ATV

Category: Lajme

  • Vdes një person në një pompë të derivateve në Pejë, policia del në vendngjarje

    Vdes një person në një pompë të derivateve në Pejë, policia del në vendngjarje

    Një person ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në qytetin e Pejës.

    Viktima dyshohet se ka vdekur papritmas në vendin e tij të punës në një pompë të derivateve në rrugën “Papa Klimenti”.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë në Pejë, Fadil Gashi.

    Ai bëri të ditur se policia është njoftuar nga emergjenca e qytetit për një person pa shenja jete.

    Gashi tha se i njëjti u gjet në pompë të derivateve, derisa nuk dha më shumë detaje tjera.

    “Njësitet kompetente janë në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë rastin”, tha ai.

  • Përveç Haxhiut, Peleshi do të takohet edhe me Osmanin e Kurtin

    Përveç Haxhiut, Peleshi do të takohet edhe me Osmanin e Kurtin

    Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Niko Peleshi, sot do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë.

    Atë në takim nga ora 10:00 do ta pres kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

    Mirëpo pos Haxhiut, Peleshi do të zhvillojë edhe një takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

    Sipas njoftimit për media takimi Kurti-Peleshi do të zhvillohet duke filluar nga ora 11:50 në Qeverinë e Kosovës.

    Peleshi do të takojë edhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani duke filluar nga ora 11:15 minuta.

    Kjo vizitë vjen pak ditë pas asaj të Elisa Spiropalit, e cila e vizitoi Kosovën në cilësinë e ministres së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

  • Flamuri i kuq i hakmarrjes është ngritur pas vrasjes së Khameneit, paralajmërimi i fortë i Gjermanisë për Europën: Të jemi gati

    Flamuri i kuq i hakmarrjes është ngritur pas vrasjes së Khameneit, paralajmërimi i fortë i Gjermanisë për Europën: Të jemi gati

    Vrasja e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, në sulmet ajrore amerikano-izraelite ka tronditur ekuilibrat globalë dhe ka futur Lindjen e Mesme në “ujëra” të reja tensioni.

    Republika Islamike është përfshirë nga një valë zemërimi dhe kërcënimesh, ndërsa udhëheqja ushtarake e vendit paralajmëron kundërpërgjigje të ashpër.

    Garda Revolucionare Islamike, forca elitare e regjimit, ka shpallur hapur synimin për hakmarrje. Në një njoftim për shtyp, ajo paralajmëroi nisjen e “operacioneve më të mëdha ushtarake në historinë e forcave të armatosura iraniane kundër Izraelit dhe bazave amerikane në rajon”. Deklarata ka ngritur alarmin në kryeqytetet perëndimore, duke shtuar frikën për një përshkallëzim ushtarak mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

    Ndërkohë, në Evropë po rritet shqetësimi për pasoja të mundshme të konfliktit. Autoritetet gjermane nuk përjashtojnë skenarë hakmarrjeje edhe në territorin evropian. Pas konsultimeve emergjente me Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Berlin, kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se aktualisht nuk ka prova për një rritje të ndjeshme të nivelit të kërcënimit në Gjermani, por theksoi se situata po monitorohet “nga afër dhe në mënyrë intensive”.

    “Për momentin, nuk ka indikacione për një nivel shumë të lartë kërcënimi, por jemi vigjilentë”, u shpreh Merz, duke nënvizuar se shërbimet e inteligjencës dhe policia gjermane janë në gatishmëri të shtuar.

    Kancelari kujtoi se gjatë dekadës së fundit ka pasur sulme të përsëritura kundër iranianëve në mërgim në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës, duke theksuar se shërbimet iraniane të inteligjencës kanë qenë aktive në territorin evropian. Për këtë arsye, menjëherë pas sulmeve në Iran janë zhvilluar diskutime për forcimin e masave të sigurisë.

