ATV

Category: Lajme

  • Hapet Gofundme për 29 vjeçarin Enes Beka nga Vushtrria

    Hapet Gofundme për 29 vjeçarin Enes Beka nga Vushtrria

    Një apel emocional për ndihmë po qarkullon në rrjetet sociale, ku nëna nga Vushtrria, Mihrije Rustemi Beka, kërkon mbështetjen e qytetarëve për djalin e saj, Enes Beka, i cili po përballet me një gjendje të rëndë shëndetësore.

    Sipas rrëfimit të nënës, 29-vjeçari është baba i një foshnje vetëm katër muajshe dhe aktualisht po lufton për jetën në spital. Ajo bën të ditur se brenda katër muajve ai i është nënshtruar gjashtë operacioneve të rënda në zorrë.

    Aktualisht, Enesi ndodhet i shtrirë në QKUK – Kirurgjia Abdominale, ku, sipas familjes, ka plagë të hapura dhe infeksion të përhapur, duke e rënduar tej mase gjendjen e tij shëndetësore.

    Në postimin e saj, nëna shprehet se familja ka shpenzuar të gjitha mjetet financiare gjatë muajve të fundit dhe se shpresa e vetme për djalin e saj mbetet trajtimi jashtë vendit. Ajo u bën thirrje qytetarëve që të kontribuojnë, duke theksuar se çdo ndihmë, sado e vogël, është jetike.

    Familja ka publikuar edhe të dhënat për mbështetje financiare përmes bankës BKT Kosovë, ndërsa ka bërë të ditur edhe numrin e kontaktit për ata që duan të ndihmojnë drejtpërdrejt.

    Rasti ka prekur shumë qytetarë në rrjete sociale, ku apeli po shpërndahet gjerësisht me shpresën që 29-vjeçari të sigurojë trajtimin e nevojshëm sa më shpejt.

    Të dhënat kryesore të publikuara nga familja:
    • Pacienti: Enes Beka
    • Spitali: QKUK – Kirurgjia Abdominale
    • Kontakt: 044 332 828
    • Banka: BKT Kosovë
    • Përfituesi: Mihrije Rustemi Beka
    • Nr. i llogarisë: 1951474393321148
    • Valuta: EUR

    Llogaria Gofundme: https://www.gofundme.com/f/ndihme-per-enes-beka?lang=de_DE

    Familja apelon që, nëse nuk është e mundur ndihma financiare, së paku të shpërndahet thirrja për të arritur tek sa më shumë njerëz.

  • Transformimi tronditës i Jim Carrey-t në ndarjen e çmimeve – Fansat nuk e besojnë se ky është Jim-I I vërtetë!

    Transformimi tronditës i Jim Carrey-t në ndarjen e çmimeve – Fansat nuk e besojnë se ky është Jim-I I vërtetë!

    Hollywood-i mbeti i habitur kur legjenda e komedisë Jim Carrey u ngjit në skenën e një ceremonie çmimesh duke u dukur pothuajse i panjohur dhe duke u larguar me një trofe të madh në duar.

    Aktori i dashur, i njohur për energjinë e tij të çmendur në filma klasikë si “Ace Ventura” dhe “The Mask”, befasoi publikun jo vetëm me fitoren por edhe me pamjen e tij krejt ndryshe, që ndezi spekulime e konspiracione në rrjetet sociale brenda minutash.

    Nuk ishte më ai komediani me mimika të ekzagjeruara që fansat adhuronin në vitet ’90. Në vend të kësaj? Një Carrey më i pjekur, më i qetë dhe me një stil më të rafinuar, tipare më të buta dhe një prezencë që reflektonte një veteran të vërtetë të Hollywood-it.

     Reagimet online shpërthyen menjëherë si përshembull “Është vërtet Jim Carrey?!”, “Kur filloi të duket kaq ndryshe?!”, “Pse po ndihem kaq i vjetër tani?”

    Megjithatë, një gjë mbetet e pandryshuar, talenti i tij. Carrey mbajti një fjalim falënderues emocional, duke reflektuar mbi karrierën e tij shumëvjeçare dhe duke shprehur mirënjohje që vazhdon të vlerësohet në një industri që ndryshon vazhdimisht.

