ATV

Category: Lajme

  • Irani kërcënon se do të sulmojë çdo anije që përpiqet të kalojë nëpër Ngushticën e Hormuzit

    Irani kërcënon se do të sulmojë çdo anije që përpiqet të kalojë nëpër Ngushticën e Hormuzit

    Një komandant në Korpusin e Gardës Revolucionare (IRGC) të Iranit ka thënë se Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur dhe paralajmëroi se çdo anije që përpiqet të kalojë do të sulmohet, sipas mediave shtetërore iraniane.

    “Ngushtica është e mbyllur. Nëse dikush përpiqet të kalojë, heronjtë e Gardës Revolucionare dhe marinës së rregullt do t’i vënë flakën këtyre anijeve”, ka thënë të hënën Ebrahim Jabari, një këshilltar i lartë i komandantit të përgjithshëm të IRGC-së, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

    Teherani ka synuar infrastrukturën kritike për prodhimin e energjisë në botë si pjesë e hakmarrjes së tij për fushatën e bombardimeve izraelite dhe amerikane që filloi të shtunën dhe vrau udhëheqësin suprem iranian Ajatollah Ali Khamenei dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

    “Ne gjithashtu do të sulmojmë tubacionet e naftës dhe nuk do të lejojmë që asnjë pikë nafte të largohet nga rajoni. Çmimi i naftës do të arrijë në 200 dollarë në ditët në vijim”, tha Jabbari në një postim në kanalin Telegram të IRGC-së.

    “Amerikanët, me borxhe prej mijëra miliarda dollarësh, janë të varur nga nafta e rajonit, por ata duhet ta dinë se as një pikë nafte nuk do t’i arrijë”, u citua gjithashtu nga agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim.

    Ngushtica e Hormuzit, e cila shtrihet midis Iranit dhe Omanit, është një nga rrugët më kritike të tranzitit të naftës në botë, me afërsisht 20 përqind të furnizimeve globale të naftës që kalojnë nëpër të.

    Çdo ndërprerje atje do të rrisë më tej çmimet e naftës bruto dhe do të rrisë frikën e një përshkallëzimi rajonal.

    Çmimet e energjisë u rritën ndjeshëm më herët të hënën, pasi ndërprerjet në trafikun e cisternave përmes ngushticës dhe dëmtimi i objekteve të prodhimit ngritën pasiguri se si sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit do të ndikonin në furnizimin e ekonomisë botërore.

    Goditja më e madhe ishte për çmimet e gazit natyror, të cilat u rritën me pothuajse 50 përqind në Evropë dhe gati 40 përqind në Azi, pasi QatarEnergy, një furnizues i madh, ndaloi prodhimin e gazit natyror të lëngshëm pasi objektet e saj të LNG-së u sulmuan.

    Më herët, rafineria e naftës Ras Tanura e Arabisë Saudite u sulmua gjithashtu nga dronë dhe mbrojtja e saj rrëzoi fluturaket që po vinin, tha një zëdhënës ushtarak për Agjencinë Shtetërore të Shtypit Saudite.

    Rafineria ka një kapacitet prej më shumë se gjysmë milioni fuçi naftë bruto në ditë.

    Në përgjigje, SHBA-të thanë se do të ndërmarrin veprime për të zbutur rritjen e çmimeve të energjisë për shkak të luftës me Iranin, sipas Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio.

  • Shkon në gjashtë numri i ushtarëve amerikanë të vrarë gjatë operacionit në Iran

    Shkon në gjashtë numri i ushtarëve amerikanë të vrarë gjatë operacionit në Iran

    Ushtria amerikane kanë bërë të ditur se numri i ushtarëve amerikanë të vrarë përgjatë operacionit kundër Iranit ka shkuar në gjashtë.

    Komanda Qendrore e SHBA’së me anë të një deklarate të lëshuar në rrjete sociale ka bërë të ditur se forcat amerikane gjetën trupat e dy ushtarëve të zhdukur më herët, gjatë sulmeve fillestare në Iran.

    “Që nga ora 16:00 sipas kohës lindore, më 2 mars, gjashtë ushtarë amerikanë janë vrarë në aksion. Forcat amerikane kohët e fundit kanë gjetur trupat e dy ushtarëve të zhdukur më parë nga një strukturë që u godit gjatë sulmeve fillestare të Iranit në rajon”, thuhet në njoftim.

    “Operacionet e mëdha luftarake vazhdojnë. Identitetet e të rënëve mbahen të fshehta deri në 24 orë pas njoftimit të të afërmve”, përmbyllet njoftimi.

  • Policia ndalon tre persona, tentuan të hynin ilegalisht nga Maqedonia e Veriut

    Policia ndalon tre persona, tentuan të hynin ilegalisht nga Maqedonia e Veriut

    Tre persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës, pasi të njëjtit kishin tentuar ta kalonin ilegalisht kufirin në Han të Elezit.

