ATV

Category: Lajme

  • Albulena Haxhiu konfirmon seancën solemne më 5 mars për nder të Epopesë së UÇK-së

    Albulena Haxhiu konfirmon seancën solemne më 5 mars për nder të Epopesë së UÇK-së

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë, në një konferencë për media ka konfirmuar se seanca solemne për nder të Epopesë së UÇK-së do të mbahet më 5 mars, duke filluar nga ora 10:00.

    Ajo bëri të ditur se në këtë seancë, përveç krerëve të shtetit, do të kenë fjalën edhe shefat e grupeve parlamentare.

    Haxhiu theksoi se gjatë mbledhjes së Kryesisë është diskutuar edhe për zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit. Megjithatë, sipas saj, anëtarët e Kryesisë kanë kërkuar më shumë informacione lidhur me këtë çështje, para se të procedohet më tej.

    Seanca e 5 marsit organizohet në kuadër të shënimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

  • Dëshmitari tregon pse Remit s’iu vendosën masa mbrojtëse në gjykimin ndaj Thaçit e tjerëve për krime lufte

    Dëshmitari tregon pse Remit s’iu vendosën masa mbrojtëse në gjykimin ndaj Thaçit e tjerëve për krime lufte

    Pjesëtari i Prokurorisë i cili po dëshmon të hënën në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë, tregoi se pse Rrustem Mustafës i njohur si Remi nuk iu ishin vendosur masa mbrojtëse si dëshmitar në çështjen ndaj Hashim Thaçit për krime lufte.

    Dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin 7, ka thënë se Mustafa kishte dëshmuar më parë në mënyrë të hapur dhe se ishte person i njohur në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Sot më herët në mëngjes shpjegova se si prokurori vendos lidhur me masat mbrojtëse; nëse personi është publik dhe i njohur, nëse personi ka dhënë dëshmi më parë në seanca publike dhe në mënyrë të hapur në gjykata ndërkombëtare apo vendore. Pra, për zotin Mustafa– ai ka dëshmuar më parë në mënyrë të hapur dhe është person shumë i njohur dhe figurë shumë e njohur në Kosovë”, tha ai.

    Në këtë seancë, nga avokatja Sophie Menegon tha se Rrustem Mustafa ka dhënë dëshmi në korrik të 2023-ës në çështjen për krime lufte.

    Në këtë rast, Menegon shpalosi një dokument i cili tregonte se në vitin 2018, Arianit Koci, në cilësinë e avokatit të Rrustem Mustafës kishte njoftuar se klienti i tij do të intervistohej nga Prokuroria në janar të 2019-ës.

    Ndonëse pati kundërshtime nga Prokuroria lidhur me relevancën, dokumenti u pranua në prova materiale pas kërkesës së avokates Menegon.

    Më pas, u shpalosën edhe dokumente, në të cilat Remi vetë kishte treguar se ai ishte intervistuar në cilësinë e dëshmitarit të dyshuar e po ashtu më pas, një intervistë e tij e mëvonshme ku tregonte detaje lidhur me dëshminë e tij. Të gjitha këto, u pranuan në prova materiale me kërkesën e avokates Menegon.

  • Trump komenton vrasjen e Khameneit: E eleminova përpara se ai ta bënte me mua

    Trump komenton vrasjen e Khameneit: E eleminova përpara se ai ta bënte me mua

    Në një intervistë për mediat amerikane, presidenti i SHBA, Donald Trump, komentoi vrasjen e Liderit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, duke thënë:

    “Unë e godita atë përpara se ai të më sulmonte mua. Ata u përpoqën dy herë. Por unë e godita atë i pari.”

    Trump dukej se i referohej një numri përpjekjesh që raportet tregojnë se ishin kryer nga inteligjenca iraniane për ta shënjestruar atë, përpjekja e fundit e të cilës ndodhi gjatë fushatës së tij zgjedhore të vitit 2024.

    Kur u pyet se kë shihte si kandidat për të udhëhequr Iranin pas vdekjes së Khameneit, ai deklaroi:

    “Asnjë nga njerëzit për të cilët po mendonim nuk do të jetë atje sepse të gjithë vdiqën. Kandidati i vendit të dytë ose i tretë është gjithashtu i vdekur.”

    Më parë, Trump kishte deklaruar se operacionet ushtarake kundër Iranit “do të vazhdojnë derisa të arrihen të gjitha objektivat.”