    Në vitet e fundit, aktori ka qëndruar më larg vëmendjes publike, duke u fokusuar në pikturë, role të zgjedhura me kujdes dhe reflektime mbi famën dhe identitetin. Megjithatë, rikthimi i tij në një natë çmimesh solli një dozë të fortë nostalgjie për fansat.

    A është thjesht kalimi natyral i kohës, mjë kapitull i ri apo transformimi i një ylli që më në fund ka gjetur paqen me veten?; Apo siç thonë fansat nëpër teori “Mos vallë është një klon i tij?

    Një gjë është e sigurt, Jim Carrey mund të duket ndryshe, por kur fiton, ai ende di si ta pushtojë skenën dhe ta marrë gjithë vëmendjen.

  • Sa ishte pasuria marramendëse e Ali Khamenei?

    Sa ishte pasuria marramendëse e Ali Khamenei?

    Pasuria e liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, ka qenë për vite me radhë një nga temat më të debatueshme në botë, për shkak të mungesës së transparencës dhe lidhjes së saj me struktura shtetërore.

    Sipas një hetimi të gjerë të agjencisë ndërkombëtare Reuters, ai kontrollonte një perandori financiare përmes fondacionit “Setad”, e cila vlerësohej rreth 95 miliardë dollarë.

    Hetimi tregonte se:
    – rreth 52 miliardë dollarë përbëheshin nga prona dhe pasuri të paluajtshme,
    – ndërsa rreth 43 miliardë dollarë ishin të investuara në kompani, aksione dhe biznese strategjike si banka, telekom, energji dhe industri.

    Fondacioni “Setad” u krijua pas revolucionit islamik për të menaxhuar pronat e konfiskuara, por me kalimin e viteve u shndërrua në një konglomerat ekonomik gjigant.

    Ndërkohë, disa vlerësime politike nga burime amerikane kanë pretenduar se pasuria nën kontrollin e tij mund të arrijë deri në 200 miliardë dollarë, megjithëse këto shifra nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

    Ekspertët theksojnë se bëhet fjalë kryesisht për pasuri nën kontroll politik, jo për para personale direkte si ato të miliarderëve privatë.

    Në publik, Khamenei njihej për një stil jetese relativisht të thjeshtë, ndërsa fuqia e tij reale konsiderohej më shumë ekonomike dhe politike sesa personale financiare.

  • Brenda një jave, Policia e Pejës sekuestron armë e municion – disa të dyshuar në hetim

    Brenda një jave, Policia e Pejës sekuestron armë e municion – disa të dyshuar në hetim

    Policia e Pejë ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave ka sekuestruar një numër të konsiderueshëm armësh dhe municioni.

    Nga data 23.02.2026 deri më 01.03.2026 janë gjetur dhe sekuestruar:

    Dy (2) pushkë

    Një (1) pushkë dhjetëshe me 9 fishekë të kalibrit 7×62 mm

    Një (1) pushkë gjuetie me 18 fishekë të kalibrit 7.62×39 mm

    Një (1) revole TT

    Një (1) pistoletë Zoraki 917-T

    Një (1) karikator

    Një (1) fishek 9×19

    Një (1) thikë

    Personat e dyshuar janë intervistuar, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar rastet penale për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve”, thuhet në njoftimin e Policisë për media.

  • Kryekuvendari shqiptar Peleshi pritet nga Presidentja Osmani

    Kryekuvendari shqiptar Peleshi pritet nga Presidentja Osmani

    Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, është pritur në takim nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Takimi i tyre po zhvillohet në objektin e Presidencës, në kuadër të vizitës zyrtare që Peleshi po realizon sot në Kosovë.

    Pas këtij takimi, ai pritet të takohet edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa më herët ka përfunduar takimin edhe me Kryetaren e Kuvendit Albulena Haxhiun.

  • Dëshmitari nga stafi i ZPS-së: S’kam njohuri për çështjen në fjalë, por kam qasje në të gjitha dokumentet

    Dëshmitari nga stafi i ZPS-së: S’kam njohuri për çështjen në fjalë, por kam qasje në të gjitha dokumentet

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka vazhduar të dëgjohet dëshmitari i parë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë, e i cili dëshmitarë dëshminë e kishte filluar në masa mbrojtëse më 27 shkurt

    Meqenëse Prokuroria ka përfunduar me marrjen në pyetje të këtij dëshmitari, me kundërpyetje po vazhdon mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokatja Sophie Menegon.