    Sipas policisë, dy nga të ndaluarit janë shtetas të Maqedonisë së Veriut, ndërsa tjetri është kosovar.

    “Policia gjatë patrullimit ka ndaluar tre të dyshuar meshkuj dy prej tyre shtetas të Maqedonisë Veri ndërsa tjetri kosovar, të cilët kanë kaluar ilegalisht kufirin Maqedoni V. -R. Kosovës”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

    Të njëjtit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt hetimore.

  • Vetëm 30 minuta zgjat mbledhja e Kryesisë së PS-së, zbardhet porosia e Ramës

    Vetëm 30 minuta zgjat mbledhja e Kryesisë së PS-së, zbardhet porosia e Ramës

    Përfundon mbledhja e kryesisë së Partia Socialiste, e cila zgjati vetëm 30 minuta. Kryeministri Edi Rama u largua duke bashkë-biseduar me kryetarin e Bashkisë së Shkodër, Benet Beci.

    Gjatë mbledhjes është diskutuar për komunikimin me strukturat e partisë. Rama ka kërkuar që të dalin në terren dhe të takohen me qytetarët, raporton euronews.al.

    Një ditë më parë, Rama i dorëzoi Kreut të Shtetit, Bajram Begaj, propozimet për ndryshimet e fundit në qeveri gjatë takimit në Pallatin e Brigadave.

    E pranishme në mbledhjen e kryesisë ka qenë dhe ish-zv/Kryeministrja Belinda Balluku e cila përveç se është anëtare e kryesisë, është dhe drejtuese politike e qarkut të Fierit.

    Nga ana tjetër sipas burimeve bëhet me dije se në këtë mbledhje kryesie ende nuk është njoftuar data e Asamblesë Kombëtare.

  • Përleshja me Mossin, Burim Pacolli jep detaje: “Bërtiste ‘nxirre hekrin’, por s’u afrua një me një”

    Përleshja me Mossin, Burim Pacolli jep detaje: “Bërtiste ‘nxirre hekrin’, por s’u afrua një me një”

    Gazetari Burim Pacolli ka dhënë detaje lidhur me përleshjen fizike me reperin Moss, duke reaguar ndaj deklaratave të këtij të fundit se konflikti lidhej me kritikat për mungesën në një podkast.

    Në një postim publik, Pacolli ka mohuar që arsyeja e përplasjes të ketë qenë fakti që reperi nuk kishte marrë pjesë në emisionin e tij, duke theksuar se ka ftuar shumë persona që nuk kanë pranuar të jenë pjesë e podkastit.

    Sipas tij, situata ka eskaluar deri në përplasje fizike, ndërsa ka përshkruar se në një moment kanë mbetur vetëm ai dhe Moss Ceklla. “Me ni moment kemi mbete veç une Mossi, bertitke ‘nxirre hekrin’, ama s’u afrojke derisa iu bashkune dostat prape”, ka shkruar Pacolli, duke shtuar se nuk ka aftësi luftarake, por se përballja nuk ka qenë e barabartë.

    Ai ka pretenduar gjithashtu se një person me tablet ka qenë duke incizuar ngjarjen, duke aluduar se pamjet mund të përdoren për qëllime promovuese. “Mos u habitni nese e perdore per spot najkun”, ka deklaruar gazetari.

    Në reagimin e tij, Pacolli ka përdorur tone të ashpra ndaj reperit, duke e cilësuar si “analfabet funksional” dhe duke thënë se diskutimi konstruktiv me të është i pamundur. Ai ka sqaruar edhe deklaratën e tij “nuk t’marr seriozisht”, duke theksuar se ajo nuk lidhet me profesionin e tij si gazetar.

  • Tërmet në Iran

    Tërmet në Iran

    Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) bëri të ditur se një tërmet me magnitudë 4.3 goditi zonën e Gerashit në jug të Iranit.

    Tërmeti u regjistrua në një thellësi prej rreth 10 kilometrash.

    Autoritetet iraniane nuk kanë raportuar për ndonjë të lënduar apo dëme materiale.

  • Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi me njoftim të ri për kosovarët e bllokuar në Emirate

    Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi me njoftim të ri për kosovarët e bllokuar në Emirate

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi ka njoftuar se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe institucionet në Kosovë për të shqyrtuar mundësinë e evakuimit të qytetarëve kosovarë, në rast të vazhdimit të bllokadës së hapësirës ajrore.

    Ambasada u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që ndodhen në territorin e Emirateve – si vizitorë të bllokuar ashtu edhe rezidentë – që të paraqiten pranë përfaqësisë diplomatike nëse nuk e kanë bërë tashmë këtë.