    Ai shtoi:

    “Ne goditëm qindra objektiva, duke përfshirë objekte që i përkisnin Gardës Revolucionare, sisteme të mbrojtjes ajrore, 9 anije, përveç një baze detare. I bëj thirrje Gardës Revolucionare, ushtrisë iraniane dhe policisë që të ulin armët për të fituar imunitet ose të përballen me vdekje të sigurt.”

    Presidenti amerikan gjithashtu konfirmoi vrasjen e 3 ushtarëve amerikanë në operacionet kundër Iranit, duke shtuar: “Ka të ngjarë që të ketë më shumë viktima midis amerikanëve.”

    Ai i bëri thirrje iranianëve të “shfrytëzojnë këtë moment dhe të rimarrin vendin e tyre”, duke theksuar: “Shtetet e Bashkuara janë me ju.”

  • Kurti e pret në takim kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë

    Kurti e pret në takim kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshin i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

    Peleshi fillimisht u takua me homologen e tij, kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiun, dhe më pas edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

  • Mblidhet Kryesia e Kuvendit

    Mblidhet Kryesia e Kuvendit

    Ka filluar Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

    Në rend dite është shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave.

  • Katari ndërpret marrëdhëniet me Iranin pas sulmeve

    Katari ndërpret marrëdhëniet me Iranin pas sulmeve

    Ministria e Jashtme e Katarit tha se nuk po bashkëpunon më me qeverinë iraniane.

    Një zëdhënës tha për CNN se Irani kishte shënjestruar infrastrukturën civile të vendit, përfshirë aeroportin e tij ndërkombëtar, dhe se aeroplanët luftarakë të Katarit kishin rrëzuar dronë dhe predha të tjera.

    “Një sulm si ky nuk mund të lihet pa hakmarrje”, deklaroi ai.

    “Irani duhet të paguajë një çmim për këtë sulm të hapur ndaj popullit tonë”, shtoi zëdhënësi.

    Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit kishte deklaruar se vendi rezervon të drejtën e plotë për t’u përgjigjur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe në një mënyrë proporcionale me agresionin, në mbrojtje të sigurisë dhe interesave të tij kombëtare.

    Ministria gjithashtu riafirmoi angazhimin e Katarit për dialog me Iranin dhe bëri thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo veprimi përshkallëzues.

    Ajo shprehu solidaritet me Kuvajtin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordaninë dhe Bahreinin, duke dënuar shkeljet e sovranitetit të tyre dhe duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së stabilitetit rajonal.

  • Ambasada e Kosovës: Arabia Saudite kërkon lista për viza emergjente për shtetasit e huaj

    Ambasada e Kosovës: Arabia Saudite kërkon lista për viza emergjente për shtetasit e huaj

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Riad ka njoftuar se Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite ka bërë të ditur një masë të re për të lehtësuar hyrjen e shtetasve të huaj në territorin e Mbretërisë, me qëllim largimin e tyre drejt vendeve të origjinës.

    Sipas njoftimit, autoritetet saudite presin nga shtetet përkatëse që të dorëzojnë një listë me emrat e qytetarëve, të dhënat e pasaportave dhe destinacionet e udhëtimit të tyre, përfshirë vendin nga vijnë – si Kuvajti, Bahreini, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Omani.

    Kjo procedurë synon që shtetasit në fjalë të pajisen me viza saudite për hyrje emergjente, në mënyrë që të mundësohet tranziti dhe kthimi i tyre në vendet përkatëse.

    Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve që ndodhen në këto vende dhe kanë nevojë për asistencë, të kontaktojnë përfaqësinë diplomatike për procedura të mëtejshme.

  • Pak para takimit Kurti-Abdixhiku, zyrtari i LDK-së kërkon zgjedhje: S’ka marrëveshje me të

    Pak para takimit Kurti-Abdixhiku, zyrtari i LDK-së kërkon zgjedhje: S’ka marrëveshje me të

    As brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk presin shumë nga takimi i planifikuar mes liderit të saj Lumir Abdixhikut me Albin Kurtin, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Ky pesimizëm nënkuptohet kur lexon deklaratën e sotme të Bajram Gecajt, këshilltarit politik të Përparim Ramës dhe anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

    Ish-zëvendësministri dhe dikur këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa tha sot se çdo përpjekje për dialog politik me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje është e dështuar.

