ish-sekretarja shpesh i referonte pyetjet për bashkëshortin e saj, ish-presidentin Bill Clinton, i cili pritet të dëshmojë së shpejti.

    “E vlerësova këtë. Dua të shoh të dalë e vërteta në dritë, kështu që kjo ishte një mënyrë qetësuese për t’i dhënë fund një dëshmie shumë të gjatë dhe të përsëritur”, tha ajo për Comer.

    Demokratët, përfshirë kongresmenin Robert Garcia, mbrojtën Clintonin duke theksuar se ajo po bashkëpunon plotësisht. Gjatë seancës pati tensione pasi në rrjetet sociale u publikua një foto nga intervista, çka çoi në ndërprerje të përkohshme.

    Sipas marrëveshjes, dëshmia u fokusua në pesë tema, përfshirë hetimin federal ndaj Epstein, vdekjen e tij në vitin 2019 dhe masat kundër trafikimit seksual. Clinton e cilësoi të pazakontë faktin që disa pyetje prekën edhe teori konspirative si UFO-t dhe “Pizzagate”.

  • Detaje të reja nga rrahja në “Bregun e Diellit” – Katër persona u dërguan në mbajtje, të gjithë shtetas të Afganistanit

    Detaje të reja nga rrahja në “Bregun e Diellit” – Katër persona u dërguan në mbajtje, të gjithë shtetas të Afganistanit

    Janë zbardhur detaje të reja lidhur me përleshjen e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, ku katër persona përfunduan në prangat e Policisë.

    Sipas raportit 24-orësh, rasti ka ndodhur rreth orës 20:40 në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, pas një mosmarrëveshjeje që fillimisht ka nisur si konflikt verbal dhe më pas ka eskaluar në përleshje fizike mes katër të dyshuarve, të gjithë meshkuj dhe shtetas të Afganistanit

    Gjatë rrahjes dyshohet se është përdorur edhe një mjet i mprehtë – thikë. Si pasojë e përleshjes, dy nga të dyshuarit kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor.

    Në vendin e ngjarjes, njësitë policore kanë sekuestruar një thikë, e cila dyshohet të jetë përdorur gjatë incidentit.

    Me vendim të prokurorit të rastit, pas intervistimit, të katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet në drejtim të veprave penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

    Raporti i plotë:

    LËNDIM I LEHTË TRUPOR & ARMËMBAJTJE PA LEJE

    Rr. Vëllezërit Gërvalla, Prishtinë 26.02.2026 – 20:40. Pas një mosmarrëveshje – konflikti verbal janë rrahur mes veti katër të dyshuar meshkuj shtetas të Afganistanit, ku gjatë përleshjes është përdorur një mjet i ftohtë-thikë. Si pasojë e kësaj, lëndime trupore kanë pësuar dy prej të dyshuarve të cilët kanë pranuar tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes është gjetur një thikë që dyshohet të jetë përdorur në rast. Me vendim të prokurorit katër të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.

  • Policia e Prishtinës shpall në kërkim dy persona të dyshuar për sulm

    Policia e Prishtinës shpall në kërkim dy persona të dyshuar për sulm

    Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personave që shihen në fotografi.

    Sipas Policisë, personat e dyshuar kërkohen për përfshirje në veprën penale “Sulm”.

    “Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e tyre, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: [email protected]”, thuhet në njoftim.

  • E rëndë në Dragash: Një burrë gjendet i vdekur pranë shtëpisë

    E rëndë në Dragash: Një burrë gjendet i vdekur pranë shtëpisë

    Një burrë është gjetur pa shenja jete në rrugë të enjten, pranë shtëpisë së tij në fshatin Krstac i Epërm, në komunën e Dragashit.

    Policia njofton përmes raportit 24-orësh se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e emergjencës, të cilat kanë konstatuar vdekjen e tij.

    Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rasti është cilësuar si “Hetim i vdekjes”.

  • Pamje të policëve duke marrë ryshfet në “Qafë Morinë”

    Pamje të policëve duke marrë ryshfet në “Qafë Morinë”

    Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot u mbajt seanca gjyqësore ndaj 23 policëve kufitarë, të akuzuar për marrje ryshfeti, derisa ishin duke punuar në pikën kufitare “Qafë Morinë” të Gjakovës.

    Të akuzuarit nuk e pranuan fajin për akuzat që u vihen në barrë.

    Megjithatë, prokurori i rastit i paraqiti provat që i ka ndaj tyre.

    Njëra nga to ishte një video ku një nga policët shihet duke i marrë nga pasaporta paratë që qytetarët ia lenin aty.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 26 dhjetor 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj 23 zyrtarëve policorë, të cilët ngarkohen për korrupsion të kryer në pikën kufitarë Qafë-Morinë.