    “Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës – vizitorë të bllokuar dhe rezidentë – se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e vendit pritës, me institucionet shtetërore në Kosovë, si dhe me Ambasadën tonë në Riad, për të shqyrtuar mundësinë më të shpejtë dhe më të sigurt në rastin e evakuimit të qytetarëve tanë”, thuhet në njoftimin e saj në Facebook.

    Qytetarët që ndodhen në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nuk janë regjistruar ende, janë ftuar të kontaktojnë Ambasadën përmes emailit [email protected] ose në numrin e telefonit/WhatsApp +971 54 709 2109, duke dërguar të dhënat personale sipas dokumentit të udhëtimit dhe qytetin ku ndodhen.

    Sipas Ambasadës, regjistrimi është i domosdoshëm për procedimin e kërkesave në rast të evakuimit, përfshirë pajisjen me leje kalimi urgjente në kufirin e Arabisë Saudite.

    “Kjo është e domosdoshme në mënyrë që kërkesat tuaja në rastin e evakuimit të mund të procedohen për pajisje me leje kalimi urgjente në kufirin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, procedurë e cila realizohet nga Ambasada jonë në Abu Dhabi për të gjithë qytetarët tanë që gjenden në Emirate, në koordinim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Riad – Arabi Saudite”, theksohet më tej.

    Ambasada ka bërë të ditur se, në rast të krijimit të kushteve për evakuim emergjent të organizuar, në koordinim me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, institucionet e Kosovës dhe autoritetet saudite, qytetarët do të njoftohen menjëherë për fluturimet e mundshme nga aeroportet si Jeddah ose Riyadh.

  • Thirrjet serbe për sulm nga Irani, KFOR: S’ka ndryshime në mision

    Thirrjet serbe për sulm nga Irani, KFOR: S’ka ndryshime në mision

    Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka bërë të ditur se forca e saj rishikohet dhe përshtatet periodikisht, në përputhje me zhvillimet në terren, në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e mandatit. Aktualisht, sipas KFOR-it, nuk ka ndryshime të rëndësishme në këtë forcë.

    KFOR-i është përgjigjur KOHËS lidhur me thirrjet në rrjete sociale nga qytetarë të Serbisë, të cilët i kanë bërë thirrje Iranit që, krahas sulmeve ndaj bazave amerikane në Lindjen e Mesme, të godasë edhe bazën amerikane në Kosovë.

    “Forca dhe qëndrimi i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten periodikisht, derisa rrethanat evoluojnë, në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij. Aktualisht, nuk ka ndryshime të rëndësishme në shqyrtim”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

    Në postime të publikuara në platformën “X”, disa përdorues pretendohet se kanë shpërndarë koordinatat e kampit ushtarak amerikan Bondsteel, me mesazhe si: “Ja një bazë tjetër amerikane! Faleminderit paraprakisht”.

    Në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës kanë deklaruar se nuk kanë pranuar ndonjë informacion zyrtar lidhur me këto thirrje.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të luajnë rol kyç në kuadër të misionit të udhëhequr nga NATO, me rreth 600 trupa të dislokuara në Kosovë. Më së shumti trupa ka Italia, me mbi 900 sosh.

    Ndonëse nuk ka qëndrim zyrtar për ndonjë implikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të Kosovës në përplasjet e fundit ushtarake në Lindjen e Mesme, të shtunën mbrëma është mbledhur Këshilli i Sigurisë i Kosovës. Sipas një komunikate të Qeverisë, në mbledhje janë diskutuar zhvillimet e fundit në rajonin e Lindjes së Mesme dhe është theksuar se institucionet e Kosovës po i përcjellin me vëmendje situatat, duke qëndruar të palëkundura përkrah miqve dhe aleatëve strategjikë, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

  • Ministri kroat i mbrojtjes kërkon përgatitje për mbrojtjen e kufijve të vendit të tij – përmend armatosjen e Serbisë

    Ministri kroat i mbrojtjes kërkon përgatitje për mbrojtjen e kufijve të vendit të tij – përmend armatosjen e Serbisë

    Retorika e vendeve që kufizohen me Kroacinë, të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian ose të NATO-s dhe as nuk duan të jenë, është “shqetësuese”.

    Kështu, siç raportojnë mediat kroate, ka thënë në Zagreb, ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, duke e vënë theksin në Serbinë, e cila tha se tani ka “sisteme ofensive” serioze.

    “Retorika e vazhdueshme nga këto vende është shqetësuese. Sipas informacionit që kemi, Serbia aktualisht ka sisteme sulmuese serioze që janë jashtëzakonisht komplekse, të shtrenjta dhe kanë qenë në proces blerjeje për katër, pesë ose gjashtë vjet”, citohet të ketë thënë Anushiq në një konferencë mbi industrinë evropiane të mbrojtjes në Zagreb.

