ATV

Category: Lajme

  • Haxhiu takon ambasadorin Guerot, flasin për bashkëpunimin Kosovë-Francë

    Haxhiu takon ambasadorin Guerot, flasin për bashkëpunimin Kosovë-Francë

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi sot takim me Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

    Në takim u diskutua për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve tona dhe për mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

    “Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës dhe për kontributin e saj në zhvillimin demokratik dhe perspektivën evropiane të vendit tonë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

    Haxhiu sot gjithashtu ka zhvilluar takim edhe me Ambasadorin Jonathan Hargreaves dhe vajzat e përzgjedhura në kuadër të iniciativës “Ambassador for a Day”.

    “Sot mirëprita Ambasadorin, Jonathan Hargreaves, dhe vajzat e përzgjedhura në kuadër të iniciativës “Ambassador for a Day”, një program që u jep të rejave mundësinë të njihen nga afër me botën e diplomacisë dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre të lidershipit”.

    “Ishte kënaqësi të bisedoj me këto vajza të talentuara, t’u përgjigjem pyetjeve të tyre për sfidat dhe përvojat e rrugëtimit tim politik, por edhe të dëgjoj idetë dhe aspiratat e tyre për të ardhmen. Iniciativa të tilla janë të rëndësishme sepse i inkurajojnë vajzat të besojnë në potencialin e tyre dhe të shohin lidershipin si një mundësi reale për të kontribuar në shoqërinë tonë”, thuhet në njoftim.

  • Dogana konfiskon mallra që dyshohet se janë të kontrabanduara, vlera rreth 800 mijë euro

    Dogana konfiskon mallra që dyshohet se janë të kontrabanduara, vlera rreth 800 mijë euro

    Dogana e Kosovës, ka njoftuar se janë zbuluar mallra të dyshuara për kontrabandë në vlerë rreth 800 mijë euro në rajonin e Prishtinës.

    Siç njofton Dogana, sasia e mallit ka qenë e mbathjeve sportive me marka të ndryshme të mbrojtura, si dhe një sasi e veshjeve nga tekstili, si dhe malli i identifikuar dyshohet se nuk posedon dokumentacion përkatës për origjinën dhe zhdoganimin e rregullt në Kosovë.

    Njoftimi:

    Dogana e Kosovës zbulon mallra të dyshuara për kontrabandë në vlerë rreth 800 mijë euro në rajonin e Prishtinës

    Sot, më 10.03.2026, në regjionin e Prishtinës, Dogana e Kosovës, duke u bazuar në autorizimet e saj ligjore që rrjedhin nga Kodi Doganor dhe i Akcizave i Republikës së Kosovës, ka zhvilluar një operacion kontrolli në pesë lokacione, përkatësisht depo të bizneseve të ndryshme.

    Gjatë këtyre kontrolleve është gjetur një sasi e konsiderueshme e mbathjeve sportive me marka të ndryshme të mbrojtura, si dhe një sasi e veshjeve nga tekstili. Malli i identifikuar dyshohet se nuk posedon dokumentacion përkatës për origjinën dhe zhdoganimin e rregullt në Republikën e Kosovës. Vlera e përgjithshme e mallit të sekuestruar vlerësohet të jetë rreth 800,000 euro.

    Pas evidentimit të rastit është njoftuar Prokurori Kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve të mëtejme procedurale. Me autorizimin e tij, personat e dyshuar lidhur me pronësinë e mallit janë duke u intervistuar, ndërsa malli i gjetur është duke u inventarizuar dhe konfiskuar, për t’u transportuar më pas në depot e Doganës së Kosovës.

    Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut të ligjshëm në Republikën e Kosovës.

  • OBSH paralajmëron për “shiun e zi” në Teheran: Rrezik për shëndetin e popullsisë

    OBSH paralajmëron për “shiun e zi” në Teheran: Rrezik për shëndetin e popullsisë

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se fenomeni i ashtuquajtur “shi i zi” dhe prania e përbërjeve toksike në atmosferën e Iranit, pas sulmeve ndaj instalimeve të naftës, mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, veçanërisht në sistemin respirator.

    Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara, e cila ka zyra në Iran dhe bashkëpunon me autoritetet vendase për çështje emergjente shëndetësore, bëri të ditur se gjatë kësaj jave ka marrë raporte të shumta për reshje shiu të përziera me mbetje nafte.

