ATV

Category: Lajme

  • Incident i rëndë në KEK, vdes një punëtor

    Incident i rëndë në KEK, vdes një punëtor

    Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se sot ka ndodhur një incident në Termocentralin “Kosova B”, ku është përfshirë një mjet transportues kamion dhe një punonjës.

    Si pasojë e këtij incidenti, një 55-vjeçar – punonjës ka ndërruar jetë.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë zyrtarët e KEK-ut, Policia e Kosovës dhe ekipet mjekësore të cilat kanë konfirmuar se viktima ka ndërruar jetë.

    “Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.), njofton me keqardhje të thellë se sot, në Termocentralin “Kosova B”, ka ndodhur një incident i rëndë, ku është përfshirë një mjet transportues kamion dhe një punonjës.Si pasojë e këtij incidenti, një punonjës mashkull kosovar 55 vjeçar ka pësuar lëndime të rënda. Në vend ngjarje menjëherë kanë dalur zyrtarët e KEK-ut, Policia e Kosovës dhe ekipet mjekësore, të cilat kanë konfirmuar se viktima ka ndërruar jetë.KEK sh.a. shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, si dhe kolegëve e të gjithë bashkëpunëtorëve të tij.Autoritetet përkatëse janë duke trajtuar rastin në përputhje me procedurat ligjore”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

  • Hulumtimi i IHDNj: 80 % e minatorëve të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze në punë, 58 % të diagnostikuar me sëmundje

    Hulumtimi i IHDNj: 80 % e minatorëve të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze në punë, 58 % të diagnostikuar me sëmundje

    Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) ka lansuar hulumtimin “Punëtorët e Padukshëm të Nëntokës”, duke kërkuar hartimin e një liste zyrtare të sëmundjeve profesionale për minatorët e Kosovës dhe ndryshime ligjore që do t’u mundësonin atyre njohjen e këtyre sëmundjeve dhe pensionim të parakohshëm, raporton Ekonomia Online. sipas hulumtimit 80 për qind e minatorëve janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze në punë, ndërsa 58 për qind janë diagnostikuar me sëmundje gjatë vitit të fundit.

    Drejtoresha ekzekutive e IHDNj-së, Kaltrina Rexhepi, tha se iniciativa synon përmirësimin e jetës dhe shëndetit të minatorëve përmes ndryshimeve ligjore dhe krijimit të një liste zyrtare të sëmundjeve profesionale, duke theksuar nevojën që atyre t’u njihet e drejta për pensionim para moshës 65-vjeçare.

    “Nuk dua të flas sot për kontributin e minatorëve, edhe pse jemi në përmbyllje të javës së minatorëve, në 37-vjetorin e përmbylljes së javës së minatorëve dhe kontributin e tyre gjatë asaj periudhe të lavdishme sepse është një gurthemel i lirisë që ne sot e gëzojmë dhe jetojmë. Por ajo që sot dua të ndalem konkretisht është shëndeti, jeta dhe puna e minatorëve në ditët e sotme dhe kontributi i tyre në ditët e sotme. Kjo është një iniciativë konkrete e iniciuar nga Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut për realizimin e një liste të sëmundjeve profesionale dhe gjithashtu për ndryshimet legjislative që duhet të ndërmerren që minatorëve t’u njihet kontributi i punës dhe nevoja për një pensionim të parakohshëm dhe jo ashtu siç ekziston deri më tani deri në moshën 65-vjeçare”.

    Rexhepi theksoi se pas hulumtimit, hapi konkret që synojnë është të arrihet inicimi i ndryshimeve ligjore.

    “Ky hulumtim është vetëm një nismë e vogël. Hapi i radhës dhe hapi konkret që ne synojmë të arrijmë me tutje në këtë çështje është inicimi i ndryshimeve ligjore si dhe krijimi i listës së sëmundjeve profesionale, e cila do të kontribuonte në përmirësimin e jetës, shëndetit dhe punës së minatorëve”, tha ajo.

    Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, vlerësoi se gjetjet e hulumtimit përbëjnë bazë për veprim institucional, duke paralajmëruar forcim të mekanizmave të monitorimit dhe vazhdim të mbështetjes për pensionim të parakohshëm sipas legjislacionit në fuqi, si dhe procedimin e ndryshimeve ligjore që lidhen me këtë fushë.