    Siç kujtojnë mediat kroate, të vetmet dy vende që kufizohen me Kroacinë, të cilat nuk janë anëtare të BE-së ose NATO-s, janë Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

    Sipas tyre, Beogradi zyrtar ende synon të vazhdojë blerjen e armëve “të cilat mund të jenë jashtëzakonisht të rrezikshme nëse përdoren”, shtoi Anushiq në konferencën “Një epokë e re e sigurisë evropiane: Strategjia, investimet e përbashkëta dhe industria” të organizuar nga Zyra e Parlamentit Evropian në Kroaci, raporton Telegrafi.

    Po sipas mediave kroate, Serbia po rikthen rekrutimin ushtarak, njoftoi presidenti Aleksandar Vuçiq në fund të janarit, duke thënë se ishte i shqetësuar për formimin e supozuar të aleancave ushtarake kundër Serbisë, me sa duket duke aluduar në bashkëpunimin ushtarak midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

    Ai shtoi se kapacitetet mbrojtëse të forcave ajrore dhe mbrojtjes ajrore janë rritur “në mënyrë drastike dhe dramatike”.

    Anushiq pranoi se “nuk e di se cilat motive fshihen pas këtij procesi të armatosjes së Serbisë” dhe se nuk dëshiron të spekulojë, por se sipas tij, “çështja e mbrojtjes nuk duhet të shihet si diçka që nuk është e nevojshme sepse mund të mbështetemi në mbrojtjen e një vendi të tretë”.

    “Ne duhet të përgatitemi për të mbrojtur kufijtë tanë, hapësirën tonë të jetesës dhe njerëzit tanë”.

    Po kështu, sipas mediumit kroate, Evropa duhet të ndryshojë urgjentisht mënyrën se si funksionon kur bëhet fjalë për mbrojtjen dhe sigurinë, sepse deri më tani ka investuar në infrastrukturën civile, zhvillimin e shoqërisë civile, bujqësinë dhe ekonominë, ose gjithçka që nuk lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen, beson Anushiq.

    Sipas tij, gjithashtu, Evropa duhet ta trajtojë çështjen e mbrojtjes, dhe veçanërisht mbrojtjen e kufijve të saj lindorë, si një e tërë e unifikuar, duke shtuar se është tepër vonë për ta bërë këtë.

    “(Të gjitha vendet në kufijtë lindorë të) BE-së ose NATO-s duhet të kenë trajtim të veçantë në financimin e armëve dhe pajisjeve, sepse ato mund të jenë vendet e radhës që do të synohen dhe ndoshta do të testohen (për të parë) se sa e gatshme është NATO për të mbrojtur kufijtë e saj”, ka thënë më tej Anushiq.

    Ai shpjegoi se po i referohej kryesisht vendeve baltike, Finlandës dhe Rumanisë, por edhe Kroacisë, e cila kufizohet me vendet në juglindje që nuk janë në NATO dhe as nuk duan të jenë.

    Ai pranoi se fjalimi i tij mund të duket “shumë i errët”, por argumentoi se nëse diskutimet do të ishin bërë kështu në vitin 2014, kur u shfaqën shenjat e para të problemeve të sotme, përkatësisht aneksimi rus i Krimesë, “nuk do të kishim pasur as një përqind të këtyre shqetësimeve që kemi sot”.

  • Shenja në qafë të Trumpit trondit rrjetin, reagon Shtëpia e Bardhë

    Shenja në qafë të Trumpit trondit rrjetin, reagon Shtëpia e Bardhë

    Fotografitë e presidentit amerikan Donald Trump të publikuara të hënën gjatë një ceremonie zyrtare kanë shkaktuar reagime të shumta në mediat ndërkombëtare dhe rrjetet sociale, pas shfaqjes së një njolle të dukshme të kuqe në anën e djathtë të qafës së tij.

    Një seri imazhesh nga ceremonia e dorëzimit të Medaljes së Nderit ka tërhequr vëmendjen e vëzhguesve kur në qafën e Trump-it u vu re një njollë e dukshme, që disa komentues në internet e kanë komentuar me spekulime të ndryshme, shkruan Index.hr

    Në një deklaratë për media, mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Sean Barbabella, ka thënë se kjo ndryshim në lëkurë nuk paraqet shqetësim të rëndësishëm, por është rezultat i përdorimit të një kremi të zakonshëm të rekomanduar për kujdesin e lëkurës, i cili po përdoret si trajtim parandalues. Sipas zyrtarëve, “crvenilo pritet të zgjasë disa javë” si pjesë e këtij trajtimi.

    Ndërkohë, ndërkohë që zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë përpiqen të qetësojnë shqetësimet, spekulimet në rrjetet sociale kanë përfshirë teori të ndryshme për natyrën e njollës, nga reaksione të zakonshme deri tek komentet më skëterre.