    Ministri federal i Brendshëm, Alexander Dobrindt, ka zhvilluar konsultime urgjente me ministrat e brendshëm për të koordinuar një strategji të përbashkët reagimi. Prioritet absolut, sipas qeverisë në Berlin, mbetet mbrojtja e institucioneve hebraike, izraelite dhe amerikane.

    “Ne nuk do të tolerojmë asnjë sulm antisemit apo antiamerikan në tokën gjermane”, theksoi Merz, duke dërguar një mesazh të qartë për çdo përpjekje destabilizimi.

  • Raportohet se BE-ja pritet që sot t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës

    Raportohet se BE-ja pritet që sot t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës

    Bashkimi Evropian pritet që sot, të heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura para më shumë se dy vjet e gjysmë. Koha mëson nga burimet e BE-së se vendimi për këtë është marrë nga organet përkatëse të Komisionit Evropian dhe do të miratohet edhe nga vendet anëtare në takimin e Grupit punues për Ballkanin Perëndimor (COwEB) sot, në takimin e tyre në Bruksel.

    Burimet e BE-së thanë për Kohën, se të gjitha procedurat teknike janë kryer nëpër strukturat e BE-së dhe vendet anëtare në takimin e COWEB vetëm do të pranojnë këtë vendim të Komisionit Evropian të hënën, më 2 mars.

    Heqjen e të gjitha masave ndaj Kosovës e kishte paralajmëruar edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas një takimi me liderët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe presidenten Vjosa Osmani. Në atë kohë, nga Komisioni Evropian kishin paralajmëruar se të gjitha masat do të hiqen “në pjesën e hershme të vitit 2026”. Prej atëherë, në Komisionin Evropian arsyetoheshin se “janë duke punuar në heqjen e masave të mbetura” dhe se do të përmbushet paralajmërimi i presidentes Ursula von der Leyen.

    Në fund të vitit të shkuar, Komisioni Evropian i kishte hequr masat për rreth 50 për qind të asistencës financiare, në vlerë prej përafërsisht 216 milionë eurosh. Tash do të hiqen të gjitha masat, duke përfshirë edhe lirimin e 205 milionë eurove mjete nga Programet e Paraanëtarësimit dhe nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

    Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në qershor të vitit 2023, si ndëshkim ndaj veprimeve të autoriteteve të Kosovës që BE-ja dhe disa partnerë të tjerë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika e Shqipërisë, i vlerësuan si “veprime të njëanshme, të pakoordinuara, të cilat rrisin tensionet në veri të Kosovës”.

    Në kohën kur masat u vendosën, shumë shtete të BE-së i mbështetën ato, duke menduar se janë vetëm të kufizuara. Por u kuptua më vonë se ato janë shumë të zgjeruara dhe kapën një shumë prej rreth gjysmë miliardi eurosh mjete financiare që iu bllokuan Kosovës nga fondet e ndryshme të Bashkimit Evropian.

    Krahas masave ndëshkuese financiare, BE-ja kishte vendosur edhe masa në formën e refuzimit të takimeve në nivel të lartë me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, me përjashtim të takimeve në kuadër të dialogut, situatës në veri dhe takimeve e vizitave në nivel të gjithë rajonit.

    Nga burimet e Komisionit Evropian mësohet se mes datave 11 dhe 13 mars Kosovën do ta vizitojë komisionerja për Zgjerim, Marta Kos. Ajo deri më tash, në 14 muaj të mandatit të saj, nuk e kishte vizituar asnjëherë Kosovën, ndërkohë që i kishte vizituar të gjitha vendet e tjera të rajonit. Pos masave ndaj Kosovës, si arsyetim për mosvizitë në Kosovë të komisioneres Kos ishte përmendur edhe fakti se Kosova gjatë tërë vitit 2025 nuk ka pasur qeveri me legjitimitet të plotë dhe komisionerja nuk ka pasur me kë të takohet.