    Në aktakuzë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se në periudhën kohore, gusht 2021 e deri në janar 2022, në pikën kufitare “Qafë Morinë”, në regjionin e Gjakovës, të lartcekurit në cilësinë e personave zyrtarë, atë të policit për mbikëqyrje të kufirit, me dashje dhe në vazhdimësi, individualisht dhe në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, këta zyrtarë policorë ngarkohen se kishin pranuar ryshfet nga qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, me qëllim që t’iu mundësohet të hyjnë në territorin e Kosovës.

    E gjithë kjo sipas aktakuzës, në shkelje të Ligjit për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror, Ligjit për Policinë e Kosovës dhe vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

    Andaj, sipas dosjes së PSRK-së, gjithë zyrtarët policorë po akuzohen qoftë individualisht apo edhe në bashkëkryerje me njëri-tjetrin për veprën penale “Marrje ryshfeti”. Kurse, të akuzuarit Agim Hadërgjonaj, Mergim Bekaj, Ismet Tahiraj, Ahmet Kasumaj, Isa Dobraj dhe Fatmir Sadiku ngarkohen edhe për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

    Tutje, në aktakuzë në kuadër të provave janë listuar edhe video-incizime për të dëshmuar veprimet e të akuzuarve.

    Gjithashtu, në disa raste në aktakuzë specifikohen edhe komunikimet që të akuzuarit i bëjnë me qytetarët, duke ua mundësuar kështu kalimin e kufirit të njëjtëve pa i vlerësuar se a i plotësojnë kushtet.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit thuhet se kanë marrë para nga qytetarë shtetas të Kosovës dhe Shqipërisë në shuma të papërcaktuara dhe krejt kjo derisa të njëjtit ishin duke punuar në cilësinë e zyrtarëve policorë.

  • FMN-ja i miraton Ukrainës hua prej 8,1 miliardë dollarësh

    FMN-ja i miraton Ukrainës hua prej 8,1 miliardë dollarësh

    Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) të enjten tha se bordi ekzekutiv ka miratuar një hua 4-vjeçare për Ukrainën me vlerë të 8,1 miliardë dollarëve.

    Në njoftim thuhet se, nga kjo shumë, 1,5 miliard dollarë do të lëshohen menjëherë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vazhdimisht ka kërkuar mbështetje nga aleatët për vendin e tij për t’i bërë ballë pushtimit rus, i cili tashmë ka hyrë në vitin e pestë.

    Në përvjetorin e katërt të luftës, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi se aleatët perëndimorë të Ukrainës duhet ta shtojë ndihmën ushtarake, financiare dhe humanitare për Kievin, nëse dëshirojnë që Ukraina të triumfojë në konflikt.

    “Kjo mbështetje është thelbësore. Ukraina ka nevojë për më shumë, sepse një premtim për ndihmë nuk i jep fund luftës. Ukraina ka nevojë për municion sot dhe për çdo ditë derisa gjakderdhja të ndalet” – tha Rutte.

  • Rrusta e PSD-së: Të gjithë duhet ta refuzojnë Kurtin, siç e refuzoi familja Jashari

    Rrusta e PSD-së: Të gjithë duhet ta refuzojnë Kurtin, siç e refuzoi familja Jashari

    Teuta Rrusta nga Partia Socialdemokrate ka konsideruar se secili kandidat potencial për president duhet të refuzojë ftesën, siç e ka refuzuar familja Jashari, që një përfaqësues i saj të jetë në krye të shtetit.

    Të enjten në “Interaktiv”, Rrusta ka thënë se ai që pranon të bëhet president gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, pranon t’i shërbejë vetëm atij.

    Kushdo që pranon të bëhet president nën Albin Kurtin kryeministër, ka pranuar me vullnet të lirë t’i shërbejë Albin Kurtit. Thirrja e vetme, kryesore, e momentit, duhet të jetë që çdokush të refuzojë siç e refuzuan familja Jashari.

    Ajo më tej e ka konsideruar skandaloze deklaratën e shefes së Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, e cila deklaroi në “Konfront” se po shohin maturi politike nga Vetëvendosja, duke thënë se kjo deklaratë e zbulon një element të rëndësishëm.

    “Deklaratë tejet skandaloze që e zbulon një element tejet të rëndësishëm, që kjo opozitë nuk e ka trajtuar në mënyrën e duhur në analizë konceptuale ideologjike këtë forcë politike. Të besosh që një forcë politike si VV-ja është tash konstruktive e më parë ishte destruktive, kjo i bie të mos e kuptosh fare materialin pushtetar. Kjo nuk është aspak e vërtetë në nivel të fakteve. Në momentin që subjekti në fjalë i largon ofendimet, këta çlirohen dhe thonë ‘ja si kanë ndryshuar’. Partitë opozitare janë ende në një lloj pushteti të së kaluarës, prej të cilës asnjëherë nuk janë shkëputur, e mbi të cilën më pas duke e bërë kritikën Vetëvendosja është rritur dhe ka pushtuar e gjithë skenën politike dhe publike në vend”, ka thënë ajo.