    Të hënën, Teherani u mbulua nga re të dendura tymi të zi, pasi një rafineri nafte u bombardua, në një përshkallëzim të sulmeve ndaj rezervave energjetike të brendshme të Iranit, në kuadër të fushatës ushtarake amerikano-izraelite.

    Zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier, deklaroi gjatë një konference për shtyp në Gjenevë se fenomeni paraqet rrezik real për shëndetin publik, ka transmetuar Panorama.

    “Shiu i zi dhe shiu acid që e shoqëron përbëjnë vërtet një rrezik për popullsinë, sidomos për sistemin respirator”, tha ai, duke shtuar se autoritetet iraniane u kanë rekomanduar qytetarëve të qëndrojnë brenda në shtëpi.

    Rekomandime për mbrojtjen e qytetarëve

    I pyetur nëse OBSH mbështet këto rekomandime, Lindmeier u përgjigj se, duke pasur parasysh situatën aktuale, ato janë të arsyeshme.

    “Duke parë rreziqet që ekzistojnë tani – instalimet e naftës dhe rafineritë e goditura që kanë shkaktuar zjarre dhe shqetësime serioze për cilësinë e ajrit – është padyshim një ide e mirë që njerëzit të qëndrojnë në ambiente të mbyllura”, tha ai.

    Sipas tij, bombardimet kanë shkaktuar çlirimin masiv në atmosferë të hidrokarbureve toksike, oksideve të squfurit dhe përbërjeve azotike.

    Ekspertët paralajmërojnë se thithja e tymit ose kontakti me grimcat ndotëse mund të shkaktojë dhimbje koke, irritim të lëkurës dhe syve, si dhe vështirësi në frymëmarrje. Ndërsa ekspozimi afatgjatë ndaj disa prej këtyre substancave mund të rrisë rrezikun për zhvillimin e disa llojeve të kancerit.

  • Rrahmani: Qeveria e Kurtit në qershor do ta sjellë në Kuvend “ligjin ku lejohet ndërrimi i gjinisë”, askush në LVV s’u tërhoq nga kjo

    Rrahmani: Qeveria e Kurtit në qershor do ta sjellë në Kuvend “ligjin ku lejohet ndërrimi i gjinisë”, askush në LVV s’u tërhoq nga kjo

    Eman Rrahmani, deputet i Kuvendit të Kosovës në disa legjislatura, tha se Qeveria në fund të qershorit do ta sjellë në Kuvend “ligjin ku lejohet ndërrimi i gjinisë”.

    Ai tha se asnjë nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje “nuk është tërhequr nga kjo agjendë”.

    “Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria e Albin Kurtit kanë njoftuar se ligjin ku lejohet ndërrimi i gjinisë do ta sjellin në Kuvend për votim më datë 30.06.2026. Në zgjedhjet e fundit kam parë shumë kandidatë për deputet në listën e Lëvizjes Vetëvendosje duke deklaruar në fushatë që Albin Kurti nuk e bjen ligjin për me ndërru gjininë, ligjin për me u martu burri me burr e gruja me grua, ligjin për me lind gratë pa burra. Sot të gjithë ata kanë para vetes agjendën legjislative të Albin Kurtit për vitin 2026, ku në dorën e tyre i kanë këto tre ligje me të cilat mashtruan votuesit e tyre dhe qytetarët e vendit. Secili që ka qenë në listë të VV-së e ka ditë që Albini nuk është tërhequr nga kjo agjendë. Ai asnjëherë nuk ka deklaruar se është tërhequr nga këto ligje”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    Rrahmani thotë se “ambiciet e ulëta për interesa të ulëta i kanë detyruar këta njerëz me mashtru votuesit e tyre në fushatë, me premtimin që këto ligje nuk vijnë në Kuvend”

    “Sot ata do të duhej të tregonin të vërtetën, a i mashtroi Albini këta deputetë apo këta deputetë mashtruan qytetarët? Fatkeqësisht, në mbështetje publike ka pasur edhe shumë figura me ndikim, intelektualë, profesorë, akademikë, disa hoxhallarë e priftërinj që në mënyrë direkte apo indirekte kanë kërkuar mbështetje për Albin Kurtin. Mbështetje që do të thotë mbështetje për ligjet ku lejohet ndërrimi i gjinisë, martesat burrë me burr e grua me grua, ku lejohet që gratë të lindin pa burr e fëmijët mos me ditë kush e ka nënën e kush babën, pra le ta dijë secili që ka kërkuar votë për Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, ka kërkuar votë për me u leju ndërrimi i gjinisë, martesat e të njëjtës gjini, lindja e fëmijëve pa babë”, shkruan ai.