    “Gjetjet e këtij hulumtimi që janë bërë për shëndetin dhe sigurinë në punë, kushtet e punës dhe trajtimi i sëmundjeve profesionale të minatorëve përbëjnë një bazë të mjaftueshme për refleksion institucional dhe veprim të koordinuar. Ne do të forcojmë mekanizmat e monitorimit dhe inspektimit si Ministri, me qëllim të garantimit të standardeve sa më të larta të sigurisë dhe mbrojtjes në punë. Njëkohësisht përmes skemave të financuara nga shteti, ne do të vazhdojmë të sigurojmë realizimin e të drejtës për pension të parakohshëm për punëtorët e ndërmarrjes Trepça, të cilët përmbushin kriteret sipas legjislacionit në fuqi”, tha ai.

    Hoti u zotua se do të angazhohet për përmirësimin e kushteve të punës.

    “Ashtu si në çdo fushë tjetër të përgjegjësisë sime si ministër, angazhimi im do të jetë maksimal për përmirësimin e kushteve të punës, për mbështetjen sociale dhe për trajtimin dinjitoz të punëtorëve. Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës tashmë veç ka proceduar nëntë ligje për plotësim-ndryshim dhe vlerësim, dhe këto ligje natyrisht që i përfshijnë edhe ato çka është diskutuar dhe çka është gjetur edhe në hulumtimin e zonjës Kaltrina dhe gjithë stafit të saj përmes institutit”, tha ai.

    Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Ëesterlund theksoi se njohja e sëmundjeve profesionale është çështje e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe e forcimit të besimit në institucione, duke bërë thirrje për kalim nga diskutimet në rezultate konkrete.

    “Mësimi është i thjeshtë. Kur institucionet njohin sëmundjet profesionale, ato mbrojnë shëndetin e punëtorëve. Kur shëndeti mbrohet, të drejtat e njeriut forcohen. Dhe kur të drejtat forcohen, rritet besimi në institucione. Suedia vazhdon të mbrojë të drejtat e njeriut globalisht, përfshirë të drejtën për kushte pune të sigurta dhe të shëndetshme. Siguria në punë nuk është vetëm teknike apo mjekësore. Ka të bëjë me drejtësi, respekt dhe parimin e thjeshtë që askush nuk duhet të paguajë punën e ditës me shëndetin e tij. Kjo konferencë është një mundësi për të forcuar dialogun, për të përmirësuar kornizën ligjore, për të përmirësuar monitorimin shëndetësor dhe për të koordinuar veprimet në mënyrë më efektive. Është një mundësi për të kaluar nga diskutimet në rezultate reale dhe të matshme”, tha ai.

    Analistja e hulumtimit, Anita Plakolli, prezantoi gjetjet sipas të cilave mbi 80% e minatorëve janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze në punë, 58% janë diagnostikuar me sëmundje gjatë vitit të fundit, ndërsa 70% kanë punuar pa pajisje mbrojtëse, duke e cilësuar gjendjen si alarmante për shëndetin dhe sigurinë e tyre.

    “Mbrojtja e shëndetit të minatorëve ndaj faktorëve të rrezikshëm në miniera si pluhuri, zhurma, lagështia, ventilimi i dobët, rreziku nga shembja dhe substancat toksike përbën një kërcënim serioz dhe të vazhdueshëm për shëndetin e tyre fizik dhe psikologjik. Lidhur me këtë grafik, vlen të thuhet se mbi 80% të minatorëve të anketuar pohojnë se janë të ekspozuar ndaj këtyre rreziqeve gjatë gjithë kohës apo shumë shpesh”, theksoi ajo.

    Tutje ajo ka treguar gjetjet edhe për temperaturat ekstreme, ku në zonat jugore të minierës është arritur 40 deri në 45 gradë celsius.

    “Ambientet e punës karakterizohen nga temperatura ekstreme. Në zonat jugore të minierave, temperatura, siç mund ta shihni, arrin deri në 40 deri 45 gradë Celsius dhe ventilimi është i pamjaftueshëm. Siç shihet në grafikun tre, 64.3% e të anketuarve pohojnë se ventilimi është i pamjaftueshëm. Ventilimi i dobët në miniera lidhet drejtpërdrejt me rrezikun për sëmundje respiratore, ekspozim ndaj pluhurit mineral dhe gazrave të rrezikshëm. Sa i përket gjendjes shëndetësore, simptomave dhe sigurisë në punë, vetëm gjatë 12 muajve të fundit, 58% e minatorëve të intervistuar janë diagnostikuar me sëmundje të cilat mund t’i shihni. Ato më të shpeshtat janë: Vështirësi në frymëmarrje. Infeksione të traktit respirator. Bronkit. 81% prej tyre kanë përjetuar dhimbje muskulore, dhimbje koke dhe marramendje. 38% raportojnë humbje të dëgjimit, ndërsa 44% kanë përjetuar probleme me shikimin dhe skuqje të syve”, tha ajo.