    Ky dëshmitar është staf i Prokurorisë, dhe u pyet nga avokatja se sa ka njohuri për këtë çështje gjyqësore.

    Ai mohoi se ka lexuar dosjen e Prokurorisë dhe atë të mbrojtjes në këtë çështje gjyqësore. Mirëpo, tha se ka qasje në të gjitha dokumentet e kësaj çështjeje e po ashtu edhe ato të çështjes së Thaçit për krime lufte.

    Pas kësaj, u kalua në seancë private për publikun me kërkesën e avokates Menegon.

    Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

    Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse.

    Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

  • Muharremi: Kosova rrezikon të hyjë në krizë të re institucionale pa konsensus për Presidentin

    Muharremi: Kosova rrezikon të hyjë në krizë të re institucionale pa konsensus për Presidentin

    Analisti politik Shenoll Muharremi ka vlerësuar se vendi rrezikon të hyjë në një tjetër cikël krize institucionale, nëse nuk arrihet marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit brenda afatit kushtetues të 4-5 marsit.

    Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) po manifeston vazhdimisht një model qeverisjeje të mbështetur në institucione me ushtrues detyre, duke normalizuar krizën si pjesë të zakonshme të funksionimit institucional.

    “Një qeverisje me deficit legjitimiteti demokratik, formalisht legale, por politikisht e brishtë”, ka theksuar Muharremi.

    Ai ka shtuar se nuk po shihet urgjencë reale për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa bisedimet mes partive politike i ka cilësuar sipërfaqësore dhe pothuajse të kolapsuara. Sipas tij, takimet mes LVV-së dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk pritet të vazhdojnë, ndërsa edhe takimi i fundit mes LVV-së dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vështirë se do të prodhojë marrëveshje.

    Muharremi paralajmëron se një skenar i mundshëm është që Presidentja ta përfundojë mandatin dhe vendi të kalojë në ushtrues detyre – një situatë që, sipas tij, është parë edhe më herët në Kosovë.

    “Nëse do të kishte vullnet real nga Albin Kurti dhe LVV për konsensus, marrëveshja do të ishte e arritshme. Kjo nuk është matematikë e komplikuar, por kërkon vullnet dhe vendosmëri”, ka deklaruar ai.

    Duke iu referuar formulës së propozuar në takimet e fundit – që secila parti të propozojë nga një kandidat – Muharremi ka vlerësuar se kjo dëshmon mungesë pajtimi, gjë që pamundëson sigurimin e shumicës së nevojshme.

    “Pa pajtim nuk ka shumicë. E pa shumicë, nuk ka president në afat”, është shprehur ai.

    Sipas analistit, situata aktuale mund të shihet si realizim gradual i një ideje të kahmotshme të LVV-së për kontroll të plotë institucional, duke theksuar se shumicën parlamentare dhe qeverinë tashmë i kontrollon kjo parti, ndërsa Presidenca shihet si hallka e fundit.

    “Nëse jo me konsensus, atëherë me zgjatje teknike, me ushtrues detyre, me mandate legale por me deficit legjitimiteti”, ka thënë Muharremi.

    Ai ka bërë krahasim me situatat në komunat e veriut, ku kryetarë shqiptarë kanë ushtruar mandat në komuna me shumicë serbe me pjesëmarrje shumë të ulët në zgjedhje, si dhe me funksionimin e institucioneve qendrore gjatë vitit 2025.

    Në fund, Muharremi ka theksuar se problemi është thelbësisht politik dhe demokratik, duke shtuar se demokracia nuk është vetëm ligjshmëri formale, por kërkon legjitimitet, përfaqësim dhe marrëveshje mes aktorëve kryesorë politikë.

    “Barën kryesore për këtë situatë e mban LVV dhe Kurti. Ata e kanë privilegjin e shumicës, por bashkë me të edhe përgjegjësinë për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme dhe kredibile”, ka deklaruar ai.

    Sipas Muharremit, ajo që mund të pasojë është krijimi i institucioneve formalisht të rregullta, por politikisht të brishta – një “kuazi-legjitimitet” që, në planin afatgjatë, rrezikon stabilitetin demokratik të vendit.

  • Situata në Lindjen e Mesme, aulohen mbi 3400 fluturime – rreth 300 mijë udhëtarë të bllokuar

    Situata në Lindjen e Mesme, aulohen mbi 3400 fluturime – rreth 300 mijë udhëtarë të bllokuar

    Mbi 3,400 fluturime janë anuluar ndërsa hapësirat ajrore të vendeve të Gjirit mbeten të mbyllura, raporton Al Jazeera.