    Pos masave ndëshkuese financiare, pritet të hiqen edhe të gjitha masat e tjera, përfshirë edhe ato politike. /Koha.net

  • Në Speciale vazhdon gjykimi në rastin ‘Administrimi i drejtësisë’

    Në Speciale vazhdon gjykimi në rastin ‘Administrimi i drejtësisë’

    Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës vazhdon gjykimi në rastin “Thaçi dhe të tjerët” për administrimin e drejtësisë, ku pritet që ekipet e mbrojtjes të fillojnë pyetjet e tyre për Dëshmitarin 7.

    Në javën e kaluar, ZPS-ja lexoi një përmbledhje të akuzave dhe, pas kësaj, secili prej pesë të akuzuarve konfirmoi vetëdeklarimin si i pafajshëm. Më pas, ZPS-ja filloi me deklaratën hyrëse.

    Pas përfundimit të deklaratës hyrëse të ZPS-së, mbrojtja e Bashkim Smakajt paraqiti dhe përfundoi deklaratën e saj hyrëse. Mbrojtja e Kilajt më pas filloi paraqitjen e deklaratës hyrëse.

    Pas përfundimit të deklaratave hyrëse nga ZPS-ja dhe ekipet e mbrojtjes së Smakajt dhe Kilajt, ZPS-ja thirri dëshmitarin e parë, i cili dha dëshminë nën masa mbrojtëse si Dëshmitari 7.

    Ndryshe, pas konfirmimit të aktakuzës kundër pesë të akuzuarve, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan nga ZPS-ja më 5 dhjetor dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 6 dhjetor 2024.

    Hashim Thaçi iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 5 dhjetor, ndërsa Hajredin Kuçi iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë. Në paraqitjen e tyre të parë më 8 dhjetor 2023, Thaçi dhe Smakaj nuk u deklaruan në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, ndërsa Fazliu u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, Kuçi dhe Kilaj u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Pasi Thaçi dhe Smakaj vendosën të mos deklarohen lidhur me fajësinë gjatë seancës së 17 dhjetorit 2024, gjykatësja e procedurës paraprake kërkoi që ata të deklarohen me shkrim deri më 7 janar 2025.

    Më 6 janar 2025, Thaçi dorëzoi njoftimin përmes të cilit u vetëdeklarua i pafajshëm. Vetëdeklarimi i pafajësisë së Bashkim Smakajt u dorëzua më 3 janar dhe u bë publik më 14 janar 2025.

    Më 11 nëntor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake njoftoi kryetaren se dosja e çështjes do të ishte gati për t’iu kaluar një trupi gjykues më 12 nëntor 2025. Rrjedhimisht, kryetarja e DHSK-së caktoi gjykatësin e vetëm për gjykimin e kësaj çështjeje. Më 12 nëntor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes gjykatësit të vetëm. Konferenca për përgatitjen e gjykimit u mbajt më 28 nëntor 2025, ndërsa gjykimi filloi më 27 shkurt 2026.

  • Ish-kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi sërish para gjykatës

    Ish-kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi sërish para gjykatës

    Ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, do paraqitet sërish sot në sallën e gjyqit.

    Krasniqi në Gjykatën e Prishtinës do të përballet me akuzat e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), që sipas saj, ai i ka shkaktuar KEK-ut dëm prej 3 milionë eurosh për shkak të tregtimit të energjisë elektrike me kompaninë sllovene “Holding Slovenske Elektrane”, e cila nuk ka qenë e licensuar në Kosovë.

    Ndërkohë, Krasniqi është deklaruar i pafajshëm disa herë para trupit gjykues.

    Seanca është planifikuar të nisë nga ora 09:30.

  • Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, ky është rendi i ditës

    Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, ky është rendi i ditës

    Me fillim nga ora 11:30 do të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit.

    Njoftimi u bë i ditur përmes një njoftimi për media.

    Në rend të ditës janë miratimi i procesverbali të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit si dhe shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave.

  • Niko Peleshi sot viziton Kosovën

    Niko Peleshi sot viziton Kosovën

    Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Niko Peleshi, sot do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë.