    Në hulumtim janë marrë në pyetje minatorët me përvojë 10-vjecare.

    “Një aspekt thelbësor për uljen e rreziqeve profesionale dhe ruajtjen e shëndetit të minatorëve në punë është përdorimi i pajisjeve mbrojtëse dhe zbatimi i standardeve të sigurisë në punë. Rezultatet tregojnë se në praktikë kjo nuk respektohet gjithmonë. Ky grafik tregon se 70% e të anketuarve u është kërkuar të punojnë pa pajisje mbrojtëse përgjatë përvojës së tyre. Ju rikujtoj se ky hulumtim është bërë për minatorët e intervistuar të cilët kanë përvojë pune mbi 10 vite po ashtu”, tha ajo.

  • Konjufca takon ambasadoren finlandeze, flasin për njohjen e patentë-shoferëve

    Konjufca takon ambasadoren finlandeze, flasin për njohjen e patentë-shoferëve

    Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, është takuar me ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen.

    Ministria e Jashtme njofton se ky ishte një takim njoftues pas formimit të qeverisë së re. Ambasadorja e uroi Konjufcën për detyrën dhe tha se Finlanda do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në zhvillimin e saj demokratik dhe në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

    Gjatë takimit, ata folën për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, sidomos në sundimin e ligjit dhe reformat. U përmend edhe roli i rëndësishëm i diasporës kosovare në Finlandë, rreth 20 mijë persona, që shërbejnë si lidhje mes dy shteteve.

    Po ashtu, u diskutua mundësia që Kosova dhe Finlanda të fillojnë procedurat për njohjen e ndërsjellë të patentë-shoferëve.

    Në fund, u theksua se Kosova mbetet e përkushtuar për ta forcuar partneritetin me Finlandën.

  • ZPS thotë se nuk janë incizuar bisedat e Thaçit me avokatët e tij

    ZPS thotë se nuk janë incizuar bisedat e Thaçit me avokatët e tij

    Kryeprokurorja Kimberly West tha se çështja ka të bëjë me audio-incizime, të bisedave mes Hashim Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë dhe dokumenteve që kanë këmbyer.

    Ajo tha se Thaçi ka komunikuar me avokatët e tij, por shtoi se “asnjë nga këto biseda nuk është incizuar”, duke shtuar se të vetmet incizime janë të lidhura me biseda të paprivilegjuara.

    Prokurorja e specializuar West pretendoi se Thaçi dha udhëzime për të ndikuar te dëshmitarët dhe për të “ndërhyrë në drejtësi”.

    “Vepër penale është nxjerra e informacioneve konfidenciale për dëshmitarët”, tha ajo.

    Sipas saj, Kilaj mori nga Thaçi në qendrën e paraburgimit “dëshmitë paraprake konfidenciale të dëshmitarëve me qëllim që të ndërhynte në dëshminë e tyre. Këto dokumente janë konfiskuar nga shtëpia e tij”.

    “Smakaj u bashkua në përpjekjen e Thaçit për dëshmitarët dhe mori një dokument prej 10 faqesh, që ishte në përputhje me udhëzimet që kishte dhënë Thaçi për dëshmitarët. Ky dokument u konfiskua në makinën e tij”, tha West.

    Sa i përket Kuçit, që në kohën e aktakuzës ishte pjesë e ekipit mbrojtës të Kadri Veselit, Wes tha se ai “ka dhënë në vazhdimësi sugjerimet e tij se çfarë duhet të thoshin dëshmitarët e shënjestruar në të mirë të Thaçit”.

    Sipas saj, audio-incizimet tregojnë “besnikërinë ndaj Thaçit” të të akuzuarve të tjerë .

    “Të gjithë të akuzuarit kanë pasur një synim të vetëm: pengimin e procedurës penale në përfitim të Thaçit”, tha ajo./REL/

  • 1 muaj paraburgim për dy zyrtarë te KEDS-it në Ferizaj, dyshohen për ryshfet

    1 muaj paraburgim për dy zyrtarë te KEDS-it në Ferizaj, dyshohen për ryshfet

    Gjykata Themelore në Ferizaj ka pranuar kërkesën e Prokurorisë themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit për dy zyrtarët e KEDS-it të cilët dyshohen për ryshfet.