    Rreth 300,000 persona aktualisht janë të bllokuar në të gjithë rajonin e Gjirit, ndërsa raportohet se Mbretëria e Bashkuar po dërgon ekipe për të ndihmuar me evakuimet. Sipas të dhënave të gjurmimit të fluturimeve, më shumë se 3,400 fluturime janë anuluar në ditët e para të konfliktit.

    Aeroportet kryesore rajonale – përfshirë Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait, Sharjah, Abu Dhabi dhe Aeroportin Ndërkombëtar Hamad në Doha – kanë pezulluar operacionet. Në total, gjashtë ose shtatë aeroporte të mëdha në rajon janë mbyllur.

    Hapësira ajrore mbi një pjesë të madhe të rajonit mbetet e mbyllur. Kjo ka pasur një efekt të madh zinxhir në udhëtimet ajrore globale, pasi qendrat ajrore të Lindjes së Mesme shërbejnë si pika kyçe lidhëse midis Evropës, Azisë, Afrikës dhe më gjerë. Kur këto qendra mbyllen, ndërprerjet përhapen në mbarë botën si një efekt domino.

    Rrjetet sociale janë mbushur me postime nga pasagjerë të bllokuar në Aeroportin Ndërkombëtar Hamad, Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait dhe Abu Dhabi. Udhëtarët raportojnë radhë të gjata për të riplanifikuar fluturimet, për të siguruar kupona hoteli apo për të marrë asistencë, ndërsa shumë prej tyre po flenë brenda terminaleve.

  • E dënuar me 10 vjet burgim për drogë në Gjermani, 19 vjeçarja arrestohet në Tiranë

    E dënuar me 10 vjet burgim për drogë në Gjermani, 19 vjeçarja arrestohet në Tiranë

    19 vjeçarja Maryam Assaf, është arrestuar në Tiranë nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale.

    Lajmi u bë i ditur nga Policia e Shtetit përmes një njoftim.

    Aksioni i koduar “Operacionalja” është realizuar në bashkëpunim me policinë gjermane.

    Assaf, ishte e kërkuar ndërkombëtarisht, pasi në qershor të 2025-tës, Gjykata e Hanoverit e ka dënuar me 10 vjet burgim për drogë, transmeton Klankosova.tv.

    Derisa pas përfundimit të procedurave, do të bëhet edhe ekstradimi i saj.

  • Gjykata e Strasburgut për herë të parë regjistron padinë për pasivizim të adresave në Luginë të Preshevës

    Gjykata e Strasburgut për herë të parë regjistron padinë për pasivizim të adresave në Luginë të Preshevës

    Gjykata e Strasburgut ka regjistruar për herë të parë padinë kundër Serbisë, lidhur me pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës.

    Kështu ka bërë të ditur avokati Drini Grazhdani, i cili ka thënë se padia është dorëzuar për shkeljet e të drejtave të njeriut që kanë ndodhur ndaj Teuta Fazliut. Ai ka thënë se kjo është një fitore fillestare, për çka u zotua se do të jetë i përkushtuar që të përfundojë me fitore të plotë.

    Në njoftimin e tij në rrjetin social Facebook ka thënë se pasivizimi po i detyron shqiptarët të largohen, pasi qytetarët humbasin të drejtën për të marrë letërnjoftimin, pasaportën e re, të drejtën e pensionit, sigurimin shëndetësor e të drejta të tjera.

    “Regjistrimi i padisë dhe pajisja me numër aplikimi nga Gjykata e Strasburgut është një hap procedural shumë i rëndësishëm, duke marrë parasysh se kjo Gjykatë refuzon mbi 90% të rasteve që në fazën fillestare. Qëllimi im kryesor është që përmes këtij rasti, Gjykata të zbatojë procedurën e vendimit pilot (rregulla 61). Kjo do të thotë që vendimi të mos mbetet vetëm për Teutën, por të detyrojë Serbinë të ndalojë këtë praktikë sistematike për të gjithë dhe të aplikohet në të gjitha rastet e ngjashme”, ka shkruar ai.

    Ai përmes këtij postimi u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve në Luginë të Preshevës që të ndjekin procedurat e brendshme ligjore.