    Atë në takim nga ora 10:00 do ta pres kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

    Ky takim pritet të theksojë bashkëpunimin parlamentar dhe institucional midis Shqipërisë dhe Kosovës, duke theksuar marrëdhëniet dypalëshe dhe koordinimin në çështje rajonale dhe politike.

    Kjo vizitë vjen pak ditë pas asaj të Elisa Spiropalit, e cila e vizitoi Kosovën në cilësinë e ministres së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

  • Çështja e Presidentit, Kurti sot takon Abdixhikun

    Çështja e Presidentit, Kurti sot takon Abdixhikun

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë të ditur se sot do të takohet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun.

    Temë kryesore e këtij takimi do të jetë zgjedhje e Presidentit.

    “Nesër do të takoj edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, ku do të diskutojmë edhe me të lidhur me këtë process”, deklaroi Kurti.

    Ky do të jetë takimi i dytë që do të realizohet për të njëjten temë, pasi të dy u takuan edhe javën e kaluar.

    Bazuar në afatet për zgjedhjen e Presidentit, data e fundit është 4 marsi në të kundërten vendi do të shkojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.

  • Flet shqiptarja në Dubai: Sulmet ishin të papritura, situata është jo fort e lehtë

    Flet shqiptarja në Dubai: Sulmet ishin të papritura, situata është jo fort e lehtë

    Prej më shumë se një dekade Dubai është zgjedhur si një vend ku jeton e punon një komunitet i konsiderueshëm shqiptarësh prej rreth 1.500 personash.Sonila Sherifi është një prej tyre e cila prej 11 vitesh jeton atje.

    Ajo tregon per Top Channelsi është përjetuar sulmi me raketa nga Irani edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.

    “Realisht ka qenë e papritur për të gjithë ne, sepse jetojmë në një nga vendet le të themi më të sigurta në botë. Duke qenë se kemi pasur mbështetjen e pafundme të qeverisë këtu dhe jemi siguruar nga ata se çdo gjë do të shkojë mirë dhe situata është nën kontroll kemi ndjerë një lloj lehtësimi.Por patjetër që shqetësimi ekzistonte sepse si prindër gjithashtu meraku më së shumti është për fëmijët. Por realisht kemi qenë më të qetë sepse hap pas hapi kemi pasur ‘update’ nga të gjitha burimet zyrtare të qeverisë që situata është nën kontrollin e sigurisë më të lartë.

    Këto janë situata jo fort lehtë për tu përballur sidomos kur jeton në një vend kaq të sigurt që nuk ndodh asgjë praktikisht por jemi të qenë. Në përgjithësi jemi të qetë”, tregon Sonila Sherifi.

    Sonila Sherifi tregon edhe këshillat e dhëna nga autoritet në Dubai.

    “Momentalisht na kanë thënë të jemi nëse mundemi të qëndrojmë sa më gjatë në ambiente të mbyllura, ambiente shtëpiake apo ambiente të mbyllura si qendra tregtare apo kudo që jemi.

    Të evitojmë zonat ku janë tanimë mbetjet e raketave të cilat janë kundërsulmuar prej mbrojtjes ajrore dhe dronëve të Dubait përmes të cilave janë parandaluar sulmet e drejtpërdrejta. Mbeturinat kanë rënë praktikisht në zona të caktuara dhe kanë nën vëzhgimin e autoriteteve të vendit”, u shpreh ajo.

    Autoritetet e Dubait të dielën dërguan njoftime emergjente për banorët, duke u kërkuar atyre “të kërkojnë strehim të menjëhershëm”.

    “Për shkak të situatës aktuale dhe një kërcënimi të mundshëm me raketa, kërkoni strehim të menjëhershëm në ndërtesën më të afërt të sigurt dhe shmanguni dritareve, dyerve dhe zonave të hapura”, thuhej në njoftimin e dërguar në telefonat celularë.