    “Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, Dardan Maloku, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 25.02.2026 në Ferizaj, përkatësisht në KEDS, i pandehuri B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për humbje të energjisë elektrike, dhe i pandehuri E.K. në cilësinë e ushtruesit të detyrës së koordinatorit për lidhje të reja, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre lidhur me ofrimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve, në mënyrë të drejtpërdrejte i kanë kërkuar shumën prej katërqind (400.00) € të dëmtuarit A.H., me arsyetimin se njësori elektrik do t`i vendoset brenda një jave në lokalin e tij, në të kundërtën do të duhet të pres pesë deri në gjashtë muaj për vendosjen e njësorit elektrik, si dhe këtë shumë të hollash do të ndanin ndërmjet katër personave, me ç`rast pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të njëjtit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) Muaj”.

    “Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”.

  • Shqiptari nga Llojani i Kumanovës në garë për kryetar të bashkisë së Zurichut

    Shqiptari nga Llojani i Kumanovës në garë për kryetar të bashkisë së Zurichut

    Një politikan me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut synon të marrë drejtimin e qytetit të Zyrihut në zgjedhjet e ardhshme lokale. Bëhet fjalë për Përparim Avdili, i cili prej vitesh është aktiv në skenën politike të qytetit zviceran.

    Avdili, me rrënjë nga Llojani i Maqedonisë së Veriut, është kandidat për postin e kryetarit të Zürich, një nga qytetet më të rëndësishme në Zvicër. Kandidatura e tij ka tërhequr vëmendje të veçantë edhe në mesin e komunitetit shqiptar, i cili përbën një pjesë të konsiderueshme të popullsisë në këtë qytet.

    Zgjedhjet do të zhvillohen më 8 mars, ndërsa Avdili ka nisur fushatën që në fund të tetorit, menjëherë pasi mori nominimin nga partia, duke theksuar se dëshiron që Zyrihu të zhvillohet më tej dhe të perceptohet si një metropol i vërtetë europian.

    Nëse arrin të fitojë, ai do të bëhej një nga figurat e para me origjinë shqiptare që do të udhëhiqte një prej qyteteve kryesore evropiane, duke shënuar një moment të rëndësishëm për përfaqësimin e diasporës shqiptare në politikën zvicerane.

    I lindur në një familje emigrantësh nga Maqedonia e Veriut, Avdili u rrit në Zvicër. Babai i tij fillimisht punoi si punëtor sezonal dhe më pas solli të gjithë familjen. Ai ka treguar shpesh se familja u kujdes që fëmijët të mos harronin gjuhën shqipe dhe traditat shqiptare.

    Rruga e tij profesionale nuk ka qenë lineare. Në moshën 18-vjeçare nisi shkollën për mekanik makinash, por më pas e braktisi këtë drejtim. Pasi punoi në postë, ai ndoqi kurse në shkollën e biznesit dhe hyri në sektorin bankar, pavarësisht mungesës fillestare të eksperiencës. Më vonë punoi në banka të tjera dhe u vetëpunësua si konsulent për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke ndërtuar një karrierë të suksesshme në financë.

    Avdili ka folur hapur edhe për paragjykimet që ka përjetuar në rini, kur gjatë praktikës si mekanik është etiketuar me stereotipe për shkak të origjinës së tij, përvoja që, sipas tij, e ka forcuar karakterin dhe ambicien.

    Në jetën personale, ai bashkëjeton me partneren e tij dhe ruan lidhje të forta me identitetin dhe kulturën shqiptare.

    Një element i veçantë i fushatës së tij është ndërthurja e politikës me artin dhe kulturën urbane. Në bashkëpunim me reperin Arbër Rama, ai mori pjesë në një këngë të krijuar në kuadër të prezantimit të programit electoral, një projekt që synon të lidhet me qytetarët përmes historive reale dhe jo sloganeve politike.

  • Kapet me kokainë një 28-vjeçar nga Prishtina

    Kapet me kokainë një 28-vjeçar nga Prishtina

    Policia kufitare ka arrestuar një person në pikën kufitare në Morinë nën dyshimin për posedim të kokainës.

    “Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin D. RR., 28 vjeç, banues në Prishtinë, pasi në PKK Morinë, në hyrje të RSH-së, shërbimet e policisë kufitare i kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës.