    Rrahmani kërkon që anëtarët e LVV-së dhe “figura politike me ndikim në shoqëri”, të cilët ai thotë se e kanë mbështetur atë ligj, duhet “t’u japin arsyetim qytetarëve”.

    “Besoj që është e udhës që të gjithë këta, si figura publike me ndikim në shoqëri, t’u japin arsyetim qytetarëve, çfarë dobie ka lobimi i tyre për dikë që angazhohet për këtë agjendë, që sipas bindjes time është kundër Zotit, kundër familjes, kundër njeriut, kundër shoqërisë e kundër Kosovës”.

  • Deda: Do të ishte korrektësi minimale që Kurti me kohë t’i tregonte Osmanit se nuk e përkrah për mandat të dytë

    Deda: Do të ishte korrektësi minimale që Kurti me kohë t’i tregonte Osmanit se nuk e përkrah për mandat të dytë

    Analisti Ilir Deda vlerëson se situata aktuale në vend me moszgjedhjen e presidentit do “evitohej lehtë po t’i tregonte me kohë Kurti Osmanit që nuk e ka përkrahjen e tij për mandat të dytë – që do të ishte korrektesia minimale pas një bashkëpunimi 6 vjeçar”.

    Sipas tij, “këtë krizë e ka shkaktuar dëshira për kontroll absolut të çdo institucioni në vend”, referuar Kurtit.

    Postimi i plotë:

    “Aleanca politike” nuk nënkupton heshtje gjatë shkeljeve të Kushtetutës, heshtje kur linçohen kritikët, heshtje përgjatë abuzimit institucional.

    Ruajtje “si sytë e ballit” meriton veç interesi i vendit, jo formacionet partiake apo bartësit institucional.

    Loja politike me mandatin e dytë të presidentes veq shpërfytyroi politikën partiake që bazohet vetëm në interes për aq kohë sa partitë kanë nevojë për te. Reagimet emocionale i mbesin votuesve që me çdo kusht refuzojnë të jetë mendje ftohtë dhe të kuptojnë që politika s’ka asgjë të bëjë me dashuri.

    E sa i përket krizës së tanishme, kjo mund të evitohej lehtë po t’i tregonte me kohë Kurti Osmanit që nuk e ka përkrahjen e tij për mandat të dytë – që do të ishte korrektesia minimale pas një bashkëpunimi 6 vjeçar. Dhe, të gjente me të vërtetë një figurë konsensuale me partitë në opozitë, e jo të luante lojë të fajësimit.

    Këtë krizë e ka shkaktuar dëshira për kontroll absolut të çdo institucioni në vend.

  • Hungaria miraton rezolutën kundër anëtarësimit të Ukrainës në BE

    Hungaria miraton rezolutën kundër anëtarësimit të Ukrainës në BE

    Parlamenti i Hungarisë ka miratuar me shumicë rezolutën që i kundërvihet anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian (BE) dhe financimit të mëtejshëm të nevojave të saj ushtarake me shpenzimet e vendeve të BE-së.

    Në total, 142 anëtarë të parlamentit votuan për këtë propozim, 28 kundër, ndërsa katër abstenuan.

    Sipas dokumentit, Hungaria i kundërvihet anëtarësimit të Ukrainës në BE, duke pretenduar se vendi ndodhet në luftë dhe nuk plotëson kriteret për anëtarësim, shkruan Kyiv Independent.

    Rezoluta i bën thirrje qeverisë hungareze të mos mbështesë nisjen e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në BE. Dokumenti gjithashtu kërkon ndalimin e dërgimit të parave ose armëve për Ukrainën dhe përpjekjet për të parandaluar rishpërndarjen e fondeve evropiane, të supozuara për Hungarinë, për nevojat e Kievit.

    Autorët e rezolutës argumentojnë se pjesa e Ukrainës në financimin e buxhetit të ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së mund të arrijë deri në 360 miliardë euro, pjesërisht për shkak të reduktimit të subvencioneve bujqësore.