    “Mashtrohen rëndë ata që besojnë se ‘ujku e ka ndërruar zanatin.’ Arroganca e numrave, e shfaqur hapur edhe kur LVV kishte 42%, nuk ka pushuar as sot, vetëm se disa ende refuzojnë ta lexojnë realitetin”, shkroi Gecaj në një postim në Facebook të hënën.

    “Populli thotë, ‘çka ka shpija, kallëzon fëmija,’ dhe këtë e dëshmon më së miri arroganca e zhveshur nga çdo maskë e Mefail Bajqinovcit, kur deklaron se “PDK duhet të tregojë nëse me 22 deputetë i ka këto 30 nënshkrime.’ Mesazhi është i qartë dhe alarmues. Ejani, përkuluni te baba dhe vetëm atëherë mund të flasim për zgjedhjen e presidentit”.

    Sipas Gecajt, edhe nëse presidenti nuk vjen nga radhët e Vetëvendosjes, Kurti do të pranojë vetëm një figurë “të kontrollueshme, të nënshtrueshme, një president dekorativ”.

    Në përfundim, Gecaj theksoi se s zgjedhjet e jashtëzakonshme janë alternativë e vetme.

  • Katari paralajmëron se “duhet të paguhet një çmim” për sulmet iraniane

    Katari paralajmëron se “duhet të paguhet një çmim” për sulmet iraniane

    Katari “rezervon të drejtën për t’u hakmarrë” kundër Iranit pas “sulmit të tij flagrant” ndaj popullit të Katarit, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme Majid al-Ansari, duke shtuar se sulmet iraniane “nuk mund të mbeten pa përgjigje” dhe se “duhet të paguhet një çmim”.

    Doha nuk është në kontakt me qeverinë e Iranit, pasi ajo përqendrohet në mbrojtjen e vendit dhe në mbrojtjen e infrastrukturës kyçe, tha al-Ansari të hënën për Becky Anderson të CNN.

    “Për momentin, nuk po bashkëpunojmë me qeverinë. Siç mund ta imagjinoni, jemi të zënë duke mbrojtur vendin tonë”, tha ai.

    Ai shtoi se Katari është përballur me “më shumë se 100 raketa dhe dhjetëra dronë” dhe tha se sulmet “kishin në shënjestër edhe infrastrukturën civile dhe tregtare”.

    I pyetur në lidhje me rrezikun për objektet energjetike të Gjirit, pasi Arabia Saudite kapi dronë pranë një rafinerie nafte, al-Ansari tha se Katari ishte “thellësisht i shqetësuar” nga sulmet ndaj objektivave jo-ushtarake në të gjithë rajonin.

    Ai tha se ushtria e Katarit ka marrë masa paraprake për të mbrojtur objektet ekonomike në tokë dhe në det të hapur, ndërsa udhëheqësit e Gjirit koordinohen ngushtë me njëri-tjetrin dhe me Shtetet e Bashkuara.

    Katari është një nga eksportuesit më të mëdhenj të gazit në botë.

  • Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve: Situata në Lindjen e Mesme po i rritë çmimet e naftës, kështu janë aktualisht

    Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve: Situata në Lindjen e Mesme po i rritë çmimet e naftës, kështu janë aktualisht

    Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani tha se “situata gjeopolitike në Lindjen e Mesme po ndikon drejtpërdrejt tregjet e naftës”.

    Ai tha se zhvillimet e fundit atje po i rrisin çmimet e naftës edhe në Kosovë.

    “Njoftim mbi zhvillimet në sektorin e naftes: Situata gjeopolitike në Lindjen e Mesme po ndikon drejtpërdrejt tregjet e naftës. Rritja e tensioneve dhe rreziku për ndërprerje në prodhim apo transport po shtojnë pasigurinë në furnizimin global, duke shtyrë çmimet e naftës më lart. Vëmendja është veçanërisht te Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të kalimit të naftës në botë. Çdo problem në atë korridor reflektohet menjëherë në tregje dhe zakonisht përkthehet në kosto më të larta të karburantit për konsumatorët”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    Në fund të postimit, Berjani tregoi edhe çmimet aktuale në vend.

    “Qmimet aktuale në kosovë janë – Diesel : 1.18€ deri 1.25 € Benzin : 1.17 € deri 1.24€”.