    “Materialet procedurale iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme”.

  • Pas ndryshimeve të qeverisë, Rama mbledh kabinetin

    Pas ndryshimeve të qeverisë, Rama mbledh kabinetin

    Kryeministri Edi Rama mblodh paraditen e së premtes kabinetin qeveritar, një ditë pasi lajmëroi 7 ndryshime në qeveri.

    Mbledhja e qeverisë zgjati më pak se 30 minuta dhe në të mungonin dy ministrat e larguar nga kabineti Elisa Spiropali dhe Pirro Vengu, raporton euronews.al

    Një ditë më parë kryeministri bëri 7 ndryshime në qeveri, përfshirë largimin e ministrave, Belinda Balluku, Elisa Spiropali dhe Piro Vengu.

    Ndër ndryshimet e bëra një ditë më parë në mbledhjen e grupit të PS është emërimi i ministres Albana Koçiu si zv.kryeministre pas shkarkimit të Belinda Ballukut.

    Enea Karakaçi u emërua Ministër i Infrastrukturës duke marrë postin tjetër të Ballukut.

    Ndryshimet në qeveri:

    Albana Koçiu emërohet Zëvendëskryeministre.

    Besfort Lamallari merr postin e Ministrit të Brendshëm.

    Ferit Hoxha emërohet Ministër i Jashtëm.

    Enea Karakaci do të udhëheqë Ministrinë e Infrastrukturës.

    Erjona Ismaili emërohet Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin.

    Toni Gogu do të drejtojë Ministrinë e Drejtësisë.

    Ermal Nufi merr postin e Ministrisë së Mbrojtjes.

  • Kryeprokurorja akuzon Thaçin dhe të tjerët për përpjekje për të “minuar” Gjykatën Speciale

    Kryeprokurorja akuzon Thaçin dhe të tjerët për përpjekje për të “minuar” Gjykatën Speciale

    Kryeprokurorja Kimberly West nisi fjalën hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke e akuzuar Hashim Thaçin dhe katër të akuzuarit të tjerë për përpjekje për të “minuar” Gjykatën Speciale.

    “Ata në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë shkelur vendimet gjyqyqësore që kanë pasur për synim që dëshmitarët dhe viktimat të japin dëshmi pa pasur frikë dhe që të kenë besimin se do t’u ruhej identiteti”, tha ajo.

    “Thaçi akuzohet se në mënyrë të vazhdueshme ka vazhduar që të ndërhyjë në dëshmitë e dëshmitarët dhe ka shkelur të gjitha rregullat e gjykatës që kanë pasur të bëjnë me mbrojtjen e informacionit konfidencial. Të bashkëakuzuarit kanë marrë pjesë në këto krime”, shtoi West.

    Në Gjykatën Speciale sot po mbahen deklaratat hyrëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit./REL/

  • Pakistani bombardoi kryeqytetin afgan, raportohet për dhjetëra viktima

    Pakistani bombardoi kryeqytetin afgan, raportohet për dhjetëra viktima

    Të shtëna me armë u dëgjuan pranë Pallatit Presidencial në Kabul, pasi Pakistani ndërmori sulme ajrore ndaj objekteve ushtarake të Talibanëve.

    Sipas transmetuesit shtetëror pakistanez, PTV, 72 ushtarë afganë humbën jetën dhe 120 të tjerë mbetën të plagosur

    Autoritetet bëjnë të ditur se është shkatërruar një depo municionesh e Talibanëve, si dhe mbi 30 njësi të pajisjeve ushtarake.

    Përveç kryeqytetit, sulme janë raportuar edhe në provincat Kandahar, Paktia dhe Nangarhar, shkruan cnn.

    Pala afgane pretendon se gjatë përleshjeve në kufi janë vrarë 55 ushtarë pakistanezë, 11 të tjerë janë plagosur dhe 19 pika kontrolli kanë kaluar nën kontrollin afgan.

    Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khawaja M. Asif, i akuzoi Talibanët se po mbështesin terroristët dhe se po veprojnë në interes të Indisë.

    Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u ka bërë thirrje të dyja palëve që të respektojnë menjëherë të drejtën ndërkombëtare dhe t’i rikthehen dialogut.

    Irani ka ofruar ndërmjetësim në bisedime, ndërsa ministrat e jashtëm të Arabisë Saudite dhe Pakistanit kanë zhvilluar tashmë konsultime urgjente telefonike me synim uljen e tensioneve.