    Rezoluta gjithashtu mirëpret kërkesën e qeverisë që të kryhet një anketë midis popullsisë për financimin e mëtejshëm të Ukrainës në formën e një peticioni kombëtar.

    Dokumenti i bën thirrje qeverisë hungareze të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar vazhdimin e politikës së BE-së që mbështet Ukrainën në luftë, si dhe “tërheqjen e Hungarisë dhe BE-së në luftën ruso-ukrainase”.

    Hungaria muajin e kaluar gjithashtu bllokoi miratimin e paketës së 20-të të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë dhe pengoi dhënien e 90 miliardë euro kredive të BE-së për Ukrainën, duke kërkuar vazhdimin e furnizimit me naftë ruse.

  • Danimarka mbyll ambasadën në Teheran

    Danimarka mbyll ambasadën në Teheran

    Danimarka është vendi më i fundit që ka pezulluar aktivitetin e ambasadës së saj në Teheran.

    Duke folur para gazetarëve, ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, tha:
    “Situata e sigurisë është tepër e tensionuar që ne ta mbajmë ambasadën të hapur.”

    Ai shtoi se ky vendim i Danimarkës është në përputhje me veprimet e disa vendeve të tjera evropiane.

  • Rasti i dhunimit të 11-vjeçares në vitin 2022, Gjykata shqipton 52 vjet burgim për pesë të akuzuarit

    Rasti i dhunimit të 11-vjeçares në vitin 2022, Gjykata shqipton 52 vjet burgim për pesë të akuzuarit

    Departamenti për të Mitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka shpallur këtë të martë aktgjykim dënues për pesë nga gjashtë të akuzuarit për dhunimin e një 11-vjeçareje në kryeqytet, rast që kishte ndodhur në vitin 2022.

    Të pandehurit u dënuan me gjithsej 52 vjet burgim, pasi gjykata konstatoi se secili prej tyre, veç e veç, ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

    Sipas vendimit të gjykatës, B.R u dënua me 12 vjet burgim, ndërsa D.Rr., F.S., M.R. dhe M.K me nga 10 vjet burgim secili.

    Ky rast ishte kthyer në rigjykim pasi palët kishin ankimuar vendimin e Gjykatës Themelore në prill të vitit 2024.

    Ndërkohë, një nga të akuzuarit, i cili ndodhet në arrati, është veçuar nga procesi, ndërsa për rastin në tërësi akuzohen gjithsej 13 persona në dy procedura të ndara gjyqësore.

  • Dy të lënduar dhe katër persona dërgohen në polici pas rrahjes në Pejë

    Dy të lënduar dhe katër persona dërgohen në polici pas rrahjes në Pejë

    Dy persona janë lënduar si pasojë e një rrahje që ka ndodhur sot në hapësirat e Stacionit e Autobusëve në Pejë, derisa katër persona janë arrestuar lidhur me këtë incident nga policia.

    Lajmin e ka konfirmuar Fadil Gashi, zëdhënës i policisë për rajonin e Pejës.

    Gashi deklaroi se në këtë ngjarje është përdorur edhe mjeti i mprehtë (thika).

    “Dy persona janë dërguar për tretman mjekësor, derisa katër janë arrestuar në vendin e ngjarjes. Rasti ka ndodhur rreth orës 14:00. Policia me njësitet relevante dal në vendin e ngjarjes derisa kanë nisur hetimet lidhur me rastin”, tha Gashi.

  • Grenell i reagon ashpër Osmanit: Po gënjen, thotë gjithçka për mbijetesën e vet politike

    Grenell i reagon ashpër Osmanit: Po gënjen, thotë gjithçka për mbijetesën e vet politike

    I Dërguari Special Presidencial për Misione të Veçanta të Shteteve të Bashkuara, Richard Grenell, ka reaguar pas deklarimeve të mbrëmshme të presidentes Vjosa Osmani se Administrata Trump është Administrata për pro-kosovare që kur vendi ka shpallur pavarësinë.

    Grenell ka thënë se “Osmani po gënjen”, duke thënë se ajo bashkë me Kurtin kanë qenë një “ekip i tmerrshëm”.

    Sipas Grenell, Osmani thotë gjithçka për mbijetesën e saj politike.

    “Ajo po gënjen.Ekipi Kurti/Osmani ka qenë një katastrofë dhe të gjithë e shohim qartë këtë. Ajo thotë gjithçka për mbijetesën e saj politike”, ka shkruar Grenell.